Pas tetë vitesh larg, Tirana e përndritur nga shiu i majit, iu duk veçse e bukur! S’do mend ; e ku të lë malli të shohësh të keqen, pa le pastaj të shash dhe të shfrysh …
N’ajër , përgjatë një fluturimi kalamendës dhe mërzitës nëpër natën e planetit , nga Nju Jorku gjer në Rinas, i kishte rrotulluar sa e sa herë në kokë ato çka kishte vendosur të bënte me të mbërritur n’atdhe; po po, n’atdhe. Ai e donte vendin e tij krejt natyrshëm , sidoqoftë nuk po kthehej i përthithur nga atdhedashuria; po kthehej të shijonte , ndoshta për të fundit herë, edhe ca vite të tjerë të një jete pa kokëçarje prej bohemi simpatik, ndonëse nuk ishte artist.Po përse nuk ishte artist; e kujt i regëtinte më shumë se atij një shpirt prej artisti , ca e ca pseudove, ca e ca sharlatanëve dhe grafomanëve , që bënin mirë të hiqeshin qafe publikisht ?
Por ç’padurim për ta rifilluar këtë jetë në vendlindje , ku e ndjente menjëherë thellësinë e ekzistencës së vet , duke kuptuar , për rrjedhojë , edhe sesa ishte lumturuar , sa ishte trishtuar dhe pikëlluar dhe, sa i vërtetë dhe i sinqertë ishte treguar së pari me vetveten, vijueshëm edhe me shoqërinë.
E pra, përqasja e një lloj gjykimi në frymën e filozofisë së amshimit , ndonëse ndodhte papritmas, ishte e natyrshme.
Do ta rifillonte jetën në vendlindjen e tij, tashmë gjashtëdhjetepesëvjeçar, shëndetplot, (lavdi Zotit ! ) me flokët që ia kurorëzonin portretin po aqsa edhe kur kishte qenë tridhjetë vjeç, i sapomartuar, apo nuk i kishte ngjyer për mrekulli atje n’Amerikë me atë të gështenjtën e tyre origjinare !
Do të mbathte , si gjithmonë , këpucë atlete , do të vishte pantallona xhins, bluza elegante si ato të tenistëve; eh eh, dhe ashtu i gjatë dhe me barkun petë, do të ecte shkathtësisht nëpër trotuaret e ngushtë, plot tryeza kafenesh , njerëz dhe qen gjithfarësh , teksa fytyra pa as më të imtën rrudhë dhe, sytë e kthjellët, do t’i shkëlqenin prej një mendjeje, që punonte çiltërsisht.
Në Tiranën njëmilionëshe, me siguri pakkush do ta njihte dhe do ta përshëndeste ngrohtësisht , por edhe ai, s’para do të përzihej me ish kolegët , apo shokët e shkollës , moshatarët e tij.O, ata që kishin mbetur ende gjallë, sepse për çudi, gati gjysma e tyre kishin vdekur sakaq, ca si shpejt sipas mendësisë së sotme dhe, s’ishin më në qytet, të bezdisnin me pyetjet e pambarimta , sapo të bëje toka.Ku ta dinin ata se ai asqë e përafronte psikologjinë e pleqërisë së tërhequr dhe , asqë i nevojitej statusi gjithsesi mëshirues i pensionistit. Obobo, nuk e dëgjonte dot këtë fjalë , ndonëse në bankë i terhiqte rregullisht çdo muaj paratë e të dy pensioneve, atë të Amerikës dhe, atë të Shqipërisë…
Ai do të jetonte paskëtaj , si një pesëdhjetëvjeçar i frymëzuar dhe entuziast që, nuk besonte aspak se shpërthimi i gëzimit dhe i të qeshurave, ndillte ters.
Këndellej sa herë i jepej rasti të bindej për mosndërprerjen e ereksionit të tij të hatashëm, ndonëse atje n’Amerikë, për shkak të divorcit me të shoqen dhe t’ardhurave të pamjaftueshme për t’i shpenzuar nëpër klube nate, apo nëpër shtëpitë publike, mbetej pa bërë seks edhe për një muaj të tërë; për pasojë shkrehej pa vetëdije në gjumë mes haluçinacioneve onirike, duke u shtensionuar kësisoj për pak kohë.
Por sa ndryshe do të ishte në Shqipëri! Bashkëshorten nëpër këmbë jo dhe jo, djemtë e tij, që tashmë ishin bërë edhe vetë prindër, merreshin absolutisht veçse me problemet e tyre të përditshme, njëlloj si edhe amerikanët tipikë; nuk do ta prishte më gjumin që pa gdhirë, për t’u hedhur pikiatë në atë hotelin e mallkuar, ku punoi thuajse njëzet vite , nuk do të kishte më kurfarë eprori mbi krye dhe, as do të jepte më llogari vend e pa vend , thjesht për ta detyruar të ndihej fajtor…
Ja pra, çfarë na qenkësh; do të lindte dita e re në Shqipëri dhe, ai do të ishte i lirë. Si i burgosuri që del nga hekurat dhe e godet dielli në sy, siç ia godet edhe ushqimi stomakun bosh të uriturit. Po përse arsyetonte gjithë ironi; ajo liri që po fitonte, nuk ishte aspak me tepri; sakaq ai nuk do të hutohej dhe as do të dalldiste, sepse , fundi i fundit ,s’kishte pse të ishte si ata libertët e Romës Perandorake.
Kishte punuar gati gjysmë shekulli rresht , ishte ligështuar kushedi sa herë; ndonëse kryeinxhinier në një ndërrmarje të rëndësishme prodhuese, e kishin larguar nga Tirana , për ta qarkulluar, siç thuhej atëherë për kuadrot e larta dhe, e kishin degdisur në një fshat të humbur, më pas e kishin përjashtuar nga Partia, e kishin kërcënuar me internim , madje edhe me burgosje, por ja , që kishte arritur t’ia dilte mbanë për mrekulli, gjersa më nëntëdhjetenjëshin u shkul me kuç e me maç dhe, kapërceu n’Amerikë…
Po ç’iu kujtua gjimnazi; ç’iu kujtua pikërisht ai vit , kur ia thyen notën në sjellje dhe, e përjashtuan nga shkolla ? Muaj të tërë u sorollat rrugëve të Tiranës, duke ndjekur pas pa u lodhur fare femrat e fabrikave dhe uzinave , kur ato hipnin apo zbrisnin nga autobusat e mbushur dëng. Shkrihej që ishte krejt i lirë , pa pasur qoftë edhe një orë të vetme të zënë.Ecte enkas si halabak dhe pinte në klub fërnet me shoferët dhe poetët, sa për t’u dukur në moshë të pjekur , ndonëse në xhep shpesh nuk kishte asnjë kokërr leku dhe, në mbrëmje i ati e qortonte rreptë…
Por sa ndryshe ishte tani, sa ndryshe.
Iu desh të blinte shpejt e shpejt disa orendi dhe pajisje elektrike për apartamentin e tij dyzetepesë metra katrorë, të vetmen pasuri të patundshme që i kishte mbetur në Shqipëri, sepse tokën e trashëguar nga i ati dhe shtëpinë ku banonte me të shoqen , fëmijët dhe prindërit që sakaq kishin vdekur , i kishte shitur pa hezituar , me të vendosur të shpërngulej në Amerikë.
Sa lehtësisht blihej gjithçka tashmë edhe në Shqipëri, mjaft që t’i kishte ato të uruarat para; frigorifer televizor furrë gatimi kondicioner për të përballuar të nxehtin përvëlues të verës tiranase, tryezë, krevat… O Zot, i mbante shënim të gjitha ç’i duheshin nëpër copa letrash , që i griste një çast nga nervozizmi, por që i merrte sërish nga ku i kish hedhur , i bashkonte me durim që të kombinoheshin cepat , a thua se luante puzzle, që të merrte vesh çfarë i kish mbetur ende pa blerë , sepse në apartament , nuk kishte lënë asgjë kur iku, përveçse ca rrangullave të shukura në një qoshe , që sakaq duhej të flakeshin…
Ah, ç’mrekulli ! Me të hapur derën e ballkonit dhe , me t’u përkulur mbi kangjellat,u përmbush me aromën e luleve të blirit . Aromën e luleve të blirit që ia përndizte shkreptimshëm kujtesën dhe, e nxiste të besonte se, të gjitha dashuritë e tij të gjeratëhershme , kishin nisur pikërisht kur çelnin ato, në majin me dritë hareje. Atëherë atëherë, mesa duket i kishte lënë ai takimet e para me të saponjohurat dhe, prandaj ajo aromë i përzihej dhe s’e ndante dot nga aroma e flokëve të atyre…
Pallati trekatësh , ku gjendej apartamenti i tij modest, i ndërtuar njëherësh me disa të tjerë aty rroturll, në fundin e viteve pesëdhjetë, për të strehuar me urgjencë të madhe , artistët e përzënë nga shkollat e të ashtuquajturave vende të demokracive popullore për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve diplonatike midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik; poetë skulptorë kompozitorë aktorë këngëtarë lirikë , të cilët , me shumicë, u bënë artistë zyrtarë të regjimit komunist, pallat me tulla të kuqe, mbetur përgjithmonë i pasuvatuar, ngrihej në njerën nga hyrjet e Bllokut dhe, tashmë në katin e tij të parë fillonin kafenetë zinxhir, me tryezat e sëritura edhe në trotuar, madje edhe ndanë rrugëve kryq, të shtruara me pllaka ngjyrë kafe.
Kurorat e blireve , të blerta dhe të ndritshme , përhapeshin gjer tutje dhe, ndënë to ai dalloi njerëzit e ulur nëpër karrige që bisedonin me zë të lartë , të tjerë që çanin me zor mes tryezave , më pas e shtriu vështrimin dhe pa dhe makinat që lëviznin përnjë me marsh të parë në kurrizin e rrugës.
O Zot, sa femra të bukura , psherëtiu , duke u valuar nga një afsh që ta humbiste gravitetin, sa femra të bukura , por dhe sa shumë automobilë luksozë dhe të shtrenjtë.Jaguar Mercedes Porcshe Maserati, njëlloj si dhe në rrugët e parfumuara të Monacos…
O Zot, Blloku i Enverit, i kyçur gjer dje si kasafortë, Blloku marksist – leninist, që për pak i ktheu shqiptarët në një turmë njëmendëshe, të shumëzuar nga klonimi ! Blloku brendapërbrenda pa asnjë muze dhe, pa asnjë pllakë përkujtimore, varur gjëkundi, Blloku pa historinë e tij komuniste të ekspozuar institucionalisht.
Por ndoshta më mirë kështu; në djall le të venin muzetë anekënd, me relikte të fetishizuar diktatorësh, si për shembull : kasketa e dëmtuar e Mao Ce Dunit, purot e Fidel Kastros, apo Mercedes – Benz – i i Hitlerit, që kanë çmime virtuale të përafërt me çmimet e shitjes së tablove të Van Gogut, apo figurinave të Xhakometit …
Nuk do të ishte asfarë çudi që në ato vende ku janë hapur këto lloj muzesh, të gëlojë një ditë romantizmi komunist, nazist apo fashist…
Pra më mirë kështu dhe Blloku mbetej i të gjithëve ; madje edhe i të huajve që vdesin të zdërhallen pab më pab ca ditë të lume. Aty aty do të harbohej pa u përmbajtur edhe ai, në atë territor që e kishin pushtuar kafenetë nga më konfortet, bankat amerikane dhe europiane, tangat, kokteilet dhe takat e larta, ekstravaganca muzikore, hotelet, puthjet si shkarkesa elektrike, Guçi dhe Kavali, Kisha Apostolike, Sinagoga, studiot e piktorëve, madje edhe një klub i kozmistëve nismëtarë shqiptarë, të ndërgjegjshëm, mesa duket , për të ardhmen e pashmangshme universale të njerëzimit…
Blloku, që një ditë të afërme mund të kthehej në një Pigal…
Patjetër do të bridhte edhe në të gjithë Shqipërinë, por njëherë për njëherë, do të ngulej në Bllok, gjersa të arrinte një lidhje të qëndrueshme me një femër, nga ato që e gjeje veçse aty…
A, por do të zbriste poshtë !
Sa gjumë të ëmbël kishte bërë gjithë natën, sa gjumë të ëmbël ! Dhe nuk ishte thjesht një ndijim metafizik, ishte më tepër , sepse i bëhej sikur sapo kishte përtypur një copë të mirë torte.
I përshkoi me radhë rrugët e Bllokut , duke i vëzhguar me kërshëri analitike dyqanet dhe kafenetë e hapura nëpër vilat me oborre përplot lule , të cilat , në këtë orë të mëngjesit , ishin ende si të lodhura dhe të mpira pas ekstazës nokturne.
Pronarët e vërtetë të këtyre vilave, të ndërtuara nga inxhinierët italianë të viteve të Fashizmit, ndonëse jetuan për faqe të zezë nëpër bodrume, apo kasolle andej nga i internuan, edhe pas shporrjes së byroistëve teveqelë që ua kishin rrëmbyer, edhe pas gjyqeve të stërzgjatura, nuk u futën të banonin aty kur i rifituan, sepse siç dukej ,nuk patën asnjë përndezje nostalgjie, përkundrazi, u dukeshin shtëpi të nëmura dhe të përdhosura. I lëshuan me qira të majme afatgjata të tëra këto vila dhe, Blloku farfurinte !
Po ç’i duhej atij e kaluara dhe qëndrimi ndaj saj; si e tërhiqte ajo tinëzisht ! Ai ishte kthyer në Shqipëri për t’ia futur një mendjeje të lehtë, siç thuhej gjithë sportivitet përmes kësaj idiome, ishte kthyer të hante e të pinte me dëshirë, të dehej, të harxhonte para , të këpuste qyfyre, të puthte dhe të bënte seks gjersa të shkrehej dhe t’i vegonin ndër sy qiejt e vagullt të parajsës; të bënte seks pa u qurravitur nga dhembshuria dëmtuese, por me dhunë , me atë lloj dhune që zakonisht pëlqehet nga të dy partnerët, të bënte seks me një femër që nuk të vardisej më mbrapa, por ikte në punë të saj, duke të lënë edhe ty të ndiqje punët e tua. Vulgariteti dhe shpërfillja sot të tregonin trendi; të përgjëroheshe, të sëmureshe dhe të bije në ethe,shëmtoheshe po aqsa edhe kur mëtoje të kapje sublimitetin dhe pozitën e dashnorit hero…
Hëngri me oreks mëngjesin te një restorant i vogël francez, doli më pas dhe shëtiti me mall përgjatë Lanës së bleruar dhe, kur u fut sërish në Bllok, vajti e u ul te një tryezë, ngjitur me trungun e një bliri.Picëroi sytë që t’i fokusonte më mirë ato çka shihte në diell, por pikërisht atëherë i vërshuan kujtimet. Interesant ; krejt ndryshe i rishikonte dhe i vështronte tashmë ngjarjet e dikurshme, siç duket ngaqë secila prej tyre kalonte përmes filtrit të ngjarjeve të kohës.
Sa u pezmatua, sa u revoltua më pas, kur në oborrin e kafenesë u futën dy fëmijë punëtorë, siç quheshin nga Shoqata Save The Children, shitës cigaresh me nga një kuti kartoni ndër duar ! Eh, as libra dhe as fletore shkolle; të mjerët ata, por mesa dukej në Bllok hanin bukë të gjithë, secili në kuotën e vet. E dinte që në Bllok vrisnin herë pas here dikë me filxhanin e kafesë në gojë, por se ç’kishte një bindje që, nuk do të vdiste as nga plumbi qorr dhe as nga ndonjë i nisur drejt kokës së tij.
- Një ekspres, sa për fillim – e porositi kamerierin që i mbiu te këmbët.
Oborri i kafenesë filloi të mbushej me shpejtësi, por kishte edhe nga ata që preferonin të futeshin brënda, në hollin me kolltukë, me tryeza druri, me piktura nëpër mure dhe abazhurë shumëllambësh që vareshin gjer te kryet e klientëve.
Ata që vinin ishin, më së shumti të rinj , studentë ndoshta , me prindër të pasur , por kishte edhe nga ata që duhej të ishin vetë të pasur,pronarë, politikanë,gazetarë të pjesës së aristokracisë së komunitetit të tyre etj.
Sa ndryshe ishin femrat në Shqipëri; në çdo ditë të javës të veshura si për festë , të krehura me kujdes, të grimuara, me dekolte bujare, ato veçse në punë nuk dukej se po shkonin dhe, shpesh të kujtonin wags –et e futbollistëve…
Aromë bliri…
Pranë tij u ul një femër e pashoqëruar ; ishte e gjatë , më një bluzë të lirshme në trup dhe me një fund të puthitur fort pas bythëve , por që hapej pastaj si i shpërthyer dhe shkëputej nga linjat e kofshëve. Në dorë mbante një çantë të stërmadhe dhe, kur zuri vend dhe u rehatua ,vuri re se kishte kërcinj dhe llërë shumë të bardha dhe të ndritshme, siç i kanë të gjitha ato që janë bionde natyrore. Dhe, e tillë ishte, me flokë të florinjtë , që të sillnin ndër mend kukullën Barbi, por në fytyrë ama, nuk dukej aspak naive; sytë gri pas reflekseve të syzeve optike, vështronin me mençuri dhe me mahi të hollë. Po ç’naivitet me gjithë ato shalë të zbuluara !
- Kapuçinon ? – e pyeti rrëshqitshëm kamerieri , që iu përqas. Ajo pohoi me kokë, por ai do të kishte dashur t’i dëgjonte zërin dhe të vërente sesi fliste, aq më tepër që kishte një fytyrë , që të dukej sikur e kishe parë kushedi sa herë. Sidoqoftë , u kuptua që vinte shpesh në këtë lokal , nëmos përditë.
- Më sill tani një uiski, s’ka nevojë për akull – e kapi ai kamerierin, kur i solli kapuçinon asja femrës, të cilën, pas pak dikush e thirri përmes celularit dhe ajo u çua me vrull nga karrigia, hodhi çantën në sup, piu me fund atë çka i pati mbetur në filxhan dhe kaloi pranë tij që të ikte.
- Si jeni ? – e pyeti ai me një ton aq konnfidencial, a thua se ishin miq.
- Ke dalë të gjuash , plako ?
- Nëse qenkam plak , si mund të gjuaj, hehe…
Çfarë injorimi, çfarë poshtërimi madje; plak ! Por ai nuk asgjësohej me një të hedhur shashke; ou, sa përvojë kishte ai me femrat, sa shumë e kishin dashuruar ato, sa shumë e kishin preferuar. Me gojën plot i kishte pohuar dikur njera prej tyre, njera nga ato që të ndezullonte, ashtu gjithë hire dhe një buzagaz, me të cilin të tërhiqte sikur të hidhte qafës një lak, se, në shtrat arrinte të kënaqej veçse, kur përfytyronte atë mbi vete, hehe, plako…
Por që atë pasdite , e mësoi se ajo, nuk e paskësh quajtur plak , sepse ai,përnjëmend, plak ishte, por sepse plako, pabuks dhe, sa të bën kafja ( puna korruptive që po më kryen ) ishin shprehje të rëndomta të zhargonit të Bllokut ; plako, thirrej edhe një djalosh, duke nënkuptuar se, atë e kishe mbështetës , por edhe kushdo tjetër , gjithmonë me afri dhe humor, që na qënkesh i zoti dhe i sakrificës; plako, do t’i zgjidhim hallet…
Ok .
Pas ca ditësh , gjatë të cilave u rrokullis gjysmë i dehur kafene më kafene dhe dyqan më dyqan , duke u takuar dhe duke hyrë në biseda të rastësishme me lloj lloj tipash , inteligjentë dhe të këndshëm , apo edhe të tjerë , të shtirur dhe pordhacë, por ndërkaq edhe me disa gra të lezetshme, të cilat i falënderonte që i kaluan pranë jetës , qoftë edhe për aq ; pas ca ditësh pra,kur provoi të hante edhe një vakt gjithë intimitet, aty në shtëpizën e tij, por që u zhgënjye dhe i ngeci kafshata në fyt në atë vetmi angështuese, u drejtua ta pinte kafen e mëngjesit po tek ai lokal ku kishte ndeshur atë femrën, atë intriganten, së cilës, për një çast i kishte parë brekët e bardha si feksje drite në terr. Po ç’ duhej të ishte ajo ? Ç’të dojë le të ishte ; sot lidhjet me një femër ishin lehtësisht të arritshme…
O, ajo ishte aty, sërish e pashoqëruar, por duke folur në celular. A do ta mbante mend vallë që, sidoqoftë kishin shkëmbyer dy llafe?
– Tungjatjeta !
Ajo tundi kokën , më pas ngriti sytë dhe pa kush e përshëndeti.
- A mund ta pimë një kafe bashkë, nëse nuk pret njeri ? – e pyeti , teksa tërhoqi një karrige zvarrë dhe u ul pa pritur përgjigje.
- Unë po e pi kafen time; përse do të pëlqente ta pije kafen me mua ?
- S’e di ende ta them.; ti duhet të jesh mësuar me ngacmimet tashmë, me komplimentet gjithashtu.
- Haha; e përse ?
- Kaq e mirë sa je ti… Çfarë do të pish, pas kapuçinos ?
- S’bëhet fjalë për alkool. Pi vetëm lëngje frutash të freskëta të saposhtrydhura. Alkooli ma fluturon mendjen.
- Kamerier, një…
- Lëng molle, e di ti…
- Po, dhe mua një ekspres, si fillim. Dëgjo, s’ka asnjë arsye që të mos merremi vesh. Kam neveri nga mëdyshjet dhe tundimet, pale nga shtirjet !
- Nëse mua do të më duhet të largohem pas pak, çfarë do të bësh , do shpërthesh, a kurvë e poshtër ? Por, sesi e flet shqipen , nga vjen, ku jeton ?
- Këtu , më në fund, por vij nga Amerika pas tetë vitesh.
- Aha, ka ca emigrantë që vijnë në Shqipëri si mercenarë dhe, largohen nga këtej, po si mercenarë; më kupton ç’dua të them ?
- Patjetër.Ç’aluzion i hidhët! Po ç’aluzion, kap ç’të kapësh, kështu , këtë deshe të thuash ? Unë tash e tutje do të jetoj përgjithmonë këtu, në Shqipëri; kam vendosur. Jam qytetar amerikan, siç jam edhe qytetar shqiptar dhe, shtëpinë, o një shtëpi tërësisht timen, e kam ja, ca më tutje. Jam pra, banor i Bllokut.
- Në njëfarë mënyre të gjithë ne banorë të Bllokut jemi, përderisa një pjesë të mirë të kohës e harxhojmë këtu.
- Një ditë mund të jemi edhe qytetarë të tij , një ditë kur Bllokun ta shpallim zonë me status të veçantë administrativ.
- Oh, u lodha; ju të vetmuarit , më fal, u shpreha gabim ; ju të mbeturit vetëm , përpiqeni dhimbshëm të kapeni pas dikujt, të cilit i kërkoni medoemos t’ju përkushtohet, në rastin më të mirë, edhe t’i përkushtoheni.
- Epo, makina ecën për aq kohë sa ka karburant, por mua nuk më nevojiten lidhje të tilla.
- Meqë na e kujtove, ku e ke makinën ?
- Nuk kam ende, por do ta blej një Jeep; s’i duroj dot makinat e ulëta. Po ku do të shkosh ? Ja të porositim një taksi.
- Uf, jap mësim në një universitet privat; u vonova!
- Besova se do të hanim drekë diku, sipas klishesë të paktën.
- Po sipas klishesë, të njihemi një herë ; sa biçimër vijnë rrotull këtu…
Ajo ia shtrëngoi dorën me drithërimë dhe hipi në taksi, teksa ai i dha shoferit paratë. Aq sa i kërkoi. U fut sërish në lokal që të pinte një uiski dhe, me t’u lëshuar në karrige, recitoi : sa mirë ; nuk i erdhi fare zor, që ia pagova taksinë…
Aromë bliri…
Por sa shpesh binte shi atë fund pranvere, sa freskohej moti dhe sa gjallëroheshin njerëzit!
Kur e çoi në shtëpinë e tij, ajo i tregoi pa ngurruar se, para dy vitesh, ishte operuar në kokë, i kishin hequr një tumor, por për fatin e saj gjithçka më mbrapa , kishte marrë për mbarë. Ndodhi të tilla, kaq të rënda dhe tronditëse, kur ia hidhje, dhe jetoje për së dyti, të ndryshonin gjer edhe karakterin, kishte vazhduar ai, duke i habitur ata që nuk e dinin se, të kishte fshikulluar vdekja; po po…
- O, s’ka njeri që të mos thotë për mua se, jam tjetërsuar, por fatmirësisht tashmë në një version të korrigjuar. Në fakultet më mbanin për mendjemadhe dhe agresive.
- Tani je e llastuar.
- Le të jem, por sa po më pëlqen kjo kuvlia jote, por ç’kuvli, qenka një shtëpi e mrekullueshme.Kurse ballkoni duhet vlerësuar më vete.Aty vështron tërë rrugën e Bllokut , deri te bankat. Ta dish, është një shtëpi seksi, sepse edhe për një shtëpi mund të thuhet kështu, lalala – la…
Ku i qëlloi të lidhej me atë femër! I kishte pohuar mëse nje herë, nëpër kafene se nuk vinte alkool në gojë, por aty në shtëpizë veç ta shihje si e rrëkëllente verën e bardhë dhe të ftohtë akull; heshtte, përqëndrohej, e kthente vështrimin përbrënda dhe nuk e ulte gotën në tryezë pa e tharë. Po përse nuk pranoi kurrsesi të zhvishej lakuriq kur bënë seks ? E kush ajo, që kur e këqyri nga dera e hapur e banjës, tek bënte dush duke kënduar, bëlbëzoi si memec : o Zot, çfarë trupi! Dhe as ndonjë shenjë të dyshimtë, as tatuazhe dhe as ndonjë emër që ajo nuk do të kish dashur t’ia lexonte kush.Atëherë ? Ku ta dije ? Ajo i tha erdha dhe , pasi hodhi përsipër një si punë këmishe, u ngjesh pas murit të dhomës dhe nisi të lëvizë zigzag.Tentoi ta hidhte në krevat, por ajo kundërshtoi prerazi; këtu këtu, pas murit dhe në këmbë…
Ç’e gjeti; po ku i prishej asaj që të shihte zhbirueshëm në sy, duke të shtrënguar edhe ty të veproje njëlloj , si për të sinkronizuar orgazmat…
Eh, ai u lodh shpejt, u amullua, dhe ç’ishte më e keqja , e zuri gjumi, siç i zë zakonisht ata që qetësohen , pasi kalojnë një temperaturë të lartë. Kur u zgjua, ajo po luante me celularin e saj.
Aromë bliri…
Te ajo farmacia, atje në krah të vilës ku jetoi dhe vdiq Enveri, do të shkonte të blinte viagra. Menjëherë ! Pesëdhjetë miligramëshe ! Po si nuk i solli ato të shkretat nga Amerika ? S’ndodh ndonjëherë të mos harrosh gjësendi pa e marrë me vete kur nisesh për udhë ! Këtu në Shqipëri, thoshin se viagrat, përveçse të shtrenjta, na qenkëshin edhe false, veçse niseshte dhe bojë. Por do t’i blinte, do t’i blinte, ajo patjetër do të vazhdonte t’i hynte në shtëpi edhe për ca kohë…
Në pallatin e ndërtuar me ngut për të strehuar tërë artistët që i dëbuan nga universiteti qeveritë e të ashtuquajturave vende të demokracive popullore, vdiq një njeri. Shqiptaro – amerikan. I kthyer para një muaji në Tiranë. Askush s’u akuzua për vdekjen e tij. As partnerja, e cila lajmëroi urgjencën , kur ai dha shpirt papritur. Ajo i deklaroi policisë se, as emrin nuk ia dinte saktësisht të ndjerit. U pëlqente të rrinin bashkë. Kaq…
Pas shqyrtimit të shpejtë mjekoligjor të ngjarjes , askush nuk dyshonte më se, shqiptaro – amerikani kishte pësuar një ulje të menjëhershme të tensionit. Domethënë , të shkaktuar ( paradoksialisht ) nga hapja e venave.Qartë,viagra viagra. Posi , mbidoza. Ashtu ashtu, aritmi ventrikulare. Infark po po. Alo, ç’të themi, është një njeri pa njeri, alo…
Dielli i bukur i asaj pranvere që po mbaronte , nuk shkëlqente më gjatë se tri ditë rresht , sepse shpërthenin shtrëngatat e shiut, të cilat i hodhën më në fund poshtë lulet e blirit. Lulet e blirit, që, perveçse lëshonin një erë të rëndë kalbëzimi, formonin mbi trotuaret e Bllokut një shtresë lere , mbi të cilën duhej të çapiteshe me kujdes, përndryshe thyeje qafën…
Komentet