VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

ANKTH E MOSBESIM NË TRE BIG-ët e BE – Nga DANILO TAINO – E përktheu Eugjen Merlika

By | October 21, 2019

Komentet

Fati tragjik mbi fatet tragjike – nën lupën e një shoqërie indiferente dhe pa katharsis Nga Elida Buçpapaj

Kur një i ri 23 vjeçar i arratiset vendit të vet prej tmerrit që e pret aty, kur ikën nga sytë këmbët nga vendi që ia njeh qiellin, burimet, ku rrugët nëpër pyll ia përshkon edhe me sy mbyllë natën pa hënë,

megjithëse me gjithë shpirt do të deshte të plaket e të bëhet 1000 vjeç në atë vend,

por vendos të ikë

sepse i duhet të zgjedhë ose Atdheun ku e pret vdekja,

ose jetën

atëhere ky 23 vjeçar zgjedh jetën.

“Cilido ëndërron një shteg, kurse jeta të përplas andej ku s’ta pret mendja.”, thotë Petro Marko tek Qyteti i fundit. Jetën Petro Markos ia shpëtoi Ernest Koliqi, ndërsa diktatura totalitariste ia vrau.

A do të kishte qenë shpëtim për Petro Markon arratisja nga Atdheu pas burgosjes?

Do të kishte qenë, Petro Marko do të çmendej nga malli për Dhërmiun e Bregun por do të fitonte lirinë, një liri me çmin të shtrenjtë por duke shkruar kryevepra që nuk i shkroi dot nën diktaturë.

Arratisja nga Atdheu është akti më tragjik për njeriun.

Ernest Heminguej jetoi në Kubë për 30 vjet. I dukej sikur Kuba ishte pjesë e Atdheut të tij. Gjatë martesës me gazetaren e luftës Martha Gellhorn bleu në periferi të Havanës një shtëpi që sot është muze Finca Vigía. Aty Hemingway jetoi rreth 20 vite të jetës, duke i ikur të ftohtit dimëror të Idahos për të shkruar. Në këtë shtëpi ka shkruar Plaku dhe Deti. Aty kishte kujtimet, dorëshkrimet, jetën e vet personale. Me ardhjen në pushtet të diktatorit Fidel Kastro, Ernest Hemingway më 1960 ishte i detyruar ta linte Finca Vigía dhe Kubën e të kthehej në Idaho, ku më 1961 kreu vetëvrasje. Nuk i përballoi dot kufizimin e lirive nga diktatura kastriste,  kur ai Kubën e donte  si vendin e tij.

Jeta e Ernest Koliqit dhe Martin Camajt në mërgim ka qenë me plot tallaze, stërmundimi i tyre për të patur profil elitar europian, duke iu dedikuar me mish e shpirt kulturës, gjuhës shqipe dhe Albanalogjisë u bë në kushte shumë të pamundura, të dënuar dhe të mohuar si armiq të popullit nga diktatura komuniste, të ndaluar të lexohej vepra e tyre dhe të ndaluar të preknin tokën shqiptare.

Është kriminale prirja për të rehabilituar diktaturën duke rigjykuar viktimat e saj apo kur midis viktimave të bëhen dallime, për të zbuluar patriotin tek njëri dhe tradhtarin tek tjetri, siç ishte rasti i poetit Havzi Nela, i krahasuar me shkrimtarin Martin Camaj, duke dënuar të dytin që paska pranuar të bëhet spiun i UDB-së, ndërsa tjetri jo! Kjo do të thotë të errësosh errësirën.

Të krahasosh Martin Camajn me Havzi Nelën, për të ulur njëri e ngritur tjetrin, dmth nga pozita të cinizmit absolut të krahasosh dy fate tragjike shkrimtarësh, dy tragjedi njerëzore të shfaqura në shtjella të ndryshme, jo si tragjedi skenike, zhanër i teatrit i lindur në antikitetin grek me personazhë për Eskilin, Sofokliun apo për prozën ekzistencialiste të Albert Camus, por reale. Si një realityshow makabër që ekzekutohet përpara syve të një shoqërie skllave!

Dy ishin mënyrat :

të vdisje si Havzi Nela i vrarë nga diktatura dhe i poshtruar e i pështyrë nga shoqëria e mjerë shqiptare

ose t’i ikje këtij tmerri me qëllimin për ta shembur këtë ngrehinë kriminale nga jashtë ose me qëllimin e thjeshtë për të jetuar!

“Fati i njeriut” i Mikhail Sholokhov është një zinxhir tragjedie vdekjesh që ndeshet me etjen e çmendur të njeriut për të jetuar!

Nuk është krim ta duash jetën, për ta kthyer çdo objekt të botës, në gërmë, tingull shqip e frymë shqip deri në frymën e fundit, të shkruash shqip, të ëndërrosh shqip në një vend të huaj sikur vepruan kollosët e kulturës që ia dedikuan shqipes jetën!

A nuk është aq heroik ky akt sa heroika e Bethovenit!

Si trinom Ernest Koliqi, Havzi Nela dhe Martin Camaj, renditje sipas kohës kur dhanë frymën e fundit, nuk mund t’i ndajë askush.

Janë 3 milionë shqiptare në eksodin e trazicionit prej 1991 deri sot.

3 milionë jetë, fate njerëzish të traumatizuara nga mosnjohja e asaj që i pret dhe nga njohja e tmerrshme në Atdheun e tyre, kur vendi yt nuk të siguron as kushtet minimale të jetesës për fëmijët, as siguri, as dinjitet, ku të drejtën e joie de vivre e gëzon vetëm pushteti uzurpator me nepotizmin, klientët, dashnoret, ku injoranca dhe mosvrasja e ndërgjegjes justifikojnë çdo makabritet.

Mbijetesa e emigrantëve është si një rrugëtim nëpër rrathët e ferrit, pa pasur asnjë faj, çdo histori emigranti është një dramë që shpesh ka perfunduar tragjikisht në fund të detit apo të mbytur nga asfikësia nëper maune, apo si shkelës ligji.

Të bëhesh prokuror i të dënuarve nga diktatura është sikur të rinkarnosh prokurorët e diktaturës për të rindezur tek opinioni tërbimin kolektiv për t’i rishpallur fajtorë ata që diktatura i vrau në mënyrat e saj më mizore, me fis e farë!

A del kush që të bëhet avokat i viktimave të diktaturës?

Kujt i pëlqen roli i prokurorit, le të dënojë ata që e detyruan Camajn dhe Koliqin t’iu digjej shpirti per Atdhe e për të afermit e tyre të burgosur e internuar, ndërsa Havzi Nelën e varën në litar!

Tim eti, poetit Vehbi Skënderi i kërkuan të bëhej spiun i Sigurimit të Shtetit. Nuk pranoi. Ky verdikt i tij më la mua pa shkollë, dmth pa të ardhme. Di shkrimtarë që janë bërë spiunë të Sigurimit dhe fëmijët e tyre kanë vijuar jetën normale. Nuk e di me çfarë çmimi!

Por nëse tim atë do ta kushtëzonin duke i venë në rrezik jetën dhe dinjitetin tim, ai ose do të vriste veten sikur edhe tentoi kur i dhanë urdhërin se do të interneheshim të tre në një fshat të humbur matanë malit të Dajtit, ose do të pranonte ta firmoste ate dokument, por një gjë eshte e sigurt se im atë nuk do të merrte askënd në qafe.

Nën tortura fizike, nën tortura psikologjike, nën torturën kur shoqëria të neverit si “armik i partisë” apo “bijë e armikut të partisë” njeriu detyrohet!

Kur jeta të krijon dilema torturash – të zgjedhësh midis dy torturave, ose njërën ose tjetrën torturë, do të zgjedhësh njërën torturë.

Deri sa do të kujtohesh se ekziston jeta pa torturë, në liri  dhe liria të dikton të këpusësh zinxhirët, prangat dhe t’i denoncosh shkaktarët e kësaj torture që vetëm jetë nuk është !

Mallkojeni, dënojeni, denoncojeni sistemin totalitar dhe këtë tranzicion makabër. Nuk ishin armiqtë e shqiptarëve as Martin Camaj, as Ernest Koliqi, as Havzi Nela dhe as ata mijra e mijra të burgosur, pushkatuar e të dënuar nëpër internime, por sistemi totalitarist që i vrau! Totalitarizmi na vrau, na i shplau trutë, na detyroi të shkruanim vepra të socrealizmit, na përçau! Ai është armiku i shqiptarëve!

Për absurd ndodh që dashuria për Atdheun të bën ta braktisësh Atdheun, sepse vetëm kështu kjo dashuri mund të jetojë e gjallë!

Në fakt, nuk je ti që e braktis Atdheun, por Atdheu të braktis kur e detyrojnë të ketë pamjen e shtetit totalitarist, i pashpirt dhe mizor ndaj bijtëve të vet!

Fatalitetin e jetës të njeriut në një sistem totalitarist, qoftë diktaturë e majtë, e djathtë apo e kapjes të shtetit nga korrupsioni, e ka dhënë më mënyrën më të skalitur Albert Camues tek I Huaji!

Ka vetëm një mënyrë për t’i shpëtuar këtij fataliteti, ose t’i ikësh, t’i arratisesh ose të rebelohesh kundër tij ose të rebelohesh në mënyrat që mund.

Të bësh pazare me Vuçiçin, është njëlloj si të bëje me Millosheviçin – Nga HYSEN ARAPI

25 vjet nga masakra e Srebrenices!
E shpallur “Zone e sigurte “, nga OKB, Srebrenica u be varri i 8000 burrave e djemve muslimane boshnjake, te ekzekutuar nga forcat e gjeneralit famekeq serb Ratko Mlladiç, me pjesemarrjen dhe te forcave te ministrise se brendeshme serbe e qindra mercenareve greke e rusë, nen hunden e paqeruajtesve hollandeze e franceze!!”Mekati “i tyre i vetem ishte se ata i perkisnin nje etnie dhe religjioni tjeter. Perveç masakres te realizuar nga shteti genocidal serb , i cili ende nuk ka kerkuar falje per krimet e tij monstruoze ne Bosnje e Kosove, Srebrenica eshte deshmi e turpit historik te Europes , e cila ne kundershtim me vlerat qe promovon, lejoi apo u tregua e pa afte per te mbrojtur keto vlera duke mbyllur syte perpara masakres me te madhe te kryer ne kontinent, pas luftes se dyte boterore.
Ne kete kuader shqiptaret qe kane vuajtur perreth nje shekull nga genocidi serb, duhet te jene me te vendosur se kurre, per te kundershtuar cdo veprim apo marreveshje me Serbine ,qe prek interesat tona kombetare, duke demaskuar e derguar para drejtesise tregtaret e trojeve shqiptare, kudo ku ata ndodhen, ne Tirane Prishtine e gjetke !
Te besh pazare me Vuçiçin eshte njelloj si te beje me Millosheviçin bandes se te cilit ai i perkiste.

Auron Tare i ridënon viktimat e regjimit totalitar Hoxhist Nga Elida Buçpapaj

Auron Tare ka një profil sportisti. Janë familje sportistësh, që shkojnë me trashëgimi, sikur mjekët, avokatët. Talenti i familjes Tare është sporti. Njëri nga dy vëllezërit e tij është Igli Tare. I jati, Isa Tare rekordmen në “Hedhjen e Diskut”, që mbaroi studimet në Institutin Vojo Kushi, ka dhënë edukatën fizike në Shkollën e Bashkuar dhe Akademinë Ushtarake, pikërisht në shkollat ku mori edukatë Auron Tare. Auron Tare  ishte  basketbollist me Partizanin, jo hedhës disku si i jati, por shumë larg talentit të Agim Fagut, Zaçes, Mushit etj.

Është i datëlindjes 1968. Viti 1991-1992 e gjeti Auron Taren në moshën 23 vjeçare, në të njëjtën moshë kur Martin Camajt më 1948 do t’i duhej të arratisej nga Shqipëria për t’i shpëtuar represionit të egër të sistemit totalitarist komunist, që kishte nisur një fushatë terrori sidomos në Veri të Shqipërisë, ku ishte i përqëndruar kleri katolik. Nuk e di se çfarë ka bërë në moshën 23 vjeçare Auron Tare. Portreti i tij gjatë këtyre 30 viteve i ngjan një lloj dandy, në kërkim të zbulimit të vetvetes. Nga infot që marr në rrjetin social, të cilat ai i ka publikuar vetë, del se nuk është as historian, as studiues i letërsisë, nuk është as arkeolog apo arkeolog i nënujit si i madhi Moikom Zeqo. Në wikipedinë në shqip del si drejtues i një shoqate në kërkimet dhe ekspeditat arkeologjike nënujore. Po sipas wikipedisë në shqip, prej 1994 – 2005 del të ketë qenë përfaqësues i Fondacionit  Kulturor Butrinti i themeluar nga Lord Jacob Rothschild dhe Lord Sainsbery of Candover. Ndërsa në wikipedinë në anglisht, ndryshe nga ajo në shqip, shfaqet si historian, gazetar dhe “menaxher i trashëgimisë kulturore”. Nuk e kuptoj fare këtë emërtesë që nuk gjendet tek biografia e tij në shqip. Kohët e fundit kam lexuar një shkrim të Profesor Moikom Zeqos që vinte alarmin se qyteti antik i Butrintin, një thesar i trashëgimisë kombëtare dhe botërore, kishte rënë në duar të një shoqate të huaj. Pronat e trashëgimisë kombëtare bien në duart e shoqatave të huaja!!! “Kur pashë rrënojat e Trojës”, shkruan Moikom Zeqo, “e kuptova se çfarë thesari është Butrinti”.

E bëra këtë parantezë, për të treguar se nga formimi, profili i Auron Tares lidhet kryesisht me sportin. Basketbollist mediokër. Ndërsa fotoja që ka vendosur në rrjetin social, të kujton ato të oficerëve anglo-amerikanë mbi kuaj gjatë luftës të dytë Botërore, të cilët kur u vendos diktatura, regjimi brutal i Enver Hoxhës i dëboi nga Shqipëria, ndërsa ata shqiptarë që kishin punuar nëpër zyrat e misioneve britanike apo amerikane i burgosi dhe shumicën e tyre e pushkatoi dhe vrau.

Në CV e Auron Tares do të shtoja se ai ka qenë deputet i PS,  zyrtar i lartë i emëruar nga PS deri vjet si Drejtori i Agjencisë së Bregdeteve, ndërsa i vëllai i tretë, Agroni ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll 2014-2019, pastaj Drejtor i Portit të Durrësit dhe aktualisht zvMinistër i Jashtëm i Republikës. Siç shihet,  familja Tare, ka fituar besimin e plotë të Edi Ramës, përfshi Igli Taren, drejtor sportiv i Lazios që po ashtu është një PR i vërtetë i kryeministrit shqiptar në Itali.

Pra, nga e gjithë kjo sa thamë, unë nuk e di se ku mbaron zyrtari i lartë publik me angazhime politike dhe ku fillon njeriu me kërshëri investiguese si Auron Tare.

Angazhimi i tij politik e komprometojnë kërshërinë e Auron Tares, që nuk është as shkencore, as profesioniste, por e një njeriu që duke shfrytëzuar politikën ka krijuar lidhje me të huaj. S’ka asgjë të keqe. Por këto lidhje, do të duhej ta bënin Auron Taren më tolerant ndaj kryefigurave të kulturës shqiptare në emigracion gjatë periudhës së diktaturës komuniste.

Auron Tares i ka ecur vaj, nuk ka vuajtur në komunizëm, përkundrazi. Por mosvuajtjet e tij gjatë sistemit totalitar nuk mund të eleminojnë vuajtjet e qindramijë shqiptarëve. Mosvuajtjet e tij po ashtu nuk e lejojnë që Auron Tare të bëhet portavoce i stilit të prokurorëve të diktaturës, për t’i gjykuar e dënuar rishtas me të njëjtat akuza që i kishte dënuar Martin Camajn dhe Ernest Koliqin regjimi genocidal i Enver Hoxhës.

Unë nuk e di që Auron Tare të ketë shprehur dikund kërshërinë për letërsinë shqipe. S’ka lidhje fare me letërsinë. Po të kish, do ta kuptonte se Ernest Koliqi dhe Martin Camaj i kushtuan jetën e tyre kulturës shqiptare, gjuhës shqipe dhe vepra e tyre është po aq madhore sa monumentet e kulturës. Sot është hapur një debat nëse Bylysi është grek apo ilir, ndërsa Martin Camaj dhe Ernest Koliqi nuk lejojnë të krijohen dyshime të tilla, sepse vepra e tyre është gur themeltar në kulturën kombëtare.

Auron Tare, megjithëse thotë se është adhurues i Shvejkut, është profan nga letërsia. Nuk e di se gjuhë dhe letërsi do të thotë ekzistencë kombëtare, nuk e di se historia e kulturës është pjesë e historisë së kombit.

Unë mendoj se e gjithë kjo histori nuk është produkt kërshërie, pēr të marrë avionin me paratë e tij që të kërshërohet. Aq më tepër kur kërshëria e tij është e mbrapshtë, diabolike. E ka thënë Visar Zhiti, një tjetër monument i tragjizmit të njerëzve të kulturës shqiptare. Përse të hulumtohen viktimat, thotë Visari, dhe nuk hulumtohen xhelatët?

Përse Auron Tare nuk hulumton për ish Oficerët e Sigurimit të Shtetit që kanë marrë shtetësi dhe azil politik në SHBA dhe Perëndim me dokumenta fallco si të persekutuar, sikur ai oficeri Edmond Caja, sot me pasaportë gjermane, që i masakronte në burg të vuajturit e ndërgjegjes?

Kjo temë është e gjatë dhe preston për thellim, por unë do të ndalem të vërtetoj se Auron Tare e nis me një gënjeshtër hulumtimin e tij. Kjo gënjeshtër qëndron në themel dhe e rrëzon ngrehinën e Tares.

Auron Tare tek Provokacja e Mustafa Nanos tha se e nisi këtë hulumtim për qejf, duke marrë e zbritur avione, shko nga njëri Arkiv tek tjetri, shko nëpër Arkiva të botës dhe zbulo fakte që hedhin baltë për korifej të kulturës kombëtare shqiptare. Hulumtimi i tij është cinik, brutal, pa pikë humanizmi, paçka se ky lloj zotërie është pjesëtar i disa dhjetëra shoqatave humaniste!

Tek Provokacja, Auron Tare, me kollare, me lap top dhe pa kalë gënjen kur thotë se “është përpjekur të mos gjykojë njeri”, sepse kur Mustafa Nano i thotë se, nëse Koliqi nuk do të largohej nga Shqipëria, regjimi Hoxhist do ta pushkatonte, Auron Tare kërcen si plesht dhe përgjigjet: “Po Koliqi ishte Ministër fashist”, pra e justifikon aktin makabër nga regjimi totalitarist, duke shtuar pastaj gjepura të tilla se “Franca pushkatoi mijëra fashistë!” Po të isha unë në vend të Nanons, do të pyesja: ” Përse nuk e burgosën apo pushkatuan italianët apo amerikanët Koliqin, por përkundrazi e bënë agjentin e tyre? Për faktin e ditur se Ernest Koliqi nuk kishte kryer krime. Jo vetëm kaq, por gjatë periudhës të pushtimit kolaboracionistët kanë shpëtuar qindra e qindra jetë hebrejsh, i vetmi vend në Europë.

Megjithatë, Primo Shllaku thotë me të drejtë, hapini Arkivat! Të hapen arkivat që të hulumtohet historia por jo të rivriten martirët e kulturës që iu kundërvunë sistemit totalitarist! Të dy, si Koliqi ashtu dhe Camaj u identifikuan në Perëndim me kulturën shqiptare, Koliqi hapi Katedrën e Gjuhes Shqipe në Romë, që u kthye në Institut të Studimeve Shqiptare ndërsa Camaj krijoi qendër të Albanalogjisë në Münich. Plus që vepra e tyre letrare është kontribut në fondin e kulturës kombëtare sepse që të dy nuk iu nënshtruan socrealizmit. Nuk iu bindēn diktatures së regjimit dhe as letērsisē që imponoi ajo. Ernest Koliqi është një nga themeluesit e tregimit modern, ndërsa Rrathë i Camaj  i pari roman psikologjik në gjuhën shqipe.

Po ashtu Mustafa Nano duhej t’i thosh Auron Tares, se ndërsa korifejtë e kulturës ishin spiunë të agjencive të zbulimit Perëndimor, familjet e tyre në Shqipëri masakroheshin nga regjimi enverist. Një vëlla i Martin Camajt u dergj 30 vjet në burgjet komuniste, po ashtu edhe Mikel Koliqi, i pari kardinal shqiptar, vëllai i madh i Ernest Koliqit, kaloi 42 vite të jetës nëpër burgje dhe internimet komuniste.

Auron Tare është tendencioz, sikur Pëllumb Xhufi kur u mor me Kampin e Tepelenës ku humbën jetën 400 fëmijë të pafajshëm, të cilin nuk pranonte kurrsesi ta quante Auschwitz shqiptar, deri kur Lek Pervizi, një tjetër Monument i gjallë, nga ata që rrnojnë për me tregue, solli vizatimet reale që, po t’i shihje, të kujtonin pikërisht kapanonet e kampeve të përqendrimit nazist.

Auron Tare, gënjen, kur thotë se gjithçka e nisi për turizëm qejfi dhe kërshërie, sepse që në hapjen e pseudoinvestigimit shkruan me dorën e tij: ” Tre vite të shkuara, dy Ministrat e Kulturës, ai i Kosovës dhe ajo e Shqipërisë organizuan një Konferencë për shkrimtarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj. Nuk e di qëllimin e vërtetë të kësaj Konference, por nga ato që lexova, m’u krijua përshtypja se dy Ministrat promovuan Camajn dhe Koliqin, si dy kalorës të mohuar të letrave shqiptare. Dy kalorës që mbi veten vunë gjithmonë atdheun dhe letërsinë por që fatkeqësisht Atdheu nuk i kuptoi kurrë. E sa për lëmin e letërsisë nuk kam kompetencën e duhur për t’i gjykuar këta dy shqytarë kalorsiakë, shpresoj që me analizën e mëposhtme lexuesit të krijojnë një ide të qartë mbi “Mitet e rreme” që promovohen dhe lartësohen edhe nga Ministritë tona të Kulturës.”

E shihni pra se si për fushë me scripta manent  Auron Tare që shtiret se nuk bën gjykime dhe gjykatësin pa e patur idenë nga letërsia, duke qenë zero në fushën e kulturës letrare “akuzon” Ministrat e Kulturës se kanë promovuar “mite të rrema”. Pra Auron Tare me stilin e ish oficerëve të sigurimit e sjell këtë “investigim” për t’i shembur këto Mite si Teatrin Kombëtar, por nuk mundet sepse ata i kthyeu në Mite vepra letrare dhe veprimtaria jetësore.

Shfaqja cinike e Auron Tares ishte fund e krye një provokim. I një njeriu të veshur me kostum privat, sikur e pohoi vetë, ndërsa de jure është edhe një zyrtar i lartë politik i PS, çka bie ndesh si me integritetin ashtu dhe pavarësinë e shkencëtarit, të cilit për të shpërndarë helmin ndaj korifejve të kulturës në periudhën e diktaturës, si me shkop magjik i hapen dyert e televizioneve.

Kë donte të provokonte Auron Tare, tamam-tamam?

Të vdekurit? Jo?

Është cinik dhe burracak pasi as Martin Camaj edhe Ernest Koliqi nuk i kthejnë dot përgjigje!

Auron Tare provokon të gjallët.

Të gjallëve u bëj një lutje që të mos bien kurrë në rrjetën e një profani si Auron Tare që lexon Shvejkun, por nuk e ka as zgjuarsinë e personazhit të Hashekut dhe as dokumentat për t’i rikthyer në armiq të Shqipërisë ata të cilët i kishte shpallur armiq sistemi totalitar i Enver Hoxhës.

Si e refuzoi Zoti Arbnori postin e Ambasadorit ne vitin 2004 Nga Iris Halili

Si e refuzoi Zoti Arbnori postin e Ambasadorit ne vitin 2004.

Me Zotin Pjeter Arbnori kam kujtime te shumta pasi jam njohur me te qe ne femijerine time te hershme .

Por aresyeja qe po shkruaj per te, ne kete pervjetor, nuk eshte ndarja me ju e kujtimeve te asaj periudhe, por si e njoha ne rrethana krejt te tjera, ne rrethana pune.

Ne vitin 2004 posti i Ambasadorit te Shqiperise ne Rome mbeti bosh pas doreheqjes se Zotit Pellumb Xhufi.

Per te plotesuar kete vend vakant i shpreh mendimin tim Presidentit Moisiu (isha ne postin e Shefes se Kabinetit), qe kandidatura e Zotit Pjeter Arbnori do ishte shume e mire ne ate post. Ai e priti pozitivisht dhe pas pak ditesh me thote qe edhe Kryeministri Nano ishte gati te firmoste kete kandidature.

Por “hesapet i kishim bere pa hanxhine”: nuk i kishim marre mendimin vete Zotit Arbnori. Asnje nga ne nuk e parashikonte qe ai do e refuzonte ate post. Me qetesine e tij te veçante Zoti Arbnori, nuk se na dha me shume detaje, por dukej qe ai nuk donte te merrte nje emerim nga qeveria socialiste.

Fatkeqesisht as Partia Demokratike, pra partia e tij nuk e emeroi ambasador kur erdhi ne pushtet, ndonese ai ishte pa asnje medyshje figura me dinjitoze qe do kishte perfaqesuar Shqiperine ne Rome, Vatikan apo kudo gjetke .

Nje rast tjeter me zotin Pjeter i takon vitit 2002.

Presidenti Moisiu kishte nje vizite zyrtare ne Vatikan, me ftese te posaçme nga vete Hiresia e Tij Papa Vojtila (Xhon II).

Ne delegacion ishte vendosur edhe Zoti Pjeter Arbnori. Une spontanisht i them Presidentit: “Pse nuk vendos Zonjen Jozefina Topalli ne vend te Zotit Pjeter Arbnori , ai e ka takuar disa here Papen , e ka pritur ne

Shqiperi dhe jam e bindur qe atij vete do t’i pelqeje ky zevendesim”. Une dija qe vete Zoti Arbnori e kishte prezantuar Zonjen Topalli ne PD, nisur kjo nga miqesia e tij e vjeter ne qeline e burgut me xhaxhane e saj. Dhe kisha te drejte, pasi kur ja komunikova Zotit Arbnori kete ide jo vetem qe e priti me shume kenaqesi, por me ate miresine e tij qe ja shoqeronte gjithmone buzeqeshja me tha: “Shume mire ju ka shkuar mendja”.

Keto jane dy momente kur une e njoha Zotin Pjeter Arbnori ne rrethana pune dhe desha t’i ndaja me ju miqte e mi.

Ishte nje legjende qe do te donim te jetonte me gjate. Ai i dha shume vendit te tij, por ai i dha nje model karakteri gjithkujt qe pati shansin ta njohe.

Vitet ikin dhe shpesh te hutuar nga “politika e madhe”, harrohen te thuhen apo shkruhen detajet e” vogla” qe ne fakt rrefejne shume per njeriun si i tille.

Pjesa e dytë: Auron Tare: PROVAT PËR MARTIN CAMAJN SI AGJENT I UDB, DO I MARR KUR TË HAPEN DOSJET E BEOGRADIT – Nga Frank Shkreli, Ish-Drejtor i VOA për Euro-Azinë

 

Një ditë më parë kisha bërë një shkrim modest, si një reagim personal ndaj akuzave në të ashtuquajturin “studim”, “Dritëhije në histori”, me autor Auron Tare dhe botuar në portalin “Peisazhe të Fjalës”, pronë e një grupi nga New Yorku. Në atë shkrim dje, unë thashë se nuk kishte asgjë të re sa u përket akuzave të autorit, ku i paraqet Ernest Koliqin dhe Martin Camajn si poliagjentë dhe koloaboracionistë me perëndimorët dhe jo vetëm, për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.  Në reagimin tim dje, nënvizova se megjithëse materiali na u paraqit si i “rrallë” dhe “origjinal” nga botuesi, nuk kishte asgjë të re në dokumentacionin e Tares, pasi këto informacione diheshin dhe nuk janë mohuar kurrë nga asnjëri prej këtyre burrave të Kombit. Po çfarë hulumtimi dhe çfarë provash të “rralla” dhe “origjinale”, na sillte në atë shkrim Tare?

 

Auron Tare

 

Mbrëmë në një intervistë në programin televiziv, “Provokacija” të Mustafa Nano-s, Auron Tarja e pranoi vetë se, në të vërtetë, ai nuk ka dokumente definitive që provojnë se Martin Camaj ishte agjent i UDB-s, por ai arrin në një përfundim të tillë, bazuar në hamendje dhe në mençurinë e tij për këto gjëra. “Ti nuk ke ndonjë dokument të qartë ku thuhet se Martin Camaj ishte agjent i UDB-së…”, e pyet Nano.  Tare: “Po, kur të hapet ajo e Beogradit, patjetër… do e kemi”. Në të vërtetë, edhe vetë intervista në programin “Provokacija” m’u duk sikur ishte skenuar më parë, me qëllim që të hidhej më shumë baltë edhe në ekranet e televizionit shqiptar ndaj këtyre dy shkrimtarëve të dalluar të Kombit, Ernest Koliqit dhe Martin Camajt.  Tare ç’prej fillimit e rrëmbeu programin dhe “kidnapoi” pyetjet dhe përgjigjet, për të bindur shikuesin, se ai kishte të drejtë për ato që pretendon.  Ata që mund ta kenë parë intervistën duhet të kenë venë re se Tare bënte vetë pyetjet dhe përgjigjej, pastaj pyeste Nanon dhe përgjigjen e jepte vetë Tare.  Por më të bukurat ishin ndërhyrjet e Tares çdo 2-3 minuta me Nano-n, duke e pyetur, “Jemi dakort?”, duke u siguruar për miratimin e Mustafa Nanos për ato që thoshte. Tare as nuk e lejonte Nanon të bënte ndonjë pyetje të arsyeshme, megjithëse Nano u përpoq disa herë që të balanconte pak intervistën e njëanshme ndaj deklaratave absurd të Tares, por Tare nuk i jepte atij rast, as mundësi të fliste.  Një propagandë aq e fëlliqët, sa edhe neveritëse, e padenjë për një program të tillë dhe për shikuesit shqiptarë.  Është e qartë se me këto pretendime, Auron Tare, ka dalë nga shinat e ushtrimit të fjalës së lirë dhe është futur në fushën e shpifjeve të pakontrolluara dhe të përhapjes së urrejtjeve midis shqiptarëve, sikur nuk kemi pasur mjaft urrejtje e shpifje midis nesh për 50-vjet komunizëm dhe 30-vjet të ashtuquajtur post-komunizëm, megjithëse kjo intervistë si dhe shkrimi, nuk kanë të sharë po t’i krahasosh me periudhën e regjimit të Enver.

 

Martin Camaj                      Ernest Koliqi

Shpresoj që pasardhësit e familjeve Koliqi dhe Camaj të jenë në dijeni të këtyre shpifjeve dhe denigrimeve që u bëhen të dashurve të tyre të vdekur në shtyp dhe në televizion dhe rrjedhimisht të marrin masat e nevojshme, duke i treguar Tares dhe portalit “Peisazhet e Fjalës”, derën e gjykatës.  Diçka nuk është në rregull me botën tonë shqiptare sot.  Kohë më parë ishte rasti i dyshimeve të hedhura nga disa qarqe për identitetin e familjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, pastaj u ngritën pikëpyetjet mbi identitetin e Nënë Terezës, tani shpifjet dhe denigrimi i shkrimtarëve të mëdhej Ernest Koliqi dhe Martin Camaj.  Pas tyre kush e ka radhën?  Fishta? Konica?  Klerikë të dalluar katolikë, si individë ose si grup? A mund të më thotë dikush se pse po ndodhin këto raste sit ë thuash në koncert njëra pas tjetrës dhe kush mund të fshihet pas tyre?  Pothuaj, pa përjashtim, përdoren individ shiqptarë të medias ose akdemikë për të përhapur dyshime. Pse u turren njerëzve më të dalluar të këtij Kombi me shpifje e mundohen për t’i paraqesin në dritën më të keqe që është e mundur? Cila dorë e huaj ka gisht këtu dhe pse tani në këtë kohë?  Në interes të kujt është që të përhapen shpifje dhe urrejtje midis shqiptarëve dhe pse vetë shqiptarët bëjnë punën e të huajve në këtë mes?  Nuk është e rastit që sot konfliktet politike midis shqiptarëve, anë e mbanë trojeve, janë në kulmin e së keqes. Quo Vadis Albania?  Pse nuk del dikush t’i thotë mjaft kësaj situate?  Ku është qeveria dhe organet shtetërore, ku është Akademia e Shkencave, ku është Ministria e Kulturës, ku janë të mençurit e Kombit? Ku janë shkrimtarët e dalluar dhe historianët e vërtetë të Kombit?

 

Mos vallë ka mbetur historia e Kombit shqiptar dhe e personave që e kanë berë atë histori, të shkruhet dhe të interpretohet gjithnjë nga aparatçikët dhe nostalgjikët e një sistemi të kaluar dikatorial e kriminal, shpifës dhe urrejtës, madje edhe 30-vjet pas shembjes së komunizmit.  Nuk del njeri që të shtrijë dorën e pajtimit, të mirëkuptimit e vëllazërimit midis shqiptarëve?  Kush i mbron interesat dhe identitetin kombëtar, por edhe njerëzit e dalluar që gjithë jetën e tyre ia kushtuan, pikërisht, ruajtjes së identitetit, kulturës dhe traditave shqiptare, mbrenda dhe jashtë Atdheut.  Ndryshe nga akuzat shpifëse të Auron Tares me shokë ndaj Koliqit dhe Camajt, Kombi shqiptar sot, më shumë se kurrë, ka nevojë për shembullin që kanë dhënë shqiptare, si Martin Camaj një njeri i letrave, i cili, në veprat e tij “Lëshon nji kushtrim jo luftarak, por paqësuer, plot shpirtbardhsi dhe flakë dashunije vëllaznore”.  Martin Camaj i bën thirrje sot Auron Tares, (i cili në të vërtetë nuk e meriton gjithë këtë vëmendje, por pasi ka dalë në ballë të shpifjeve dhe urrejtjeve edhe kundër vetë poetit e meriton këtë vëmendje negative), që “të dalë nga palci i urrejtjes” dhe të mos përhapë shpifje dhe urrejte midis shqiptarëve:

“Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë!

Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë

Si bima prej fare në pranverë”.

 

Është kjo një thirrje që del nga zemra dhe nga shpirti paqësor dhe jo hakmarrës i poetit dhe shkrimtarit Martin Camaj, që duhej të rezononte midis shqiptarëve edhe sot, sidomos në këtë periudhë konfliktesh dhe mosmarrëveshjesh politike, personale dhe partiake, që vazhdojnë të përçajnë dhe të ndajnë shoqërinë shqiptare dhe shqiptarët, në përgjithësi, për të cilën Camaj nuk do të ishte aspak i kënaqur.

 

Është një thirrje kjo, e një shkrimtari e poeti shqiptar, i cili ndonëse, siç dihet, regjimi komunist ia  “kishte mbyllur portën” – ashtu siç shprehet Ismail Kadare për ‘të – Camaj prapë se prapë nuk mbante inat e hidhërim, por bënte thirrje për afrim midis shqiptarëve, madje edhe gjatë një periudhe urrejtjesh dhe shpifjesh si ajo e komunizmit, kur në Shqipëri, vetëm të përmendje emrin e Martin Camajt ose të shkrimtarëve të tjerë si ai, në mërgim, të priste qelia e burgut ose dënime të tjera të rënda.  Megjithëkëtë trajtim të keq, ka shkruar Ismail Kadare, Camaj, “Nuk i lejoi vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi, të shkruante kundër si-vëllezërve të tij në Shqipëri.  Ishte e vërtetë, se në kohën që ai kujtohej e bëhej merak për ta, ata nuk u kujtuan kurrë për të, por kjo nuk e shtyu asnjëherë (Martin Camajn) t’u mbante mëri për shpërfilljen apo harresën e tyre të gjatë.  Përkundrazi, është shprehur Kadare, Martin Camaj, “Ishte i ndjeshëm për gjendjen e tyre, për optimizmin e rremë e për ankthin e fshehur me kujdes midis festës po aq të rreme”, -ka thënë Ismail Kadare, në vlerësimin e tij për Camajn. “Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes.  E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha”, -ka shkruar Kadare.  Nafakzezët e realizmit socialist dhe nostalgjikët e komunizmit të llojit të Enver Hoxhës, që shpifen sot ndaj Koliqit dhe Camajt, do të bënin mirë që të merrnin shembull nga “Shkrimtari i Lartësive”, siç e ka cilësuar Camajn, Ismail Kadareja, një person, “që i ka strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi që iu siguronte pavarësinë.  Ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën”, -ka thënë Kadare.  Katrahura, të cilës i referohet Kadareja, po e ndjekë të shkretin Camaj edhe në atë jetë.

Fatkeqësisht, “katrahura shqiptare”, siç pohon edhe “studimi” i Auron Tares –megjithëse Tare nuk është i vetëm në këtë fushatë aktuale trillimesh — është ndoshta më e theksuar sot se kurdoherë tjetër ç’prej komunizmit.  Sot më shumë se kurrë, në këtë rrëmujë në të cilën ndodhet sot bota shqiptare, thirrja e këtij poeti për “Afrim të Shqiptarëve”, është tepër aktuale dhe ndoshta më e nevojshme se kurrë më parë, pasi – siç ka shkruar edhe miku i tij Ernest Koliqi—kjo thirrje e Camajt del me të vërtetë nga zemra e një, “Pjestari të një djelmënije të vrugosun në shpirt nga nji stuhi ngjarjesh tepër shqetësuese, të nji djelmënije që u randue me vuajtje të pameritueshme ç’se filloi me marrë mend”,dhe si i tillë, “Njohu mërgimin, fushat e përqendrimit, punën e përdhunëshme…”, e tjera.  Me gjithë këto përvoja të këqija personale, Martin Camaj nuk shprehu kurrë urrejtje ndaj shqiptarëve, përfshirë regjimin komunist dhe as ndaj atyre të cilët i kishin mohuar të drejtën të jetonte dhe të punonte në Atdheun e tij të lindjes, për të cilin jetoi dhe punoi gjithë jetën në mërgim, gjithmonë i shtyrë nga dashuria dhe besnikëria ndaj vendit të origjinës të parëve të tij.  Megjithë vuajtjet e tija dhe të familjes së tij nga komunizmi, Martin Camaj, prapë se prapë, nuk ruante urrejtje as inat ndaj atij sistemi dhe as ndaj njerëzve që e mbështetën atë regjim, për pothuaj gjysmë shekulli.  Me shembjen e komunizmit në Shqipëri, ai kishte filluar komunikimin me vendlindjen e tij, përfshirë Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Intelektualëve të pavarur shqiptarë, ku edhe u anëtarësua në radhët e kësaj organizate që u krijua në vitin 1991.

Duke komentuar pranimin e tij në atë organizatë, ai është shprehur se vlerësimi që i bëri atij Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë me atë rast, “na afron”, si shqiptarë.  Në një letër dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve të Pavarur Shqiptarë në vitin 1992, Camaj u ishte drejtuar atyre dhe “mbarë popullit shqiptar” vetëm disa ditë para se të ndërronte jetë, me fjalët, “Të dashunve miq e vllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë popull shqiptar.  Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt”, -ka shënuar Ardian Klosi në një shkrim për të më vonë, duke cituar letrën e Martin Camajt, dërguar Lidhjes së Shkrimtarëve e Intelektualëve të pavarur të Shqipërisë, në vitin 1992.

 

Në këtë frymë vëllazërimi e afrimi me njëri tjetrin, nëpërmjet veprave të tija, Martin Camaj u bën thirrje shqiptarëve, por edhe ty Auron Tare me shokët tu, për afrim, për pajtim e bashkim midis nesh, pa marrë parasysh dallimet politike ose origjina nga vijmë, nga malet e nga fushat.  “Thirrja e Martin Camajt, “Afrohuni Shqiptarë”, sipas Koliqit, rrjedh nga “Fisnikërija e lashtë e malësorve, kalorësija e natyrshme që u pajisë atyre shpirtin, pikon papritmas edhe në vepër të këtij pinjolli të tyne, e i cili e di mirë harresën në të cilën bota e huaj dhe vendase i la malet tona.”  Si pinjoll i atyre maleve, ka shkruar Koliqi, Martin Camaj e kishte gjithmonë, “Parasyshë mospërfilljen e pavarëshme që shumica e qytetarëve ka dëftue për këta fatosa të lindun, e të cilët si kala e gjallë mbrojtën Kombin nga sulmet e sllavëve”.  Ne malësorët, kudo që jemi, të gjallë e të vdekur, fatkeqsisht, e kemi ndjerë me shekuj harresën në të cilën bota e huaj dhe vendase i la Malësinë tonë dhe banorët e saj, por ama, mbi të gjitha, është e papranueshme që si individë ose si grup, të pësojmë sot në Shqipërinë e vetquajtur demokratike, shpifje dhe urrejtje nga bashkvëllëzërit tanë, të një gjuhe e të një gjaku.  Kjo është pafalshme dhe anti-kombëtare.  Megjithëkëtë, si një bashkkombas me origjinë nga ato male të harruara e të shtypura të Shqipërisë, nga e ka origjinën edhe Martin Camaj, bashkohem me ‘të në fisnikërinë e lashtë të malësorëve që ai posedonte, duke u bërë thrirje shqiptarëve për bashkim, para se të jetë tepër vonë: “AVITU NJERI! AFROHUNI SHQIPTARË”!  Ka ardhur koha të dilni nga palci i urrejtjes dhe shpifjeve!”

Kush janë Haxhi Qamilët e vitit 1997? – Nga SHABAN MURATI

Ata zyrtarë të lartë, politikanë dhe ekranistë, që merren sot kaq shumë me Haxhi Qamilin dhe vitin 1914, kur Shqipëria ishte pushtuar nga trupat serbe e greke, pse nuk e përmendin asnjëherë që në vitin 1997, kur nuk kishte trupa pushtuese serbe e greke, në Shqipëri u krijuan kundër njera-tjetrës “Aleanca e mbrojtjes së Jugut” dhe “Aleanca e mbrojtjes së Veriut”?
Sipas të dhënave të vetë zyrtarëve të atij viti kulmor të mbrapshtë në Shqipëri në vitin 1997 janë vrarë nga 3 mijë deri në 6 mijë vetë. Me një marrëveshje të fshehtë të dy qeveritë amnistuan njera-tjetrën, i vunë rrasën e varrit të vërtetës tragjike kombëtare dhe askush nuk dha llogari për mijra viktimat.
Historia dhe populli kërkon të dijë:
Kush janë Haxhi Qamilët e vitit 1997?

Mentaliteti grek dhe serb qëllimisht i ngatërron nacionalitetin me fenë – Nga Isuf B.Bajrami

Greqia vazhdon të jetë partner i vështirë, bile edhe sot e kësaj dite është “delja e zezë” në Bashkimin Evropian! Herë pas here,i nxjerr probleme të sajuara Europës,për shkak të qëndrimit të saj kapricioze ndaj fqinjëve.

Gazeta britanike “Financial Times” citon Takis Michas, specialist për çështjet sociale në gazetën e Athinës “Eleftherotypia”, të ketë thënë se: “Greqia përfaqëson një shoqëri të mbyllur në vetvete. Vlerat e ortodoksisë e përforcojnë këtë mentalitet. Ortodoksia e shikon Perëndimin si rrezik, si vend ku kurdisen komplote kundër saj“! Mentalitet i grekëve dhe serbëve ky, i cili e ka origjinën në skizmën e hershme midis kristianizmit perëndimor dhe lindor.

Ky mentalitet shfaqet edhe në radhët e klerikëve greke në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas shtypit amerikan, kryepeshkopi Spiridon, kreu i Kishës Ortodokse greke në Shtetet e Bashkuara është akuzuar se është përpjekur që frekuentimin e kishës tua ndalojë ortodoksëve që ndjehen më shumë amerikanë se grekë. Spiridon, i pari udhëheqës i lindur në ShBA i kishës ortodokse greke, deklaron se veprimtaria e tij synon të mbrojë traditat bizantine të kishës, duke provuar kështu se është një nga grekët që mendojnë se akoma jetojnë në perandorinë bizantine.

Jeane Karthner i gazetës Liberacion shkruan:”Para pak vitesh,grekët ishin në armiqësi me shqiptarët,maqedonët dhe bullgarët. Ata janë armiq të përhershëm të turqve,kurse tani janë bërë armiq të amerikanëve,britanikëve,francezëve,gjermanëve dhe pjesës tjetër të botës”.

Greqia dallohet nga vendet e tjera anëtare të BE-së edhe për sa i përket legjislacionit të brendshëm. Për shembull,shtetësia,kombësia dhe feja ngatërrohen me qëllim në Greqi. Presidenti i Greqisë,Kostis Stefanopolus është cituar të ketë thënë “Perëndimi është plot me armiq“. Kushtetuta greke e ndalon proselitizmin. Ka dispozita,sidomos Neni 20 i Ligjit për Shtetësinë në Greqi,sipas të cilit imponohen sanksione,dënime me burg dhe mohim të shtetësisë greke ndaj pjesëmarrësve të pakicave fetare,që akuzohen për pjesëmarrje në të ashtuquajtura veprimtari kundër helenizmit. Pavarësisht nga fakti se Neni 19-të i Ligjit për Shtetësinë Greke është abroguar si rezultat i presionit ndërkombëtar,në bazë të cilit qeveria kishte të drejtë tu hiqte shtetësinë greke personave të quajtur alogjenë (banorë vendas me origjinë jo greke),Greqia nuk e ka bërë heqjen e Nenit prapaveprues për t’ua kthyer shtetësinë personave që me pa të drejtë e kanë humbur atë. Kurse historiani britanik Norman Davies shkruan në librin e tij;”Evropa,një Histori”:”Që nga koha e kryqëzatave,ortodoksia e ka konsideruar Perëndimin si burim i një shtypjeje më të keqe se ajo e të pafeve“.

Nëse e bëjmë një analogji të përgjithshme mund të përfundojmë se këto deklarata të kujtojnë një gjendje të brendshme emotive,që ende ka rrënjë të thella në Ballkanin Lindor,dhe se nyja e përbashkët është tradita e çoroditur fetare. Kjo nyje e çelikos aleancën e Greqisë me Serbinë. Ky mentalitet që ka çuar në fanatizëm,e nacional shovinizmin fetar! I ka shtyrë gjithashtu analistët të nxjerrin konkluzionin e logjikshëm,se prania greke në Bashkimin Europian,NATO dhe organizata të tjera është anomali dhe paradoks.

 

Vendi i Lekës;09.07.2020

OVL TË UÇK JASHTË MISIONIT STATUTAR TË SAJ – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

    Kudo në botë veteranët, me simbolet e tyre, ish-luftëtarë për liri, nderohen dhe respektohen, për shërbimin e bërë ndaj Atdheut. Për misionin e tyre, të pas luftës, ata kanë një statut, që përcakton detyrat dhe sjelljen e tyre si veteranë.
     Krejt ndryshe është sjellur dhe vazhdon të sillet OVL të UÇK-së! Që nga themelimi, misioni i kësaj Organizate është jo statutar. Qasja e saj është tërësisht e gabuar. Në vend të mendimit dhe veprimit racional, ajo ka manifestuar mujëshi dhe arrogancë, deri në rrugaçëri të hapur. Ajo është “xhandar” rezervë, “për të futur hundët kudo”, madje, duke kulmuar me hyrjen dhunshëm në sallën e Kuvendit të Kosovës, për ta bërë ligjin e të fortit!
     Krerët e OVL të UÇK-së, pa dallim, secili ka qenë më “betër” se tjetri. Kanë pushtuar sheshe e bulevarde, kinse, në mbrojtje të “luftetëtarve”, të “komandantëve çlirimtarë”, të “gjeneralëve të lavdishëm”, edhe pse ata janë dënuar për krime faktike, nga më të ndryshmet. Nuk ka krim politik, ekonomik apo ordinier, ku të mos jenë pjesë anëtarë të kësaj Organizate, tashmë, namkeqe në Kosovë.
     Është i njohur roli i eksponentëve të OVL të UÇK-së, në përçarjen e popullit të Kosovës, duke e ndarë atë në “krahun e luftës” dhe “krahu i paqës”. Sipas krerëve të kësaj Organizate dhe të disa militantëve të saj, “krahu i luftës”, që nënkupton PAN-in e sotëm, ndërsa “i paqës” LDK-ja!
     E vërteta është se, pikërisht, LDK-ja, kryetari i saj Dr. Ibrahim Rugova, Ai që nismoi përgaditjen për luftë, si opsion rezervë, nëse dështon paqja, qysh në vitet `90-a. Dërgimi i djemëve të Kosovës, për përgaditje ushtarake në Shqipëri; krijimi i Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK). Por, Shtetet e Quintit, u përcaktuan që Kosova të bëjë politikë paqësore. Rugovës, si përfaqësues legjitim i popullit të Kosovës, i thanë prerazi: “Nëse vazhdoni përgaditjen për luftë dhe krisma armësh, rruga e mbarë pa ne!” Dhe, kjo nuk ishte as lutje, as këshillë, por, thjeshtë, urdhër. Këtë e dëshmojnë edhe të pranishmit tjerë, që nuk janë hiç më pak se Akademikë.
     LDK-ja mbajti në organizim oficerët e karrierës dhe kuadrin nga LDK-ja, duke përtërirë edhe FARK-un. Dihet pjesëmarrja në luftë “e krahut të paqës”. Komandantët: Fatmir Limaj e pranon: “pothuaj se, të gjithë ushtarët na vinin nga LDK-ja”; Ramush Haradinaj thotë: “98 % të angazhuarëve në luftë, ishin të LDK-së”.
     Kaq shumë e kanë përsëritur gënjeshtrën “e krahut të paqës”, sa në një emision – Debati -, në TV Dukagjini, moderatori ia përmendi këtë kuadrit të LDK-së, Gazmend Muhaxherit. Por, Gazi iu përgjigj se “luftën e kemi bërë ne, LDK-ja”. Ai ishte njëri nga kuadrot e FARK-ut dhe i burgosur në vitet `90-a. Ndëkohë që, në shumë raste, kuadrot e kësaj partie i heshtin faktet, të vërtetën.
     Shantazhi, kërcënimi i krerëve të OVL të UÇK-së ndaj institucioneve, popullit të Kosovës, ka qenë dhe mbetet aktiv, sa herë që PAN-i i tyre ua kërkon.
     Ishte turp kombëtar, pranimi i këmbimit të territorit tokësor të Kosovës, për liberalizimin e vizave! Presioni i protestave të OVL të UÇK-së, frikësoi Isa Mustafën për humbjen e postit të kryeministrit dhe bashkë me Hashimin falën mijëra hektarë tokë.
     Në popull koalicioni qeverisës LDK-PDK, ngjallë frikë të bazuar dhe neveri të skajshme. LDK-së, si parti, i faturohen rrejshëm marrëveshjet sekrete, sepse ato i bënë klani brenda Kryesisë Qendrore dhe i legjitimon, me shantazh e dhunë politike, Këshilli i Përgjithshëm, me votimin aklamativ, të tufëzuar, blegtoral! Me këtë koalicion, plus minoritetet, janë realizuar të gjitha marrëveshjet konspirative, të pista:
1) “Zajednica”, (pavarësisht se kundërshtoi Gjykata Kushtetuese);
2) zgjedhja e Hashimit president;
3) demarkacioni “me betë e rrëfetë” e Isës dhe Hashimit se “Kosova nuk humbë asnjë milimetër tokë”;
4) shkarkimi i rektorit Ramadan Zejnullahut, pse nismoi hetimin për diplomat e Prof. Dr. të SHIK-ut në Universitet, i realizuar nga anëtarët e Komisionit të        PAN-it dhe dy anëtarë të KP të LDK-së, të “zgjedhur” nga Isa kryetari;
5) pagesa e shumë mijëra “veteranëve” të rremë, të propozuar nga komisioni i OVL të UÇK-së (PAN) dhe të aprovuar nga kryeministri i atëhershëm Isa            Mustafa dhe të tjera pisllëqe, për të cilat, kryekrerët klanorë, me sejmenët e tyre, të LDK-PDK, kanë një “ujdi”, për mbrojtjen reciproke të interesave            biznesore individuale e grupore.
     Ju, manipulatorë të OVL të UÇK-së, abuzuat me besimin e dhënë, për të hartuar listat e veteranëve dhe nga 12.700, sa e pranon shefi i SHP të UÇK-së, Sylejman Selimi dhe komandantët kryesorë të Drenicës dhe të FARK-ut, i shumëzuat në 76.000 kërkesa, duke shpërdoruar dhjetra miliona euro të buxhetit shtetëror! Kërcënuat me protesta për paratë e ngutshme dhe kryeministri Isa Mustafa bëri fajin fatal, pa bërë asnjë verifikim të vërtetësisë të “dëshmive të veteranëve”, nën presionin tuaj, filloi lëvrimin, dhënien e parave të shtetit të varfër të Kosovës. Dhe, po të vazhdohet ligjësimi i mëtejmë i këtij makro-falsifikimi, shifrat shpërdoruese do të jenë miliardshe!
     Kryetari i OVL të UÇK-së në Shqipëri, gjeneral Spiro Butka, ngulmon se nga Shqipëria janë, gjithsejt, 186 veteranë, pjesë e luftës së Kosovës. Por, manipulimi ka qenë enorme dhe vazhdojnë të paguhen 3.000 “veteranë”, madje numri, tashmë, është rritur përtej kësaj shifre! Ai akuzon, me emër e mbiemër, një ish-kryetar të OVL të UÇK-së, se ka shitur “Dëshmi të Veteranit” dhe në bashkëpunim me miqtë e tij në Shqipëri, ka hapur dyqane e biznese.
      Hipokrizia dhe cinizmi i kritikëve të Specialës
     Të gjithë ata individë apo parti politike, të cilët akuzojnë Hashim Thaçin e Kadri Veselin, pse ngulmonin që Gjykata Speciale të aprovohet nga Parlamenti i Kosovës, janë hipokritë dhe amoralë politikë. Kishte dy arsye bazike, që krijimi i kësaj Gjykate ishte domosdo:
     1) Krimi kishte ndodhur gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Janë ekzekutuar, të listuar e ngeshëm, ushtarakët luftëbërës, përfshi edhe Ministrin e Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqi; fitimtari i Betejës së Loxhës, Kolone Tahir Zemaj, me shumë shokë. Janë vrarë në pusira, ditën me diell dhe natën me hënë e pa hënë, bashkëpunëtorët e Ibrahim Rugovës; kryetarë të komunave; veprimtarë të LDK-së; gazetarë me kurajo profesionale e qytetare. Janë vrarë kuadro dhe luftëtarë të LPK-së. Dhe, vërtetësia nuk ka nevojë për dëshmitarë, sepse varret e tyre janë anekënd Kosovës. Madje, nuk janë as 100 dhe as 200, por, disa qindra, përfshi edhe ata që nuk kanë as varre. Janë edhe shumë të dajakosur dhe të plagosur, të cilët “robi i ka vrarë, por Zoti i ka mëshiruar, shpëtuar”, për ta vazhduar jetën me plagë trupi dhe shpirti – njëherësh.
     2) Bota Demokratike, e angazhuar politikisht, ushtarakisht, materialisht, që ka derdhur miliarda euro, për ta shpëtuar dhe mbijetuar popullin e Kosovës, nga genocidi vrastar, ekzodi i dhunshëm, me qëllim të mohimit të përjetshëm të Atdheut stërgjyshor, nuk mund të mbyllë sytë, kur krimet vrastare i vazhdojnë bandat shqip-folëse, edhe pas dëbimit nga NATO-pakti të soldateskës serbo-sllave.
     Edhe nëse Parlamenti i Kosovës, do ta refuzonte kërkesën për krijimin e Gjykatës Speciale, atë do ta bënte OKB-ja. Sepse, misioni i Botës Demokratike, i kryesuar nga SHBA dhe Evropa e Bashkuar, është i shënjtë. Ajo nuk njeh kufi, komb, racë, fe, kur cënohen të drejtat e njeriut. Ajo nuk merr leje nga sadamër e kadafër me shokët e tyre kriminelë, kur vendosë shporrjen e tyre nga pushteti i përgjakur. Por, vepron me zjarr e hekur, për t`i mposhtur, duke sjellur lirinë për popujt e shtypur, nga kriminelët, qofshin ata edhe vendorë.
     Pafytyrësia nuk ka kufi. Shkaktarët potencialë, që kanë detërminuar krijimin e Gjykatës Speciale jashtë Kosovës, janë më të zëshmit që “kjo gjykatë duhet të jetë në Kosovë, sepse ne i kemi kapacitetet e mjaftueshme, për t`i hetuar, gjykuar dhe dënuar kriminelët, qofshin ata gjatë luftës apo të pas luftës!?” Për këtë, përgjigje sa të saktë, aq edhe të drejtëpërdrejtë, ka dhënë Hashim Thaçi, qoftë nga pozita e zëvendëskryeministrit, qoftë nga ajo e presidentit: “Është shantazhi, kërcënimi, deri në vrasjen e dëshmitarëve, që ka bindur Qendrat e Vendosjes Ndërkombëtare, që Gjykata Speciale të funksionojë jashtë Kosovës”. Ai ka adresuar dyshimin e bazuar edhe tek një subjekt politik, i cili u ka kushtuar vëmendje të përhershme pakësimit të dëshmive të mundshme. Këtë të vërtetë e faktojnë edhe 22 dëshmitarët potencialë të kësaj Gjykate, të ekzekutuar ndër vite, madje, njëri syrësh këtë vit.
     Drejtësia në Kosovë është e betonuar, e dështuar. Kishte kohë të mjaftueshme, tej dy dekadave, për të parandaluar dhe ndëshkuar krimin e organizuar vrastar në Kosovë. I heshti krimet, njësoj siç bëri UNMIK-u dhe krerët social-komunistë të Tiranës zyrtare, të dy palët pjesë e këtyre krimeve makabre. Kurti u vet-demantua se kjo Gjykatë duhet të vendoset në Kosovë, kur dështoi në organizimin e Vettingut, për personelin e drejtësisë, prokurorët dhe gjykatësit. Ata refuzuan dhe e bojkotuan me prepotencë, mujëshi dhe arrogancë, deri në mospërfillje dhe rrugaçëri. Rrjedhimisht, e dështuan nismën e ministrës profesionale e simpatike të drejtësisë, për Vettingun, si alfa nismore e çkapjes të drejtësisë, të shtetit.
     Të apostrofuarit e parë të Gjykatës Speciale, presidenti Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Veseli, vazhdojnë të kenë qasje të dinjitetshme, edhe për pritjen e mundshme të ballafaqimit me drejtësinë. Këtë e dëshmon edhe reagimi mospajtues i kreut të PDK-së, Kadri Veseli, për protestën e paralajmëruar të OVL të UÇK-së. Arsyetimi i kryetarit Veseli është veprim i duhur dhe racional. Si i tillë është mirë të respektohet edhe nga organizatorët e rrëmujshëm dhe kontravers. Sepse protestat do ta justifikonin palën akuzuese, për mënyrën e nxituar të akuzës publike, ende pa e miratuar gjykatësi i çështjes, me arsyetimin se Thaçi dhe Veseli, po punonin, fshehurazi, për zhbërjen e Specialës.
     Thirrja e OVL të UÇK-së, në emër të popullit, paushall e falsifikueshëm, për zhbërjen e Gjykatës Speciale, ngaqë të gjitha sondazhet e dëshmojnë se 70 % e popullit të Kosovës aprovon drejtësinë e kësaj Gjykate, pa paragjykuar fajësinë e emrave të veçantë. Disa syrësh janë intervistuar dhe mund të pasojnë edhe akuzat për krimin e vrasjes, kryesisht, të kundërshtarëve politikë shqiptarë. Andaj, me protesta duan t`i bëjnë pjesë aprovuese të krimeve të tyre edhe veteranët e pafajshëm, të cilët janë angazhuar në luftë kundër pushtuesit, me përkushtim atdhetar, pa menduar për interesa dhe përfitime personale.
     Zhurma e OVL të UÇK-së, për zhbërjen e Gjykatës Speciale, është një mision i pamundur dhe vetëdiskreditues për organizatorët. Si Organizatë kurrë nuk ka ngritur zërin, aq më pak protestuar, për viktimat e pafajshme, për fëmijtë jetimër, që i shtohen Kosovës edhe pas çlirimit të Kosovës. Përkundrazi, ka fakte të pademantueshme, se disa nga organizatorët e sotëm, dje kanë festuar ekzekutimet e kundërshtarëve politikë.
     Më në fund, është koha për reflektim dhe pendesë të sinqertë. OVL të UÇK-së ka nevojë të maturohet, të mos përsërisë marrëzirat, që dëmtojnë edhe më tej reputacionin e saj. Kam bindjen se në radhët e kësaj Organizate, ka veteranë të devotshëm, të cilët, assesi, nuk pajtohen me aventurat të krerëve të handakosur.

FLETËRRUFEJA KUNDËR ERNEST KOLIQIT DHE MARTIN CAMAJT – Nga Frank Shkreli

Miqtë e mi mos u shqetësoni shumë me shkrimin e ditëve të fundit të Auron Tares për Ernest Koliqin dhe Martin Camajn.  Pikëspari, aty nuk ka asgjë të re që nuk e kemi ditur më parë mbi veprimtarinë e këtyre dy shkrimtarëve të njohur shqiptarë në mërgim por edhe të tjerëve më pak të rëndësishëm, të akuzuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës si tradhtarë dhe kolaboracionistë — gjatë Luftës së dytë Botërore dhe menjëherë pas Luftës II si dhe gjatë luftës së ftoftë 1945-90.  As rruga drejtë zyrave ku Tare thotë se i ka “zbuluar” dokumentet, nuk është aq e pa njohur për të tjerë individë të interesuar për atë periudhë, ashtu siç nuk janë të panjohur edhe dokumentet nga të cilat ai pretendon se ka nxjerrë informacionin.  Gjithashtu, në këtë shkrim nuk ka asgjë të re mbi veprimtarinë e tyre në periudhën për të cilën bëhet fjalë e që vet Koliqi dhe Camaj nuk e kanë bërë të njohur kur ata ishin gjallë — të dhëna këto disa prej të cilave janë edhe pjesë e biografisë së tyre.

 

Unë kam qenë me fat se kam njohur dhe jam takuar dhe biseduar me Ernest Koliqin disa herë gjatë qëndrimit tim si refugjat politik në Romë në vitet 1969-1970 dhe me Martin Camajn kam qenë në komunikim.  As njëri, as tjetri kurrë nuk kanë mohuar asgjë nga veprimtaria e tyre publike ose zyrtare, përfshirë bashkpunimin me agjencitë perçendimore për të rrëzuar regjimin komunist të Enver Hoxhës.

 

“Dritëhije në histori”, megjithë pretendimet e autorit Tare dhe të botuesit, “studimi” në fjalë, nuk është as i rrallë as origjinal.  Janë shkruar libra dhe artikuj sa të duash në lidhje me këto ngjarje dhe me atë periudhë si dhe mbi rolin e diasporës shqiptare, në përgjithësi, në përpjekjet e saj për të rrëzuar regjimin komunist të Enver Hoxhës.  Ata që nuk kanë hequr gjë nga ai regjim –siç mund të jetë Auron Tare dhe ndonjë tjetër përkrahës i ideve të tija — mendojeni veten duke jetuar në Itali, në Evropë ose në Amerikë në periudhën për të cilën bëhet fjalë, duke ditur se si pasojë e arratisjes tënde për të shpëtuar jetën nga vdekja e sigurt në dorë të regjimi komunist, Enver Hoxha kishte burgosur, dënuar madje edhe me vdekje ose dërguar në kampe përqendrimi të afërmit tuaj, vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me atë regjim.  Nuk do punonit ju me perendimorët për të rrëzuar atë regjim, duke i ditur krimet e tija kundër popullit të vet dhe familjeve tuaja – për të bashkpunuar,pikërisht, me këta perëndimorë të cilët sot i konsiderojmë si aleatët më të ngushtë të Kombit shqiptar?

 

Këto punë duhen shikuar pak edhe në kontekstin historik të kohës.  E vërteta është se ajo ishte një periudhë e luftës së ftohtë kur agjencitë perëndimore ishin të angazhuara, jo vetëm me diasporën shqiptare por me të gjitha diasporat, sidomos në Shtetet e Bashkuara, nga vendet komuniste lindore, në përpjekje për të rrëzuar regjimet komuniste në Evropën Lindore, të instaluara dhe të kontrolluara nga komunizmi ndërkombëtar.  Duke lexuar shkrimin në fjalë, m’u kujtuan programet e Radio Tiranës, në atë kohë, kur fliste për “tradhëtinë” dhe për “kolaboracionizmin” e tradhëtarëve të kombit: Koliqit, Fishtës, klerit katolik e shumë intelektualëve të tjerë shqiptarë të larguar nga Atdheu, për të cilët Auron Tare “zbulon” të “fshehtat” në shkrimin e tij të ditëve të fundit.  Ky artikull i gjatë – i cili pasi është prej disa faqesh, nuk mund të konsiderohet ndoshta si fletërrufe tradicionale e kohës së komunizmit – por për nga mesazhi definitisht është si dikur, në frymën e “një goditje të shfaqjeve të huaja”, kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt – por, fatkeqësisht, ndodhë jo në kulmin e luftës së ftohtë, por në kohën e sotëme nën rrethana krejt ndryshe nga koha e komunizmit – në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s, e kësaj organizate “imperialiste” ushtarake e botës perëndimore që strehoi kundërshtarët e komunizmit, si Koliqat edhe Camajt e botës shqiptare, për t’i shpëtuar nga komunizmi, ndërkohë që pretendohet se Shqipëria është një demokraci me synime për antarësim në Bashkimin Evropian.  Intelektualët shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë, si Aron Tare me shokë, ose janë të konfuzuar moralisht dhe intelektualisht, ose janë të djallëzuar në pikëpamjet e tyre.

 

Botimi i shkrimeve të tilla – siç duket në vijim –pasi botuesi premton pjesën e dytë së shpejti, duket gati si një masë deshpëruese për të justifikuar të kaluarën enveriste dhe krimet e saja duke krahasuar xhelatin me viktimën, regjimin enverist vrarës e kriminal, me kundërshtarët politikë të atij regjimi që bredhnin rrugëve të botës, pa shpresë dhe pa përspektivë.   Më thoni zotërinjë të ndershëm, nëqoftse ju ka mbetur sadopak ndershmëri intelektuale, kush kishte të drejtë për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar: Enver Hoxha me regjimin dhe mbështetësit e tij apo intelektualët me prirje dhe edukatë perëndimore, siç ishin kundërshtarët e atij regjimi, Profesorët Ernest Koliqi dhe Marin Camaj?

 

Mua nuk më shqetëson aspak “studimi” i Auron Tares, sepse ky shkrim fletërrufe nuk mund të dëmtojë hiç asnjërin prej këtyre personaliteteve të letrave shqipe.  Po të mund të bëhej një gjë e tillë do e kishte bërë Enver Hoxha për 50-vjet, por as ai nuk ia doli dhe nuk do ia dalin as Auron Tare me shokë.  Veprat e Koliqit, Camajt e Fishtës janë të përjetëshme, madje sa më shumë baltë të mundoheni të hidhni kundër tyre aq më e fortë bëhet mbështetja për ta dhe për veprat e tyre.

 

Por gjëja që duhet të shqetësojë çdo shqiptarë anë e mbanë trojeve tona dhe në diasporë është ajo që vihet re si një përpjekje e hapur aktuale në Shqipëri — madje edhe në qarqet intelektuale, akademike dhe mediatike për të krahasuar xhelatin me viktimën – me qëllim për të justifikuar krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj kundërshtarëve të tij, me pretendimin se të gjithë kundërshtarët e atij regjimi ishin tradhëtarë, siç ishin anti-komunistët Koliqi e Camaj – kolaboracionistë me pushtuesit dhe si të tillë meritojnë që të fshihen nga historia dhe të denigrohen, ose të pakën kontributi i tyre të minimizohet.

 

Ernest Koliqin, ashtu siç e njoha megjithse për një kohë të shkurtër, nuk do të shqtesëohej për hiç për shkrimin e Tares.  Përkundrazi do kënaqej prej gazit duke qeshur me zë, i vetdijshëm për efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij patriotike në dobi të Kombit të vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e këtij kontributi nga bashkatdhetarët e vet.  Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit me 3 dhjetor, 1960, për të shënuar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, I shpreh këto ndjenja:“Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes, ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.

Unë, dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, 60-vjetë më parë, e kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer — gjatë dekadave të vështira që pasuan, jo vetëm në Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare pas Luftës II Botërore — si “tharm rilindjeje” që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik.  Në bashkpunim me aleatët më të mirë të Kombit shqiptar, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qëllimi i Koliqit dhe Camajt ishte, “me hy në valle me popuj të tjerë jo si evropianë të mbrapambetur e të denjë për muze, por si nji Komb që ndien thellësisht nevojën e naltësimit moral e shoqnuer dhe që ka në mendje e në zemër të vet mundësitë me u ngjitë në shkallë e me u vu në radhë qytetënore baras me shokë”, pa kërkuar asgjë për veten.  Ndryshe nga auron taret e botës shqiptare, ky është Ernest Koliqi që dua të kujtoj unë sot dhe gjithmonë, por edhe Martin Camajn, bashkpuntorin e tij të ngusht në zhvillimin shpirtëror të popullit shqiptar, gjatë atyre ditëve dhe viteve të gjata në mergim.

Nga ideatorët e shkëmbimit të territoreve, në Prishtinë e Tiranë – nuk pritet asgjë më pak se dorëheqja* – Nga Frank Shkreli

Para nja 10-ditësh botova artikullin me titull “Ambasadori amerikan që ka dhënë dorëheqjen për të shpëtuar Shqipërinë”, në kujtim të një miku të madh të shqiptarëve, ish-diplomatit, ish anëtarit të Kongresit dhe ish ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Greqi dhe në Mal të Zi, më shumë se një shekull më parë, njëkohsisht edhe mik i Presidentit Woodrow Wilson — Xhorxh Fred Uilliams.

Gjatë një vizite në Shqipëri në vitin 1914, Ambasadori Williams u bë dëshmitar i disa tmereve se çfarë po bënin të huajt përball Kombit shqiptar në atë kohë, një fat tragjik për të cilin ai, në rolin e ambasadorit amerikan, kishte njoftuar Washingtonin.  Ndoshta ishte periudha më tragjike për shqiptarët, sipas disa historianëve.  Si dëshmitar i situatës së mjeruar, ku fqinjtë e Shqipërisë, të përkrahur nga fuqitë e mëdha evropiane të saj kohe, donin veç të kafshonin pjesë të tokës shqiptare nga veriu në jug, nga lindja e deri në perëndim të territorit të Kombit shqiptar.  Si përfundim, në protestë për krimet që kishte parë gjatë një vizite në Shqipëri, ai ka dhënë dorëheqjen nga detyra e ambasadorit amerikan në Greqi dhe në Malin e Zi, me qëllim për të ngritur zërin ndaj asaj “çnjerëzie të vërtetë”, siç e ka quajtur ai gjëndjen tepër të rëndë, me të cilën përballej në atë kohë Kombi shqiptar, sepse ishte i bindur, moralisht dhe politikisht, se “kështu duhej të veproja”, i ka komunikuar ai Washingtonit pas dorëheqjes së tij për shkak të tmereve që po bëheshin kundër shqiptarëve, sidomos nga ana e Greqisë e cila kish shpërgulur dhjetëra mijëra shqiptarë me dhunë dhe kishte bërë masakra të tmershme kundër shqiptarëve — e për të cilat kishte qenë vet dëshmitar.  

Duket se historia po përsëritet, megjithëse në një nivel tjetër dhe me aktorë të tjerë, natyrisht.  Një-qind vjet më vonë, ende në Ballkan flitet për “shkëmbime territoresh”, “korigjim kufijsh” e ku ta di unë, midis Serbisë dhe Kosovës, gjithmonë në kurriz të interesave shqiptare, por kësaj radhe –jo nga të huajt, historikisht, mbështetës të interesave anti-shqiptare të fqinjëve, por nga të vetët, nga udhëheqësit e votuar nga votuesit shqiptarë.

Le të kujtojmë se para nja një viti ose më shumë, ideatorët e idesë së “shkëmbimit” ose “ndarjes” të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës – siç i quan ata John Bolton, ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë — donin t’ia “shisnin” botës idenë se nuk ishin ata baballarët e këtij projekti, por ishte Amerika që donte një gjë të tillë, në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.

Gjatë një konferencë shtypi në Ukrainë pothuaj një vit më parë, John Bolton ishte shprehur në lidhje me këtë temë duke thenë se, “Politika jonë, politika e Shteteve të Bashkuara është që nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, ne nuk e përjashtojmë rregullimin territorial.”  Kjo nuk është një deklaratë që mund të quhet “ideatore” e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Por, për të justifikuar planet e tyre absurde, ideatorët e vërtetë të kësaj ideje donin t’ia veshnin Boltonit dhe Shteteve të Bashkuara se shkëmbimi ose korigjimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, ishte një ide që, jo vetëm mbështetej por vinte nga Washingtoni.  Për një kohë, kjo gënjeshtër, në të vërtetë, edhe besohej nga disa.

Ky debat u ri-ndez ditët e fundit nga deklarata e ish-Këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, i cili u shpreh se ideatorët e vërtetë për “shkëmbimin e territoreve” ishin Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq.  “Nuk ka qenë ideja ime shkëmbimi i tokave, janë udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë që e kanë kërkuar”, një gjë të tillë.  Ndërkaq, John Bolton nuk e përmendi me emër Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama si njërin prej ideatorëve të shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, por kjo ide ka filluar moti, të pakën katër vjet më parë në takimin e parë në Nish midis Vuçiqit dhe Ramës, pa pjesëmarrjen e Kosovës, dhe ka vazhduar të diskutohet edhe në takimin në Nish midis këtyre dy udhëheqësve, dy vjet më parë, siç shkruan edhe aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Sonja Biserko.

Kryeministri Rama mund të mohojë se bënte pjesë në këtë projekt – megjithëse nuk jam i sigurt nëse mund të bindë njeri me mohimin e tij.  Nuk besoj se ai mund të mohojë se — në minimum — Kryeministri shqiptar i kishte dhenë bekimin e tij këtij projekti për shkëmbimin e territoreve shqiptare midis Kosovës dhe Serbisë.  Për më tepër, nuk është e qartë se çfarë roli ka luajtur në këto bisedime edhe këshilltari i Z. Rama, ish-Kryeministri britanik Tony Blair.

Pika e parë e 14 pikave të Woodrow Wilsonit kërkon që, “Pasi të jenë arritur marrveshjet publike për paqë, në mënyrë trasparente, nuk duhet të ketë asnjë marrëveshje private ose ndërkombëtare, por vetëm duhet të vazhdojë gjithmonë diplomacia e sinqertë dhe në syrin e publikut”.  Ideatorët e shekullit XXI për shkëmbim të territoreve shqiptare midis Serbisë dhe Kosovës, janë gjithashtu në kundërshtim edhe me pikën 11 të 14 pikave të Wilsonit për pavarësinë e kombeve, ku thuhet se, “…marrëveshjet midis vendeve të Ballkanit dhe me njëra tjetrën, duhet të vendosen në bazë të marrëdhënieve miqësore dhe në përputhje me kufijtë e caktuar historikisht, sipas kombësisë dhe identifikimit si dhe në bazë të garancive ndërkombëtare për pavarësi politiko-ekonomike dhe integritet territorial të disa shteteve ballkanike”.

Siç dihet, bisedimet midis aktorëve të lartë-përmendur, për shkëmbim territoresh midis Serbisë dhe Kosovës, nuk janë mbajtur as në publik, as nuk ishin transparente.  Në të vërtetë, ishin një shkelje flagrante e garancive ndërkombëtare për të drejtat “ekonomiko-politike dhe për sovranitetin territorial” të Republikës së Kosovës.  Prandaj, ato bisedime të fshehta anti-shqiptare përfunduan kështu si përfunduan – në dështim të plotë dhe në dem afatgjatë të Republikës së Kosovës në veçanti dhe të interesave kombëtare të shqiptarëve në përgjithësi, pasojat e të cilave është tepër heret të llogariten.

Kur e pa situatën tragjike që po pësonte Kombi shqiptar një shekull më parë, ambasadori amerikan George Fred Williams, i shtyrë nga ndjenjat morale dhe njerëzore, vendosë të jepte dorëheqjen nga posti i tij lartë diplomatik, vetëm e vetëm, për të ngritur zërin e tij dhe për të njoftuar Amerikën dhe botën për tmerret dhe për tragjeditë që fqinjtë po u shkaktonin shqiptarëve.  Por jo vetëm kaq.  Ai ka dhenë dorëheqjen duke e justifikuar ketë akt personal, si jo vetëm “një detyrë njerëzore”, por edhe “për t’i nxjerr maskën diplomacisë evropiane dhe të zbuloj faqen e saj me gjak të kësaj race heroike, shqiptarëve”.

Prej ideatorëve të vërtetë të shekullit XXI dhe mbështetësve të tyre në Prishtinë dhe Tiranë — për shkëmbim ose ndarje territoresh midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë — nuk pritet asgjë më pak se dorëheqja e tyre – si një akt patriotik dhe njerëzor.  Mjaft me “punët e liga” ndaj këtij Kombi, ta nxjerrim njëherë e mirë, “Shqipërinë dhe shqiptarët nga vuajtjet dhe të mbytur në gjak”, do të ngulte këmbë ambasadori i dikurshëm amerikan George Scott Williams, i cili me dorëheqjen e tij, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve, më shumë se një shekull më parë, na jep një mësim të vyer edhe sot se si duhet të mbrohen të drejtat dhe interesat kombëtare të shqiptarëve. “Kështu duhet të veproni”, do u porosiste ambasadori George Scott Williams, ëngjëlli mbrojtës i interesave të shqiptarëve nga grabitësit e huaj, në fillim të shekullit të kaluar. Sot, shqiptarët kanë nevojë për një ëngjëll mbrojtës, jo nga të huajt, por, fatkeqësisht, nga të vetët.

Frank Shkreli

                                

                                               Amb.George Fred Williams

*Titulli është i redaksisë. Titulli origjinal i shkrimit është “DORËHEQJA SI NJË AKT PATRIOTIK DHE NJERËZOR!”

( Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, 2020) T’I MUNDËSOHET DIASPORËS SHQIPTARE VOTIMI NGA VENDET E TYRE TË QENDRIMIT! – Nga Xheladin Zeneli

 

Zgjedhjet parlamentare të radhës në Mal të Zi janë caktuar që të mbahen me 30 Gusht 2020.
Nga perspektiva e shqiptarëve, s’ka dyshim se është në interesin e tyre që faktori politik shqiptar në këto zgjedhje të fitojë numrin sa më i madh të mandateve apo përfaqësuesve në Kuvendin e ardhshëm të Malit të Zi.
Në legjislacionin e tanishëm të Kuvendit të Malit të Zi, faktori politik shqiptar përfaqësohet vetëm me një deputet dhe kjo ka ndodhur në rend të parë si pasojë e paraqitjes së partive politike shqiptare me lista të veçanta apo kualicione të ndara në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2016 .

Nëqoftëse partitë politike shqiptare kanë për qëllim të fitojnë një numër më të madh të mandateve , pra një rezulltat më të suksesshëm se në zgjedhjet e kaluara, atëherë këtë do t’a arrijnë vetëm nëse realizohen dy komponentë:
1)Subjektet politike shqiptare të garojnë të bashkuar me një listë zgjedhore ; dhe
2)Pjesëtarëve të diasporës shqiptare t’ju mundësohet votimi nga vendet e tyre të qendrimit.

Mendoj se arsyet që partitë shqiptare në Mal të Zi duhet të dalin me një listë zgjedhore ,nuk kanë nevojë që të elaborohen pasi që është dyshmuar tani se vetëm një kualicion i përgjithëshëm, jo i pjesërishëm , mund të fitojë numrin maksimal të votave dhe me këtë edhe një përfaqësim më dinjitoz në Kuvendin e ardhshëm të Malit të Zi, aq më tepër kur sistemi dhe ligji zgjedhor nuk është në favorin e tyre.
Shembulli më i mirë i cili shërben si model suksesi i bashkimit të faktorit politik shqiptar janë zgjedhjet lokale që u mbajtën në Malësi me 3 Mars 2019, ku kualicioni i tre subjekteve politike shqiptare, Forumi Shqiptar “ Malësia na Bashkon” fitoi numrin më të madh të votave ( mandateve) çka i mundësoi atyre formimin e pushtetit në komunën e Tuzit.
Gjithashtu falë bashkimit në një listë zgjedhore u arrit një sukses i favorshëm i faktorit politik shqiptar në Luginën e Preshevës në zgjedhjet e fundit që u mbajtën në Serbi.

Kurse sa i përket komponentit të dytë , pra dhënia e mundësisë së pjesëtarëve të diasporës të votojnë nga distanca, është po aq i rëndësishëm sa edhe komponenti i parë . Sipas statistikave zyrtare 1/3 e shqiptarëve në Mal të Zi jetojnë në botën e jashtme, por dihet mirë se në realitet kjo shifër është më e madhe dhe afër gjysmës së popullsisë shqiptare në Mal të Zi sot jetojnë në mërgatë. Çka do të thotë se vota e tyre është diçka që nuk duhet të mohohet dhe anashklohet por mund të merret si faktor me ndikim në rezulltatin e zgjedhjeve qofshin ata lokale apo qendrore.Kur flitet për ndikimin e votës së diasporës në vendlindje, përsëri shembulli më i mirë n’a vjen nga zgjedhjet lokale në Komunën e Tuzit në Malësi, ku fitorja e listës shqiptare në zgjedhjet e vitit të kaluar, në mes tjerash u arrit edhe falë kontributit dhe rolit të diasporës, përkatësisht diasporës shqiptare të Malësisë në SHBA. Kotributi i kësaj diaspore, nuk ishte vetëm në formën e përkrahjes morale apo financiare por edhe në mynyrë të drejtëpërdrejtë ku një numër i konsiderueshëm i tyre udhëtuan në vendlindjen dhe votuan Forumin Shqiptar “Malësia na Bashkon”.

Mirpo kësaj radhe, për shkak të situatës të shkaktuar nga pandemia Covid-19 , me ç’rast janë kufizuar dhe vështirësuar udhëtimet ajrore si pjesë e ndërmarrjeve të masave për minimizimin e përhapjes së pandemisë dhe mbrojtjen e shëndetit publik, votuesit shqiptarë me të drejtë vote në diasporë nuk do të kenë mundësinë e udhëtimit në vendlindje për të votuar, por kjo e drejtë duhet t’ju mundësohet atyre që t’a ushtrojnë nga vendet e tyre të qendrimit.Eshtë interesant fakti se për herë të parë zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi caktohen në muajin Gusht. Në një gjendje normale kjo do t’i përshtatej pjesëmarrjes së diasporës në votime pasi që kjo datë do të përkonte me pushimet e tyre në vendlidje, por siç përmenda edhe më lart, në një kohë pandemie kjo është e pamundur.
Andaj e vetmja mënyrë që ata të votojnë në këto zgjedhje është nga vendet e tyre të qendrimit.
Votimi nga distanca e përfaqësuesve të diasporës është një praktikë që e realizojnë në mënyrë të rregullt dhe standarde disa vende të tjera të rajonit dhe të Europës duke përfshirë edhe shtetin më të ri të saj,Kosovën .

Vetë faktori politik shqiptar dhe përfaqësuesit e tij duhen të angazhohen sa më parë në këtë drejtim (pasi që kanë mbetur më pak se dy muaj nga zgjedhjet), duke kërkuar ndryshimin apo plotësimin e ligjit të tanishëm zgjedhor në Mal të Zi, me qëllim që ti mundësohet pjesëtarëve të diasporës votimi nga distanca, pra nga vendet e tyre të qendrimit.Kjo shkon në favor të subjekteve politike shqiptare, sepse do të ishin ata të cilët do të përfitonin nga vota e pjesëtarëve të diasporës.Në të vertetë është për tu habitur se përse një kerkesë e tillë nuk është bërë deri më tani !?.

Por lidhur me këto zgjedhje duhet të bëhet diçka shumë e qartë. Diaspora do të ishte e motivuar të votojë vetëm nëse subjektet e shumta politike shqiptare në Mal të Zi, do të garonin në zgjedhjet e 30 Gushtit vetëm me një listë të përbashkët (pra, me një kualicion të bashkuar) dhe jo me dy apo tre lista të ndryshme.

E kam thënë edhe më parë në shkrimet e mia të mëparshme se bashkimi apo bashkëpunimi i partive politike shqiptare duke përfshirë edhe formimin e kualicioneve zgjedhore nuk është më opcion por është e vetmja mënyrë e mbijetesës së tyre politike duke pasur parasysh defaktorizimon dhe rënien e fuqisë së tyre si pasojë e parcijalizimit dhe ndarjeve të shumta që ato kanë pësuar që nga koha e vendosjes së sistemit shumëpartiak në Mal të Zi.

Çdo iniciativë apo tendencë e subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi për formimin e koalicioneve parazgjedhore me karakter parcial dhe jo gjithëpërfshirës në zgjedhjet të 30 Gushtit, nuk do të arrijë rezulltatin e favorshëm .Do të jetë vetëm një listë e përbashkët shqiptare ajo e cila do t’ju sjell atyre suksesin maksimal zgjedhor.
Nëse arrihet një listë e tillë parazgjedhore e faktorit politik shqiptar, jam i bindur se do të kenë përkrahjen e parezervë të diasporës shqiptare, gjithënjë duke ia bërë të mundshme pjesëtarëve të saj që ata të ushtrojnë të drejtën e votimit nga vendet e tyre të qendrimit.

Xheladin Zeneli
Korrik 2020

Ku je, Pjetër Arbnori! Nga Elida Buçpapaj

Në foto Pjetër Arbnori dhe Elida Buçpapaj në redaksinë e gazetës Bota Sot në Zürich.

—–

U mbushën 14 vjet prej kur pushoi së rrahuri zemra e Pjetër Arbnorit.

Zemra e një martiri, e një njeriu që luftoi në çdo çast të jetës për lirinë dhe demokracinë e Shqipërisë.

Edhe përgjatë 28 viteve në burg, si i burgosur i ndërgjegjes!

Pjetër Arbnori, Mandela i Ballkanit, është shembëlltyra e krimeve të regjimit diktatorial!

Sepse hyri në burg 26 vjeç e doli prej burgut 54 vjeç!

Ku je, Pjetër Arbnori?

Thërras pa zë, me këtë apelativ që bën jehonë pasi sot më tepër se kurrë Pjetër Arbnori i duhej Shqipërisë!

Ku je, Pjetër Arbnori?

Me e çue  atë shqiptari që po zvarritet e nuk po çohet dot në këmbë!

Sepse nuk beson tek ata që e mashtruan!

Kemi patur fat të njihemi me Pjetër Arbnorin. Skënderi ka bashkëpunuar me Pjetrën kur ishte në krye të RTSH, unë si gazetare.

Pas 1997 kur u vendosëm në Zvicër dhe kontribuonim tek Bota Sot, Pjetër Arbnori ishte miku i gazetës që ngrinte në këmbë kombin!

Sa herë do të vinte në Zvicër, do ta intervistoja, gjerë e gjatë. Intervistat botoheshin me vijime dhe bëjnë një libër të veçantë.

Pjetër Arbnori ishte njeriu i urtë, pajtues, paqebërës; njeriu i sakrificave, i burgjeve, por edhe i grevës 21 ditore të 1997, kur shkoi afër vdekjes për hir të lirisë të fjalës; ishte njeriu që kishte përjetuar deri në kockë persekutimin e regjimit komunist, por që shihte përpara, pa bërë koncensione me të vërtetat; Pjetër Arbnori ishte shkrimtari, njeriu i letrave, me zemër të ndjeshme, që diktatura ia vrau rininë, por kurrë jo humorin shkodran dhe inteligjencien. Do të mbetet i paharruar si kryetari i Parlamentit të Shqipërisë prej 1992 deri 1997, që e ka drejtuar në mënyrë virtuoze, si një personalitet me vizion kombëtar.

Tridhjetë vitet e burgut nuk e bënë hakmarrës, përkundrazi e bënë që të jetë një nga themeluesit e parë të pluralizmit politik në Shqipëri.

Jo si shumica e klasës politike që vinte nga zyrat e diktaturës dhe e shihte demokracinë si shans për t’u pasuruar!

Ku je, Pjetër Arbnori ?

Politikani me integritet tek i cili besonin shqiptarët!

Për herë të fundit, jemi dëgjuar me telefon me Pjetrën, kur u përhap lajmi se e kishin emëruar Ambasador në Vatikan!

Ishte shumë pak për formatin e tij, por megjithatë Pjetër Arbnori e kishte pritur mirë këtë lajm.

Që në fakt nuk ishte i vërtetë.

Merreni me mend, në zgjedhjet e 2004, Pjetër Arbnori nuk ishte deputet i PD.

PD kishte përfshirë në listat, rrënimtarët e saj, por jo Pjetër Arbnorin.

Është veprimi i parë eksplicit i lidërshipit të PD për rrëshkitjen nga obligimet si parti e qendrës së djathtë!

PD e tradhtoi Pjetër Arbnorin, ndërsa Pjetër Arbnori ishte dhe mbetet simboli i pluralizmit politik shqiptar!

Ku je, Pjetër Arbnori!

Atje prej Parajse zgjoje ndërgjegjen shqiptare prej dal prej burgut të indiferencës, sepse nuk ka pasuri më të madhe se liria!