VOAL

Please Wait...

Andov: Bëmë gabime ndaj shqiptarëve, nuk duhej të ndodhte lufta më 2001

By | September 8, 2020

Komentet

Intervista – Ragmi Mustafi: Keqpërdorimi i ligjit në Serbi për përndjekjen politike të shqiptarëve

Nevena Bogdanoviq

Presionet politike dhe juridike të Qeverisë në Beograd ndaj shqiptarëve në Serbi janë duke u rritur çdo ditë e më shumë, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi.

Mustafi ka publikuar në Twitter se ka marrë ftesën për një seancë dëgjimore në Gjykatën për Kundërvajtje në Vrajë, e caktuar për datën 25 mars dhe se ai është akuzuar për shkelje të Ligjit për flamurin e Serbisë – më saktësisht, sipas nenit që ndalon shfaqjen e një flamuri të një shteti të huaj, në qoftë se krahas tij nuk qëndron edhe flamuri i Serbisë.

Duke sqaruar arsyen e ftesës nga gjykata për kundërvajtje, Mustafi thotë që më 28 nëntor të vitit 2020, ashtu sikurse edhe në vitin paraprak, në Ditën e Flamurit Shqiptar (festë shtetërore e pavarësisë së Shqipërisë), është shfaqur flamuri shqiptar në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc.

“Ne e kemi vendimin e Këshillit Kombëtar që flamuri i shqiptarëve në Serbi është ai që ne e shfaqim çdo vit, do të thotë, çdo 28 nëntor, në ndërtesën e Këshillit Kombëtar”, tha Mustafi.

Ai konsideron se nuk e ka shkelur Ligjin për flamurin dhe stemën e Serbisë, ndërkaq në pyetjen se pse mendon kështu, ai ka theksuar:

“Ne e kemi shfaqur flamurin kombëtar të shqiptarëve. E kemi vendimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar se ai është flamuri i shqiptarëve në Serbi. Gjithashtu, më duhet të theksoj që i njëjti flamur është edhe flamuri i Republikës së Shqipërisë. Por, gjithsesi, në rast se e shihni në kuptimin ligjor, ju keni hotele dhe se di, se sa kompani tjera që kanë të shfaqura më shumë flamuj, flamuj të botës që mund t’i shfaqin. Ajo që është e kontestueshme është përndjekja e motivuar politikisht përmes atij ligji, gjegjësisht, përmes atij neni të ligjit”, theksoi Mustafi.

Gjuha e urrejtjes kundër shqiptarëve, “e institucionalizuar”

Duke u bërë thirrje autoriteteve se çështja e shfaqjes së flamurit të shqiptarëve, bashkë me të drejtat tjera të pakicave, të “shqyrtohet seriozisht” në Serbi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, ka theksuar që Kushtetuta e Serbisë, në nenin 79, përcakton që pakicat kombëtare i caktojnë vetë simbolet e tyre dhe kanë të drejtë t’i shfaqin ato.

“Në këtë rast, nuk mundet as shteti e as cilido funksionarë tjetër, të përcaktojë simbolet e pakicës kombëtare shqiptare sepse kjo është e drejtë kushtetuese e jona”, theksoi Mustafi.

Sipas tij, kjo është hera e tretë që merr ftesë për të njëjtën kundërvajtje, ndërkohë që dy procedura të kundërvajtjes për shfaqjen e flamurit shqiptar në vitet e mëparshme, janë ende në vazhdim.

Ai gjithashtu vë në dukje ftesën nga Gjykata për Kundërvajtje e ka marrë vetëm ai, por jo edhe përfaqësuesit e tjerë politikë lokalë të shqiptarëve në Serbinë e Jugut, në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të cilët gjithashtu ngritën flamurin shqiptar më 28 nëntor të vitit të kaluar.

Ai më pas bëri një paralele lidhur me atë se pse ai beson që është duke u vënë në funksion “keqpërdorimi i ligjit në përndjekjen politike të shqiptarëve”. Thirrja për t’u paraqitur në Gjykatën lokale për Kundërvajtje vjen disa ditë pasi ai paraqiti një ankesë pranë Gjykatës së Apelit në Beograd.

Ankesën në Gjykatën e Apelit e ka paraqitur kundër vendimit të Gjykatës së Lartë në Beograd, e cila i ka hedhur poshtë si të pabazuara akuzat e Këshillit Kombëtar Shqiptar kundër ministrit të Policisë, Alleksandar Vullin, për gjuhë të urrejtjes dhe diskriminim, për shkak të përdorimit të fjalës “shiptar”.

Vullin, si bartës i funksioneve shtetërore, disa herë, zyrtarisht, e ka përdorur këtë term, pavarësisht që gjashtë vjet e gjysmë më parë, Komisionerja për Mbrojtjen e Barazisë së Serbisë, Brankica Jankoviq, vlerësoi që një trajtim i tillë ndaj anëtarëve të popullit shqiptar ishte ofendues, ndërkaq që vendimi i parë përfundimtar i gjykatës në të cilin fjala “shiptar” u karakterizua si gjuhë e urrejtjes, u miratua më 2018.

“Vendimi i Gjykatës së Lartë, me të cilin është legalizuar institucionalizimi i gjuhës së urrejtjes në Serbi, tregon se ju nuk mund të padisni një ministër në këtë vend, në këtë rast ministrin e Policisë dhe që si qytetar i lirë i këtij vendi të merrni një vendim ligjor”, theksoi Mustafi në intervistën për Radion Evropa e Lirë, duke paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, në rast se në gjykatën në Serbi nuk do të sanksionohet gjuha e urrejtjes e Vullinit.

Deklaratat e Vullinit, “qasje fashiste ndaj pakicave”

Radio Evropa e Lirë: Keni vlerësuar se vendimi i Gjykatës së Lartë për të hedhur poshtë akuzën e juaj “ka treguar motivet politike të sistemit gjyqësor të Serbisë”. Mbi çfarë baze thoni se sistemi gjyqësor i Serbisë është i politizuar?

Ragmi Mustafi: Kemi tri vendime të gjykatës (Gjykatës së Lartë në Beograd), sipas të cilave shprehja “shiptar” është e karakterit ofendues dhe se me këtë inkurajohet diskriminimi i pakicës kombëtare shqiptare.

Në ato procese, sektori joqeveritar paditi mediat e shkruara. Këshilli Kombëtar Shqiptar e ka paditur ministrin, i cili e përdorë këtë fjalë sepse nuk kemi kapacitete të mjaftueshme financiare për të paditur secilin deputetë dhe secilën media. Por, kur këtë e thotë një ministër, kjo nënkupton institucionalizim të gjuhës së urrejtjes.

Në këtë rast, Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë padinë si të pabazuar, vetëm për shkak se ne e kemi paditur ministrin dhe ky është një sinjal i qartë që gjykatat janë nën presion politik.

Radio Evropa e Lirë: Fjalën ofenduese për shqiptarët, siç e potencuat, e flasin edhe deputetë të caktuar të shumicës në pushtet në foltoren e kuvendit. Kjo ndodh edhe para përfaqësuesve të pakicës kombëtare shqiptare në kuvend. Si e vlerësoni qëndrimin e autoriteteve ndaj përfaqësuesve politikë të shqiptarëve, të cilët kanë fituar tri vende në zgjedhjet e fundit?

Ragmi Mustafi: Mendoj se deputetët tanë dhe posaçërisht, e veçoj Shaip Kamberin, i theksojnë mirë problemet e shqiptarëve në shtëpinë më të lartë të Republikës së Serbisë. Por, si sillet qeveria ndaj tyre? Është sjellja e njëjtë sikurse ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës – injorim i përditshëm dhe i tërësishëm i problemit. Nuk është kjo mënyra që të zgjidhen problemet e këtushme.

Nuk është mënyra e duhur që t’i thuhet dikujt ‘e dini çfarë, ju jeni në Republikën e Serbisë dhe në rast se nuk doni të jetoni këtu, shkoni diku tjetër’. Me këtë nuk tregoni vullnet e për më shumë nuk tregoni mirëkuptim për çështjet e pakicave. Sipas mendimit tim, me disa deklarata të ministrit Vullin dhe të tjerëve, vetëm sa tregohet një lloj qasjeje fashiste ndaj pakicave.

Vetë ministri Vullin ka thënë “kush guxon t’u kërcënohet gjykatave në Serbi me Strasburgun?”. E kush guxon kështu që të sillet ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës? Fakti që dikush është ministër ose qeveri, kjo nuk nënkupton se ata guxojnë krejt dhe gjithçka edhe nëse kanë ndikim në gjykata, në polici dhe gjithkund në institucionet e pavarura, si dhe që në atë mënyrë t’i injorojnë plotësisht shqiptarët në Luginën e Preshevës.

“Injorimi i tërësishëm” i problemit të shqiptarëve në Serbi

Radio Evropa e Lirë: Në rrjetet sociale u keni bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim të Evropës (OSBE), që “të mos e kthejnë kokën prej qëndrimit autoritar dhe diskriminues të autoriteteve në Beograd ndaj pakicave”. A keni biseduar tashmë me përfaqësuesit ndërkombëtarë?

Ragmi Mustafi: Në çdo takim me përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Serbisë, ne i paraqesim pikëpamjet tona për zgjidhjen e problemeve jetësore të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe në Serbi.

Ne mendojmë se një nga problemet më të mëdha është pasivizimi masiv dhe selektiv i vendbanimeve. Ka më shumë se 4 mijë shqiptarë, të cilëve u është pasivizuar vendbanimi në Medvegjë, ndërkaq në numër më të vogël edhe në Preshevë dhe Bujanoc. Me këtë pezullohen të drejtat qytetare të shqiptarëve që janë shtetas të Republikës së Serbisë.

Në mënyrë të njëjtë, ne i paraqesim qëndrimet tona, para qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare, lidhur me disa marrëveshje të nënshkruara –nga ajo për çmilitarizim e vitit 2001, të cilën ne e quajmë “Marrëveshja e Konçulit”, në të cilën qeveria federale atëherë mori përsipër të realizojë të drejtat individuale dhe kolektive të shqiptarëve, përmes një procesi demokratik, e të cilat janë të garantuara nga Kushtetuta e Serbisë.

Por, kjo nuk ka ndodhur. Dy nga katër qëllimet e asaj marrëveshjeje janë: përmirësimi i shpejt ekonomik, si dhe integrimi i shqiptarëve në institucionet publike dhe shtetërore. Ato nuk kanë ndodhur kurrë.

Më pas, kemi marrëveshjen e vitit 2007, gjegjësisht marrëveshjen për riorganizimin e Trupit koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike.

Kemi edhe marrëveshjen e tretë, të vitit 2013, “planin me shtatë pika”, i cili u miratua nga ana e Qeverisë së Serbisë, që përmes dialogut me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve, të realizohen të drejtat e pakicave.

Që nga viti 2001 e këndej, është e dukshme që bashkësia ndërkombëtare dhe Qeveria e Serbisë nuk janë marrë seriozisht me problemet e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ne kemi numër të tmerrshëm të të papunësuarve. Kemi numër të madh të njerëzve që kanë diplomuar në Kosovë, ndërkaq që ato diploma nuk janë pranuar edhe pse pranimi i tyre ishte paraparë me marrëveshjet. Gjithashtu, nuk ka integrim të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Vetëm në Spitalin e Vrajës, spitalin rajonal për rajonin e Pçinjës, në të cilin komunat e Preshevës dhe Bujanocit e përbëjnë 30 për qind të popullatës, nuk është i punësuar asnjë shqiptar.

Keni institucionet tjera, kadastrën dhe të ngjashme, që funksionojnë në nivelin e qeverisjes lokale, ku nuk ka të punësuar asnjë shqiptar. Kjo vetëm sa tregon se si qeveritë e Serbisë i kanë injoruar tërësisht problemet e shqiptarëve.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë përgjigje merrni kur me qëndrimet e juaja i ballafaqoni përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë?

Ragmi Mustafi: Shikoni, në Serbi ekzistojnë 23 këshilla të pakicave kombëtare. Vetëm dy- tri prej tyre kanë probleme më të mëdha. Tash, kur ata (qeveria) mbase e krijojnë ndonjë të dhënë statistikore, nga 23 këshillat nacional, tre prej tyre nuk janë të kënaqur me standardet dhe me ato që u përcaktohet atyre. Por, pastaj kjo (qëndrimi i qeverisë) nuk ka asnjë lidhje me të drejtat e njeriut dhe të pakicave.

Dikur thuhej që një dialog do të fillohej me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve, por ai dialog nuk u iniciua, asgjë nuk u zgjidh.

Përmendet se shqiptarët nga Lugina e Preshevës janë peng i dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Derisa të mos zgjidhet kjo, statusi juridik i shqiptarëve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja nuk do të zgjidhet.

Lugina e Preshevës –“Urë për marrëdhënie të mira” ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës

Radio Evropa e Lirë: Keni kërkuar disa herë që çështja e pozitës së shqiptarëve në Serbi të përfshihet në dialogun e Brukselit (dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nën ombrellën e Bashkimit Evropian). Çfarë përgjigje keni marrë?

Ragmi Mustafi: Në qoftë se kanë kaluar 20 vjet dhe nuk janë zgjidhur shumë çështje serioze, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe të pakicës shqiptare (në Serbi), atëherë ne zgjidhjen e shohim në dialogun e Beogradit dhe Prishtinës. Ai dialog, në fund do të duhej të kishte një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Me atë marrëveshje gjithëpërfshirëse do të duhej të normalizoheshin marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por nuk mund të normalizohen pa Luginën e Preshevës, në mes. Do të thotë që Lugina e Preshevës është urë e marrëdhënieve të mira ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Në kërkesat tona, ne kemi marrë përgjigje nga Prishtina, se ata do të iniciojnë këtë çështje në dialog, por kjo mbetet të shihet.

Bashkësia ndërkombëtare dhe zyrtarët e Serbisë nuk janë prononcuar për këtë çështje sepse tek ata mbretëron, të them, një mendim se me këtë hapen shumë çështje. Por, kjo nuk është kështu.

Në rast se mund të hapet çështja e pakicës serbe në Kosovë, atëherë do të duhej të hapet edhe çështja e pakicës shqiptare në Serbi. Nuk do të duhej që në këtë pjesë të Ballkanit të kemi standarde të dyfishta – që njëra pakicë të trajtohet ndryshe nga një tjetër. Standardet e përbashkëta për pakicat i kontribuojnë paqes. Mendoj që paqja mund të arrihet me dialog serioz dhe me hapjen e çështjeve që kanë të bëjnë me pakicat kombëtare.

Investimet nga Serbia dhe nga Kosova, janë të mirëseardhura

Radio Evropa e Lirë: Ju keni kontakte të rregullta me autoritetet në Prishtinë, ndërkaq që Qeveria e Kosovës, në shtator të vitit të kaluar, ka paralajmëruar themelimin e Zyrës për ndihmë për qytetarët e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. A prisni që ai vendim të realizohet tash, pas zgjedhjeve parlamentare dhe pas formimit të qeverisë së re, si dhe a ka pasur reagime të autoriteteve në Beograd?

Ragmi Mustafi: Kjo është një zyrë pranë kryeministrit të Qeverisë së Kosovës. Ky ka qenë vendim i qeverisë, i cili është marrë në mbledhjen ku kanë qenë të pranishëm të gjithë ministrat dhe kanë votuar për të. Do të duhej të realizohej tash, kur të vijë kryeministri i ri sepse vendimet e qeverisë paraprake nuk mund të anulohen.

Mendoj se kemi bërë një hap të madh përpara me një vendim të tillë, vetëm që tash mbetet që zyra të formohet. Tash për tash (në Kosovë) nuk kanë ndonjë program për të hapur zyra të tjera në Luginën e Preshevës, por vetëm në Prishtinë.

Ne kemi biseduar lidhur me atë se e kemi një institucion në Kosovë, që merret me njerëzit nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Mendoj që është gjë e mirë, sepse me këtë u ndihmojmë edhe atyre që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, njëjtë sikurse edhe bashkëqytetarëve tanë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja që jetojnë në Kosovë, por të cilët kanë mbetur pa dokumente.

Një numër mjaft i madh i atyre që nuk janë kthyer pas viteve të 90-ta, pas luftës së vitit 2001 në Luginën e Preshevës, e të cilët kanë mbetur në Kosovë dhe nuk janë regjistruar, tashmë ligjërisht janë qytetarë të padukshëm atje.

Në të njëjtën mënyrë, ajo zyre do të duhej të ndihmonte komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, ashtu sikurse kohë më parë, Qeveria e Kosovës ndihmoi gjatë kohës së pandemisë me 500 mijë euro – 200 mijë euro ka marrë Presheva, 200 mijë Bujanoci dhe 100 mijë Medvegja.

Mendoj që investimet kapitale, të cilat do t’i ndihmonin bashkëqytetarëve tanë në këto tri komuna, janë të mirëseardhura. Në këtë kuptim, ne presim që ngjashëm të ndihmojë edhe Qeveria e Serbisë.

Pandemia nxori në pah nevojën për një spital të qarkut (rajonal)

Radio Evropa e Lirë: Ju e përmendët donacionin nga Qeveria e Kosovës gjatë pandemisë së koronavirusit. Por, si e vlerësoni raportin e Qeverisë së Serbisë ndaj Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, gjatë pandemisë?

Ragmi Mustafi: Gjatë pandemisë së koronavirusit është parë domosdoja që popullata shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të ketë spitalin e saj. Unë e kam iniciuar një nismë të tillë, ndonëse kjo nuk është pritur mirë në Serbi, për shkak se ekziston ligji për spitalet ose nuk di se çka. Por, një kërkesë e tillë gjendet në “planin prej shtatë pikave” me Qeverinë e Serbisë.

Gjegjësisht, pika e shtatë thotë – organizimi i sistemit të kujdesit shëndetësor dytësor për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Gjatë pandemisë u tregua që shqiptarët, në njëfarë mënyre ishin mjaft të frikësuar se nuk do të marrin kujdesin e duhur shëndetësor në spitalet në Vrajë dhe në Nish. Ndjenja e frikës është nxitur pas një periudhe të gjatë të diskriminimit të shqiptarëve.

Për sa i përket vaksinimit, mendoj se po zhvillohet siç duhet. Unë vetë e kam marrë vaksinën, për të treguar vullnetin dhe për t’i ftuar qytetarët që të marrin vaksinën sepse të gjithë ekspertët thonë që vetëm përmes vaksinimit mund të mundet koronavirusi.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Sasho Mijallkov dënohet me 12 vjet burgim

Sasho Mijallkov më 26 shkurt.

Isuf Kadriu

Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar me 12 vjet burgim, Sasho Mijallkovin, ish-shefin e policisë sekrete të Maqedonisë së Veriut.

Ai, së bashku me disa ish-bashkëpunëtorë të tij, është shpallur fajtor për veprën penale “Bashkim kriminal”, “Përgjime të paligjshme” dhe “Shkatërrim të pajisjeve për përgjim”.

Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, dy drejtues të lartë në Drejtorinë e Sigurimit dhe Kundërzbulimit janë dënuar me nga 15 vjet burgim.

Ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska u dënua me 4 vjet burgim, ndërsa Vlladimir Vallerov, Silvana Zllatkova dhe Vasil Isakovski, të gjithë punonjës në shërbimin sekret janë dënuar me nga 2 vjet burgim.

“Të akuzuarit shpallen fajtorë për përgjim masiv të paligjshëm, me një qëllim të vetëm dhe motiv për të vendosur kontroll të plotë politik, ekonomik dhe kontroll të përgjithshëm në jetën e përditshme duke shkelur në drejtat elementare të njeriut. Viktimat, përkatësisht të dëmtuarit janë politikanë, gazetari, personalitete nga jeta politike ekonomike e biznesi që kanë ndikim në shoqëri. Ata kishin për qëllim të kishin kontroll mbi të gjithë, jo vetëm mbi kundërshtarët politikë, por mbi të gjitha ata që kanë ndikim, përfshirë edhe bashkëpunëtorët e tyre. Të gjithë përgjonin dhe madje nuk e dinin nëse edhe vetë përgjohen”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Penale në Shkup.

“Përgjimet janë kryer përmes pajisjeve dhe sistemit që ekzistonte në Ministrinë e Punëve të Breshme për ndjekjen e komunikimeve, sisteme që duhet të shërbimin për sigurinë dhe të drejtat të qytetarëve dhe të shtetit në përgjithësi… Këto pajisje ishte shkatërruar menjëherë pas informacioneve se bisedat e përgjuara tashmë ishin të kapshme për opinionin e gjerë me nisjen e publikimit të tyre duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej më shumë se një milion euro”, thuhet më tej në vendim.

Në bazë të akuzës për rastin e koduar si “Target-Fortesa”, Sasho Mijallkov, i cili ka qenë në krye të Drejtorisë për Siguri Kombëtare, ka përgjuar në mënyrë të paligjshme mbi 4.000 numra të telefonit, apo rreth 20.000 persona, pa pasur vendim gjyqësor për përgjime të tilla.

Ish-drejtori i policisë sekrete maqedonase, Sasho Mijallkov, të martën ishte dorëzuar në Prokurorinë e Shkupit, për të marrë vendimin e arrestit shtëpiak, pas dy ditë kërkimesh intensive nga policia, e cila shpalli edhe fletarrestim ndërkombëtar.

Edhe pse Mijallkov tha se është dorëzuar vetë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se kjo është bërë e mundur falë angazhimit të policisë dhe personalisht vetë atij.

Opozita kërkoi interpelancë për ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski.

Afera e përgjimeve ishte zbuluar në vitin 2015 nga Zoran Zaev, i cili atë kohë ishte në opozitë.

Shkup, dorëzohet ish-shefi i Shërbimit Sekret Sasho Mijallkov

Isak Ramadani

Ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim Sasho Mijallkov në Maqedoninë e Veriut u dorëzua të martën pas një arratie dy ditore. Ai kërkohej nga organet e rendit që prej ditës së dielë kur duhej t’i dorëzohej vendimi i gjykatës për arrest shtëpiak. Zoti Mijallkov është një prej 12 të akuzuarve në rastin gjyqësor të koduar ‘Target-Kështjella’ që ka të bëjë me përgjimin në masë të rreth 20 mijë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, një skandal i cili u publikua në fillim të 2015 nga Zoran Zaev, atëherë drejtues i opozitës.

Në seancën e fundit gjyqësore Prokuroria kërkoi dënim maksimal për zotin Mijallkov, por nuk kërkoi masën e paraburgimit apo të arrestit shtëpiak para shpalljes së vendimit gjyqësor që pritet të bëhet të premten.

Ish-shefi i shërbimit sekret u paraqit të martën në mbërmje në Prokurorinë për Krimin e Organizuar në Shkup “për të marrë vendimin”, siç i tha ai televizionit maqedonas 24 Vesti para ndërtesës së prokurorisë. Ai tha se nuk ishte arratisur, por se “kishte qenë në izolim për shkak të temperaturës së lartë prej 40 gradësh dhe frikës se mund të ishte prekur nga koronavirusi”. Ai tha se i kërkon falje qeverisë, organeve të drejtësisë, të rendit e Prokurorisë për gjendjen e krijuar, duke përsëritur se “nuk do të arratisej asnjëherë”.

Por Kryeministri Zoran Zaev tha në një konferencë shtypi menjëherë pas paraqitjes së z. Mijallkov, se ai ishte dorëzuar pas trysnisë që ndërmorën organet kompetente për gjetjen e tij. Zoti Zaev kishte drejtuar vetë operacionin 40 orësh për kapjen e ish-kryeagjentit të vendit.

Ai u dorëzua pasi kuptoi se do të ketë pasoja ndaj pronës së tij, xhiro-llogarive bankare dhe biznesit. Janë tregime për fëmijë fjalët e tij se ka qenë në izolim për shkak të sëmundjes”, tha kryeministri maqedonas.

Edhe një pjesë e medias në Shkup duke u mbështetur në burime të afërta me zotin Mijallkov shkruajnë se ai ishte detyruar të dorëzohej pas njoftimeve se anëtarë të familjes së tij mund të akuzoheshin për dhënien e ndihmës rreth arratisjes e po ashtu edhe truprojat e tij, si dhe se do të kishte konfiskime të pronës së tundshme dhe bllokime të pronës së patundshme.

Ndërkohë, kanë vazhduar akuzat në realicionin polici – prokurori lidhur me përgjegjësinë mbi arratisjen. Prokuroria bëri të ditur qysh të hënën se kishte njoftime për mundësinë e arratisjes së ish-kreut të Sigurimit dhe kërkoi masën e vendosjes së tij në arrst shtëpiak. Ndërkaq, Ministri i brendshëm Oliver Spasovski u tha gazetarëve se nuk do të jepte dorëheqjen, por do të kërkonte përgjegjësi tek instanca të tjera.

Emri i zotit Sasho Mijallkov ngjallte shumë frikë ndërsa ai ishte në krye të shërbimit sekret nga 2006 – 2015. Asnjë media në atë kohë nuk merrej me emrin e tij edhe pse kishte njoftime për shkelje të ligjit, përkatësisht raste të dyshuara si të montuara gjyqësore ku mund të ishin përfshirë agjentë sekretë. Zoti Mijallkov para se ta merrte në drejtim Shërbimin e Kundërzbulimit njihej për pronat që posedonte në Çeki. Ai ka lidhje të ngushta familjare me ish-Kryeministrin Nikolla Gruevski, po ashtu i arratisur në Hungari.

Maqedoni e Veriut: Arratiset ish-drejtori i Shërbimit Sekret Sasho Mijallkov

Isak Ramadani

Ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, ose shërbimit sekret maqedonas, Sasho Mijallkov u arratis menjëherë pasi një gjykatë në Shkup kërkoi masën e arrestit shtëpiak para shpalljes së vendimit gjyqësor lidhur me një rast ku ai ishte njëri prej të akuzuarve.

Policia maqedonase nuk ka mundur ta gjejë atë në hotelin luksoz “Marriot” në qendër të Shkupit, që është në pronësi të tij, e as në shtëpinë e tij. Autoritetet e rendit kanë nisur kërkimin e tij brenda vendit, por nëse kjo nuk rezulton me sukses për një kohë të shkurtër, atëherë do të shpallin edhe fletëarrestin ndërkombëtar.

Sipas medias në Shkup zoti Mijallkov, është parë të dielën në kafenenë e hotelit të tij ‘Marriot’, i shoqëruar me ish-kryetarin e Komunës së Aerodromit të Shkupit.

Rasti ‘Target-Kështjella’, për të cilin akuzohet zoti Mijallkov së bashku me njëmbëdhjetë persona të tjerë, kryesisht ish-zyrtarë të policisë, ka të bëjë me përgjimin në masë të rreth 20 mijë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, një skandal i cili u publikua në fillim të 2015-ës nga Zoran Zaev, atëherë drejtues i opozitës. Prokuroria në seancën e fundit gjyqësore kërkoi dënim maksimal për zotin Mijallkov, por nuk kërkoi masën e paraburgimit apo të arrestit shtëpiak para shpalljes së vendimit gjyqësor që pritet të bëhet të premten.

Kryeministri Zaev tha të hënën se ishte i dëshpëruar nga arratisja. “Do të kërkojmë përgjegjësi pasi t’i kemi të gjitha hollësitë rreth rastit”, u shpreh ai për median, duke i hedhur poshtë dyshimet në publik për ndonjë marrëveshje politike lidhur me arratisjen. Ndërkaq, drejtuesi i VMRO-DPMNE-së opozitare maqedonase, Hristijan Mickovski ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë. “Kemi thënë se mafia ka shtetin e vetë në Maqedoni”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

Emri i zotit Sasho Mijallkov ngjallte shumë frikë ndërsa ai ishte në krye të shërbimit sekret nga 2006 – 2015. Asnjë media në atë kohë nuk merrej me emrin e tij edhe pse kishte njoftime për shkelje të ligjit, përkatësisht raste të dyshuara si të montuara gjyqësore ku mund të ishin përfshirë agjentë sekretë. Zoti Mijallkov para se ta merrte në drejtim Shërbimin e Kundërzbulimit njihej për pronat që posedonte në Çeki. Ai ka lidhje të ngushta familjare me ish-Kryeministrin Nikolla Gruevski, po ashtu i arratisur në Hungari.

Opozita maqedonase mbledh nënshkrime kundër regjistrimit të popullsisë

Kryetari i partisë VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski, duke nënshkruar peticionin kundër regjistrimit të popullsisë.

Isuf Kadriu

Partia VMRO-DPMNE ka nisur të shtunën mbledhjen e nënshkrimeve për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, të paraparë për muajin prill.

Opozita maqedonase pretendon se partitë në pushtet kanë kurdisur rezultatet e regjistrimit sa i përket përqindjes së shqiptarëve në shtet dhe se me një veprim të tillë, sipas saj, nuk do të ketë operacion statistikor, por politik.

“Regjistrimi është një operacion statistikor, dhe si i tillë duhet të bazohet në një metodologji dhe proces që do të tregojë rezultate reale, dhe jo false, të bazuar në marrëveshje koalicioni. Pas përgjigjes masive të qytetarëve kundër regjistrimit,(kryeministri Zoran) Zaev duhet menjëherë të tërhiqet nga ideja e regjistrimit në prill”, thuhet në një komunikatë të VMRO-së, e cila pretendon se vetëm të shtunën janë grumbulluar mbi 25,000 nënshkrime të qytetarëve.

Kryetari i kësaj partie Hristijan Mickoski ka akuzuar qeverinë për “rrënimin e shtetit dhe varfërimin e qytetarëve”.

“Imagjinoni për katër vjet ne u zhytëm në këtë kënetë dhe baltë politike. Nuk bënë asnjë projekt nga fillimi deri në fund. Imagjinoni si do të duket ky regjistrim i bërë për 20 ditë, sipas një recete të shkruar nga Zoran Zaev dhe LSDM? Unë ju them, ky është një turp i madh”, ka deklaruar Mickoski.

Sipas ligjeve në fuqi, opozita duhet të mbledhë mbi 30,000 nënshkrime për të rikthyer debatin për Ligjin e regjistrimit të popullsisë, por kjo nuk nënkupton me automatizëm dhe shtyrjen e procesit, pasi shumica parlamentare sërish mund të votojë të njëjtin ligj, që i jep formën e prerë regjistrimit të popullsisë.

Lidhja Social-Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev, ka thënë se asnjë nismë e opozitës nuk do të mund të shtyjë regjistrimin ndërsa sipas saj, “VMRO me këtë hap synon të fshehë pakënaqësitë brenda saj”.

“VMRO-DPMNE me Hristijan Mickoskin janë parti anti-njerëzore, që punojnë kundër qytetarëve dhe kundër shtetit. Prandaj, është e qartë se nisma e Mickoskit është vetëm për përdorim brenda partiak dhe interesa personale. Përpjekjet e VMRO-DPMNE-së, për të bllokuar këtë proces të rëndësishëm për qytetarët dhe për të ardhmen e vendit, nuk do të kenë sukses”, thuhet në reagimin me shkrim të LSDM-së.

Maqedonia e Veriut regjistrimin e fundit e ka mbajtur në vitin 2002.

Në vitin 2012 kishte një përpjekje për regjistrimin e popullsisë, por ai ishte ndërprerë disa ditë pasi kishte nisur për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me regjistrimin e diasporës shqiptare.

Sipas regjistrimit të fundit, Maqedonia e Veriut ka rreth 2 milionë banorë, prej tyre, 25.17 për qind janë shqiptarë.

Në Shkup u mbajtën protesta për rastin “Monstra”

Shkup

Në Shkup u organizua sot protestë nga familjet e të akuzuarve në rastin “Monstra”, për shkak të pakënaqësisë me punën e Prokurorisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit, që numëronin më shumë se 1.000 persona, së pari u mblodhën në një park në komunën e Çairit, të cilët më pas marshuan nëpër rrugët e Shkupit, ndërsa ndalesa e tyre e fundit ishte Ura e Hekurt në Shkup, që ndodhet pranë Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Gjatë marshimit, protestuesit brohorisnin parulla të ndryshme, përfshirë parulla kundër prokurores Fatime Fetai, si dhe mbanin parulla “Pa drejtësi, nuk ka qetësi”, “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrimi” dhe “Drejtësi dhe Liri”.

Përderisa njëri nga organizatorët përgatitej të jepte deklaratë për mediat, një numër i vogël i protestuesve hodhën gjësende dhe një mjet shpërthyes të zëshëm drejt policisë. Me ndërhyrjen e organizatorëve, këta protestues u larguan për të mos përshkallëzuar situatën, duke thënë se ata ishin mbledhur që të shprehin në mënyrë të qetë dhe dinjitoze pakënaqësinë e tyre lidhur me gjykimin në rastin “Monsta”.

Në emër të organizatorëve, Bedri Ajdari dha një deklaratë për media, ku theksoi nënvizoi kërkesën e tyre si organizatorë të kësaj proteste.

Ajdari tha se të gjitha provat tregojnë se kjo çështje është një rast i montuar politikisht dhe se ata si familje nuk i edukuan fëmijët e tyre për të kryer vrasje dhe akte terroriste, por përkundrazi, tha ai, ata gjithmonë do të dënojnë akte të tilla çnjerëzore dhe gjithmonë do të mbështesin të pafajshmit.

Duke kujtuar deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev, i cili para se të merrte detyrën tha se këta njerëz janë të pafajshëm, Ajdari kërkoi nga Zaev që të sqarojë se në çfarë baze e bëri këtë deklaratë.

Ajdari theksoi se ata duan që ligjet aktuale në vend të zbatohen, duke shtuar se sistemi ligjor në vend është i korruptuar.

Sipas tij, të gjithë protestuesit u mblodhën sepse besojnë se vetëm drejtësia është e nevojshme për të gjitha rastet e montuara politikisht.

“Ne kërkojmë shkarkimin e prokurores Fatime Fetai e cila zbatoi urdhrin e partive politike dhe dorës së zezë nën hije në institucionet kompetente në Maqedoninë e Veriut. Ne i kërkojmë Këshillit Gjyqësor në këtë çështje të mos marrë parasysh kërkesën e prokurorisë, e cila është e paligjshme”, tha Ajdari.

Duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, ai tha se dhimbja e tyre nuk do të ndalet derisa vrasësit e vërtetë të dalin para drejtësisë, duke shtuar se vrasësit e vërtetë mbrohen nga vetë sistemi shtetëror dhe lëvizin lirshëm.

“Ne kërkojmë ndihmë nga përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Maqedoninë e Veriut, nga Bashkimi Evropian (BE) dhe nga SHBA, për të ndihmuar këtë çështje dhe çështjet e tjera të montuara politikisht të trajtohen nga një aspekt i pavarur, dhe jo si Prokuroria aktuale nga aspekt i interesave politikë të palëve të ndryshme”, shtoi Ajdari.

Protestuesit kërkuan shkarkimin e prokurores Fatime Fetai e cila më 21 janar të këtij viti në fjalën e saj përfundimtare në rastin “Monstra” kërkoi dënime maksimale.

Ndryshe, prokurorja Fatime Fetai në fjalën e saj përfundimtare, të shkruar në 70 faqe, tha se dy të arratisurit, Alil Demiri dhe Afrim Ismailovic, kryen vrasjet. Haki Aziri akuzohet se i ka ndihmuar, por pa e ditur që ata kanë kryer vrasje. Sa i përket Fejzi Azirit, prokurori e akuzon atë për ndihmën e Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviçit për të ikur. Për të pandehurin Sami Luta, prokurorja Fetai tha se aktakuza u hodh për shkak të mungesës së provave.

Rasti “Monstra”

Gjyqi për rastin “Monstra” filloi më 20 dhjetor 2012. Në këtë rast bëhet fjalë për vrasjen e pesfishtë të kryer më 12 prill 2012 afër Liqenit të Smilkovës në periferi të Shkupit.

Në qershor të vitit 2014, 6 të akuzuar në këtë rast u dënuan me burgim të përjetshëm. Një person u shpall i pafajshëm.

Më 24 nëntor 2017, Gjykata e Lartë vendosi që rasti “Monstra” duhet të rihapet dhe të akuzuar të mbrohen në liri, me përcaktimin e masave paraprake.

Më 3 shkurt, pala mbrojtëse do të ketë fjalën përfundimtare, ndërsa Gjykata duhet të caktojë një datë tjetër për vendimin për rastin “Monstra”.

Familjet e të akuzuarve kanë shprehur vazhdimisht pakënaqësi me procesin gjyqësor, duke deklaruar se “është një proces i montuar dhe se të akuzuarit janë të pafajshëm”.

VMRO-ja paralajmëron se mund të mos e njohë regjistrimin e popullsisë

Isuf Kadriu

Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE ka paralajmëruar të shtunën se mund të mos e njoh rezultatin e regjistrimit të popullsisë, që është paraparë të mbahet në prill të këtij viti.

“Tri pika, përkatësisht tri kushte, janë të paqarta për ne. Së pari, pse të mos publikohet metodologjia e regjistrimit që supozohej të ishte një pjesë e integruar e Ligjit të regjistrimit, për të parë të gjithë? E dyta, pse LSDM-ja është kundër që regjistrimi apo evidentimi i qytetarëve të bëhen me shenjat e gishtave, ngjashëm sikur që përdoren edhe për dokumentet personale dhe e treta, pse LSDM po përpiqet të bëjë një regjistrim në të cilin njerëzit nuk do të kenë besim, qytetarët nuk do të kenë besim dhe institucionet nuk do të kenë besim. Qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE do të kryejë një regjistrim të besueshëm sipas të gjitha standardeve të Eurostat-it”, tha Stefan Andonovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Dyshimet e opozitës maqedonase kanë të bëjnë në veçanti me numrin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ajo në vazhdimësi ka ngritur dilemën se shqiptarët janë në numër më pak 25.17 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë 2 milionëshe, bazuar në regjistrimin e zhvilluar në vitin 2002.

Paralajmërimi i VMRO-DPMNE-së për mosnjohjen e regjistrimit ka bërë që Lidhja Socialdemokrate (LSDM) në pushtet e akuzoi partinë më të madhe të opozitës për “sjellje anti-shtetërore, të papërgjegjshme dhe shkatërruese, në kundërshtim me interesat kombëtare”.

“VMRO-DPMNE nuk dëshiron të kuptojë se regjistrimi është një operacion statistikor, jo politik, një proces i rëndësishëm për të pasur të dhëna të plota që janë të rëndësishme për krijimin e politikave dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekuilibruar të të gjitha sferave në vend. Regjistrimi do të kryhet në përputhje me të gjitha standardet dhe rregulloret e Eurostat-it, në përputhje me praktikat ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Vërejtje lidhur me regjistrimin paraprakisht kanë paraqitur edhe partitë opozitare shqiptare duke kërkuar garanci se ky proces nuk do të keqpërdoret në dëm të interesave të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Në Kushtetutë, shqiptarët definohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullatës dhe mbi bazë të kësaj janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, përfaqësimit, të drejtat kulturore e kështu me radhë.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pritet që brenda janarit të votojë ndryshimet në ligjin me organizimin e referendumit, me çka edhe nisin përgatitjet për realizimin e këtij procesi statistikor, që do të mbahet 19 vjet pas atij të realizuar në vitin 2002.

Ndërroi jetë zëvendëskryetari i Qyteti të Shkupit, Enver Maliqi

Shkup

Qyteti i Shkupit ka njoftuar se ka ndërruar jetë zv/kryetari Enver Maliqi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke mos përmendur arsyen e vdekjes, nga Qyteti i Shkupit përmes një njoftimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale theksojnë se “humbëm një njeri me vlera të larta”.

“Me dhimbjen më të thellë i informojmë qytetarët që sot ndërroi jetë Enver Maliqi, zëvendës kryetari dhe anëtari i Këshillit të Qytetit të Shkupit. Sot humbëm një mik të madh, koleg të dashur dhe njeri me vlera të larta, veprimtaria e të cilit lidhet ngushtë me Shkupin në çdo aspekt. I lehtë qoftë dheu për ty”, thuhet në njoftimin.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Maliqi u zgjidh anëtar i Këshillit të Qytetit të Shkupit nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BD), ndërsa më pas u emërua zv/kryetar i Qytetit të Shkupit nga ana e kryetarit Petre Shilegov.

Para inkuadrimit në politikë, Maliqi ka qenë i njohur si një afarist i suksesshëm në Maqedoninë e Veriut dhe vendet e rajonit, duke poseduar kompani në fushën e shpërndarjes së mallrave, patundshmërive, si dhe hoteleve.

Akademik Ali Aliu dhe profesor Xhevat Lloshi fitues të Çmimit Shtetëror “22 Nëntori”

Shkup

Akademik Ali Aliu nga Maqedonia e Veriut dhe profesor Xhevat Lloshi nga Shqipëria janë fitues të sivjetmë të Çmimit Shtetëror “22 Nëntori” të Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Evenimenti i ndarjes së çmimit u mbajt me respektimin e masave kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku të pranishëm ishin kryeparlamentari Talat Xhaferi, një delegacion qeveritar i udhëhequr nga zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi si dhe përfaqësues të partive politike, akademikë dhe studiues.

Çmimi Shtetëror “22 Nëntori” ndahet me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip ndërsa nga Këshilli për ndarjen e çmimit theksojnë se çmimi ndahet për mirënjohjen e njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore, të cilët kanë dhënë kontribut në avancimin e bashkëjetesës mes kulturave të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.

Para se të ndajë çmimet, kryetarja e Këshillit për ndarjen e çmimit “22 Nëntori”, profesoresha Gëzime Starova tha se gjuha dhe shkrimi jo vetëm që janë mjetet më të forta për ruajtjen dhe kultivimin e unitetit të një kombi, por gjithashtu janë faktor të rëndësishëm në realitetin shumëkulturor të vendit.

“Sot ne me të drejtë theksojmë se diversitetin etnik dhe gjuhësor në shoqërinë tonë e shohim si një pasuri të përbashkët, vlerë kjo që e kemi pranuar si realitetin tonë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Starova.

Akademiku Ali Aliu në fjalën e rastit tha se me këtë çmim atë e lidhin edhe kujtimet e shkollës fillore, që ai e ka kryer në qytetin e Manastirit dhe ka qëndruar si konviktor në “ndërtesën e ABC-së”, ndërtesë në të cilën u mbajt Kongresi i Manastirit.

“Për të gjitha këto, një falënderim i madh këshillit që konsideroi se e meritojmë këtë nder, Xhevat Lloshi dhe unë, dhe për praninë tuaj që e konfirmoni këtë”, tha Aliu.

Profesori Xhevat Lloshi tha se ndonëse çmimi lidhet me historinë dhe kulturën shqiptare, ai ka vend edhe në historinë e Maqedonisë së Veriut dhe e pasuron atë.

“Dëshiroj të vë në dukje që çdo fëmijë në Shqipëri e mëson që në fillim këtë ngjarje të madhe. Por, nga ana tjetër, kjo ngjarje ka ndodhur në territorin e Maqedonisë së Veriut. Unë mendoj që çmimi që jepet tani, tregon për një frymë të re në marrëdhëniet midis popujve”, tha Lloshi.

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe apo Kongresi i Manastirit shënon mbledhjen e dijetarëve shqiptarë që u zhvillua më 14-22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me synimin e përcaktimit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në këtë kongres ishin të pranishëm delegatë të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga shoqata dhe klube shqiptare nga e gjithë bota, të cilët miratuan vendimin e pranimit të alfabetit latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar në 36 shkronja të gjuhës shqipe.

Për popullin shqiptar, Kongresi i Manastirit ishte ngjarja më e rëndësishme në fillim të shekullit 20, ku me rezultatet e saj më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. Me këtë, 22 nëntori mbetet ditë përkujtimore në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në diasporën shqiptare.

Shënohet 112 vjetori i Kongresit të Manastirit

Isak Ramadani

Në Shkup po mbahen simpoziume shkencore me rastin e 112 vjetorit të Kongresit të Manastirit, i njohur si Dita e Alfabetit (të gjuhës shqipe). Dita e nesërme, 22 nëntor kur përfunduan punimet e Kongresit më 1908, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut prej para pak vitesh është bërë festë zyrtare.

Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut (ITKSH) ka organizuar këto ditë një sërë aktivitetesh lidhur me përvjetorin e Kongresit të Manastirit apo Ditën e Alfabetit që këtu është festë zyrtare për shqiptarët.

Studiues dhe zyrtarë shtetërorë morën pjesë në takimin e së shtunës, që iu përkushtua Gjerasim Qiriazit, njërit prej pjesëmarrësve dhe kontribuesve të Kongresit para 112 vjetësh.

Skënder Hasani, drejtor i ITKSH tha se alfabeti i gjuhës shqipe, “që u ndihmua aq shumë nga misionarët amerikanë, u vulos më 22 nëntor, 1908 dhe Instituti për Trashëgiminë dhe Kulturën Shqipërtërore u themelua pikërisht më 22 nëntor dhe tash është vendosur në objektin e ish-ambasadës amerikane në Shkup. Ky Kongres është faqja tjetër e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe sintetizim më i saktë i përpjekjeve iluministe të rilindasve tanë për ndriçimin e kombit”.

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi shprehu kënaqësinë që manifestimi fillon me Gjerasim Qiriazin dhe përfundon me përurimin e librit për Parashqevi Qiriazin. “Nuk mund të ishte ndryshe, sepse ata të dy dhe shumë intelektualë të tjerë anembanë ku frymonin shqiptarët u tubuan në Kongresin e Manastritit që nga përbërja dhe çështjet që i diskutoi dhe zgjidhi – konsiderohet si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike dhe kulturore të shqiptarëve”, u shpreh kryeparlamentari Xhaferi.

Arafat Shabani, zv.ministër i Arsimit në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut theksoi shpresën se nga shtatori i ardhshëm “Abetarja e unifikuar do të bëhet realitet në të gjitha shkollat e trevave shqiptare”.

Edhe Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivit Shqiptar, nënvizoi se Kongresi i Manastirit përbën një moment shumë të rëndësishëm të kombit shqiptar “që tregon se sot e kësaj dite frymon si i tillë, pavarësisht realiteteve të ndryshme politike. Prandaj, bashkëpunimi në mes institucioneve tona, pavarësisht shtetit ku ndodhet, duhet të jetë gjithnjë e më i fortë”, theksoi z. Bido

David Hosaflook një studiues i njohur i kulturës dhe historisë shqiptare foli për peripecitë e shumta në kërkim të varrit të njërit prej vëllezërve Qiriazi, eshtrat e të cilit më në fund ishin gjetur në një varrezë të dëmtuar protestante të qytetit të Strumicës.

Dita e nesërme, 22 nëntori, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është festë zyrtare.

Në qytetin e Manastirit, Shtëpia e Alfabetit është shndërruar në muze, por ende me probleme të pazgjidhura pronësore.

zëri i amerikës

Sofja konfirmon veton, akuzon Shkupin për nxitje të urrejtjes

Isuf Kadriu

Drejtuesit e institucioneve në Maqedoninë e Veriut, kanë zbehur optimizmin për një marrëveshje me Bullgarinë, një ditë para mbledhjes së ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku do bisedohet mbi kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka deklaruar se po bëhet gjithnjë e më e sigurt se vendi nuk do të mund ta evitojë veton nga Bullgaria. Pavarësisht kësaj, Zaev la të shpresohet se konferenca e parë ndërqeveritare ndoshta do të mbahet deri në fund të vitit.

“Ne kemi arritur marrëveshje për pesë personalitete historike, tri periudha historike dhe ne jemi të gatshëm t’i shpallim ato dhe të nisin t’i aplikojmë në tekstet shkollore, si këtu ashtu edhe në Bullgari. Ne duhet të vazhdojmë më tej dhe unë jam i bindur se me vendimet pozitive ne ndërtojmë miqësinë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Zyrtarë të lartë të Bullgarisë, si zëvendëskryeministri Krasimir Karakaçanov dhe shefja e diplomacisë, Ekaterina Zaharieva, kanë bërë të qartë se bisedime mund të ketë, sikur që mund të ketë edhe marrëveshje, por vetëm nëse pranohen kërkesat e palës bullgare. Madje, në paraqitjet e fundit, zyrtarët bullgarë kanë akuzuar Shkupin për nxitje të urrejtjes dhe vjedhje e falsifikim të historisë.

“Nuk mundet që të vidhni historinë bullgare, të thoni se ky apo ai janë maqedonas dhe jo vetëm që ta vidhni, por edhe ta falsifikoni dhe në bazë të falsifikimeve të nxitini gjuhën e urrejtjes… Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë bisedimet, do të bisedonim edhe gjatë natës së festave të Vitit të Ri, nëse ata janë të gatshëm të pranojnë kërkesat tona. Ata nuk mund të dalin me argumente se ‘ky është identiteti ynë’. Prisni, ‘ky është identiteti juaj, por është i sajuar’”, ka deklaruar për televizionin Kanal 3, zëvendëskryeministri Karakaçanov, i cili njëherësh është edhe ministër i Mbrojtjes.

Zyrtarët bullgarë gjithashtu kanë kritikuar autoritetet maqedonase për nderimet që po i bëjnë të kaluarës komuniste, e që sipas tyre është në favor të Rusisë.

“Nuk mundet që në njërën anë të dëshironi të anëtarësoheni në BE dhe të demokratizoni shoqërinë dhe në anën tjetër të mbani manifestime për diktatorin më të errët, Titon. Nëse vazhdojmë t’i mbyllim sytë nga faktet se ky vend vazhdon ashtu siç e kishin paramenduar Titoja dhe Stalini, atëherë ne me këtë i bëjmë shërbim Moskës”, ka deklaruar shefja e diplomacisë bullgare Eketerina Zaharieva, në një intervistë për televizionin shtetëror bullgar.

Duke komentuar pozicionin e palës bullgare dhe asaj maqedonase, Arsim Sinani, drejtues i Qendrës për studime ndërkombëtare dhe hulumtime ballkanike, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bullgaria vështirë do të bëjë kompromis, por sipas tij, pala bullgare do të qëndrojë deri në fund pas kërkesave të saja.

Ai thotë se pala maqedonase duhet të reflektojë, pasi në këtë rast nuk bëhet fjalë për mohim të identitetit.

“Mendoj se Bullgaria me të drejt kërkon një kompromis, i cili mendoj se nuk ka të bëjë me identitetin, por ka të bëjë me gjenezën. Askush nuk ta konteston identitetin se si ndihesh ti. Këtë askush nuk mund të ta kontestojë, por kompromise duhet të ketë nga të dyja palët. Unë nuk shoh ndonjë problem. Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe hapja e derës për në Evropë i garanton maqedonasve të sotëm që të mbijetojnë apo të kenë perspektivë si popull. Këta, këtë duhet ta kuptojnë. Mendoj se Bullgarinë duhet ta shohin si shtet vëlla. Kjo mendoj se duhet të ndodhë këtu, por konsideroj se ende rryma serbe është e fortë në Maqedoninë e Veriut dhe e pengon këtë proces”, thotë Sinani.

Pala bullgare konteston gjuhën dhe identitetin e maqedonasve me pretendimin se ato kanë “rrënjë bullgare”, se gjuha maqedonase është krijuar pas vitit 1945 nga një dialekt i gjuhës bullgare dhe asaj serbe. Dy vendet në vitin 2017 nënshkruan një marrëveshje për fqinjësi të mirë, por në vend të afrimit, jo ka ndarë edhe më shumë dy shtetet.

Maqedoni e Veriut: Rajonet e banuara me shqiptarë, me standard më të ulët jetësor

Zërijeta Hajro Jajaga

Rajonet e banuara me popullsi kryesisht shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kanë standard më të ulët jetësor, thuhet në të dhënat e reja të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Sipas raportit “Rajonet në Maqedoninë e Veriut” të publikuar nga Enti i Statistikave, del se paga mesatare e qytetarëve në Shkup është për 150 euro më e lartë kundrejt atyre të cilët jetojnë në rajonin verilindor (ku përfshihet Kratova, Krivapallanka, Kumanova dhe Likova e të tjera) të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë që rajoni i Pollogut, që ka popullsi kryesisht shqiptare, ka standardin më të ulët jetësor.

Nëse shihet Bruto Produkti Vendor për kokë banori, në Shkup është 7 mijë e 300, përkatësisht rreth 5 mijë euro më e lartë me qytetarët që jetojnë në rajonin e Pollogut. Bruto Produkti Vendor për kokë banori në këtë rajon është 2 mijë e 420 euro.

Në rajonin e Pollogut bëjnë pjesë Komuna e Tetovës, Gostavarit, Mavrovës, Bogovinës, Vrapçishtit etj.

Përpos në Shkup, ku është e koncentruar një e treta e popullsisë së Maqedonisë së Veriut, paga mesatare në shtatë rajonet e tjera të shtetit, është më e ulët se mesatarja shtetërore.

Zhvillimi i barabartë rajonal është e rregulluar me ligj, por edhe me strategjitë dhjetëvjeçare të politikave qeveritare.

Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjithnjë e më shumë po vjen në shprehje zhvillimi jo i barabartë në tetë rajonet e Maqedonisë së Veriut.

“Brenga jonë si Odë është se në të ardhmen, nëse vazhdon ky trend i zhvillimit joproporcional të rajoneve, e tërë Maqedonia e Veriut do të bëhet Shkup dhe Shkupi si kryeqendër do të jetë e tërë Maqedonia e Veriut. Për këtë qëllim duhet sa më shpejtë të intervenohet nga ana e shtetit që t’i jepet fund kësaj dukurie”, thotë Iseni.

Ai thotë se për të mos pasur hendek mes rajoneve, duhet që të zbatohen ligjet në fuqi.

“Problemi së pari është në nivel qendror, pasi ligji në fjalë që rregullon barazinë zhvillimore nuk zbatohet ashtu siç duhet. Në bazë të Ligjit për zhvillim të barabartë rajonal, 1 për qind e Bruto Prodhimit Vendor duhet të investohet në zhvillimin e barabartë rajonal, që është në vlerë afërsisht 100 milionë euro, ndërkohë që vlera më e lartë e investimeve nga ana e shtetit në këtë politikë nuk arrin as 11 për qind të kësaj vlere ligjore”, thotë Iseni.

Përderisa Aleksandar Cvetkovski nga organizata joqeveritare AGTIS, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjithkund në botë, në kryeqytet është e koncentruar fuqia ekonomike, andaj sipas tij, pagat aty janë më të larta.

“Kjo ndodh për faktin se nga vendet e vogla, njerëzit e mençur largohen, pjesa më e madhe ikin në mërgim, përderisa një pjesë transferohen në Shkup. Më besoni në Prilep, Manastir apo Ohër është shumë e vështirë të gjeni një kuadër kualitativ. Të gjithë ata që ishin të mirë, në profile të caktuara, tashmë kanë ikur. Nëse një person është shkolluar në Shkup gjithsesi vendos të qëndrojë në kryeqendër, ku i ofrohen më shumë mundësi”, thotë thotë Cvetkovski.

Të dhënat e Entit të Statistikave po ashtu shfaqin një pabarazi sa i përket shkallës së papunësisë në rajone të ndryshme të Maqedonisë së Veriut.

Rajoni Verilindor prin sa i përket shkallës së papunësisë, me 33 për qind, ndërkaq, shkalla e papunësisë më 2019, në tërë Maqedoninë e Veriut, ishte 17.5 për qind.

Ndërkaq, përqindja më e ulët e papunësisë është në juglindje të Maqedonisë së Veriut, përkatësisht 6.3 për qind.

Në këtë drejtim Aleksandar Cvetkovski thekson investimi në politikat arsimore do të bënte që të rinjtë që mbarojnë studimet, t’iu përgjigjen kërkesave të tregut të punës dhe që të njëjtit, të ardhmen e tyre të mund ta ndërtojnë edhe në qytetet më të vogla.

“Shkollat pothuajse nuk ofrojnë asnjë njohuri për të përgatitur gjeneratat e reja të jenë konkurrues në tregun e punës. Mungojnë kuadrot që i nevojiten sektorit të biznesit. Ja për shembull në rajonin e Pellagonisë kërkohen mekanikë për ekskavatorë, shitës të kompjuterëve, por të tillë në gishta mund të numërohen”, thotë Cvetkovski.

Ndërkaq Drilon Iseni drejtor nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se duhet ndërtuar mekanizma për një qasje të barabartë për sa i përket investimeve, në mënyrë që të shmangen dallimet e mëdha zhvillimore të rajoneve të ndryshme.

“Nëse merret aspekti i investimeve në rajonin e Pollogut, gjatë vitit 2018 janë regjistruar 109 milionë euro investime kryesisht private dhe një pjesë publike. Përderisa të njëjtin vit, në rajonin e Shkupit janë investuar 1.2 miliard euro, që është 11 fish më shumë krahasuar me rajonin e Pollogut”, thotë Iseni.

Ai nënvizon se derisa nuk realizohet regjistrimi i popullatës, është shumë e vështirë të hartohen politika efektive zhvillimore për rajonet e caktuara në Maqedoninë e Veriut, sepse siç thotë Iseni, mungon pasqyra reale e shpërndarjes së popullsisë në territorin e shtetit.


Send this to a friend