VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

APOLOGJIA – Poezi nga RALPH WALDO EMERSON (1803-1882) – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

By | May 25, 2019

Komentet

Akoma s’kam qarë për Babain … – Poezi nga Albert HABAZAJ

 

Baladë për Mësuesin, Këngëtarin dhe Babain tim Rexhep Sh. Abazi

 

Dhembjen e kam të nxehtë e të njomë,

Lëmshi në grykë më bëhet mal,

Mezi i mbaj lotët, mos bëhen Amazonë,

Me lotët e paderdhur mund të bëj hidrocentral.

 

Dhe pse s’jam fetar, e kam një shenjt,

Shenjti im është im atë përjetësisht,

Mësuesi, këngëtari, burri për kuvend,

Autoritet dhe elegant njëkohësisht.

 

Fjalën ia kam flori në gjak, në shpirt,

Ia kam diell me dritë të ngrohtë në sy,

Ku ta kap të uruarën, ta ndjej atë dritë?

O Baba, si duroj unë 10 vjet pa ty?!

 

Fjalën tënde e kam udhëzues,

Para teje s’përfill asnjë hero legjende,

O shenjt që më ke ikur, i dashur mësues,

O Baba, për ty s’kam qarë ende…

 

Vlorë, 13 Qershr 2019

Më 13 qershor 1888 lindi poeti avantgardë portugez Fernando Pessoa

VOAL – Fernando António Nogueira Pessoa ka lindur në Lisbonë më 13 qershor 1888 nga Madalena Pinheiro Nogueira dhe Joaquim de Seabra Pessoa, kritik muzike për një gazetë lokale. Babai i tij vdiq në vitin 1893. Nëna e tij bashkohet në një martesë të dytë në vitin 1895 me komandantin Joao Miguel Rosa, konsull portuguez në Durban: Fernando e kalon kështu rininë në Afrikën e Jugut.

Në kontinentin e zi Fernando Pessoa plotëson të gjitha studimet deri në provimin pranues në Universitetin e Cape Town. Kthehet në Lisbonë në vitin 1905 për t’u regjistruar në kursin e Filozofisë të Fakultetit të Arteve: pas një aventurë katastrofike editoriale, gjen punë si korrespondent për anglisht dhe frëngjisht për kompani të ndryshme tregtare, punë të cilën do ta vazhdojë gjithë jetën. Me 1913 ai filloi të bashkëpunojë me revista të ndryshme, të tilla si “A Aguia” dhe “Portugalia Futurista”, ku boton shrime të rëndësishme dedikuar posaçërisht për romantiket angleze dhe Baudelaire; aktivitetin letrar e filloi kur ai ishte ende një student në Universitetin e Cape Town, i cili përbëhet nga prozë dhe poezi të shkruar në gjuhën angleze.

Nga 1914 shfaqet me emra të tjerë (heteronime) Alberto Caeiro, Ricardo Reis dhe Álvaro de Campos. Janë autorë fiktivë (ose pseudoautorë), të cilët kanë personalitetin e tyre: “Krijuesi” i tyre është quajtur ortonim. Tek Pessoa i periudhës së fëmijërisë paraqitja e karakterit të parë imagjinar ishte ajo e Chevalier de Pas, përmes të cilit i shkruan letra veten së tij, siç thuhet në letrën heteronime në Casais Monteiro.

Në vitin 1915 me Mario de Sá-Carneiro, Almada Negreiros, Armando Cortes-Rodriguez, Luis de Montalvor, Alfredo Pedro Guisado dhe të tjerët, Pessoa i jep jetë revistës avantgardë “Orpheu”, e cila përfshin përvojat futuristic, pauliste dhe kubizëm; revista do të jetëshkurtër, megjithatë ngjall polemika të mëdha letrare në mjediset portugeze, duke hapur perspektiva të reja për poezinë portugeze.

Pason një periudhë në të cilën Fernando Pessoa tërhiqet nga interesa të fshehtë dhe teozofike që kanë thellësisht ndikim në veprën e tij. Në vitin 1920 fillon aventura sentimentale e jetës së poetit. Emri i saj është Ophelia Queiroz, punonjëse në një nga kompanitë e import-eksportit, për të cilat punon Fernando Pessoa. Pas një ndërprerjeje prej disa vitesh, marrëdhënia konsolidohet në vitin 1929.

Në një intervistë me një gazetë në kryeqytet në vitin 1926, pas grushtit ushtarak që i jep fund republikës parlamentare dhe ia hap rrugën regjimit salazarian, Fernando Pessoa fillon për të shpjeguar teoritë e tij të “Perandorisë së Pestë” e, që konsiston në profecitë e Bandarras (këpucari i Trancoso) shkruar në gjysmën e parë të shekullit XV; sipas këtyre profecive mbreti Don Sebastian, i nisur për të vdekur në 1578 në Betejën e Alcazarquivir, do të kthehet me trupin dhe shpirtin për të krijuar një regjim të drejtësisë dhe të paqes. Kjo është “Perandoria e Pestë”, në të cilën Portugalia është e paracaktuar. Kjo perandori do të ishte thjesht kulturor dhe jo ushtarake apo politike si perandoritë klasike të së kaluarës.

“Mensagem” (Mesazhi) është titulli i vetëm mbledhjen e poezive në portugisht përgatitur personalisht nga poeti i publikuar në vitin 1934 mori një çmim të qeverisë prej 5.000 Escudos. Vepra përfshin shkrimet në teologji, okultizëm, filozofi, politikë, ekonomi si dhe disiplinat e tjera.

Pas një krize të mëlçisë, shkaktuar me sa duket nga abuzimi me alkoolin, Fernando Pessoa vdiq në një spital në Lisbonë më 30 nëntor 1935.

Ndërsa gjatë jetës Pessoa kishte ushtruar pak ndikim, ai do të imitohet gjerësisht nga poetët e gjeneratat e mëvonshme.

Visar Zhiti: Në Poloni me Maks Velon, atje ku s’bëhet show me vuajtjen e të persekutuarve

Visar Zhiti me bashkëshorten, Edën dhe Maks Velon

Në Varshavë pak ditë më parë u mbajt një takim ndërkombëtar me rëndësi për kujtesën e njerëzimit, ndërsa te ne, nga shkaku i kujtesës së keqe, ka një krizë të rrezikshme ngaqë s’ditëm të përballemi me të shkuarën diktatoriale, me pasojat e saj, me të tashmen e korruptuar e të vjedhur, që nuk sjell të ardhme, por kthim të dëshpëruar pas.

Në Varshavë u mblodhëm dhe folëm në senat ish-të burgosur politikë nga të gjithë vendet e Europës Qendrore dhe Lindore në Samitin e Kryetarëve të Parlamenteve të këtyre vendeve, duke filluar nga Polonia, vendi pritës dhe organizator, nga Hungaria, Sllovenia, Kroacia, Sllovakia, Çekia, Serbia, Gjermania, Bosnja, Bullgaria, nga Rusia dhe ish-republikat e ishBashkimit Sovjetik, Ukraina, Armenia, Azerbajxhani etj.. Patjetër që ishim dhe nga Shqipëria, ku nuk kemi dhe aq zë, i cili tradhtohet gjithnjë e më shpesh.

Samiti i Varshavës ishte organizuar nga Parlamenti dhe Senati i Polonisë me rastin e 30-vjetorit të zgjedhjeve të lira të vitit 1989, duke e konsideruar atë si “Vitin e Lirisë së Popujve dhe Fitore të Fjalës së Lirë”, teksa te ne nuk dimë të bëjmë zgjedhje, sepse na vetëzgjidhen ata që i çorodisin zgjedhjet për interesa që “ikin në drejtim të paditur”, veç jo të vendit.

Visar Zhiti me bashkëshorten, Edën dhe   ministri Jacek Czaputowicz

Në Varshavë u shpalosën përvojat kolektive e vetjake nëpërmjet fjalës dramatike të ish-të burgosurve politikë në perandorinë komuniste, e gjitha kjo për një njohje më të gjerë e më të thellë të së shkuarës së përbashkët, për një përballje ndaj sfidave të kohës moderne, që politikanët e të gjitha vendeve të dinë të veprojnë më mirë e më drejt, u tha atje.

Po këtu, ç’bëjnë politikanët tanë? Shihet dhe ajo që nuk shihet, por nuk po bëhet ajo që duhet… Por po flas për takimet në Poloni, mbase ndihmohet dhe kujtesa jonë për më mire.

Të gjithë të ftuarit si fillim shkuan në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku u takuam zyrtarisht me ministrin Jacek Czaputowicz, ish-i burgosur politik. Ju jeni ministrat e vërtetë,- u tha ndër të tjera ai miqve nga bota e persekutimit.

Më pas, pritja ceremoniale në Parlamentin e Republikës së Polonisë nga kryetari i Parlamentit, z. Marek Kuchcinski, dhe kryetari i Senatit, z. Stanislaë Karczeëski, me parakalimin e rojeve të nderit me flamur dhe shpata dhe himne, e gjitha në nderim të qëndresëtarëve dhe heronjve në përballje me diktaturat. Në radhën hijerëndë të flamujve, në krye ishte dhe flamuri shqiptar. Mes të ftuarve të shumtë aty takuam dhe znj. Mimi Kodheli, përfaqësuese nga Parlamenti shqiptar, si dhe ambasadoren e Shqipërisë në Poloni.

Ne ekranin e Senatit duke folur

Pastaj dy seancat e samitit në senat, me dëshmi dhe ide, me dramacitet dhe hijen e zhgënjimeve, me kundërvënie e shpresë, ku përhiteshin telat me gjemba dhe rrezet e ditës… teksa më vinte një si rrapëllimë, mos dëgjoheshin protestat e Tiranës deri këtej? Jo, ishte zhaurima e butë e tramvajeve, të cilët në fushata zgjedhjesh premtoheshin, por që nuk kanë nisur ende te ne, janë harruar dhe as që e kanë radhën ata, madje as vetë zgjedhjet.

KUJTESA NË TË SHKUARËN:

Si të burgosur politikë të dikurshëm nga Shqipëria e sotme, së bashku me Maks Velon ishim të ftuar dhe unë me Edën. Do të desha të thosha ca fjalë për Maksin, që sadopak e di që marrin domethënie dhe tregojnë jo vetëm atë, por dhe të tjerët përreth, shoqërinë, qëndrimin ndaj vuajtjes njerëzore dhe vlerave që krijohen, ku ai është ndër më të shquarit.

Maks Velo është personalitet i kulturës sonë, krijues dhe veprimtar, me njohje më përtej, në Europë dhe Amerikë, do të thosha. Arkitekt me profesion, me vepra të njohura në Tiranë si “pallati kubist” i shkrimtarëve, për të cilin dhe u kritikua dhe që do të ndikonte në dënimin e tij, piktor ndërkohë, i veçantë, pararendës i modernes, ku përzihej antropologjia shqiptare me avangardizmin europian, tradita me risinë, “njolla e zezë” e artit me fatin… veprat e tij në pikturë do të digjeshin me vendim gjyqi si abstrakte, që nxinin realitetin socialist… te Maksi ka dhe muzikë, ai ka marrë mësime pianoje që nga fëminija, muzikë të heshtur dhe linja e gjeste valleje të ngrirë e ajo përzihet me marshet funebre të kohëve të mëpasme ashtu si dhe rrëfimi i tij, i shndërruar në letërsi, prozë, poezi dhe dokument.

Me Maks Velon, te muri i pushkatimeve në burg

Bashkëvuajtës me të në të njëjtin burg, në Spaçin e tmerrshëm, ku vazhdimisht revolta e dikurshme e ’73-shit e trandte tokën nën këmbët tona, Maksin e njoha atje, ku edhe pse i burgosur, spikaste aristokracia e tij, qoftë dhe në hutimet në rresht apo në humorin e zi. Edhe në të ngrënë në mensën e ferrit kishte qytetari. Dinjitet në përballjen e urisë kombëtare brenda telave me gjemba.

Edhe aty me Maksin bisedohej për artin, librat dhe jetën e antijetën, për tiraninë dhe neverinë e rënies morale përreth, vjedhjet dhe spiunimet dhe injorancën shtetërore, e shënjuar me gardianët e deri lart. Si arkitekt ai thirrej në përmirësimin e mjedisit, që ç’mundej e kthente në dobinë e të burgosurve.

Kujtoj që në burg unë kisha maninë t’i ruaja tregimet dhe poezitë që lexonim në revistat që na lejoheshin, i grisja prej tyre që të mund t’i rilexoja kur dilnim nga miniera, nga puna e rëndë prej skllavi. Fletët i bashkoja, ia jepja këpucarit të burgut të m’i qepte me gjilpërën e trashë të opingave dhe pastaj Maksi u sajonte kopertinat, tjetër vepër kjo me “mjetet rrethanore”, me një figurinë nga revistat, me germat që i priste nga gazetat, i ngjiste një nga një duke krijuar titullin e veprës, emrin e autorit. Ende ruaj dy antologji të tilla, një me poezi dhe një tjetër në prozë, Maksi më bëri një kopertinë elegante për dramën “Jerma” të Lorkës, po kështu dhe me pjesët e romanit të mëvonshëm të Kadaresë “Dosja H”, botimi i parë i së cilës iu bë në burg nga ne, unikal, vetëm në një kopje, që ia dhurova Kadaresë pas burgut.

Maksi në liri bëri hakmarrjen më të bukur me vepra dhe art, ekspozita pikture brenda dhe jashtë vendit, me albume e studime, poezi e tregime, që kanë tërhequr vëmendjen dhe janë përkthyer dhe botuar dhe në vende të tjera.

Maksin e shohim në ekranet e televizorit, në debate e protesta, në avangardë, por dhe të tërhequr, të zhgënjyer, të urtë, por dhe shpërthyes befas, i acaruar me gjithçka që i duket e padrejtë.

Ndërkaq, Maksi udhëton shumë. Ftohet si ish-i burgosur dhe si artist, që tashmë i janë bërë një e vetme. Përvojë dha art. Po shkonim në Poloni, por duhej të ndërronim avion në Vjenë.

– Të tjerë vuajtën burgun dhe të tjerë bëjnë festën, – i thashë pa të keq znj. Jonila Godole, veprimtare e kujtesës, të cilën e takuam rastësisht në aeroport.

Para ca ditësh kishin përkujtuar me nderime dhe bujë dy revoltat tona, në burgjet e Spaçit e të Qafë-Barit, të vetmet në të gjithë perandorinë komuniste, e pikërisht atë, Maksin, arkitekt në burg, që mund të jepte ide të vlefshme më mirë se kushdo se si mund të shndërrohet në muze, kishin harruar ta ftonin, edhe mua, që atyre qosheve infernale të burgut kisha shkruar poezi, ca dhe të bëra me mend në fillim, që i fshihnim vrimave, në kashtën e dyshekut apo nën tokë, madje pata fatin t’i nxjerr poezitë para se të dilja dhe vetë nga burgu, i kam botuar shumicën dhe janë përkthyer. Në revoltën e Qafë-Barit isha brenda. Kam shkruar dhe një libër mbi 500 faqe për burgun e Spaçit, “Rrugët e ferrit”, dhe po aq për Qafë-Barin, “Ferri i çarë”.

Natyrisht, në ato manifestime përkujtimore në Spaç e QafëBari ishin bashkëvuajtës nga tanët, miq plot, dhimbja jonë dhe ne u ndjemë së bashku me ata dhe i mbartim si shqetësim dhe atje ku po shkonim. Në Varshavë.

Aspak nuk i harrojmë ndryshimet e vendit për mirë dhe ç’është bërë për ne, jo pak, dimë të jemi mirënjohës, por të burgosurit shqiptarë kanë bërë shumë e më shumë për vendin, themele në baltë dhe vepra, kujtesë dhe art dhe shpërdorimi i të persekutuarve të diktaturës është shpërdorim i lirisë, i ndërgjegjes, i kohës dhe i vetes.

Sipas një shkrimtari nobelist, i qenë dhe në kampin e Aushvicit, çdo qeveri, institucion e individ, kuptohet se ç’janë nga qëndrimet që mbajnë ndaj vuajtjes njerëzore, “burgut”, tashmë të shndërruar dhe në kulturë, po sipas tij.

Pak a shumë biseda të tilla po bënim me Maksin, por kishim nevojë për ca qiell më shumë, që vetëm avioni na e jepte, Pegasi modern prej duralumini. Sa alumin kemi nxjerrë në burg? Bakër më shumë, pirit i përzier me flori. I gjithë për të tjerët, i vjedhur…

E shikoja me adhurim Maksin, kishte një si re të bardhë mbi krye, leshrat e zbardhura në moshën e thyer të burrit, trupmadh, diçka mes Hemingway-it dhe Anthony Quinn, me çantën e lëkurës mbi sup, sportiv, ashtu siç mund ta ndeshim duke vrapuar në parkun e Tiranës, edhe pse 84 vjeç, i urtë si një akademik, gjaknxehtë si ai që ka të drejtë, artist dhe në gjeste, bisedon dhe për gratë ashtu si për pikturën dhe artet.

Megjithatë, midis reve lart po flisnin dhe për burgun, ferri ngjitet dhe atje ku s’e prêt, për shoqatat e shkatërruara të të burgosurve, për krizën shqiptare, zgjedhjet pa zgjidhje, zgjidhjet pa zgjedhje, politikën, shpërdorimin e vuajtjes të mijëra e mijëra të persekutuarve, edhe institucionalisht, edhe parlamentarisht, edhe presidencialisht, edhe nga ne vetë, nga ata si ne që duhej të na përfaqësonin përtej narcizizmit të përgjithshëm, biznesit me vuajtjen e të tjerëve apo persekutimin që vazhdon me format e një demokracie trashanike, me korrupsion të përditësuar, edhe moral… dhe buzëqeshim hidhur.

KUJTESA NË TË ARDHMEN:

Në aeroportin “Frederic Chopin” në Varshavë na pritën befas te salla VIP, pa asnjë radhë për pasaportat, siç duket ne i kishim kaluar radhët e gjatë që më parë, ato të të dënuarve, tani vazhdonte mirënjohja edhe në vend tjetër e nga të tjerë. I them këto jo se ne e donim, por shoqëria jonë duhet të dijë të nderojë… vuajtjen si dhe vetveten.

U takuam me të tjerë si ne nga Europa Qendrore e Lindore. Mikrobusin tonë rrugëve të gjera të Varshavës, mes blerimeve “qytetare” gjithandej, e paraprinte makina e policisë. Prapë me policë? Për të na ruajtur, dikur si “të rrezikshëm”, tani nga “rreziqet e rrugës”.

Nga “Regent Hotel” shkuam në “Muzeun e ushtarëve të mallkuar dhe të burgosurve politikë të Republikës Popullore të Polonisë”. Brenda në Varshavë, në qendër a afër saj. Ushtarë të mallkuar apo e përktheva gabim? Që këtu fillon dënimi i diktaturës. Telat me gjemba, porta të larta, qeli, por me tualetin brenda. Muri i pushkatimeve, kurorat me lule. Nën tokë, qelia e varjeve. Deri në vitin 1956, pastaj komunizmi polak u zbut, veç në Shqipëri mbeti diktaturë e egër staliniste, një gjysmë shekulli paranojë me Enver Hoxhën.

Autobusët komodë me makinat e policisë para dha pas ndalën në “Kështjellën Mbretërore”. Dreka me gjithë të ftuarit nga Europa. Në mbrëmje në Teatrin Wielki, Opera Kombëtare Polake. Ndër më të mëdhatë në botë. Shkallë mermeri, kolona, katet e lozhave. Shoh programin: “Moniuszko – Mazurka nga opera “Halka”… Fryderyk Chopin, Fantazi… Górecki, “Tre valle për orkestër..”.

Vezullime të ylberta dritash, duartrokitje të gjata. Nga burgu, në opera. Nga kujtesa e tronditur, në muzikë qiellore. A ka pasur në Tiranë ndonjëherë shfaqje për spektatorë të tillë? Nëpër mend… kujtoj drama të tjera.

Në takimin me ministrin e Jashtëm të Polonisë, Maksi tregoi një ngjarje me të burgosur që i kishte njohur, një grup armiqësor, i sajuar me agjentë polakë, që prej torturave pranuan, ndërsa kryetarja e grupit, një grua polake, e martuar një Shqipëri, nuk pranoi, Qeveria polake atëherë mbajti peng një anije shqiptare në Gdans në port. O lironi qytetaren time, – iu drejtuan me ultimatum qeverisë shqiptare, – o… po qytetarët shqiptarë, kush mund t’i mbronte nga qeveria e tyre, as avokat s’kishte, s’lejohej…

Edhe në Senat, fjala e Maks Velos bëri përshtypje. Mes duartrokitjeve ai u ngrit dhe shkoi në krye, u dhuroi kryetarit të Parlamentit dhe kryetarit të Senatit nga një album të vetin, shenja këto që në Shqipëri vuajtjen ai e kishte shndërruar në kujtesë arti, në vlerë për të gjithë.

Dhe unë në tri minutat e mia fola për poezitë e burgut si dëshmi dhe për revanshin e nostalgjikëve të komunizmit, të oficerëve të diktaturës, të konvertuar dhe e mbylla fjalën time duke thënë se në Shqipëri nuk është aq i madh rreziku i rikthimit të komunizmit, sepse nuk ka ikur rrënjësisht, gjendet në mendësi dhe bëma, në simbole dhe tekste…

Shumë nga folësit cituan dhe papën polak, Shenjtin Gjon Pali II, e citova dhe unë, i pari papë që ka vizituar Shqipërinë,- thashë,- në dy mijë vjet krishterim dhe shenjtëria e tij porosit se nuk na duhet një demokraci pa virtyte. Ai u dha zemër polakëve dhe jo vetëm, që të guxonin të ngriheshin. Dhe Muri i Berlinit, që ndante botën dhe njerëzit, u shemb. Ra dhe perandoria komuniste.

Po në mjediset e Parlamentit, të gjithë së bashku pastaj, vizituam ekspozitën “Shtypi klandestin” në komunizëm, broshura, libra, bojëra, makineri dore, gazeta e deri te Solidarnosti.

Dhe në Shqipëri kanë shpërndarë trakte, kanë guxuar. Ne bëmë dhe një letërsi të fshehtë dhe krijuam lexuesin tonë të fshehtë në burg. Por që të kujtohesh te ne, zakonisht o duhet të jesh i huaj, o i pushkatuar.

Pasdite Maksi dhe unë ishim të ftuar në Universitetin e Varshavës, u intervistuam për studentët nga pedagogu Adam Balcer, dinte dhe shqip.

Maksi paraqiti nga grafikat e tij një golgotë vuajtjesh, kryqin dhe monstrat e dhunës, mundimin e qëndresës, një cikël marramendës, estetika e zhgjunjëzimit krenar, me shenjtëri njeriu…

Unë fola për gjuhën në diktaturë se si u godit gjuha liturgjike, teksa po sundonte gjuha e ftohtë, ajo e sloganeve dhe e urrejtjes si drapër dhe çakan dhune etj., etj..

Shëtitjet e fundit në Varshavë. Andej nga Qyteti i Vjetër, i rrënuar i tëri gjatë Luftës II Botërore nga bombardimet dhe i ringritur siç ishte, me rrugët me kalldrëm, me kishat. Edhe Tirana jonë, modernizuar dhe bërë metropol i Ballkanit, duhet ta dojë më shumë vetveten e hershme, rrugicat, urat, ngrehinat, teatrin, shtëpinë e Musine Kokalarit etj., etj., ta ruajë fort kujtesën e saj prej guri.

Eda gjeti Kishën e Kryqit të Shenjtë, futemi këtu, na tha… ku është murosur zemra e muzikantit të madh me kërkesën e tij, teksa vdiste larg. Vetëm zemra, se trupi i prehet në Paris.

Polonia ka zemrën, po, po, ka zemër të madhe Polonia, plot me dashuri dhe muzikë, me art dhe kujtesë zemre, me poetë e shkrimtarë nobelistë, ka një popull heroik me histori, me kulturë të fuqishme katolike, europiane, me njerëz të zakonshëm gjithë edukatë e dinjitet, sheshe të bukura e të pastra, parqe natyrale pa kufi, dritë nga qiell sublim verior.

Dhe më vjen zëri i tim eti, që thoshte se Shqipëria është krijuar për të plasur zemrat e shqiptarëve, e ka thënë Dedë Gjo Luli,- shtonte.

Ndjeva rektima të shpeshta, duhej të ishin emocionale. Përsëri në sallën VIP të aeroportit “Frederic Chopin” në Varshavë, sikur të ishim brenda në zemrën e Shopenit. Teksa pinim çaj, Maksi po na fliste për “Pllakatin Polak”, që është shumë i arrirë, ndoshta më i suksesshmi në botë dhe mua befas në etazherin e madh përballë, mes librave të shumtë më kapi syri një album pllakatesh. E nxora prej andej dhe po e shfletonim. Maksi na tregoi nja dy autorë, i kishte njohur, madje dhe i kishte shoqëruar gjatë vizitave të tyre në Tiranë. Teksa na shpjegonte linjat, gjetjet, kumtet, ngjyrat, shoqëruesja polake tha se po mësonte prej Maksit dhe për artin polak dhe se ku shkoi, veç kur u kthye duke buzëqeshur e i tha Maksit se albumin mund ta merrte si dhuratë nga aeroporti.

Avioni doli sipër reve të bardha në qiejt e Polonisë. Zbritëm në Vjenën perandorake dhe, pasi humbëm avionin, në fakt ai na humbi ne, ndërruam disa aeroporte për të ardhur në Tiranën e pasmesnatës, me gjurmët e protestave rrugëve.

Taksia kaloi pranë ambasadës polake dhe m’u nëpërmend takimi me ambasadorin Karol Bachura, që pasi na dha kartëvizitën e tij e unë i thashë që s’kam, ai u përgjigj: S’ka gjë, ju jeni vetë kartëvizita e Shqipërisë.

E kishte fjalën për të përvuajturit, ish-të burgosurit politikë. Po, po, por ne jemi kartëvizita e humbur…

Kosovës martire – Cikël poetik nga SULEJMAN MATO

Nis një letër për tek ti

Mbi lumenj e përmbi kodra,

përmbi malet pakufi,

përmbi erë e bashkë me zogjtë

nis një letër për te ty.

Le ta marrë një zog në sqep,

në u lodhtë le ta marrë era,

në pushoftë era e malit,

le  ta marrë era e mallit.

Er’ e mallit, mallit tim,

e shtyn letrën breg më breg,

shiu letrën nuk e lag,

vetëtima nuk e djeg.

Në agim, në perëndim,

herë në borë e herë në shi,

fluturon me shumë nxitim

letra ime për tek ty.

Dallëndyshe mërgimtare

merre letrën time vet,

fluturo përmbi vargmale,

tek dritarja që më pret.

 

Udhëtim për në Kosovë
Ne bënim rrugë dhe iknim larg,

malet e Sharrit varg e varg.

Më folën shqip,u fola shqip,

zëmrat si vela nderur në zgrip.

Dhe shushurinte Drini i Zi:

-“Eh !Shqipëri, moj Shqipëri:::!”

Ne bënim rrugë dhe iknim larg,

fshatrat e Dibrës varg e varg.

Fshatrat e Sharrit varg, kurorë,

një vetëtimë ma bën me dorë.

Dhe shushurinte Drini i Bardhë:

-“Ti që po vjen , mirse ke ardhë!”

*Poezi të shkruara në Kosove, gjate ditëve
të Mitingut të Poezisë në Gjakove. Maj 1978.

Si krushqit ne s’u ngrimë

Baladë e vjetër dhe e re.

Kaq vjet me mall në zëmër

larg njëri-tjetrit rrimë.

Unë pres si Konstandin,

ti pret si Doruntinë.

Po ti do vish drejt meje

dhe unë do vij tek ti,

ti del nga toka e kuqe,

unë dal nga guri i zi.

Dhe do takohen bashkë

të gjallë dhe të vdekur,

dhe do fërkojnë sytë:

-“Sa shumë paskemi fjetur!”

Kaq vjet larg njeri-tjetrit,

s’i krushqit ne s’u ngrimë.

Unë pres si Konstandin,

ti pret si Doruntinë.

 

Në kufi të dy shteteve

Një nënë është ulur mbi një gur,

duart ka kryqëzuar mbi gjunj dhe qan.

Në kufi të dy shteteve rigon një shi

madhërisht i përvajshëm.

Vetëtin e bubullin

sikur çatia e qiellit kërkon të bjerë.

Te brezi i kufirit qëndron  një nënë shamibardhë,

janë shumë pleq dhe fëmijë të veshur si për festë.

Në prizma lotësh

shikojnë gjininë e vet aty

dhe vetë si shtatore të gurta qullen në shi.

Dhe midis tyre s’ka as lumë,

as breza zjarri,

as mal me borë,

as pyll as det,

midis tyre rri i mallkuari

viti 1913.

Po midis tyre është shtrirja e duarve dhe zëmrave në erë,

është dashuria që i bën zëmrat balona të kuq

dhe anije me vela,

lulëkuqe të së njëjtit mal,

bajame të së njëjtës degë,

yje të së njëjtit qiell,

lot të të njëjtin sy…

E shpresë të të gjitha kohërave.

 

Atdheu pa popull

Kosovë. Prill 1999.

*        *        *

 

Kur ikëm

macja e vetmuar mjaullinte në oborr,

lopët dhe magjari me sy drejt qiellit.

Vetëm ulërima

vinin nga zgafellat e miteve të vdekura

ku rrinin të mbyllura vetëtimat e plagosura.

Kur ikëm

kuja e yjeve hapte plagë të ftohta

në trupin e mbrëmjes së lagur.

Zjarret që lamë pas

mallkonin klithmat e gurëve të varreve.

Në një çast

këndesi më i ri i mallit lëshoi një klithmë çjerrëse:

Po ne do të kthehemi përsëri!

Këto brigje do t’i mbushim

me zërat e gjetheve të lisave.

Jemi të gjithë

pengje të ujit dhe të kujtesës,

pengje të mallkuara

të kujtesës së vrarë.

Edhe vetëm era po të mbetet

do të jemi prapë atje.

Shpirtrat tanë janë lakuriqët e natës

që enden nëpër terr,

pa gjetur kurrë qetësi.

 

Molla e oborrit tim

Tashmë ti je larg

një vit dritë.

Molla e oborrit tim…

Vetëm ti nuk erdhe me ne.

S’të lanë rrënjët.

Pranë dritareve të djegura

lëkundje degët e lulëzuara.

Molla e oborrit tim,

rriteshe nën yje,

e vetmuar,

shndrisje nën diell.

Kokrrat piqeshin

në mungesën tonë.

 

Kur ikëm

Kur ikëm

të vdekurit i lamë oborreve.

Shtëpitë mes tymrave,

me dyer e dritare të shkallmuara.

Mani i oborrit klithte përvarshëm,

me degë shpresash të vrara.

Kur ikëm, në këpucë na u ngjit

balta e kësaj toke bujare.

Karroca, zetorë, kamiona e vaje fëmijësh…

Kalojmë nëpër një natë mitike

si në natën e Golgotasë.

Në të dalë të Prizrenit fytyra e një foshnje

( prerë fytin e hedhur pa kujdes në kanal…)

me sy të përçudnuar

si shëmbëlltyra e Jesusë.

 

Kosova pa popull

Ka vetëm një president të mbuluar me natë

dhe karvane muhaxhirësh në udhëtim.

Kosova ka shtëpi të djegura,

ka varre të rinj dhe të lashtë,

tani  Kosova ka rrugë të bombarduara,

burime të trishta, qafëmale të frikshme

dhe qytete të braktisura.

Vetëm popull s’ka më.

Si në netët mitike toka jonë s’ka zëra,

ka vetëm kujtime.

Por ne do të kthehemi!

Do të ketë përsëri zëra fëmijësh,

do të ketë festivale e tinguj çiftelish…

net muzgjesh  të manushaqja,

këmborë lopësh të gëzuara

dhe zile bagëtish.

Ne jemi populli,

që si ato gurrat e bjeshkëve

nuk shterojmë kurrë.

 

Refugjatë në tokën mëmë    

Karvane- karvane,

nga Hoti  e  Morina

si krushq të panumërt të një dasme të madhe.

Në fytyra kanë shumë pikëllim dhe lotë

për shtëpitë e djegura dhe të afërmit e vrarë.

T.V-të flasin për gjëma të mëdha,

të humburit njeri-tjetrin kërkojnë mes urisë.

Bota mban vesh. Kosovës martire

zëmra i rreh  me tik-takun e lirisë.

Netëve rrimë zgjuar…

Dëgjojmë avionët e NATO-s,

kthehen me këngë nga betejat fitimtare.

Ç’zhurmë të bukur bëjnë tek rendin në qiej,

Sgalemët…  zogj të bukur, paralajmëtarë.

Kosova është gjaku im që nuk falet! – Poezi nga ALI PODRIMJA

Me shekuj kam shitur gjakun
e rritur jam me gjakun e shitur
Me shekuj jam hëngër me veten
e ditur s’kam të qesh me veten e tepruar…
Miq,

Kosova është gjaku im që nuk falet!

Unë, Biri Yt, Kosovë – Poezi nga ALI PODRIMJA

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt.

RUZHDI USHAKU – FIGURË E SHQUAR E KOMBIT – Nga ATDHE GECI

 

Në qytetin e lashtë të Ulqinit të Ilirisë, u lind e u rrit Prof. dr. Ruzhdi Ushaku figurë e shquar e kombit tonë. Ruzhdiu është krijues i mirëfilltë i mbi 100 studimeve shkencore. Koha shprehet Prof. dr. Ruzhdi Ushaku lëviz gjithmonë në kuptimin kulturor dhe historik. Shqiptarët patëm një ecje të vështirë dhe të bashkëgjakosur. Është dashtë të jemi më këmbëngulës kundër “historisë” së fajshme ndaj popullit dhe trojeve me emrin tonë. Kontributi i Prof dr Ruzhdi Ushakut në përgatitjen e brezit kombëtar për Kosovën e lirë dhe të bashkuar, është një vepër që duhet të vlerësohet. Udhët e dijeve në këtë botë janë të pafundme. Prof. Ruzhdi Ushaku për 43 vjet ligjërues në arsimin e mesëm dhe univerzitar në Kosvë e më gjerë tërë qenien e tij ia kushtoi artit, shkencës dhe letërsisë shqiptare. Ai i dha aq shumë dashuri, krijim e bashkëkohsi, sa mund ta quajmë me plotë kuptimin e fjalës, figurë të shquar të kombit tonë. Profesor Ushaku nuk qe ligjërues i thjeshtë mësimi. Ai në ligjëriatat e tij qe edhe krijues, dhe shkonte më përtej kornizave të mureve së kohës!..

Qyteti pellazgo-ilir, Ulqini, njihet si qytet i formuar qysh në antikën e hershme. Ulqini u lind në mijëvjeçarin e fundit të pellzgjisë. Populli i detit siç quheshin pellazgo-ilirët kishin shtrirje të gjerë edhe në këtë pjesë të Shqipërisë së lashtë. Populli pellazgo-ilirë i Ulqinit, ishte popull i arsimuar dhe kishte njohuri të mëdha, në matematikë, fizikë, skulpturë, poezi dhe filozofi. Në historinë mijëvjeçare të Ulqinit, më thotë Prof.dr. Ruzhdi Ushaku, janë bërë disa hulumtime për këtë anë të  Shqipërisë, por, një e vërtetë më e plotë le shumë për të dëshiruar. Vetëm deti dhe llapuqitjet e tij e dinë të vërtetën e saktë, dhe biografinë e plotë të qytetit të Ulqinit. Varrezat në Vuksanaj, janë të periudhës së hershme pellazgo ilire, përtej kohës të mbretit Bind. Në të gjitha ngjarjet e mëdha historike të kombit tonë, Ulqini shqiptar është gjakosur si asnjë qytet tjetër i trojeve tona. Përkundër dramave të mëdha që i përjetoi populli ynë nëpër histori, Ulqini i mbijetoi shuarjes, por jo dhe zvogëlimit.

Në këtë qytet me histori poetiko-tragjike u lind dhe u rritë, dijetari, artisti i fjalës së shkruar, dhe filologu ynë i shquar, Prof. dr. Ruzhdi Ushaku. Udha gjuhësore dhe shkrimore drejt Kosovës e më përtej, Prof Ruzhdi Ushakut i hapin mundësi pune dhe krijimi. Në vitin 1965 Ruzhdi Ushaku pranohet Profesor i Latinishtes dhe Frëngjishtes në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan. Në Gjilan, Ruzhdiu pritet si vëllai mes vëllëzërve. Aty Profesor Ushaku qëndron deri në vitin 1969. Nxënësit në Gjilan e donin dhe i donte. Arsimi ishte rruga për t´u pavarësuar Kosova. Kalimi nga demonstratat në luftë, kërkonte dije më të mirëfillta dhe guxim. Prof Ruzhdi Ushaku ishte një gjak i ri në vizionin e nxënësve të asaj kohe. Ora e Latinishtes me Prof Ruzhdi Ushakun ishte lënda më e dashur për nxënësit e etur për dije. Nga ajo gjeneratë nxënësish, dolën mjek, ingjinierë, arkitekt, matematicientë, muzicientë, shkrimtarë, dhe gjuhëtarë të shquar në Kosovë.

Prandaj, kontributi i Prof Ruzhdi Ushakut në përgatitjen e brezit kombëtar për Kosovën Republikë, qe një vepër e mirëfilltë e profit. Ai në ligjëriatat e tij me nxënësit ishte edhe krijues, ai shkonte më përtej kohës. Nxënësit përmes pyetjeve ( e pyesnim profesor Ushakun për tema jashtë librave të shkollës ) , duke i kërkuar t´ia heqnim koren, të fshehtave të historisë dhe të kulturës së fillimit. Prof.dr. Ruzhdi Ushaku ishte njeriu që s´pritonte të përgjigjej, ai na i tregonte urat si bëhen kalimet në të ardhmen. Në Kosovë Prof Ruzhdi Ushaku do të krijoj shumë miq të artit dhe të shkencës. Fal talentit dhe zgjuarsisë së tij krijuese, Prof.dr. Ruzhdi Ushaku ftohet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, fillimisht bashkëpunëtor i jashtëm, e mëpastaj edhe mësimdhënës në Fakultetin e Gjuhës dhe të Letërsisë Frënge.

Në të gjitha vlimet e mëdha shoqërore e politike në Kosovë, Prof, Ruzhdi Ushaku mbajti qëndrim prej shqiptari të palëkundur. Ai në asnjë çast nuk u tund nga kërcënimet dhe diferencimet e pushtetit. Jeta e Prof. dr. Ruzhdi Ushakut ishte plotë sprova krijuese e ngjitje kariere. Pas 25 vjet të punës dhe veprimtarisë së tij krijuese, Profesor Ushaku në vitin 1985 zgjidhet profesor ordinar, në Fakultetin e Filologjisë, të Universitetit të Prishtinës. Prof,dr. Ruzhdi Ushaku për 43 vjet jetë të pareshtur në arsim Ushaku i dha ndriçim dijesh një berizi të tërë nxënësish dhe studentësh. Shumë janë mirënjohjet dhe falenderimet për Prof.dr.Ruzhdi Ushakun, por, maja e të  gjithë majave, dhe mirënjohjeve, kujtoj s´e janë nxënësit e tij të ditur, dhe njëqind ese për artin dhe shkencën shqiptare. Biojeta e prof. dr. Ruzhdi Ushakut është shumë e gjerë, dhe s´mund të përfshihet në një ese kaq të shkurtër.

Akademia e shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, Këshillin kombëtar të Shqiptarëve, Qendrën kulturore – Ulqin, Shoqatën e artistëve dhe intelektualëve – Art club – Ulqin, Bashkimin e krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi dhe Fondacionin “Lika” organizuan në hotelin Mediteran të Ulqinit një mbrëmje solemne, me rastin e dekorimit të prof. dr. Ruzhdi Ushakut me titullin “Nderi i Akademisë” dhe “Mirënjohja e qytetit”. Medaljen “Nderi i Akademisë”, Prof. dr. Ruzhdi Ushakut ia dorëzoi sekretari i Akademisë së shkencave të Shqipërisë Jorgo Bulo, derisa kryetari i Kuvendit komunal të Ulqinit Fuad Haxhibeti i dha mirënjohjen e qytetit të Ulqinit.

Prof. dr. Ruzhdi Ushaku u lind në Ulqin, më 1938. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, normalen në Prishtinë. Fakultetin Filozofik – Degën e Gjuhës e Letërsisë Frënge dhe të Gjuhës Latine i kreu në Sarajevë, më 1964. Gjate studimeve në Sarajevë ishte një vit kryetar i Klubit te Romanistëve. Në Paris, më 1962/63, kreu shkallën e pestë të studimeve moderne frënge me ç’rast merr apsolve Diplome Superieur d`Etudes Francaises Modernes. Në vitin 1968/69 regjistrohet në studimet pasuniversitare në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit ku, më 1972 magjistron me temën “Shprehjet idiomatike në tekstet bashkëkohore të gjuhës frënge në serbokroatisht”. Në të njëjtin fakultet doktoron në vitin 1979. Nga viti 1971 punoi mësimdhënës i gjuhës frënge dhe te asaj latine ne Degën e Gjuhës dhe te Letërsisë Frënge pranë Fakultetit Filozofik (tash atij të Filologjisë) Nga viti 1985 ishte profesor ordinar i këtij Fakulteti. Kryetar i departamentit të Romanistikës, kryetar i Këshillit Mësimor Shkencor te Universitetit të Prishtinës. Me 2006 u pranua anëtar-akademik aktiv ne Akademinë Evropiane te Arteve me seli ne Leuze të Belgjikës.

Prof. dr. Ushaku intenzivisht merret me hulumtime shkencore. Më 1990 profesor Ushaku u propozua kandidat për anëtar të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Prof.dr.Ushaku është autor i shumë librave nga fusha e fillogjisë,

1. “Kërkime fiologjike”, 2. “Fjalitë hipotetike me sI në gjuhën bashkëkohore frënge të teksteve letrare,

3. “Paralele të ligjërimit poetik”,

 4. Monografia “Ulqini në gjurmë të shekujve”,

5. “Hulumtime etnolinguistike”,

6. “Veprimtaria shkencore e prof.dr. Ruzhdi Ushakut”,

7. “Ndihmesa onomatologjike nga hapësira iliro-arbërore” në bashkëautorsi me Jusuf Liken 8.

“Ulqini nga dritaret e kohës” dhe

 9. “Ulqini në përmasa kërkimi dhe frymëzimi” etj.

Perveç veprave më lartë, Ushaku botoi rreth 100 punime-studime të veçanta shkencore edhe në gjuhë të huaja  (serbokroatisht, frengjisht, anglisht, gjermanisht dhe japonisht ) qoftë në versione integrale, qoftë në formë të përmbledhjeve. Veprimtaria krijuese e Prof. dr. Ruzhdi Ushakut, është e vlerësua shumë nga  akademikët shqiptarë dhe të huaj. Prof. dr. Ruzhdi Ushaku ligjëroi në shumë vende të botës. Vlen të theksohen ligjëratat e tij shkencore në vitin 1973 në Universitetin e Sorbonës ( Ecole des Hautes Etudes ). Luftërat aq sa janë qytetëruese, aq janë edhe vrasëse. Kacavjerrja nëpër shkallët e diturisë ( flas për kohën time ) më thot Ushaku, nuk qe aspak e lehtë, mbase, ngjitjet nuk bëheshin pa një pikë mbështetje poshtë. Shqiptarët kemi një ecje historike të gjakosur, shprehet Profesor Ushaku. Duhet të jemi më këmbëngulës kundër “historisë” së fajshme. Koha është e pamëshirshme, ikën. Kontributi i Prof. dr. Ruzhdi Ushakut në përgatitjen e brezit kombëtar për Kosovën e lirë dhe të bashkuar, është një vepër që duhet të lexohet për së mbari. Shëndet dhe krijimtari, Profesor dr. Ruzhdi Ushakut! Shëndet!

Atdhe Geci – Dortmund, 2019

Cikël poetik nga ALDO PALACESKI ( Aldo Palazzeschi ) – Përktheu FASLLI HALITI

ALDO PALACESKI

 ( Aldo Palazzeschi )

 

1885 – 1974     

 

   Lindi në Firence. Më 1909 futet në lëvizjen futuriste, më 1914 shkëputet prej saj. Poezia e tij është e afërt edhe me atë të poetëve « të muzgut », një e qeshur e trishtuar me jetën; prandaj një manifest tipik i kësaj poezie është,

« Lërmëni të zbavitem » ku poeti shihet si pehlivan i shpirtit të vet». Është një poet plot fantazi që nën vellon e mendjelehtësisë dhe ironisë fsheh një shpirt bujar dhe plot dhembshuri. Më vonë Palaceski do të kalonte te romani dhe do të njihte disa suksese ( më i njohuri ndër romanet : « Motrat Materasi », 1934.) Krijimtaria e tij poetike nis nga fillimi i shekullit ( «Kuajt e bardhë», « Llamba », «Poezi», « Zjarrvënësi » )  dhe, pas një ndërprerje të gjatë, rifillon më 1968 me «Zemra ime », dhe « Rruga e njëqind yjeve » ( 1972 ).

 

 

KUSH JAM ?

 

A jam vallë poet ?

Jo, sigurisht.

Pena e shpirtit tim

nuk shkruan, veçse një fjalë të çuditshme,

«çmenduri»

A jam, pra, piktor?

S’ bëhet fjalë.

S’ka veçse një ngjyrë

tavoloca e shpirtit tim:

«melankolinë».

Muzikant, atëherë?

Aspak.

S’ka veçse një notë

në tastierën e shpirtit tim:

«nostalgjia».

Jam pra… ç’jam ?

Unë vë një lente

para zemrës sime

për ta parë njerëzit.

Kush jam ?

Akrobat i shpirtit tim.

 

 

ARA MARA AMARA

 

Në fund të rrëpirës,

midis qiparisave të gjatë,

ndodhet një lëndinë,

Qëndrojnë në atë hije

tri plaka

dhe luajnë me zare.

s’e ngrenë kokën as edhe çast,

s’e këmbejnë vendin as edhe një ditë.

Qëndrojnë në gjunjë mbi bar

qëndrojnë në atë hije dhe luajnë.

 

 

ORO DORO ODORO DODORO

 

 

Në fund të rrugës në thellësi është qoshja gjigante

që rrethohet nga qiparisa të lartë.

Statuja hequr në kohëra të largëta.

Hëna shkëlqen mbi bardhësinë e shndritshme të mermerit

që duket se mbështetet mbi të  zezën e thellë

të qiparisave të lartë.

Janë aty në bazë

katër njerëz të mbështjellë me pelerina të zeza.

Shohi njeri – tjetrin në heshtje,

s’lëvizin as gishtin.

 

PAPAGALLI

 

Shtaza ka pupla shumëngjyrshme

që shkëlqejnë në diell duke ndryshuar.

Në atë dritare ai qëndron që prej njëqind vitesh

duke parë njerëzit të kalojnë.

Nuk flet e nuk këndon.

Njerëzit duke kaluar ndalen për ta parë,

ndalen duke folur duke fishkëllyer e duke kënduar,

ai i sheh duke heshtur.

Njerëzit e thërrasin,

ai sheh duke heshtur.

 

PARKU I LAGËSHT

 

Parku është i mbyllur i mbyllur i mbyllur,

i mbyllur nga një mur

që është milje milje milje i gjatë;

nga një mur i mbuluar me myk,

i mbuluar me likene të gjelbra,

që kullon baltëra të dendura.

As një kalim nuk tejduket në park

as një fener s’duket në të.

Vetëm myket që bien mund të shohësh,

vetëm baltovinat e dendura që kullojnë.

Kedrat shumë të lartë e kalojnë murin,

pishat me trungjet e trashë zgjatin përjashta tij ombrellën;

dhe shelgjet, shelgjet e shumtë

që përziejnë lotët me likenet e gjelbra,

me baltovina gri që kullojnë

mbi murin në shembje.

Nga jashtë ja parku i mbyllur i mbyllur i mbyllur

nga një mur

që është milje milje milje i gjatë.

Midis hijeve, midis hijeve të fuqishme,

në dendësinë e pemëve të mëdha,

vetëm tri gra vërtiten ngadalë

gra shumë të bukura: mbretëresha farefis.

Vërtiten lehtë, në heshtje,

në hijen e parkut të mbyllur,

gratë tërheqin rëndë manton e zisë,

mbuluar prej një tyli

që mezi zbulon zbehtësinë e fytyrës.

 

 

 

Përktheu: Faslli Haliti

3 poezi nga poeti vlonjat Albert Habazaj për 20 vjetorin e Çlirimit të Gjakovës

 

 

  1. PËR JU, YJE TË GJAKOVËS

 

Në nderim të 20 vjetorit të Çlirimit të qytetit të Gjakovës

 

Teksti Albert HABAZAJ,

 

Këndon: Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, Urdhëri “Naim Frashëri;

 

marrëse: Shpresa Kapo Çelaj;

kthyese: Liri Gaçe Shkurtaj;

hedhëse: Vito Shiroku Vera.

 

Yjet që ran’ për Gjakovën,

Dritë bëjnë për Kosovën,

 

Bekim nga Liria paçin,

Thonë Shqiponjat e Tërbaçit.

 

Ata ranë po janë gjallë,

I ka Gjakova në ballë.

 

Nuk harrohet historia,

Pa gjak, jo, nuk vjen liria.

 

Po ju, o trima të bukur,

Nuk luftuat për t’u dukur.

 

Dhe pse dhemb ajo masakër

Zjarri s’u shua në vatër.

 

Ratë për më fisniken ëndërr,

Ju vijmë me dorë në zemër.

 

Kur ju na erdhët si lule,

Kombi në gjunjë ju ulet.

 

Jeni lavdi me kurorë

Në këtë 20 vjetor.

 

Jubileu i Çlirimit,

Ju-në krahë të paharrimit.

 

O ju, yjet e Gjakovës,

Përjet’-në krahë të Shqiponjës.

  1. HIMNI LIRIE

Për dëshmorët e Kosovës

Nga Albert HABAZAJ

Këngën me ligje fillova:

Sot si diva ju po flini,

Sa u desh Nënë Kosova,

Sa e do nëna të birin.

 

Çdo ditë jave, muaj’, viti,

Çdo dit’ të jetës që kemi,

Me dhembje e plagë shpirti

Tek dëshmorët tanë vemi.

 

Ne me ju jemi krenarë,

Ju si spaleta lavdie,

Për të gjithë shqipëtarët,

Ju jeni yje mbi yje.

 

Këndojmë me lot për trimat

E Ushtrisë Çlirimtare,

Me kërrab’ zut’ vetëtimat

Për Kosovën legjendare.

 

Ndriçoni me rreze drite

Në monument përjetësimi.

Shkojnë vjet e vijnë vite

Për ju më  lart’ nderimi.

 

Yjet e bukur të botës,

O ballëlarët me diell,

Jetën ja falët Kosovës!…

Dhe emrin flamur në qiell.

 

 

 

 

 

 

  1. BEKUAR NGA MAL’ I ÇIKËS!

 

 

-valle e kënduar grash-

 

Teksti: Albert Habazaj

 

Valle si nga anët tona,

Do hedhim bashk’ me shqiponja.

 

Ju, shqiponja fluturoni,

anemban’ shqipet uroni.

 

Flamur i trojeve tona

Nuk njeh kufij për shqiponja.

 

Ismail Qemal Flamuri

Gurin në themele vuri.

 

Urimet nga Këndrevica

Çoini tutje nga Drenica,

 

Që nga Tuzi në Tetovë,

nga Preveza në Gjakovë.

 

Ju shqipe që fluturoni,

anemban’ Shqipen uroni.

 

Kush bie rrezet e dritës

U bekoft’ nga Mal’ i Çikës!

 

 

Prin vallen: Shpresa Çelaj

                                                                                                                    Marrëse: Lirjana Kapaj,

Kthyese: Liri Shkurtaj

Hedhëse: Vito Veraj.

 

 

 

Vlorë, qershor 2019

ASGJË MË SHUMË – Poezi nga AMÉRICO FERRARI – Përktheu FASLLI HALITI

AMÉRICO FERRARI

(1929)

 

 

Ameriko Ferrari ( Lima, 1929) është autor librash me poezi dhe kritikash letrare, si dhe përkthyes në spanjisht të Novalisit dhe Georg Traklit, përkthyes i poezive në frëngjisht të poetit peruvian César Moro. Më 1998 i përmblodhi librat e tij me poezi në një botim të vetëm.  Ferrari jeton prej më shumë se 40 vitesh në Evropë, Gjenevë, ku ka qenë profesor  titullar i përkthimit pranë Universitetit të Shkollës së Përkthimit dhe Interpretimit.

Botimi i tij më i ri poetik është Noticias del deslugar, (Lajme të shkëputura), El Bardo, 2002

 

ASGJË MË SHUMË

Ashtu si të vdekurit kthehen që të banojnë te ne

natën

ashtu si netët na thërrasin

në mesditë

dhe si kamarja jonë hapet çdo natë

gjithë ditën

dhe si ditë dhe natë gjithçka na thërret

dhe na kërkon me ngulm

dhe na lajmëron

agoninë-

aty gjendemi

dhe shihemi dhe

presim

me një gotë në duar plot natë

 dhe një si etje dite

e derdhur-

asgjë më shumë

 

                                   Përktheu: Faslli Haliti

 

NDARJA – Poezi nga NINA BERBEROVA – Përktheu FASLLI HALITI

 

 

 

NINA BERBEROVA

1901 – 1993

 

Nina Nikolayevna Berberova (Rusisht: Ни́на Никола́евна Бербе́рова) (26 korrik 1901 – 26 shtator 1993); ishte shkrimtare ruse, ezilante  në Paris që kronikoi robërinë e jetës ruse në romanet dhe në tregimet e saja  të  shkurtër. Ajo vizitoi Rusinë post sovjetike  dhe vdiq në Filadelfia, më 1993.

 

 

 

 

          NDARJA

 

Një ndarje është si një tregim i tmerrshëm.

Fillon një natë

Dhe s’mbaron më.

Kuajt bënin zjarr me potkonjtë e tyre

Disa fëmijë të pagjumë bërtisnin

Gjeli ngjirej më kot kur shihte një agim të tillë

Në zjarret muzgëllore,

Rruga vraponte pas pluhurit

Dhe ti niseshe. Ndarja

Është si një tregim i tmerrshëm

Kur ikën përtej  detit

Nuk mbaron kurrë.

 

Ndarja është si kërcëllimë nate

I  varganit të karrove. Zhduken përgjithmonë

Në hendekë të thellë me ujë, të burgjeve,

Në burgjet e akullt të Bukenvaldit,

Në ferrin  tifoid të Ravensbrukut.

Mbaj mend  si shqyheshe

Për këtë botë të dashur,

Mbaj mend si qeshje

Si bekoje ata që kishe përreth,

Për mua qielli gjelbërosh,

Qyteti, kalimtarët…

Shpresa, është si kërcitja

E rrotave – mbi zemër.

Shpresa është si një vajtim i gjatë

Që murmurit për dikë:

Është përlotim i rrethimit të Moskës,

Rrethuar si nga një unazë  

Nga të shtënat e topave

Mbi monumentet, mbi pallatet,

Mbi kufomat, mbi akullin

Ndërsa atje

Mbi bregun e detit të kaltër

Jetonte një plak dhe plaka e tij…

(Nëna ime shpesh më fshinte sytë

Me cepin e dantellës së saj )

Ndarja është si një vajtim i gjatë

Kurse takimet nuk ekzistojnë.  

ATDHEU I HUMBUR – Poezi nga NEI DUCLOS – Përktheu FASLLI HALITI

Nuk ka dhimbje që të njohë kufi

_____________________________

 

 

  1. N E I D U K L A O S

        NEI DUCLAΌS

1948

 

 

Nei Carvalho Duclós (Uruguajana, 29 tetor 1948) Gazetar, poet, shkrimtar brazilian. Është diplomuar

në histori në USP. Është katólik. Ka botuar katër libra

me poezi si dhe ka shkruar e botuar një numër të madh tekstesh në shtypin brazilian.

 

 

 

 

 

 

ATDHEU I HUMBUR

 

 

Po të braktis ty, Brazil                              

Bregdetet e tua të ndotura më ndoqën larg

Karpentierët e tu më përgojuan

Revolucionarët e tu më denoncuan

Të pasurit e tu të shërbyen mbi një pjatë

Të argjendtë

 

Po të braktis ty, Brazil                                          

Jo për një komb tjetër

Jam i mërzitur nga kombet, pas teje

Jo për një trajtim tjetër

Nuk besoj më në asnjë qytetari

 

Po të braktis ty, Brazil

Ndonëse  e di  që unë do jem përherë yti

Sepse më damkose me zjarr në brinj             

Sepse skicove gjestin tim të papastër

Sepse e bëre krevatin tim të hidhur

 

Po të braktis ty, Brazil

U lodha nga sovraniteti yt fodull prej                        

Skllevërish të maskuar si zotërinj

Të rri gatitu në kufi

Nga forca e kotë e krahut tënd

 

Po të braktis ty, Brazil

Vend i hapur për çdo dhune

Mbyllur për çdo kompetencë

Larg nga përmasat e veta të mëdha

Si një avion që ka ngecur në baltë

 

Po të braktis ty, Brazil

Nuk ka fanar për honet

Nuk ka britmë që të sjellë ndihmë

Nuk kadhimbje që të njohë kufi

Nuk ka hije që dorëzohet

 

Po të braktis ty, Brazil

Ndonëse unë s’do doja të kthehesha kurrë

Jam i tepërt në çdo rrethanë

Trokas në dyer  përherë të mbyllura

Jam lodhur së thirruri në zbrazëti

 

Po ë braktis ty, Brazil

Kam vendosur të çlirohem nga djepi yt

Jam një i ezilant pa pasaportë

I ngatërruar prapa barrierave eterne

Jam nxjerrë jashtë nga fati yt 

 

Po të braktis ty, Brazil

Mbase pa mua diçka do të ndodhë

Fitorja më në fund  do ta tregojë fytyrën e vet

Trupi i humbur në luftë

Do të shpërblehet në thellësi

 

Atëherë ti do të jesh një tjetër Brazil,

Sepse i lirë nga prania ime ti

Do mund të vjelësh frutat e tua

Dhe do mbjellësh në paqe të ardhmen tënde

I mërzitur nga fama që më përjashtoi

 

Por  të gjithë do të kthehen tek ti, Brazil

Përveç  meje dhe fjalëve të mia

Përveç poezisë dhe  barrës së saj

Përveç dëshirës që më shtrëngon

Çdo herë që ty të shkelin, Brazil.