VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ambasadori Frank Wisner Jr: Nuk jam pajtuar me negociatat që Grenell i ka organizuar në Shtëpinë e Bardhë, tani kryesore të stabilizohet ambjenti politik! Intervistoi: Halil Mulaj & Leart Hoxha

By | July 6, 2020

Komentet

Pompeo: Kina, armik më i vështirë sesa Bashkimi Sovjetik i Luftës së Ftohtë

Marrë nga Reuters

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të mërkurën në Pragë se fuqia ekonomike globale e Kinës e bën këtë vend komunist në disa kuptime një armik më të vështirë për t’u kundërshtuar sesa Bashkimi Sovjetik i Luftës së Ftohtë.

Zoti Pompeo u bëri thirrje vendeve kudo në Evropë që të bashkohen kundër Partisë Komuniste Kineze, për të cilën ai tha se përdor fuqinë ekonomike për të ushtruar ndikimin e saj në të gjithë botën.

“Ajo që po ndodh tani nuk është Lufta e Ftohtë Numër 2,” tha zoti Pompeo në një fjalim para senatit çek. “Sfida për t’i rezistuar kërcënimit të Partisë Komuniste Kineze është në disa kuptime shumë më e vështirë”.

“PKK është futur në ekonomitë tona, në politikat dhe në shoqëritë tona në mënyra që Bashkimi Sovjetik nuk mund ta bënte dot”.

Referenca për Luftën e Ftohtë vjen pas komenteve të bëra nga ambasadori i Kinës në Londër muajin e kaluar, i cili paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të luftojnë me Pekinin në prag të zgjedhjeve presidenciale amerikane të nëntorit.

Marrëdhëniet SHBA-Kinë janë përkeqësuar me shpejtësi këtë vit për një varg çështjesh, përfshirë trajtimin e koronavirusit nga Pekini; çështjen e prodhuesit të pajisjeve të telekomit Huawei; pretendimet territoriale të Kinës në Detin e Kinës së Jugut; dhe masat shtrënguese të Pekinit në Hong Kong.

Vizita e zotit Pompeo në Republikën Çeke, ish-pjesë e bllokut sovjetik deri në vitin 1989, shënon ndalesën e tij të parë të një turneu në Evropën Qendrore, për të diskutuar mbi sigurinë në fushën e kibernetikës dhe të energjisë.

Ai shfrytëzoi këtë rast për të kritikuar ndikimin rus dhe kinez duke lavdëruar zyrtarët çekë për qëndresën e tyre ndaj Pekinit vitin e kaluar. Zoti Pompeo përmendi përpjekjet e Republikës Çeke për të vendosur standarde sigurie në procesin e zhvillimit të rrjeteve 5G të telekomunikimit, pas paralajmërimeve të një enti qeveritar kundër përdorimit të pajisjeve të prodhuara nga Huawei i Kinës.

Në muajin maj, Sekretari Pompeo dhe Kryeministri Andrej Babis nënshkruan një deklaratë mbi sigurinë e rrjeteve 5G, por vendi nuk ka marrë një vendim të prerë për të ndaluar blerjen e teknologjisë së firmës Huawei. Presidenti çek Milos Zeman ka bërë thirrje për lidhje më të ngushta me Kinën.

Zoti Pompeo tha se disa vendeve të Evropës do t’u duhet një kohë më e gjatë që të ndërgjegjësohen për kërcënimet, por tani ekziston një momentum pozitiv.

“Batica është kthyer (në Shtetet e Bashkuara), po ashtu siç e shoh edhe këtu në Evropë. Perëndimi po fiton, mos lejoni njeri që t’ju thotë se Perëndimi është në rënie,” tha ai.

“Ne kemi detyrimin t’u flasim njerëzve tanë qartë, hapur dhe pa frikë. Ne duhet të ndeshemi me guxim me çështjet komplekse dhe duhet ta bëjmë këtë së bashku,” tha ai. zëri i amerikës

Pompeo: Mos i besoni askujt se Perëndimi po dështon

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, akuzoi Rusinë për minimin e demokracive në Evropë dhe dezinformim, ndërsa Kinën për fushatë të shantazhit në mënyrë që të fitojë ndikimin në botë.

Pompeo u bëri thirrje vendeve evropiane të mbrojnë parimet e demokracisë dhe të kujdesen më shumë për sovranitetin e tyre.

Ai këto komente i bëri gjatë një adresimi në parlamentin e Çekisë, në kuadër të një vizite dyditore në këtë vend. Çekia është pjesë e një turneu pesëditor të Pompeos në Evropën Qendrore.

“Rusia vazhdimisht po përpiqet të minojë demokracinë dhe sigurinë tuaj përmes fushatave dezinformuese, sulmeve kibernetike, ajo po përpiqet të riformulojë historinë tuaj. Ekziston gjithashtu një kërcënim nga Partia Komuniste Kineze dhe fushata e saj e shantazhit”, tha Pompeo.

Kreu i Departamentit Amerikan të Shtetit tha se regjimet autoritare nuk u zhdukën në 1989.

Sipas Pompeos, problemi me Kinën është më kompleks sesa rivaliteti që ka qenë me ish-Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, sepse Kina kërkon të ndikojë në vendet përmes bashkëpunimit ekonomik, pastaj duke i kërcënuar me pasoja nëse nuk veprojnë ashtu siç dëshiron Pekini.

“Mos i besoni askujt që Perëndimi po dështon. Perëndimi po fiton. Ne duhet të bashkëpunojmë. Ne kemi një detyrim të flasim hapur para të gjithëve, pa frikë”, tha Pompeo.

Pompeo, të enjten udhëton në Slloveni, pastaj në Austri, dhe përfundon turneun e tij evropian të shtunën në Poloni.

Biden zgjedh senatoren Kamala Harris për nënpresidente

Kandidati demokrat për president të SHBA-së, Joe Biden dhe senatorja, Kamala Harris.

VOAL – Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka zgjedhur senatoren Kamala Harris si kandidate për nën-presidente në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Biden, që ka shërbyer si nën-president gjatë udhëheqësisë së ish-presidentit amerikan, Barack Obama, ishte zotuar se do të përzgjedhtë një grua për pozitën e nën-presidentes.

Senatorja 55 vjeçare është gruaja e parë me ngjyrë që garon në zgjedhjet presidenciale në historinë e SHBA.

Biden e bëri vetë të ditur lajmin në rrjetet sociale:

 

Reuters

Presidenti Trump nxirret befasisht nga konferenca e shtypit, pas të shtënave pranë Shtëpisë së Bardhë (video)

Presidenti amerikan, Donald Trump u nxorr befasisht nga salla e konferencës shtypit Shtëpisë Bardhë, pak pasi pati shtëna jashtë gardhit ndërtesës.

White House

Zoti Trump u kthye sallë pas disa minutash dhe tha se një person ishte goditur me armë zjarri nga forcat e rendit dhe është dërguar spital. Ai tha se mesa kishte kuptuar, i dyshuari kishte qenë i armatosur.


Pati shtëna jashtë Shtëpisë Bardhë. Duket se (situata) është krejtësisht nën kontroll…Por pati një goditje me armë dhe dikush është dërguar spital. Nuk e di se si është ai person”, tha ai.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Steve Herman shkruante në Twiiter, se gazetarët ndenjën në sallën e konferencës për shtyp, ndërsa Shtëpia e Bardhë u vendos nën masa sigurie.

“Ju u befasuar dhe unë gjithashtu u befasova”, u tha presidenti gazetarëve, kur u rikthye.

Ai tha se ishte çuar Zyrën Ovale, pasi u nxorr nga salla e shtypit.

“Dua të falenderoj Shërbimin Sekret. Janë të mrekullueshëm”, tha zoti Trump në përgjigje të njoftimeve se i dyshuari mesa duket ishte i armatosur.

“Ndoshta ‘të shtënat’ nuk kishin të bënin aspak me mua”, shtoi ai.

Shërbimi sekret konfirmoi se kishte pasur të shtëna me armë zjarri pranë Shtëpisë së Bardhë.

Pak minuta pasi kishte filluar konferenca e shtypit, Presidenti Trump u nxorr nga salla, pa shpjegime për ndërprerjen. Edhe Sekretari i Thesarit, Steve Mnuchin dhe Drejtori i Zyrës Menaxhimit dhe Buxhetit, Russ Vought u nxorrën nga salla dhe dyert u kyçën.

SHBA: Paratë nga burime të dyshimta për fushatat zgjedhore, pritet të arrijnë shifra rekord

Organizata jofitimprurëse dhe grupe të tjera që nuk i bëjnë publikë dhuruesit, po shpenzojnë shuma të jashtëzakonshme për fushatat presidenciale dhe të Kongresit për zgjedhjet e vitit 2020, duke sinjalizuar ndikimin e tyre në rritje në politikë, në Shtetet e Bashkuara.

Këto të ashtuquajtura grupe “me para të dyshimta” kanë derdhur deri tani të paktën 177 milionë dollarë në komitete të aksionit politik të pavarura, në ciklin e zgjedhjeve të vitit 2020, sipas të dhënave të analizuara nga Qendra për Politikë të Përgjegjshme, një organizatë të Uashington që studion financimin e partive politike.

Para dy vjetësh këto grupe dhanë 178 milionë dollarë për gjithë kohëzgjatjen e fushatës, sipas kësaj qendre. Grupet e parave të dyshimta kanë shpenzuar gjithashtu mbi 19 milionë dollarë në reklama direkte politike, një shifër që ka gjasa të rritet ndërsa fushata intensifikohet në muajt në vazhdim.

Anna Massoglia, një studiuese në Qendrën për Politikë të Përgjegjshme, tha se shpenzimet nga Komitetet për Aksion Politik dhe grupe të tjera të jashtme që marrin para nga burime të paidentifikuara, pritet të arrijnë një shifër të re rekord në këtë cikël zgjedhjesh.

“Paratë e dyshimta ka vazhduar të hyjnë në ciklin zgjedhor të vitit 2020. Kemi pare se si këto para po ndikojnë në zgjedhjet e vitit 2020, në disa mënyra”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Super Komitetet e Aksionit Politik

Mbështetësit e grupeve politike që përfitojnë nga kontribute të dhuruesve të paidentifikuar si organizata jofitimprurëse dhe korporata “fantazmë”, nuk e pranojnë etiketimin “para të dyshimta”, të përdorur nga kritikët e tyre.

Pavarësisht se si etiketohet kjo praktikë, prania e fondeve nga jashtë partive, shpërtheu pas një vendimi në vitin 2010 të Gjykatës së Lartë, sipas së cilit qeveria nuk mund të kufizonte shpenzimet politike nga korporatat dhe sindikatat. Kjo nxiti konsolidimin e të ashtuquajturave supe Komitete të Aksionit Politik.

Që atëherë kur u mor vendimi i quajtur “Citizens United”, grupe si Dhoma Amerikane e Tregëtisë, kanë raportuar tek Komisioni Federal i Zgjedhjeve afro 1 miliardë dollarë shpenzime të drejtpërdrejta për zgjedhjet, sipas Qendrës për Politikë të Përgjegjshme.

Megjithëse kjo shumë është një fraksion i vogël në raport me shifrën e përgjithshme të shpenzuar në zgjedhjet amerikane, kritikët thonë se u ka mundësuar dhuruesve të pasur që të ndikojnë në zgjedhjet amerikane, ndërsa votuesit nuk janë në dijeni të rolit të tyre.

“Ky është një problem në rritje dhe miliona dollarë do të derdhen në këto super komitete në javët para ditës së zgjedhjeve. Disa prej atyre fondeve mund të vijnë nga burime misterioze, që publiku nuk e ka idenë se ç’janë”, thotë Michael Beckel, drejtor studimesh për organizatën “Issue One”, me qendër në Uashington, që monitoron rolin e parave në politikë.

Mbrojtësit konservatorë të shpenzimeve anonime, i hedhin poshtë pretendimet se ato kanë synime keqdashëse dhe thonë se bërja publike e emrave të dhuruesve të veçantë, mund t’i bëjë ata objekt të frikësimeve dhe ngacmimeve politike.

Kur organizata si Dhoma Amerikane e Tregëtisë dhe “Planned Parenthood” u japin para super komiteteve, votuesit e dinë që fondet vijnë nga anëtarët dhe mbështetësit e këtyre organizatave, thonë ata.

“Prandaj ideja se kjo është diçka për të cilën populli amerikan nuk është në dijeni dhe se nuk e di se kush po përpiqet të ushtrojë ndikim mbi ta, mendoj se është e rreme”, thotë Bradley A. Smith, një ish-kryetar republikan i Komisionit Federal të Zgjedhjeve, që tani kryeson Institutin për Lirinë e Shprehjes, një organizatë konservatore që kundërshton kufizimet financiare të fushatave.

Një Vello Fshehtësie

Grupet e parave me burime të dyshimta nuk u japin thjesht para super-komiteteve dhe organizatave të tjera politike. Gjithnjë e më shumë, ato po financojnë reklama të ashtuquajtura për mbrojtjen e çështjeve të veçanta,

Zonja Massoglia thotë se megjithëse këto reklama me kujdes shmangin shprehjet si “votoni për” ose “votoni kundër” një kandidati, ato gjithsesi e paraqesin një kandidat nën një dritë të caktuar.

“Në këtë mënyrë, ato në fakt luajnë rolin e reklamave politike, por pa iu dashur që të raportojnë tek Komisioni Federal i Zgjedhjeve”, thotë ajo.

Transparenca është objektivi kryesor i Sistemit të Financimit të Fushatave, megjithëse shpesh nuk realizohet. Në bazë të ligjit, të gjitha organizatat politike, duhet të raportojnë emrat e dhuruesve në Komisionin Federal të Zgjedhjeve për të ndihmuar votuesit që të marrin vendime më të informuara lidhur me partitë ose kandidatët. Super-Komitetet e Aksionit Politik, nuk përbëjnë përjashtim.

Por informacioni që këto Komitete depozitojnë në Komisionin e Zgjedhjeve, nuk zbulon burimin e vërtetë të këtyre fondeve.

Për shembull, “Victory 2020” është një komitet i ri për mbledhje fondesh, që përfshin dy super-komitete të aksionit politik që po bëjnë përpjekje për zgjedhjen e demokratëve këtë nëntor. Njëri quhet “Ura Amerikane e Shekullit të 21-të” dhe tjetri është grupi pro kandidatit demokrat Joe Biden, “Të Bashkojmë Vendin”.

Të dhënat që “Victory 2020” ka depozituar në Komisionin Federal të Zgjedhjeve, tregojnë se 5.7 milionë nga 5.9 milionë dollarët që ka grumbulluar gjatë këtij cikli zgjedhjesh, vijnë nga një entitet i quajtur “Fondi 1630”. Por duke qenë se “Fondi 1630” është regjistruar si një organizatë për mirëqenie sociale, objektivi kryesor i së cilës nuk është politik, ajo nuk është e detyruar që t’i bëjë publike dhuruesit. Ky grup thotë se ndihmon “udhëheqës së organizatave jofitimprurëse që të merren me një gamë të gjerë sfidash”, nga ngrohja globale tek drejtësia sociale.

Kjo mungesë transparence ekziston në gjithë spektrin politik. Nga kampi republikan, Super-Komiteti i Aksionit Politik “Fondi për Udhëheqjen” ka marrë 9 milionë dollarë në qershor nga Rrjeti për Aksion Amerikan. Ashtu si “Fondi 1630” liberal, edhe ai është regjistruar si një organizatë për mirëqenie sociale, që nuk është e detyruar të publikojë se cilët janë dhuruesit e saj.

Në faqen e tij të internetit, grupi thotë se “objektivi i tij është të vërë në jetë idetë e së djathtës së qendrës, duke mobilizuar zemrat dhe mendjet e amerikanëve dhe duke i nxitur për pjesëmarrje aktive në demokracinë tone”.

Roli i kompanive “fantazëm”

Megjithëse organizatat jofitimprurëse janë instrumenti që përdoret më shpesh për futjen e parave me burim të dyshimtë në politikë, dhuruesit e pasur përdorin edhe kompani “fantazëm” për të financuar super-komitetet.

Në një raport të fundit “Issue One” identifikoi mbi dhjetë korporata të tilla, mes së cilave një kompani me bazë në Nju Jork që i kishte dhënë 75 mijë dollarë që super-komiteti liberal në Teksas. “Issue One” tha se nuk kishte arritur të gjente një lidhje të qartë mes kompanisë dhe ndonjë individi. Kompani të tjera “fantazëm” mesa duket janë krijuar me synimin e vetëm për të bërë dhurime tek Super-komitetet.

“Ne nuk kemi asnjë informacion se ku i morën fondet disa nga këto organizata ‘fantazëm’”, i tha Zërit të Amerikës, zoti Beckel i organizatës “Issue One”.

Ky është një defekt në sistem, që mund të shfrytëzohet nga aktorë të huaj që duan të ndërhyjnë në zgjedhjet amerikane, paralajmëron ai.

“Kërcënimi është serioz dhe kushdo nga spektri politik mund të përfitojë nga paratë e fshehta”, shtoi ai.

Në vitet e fundit, Departamenti i Drejtësisë ka ngritur akuza ndaj disa individëve se u kanë dhënë fonde të huaja super-Komitetevet ë Aksionit Politik në favor të ish-Presidentit demokrat Barack Obama, apo Presidentit Republikan Donald Trump.

“Ky është një problem që kërkon zgjidhje tani dhe është një defect flagrant në ligjin për financimin e fushatave që është shumë i ekspozuar ndaj abuzimeve”, thotë zoti Beckel.

Avokatët e transparencës duan që Kongresi t’i bëjë më të rrepta kërkesat për bërjen publike të fondeve. Një projektligj dypartiak që është paraqitur në Kongres, i quajtur Ligji Kundër Abuzimit nga Kompanitë “Fantazëm”, do ta bënte vepër penale krijimin e një kompanie “fantazëm” me sunuimin për të fshehur identitietin e dhuruesve të huaj në fushatë.

“Nëse Kongresi nuk e bën më të rreptë legjislacionin, ne parashikojmë që aktorët e huaj të përpiqen ta keqpërdorojnë këtë mangësi në system”, thotë zoti Beckel. zëri i amerikës

Media: Pompeo paralajmëron Rusinë të mos paguajë talebanët për të vrarë ushtarë amerikanë

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka paralajmëruar Ministrin e Jashtëm të Rusisë lidhur me pretendimet për pagesa për militantët talebanë për të vrarë trupat amerikane në Afganistan, sipas gazetës “The New York Times”.

Gazeta njoftoi të premten se kryediplomati Pompeo e paralajmëroi Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov gjatë një telefonate me 13 korrik, sipas citimeve nga zyrtarë të paidentifikuar amerikanë.

Raporti thoshte se ky është rasti i parë i ditur deri tani që një zyrtar i lartë amerikan paralajmëron Rusinë lidhur pagesat që, sipas disa njoftimeve, Rusia u ka dhënë militantëve talebanë për të vrarë ushtarë amerikanë në Afganistan.

Më parë zoti Pompeo ka refuzuar të thotë nëse ai vetë e ka ngritur këtë temë me Rusinë. Sidoqoftë, ai i tha Komisionit të Senatit për Mardhënie me Jashtë muajin e shkuar se ai, “i ka ngritur të gjitha çështjet që rrezikojnë çdo amemrikan” sa herë që ka biseduar me kryediplomatin rus Lavrov.

Presidenti Trump i ka quajtur njoftimet e pagesave ruse për talebanët për të vrarë trupat amerikanë si “një tjetër mashtrim që lidhet me Rusinë” pavarësisht shqetësimeve nga komuniteti i zbulimit.

Presidenti u tha gazetarëve në Florida muajin e kaluar, “Asnjëherë nuk më kanë njoftuar dhe mbase ata nuk më njofuan sepse nuk e konsideruan të vërtetë. Do të bëj diçka në lidhje me të”, tha ai.

Gjatë një interviste me rrjetin “Axios in HBO”, Presidenti Trump tha se ai nuk e kishte ngritur këtë çështje gjatë telefonatës me Presidentin Vladimir Putin të Rusisë.

“Ajo ishte një telefonatë për të diskutuar gjëra të tjera dhe të themi të drejtën, ajo është një çështje për të cilën shumë njerëz thanë se ishte një lajm i rremë”,tha zoti Trump.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se Presidenti Trump nuk u informua lidhur me dyshimet për pagesa ruse për militantët talebanë për të vrarë ushtarët amerikanë në Afganistan, sepse agjencitë e zbulimit nuk kishin arritur në një vlerësim përfundimtar. Megjithatë, disa media, përfshirë gazetën The New York Times, kanë raportuar se çështja ishte përfshirë në raportimet e shkruara ditore nga komuniteti i zbulimit për presidentin në muajin shkurt. Zoti Trump ka thënë se ai nuk ishte informuar asnjëherë përsonalisht për rastin në fjalë. Rusia ka mohuar se ka paguar militantët talebanë për vrasjen e trupave amerikane në Afganistan. zëri i amerikës

Kundërzbulimi amerikan: Rusia, Kina dhe Irani po përpiqen të influencojnë zgjedhjet

Drejtori i Kundërzbulimit, Bill Evanina

Drejtori amerikan i kundërzbulimit ka shprehur shqetësim për ndërhyrje nga Kina, Rusia dhe Irani në zgjedhjet e 2020.

Zbulimi amerikan arrin në përfundimin se Kina shpreson që Presidenti Donald Trump do të humbasë zgjedhjet, Rusia po përpiqet të dëmtojë imazhin e demokratit Joe Biden, ndërsa Irani po përpiqet të minojë institucionet demokratike, tha përmes një deklarate Bill Evanina, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kundërzbulimit.

Në deklratë zoti Evanina ofron analizën më të fundit të shërbimeve të zbulimit për kërcënimet ndaj zgjedhjeve të nëntorit.

“Shumë aktorë të huaj preferojnë njërin ose tjetrin kandidat dhe këtë e kanë shprehur në komunikime të fshehta, ose të hapura si dhe në akte influencuese,” tha zoti Evanina. “Ne jemi kryesisht të shqetësuar me aktivitetet e mundshme të Kinës, Rusisë dhe Iranit”.

Kina e konsideron Presidentin Trump “të paparashikueshëm” dhe nuk do rizgjedhjen e tij, tha zoti Evanina Kina ka zgjeruar përpjekjet e influencës para zgjedhjeve, duke u munduar të ndikojë tek politikat amerikane dhe t’u bëjë presion figurave që i konsideron si kundërshtare të Pekinit, tha zyrtari amerikan.

“Megjithëse Kina do të vazhdojë të peshojë përfitimet dhe rreziqet e veprimeve agresive, publikisht retorika e saj është bërë më kritike ndaj administratës aktuale në lidhje me reagimin ndaj COVID-19, mbylljen e konsullatës kineze në Hjuston si dhe akte të tjera,” shkruan në deklaratë zoti Evanina.

Për sa i përket Rusisë, zbulimi amerikan arrin në përfundimin se Moska po përpiqet të “denigrojë” zotin Biden dhe përkrahësit e tij që i shikon si anti-rusë. Zoti Evanina tha se kritikat ndaj zotit Biden duket se burojnë që nga koha kur ai ishte nënpresident, lidhur me politikat e tij ndaj Ukrainës dhe kundërshtimin e tij ndaj politikave të brendshme të Presidentit Putin.

Zoti Evanina veçoi ligjvënësin ukrainas pro-rus Andriy Derkach, duke e akuzuar se po përhap “pretendime për korrupsion” dhe po publikon tekste të telefonatave të përgjuara në përpjekje për të minuar zotin Biden dhe demokratët.

Po ashtu, ai paralajmëroi se ashtu si në fushatën e 2016, kur shërbimet e zbulimit arritën në përfundimin se Rusia u përpoq të ndihmonte fushatën e zotit Trump përballë rivales Hillary Clinton, ka prova se agjentët rusë po mbështesin Presidentin Trump.

“Disa aktorë që kanë lidhje me Kremlinin po përpiqen të ndihmojnë kandidaturën e zotit Trump përmes medias sociale dhe televizionit rus,” tha zoti Evanina.

Sipas analizës së zotit Evanina, Irani përpiqet të minojë institucionet demokratike amerikane si dhe të përçajë Amerikën para zgjedhjeve.

“Përpjekjet e Iranit në këtë drejtim përqëndrohen në aktivitet online, si përhapja e dizinformimit përmes internetit, në median sociale dhe përhapja e materialeve nga palë të tjera anti-amerikane,” shkruan zoti Evanina.

“Teherani nxitet pjesërisht nga bindja se nëse rizgjidhet Presidenti Trump do të vazhdojë presioni amerikan ndaj Iranit në përpjekje për të nxitur ndryshim regjimi në këtë vend,” shkruan drejtori i kundërzbulimit amerikan, Bill Evanina.

Shtëpia e Bardhë reagoi të premten duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë ndërhyrje në procesin zgjedhor amerikan. Përmes një deklarate, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Ullyot, tha se qeveria amerikane është gati për t’iu përgjigjur kërcënimeve duke përdorur të gjithë instrumentet e fuqisë kombëtare.

“Zgjedhjet e lira dhe të drejta janë gurëthemeli i demokracisë amerikane. Presidenti Trump dhe administrata e tij vazhdojnë të demonstrojnë një angazhim të vazhdueshëm për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve,” shkruan zoti Ullyot, pas deklaratës së shefit të kundërzbulimit amerikan, Bill Evanina. zëri i amerikës

Albimi i piktorit të shquar Avni Delvina kushtuar Presidentit Donald Trump në duart e Donald Trump Jr.

Voal.ch – Piktori i shquar shqiptar Avni Delvina ka hapur disa ekspozita me tema shumë pikante, duke mbajtur qendrim kritik ndaj politikës shqiptare.

Avni Delvina është fans i Presidentit Donald Trump. Ai i ka dedikuar po ashtu një ekspozitë me punimet e tij titilluar “The Donald”  të cilat pastaj i ka botuar në një album që siç e shohim nga fotografia bie direkt e në dorën e Donald Trum Jr. Është Evi Kokalari, një emër i njohur nga komunitetit shqiptaro-amerikan e përfshirë në fushatën elektorale që ia ka dorëzuar në dorë si dhuratë nga artisti.

Avni Delvina në rrjetin social i shpreh Evi Kokalarit mirënjohjen:

“Nje kenaqesi dhurimi i Albumit te Ekspozites time “THE DONALD”, djalit te Presidentit te USA, Donald Trump Jr. ….Nje flm nga zemra mikes time Evi Kokalari !”

 

SHBA – Vdes gjenerali Scowcroft, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare

Brent Scowcroft, gjenerali pragmatik me tre yje i cili shërbeu si këshilltar i sigurisë kombëtare për presidentët republikanë Gerald Ford dhe George H.W. Bush dhe më vonë kritikoi politikat e luftës të Presidentit George W.Bush për Irakun, vdiq të enjten. Ai ishte 95 vjeç.

Scowcroft, anëtar i komisionit presidencial që hetoi skandalin më të madh të presidencës së Ronald Reaganit dhe arkitekt i Luftës së Gjirit të vitit 1991 nën Presidentin George H.W. Bush, vdiq nga shkaqe natyrore, sipas një deklarate të bërë të premten nga një zëdhënës i familjes Bush.

Scowcroft arriti gradën e gjenerallejtënantit të Forcave Ajrore gjatë një karriere ushtarake 29-vjeçare dhe për dekada me radhë ishte një zë me ndikim në sigurinë kombëtare të SHBA. Ai ishte një internacionalist i kujdesshëm (ai e quante veten realist), mjaft i afërt në pikëpamje me ish Sekretarin e Shtetit Henry Kissinger.

Scowcroft shërbeu si ndihmës kryesor i presidentit republikan Richard Nixon gjatë një kohe kur Shtetet e Bashkuara po kërkonin të dilnin nga Lufta e Vietnamit; më pas u bë këshilltar i sigurisë kombëtare në presidencën Ford nga viti 1975 deri më 1977 dhe pastaj i presidentit George H.W. Bush nga 1989 deri më 1993.

“Ai është thjesht i mrekullueshëm dhe kurrë nuk kërkon merita”, thoshte presidenti Bush i vjetër për Scowcroftin, pas fitores në Luftën e Gjirit në mars 1991.

Scowcroft, njeri fjalëpak dhe me gjeste tipike prej një perëndimori inteligjent, mbeti mjaft i lidhur me Presidentin George H.W. Bush dhe shkroi një libër me të në vitin 1998. Por ai nuk e miratoi qasjen “e njëanshme” të djalit të tij, Presidentit George W.Bush në çështjet botërore.

Scowcroft ishte këshilltar kryesor i presidentit gjatë Luftës së Gjirit në vitin 1991, në të cilën forcat amerikane, së bashku me një koalicion aleatësh, dëbuan trupat irakiane që kishin pushtuar fqinjin e pasur me naftë, Kuvajtin në gusht të vitit 1990.

Presidenti Bush vendosi ta linte udhëheqësin irakian Saddam Hussein në Bagdat, pasi forcat e Irakut u tërhoqën shpejt nga Kuvajti. Dymbëdhjetë vjet më vonë, djali i presidentit Bush i vjetër urdhëroi pushtimin e Irakut që rrëzoi Saddamin dhe çoi në ekzekutimin e tij, por i detyroi trupat amerikane të bënin atje një luftë të përgjakshme nga viti 2003 deri në 2011.

Në një intervistë për televizionin PBS pesë vjet më vonë, Scowcroft e shpjegoi kështu vendimin e administratës Bush i parë për të mos dërguar forca amerikane në Bagdad në vitin 1991 për të rrëzuar Saddamin:

“Asnjëherë nuk ishte synimi ynë për të rrëzuar Saddam Huseinin. Sikur të ishim përpjekur ta bënim këtë, Bagdadi do të ishte akoma edhe sot i pushtuar nga ne. Kjo do ta kishte kthyer një sukses të madh në një humbje mjaft të madhe dhe të përgjakshme.”

Në vitin 2004, Scowcroft i quajti luftërat e Presidentit Bush i ri në Irak dhe Afganistan një “aventurë të dështuar” duke e fajësuar presidentin se ishte “magjepsur” nga kryeministri izraelit Ariel Sharon.

Në vitin 2005, Scowcroft tha se vazhdimi i pranisë amerikane në Irak po e zhyste Lindjen e Mesme në flakë. Ai ishte që operacioni i SHBA në Irak t’i dorëzohej NATO-s ose Kombeve të Bashkuara.

I lindur më 19 Mars 1925, në Ogden të shtetit Juta, Scowcroft u diplomua në Akademinë Ushtarake të SHBA në vitin 1947 dhe më vonë mori një doktoratë nga Universiteti Columbia për marrëdhëniet ndërkombëtare.

Karriera e tij si pilot ushtarak mori fund në vitin 1949 kur avioni i tij P-51 Mustang u rrëzua në Nju Hamshër, duke e dëmtuar në shpinë.

Ai dhe laksione për historinë ruse në Akademinë West Point dhe drejtoi departamentin e shkencave politike të Akademisë së Forcave Ajrore, përpara se të niste punën në Pentagon në vitet 1960.

Guvernatori Cuomo hap shkollat e Nju Jorkut, kërkon kujdes

Marrë nga Associated Press

Guvernatori i Nju Jorkut tha të premten se ai do të lejojë fëmijët në mbarë shtetin të kthehen në klasa me fillimin e vitit të ri shkollor, duke përmendur si arsye për këtë vendim suksesin e shtetit në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

Njoftimi i guvernatorit demokrat Andrew Cuomo hap rrugën që shkollat të ofrojnë të paktën disa ditë mësimi në klasë krahas mësimdhënies në distancë. Nxënësve do t’u kërkohet të mbajnë maska gjatë gjithë kohës së qëndrimit në shkollë.

“Kudo në shtet, çdo rajon ndodhet nën pragun që kemi vendosur”, tha zoti Cuomo gjatë një konference me gazetarët duke iu referuar shifrave të përhapjes së virusit. “Nëse do të ketë rritje të infeksioneve apo shqetësim mbi nivelin e tyre vendimi do të rishikohet”, tha ai.

Shumë qarqe shkollore të Nju Jorkut kanë planifikuar ta fillojnë vitin duke pranuar nxënësit në ndërtesa për vetëm disa ditë në javë, ndërsa pjesa tjetër do të zhvillohet nëpërmjet internetit, në shtëpi.

Për më shumë se 1 milion nxënës të shkollave publike në qytetin e Nju Jorkut dita e fundit e mësimit në klasë u zhvillua më 13 mars, ndërsa një valë infeksionesh po mbushte spitalet e qytetit. Të gjitha shkollat në mbarë shtetin u mbyllën më 18 mars. Kryetari i bashkisë së qytetit, Bill de Blasio, ka thënë që nga pranvera se kishte si qëllim rikthimin e nxënësve në shkollë,duke shpenzuar sa më shumë kohë të jetë e mundur në klasë, por duke ruajtur distancimin fizik. Plani dukej jashtëzakonisht ambicioz. Edhe javët e fundit shumë shkolla në të gjithë vendinkanë hequr dorë nga planet për zhvillimin e mësimit në klasë.

Çikago, Los Anxhelos, Majami dhe Hjustoni, mes të tjera, kanë njoftuar se do ta nisin vitin e ri shkollor me mësimdhënie në distancë.

De Blasio, ndërsa paralajmëroi se mund ta ndryshonte kursin në çdo moment, shpresonte se shkalla relativisht e ulët e infeksioneve në qytet do të lejonte nxënësit dhe stafin të riktheheshin të sigurtë. Ai gjithashtu ka thënë se kthimi në klasë është jetik për rihapjen ekonomisë e qytetit që është penguar edhe për shkak se prindërit do të detyrohen të qëndrojnë në shtëpi me fëmijët e tyre.

Zoti Cuomo bëri të ditur se afro 750 qarqe të Nju Jorkut duhet ende të adresojnë çështje që lidhen me frikën e prindërve dhe mësuesve se shkollat mund të mos jenë të sigurta. Ai tha se do t’u kërkojë atyre të publikojnë planin e mësimit në distancë si dhe që të zhvillojnë “seanca diskutimi” me prindërit. “Ata duhet të komunikojnë me prindërit, t’u shpjegojnë planin dhe t’u përgjigjen pyetjeve të tyre”, tha zoti Cuomo.

Ndonëse ritmet e përhapjes së virusit kanë rënë, infektimet nuk janë zhdukur në New York. Rreth 10 mijë banorë të qytetit rezultuan pozitivë në korrik. Të mërkurën dy sindikata, ajo e Mësuesve të Bashkuar të Shtetit të Nju Jorkut dhe Federata e Bashkuar e Mësuesve, kërkuan protokolle më të qarta shëndetësore, ku të thuhet se shkollat duhet të mbyllen menjëherë brenda dy javësh, nëse ndonjë nga nxënësit apo ndonjë pjesëtar i stafit pedagogjik infektohet nga virusi. Mësuesit janë të ndaluar të bëjnë grevë në Nju Jork, por është e paqartë nëse një numër i madh mund të heqë dorë nga mësimi në klasë për arsye mjekësore ose thjesht do të refuzojë të punojë. Prindërit gjithashtu nuk kanë dalë me një vedim të qartë nëse do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë apo preferojnë mësimin në shtëpi nëpërmjet internetit.

Shkollat kanë kaluar verën duke përpiluar plane për sigurinë në klasë, duke grumbulluar pajisje mbrojtëse si dhe duke analizuar se si të ulin numrin e nxënësve në klasa e të fusin sa më pak nxënës në autobusët shkollorë. Zoti Cuomo kërkoi që të gjitha shkollat të paraqesin plane që detajojnë masat për rihapjen, duke thënë se shteti nuk do të lejojë asnjë shkollë që të fusë nxënës në shkollë nëse ka një plan të pasigurtë. zëri i amerikës

Nju Jork, Prokurorja e Përgjithshme padit NRA-në, kërkon shpërbërjen

Prokurorja e Përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut paditi të enjten Shoqatën Kombëtare të Pushkëve (NRA) dhe kërkoi shpërbërjen e organizatës së fuqishme që mbron të drejtën e armëmbatjes duke akuzuar drejtuesit e saj për devijim fondesh për përfitime të paligjshme.

Prokuroria e Përgjithshme Letitia James bëri publike padinë e zyrës së saj gjatë një konference për shtyp në Nju Jork dhe akuzoi drejtuesit e NRA-së se kanë shpërdoruar 64 milionë dollarë në tre vite për përdorim personal dhe kontrata për përfitimin financiar të bashkëpunëtorëve të ngushtë e familjarëve të tyre. Ata dyshohet se kanë firmosur kontrata fitimprurëse me ish-punonjës të organizatës për të garantuar heshtjen dhe besnikërinë e tyre në vazhdim.

Në aktpadi zonja James argumenton se katër të pandehurit, Zëvendës Presidenti Ekzekutiv Wayne LaPierre, ish-drejtori i Buxhetit dhe financieri kryesor Wilson “Woody” Phillips, ish-shefi i Personelit Joshua Powell dhe ish-drejtori i Operacioneve John Frazier, “kishin krijuar një kulturë keqmenaxhimi dhe kishin neglizhuar mbikëqyrjen e aktiviteve të paligjshme, arbitrare dhe me qëllime mashtrimi në NRA”.

Ndikimi i NRA-së ka qenë aq i fuqishëm saqë organizata ka operuar e pakontrolluar për dekada me radhë ndërsa drejtuesit e lartë të saj kanalizuan me miliona në xhepat e tyre“, tha zonja James, përfaqësuese e Partisë Demokrate. Ajo tha se organizata “është e mbushur me mashtrime dhe abuzime”, dhe kjo është arsyeja pse zyra e saj po kërkon shpërbërjen. “Asnjë organizatë nuk është mbi ligjin“, tha ajo.

Megjithëse selia e qëndrore e organizatës ndodhet në Virxhinia, NRA u themelua si një organizatë jofitimprurëse në Nju Jork në vitin 1871 dhe vazhdon të jetë e përfshirë në këtë shtet.

Duke folur para gazetarëve të enjten ndërsa po largohej nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Donald Trump e quajti padinë “një gjë tejet të tmerrshme” dhe tha se NRA-ja duhet të transferohet në Teksas, një vend që sipas tij ishte “i përshtatshëm” për organizatën.

Ndërkohë në kryeqytet në Uashington, Prokurori i Përgjithshëm ka paditur njëkohësisht fondacionin NRA, krahu bamirës i organizatës i krijuar për të zhvilluar programe mbi sigurinë e armëve të zjarrit, zhvilluar mjeshtërinë në qitje si dhe sigurinë në gjueti, duke e akuzuar atë për devijim fondesh tek NRA-ja për të paguar shpenzimet luksoze të drejtuesve të lartë të organizatës. zëri i amerikës

SHBA: Mbi 2 mijë të vdekur nga koronavirusi, brenda 24 orëve

Foto ilustrim.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar më shumë se 2,000 vdekje të shkaktuara nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Herën e fundit që Shtetet e Bashkuara regjistruan më shumë se 2,000 vdekje, në 24 orë, ishte më 7 maj.

Numri i të infektuarve nga koronavirusi në të gjithë botën është rritur në 19 milionë.

Brazili dhe Meksika raportuan mijëra raste të reja të të infektuarve dhe numër të lartë të vdekjeve. Brazili raportoi më shumë se 53,000 raste të reja dhe më shumë se 1.200 vdekje.

Numri i vdekjeve të koronavirusit në Meksikë ka arritur në 50,000, që nga fillimi i pandemisë.

Raportet vijnë derisa vendet evropiane vendosën kufizime të reja të udhëtimit dhe masa të izolimit, ndërsa është rritur frika për një valë të dytë të të infektuarve.

Në gjithë botën më shumë se 712.000 persona kanë vdekur nga sëmundja COVID-19.

India raportoi se ka arritur në 2 milionë numri i të infektuarve në këtë vend, dhe janë shënuar më shumë se 40,000 vdekje.
Masa të reja në vendet evropiane

Duke filluar nga data 8 gusht, Gjermania vendosi që banorët, të cilët kthehen nga zonat e caktuara të rrezikut, të testohen për koronavirusin e ri.

Autoritetet kanë thënë se rritja e numrave të të infektuarve ka ndodhur për shkak të njerëzve që udhëtojnë për pushime verore.

Austria ka njoftuar rreth planeve për të lëshuar një paralajmërim udhëtimi për Spanjën.

Finlanda, duke e quajtur situatën “jashtëzakonisht delikate”, gjithashtu prezantoi kontrolle të reja të udhëtarëve nga disa vende të BE-së, përfshirë Belgjikën dhe Holandën.

Britania ka rivendosur masën e vetizolimit për udhëtarët nga Belgjika. rel