VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Aleksandër Meksi: E vërteta e takimit Berisha-Nano, në Trieste dhe çfarë ndodhi në të

By | July 1, 2020

Komentet

Si mbeta mik me Mit’hat Aranitin… Nga Jozef Radi

Jozef Radi pyet Mit’hat Aranitin (1992)

Mit’hat Araniti dhe Lazër Radi, kanë ndarë bashkë kohë, jetë dhe fate të përbashkëta…!

Para Lufte, edhe Gjatë Lufte; Mbas Lufte edhe gjatë kohës së diktaturës, (Luftës pambarim të Klasave). Bashkë nëpër burgje, nëpër kampe interrnimi, nën vëzhgimin e rreptë të Sigurimit, gjithnji në luftë për të mbijetuar, po edhe për t’i mbrojtur ato vlera intelektuale dhe humane që ai brez idealistësh, jo vetëm i kishte ëndërruar po edhe kishte luftuar me shpirt për: Nji Shqipëri Ndryshe…!! Të dy patën burgje të përbashkëta, kampe të përbashkëta, të dy i patën gratë në burg të përbashkët, të dy i lindën fëmijët me vonesë, pse ishin në burgje e kampeve të përbashkëta antinjerëzore.

Punuan bashkë, e s’u dëshpëruan kurrë, iu bën krah njëri-tjetrit në sakrifica të shumta, edhe kur regjimi i ndante, mjaftonte qoftë edhe një fjalë, një buzëqeshje, apo edhe ndonji batutë e thanë ashtu kalimthi për ta kuptuar thellë njëri-tjetrin… Vetëm mbas ’90-ës, ma së fundi ata (Mit’hati dhe Lazri) patëm mundësi të takoheshin si dikur në rini të hershme: ashtu të lirë… e të flisnin haptas me njëri-tjetrin… e të vazhdonin ndër biseda, mendime e kujtime që kishin nisur prej kur s’mbahej mend… Tash kishin mbrenda vedit edhe at dhimbjen e madhe, se mosha s’u premtonte shumë as njenit as tjetrit…!!

Mit’hati ishte nji njeri i rrallë…

Me nji buzqeshje thuej të skalitun nën mustaqet legjendare, me nji humor elegant, me batutë të gatshme e të rafinuar, dhe nji kulturë të pakufi… Mjaftonte nji argument krejt i thjeshtë dhe me të mund të flisje pafund… duke t’i ba orët minuta…

Edhe pse në kufijtë e 80 viteve, shpirti i tij mbetej djaloshar, plot dritë, plot dëshirë edhe pse sëmundja, vuajtjet, hallet dhe mosha e kishin tejlodhë…

Kët intervistë të shkurtë, që mbetet ndër të rrallat, arrita t’ia marr me shumë mundim. Jo,se s’donte, po pse shëndeti tij shumë shpejt mori teposhtën. Mbas shumë bisedash e vizitash, ajo u krye, dhe i premtova ta fusja në botimet e “Arbërisë”, por s’munda… Mbas tre numrash ajo s’mundi të vazhdonte më tej… Por i botova 5 poezitë e tij, duke ia shtue paksa at buzqeshjen e tij eterne, fisnike…

Në vitin 1996, kjo intervistë u gjet e mundun dhe u trupzue, në përbledhjen me shkrime të tij, të botuara në shtypin e paraçlirimit me titullin “Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle…” – Phoenix. Kjo intervistë eskluzive, botohet për së pari! Cilido që e lexon e kupton se është thjesht dëshmi e nji fisniku nacionalist, prej atyre që i vijnë rrallë këtij vendi mosmirnjohës… dhe ikin në heshtje të pashpërblyer:

Nderime pafund për Mit’hat Aranitin…!

jozef radi, 13 korrik, 2013

 

 

“…Kam qenë thjesht nji ushtar i Nacionalizmit, për lirinë e Shqipërisë…!”

 

Kush është Mit’hat Araniti, nga kjo lartësi e moshës ku ndodheni?

Mit’hat Araniti: Siç e theksova edhe më sipër, kam qenë nji pjestar i thjeshtë i lëvizjes Nacionaliste, për lirinë e Shqipërisë. Mosha 80-të vjeçare më bën të konstatoj me kënaqësi, se pas kaq vitesh kjo lëvizje po vjen duke marrë gjithnji e më shumë ngjyrë…
.
Një pjesë e madhe e personazheve që kanë qenë në vorbullat e ngjarjeve historike, kanë vdekur dhe i kanë marrë me vete të vërtetat e tyre; nji pjesë tjetër edhe pse janë gjallë e kanë shkruar historinë sipas kutit të tyre, pra atyre s’u takon që ta rishkruajnë historinë… A mendoni ju se në jetën tuaj ka diçka për të cilën ka nevojë jo vetëm historia, por edhe ne, ai brez që e njohim aq pak historinë e vërtetë të Shqipërisë…?

Mit’hat Araniti: Historia është tërësia e ngjarjeve dhe bëmave të së kaluarës së nji vendi pak a shumë të gjerë. Të gjithë pjestarët e një bashkësie, bëjnë pjesë në formimin e historisë, ku me veprime, ku me fjalë e ku me shprehje, por asnjëri prej tyre veç e veç, nuk e determinon vetë historinë si tërësi… Nuk shtrohet pyetja nëse dikush e ka shkruar apo jo nji të vërtetë historike. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë me shkrime në formimin e historisë, kanë shkruar duke qenë edhe vetë në vorbullën e zhvillimit të ngjarjeve, kështu që i kanë shikuar dhe vlerësuar ato ngjarje me frymën e nji subjektivizmi të pashmangshëm… Pyetjes që ju më bëni unë mund t’i përgjigje se: Kam qenë veçse nji ushtar i thjeshtë i këtij zhvillimi! Vetëm pas kalimit të një kohe relativisht të gjatë, pasi të jenë zhdukur dhe fashitur pikpamjet dhe ndjenjat subjektiviste, mund të arrihet një cilësim objektiv, dhe zhvillimi i ngjarjeve të vlerësohet si histori…
.

Gjatë viteve ’30, ju keni qenë nismëtar i letërsisë dialektale, kryesisht nën pseudonimin Rrem Vogli, po edhe të tjerë… Ç’mund të na thoni për këtë frymë dhe cilët ishin ndjeksit e saj?

Mit’hat Araniti: Nëse kam qenë a jo nismëtar i letërsisë dialektale, është një vlerësim që s’më takon mua ta bëj. I shtytur nga nevoja e evitimit të një censure nga autoritetet, aty në fillimi i vitit 1932, nisa të shkruaja disa skeçe satirike në dialektin tiranas, duke goditur me sa mundja anë të ndryshme negative të shoqërisë së asaj kohe. Për kët qëllim përdora në revistat “Illyria” dhe “Bota e Re”, pseudonimin Rrem Vogli, dhe më vonë në rubrikën “Shkel e shko” pseudonimet, Jago Blini, Hë De, Ja që hë, Sufi Asmon Sufes etje. Në dialektin tiranas shkruanin edhe Ibrahim Hasnaj (Cen Qytyku), Mustafa Greblleshi (Liu Cakut), Xhemal Farka (Sula i Fajes), si dhe dialektin gjirokastrit Musine Kokalari (Muza). Efekti i këtyre shkrimeve ka qenë i ndjeshëm në at kohë. Në pjesën më të madhe ato u vlerësuan në mënyrë pozitive, sidomos prej elementin përparimtar dhe demokrat, si fshikulluese të injorancës së shoqërisë së asaj kohe, ndërsa qarqet e mehmurëve, u vlerësuan thjesht si shfaqje humoristike. Për të theksuar anën pozitive të këtyre shkrimeve, dua të përmend nji episod të vogël të ndodhur me intelektualin Rauf Fico: Në revistën “Illyria” ishte botuar shkrimi im “M’bonjat m’Nurrës”, në të cilin fshatarja Merjeme, e veshur me kostum banje, dhe me emrin e ri “Meri”, mundohet t’ia hedhë fshatarit Rrem Vogli, duke iu shitë si zonjë e rëndë. Rrema nuk bën tjetër veçse: “ush i thashë gomarit ne hika…” “Ush” ishte fjala që i kish bërë më shumë përshtypje zotit Rauf, dhe që ishte shprehja më e përshtatshme për t’i dhën cilësinë gjithë shkrimi tim…

Ç’përfaqësonte për Ju lëvizja nacionaliste e intelektualëve në kohën e pushtimit dhe çfarë përfaqëson sot… A mund të gjej nacionalizmi një shtrat të natyrshëm në luftën për demokraci?

Mit’hat Araniti: Lëvizja Nacionaliste e intelektualëve, ka qenë për mua gjatë gjithë kohës së pushtimit, baza, trualli, mbi të cilin duhej të punohej për çlirimin e Atdheut… Ajo përfaqson edhe sot nji shtrat të natyrshëm të luftës për demokraci në kushtet e Europës së sotme…
.
Duke pasur parasysh se në “Ballin Kombëtar” aderonte ajka e intelektualëve, a mendoni se mund të vij një brez i ri që ta përfaqësonjë denjësisht at idealin tuaj kombëtar?

Mit’hat Araniti: Tashmë dihet që në të kaluarën në “Ballin Kombëtar” ka aderuar ajka e intelektualëve, por ky aderim ka qenë i kushtëuar nga rrethanat e faktit të një pushtimi tërësor, ndërsa sot brezi i ri me ndjenja nacionaliste, gjendet i përfshirë në një sistem pluralist të demokarcisë, me synime të diferencuara…
.
Pjesmarrja Juaj në Mukje, mbetet gjthnji një kapitull i hapur për të vërtetën… A nuk mendoni se përçarja e nisur në Mukje vazhdon edhe sot e kësaj dite?

Mit’hat Araniti: Pjesmarrja ime në Mukje ka qenë e motivuar nga synimi i një bashkimi mbarëkomëtar. Përçarja e nisur në Mukje, sot nuk ekziston, por vazhdojnë vetëm disa fijëza trashëgimie të vetëdijshme ose të heshtura…
.
Cili qe pozicioni Juaj kur lufta kundër okupatorit devijoi në luftë civile?

Mit’hat Araniti: Duke qenë në radhët nacionaliste gjatë luftës çlirimtare, jemi munduar të formojmë një urë kalimi midis nacionalistëve dhe komunistëve… Kur lufta çlirimtare u kthye ne luftë civile, konseguent me mendimet e mia, unë mbeta dhe jam kundër vëllavrasjes…
.
A mendoni se komunistët ditën të përfitojnë jo vetëm nga “akademizmi” i Ballit Kombëtar, po edhe nga ajo frymë mospajtimi që ju kishit me Legalitetin zogist?

Mit’hat Araniti: Komunistët ditën, por edhe patën fatin të përfitojnë pikërisht nga ndjenjat atdhedashëse të nacionalistëve, lidhur edhe me evitimin e çdo dëmtimi të mundshëm të popullit shqiptar…
.
Pas lufte a e mendonit dënimin… dhe a e ndjenit veten fajtor kur ju dënuan?

Mit’hat Araniti: Nuk e kam menduar kurrë veten se mund të dënohesha pas lufte, sepse nuk mendoja se njeriu mund të dënohet dhe të quhet fajtor, pikërisht se vepron në të mirë të atdheut të vet…!!
.
Në ç’raporte u vendos diktatura me intelektualët? Në ç’raporte u gjendët ju me diktaturën duke pasur parasysh se ju jo vetëm ishit intelektual dhe shkrimtar, po edhe nji njohës mjaft i mirë i shumë gjuhëve të huaja?

Mit’hat Araniti: Fillimisht komunistët i përdorën intelektualët sipas nevojës dhe interesave të tyre utilitare… Më vonë tehu i diktaturës (lufta e klasave) u drejtua kryesisht kundra dhjetra e qindra intelektualëve të mirfilltë. Për të qenë të mbyllura të gjitha dyert e çdo manifestimi të ndjenjave dhe aftësive të tyre. Edhe njohja e disa gjuhëve të huaja, për ata nuk përbënte ndonjë rëndësi të veçantë, as diploma ime e juristit, as aftësia ime për të kontribuar në fushën e letrave. Diktatura kishte si qëllim kryesor: shfrytëzimin dhe shkatërrimin e personalitetit të njeriut…!
.
Nga njerëzit me të cilët keni jetuar dhe keni njohur, cili do të qe sipas Jush personifikimi i shqiptarit dhe i patriotit të vërtetë?

Mit’hat Araniti: Nga njerzit me të cilët kam jetuar dhe kam pasur nji respekt shumë të lartë, dhe që unë i konsideroja si personifikim i shqiptarit dhe i patriotit të vërtetë janë të shumtë… Ka ndër ta edhe ata që s’mundët të realizoheshin në diktaturë, por edhe që u shkatërruan prej saj… S’mundem të harroj në veçanti Mirash Ivanajn, Kol Tromarën, Selman Rizën, Suat Asllanin, po edhe plot të tjerë…
.
Për cilën gjë të jetës suaj keni vuajtur më shumë?

Mit’hat Araniti: Gjëja për të cilën më ka ardhur më keq në krejt jetën time është prishja e Marrveshjes së Mukjes. Nëqoftëse ajo Marrveshje do të që realizuar, Shqipëria sot do të kishte një pamje krejt tjetër.

Duke patur gruan prej familjeve më të njohura intelektuale, a mendon se keni ndarë një fat të përbashkët, në një fatkeqsi të përbashkët?

Mit’hat Araniti: Fakti që kam patur si shoqe jete: Agime Pipën, grua e pajisur me cilësi të spikatura, s’ka dyshim që ka qenë për mua një mbështetje e madhe… në përballimin gjithë vështërsive të asaj jete plot vuajtje dhe në mposhtjen me dinjitet të tyre…

Si avokat a do gjenit ndonji motiv ta mbronit komunizmin nëse të kërkohesh një gjë e tillë??

Mit’hat Araniti: Sa i përket komunizmit, atij s’i ka mbetur asgjë për t’u mbrojtur, sepse ai është i dënuar nga historia me zhdukje, deri edhe prej idhtarëve të vet të dikurshëm…
.
Në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, u vendos përfundimisht dhe arbitrarisht, dialekti i Jugut… bashkë me dhunimet njerëzore u bë edhe dhunimi i gjuhës shqipe… Si mendoni Ju, a mund të gjendej nji e mesme e artë?

Mit’hat Araniti: Kam qenë gjithnji i mendimit se nji gjuhë nuk formohet me vendime, por me anën e nji evoluimi natyral, d.m.th. është përdorimi i saj nga shkrimtarë të ndryshëm që e përligjin në mënyrë të natyrshme atë, duke imponuar një trajtë ose një tjetër gramatikore, pranimin e një fjale ose një tjetre, pavarsisht prej dialektit që ato i përkasin…
.
Sot lufta për pushtet është shumë më e madhe se lufta për Shqipëri, dhe koha po e provon se intelektualët janë sërish viktimat e para edhe të demokracisë… A mendoni se nji shfaqje e tillë tregon se jemi në postkomunizëm?

Mit’hat Araniti: Është e vetvetishme! Kur luftohet për pushtet, edhe mbas përmbysjes së një diktature, viktimat e para do të jenë përsëri intelektualët, sepse janë pikërisht ata që shfaqin në mënyrë më të qartë mendimet për mbrojtjen e demokracisë, por kjo s’do të thotë aspak, se po futemi në postkomunizëm…

A mendoni se një kuvend mbarëkombëtar, ku të merrnin pjesë të gjitha forcat intelektuale, brenda dhe jashtë Shqipërisë do të ishte nji shans historik për shpëtimin e saj?

Mit’hat Araniti: Jam plotësisht i bindur se një kuvend mbarëkombëtar ku të marrin pjesë të gjitha forcat intelektuale, brenda dhe jashtë vendit, mund të jetë një shans për shpëtimin e shpejtë të saj: por praktikisht një gjë e tillë do të ishte shumë e vështirë…
.
Vazhdimisht e keni përmendur aktin e Bedri Spahiut, ndjesën dhe transformimin e tij. A mendoni me të vërtetë se tek ai ka ndodhur diçka e tillë? A mendoni se një ndjesë e formale e njerzve të krimit, përbën nji akt fisnik?

Mit’hat Araniti: Të them të vërtetën akti i Bedri Spahiut, me të cilin ai kërkon falje publike për të gjitha ato që ka bërë, më ka lënë një përshtypje të madhe. Me gjithë peshën e rëndë të krimeve të pranuara prej tij dhe me gjithë dyshimin se akti në fjalë mund të ketë qenë veçse formal, unë personalisht jam i mendimit se atij i ka mbetur një grimë burrërie dhe mbetet gjithmonë vend për të formuluar hipotezën, se një gjest të tillë sikur ta kishin bërë ose ta bënin të gjitha ata “pezzi grossi” me gjokset e mbushura me medalje dhe me pozita të larta, do t’i sillnin një shërbim mjaft pozitiv Atdheut.
.
Nëse do ta fillonit jetën edhe një herë nga e para, kujt do t’i përkushtoheshit me gjithë shpirt?

Mit’hat Araniti: Sikur ta filloja jetën dhe një herë nga e para, padyshim që do t’i kushtohesha me gjithe shpirt Shqipërisë… dhe rruga e ndjekur prej meje do të ishte shumë më e qartë dhe më e sigurt, sepse do të kisha mësuar mjaft prej disfatave të pësuara…

.

Pesë poezi… sa nji thesar!

(Marrë nga libri “Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle… Phoenix, përgatitut nga Gjergj Zheji)

Nga Jozef Radi

Ato janë pak… për dikë ndoshta fare pak… pse janë vetëm pesë poezi, kur të tjerët mund të kenë vandakë me vargje… e vandakë me libra…

Vërtet janë pak, por jo edhe aq pak, sepse aty asht liria kur ndër duar ke prangat, aty asht dëshpërimi kur në shpirt ke shpresën, aty janë qiejt kur ti je mbrenda mureve, aty asht dhimbja kur në buzët e tua asht melodia, aty asht nata e erret e qelisë po edhe drita magjike e poetit, që kapërcen gjithçka dhe jeton përtej mureve të lagta, përtej çnjerzores, përtej nënshtrimit…

Po t’i numrosh thjesht s’bajnë ma shumë se pesë gishta t’nji dore, po ato janë shumë ma tepër se nji libër, pse janë poezi të vërteta, të nji njeriu të vërtetë në nji kohë të vërtetë, që ishte e përbindshme…!! Janë poezi të përjetueme thellë në kushtet e qelisë, të gatueme gjatë prej mendjes dhe shpirtit të nji intelektuali klasi, të nji patrioti të pazhurmët, të nji njeriu që edhe heshtjen e kishte po aq magjike sa të folunën, të nji përkthyesi nga ma të papërmendunit… edhe pse ka përkthye mbi 150 libra nga gjitha fushat e kulturës, të nji njeriu që dha gjithë jetën e vet, dhe kurrë njiher s’pyeti se ç’ka po i japin atij…

Në kushtet e mungesës së plotë të lirisë dhe shpresës, Mit’hat Araniti shkroi këto pesë poezi të vetme të jetës së tij… që mbas leximit askush s’mund me thanë se janë pak, sepse ato mbeten nji sfidë e vërtetë e inflacionit të hipokrizisë poetike të atyne pesëdhjetë viteve…

Prandaj ato s’janë pak, edhe pse janë pesë poezi, pse vlefta e tyne brenda nesh mund të shumfishohet… mjafton diçka fare e vogël… shpirti!
(Arbëria, 10 prill 1993)

Çaste burgu…

Me kaltërsin’ e qetë të syve tu një ditë
Me kaltërsin’ e thellë si det i qetë në maj
më buzëqeshe ëmbël me zemër të pafaj
sikur të ishe ëngjëll përftuar hije-dritë

Me rradhë ditë të tjera kaluan një nga një
në rrjedhën e pamatë të kohës pa mbarim
porsi nji çast i vetëm në tërë kët amshim
një buzëqeshje e vetme dhe tjetër asgjë.

E di nëse krahrori të rreth gjithmon për mua
a vallë në zemrën tënde një tjetër ndjenjë u zgjua
në çastet ëndrrimtare mendimin s’ma mundon

Me kaltërsin’ e ëmbël të syve tu të qetë
në buzëqeshjen tënde që prap më kthen në jetë
unë prehem dhe gëzoj… më shpirti s’më kërkon!

Tufan…

Potershëm përjashta tufani tërbon
në natën e zezë si shpirt’i njeriut
dhe degët kërcasin si zë që rënkon
te fshikur furishëm prej erës dhe shiut

Me rradhë një nga një tërë dritat u shuan
dhe terri tmerronjës ka rënë mbi qytet
një dritëz e vetme akoma po ruan
dhe ngrohët ngushllon me flakën e vet

E njëjtë një dritë këtu brenda përgjon
dhe mes nji tufani keq epshesh shpërthyer
simbolesh përmbysur të ndrisi vazhdon.

Në mijra krahrorë rri ndezur kjo dritë
që terri s’ka shojtur, rënkimet ushqyer
janë mijra krahërorë që presin nji ditë!

Hymn

Mure, mure rreth e rrotull mure
Tiran, ti varrin i pregadite lirisë
hekur, hekur, kudo hekur thure
tiran, prangat i farkëtove njerzisë.

Pandehe të shuash etjen për liri
frymën që ushqen në botë çdo krijesë
gjënë më të shenjtë që ka çdo njeri
Dhe për hir të asaj që pranon të vdesë.

Mure, mure rreth e rrotull mure
tiran fuqizove etjen për liri
hekur, hekur, kudo hekur thure
tiran u dhe shkas fatosave të ri.

Aq sa mundet era të pushojë zjarrin
sa mërgimi mallin që kemi në gji
po aq mundën prangat shpresën të na marrin
të na shuajnë etjen, etjen për liri.

Mure, mure rreth e rrotull mure
tiranë do rrafshoheni një ditë me tërbim
hekur, hekur, kudo hekur thure
tiranë do shpërthehen një ditë me rrëmbim.

Atherë do buçasë kënga e lirisë
në çdo kënd të botës, kudo që të jetë
Pa mure, pa pranga, pa frik’n e robrisë
Njeriu do të jetë njeri i vërtetë!
Wynn Bullock – Dielli, Fotogram, 1970

Wynn Bullock – Dielli, Fotogram, 1970

Rreze dielli

Lehtë drithëruar, sikur ta ket ndjerë
që edhe ajri i mbyllur brenda kësaj qelie
eshtë ajr i dënuar, i çveshur çdo lirie
dhe ka shok të vetëm një njeri të mjërë

Nga dritarja ime, nga dritarja vrimë
lart atje mbi mure sa s’arrin me dorë
nëpër gardh’n e hekurt thurur tërë katrorë
hyn një rreze dielli dhe ngroh shpirtin tim.

Mes mureve të ftohta, hapsirës plot lagshti
udhë-tymi kaltëruar, plihur i praruar
shkon dhe përkundruall, mbi murin e shkretuar
katrori i ndezur ar, shkëlqen plot magji.

Ndarë nga bot’e tërë, në heshtjen e vetmisë
larg zërave të dashur, fytyrave që dua
larg çdo rrahje zemre, që rreh dhe për mua
mes hijeve të ftohta, mes mureve të qelisë

Një valë mallëngjimi më rrëmben fuqishëm
dhe tretem në soditje. Dalngadalë pastaj
mua mendja m’arratiset dhe lehtë mbi krahët e saj
lëshohem në hapsirë, e bredhërij hareshëm…

Ndajnatë…

Ndajnatë kur mbi natyrë zë ungjet tis’i muzgut
dhe tej nga horizonti ndezur flakëruar
mijë ngjyrash në venitje, diell’i perënduar
hedh një “lamtumirë” mbi kangjellat e burgut

Një ndjenjë e paemër, diçka si dhembshuri
si ngjyrë në venitje, e vakët e pa caktim
pret dritën që po vdes, për ditën pambarim
thuaj shpres’e ime fundit, më shtrëngon në gji

Por vetëm për një çast, se thellë shpirtit tim
Një flakë që është shuajtur, një flakë që përvëlon,
ushqen një tjetër ndjenjë, ushqen një besim!

Pandalshëm do vijë dita, më kot errsira vuan,
si diell’i perënduar, që diell përsëri agon
ashtu dhe flakën time s’ka natë që e shuan…

(Arbëria, 10 prill 1993)

*
Këto poezi antologjike të Mit’hat Aranitit, nji prej intelektualëve të njohur të viteve ’30, dhe nismëtar i letërsisë dialektale, me pseudonimin e tij të famshëm “Rrem Vogli prej Rrashbulle”, janë shkrue gjatë periudhës së tij burgut 1945-1955. Dy prej tyre janë sonete. Ajo çka vlen për t’u shënue në këto poezi te ralla, asht fryma e shpresës dhe lirisë se nji i intelektuali të thellë dhe largpamës… Edhe pse ai ndodhej në qelitë e lagshta të burgut… shpirti i tij asht i lirë…
Këto janë të vetmet poezi që ai pat shkrue dhe mbeten perla të poezisë shqiptare… jr

PERIKOPEA E UNGJILLIT TË SHEN MATTEOS SHKRUAR NË GJUHËN SHQIPE NË SHEKULLIN XIV – Nga Lutfi ALIA

Shkrimet më të herëshme në gjuhën shqipe nuk i përkasin krijimtarisë letrare, por përkthime të doreshkrimeve fetare dhe te Ungjillit të përdorura nga kerikët në shërbimet liturgjike. Shkrimet e para janë realizuar nga klerikët me alfabetin latin në trojet veriore, ku ushtronin aktivitet kisha katolike, ndersa në jug të trojeve arbërore, nën ndikimin e kishës bizantine – ortodokse, shqipja shkruhej me alfabetin grek, si rezulton në Perikopea e shekullit XIV.

Shkrimi i vjetër në shqip me alfabet latin (fragment i fromulës së pagëzimit i vitit 1462, i Imzot Pal Engjelli), është i përfshirë në kodin 1107 në fondin Ashburnham, në Bibliotekën Medicea Lauren­tiana – Firenze, i zbuluar nga Nicolae Jorga, i cili e publikoi ne “Notes et extraits pour servir à l’Histoire des croisades au XV siècle – Shënime dhe ekstrakte të shekullit XV në shërbim të Historisë së Kryqëzatave. Bucarest, 1915, f.195). Prof. Mario Roques, historian i letërsisë mesjetare, thekson se fragmenti në gjuhën albaneze është shkruar në Durrës. (Mario Roques. Romani de Paris, Nr. 205- 206, Janvier-Avril 1926, f. 162-164). (Fotaq Andrea, Pena të arta franceze për shqiptaret 1332-2007, Editions Prind, Tiranë, 2007

Shkrimi më i vjetër shqip me alfabetin grek është Perikopea e shekullit XIV, ku është një fragment i marrë nga Ungjilli i Shen Matteo. Ky dorëshkrim ndodhet në Bibliotekën Ambrosiana në Milano. (Latinisht Pericope, term me origjinë nga greqishtja: περικοπή, nga περικόπτω: περι – rreth dhe κόπτω – me prerë, pra perkufizon një shkurtimore teksti).

Njoftimin e parë për Pericopea në gjuhën shqipe e dha At Sofronio Gassisi, i cili e zbuloi ne vitin 1912 ne kohën kur prefekt i Bibliotekës Ambroziane, ishte At Akile Ratti, që më pas u zgjodh Papa Pio XI. At Gassisi kërkoi një riprodhim fotografik të tekstit, të cilin ia dërguan me një shënim të At Ratti ku shkruan: Të dhënat janë në Katalogun T I, pagine 147. [Codex] 133 (B. 112 sup. olim T 360), madje i thekson se ky tekst është shtesë ne doreshkrimin origjinal. Këtë zbulim At Gassisi ia tregoi Mitat Frashërit, i cili e bëri lajm publik. At Gassisi vdiq ne vitin 1923 dhe studimi i tij humbi, por u ruajt riprodhimi fotografik i tekstit. (Nilo Borgia. Pericope Evangelica in lingua albanese del secolo XIV. Grottoferrata 1930.

 

 

 

 

 

At Sofronio Gassisi                         Murgu Nilo Borgia (Borshi)

(1873 – 1923)                                        (1870 – 1942)

 

 

Në katalogun e Bibliotekes është shkruar: Chartac. cm 23,3 -15,3… secol. XIV: f. 63 item frustum, continet verso, ex alio libro, fragmentum quod inscribitur – εύαγγέλιον άρβανείτιχον (sic) τής μεγάλης παραοχ (εν) ής σοφία όρϑή, etc; “recto” autem notas musicas. Është fragment teksti, ndërsa në faqen e pasme janë shënuar notat e muzikës. Dorëshkrimi është në greqisht (Catalogus Codicus Grecorum Bibliothecae Ambrosianae Mediolani MCMVI. Volume 1. Digesserunt Aemidius Martini Et Dominicus Bassi. Milano. Febbraio 1906), por asnjë studiues nuk e kish identifikuar se një fragment shkrimi me germa greke ishte në gjuhën shqipe.

Zbulimi i Perokopesë në gjuhen shqipe i Ungjillit të Shen Matteeo, i shkruar me germa greke, i dedikohet arbëreshit At Sofronio Gassisi, i lindur në komunën Contessa Entellina, e njohur dhe me emrin Kudessi – Kudhësi, pra vendbanim arbëresh me origjine nga Kudhësi i Provincës së Himarës. At Gassisi ishte Këshilltar i Kongregacionit të Kishave të Lindjes dhe nga viti 1920 priori i Abacisë të Grottaferrata, por kryente dhe detyrat e bibliotekarit dhe të arkivistit. Ishte njohësi më kompetent i greqishtes së vjeter, me kontribut të madh ne studimet e traditës manastiriale të Abacisë dhe të dorëshkrimeve të lashta në greqishten e vjetër.

Pas dëshmisë në arkivën e Raguzës, i 14 korrikut të vitit 1285 për gjuhën shqipe (Thallòczy, Jireček, Šufflay. Acta et Diplomata Res Albaniae, mediae aetatis illustranti. Vol I Annos 344 – 1343. Vindebone 1913), ekzistenca e shkrimeve në gjuhën albaneze në shekullin XIV dëshmohet nga Gullielmus Adae, Ipeshkëvi i Tivarit, i cili në “Directorium ad passagium faciendum” në pseudo Brocardo thekson: “Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tanem litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris”. (lib. I, parte VIII, anno 1322). Nga kjo dëshmi e viti 1322 qartësohet se albanezët flisnin gjuhën e tyre, që ishte e ndryshme nga e të tjerëve dhe se kishin librat e tyre të shkruara në gjuhën albaneze me germa latine.

Në shekujt XV – XVIII, shkrimet në gjuhën arbërore u shtuan, me formulën e pagëzimit, me përkthime të Ungjilleve, me meshare, me katekizma dhe me poezi fetare te dedikuara shenjëtorëve, madje dhe me poezi origjinale të klerikëve arbëror, kësisoj literaturës fetare në latinishte dhe në greqishte, iu shtuan shkrimet në gjuhën amëtare, njëlloj si ndodhi me popujt e tjerë europianë. Duke e krahasuar periudhën kohore të dy dorëshkrimeve të herëshme në gjuhë shqipe, me shkrimet e vendeve të tjera europiane, gjejmë përafërsi kohore, çka tregojnë se Albania ishte pjesë integrale e Europës perëndimore. Shkrimet e para në gjuhën angleze janë të viteve 449 – 1100 (tekste agiografike, përkthime të biblës, poema epike, kronika historike); në gjuhën vulgare italiane i perkasin vitit 960, ndërsa pas vitit 1200, filluan shkrimet letrare në italishte, që zëvendësoi latinishten; gjuha gjermane në vitet 750 dhe 1050; sllovenishtja në fund të shekullit XI, gjuha portogeze në shekullin e XII, hungarishtja në shekullin XI, gjuhët kroate dhe polake dokumentohen në shekullin XIV, rumanishtja dokumentohet e shkruar në vitin 1521; letonishtia me një katekizëm të vitit 1585; lituanishtja në vitin 1545 me përkthimin nga latinishtja të një himni; finlandishtja e shkruar për herë të parë në shekullin XVI; sllovakishtja ne vitin 1636, etj.

Sipas dorëshkrimeve antike, nga shekulli IX dhe në vazhdim, në meshën solemne të Pashkës, Perikopea e Ungjillit të Shen Gjonit, këndohej në gjuhën greke nga Patriarku, ndërsa arçidiakono e vzahdonte në gjuhen latine. (Dimitrewskij. A. Opisanie Liturgjistseskij Rukopise. Tome I, TYΠIKA. Kiev 1901). Në Konstanti-nopoj, në Antiokia, në Aleksandri dhe në Romë, liturgjia kryhej në gjuhën greke, ndërsa ne Egjypt, ne Siri, ne Mesopotami ritet liturgjike kryheshin në gjuhën e vendeve të tyre. Shërbesat dhe litugjia dy gjyhësore, praktikoheshin dhe në kishën katolike, pasi kishte klerikë madje dhe shenjtorë që nuk e njihnin gjuhën greke, kështu Shen Antonio nuk e njihte greqishten dhe kur u takua me dy filozofë grekë komunikoi me përkthyes, ashtu si Shen Prokopi Martir, e përktheu ungjillin në gjuhën siriane, sepse gjuha greke nuk njihej nga bashkeqytetarët e tij. (Nilo Borgia. Perikopea Evaangelica in lingua albanese. Grottaferrata 1930).

Në shekujt në vazhdim nuk mungojne njoftimet, se në shumë vende, Perikopea e Ungjillit e Shen Gjonit, në meshën e Pashkës këndohej ne gjuhën e popullit si thekson Nilles: Praedicationis evangelicae consensum per totum orbem ab Apostoliss uniformiter factum, licet diversis linguis et in remotis terrae partibus. (Nilles N. Kalendarium Manuale ultriusques Ecclesiae. loc. Cit. tom II, faqe 314 – 315: Oeni – Ponte. 1897).

Nga këto kritere ekleiastike nuk mund të bënin përjashtim të krishterët arbëror të dy kishave, si katolike dhe ortodokse. Arbërit e trojeve jugore kishin përqafuar kishën bizantine – ortodokse dhe si kuptohet ritet zhvilloheshin në gjuhën greke, por dhe në gjuhën shqipe, pa çka se kemi shumë pak dëshmi. Të mos harrojmë se kishte arbëror që shkruanin në gjuhën e tyre, ashtu si shkruanin në gjuhën greke, si arvanitit Nikola Masarites në shekullin XII, shkrimtar i shquar, që shkruajti në greqisht “Varri i Shenjtë në Jerusalem” dhe “Apostujt e Shenjtë të Kostantinopolit” (August Heisenberg. Die Grebeskirche und Apostelkirche zwei Basiliken Konstantins, Leipzig C. Hinrichs 1908). Masarrites është autori i poemës dedikuar Shen Pietrit dhe Shen Palit (Giuseppe Schirò Junior. Atti Istituto Veneto 1957). Historiani Giovanni Cantacuzeno dëshmon se Nikola Masarites ishte albanez. (Nicolae Jorga. Medaillons de histoire littéraire byzantine, I. Les historiens, in «BYZ», II, 1925, f. 292).

Si shprehet Giuseppe Schirò Junior në “Storia della litteratura albanese. Nuova Accademia Editrice. 1959, f. 69 – 72”, shkrimi në gjuhën arbërore i Perikopea i Shen Matteo, është burimi i një lumi, pasi kishte rrjedhur në errësirë prej mijëra vitesh, doli në dritë në një pergamenë, e ruajtur në Kodin Ambrosian 133, f. 63.

Teksti është me katërmbëdhjetë rrjeshta, i shkruar nga një klerik arbëror dhe është përkthimi në gjuhën shqipe i një fragmenti nga Ungjilli i Shen Matteo (XXVII, 62 – 66), por i shkruar me grafema të alfabetit grek. Kleriku arbëror (prift, apo murg), duke ndjekur kriteret e “Tyπikòn”, pjesën e tekstit të Ungjillit të Matteo e përktheu me qellim që kur ta këndonin në kishë, ta shqiptonin në gjuhën shqipe dhe të kuptohej nga besimtarët.

Është tekst i shkurtër, por me rëndësi të madhe në historinë e gjuhës dhe kulturës arbërore.

Nga analiza e tekstit, Nilo Borgia thekson: “Ky dorëshkrimi i çmuar i përket fillimit të shekullit XIV. Nuk e njohim prejardhjen, por me siguri duhet të jetë shkruar në ndonjë qytet të Shqipërisë së mesme, ku gjuha greke nuk ishte aq e përdorur sa në Epirin e poshtëm. Shkrimi ështe i realizuar në greqishten popullore, pa i dhënë rëndësi thekseve, pra teksti në shqip është shkruar me grafemat greke, ashtu si shqiptohet. Prifti apo murgu, ka përdorur alfabetin grek pa shenja diakritike, ka përdorur shpesh germën “η”, andaj shqiptimi i përkon bukur gjuhës shqipe. Nga riprodhimi grafik i tekstit, rezulton se është një kod muzikor, që mbështet sugjerimin tonë, se gjatë meshës, kleriku do ta shqiptonte Perikopenë në gjuhën albaneze dhe se muzika e Ungjillit nuk bazohet në numërin e rrokjeve dhe fjalëve, por në shqiptimin e saktë të fjalëve. (Nilo Borgia. Pericope Evangelica in lingua albanese del secolo XIV. Grottoferrata 1930).

Si kuptohet, kodi ku eshte shkrimi ne greqisht i Perikopea ne gjuhen shqipe, e kane sjelle ne Milano arberit qe emigruan, te detyruar nga reprazljet dhe persekutimet e hordhive osmane. Kur erdhen ne Itali, arberit moren meshare, kodike, ikona dhe çdo pasuri tjeter materiale dhe shpirterore, qe munden ta ruanin nga asgjesimi prej barbareve turqe.

Teksti nuk i perkon besnikërisht origjinalit të Ungjillit të Shen Matteo, madje ndonjë fjalë, apo pjesë fraze nuk gjenden në tekstin origjnal grek. Ky tekst ka disa veçori linguistike, që i shkojnë për shtat gjuhës shqipe të asaj kohe. Zbulimi i këtij teksti nxiti interesin e shumë gjuhëtarëve, glotologëve, filologëve, historianëve dhe paleografëve për të përcaktuar periudhën kohore kur ishte shkruar. Bazuar në aspektet grafike, tipin e pergamenës dhe karakteristikat e shprehjes, njohësit e gjuhës greke të vjetër – paleografët kanë konkluduar se pjesa e tekstit në gjuhën shqipe është shkruar në gjysmën e parë të shekullit XIV. Natyrisht kete konkluzion e dhne dhe At Gassisi dhe murgu Nilo Borxhia, dy klerikë ndër më të shquarit njohës dhe përkthyes të greqishtes së vjetër. At Justin Rrota, duke analizuar pjesë të “Pericopea Evangelica”, thekson: “Ekziston një traditë shumë e vjetër – ad immemorabili (sa nuk mbahet mend), se pas liturgjisë në gjuhën latine, mesha vazhdonte me leximin e ungjillit në gjuhën vernikolare (gjuha e popullit – albaneze). Kjo traditë më pas u ruajt vetëm në meshat e Pashkëve. (Justin Rrota. Shkrimtari me i vjeter italo-arberesh, Luke Matrenga 1592. Botimi I 1932, botimi II me 1939)

Teksti me germa greke dhe transkriptimi ne shqip nga Nilo Borxhia

 

Transkriptimi ne shqip i tekstit i realizuar nga Giovanni Schirò Junior.

 

Murgu arbëresh Nilo Borgia (Borshi), duke analizuar Pericopea Evangelica, thekson: “Bazuar në analizën e kujdesshme dhe krahasuese të grafemave, ky shkrim në gjuhën albaneze është i njëkohshëm me Pericopea dhe jo i shekullit XV – XVI, si thonë disa studiues.” (Nilo Borgia. Pericope Evangelica in lingua albanese del secolo XIV. Grottoferrata 1930). Nilo Borxhia (Borshi), murg i ritit ortodoks, i urdhërit basilian, filolog, teolog, shkrimtar, historian ishte njohës dhe përkthyes kompetent i dorëshkrimeve ne greqishten e vjetër, që ndodhen në Bibliotekën e Abacisë të Grottaferrata – Roma, ku ka shërbyer deri në fund të jetës.

Ky shkrim verteton se gjuha albanese në shekullin XIV, shkruhej në të dy dialektet kryesore dhe me dy alfabetet, klerikët katolikë shkruanin me grafema latine dhe ata ortodoksë me grafema greke, pra dëshmohet se kultura albanese dhe jeta shpirtërore konfensionale e popullit tonë në trojet veriore ishte nën ndikimin e kulturës latine – katolike, ndërsa në trojet jugore nën ndikimin e kultures bizantine – ortodokse.

Transkriptimi në shqip i shkrimit, fillimisht u bë me nxitim dhe pa kujdes. Paleografët nuk i kushtuan vemendje respektimit të normave filologjik, që sugjerojnë kujdes maksimal në respektimin e interpretimit të dorëshkrimeve të tipit scripta continua si është shkruar teksti i Perikopea, andaj dhe glotologët u keqinformuan për përmbajtjen e tekstit. Për të shmangur gabimet dhe interpretimet jo të sakta të më parëshme, Nilo Borxhia dhe pas tij Giuseppe Schirò Junior e rilexuan tekstin dhe i ndanë fjalët njera nga tjetra, kësisoj çdo shprehje grafike në shkrimin me germa greke, i dha kuptimin shqip, duke shtuar në kllapa germat shtesë të alfabetit shqip, për të cilat mungonte tingulli përkatës në gjuhën greke dhe që skriba arbëror nuk mund t’i shprehte në këtë dorëshkrim.

Nilo Borxhia dhe Schirò konstatuan se prifti, apo murgu që e ka përkthyer këte paragraf, nuk i ka qëndruar besnik versionit të Ungjillit të Matteo, por ka bërë përkthim të lirë, madje në ndonjë pjesë i kapërcen disa fjalë, ose i modifikon, andaj ndyshon me Ungjijt e tjerë. Kështu p.sh vizitën e priftërinjëve dhe të Farisejve te Ponco Pilati, prefekti i Xhiudea, e vendos pak a shumë në të njejtën orë, kur Xhiusepe Arimatea shkon te Pilati për të kërkuar lejen e varrimit të Jezu Krishtit, pra në mbrëmjen e ditës së premte, duke shtuar një epitet për Pilatin “Zotëri” (vargu 4), gjithashtu e kapërcen ditën e varrimit të vendosur nga roja i varrezës “deri në ditën e tretë”, e ndryshon në përkthim shprehjen e Ungjillit të Matteo “gabimi i fundit, është më i keq se i pari” duke e shkruar shkurt “isht më i keq ai i prapmi se i pari”, e shkurton frazën e fundit të shkruar nga Shen Matteo, duke e shprehur keq në gjuhën emëtare “si e pat mbyll me gurin te gjithe rojet (kustodhie)”, andaj frazën e vendos në kllapa, duke vepruar si në shkrimet e terminologjisë Helene.

Në anën e pasme të njejtës faqe të Kodit Ambrosian ku ishte shkruar fragmenti i Perikopea Ungjillore, është shkruar dhe përkthimi i dy vargjeve te një strofe celebrative të Ringjalljes të Krishtit, e njohur si kënga e Ringjalljes shumë e përhapur në kishën ortodokse arbërore, e kënduar në ditët e Pashkëve, deri në fund të periudhës të Pentekoste.

Edhe kjo strofë i përket të njejtës kohë kur është shkruar Perikopea Ungjillore, është shkrim me të njejtën boje e me të njejten kaligrafi si i pari, pra është shkruar nga i njejti klerik skriba, sigurisht e përkthyer në gjuhën shqipe po nga i njejti klerik. Megjithatë, thekson Schirò, varjanti në shqip është me tradicional, pasi kendohet masivisht në kishat arbërore. Ky aspekt shihet nga shkruesi i dorëshkrimit, i cili duke e përkthyer nga greqishtja dhe duke e shkruar tekstin shqip me germa greke, për ta përshtatur tekstin me melodinë, i ka shkruar vargjet me tre rrokje më pak, kështu vargjet me tridhjetë rrokje që është në greqishte, i ka shkruar me njëzet e tre rrokje në gjuhën shqipe.

 

 

Shkrimi ne greqishte dhe transkriptimi i strofës të këngës te Ringjalljes të Jezu Krishtit,

në kodin Ambrosian sipas Nilo Borxhia (1930).

 

 

Transkriptimi i strofës të këngës të Ringjalljes të Jezu Krishtit ne kodin Ambrosian,

sipas Giovanni Schirò Junior (1959).

 

Këngët kishtare këndoheshin nga besimtarët në kishat tona, madje albanezët që emigruan në Itali, kur u vendosen në trojet e reja, i ruajtën traditat, besimin katolik dhe ortodoks, madje në shumë komuna, banorët flasin gjuhën e të parëve ne dialektin arbërisht. Në vitin 1866, gjatë një vizite në komunën Roccaforzata në Provincën e Taranto në Pulia, një historian takoi një arbëreshe të moshuar ortodokse, e cila këndonte këngë në gjuhën shqipe, mes tyre dhe këngë kishtare. Ajo i deklaroi hitorianit italian, se këto këngë i kemi sjellë nga vendlindja dhe prej 400 vitesh i këndojmë në kishë, në festa dhe kremtime familjare ose kolektive. Njera prej tyre ishte kënga e Shen Lazarit, të cilën pasi e dëgjoi disa herë, historiani e transkriptoi dhe e botoi. (Primaldo Coco: Faggiano – Primo casale albanese nel Tarentino, Stab. Tipografico Pappacena, Taranto, 1929).

Teksti në arberisht i këngës te Shen Lazarit:

O Zoti, madhe Zoti

Se ka deka Lazarini

E Zoti nenja gjender

Vemmi Eklishi

E shohu Lazarini

E thirti Lazarin ngridu

E Lazari ngridi uperbissi

neng pavi, neng favi neng keshi.

Transkriptimi në shqipen e sotme:

O Zot, i madhi Zot

Ka vdekur Lazari

E Zot aty u gjende

Shkove në Kishë

Të shohish Lazarin

E thirre Lazar ngrihu

Dhe Lazari u ngrijt në gjunjë

Nuk shihte, nuk fliste, nuk qeshte.

PROFESOR BARDH SHIROKA – Kujtime nga Fritz RADOVANI

(1932 – 2006)

Bardhi i bardhë si kmisha që ka veshë në dukje e, në Shpirtë gjithë jeten!

Ata që e njohën afer perjetë të jetës nuk e harrojnë buzqeshjen e Tij aq të ambel sa kishte fjalen, e deri tek shterngimi burrnor i dorës së paster.

Ishe fëmijë kur e njohta prej vllaut të madh Alfonsit, me të cilin ishin të një moshe, shokë po, dhe të asaj brezni studentash që e paguene me jetë  persekucionin e terrorizmit komunist në Shkodren e masakrueme…

Vetem me kujtue emnat e kriminelave vrastar Zoji Themeli, Hilmi Seiti e ish hetuesit korçar Skender Villa, drejtor i Gjimnazit Shkodres, mjafton me kuptue se shka ka kalue rinia shkodrane, e panjollosun me sigurimin.

Bardh Nik Shiroka ishte nder studentat e shkelqyeshem nder mësime, kur me 10 maji 1950 u arrestue grupi i studentave të Shkodres. Bardhi e perfundoi Gjimnazin, po nuk mujti me i shpetue arrestimit mbas atyne pak viteve që ishte ushtar në repartin ushtarak të Beratit, me 4.7.1955.

Dëshira e madhe e sigurimit komunist per me prangue dhe torturue dhe Bardhin si të gjithë shokët e Tij, nuk ishte plotsue pa e pa në birucat e sigurimit të Shkodres, ku zhvilloi hetimet. Gjykata e Shkodres drejtue nga toger Faik Spahiu, nuk u kursye me fillue akuzen kunder Bardhit, me “shkollen françeskane të Shkodres, dhe me vazhdue me perpjekjen e Tij, per me rrëzue pushtetin komunist…” vetem me llafe e shpifje ashtusi, ka kenë gjithmonë per 47 vjetë dhe procedura e “drejtësisë sonë popullore” antidemokratike. Akuzat ishin ato të grupit studentave të vitit 1950…

Akuza që randon Bardhin në dënimin e Tij asht gjoja “pjesmarrja e Tij në një organizatë kriminale studentore, që kerkon me rrëzue pushtetin…”

Këta veprime të dhunshme të sigurimit baheshin per me justifikue para opinjonit Shkodres, shifrat nalta të dënimeve të randa, si rasti i Bardhit, që u dënue 10 vjetë burg, me punë të detyrueshme nder kampe shfarosje.

Vendimi i dhanun me 19 Tetor 1955 nga gjykata e Shkodres, u aprovue me 23 Nandor 1955 nga Gjykata e Naltë në Tiranë, me kryetar Mustafa Qilimi, dhe antar Hilmi Telegrafi dhe Sotir Spiro, tue firmosë origjinalin.

Pafajsia e Bardh Shirokës vertetohet nga lirimi i Tij mbas 7 vjetësh burg, me 24 Gusht 1962. Sikur akuzat ndaj Tij të kishin vetem një rresht nder të gjitha fletët të vertetë: Bardh Shiroka nuk delte nga burgu as mbas 20 vjetësh tue Ju persëritë dënimet nga 20 e 25 vjetë, mbas dënimit të parë. Kjo praktikë asht ndjekë me disa mija vetë të ridënuem nder burgje.

Bardh Shiroka (28 Shtator 1932 – 10 Maji 2006), ishte nder figurat ma të nderueme të inteligjencës së qytetit të Shkodres, gja per të cilen, kur  unë në vitin 1991, ishe në kryesinë e BSPSH, dhe kerkova nga Nenkryetari i Këshillit të Ministrave të Qeverisë provizore, zotni Gramoz Pashko, formimin e “Shoqatës së të Perndjekunve Politik të Shqipnisë”, gja që Ai e aprovoi mbrenda 4 ditësh dhe, na njoftoi nga Tirana per zgjedhje të një Kryetari, unë ju drejtova Bardh Shirokës, tue Ju lutë me marrë atë detyrë. Bardhi nuk e pranoi, tue u justifikue me gjendjen shndetsore jo të mirë. Atëherë me që nuk i lente gja mangut Bardh Shirokës, qytetari po aq i njoftun Lin Martini, Ju drejtova Atij, tue rikujtue edhe një thanje të At Mëshkallës per Te: “Nder të rijtë e burgosun aso kohe në Burrel, asht kenë dallue me gisht per qendrimin e tij Lin Martini!” Kjo ishte garanci e plotë per detyren që po i kerkojshe. Me vështirsi e pranoi, tue Ju lutë edhe Karlet Luka, Dedë Gjonmarkaj. Dhe, Emni i Linit mbeti i nderuem!

Arsyeja e vertetë e kundershtimit Tyne, nuk ishte se Ata nuk e donin që të formohej ajo Shoqatë, po ishin shumë pesimistë per drejtuesit e Shtetit…

Sot mbas gati 30 vjetësh… Kur asnjeni nuk jeton ma, u mundova me Ju rikujtue Popullit të Shkodres Emnat e Nderuem t’ Atyne Burrave, që nuk e dij a i vijnë ma Asaj Shkoder… Vertetë që Ata vuejtën si Krishti, po në Themelet e Rozafës, Ata shkruene Emnat e vet me shkronja t’ arta!

Nderim e Lavdi të Perjetëshme kujtimit t’ Atyne Burrave..!

            Melbourne, 14 Gusht 2020. 

 

Rrëfimi i ish-kryehetuesit: Enveri dha urdhrin që të arrestohej Kadare. Ja ku mbështetej

Një ndër njerëzit në listë dhe që sipas tij “i kishte ardhur radha”, ishte Ismail Kadare. Ish-kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, i cili shërbeu në këtë post për 10 vjet, dëshmon se për shkrimtarin ishte përgatitur më e keqja: ekzekutimi.

Ishte vetë Enver Hoxha që i kishte artikuluar këto fjalë përpara tij, Ramiz Alisë dhe Hekuran Isait.

“I është rritur shumë mendja. Të shkojë me të tjerët në qeli. Të hanë dhé! Të shkojnë në hale të gomerëve!”, kishte thënë Enver Hoxha në një takim të 27 shtatorit 1982. Të gjitha këto dhe ngjarje të tjera, Qemal Lame i tregon në librin e tij “Dritëhijet e kohës:

Letërsia dhe arti në diktaturë. Përndjekja e Ismail Kadaresë”, botuar nga shtëpia botuese “Neraida”. Më poshtë, takimi me Enver Hoxhën dhe dilemat e kryehetuesit.

Transmetimi i urdhrave dhe porosive të Enverit te Sigurimi e Policia, bëhej nëpërmjet sekretarit të Komitetit Qendror te ministri, Kadri Hazbiu e më pas Feçor Shehu, Hekuran Isai.

Ministri i Brendshëm kishte në vartësi direkte Sigurimin e Shtetit. Transmetimi i urdhrave te kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm bëhej nga ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, e më pas nga Feçor Shehu, Hekuran Isai, Simon Stefani. Enveri kishte në metodën e tij të punës në dhënien e urdhrave, pasi njihej me ngjarjet e rëndësishme, vlerësonte dokumentet dhe interesohej direkt te personat më të besuar për marrjen e mendimeve të tyre personale.

Merrte mendime nga disa persona. Marrja e mendimeve nga çdo person kërkohej të mbetej e fshehtë. Asnjeri nuk kishte të drejtë të bisedonte e të vinte në dijeni persona të tjerë për urdhrat, porositë apo mendimet, shënimet me shkrim ose raportet e dërguara ose të diskutuara me Enverin. Në përfundim, ai diskutonte e analizonte në rreth të ngushtë dhe vendoste përfundimisht.

Kur vendoste, nuk donte diskutime apo ide të tjera. Kërkonte dhe priste sa më shpejt që të ishte e mundur vetëm zbatimin e urdhrit. Në këtë rast, për hetimin e komplotit dhe të dhënat hetimore e agjenturore, Enveri ndiqte çdo ditë hetimet nga raportimet e Ramizit. Në disa raste, edhe të Ramizit bashkë me Hekuranin.

Hekurani vinte në dijeni Ramizin çdo pasdite, në Vilën 29, (cilësohej si Shtëpia e Partisë), në takimet në orën 18:00. Enveri kishte njohur dokumentet dhe kishte biseduar me Ramizin dhe Hekuranin më parë se të bisedonte në telefon me mua për Ismail Kadarenë. Mendimi im kërkohej të ishte profesional mbi zbatimin e kërkesave ligjore në dokumentet për arrestimin.

Unë vetë duhet të kisha të qartë mendimet e përfundimet e secilit dhe ato të arritura bashkërisht nga Enveri, Ramizi e Hekurani.

Dokumentet për arrestimin e Ismail Kadaresë

– Procesverbali i pyetjes së të pandehurit Llambi Ziçishti

– Procesverbali i pyetjes së të pandehurës Fiqiret Shehu

– Procesverbali i pyetjes së të pandehurit Skënder Shehu

– Procesverbali i pyetjes së të pandehurit Bashkim Shehu

– Procesverbali i pyetjes së të pandehurit Nesti Nase

HEZITIMET E KRYEHETUESIT PËR TË ARRESTUAR ISMAIL KADARENË

Urdhri i Enverit ishte i qartë, detyrues dhe i padiskutueshëm. Problem i madh ligjor ishte bindja ime se urdhri nuk bazohej në prova ligjore, të besueshme për origjinalitetin e objektivitetin e të dhënave dhe fakteve të fiksuara në dokumentet e Hetuesisë e të Sigurimit të Shtetit, si dhe nuk krijonte bindje për drejtësinë e zbatimit të masës së rëndë, të arrestimit të shkrimtarit Ismail Kadare.

Urdhri i prerë i komandantit për arrestimin e Ismail Kadaresë, më tronditi thellë. U vura konkretisht para përgjegjësisë profesionale e ligjore, si dhe asaj disiplinore e morale si ushtarak.

Vihesha në provë si kuadër i lartë shtetëror për besnikërinë, korrektësinë në zbatimin e urdhrave e porosive, aftësinë për të marrë përsipër përgjegjësi dhe karrierën e pasojat në të ardhmen.

Realizimi i kësaj detyre ishte përgjegjësi e madhe personale në respektimin e zbatimin e Kushtetutës e të ligjeve, si dhe të pasojave për shtetin, shoqërinë, deri edhe vetë shkrimtarin e familjen e tij.

Marrja e një vendimi të drejtë nga ana ime kushtëzohej nga faktorët subjektivë që vareshin nga ndërgjegjja në zbatimin e detyrave dhe nga faktorët objektivë që kushtëzoheshin nga parimet kushtetuese, ligjore, ushtarake e administrative. Ismail Kadarenë nuk e njihja dhe nuk kisha treguar interesim për ta njohur. Kjo ishte një bazë e mirë që më lehtësonte edhe nga sentimentalizmat e vetëkuptueshme, kur një person e njeh nga afër dhe vihesh para përgjegjësisë së detyrës për të marrë një vendim arresti. Në ndërgjegje isha i qetë, për arsye se në formimin tim dhe në veprimtarinë shtetërore nuk ndikonte sentimentalizmi.

Problemet i analizoja me objektivitet e përgjegjësi personale e ndërgjegje juridike të lirë e pa u ndikuar. Nuk ndikohem nga njohja, shoqëria, miqësia, familja, të afërmit etj. Marrjen e vendimeve procedurale e bazoja në kriteret ligjore, fajësinë e bazuar në ligj e në dokumente, dobinë për hetimin, dërgimin për gjykim të çështjeve të hetuara me objektivitet, në gjerësi e thellësi që të garantohej, po ashtu, gjykimi objektiv dhe dënimi i drejtë e i merituar sipas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

Për çdo vendim që merrja bazohesha në respektimin dhe zbatimin me përpikëri të ligjit, në mbrojtjen e lirisë e të drejtave kushtetuese të personave të dyshuar, si dhe në ndikimin në opinionin shoqëror të masave të represionit shtetëror. Mendimet i deklaroja me sinqeritet. Vendimet i formuloja dhe i argumentoja të bazuara në prova dhe në kriteret ligjore dhe pa ndikime subjektive.

Për këto arsye, isha i qetë në thellësi të ndërgjegjes, nga ana subjektive, pasi nuk ndikohesha nga ndjenja sentimentale: Së pari, nga detyra delikate dhe me shumë përgjegjësi kushtetuese, ligjore, procedurale e morale që kisha; Së dyti, nga bindja e ndërgjegjshme profesionale e morale në respektimin e zbatimin me përpikëri të Kushtetutës, Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale e të ligjeve në tërësi; Së treti, nga bindja ime e brendshme e bazuar në ndërgjegjen juridike.

Për vetë karakterin, edukimin e formimin juridik, për mua ishte vendimtar parimi për bindjen e ndërgjegjshme juridike në marrjen e vendimeve duke u bazuar në provat ligjore, realitetin objektiv dhe mendimin e formuar natyrshëm, për të vepruar me përgjegjësi e përkushtim, në zbatimin e vendimeve që merrja me vullnetin tim të lirë. Nuk veproja nën imponim. Kjo dihej mirë nga hetuesit, prokurorët e gjyqtarët, me të cilët punoja.

Me këtë cilësim njihesha edhe nga udhëheqja politike e kohës. Së katërti, në respektimin e të drejtave kushtetuese të shtetasve. Ky ishte detyrim kushtetues, por edhe një përgjegjësi e madhe profesionale, ligjore e morale në kushtet kur në sistemin e organeve të drejtësisë në Shqipëri, në dallim nga organizimi i shteteve të tjera të cilësuara borgjeze e revizioniste, ishte hequr dhe nuk ekzistonte instituti i avokatisë për mbrojtjen ligjore të personave të dyshuar, të marrë në përgjegjësi penale, të gjykuar e të dënuar. Ndërgjegjja ime juridike si drejtues i Hetuesisë, por edhe si intelektual e qytetar, tensionohej për shkak se nuk njihja në detaje gjendjen e hetimeve, objektivitetin e deklarimeve të të pandehurve e dëshmitarëve etj.

Fakti që hetimet bëheshin nga hetues të përzgjedhur me njohjen e interesimin direkt nga Ramizi e Hekurani dhe miratuar nga Enveri vetë, si dhe me vartësi të drejtpërdrejtë nga ministri, nuk më kishin lënë mundësi për të njohur drejtpërdrejt realitetin e zhvillimit të hetimeve dhe për të krijuar në mënyrë të ndërgjegjshme sigurinë dhe bindjen për objektivitetin dhe ligjshmërinë e veprimeve konkrete hetimore, pyetjen e të pandehurve e dëshmitarëve dhe dokumentimin me korrektësi e objektivitet të thënieve të tyre.qemal lame

Nga bisedat me ministrin e Brendshëm, Hekuranin, kuptohej, dhe në disa raste thuhej hapur, se ushtrohej dhunë për marrjen e pohimeve dhe pranimin e akuzave për komplotin. Ministri dhe hetuesit mburreshin për thyerjen e të pandehurve dhe marrjen e pohimeve. Kënaqeshin kur thoshin se Fiqreti me dy djemtë, si dhe Nesti Nase e Llambi Ziçishti, ishin bashkëpunues dhe ndihmonin për vërtetimin e fajësisë së Kadri Hazbiut, Feçor Shehut etj. Nga ana objektive, marrja e vendimit me ndërgjegje kërkohej të bazohej në realitetin e hetimeve dhe parimet e ligjshmërisë për fajësinë e personit.

Marrja e vendimit përfundimtar më impononte përgjegjësinë personale, motivimin, përkushtimin e korrektësinë: Kushtetuta, Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale, që të respektoheshin me përpikëri, të harmonizoheshin dhe të ligjëronin bazueshmërinë ligjore të hartimit e të argumentimit të vendimit procedural të arrestit; Provat e administruara në dosjen hetimore të ishin në përmbajtje të sakta, me të dhëna objektive, me pohime të lira nga të pandehurit e dëshmitarët, si dhe të harmonizuara, të lidhura dhe bindëse në faktet, rrethanat dhe përmbajtjen e dokumenteve me rëndësi ligjore e procedurale. Këto kërkesa themelore më imponuan natyrshëm domosdoshmërinë e një analize të thellë ligjore, politike e shoqërore, si dhe morale për besimin dhe rolin që kërkohej të dëshmoja në mbështetje të udhëheqësit. Urdhri ultimativ nuk linte asnjë mundësi për të dhënë ndonjë mendim. Kërkohej përgatitja e dokumenteve dhe arrestimi.

Në analizën përfundimtare nuk isha i bindur për të argumentuar dhe hartuar vendimin e arrestimit. Dilema me bindjen e ndërgjegjshme, pasojat për të ardhmen dhe tragjedia e viktimizimit të cilitdo që kishte guxuar të thoshte qoftë edhe me nënkuptim ndonjë mendim ndryshe, më detyronin të mendohesha, të përfytyroja e të analizoja intensivisht qëndrimin përfundimtar. Vendosa të ruaj qëndrimin e njohur për zbatimin e ligjit dhe me ndërgjegje të rrezikoj për të dhënë mendim për rishikimin e masës së arrestimit.

Ky vendim ishte njëlloj si të viheshe vetë para gjykimit përfundimtar, të zgjidhje të jetoje apo të viktimizoheshe me ndërgjegje dhe me dëshirën tënde. Ishte e qartë se komandanti jepte urdhër, urdhri ishte ligj, mbetej vetëm zbatimi, nuk kishte asnjë hapësirë për diskutime. Zgjodha të veproja në bazë të bindjes sime dhe të ballafaqohesha me rrezikun real potencial. Me këtë bindje, vendosa të parashtroj mendimet e mia mbi bazën e përfundimeve të argumentuara në studimin e kriminalitetit për krimet politike, situatën politike dhe pasojat nga goditja e komplotit dhe zgjerimi i bashkëpunëtorëve./Panorama

(vijon)

Dëshmia e djalit të Beqir Ballukut: Ja pse Enveri nuk e arrestoi babanë në plenum si të tjerët, Forcat Speciale…

Dashnor Kaloçi

Publikohet historia e panjohur e Beqir Ballukut, ish-Ministrit të Mbrojtjes Popullore, deputetit të Kuvendit Popullor, anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe zv/kryeministrit të parë të qeverisë së drejtuar prej Mehmet Shehut, i cili u pushkatua në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës pranë fshatit Linzë më 5 nëntor të vitit 1975, pasi ishte dënuar me vdekje nga ana Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, i akuzuar si “kreu i grupit puçist në ushtri”.

Dëshmia e rrallë e Çlirim Ballukut, djalit të madh të familjes Balluku, që nga origjina e familjes, periudha e Monarkisë së Zogut, aktiviteti i tij gjatë Luftës Antifashiste, shkollimi, funksionet dhe detyrat pas vitit 1945, raportet e relatat me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Gogo Nushin, etj., nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, si dhe përse filluan kritikat e goditja ndaj tij në vitin 1974, kush ishin ata që e sulmuan më shumë në mbledhjet e para, çfarë u tha ai fëmijve të tij kur u kthye në shtëpi pasi ishte sulmuar si “armik i popullit”, internimi i tij dhe familjes, ekzekutimi bashkë me dy vartësit e tij, Petrit Dumen dhe Hito Çakon në një nga tunelet e fshehta të Linzës në periferi të Tiranës, si e mësoi familja atë gjë kur ishte në internim, e deri tek peripecitë e shumta pas viteve ’90-të për të gjetur eshtrat e tij në fshatin Vranisht të Vlorës, ku ishin groposur me urdhër dhe nën kujdesjen e Kadri Hazbiut.

“Goditja ndaj babait tonë, Beqir Ballukut, i cili prej vitesh mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, filloi në qershor-korrikun e vitit 1974 me mbledhjen e zgjeruar të Aktivit të Ushtrisë, e cila u mbajt në Vilën e Zogut të qytetit të Durrësit. Goditja ndaj tij ishte e parapërgatitur në bazë të një skenari të hartuar mjaft mirë nga krerët kryesorë të “piramidës” së lartë të PPSH-së, me njerëz të veçantë brenda rradhëve të Ministrisë së Mbrojtjes.

Kjo gjë vërtetohet edhe nga fakti se akuzat ndaj tij filluan në një kohë që materiali me tezat që duheshin të paraqiteshin për diskutim në Këshillin e Mbrojtjes, nuk ishin bërë ende publike dhe ndodheshin të mbyllura në kasafortën e zyrës në Ministrinë e Mbrojtjes. Pas asaj ai u analizua edhe në mbledhjet e Byrosë Politike ku Enver Hoxha dha i pari orientimin e sulmeve ndaj tij, duke e akuzuar si tradhëtarin më të madh që kishte pasur Shqipëria deri në atë kohë. Pas atyre mbledhjeve të Byrosë Politike, babai u analizua edhe në Pleniumin e Pestë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, që u mbajt më 25 korrik të vitit 1974, ku u sulmua nga dikush më shumë dhe nga dikush me pak. Në fund të atij Pleniumi ai u përjashtua dhe u shkarëkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore. Pas asaj mbledhje, babai nuk u arrestua si shumë nga ish-personalitetet e larta të udhëheqjes së lartë komuniste që ishin goditur vite më parë, por u la i lirë që të vinte në shtëpi. Më kujtohet si tani kur erdhi babai në shtëpi pas asaj mbledhje dhe na tregoi gjithëshka që kishte ngjarë në atë Plenium, si dhe vendimet që ishin marrë aty në adresë të personit të tij.

Në thelb të atyre fjalëve që na tha babai atë pasdreke në shtëpinë tonë, ku ishim mbledhur të gjithë ne pjestarët e familjes, ishte ajo që ai nuk ishte tradhëtar dhe nuk e kishte tradhëtuar asnjëherë Partinë dhe Enver Hoxhën. Pas asaj dite babai qëndroi edhe rreth dhjetë ditë të tjera pa dalë fare nga shtëpia, pasi edhe ata që e goditën nuk kishin vendosur ende se në çfarë vëndi do e dërgonin. Gjatë atyre dhjetë ditëve që babai nuk doli fare nga shtëpia, në afërsi të vilës sonë aty në Bllok, u përforcuan masat e sigurisë gjë e cila dukej qartë edhe nga shtimi i ushtarëve të Gardës. Gjatë asaj kohe, në bisedat që bënte me ne, për për herë të parë Beqiri u shpreh hapur kundra udhëheqjes së lartë të Partisë, duke na thënë se ajo po e godiste kot dhe gjithshka thuhej në adresë të tij ishte e manipuluar”.

Dëshmon për Memorie.al, Çlirim Balluku, djali i madh i ish-Ministrit të Mbrojtjes, anëtarit të Byrosë Politike dhe zë/kryeministërit të parë në qeverinë komuniste të kryesuar prej Mehmet Shehut, i cili rrëfen të gjithë historinë e panjohur të babait të tij, Beqir Ballukut, i konsideruar si një prej udhëheqësve më popullorë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili u pushkatua në 5 nëntorin e vitit 1975 në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës afër fshatit Linzë, së bashku me dy vartësit e tij, Shefin e Shtatmadhorisë, Petrit Dumen, e Drejtorin Politik të Ushtrisë, Hito Çakon.

Kush ishte Beqir Balluku, cila ishte origjina dhe e kaluara e tij e ku u shkollua ai? Si u lidh Beqiri për herë të parë me grupet komuniste, kush ishin shokët e tij më të ngushtë gjatë Luftës dhe si u njoh ai për herë të parë me Enver Hoxhën në vitin 1943? Cilat ishin akuzat që i’u bënë Beqir Ballukut nga Enver Hoxha në mbledhjet e Byrosë Politike dhe Pleniumin e pestë që u mbajt në 25 korrikun e vitit 1974 dhe çfarë iu tha Beqiri familjes së tij pas asaj mbledhje ku e përjashtuan nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore? Çfarë ndodhi me Beqirin ato dhjetë ditë që ai qëndroi i izoluar në vilën e tij të Bllokut, kush ishte njeriu i vetëm që mundi të hynte në shtëpinë e tij dhe çfarë porosish iu dha ai fëmijëve të tij? Çfarë i kërkoi sekretari i partisë i Radio-Televizionit Shqiptar, Çlirimit, djalit të madh të Beqirit, kur e thirri atë në zyrën e tij dhe cila ishte përgjigjia që mori prej tij? Si e hoqën Beqirin nga vila e tij e Bllokut për ta internuar në Roskovec të Fierit dhe si u arrestu ai në shtatë dhjetorin e vitit 1974 kur ishte i internuar në Selenicë të Vlorës? Si e mësoi familja Balluku ekzekutimin e Beqirit dhe si u trajtuan që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991 kur qëndruan të internuar në Selenicë të Vlorës?

Çlirim Balluku, është djali i madh nga gjashtë fëmijët e Beqir Ballukut, ish-Ministrit të Mbrojtjes, deputetit, anëtarit të Byrosë Politike dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë komuniste të Mehmet Shehut, i cili qëndroi në ato funksione të larta deri në vitin 1974, kur u akuzua dhe u godit nga Enver Hoxha, duke u quajtur sabotator, armik dhe kreu i “Puçit Ushtarak” që kishte për qëllim rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor në Shqipëri.

Si më i madh i familjes Balluku, Çlirimi i mban mënd mjaft mirë dhe i ka përjetuar vetë shumë nga ngjarjet e asaj kohe të largët kur babai i tij ishte në majat më të larta të regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe më pas kur ai u sulmua nga Enveri me akuza nga më të rëndat, të cilat tashmë janë bërë publike për lexuesin e gjerë nga botimet e shumta në shtypin e përditshëm të pas viteve ‘90-të. Nisur nga ky fakt dhe për t’u njohur akoma dhe më shumë me anën e panjohur të figurës së Beqir Ballukut dhe familjes së tij, në vazhdën e dhjetra shkrimeve të kësaj natyre që kanë gjetur vënd në faqet e Memorie.al, ne i’u drejtuam për një intervistë të gjatë zotit Çlirim Balluku, të cilën po e publikojmë duke filluar nga ky numër.

Zoti Çlirim, atëhere kur ju ishit bashkë në shtepi, a u bisedua përse nuk u bë arrestimi i Beqirit ne Plenum?
Natyrisht që po. Arrestimi nuk u krye për arsye të personalitetit të tij dhe simpatisë që gëzonte babai në popull. Në këtë rast Enveri mendoi që veprimet t’i bënte hap pas hapi dhe i dha rëndësi elementit kohë. Për të gjitha këto dhe se çfarë fati e priste pas tre muajsh, babai e dinte mirë.

Pas Roskovecit ku e dërguan babanë tuaj me familjen?
Pas afro një muaj e gjysëm qëndrimi në Roskovec, babanë me nënën, Lulen e Agimin i hoqën që aty dhe i internuan përsëri në Selenicë të Vlorës, duke i vendosur me banim në katin e parë të një pallati të vjetër.

Sa kohë qëndroi Beqiri aty dhe kur u bë arrestimi i tij?
Aty në atë banesë të atij pallati të vjetër të Selenicës, babai qëndroi i izoluar pa dalë fare jashtë për asnjë minutë, deri në datën 17 dhjetor të vitit 1974, kur ndodhi arrestimi i tij.

Kush ndodhej në shtëpi atë ditë që u arrestua babai, a e priste ai që të arrestohej dhe nga cilat forca u realizua arrestimi i tij?
Atë ditë të 17 të dhjetorit të vitit 1974 që ndodhi arrestimi i babait në Selenicë të Vlorës, në shtëpi ishte vetëm nëna, Taibeja. Po atë ditë që ndodhi arrestimi i tij, në Tiranë zhvillohej Plenumi i VI-të i Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe menjeherë pas mbarimit të asaj mbledhje, u arrestuan pa dalë nga salla, Petrit Dumja, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Hito Çako, Drejtori i Drejtorisë Politike të Ushtrisë dhe Rrahman Parllaku, një nga oficerët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Me sa di unë, arrrestimi i tyre u bë pasi në atë Plenum ata u akuzuan si “bashkëpunëtorët më të ngushtë të Beqir Ballukut”. Për arrestimin e babait aty në Selinicë, ishin mobilizuar forca speciale të Sigurimit të Shtetit nga Tirana dhe nga Dega e Punëve të Brendëshme të Vlorës. Siç më ka treguar nëna, ata ishin një grup shumë i madh dhe pas arrestimit të babait, ata nisën një kontroll shumë të imët duke bastisur të gjithë shtëpinë, Gjatë atij kontrolli ata sekuestruan dhe morën me vete të gjitha dokumentat e fotografitë e shumta që gjetën aty. Pas largimit të tyre, për disa orë nëna jonë mbeti krejt e vetme në shtëpi.

Pas arrestimit të babait, çfarë ndodhi me ju pjestarët e tjerë të familjes që ishit në Tiranë?
Po atë ditë që u arrestua babai, forca të tjera speciale të Sigurimit të Shtetit, shkuan tek shtëpia e tezes sonë, Zybejde Kafazi që banonte në Tiranë dhe e morën atë së bashku me Agronin e Lulen dhe po atë ditë i sollën të internuar në Selenicë të Vlorës.

Po pas goditjes dhe internimit që i’u bë babait tuaj, Beqir Ballukut, çfarë masash u morën ndaj jush dhe vëllezërve e motrave të tjerë. E kam fjalën, a ju lëvizën menjëherë nga vëndet e punës ku ishit deri në atë kohë dhe a ju ndaluan të vazhdonit shkollat?
Pas goditjes së babait, menjëherë filluan që të merreshin masa edhe ndaj nesh, fëmijëve të tij. Kështu mua më hoqën nga Radio-Televizioni Shqiptar ku kisha punar si inxhinjer elektronik që nga viti 1970, vëllanë e dytë, Ladin, e hoqën nga Instituti i Studimeve Ushtarake ku punonte si inxhinjer dhe gjithashtu edhe nga skuadra e futbollit “Partizani”. Dritën dhe Zanën gjithashtu i hoqën nga Arsimi ku punonin si mësuese dhe përveç këtyre masave që u morën ndaj nesh që ishim në marrëdhënie pune, sulmet nuk munguan edhe ndaj Lules dhe Agimit që vazhdonin Universitetin e Tiranës, te cilet u përjashtuan me motivacionin “bijët e armikut të popullit”.

A e lajmëruan familjen tuaj për të asistuar në gjyqin e babait që u zhvillua në Tiranë?
Që nga dita e arrestimit më shtatë dhjetor të vitit 1974, familja jonë nuk dinte asgjë rreth fatit të babait tonë. Kështu që as për zhvillimin e atij gjyqi ne nuk kishim asnjë lloj dijenie, sepse të gjithëve ne të familjes që ishim në internim, nuk na lanë që të vinim asnjëherë në Tiranë.

Kur u ekzekutua Beqir Balluku dhe kur e mësuat ju atë gjë?
Edhe për ekzekutimin e babait, ne nuk kishim asnjë lloj dijenie dhe atë gjë unë e kam mësuar gjatë kohës që isha i internuar në Memaliaj së bashku me vëllanë e dytë, Ladin.

Kush ua komunikoi atë gjë?
Aty nga fundi i vitit 1975 apo fillimi i vitit 1976, kur unë së bashku me Ladin ndodheshim ende të internuar në Memaliaj, na lajmëruan për të shkuar në një mbledhje ku do të merrte pjesë i gjithë populli. Aty në atë mbledhje që me sa mbaj mënd drejtohej nga Fronti Demokratik, u komunikua ekzekutimi i Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, të cilëve “Partia u kishte dhënë dënimin e merituar, duke i pushkatuar si armiq të popullit”.

Pas asaj çfarë ndodhi me familjen tuaj dhe ku e vuajtët internimin?
Në janar të vitit 1977, mua me Ladin na hoqën nga Tepelena dhe na dërguan në Selenicë të Vlorës, duke na bashkuar me pjesën tjetër të familjes, nënën, Lulen, Agimin dhe Agronin. Ndërsa motra, Drita me Gjergjin ndodheshin të internuar në qytetin e Rrëshenit.

Ku u sistemuan me punë në Selenicë dhe si ju trajtuan gjatë gjithë periudhës që qëndruat atje?
Nënën e kemi mbajtur në shtëpi, unë me Ladin, Gimin dhe Gonin kemi punuar në minierë, ndërsa motra, Lulja në bujqësi. Trajtimi që na u bë aty, kuptohet dhe nuk ka nevojë për përgjigjie.

Por ndërsa shteti mendonte si të na shtypte më shumë, aty kishte dhe shumë njerëz të mirë që mundoheshin të na ndihmonin. Hakmarrja e kupolës së regjimit komunist ndaj familjes sonë, nuk mbaroi me internimin që na u bë në Selenicë, sepse pak kohë më vonë, në vitin 1979, vëllanë tonë, Ladin, e dënuan tetë vjet burg, duke e akuzuar për agjitacion e propagandë. Kur nuk kishte bërë më shumë se nëntë muaj burg, Ladin e ridënuan edhe me dhjetë vjet të tjera dhe ai u lirua në marsin e vitit 1991, me të fundit të burgosur politik. Në atë kohë u liruam edhe ne nga internimi dhe u kthyem në Tiranë.

Gjatë kohës që ishit në Selenicë, a kishit miqësi me ndonjë nga familjet që ishin të internuara aty?
Aty në Selenicë të Vlorës ku ndodheshim ne, kishte disa familje të tjera të internuar dhe numri i personave arrinte në 37 vetë. Por ne kishim njohje dhe miqësi familjare vetëm me familjet Ngjela dhe Mamaqi. Për Kiço Ngjelën kemi folur më lart në këtë intervistë, që njohja e tij me babanë tonë ka qenë që nga koha e Luftës në Brigadën e Dytë. Po kështu edhe me Dashnor Mamaqin im atë kishte miqësi familjare. Vetëm me këto dy familje kemi pasur miqësi gjatë kohës që ndodheshim të internuar në Selenicë./Memorie.al

Vijon…

Shpërthimi i Enverit dhe urdhri më 1982: “Të arrestohet Kadareja! Me të tjerët në qeli, të hanë dhé. Të shkojë në hale të gomerëve”

Dashnor Kaloçi

Një ndër njerëzit në listë dhe që sipas tij “i kishte ardhur radha”, ishte Ismail Kadare.

Ish-kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, i cili shërbeu në këtë post për 10 vjet, dëshmon se për shkrimtarin ishte përgatitur më e keqja: ekzekutimi. Ishte vetë Enver Hoxha që i kishte artikuluar këto fjalë përpara tij, Ramiz Alisë dhe Hekuran Isait.

“I është rritur shumë mendja. Të shkojë me të tjerët në qeli. Të hanë dhé! Të shkojnë në hale të gomerëve!”, kishte thënë Enver Hoxha në një takim të 27 shtatorit 1982. Të gjitha këto dhe ngjarje të tjera, Qemal Lame i tregon në librin e tij “Dritëhijet e kohës:

Letërsia dhe arti në diktaturë. Përndjekja e Ismail Kadaresë”, botuar nga shtëpia botuese “Neraida”. Më poshtë, “Panorama” publikon detaje nga takimi me Enver Hoxhën dhe dilemat e kryehetuesit.

QEMAL LAME
TAKIMI ME ENVER HOXHËN:

URDHRI PËR ARRESTIMIN E ISMAIL KADARESË

E hënë, më 27 shtator 1982, 18:00

Të pranishëm në zyrën e Enverit ishin edhe Ramiz Alia dhe Hekuran Isai, ministri i Brendshëm.

Enveri foli i pari: – Të arrestohet ai Kadareja! Të bisedojmë e të vendosim për këtë qelbësirë. Boll ka livadhisur. I është rritur shumë mendja. Të shkojë me të tjerët në qeli. Të hanë dhé! Të shkojnë në hale të gomerëve!

– Me ty, Ramiz, dhe ty, Hekuran, kemi biseduar në vazhdimësi. Tani të dëgjojmë Qemalin. I lexove dokumentet, shoku Qemal?

– I lexova dhe i analizova, shoku Enver.

– Hë, mo, si thua? I ka ardhur koha. T’ia përveshim edhe atij…

– Dokumentet procedurale janë sipas ligjit, në bazë të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, shoku Enver.

– Ashtu, shumë mirë. Të arrestohet!

– Hekuran, merr masa që arrestimi të bëhet pa probleme.

– Si urdhëron, shoku Enver!

– Ramiz, ta mbyllim këtë problem deri javën tjetër.

– Si urdhëron, shoku Enver!

– Edhe një problem me rëndësi, shoku Enver. Për hetimin dhe gjykimin e çështjes, dënimin dhe dokumentimin për të ardhmen, ka rëndësi objektiviteti i fakteve dhe pyetjeve të të pandehurve, si dhe i dëshmitarëve. Për hartimin e tyre është në dijeni konkretisht shoku Hekuran.

– Ashtu është. Hekuranin e kemi caktuar që të merret konkretisht me hetimet. Kështu kemi vendosur. Ti do të vazhdosh të kujdesesh për anën ligjore të hetimit të komplotit. Duam që sot dhe në të ardhmen të mbeten dokumente ligjore të rregullta.

– Mendoj të theksoj edhe një shqetësim tjetër, shoku Enver. Arrestimi do të tërheqë vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe sidomos atij të huaj, shoku Enver. Veç këtij fakti, jemi në vazhdim të jehonës, vlerësimeve dhe të zbatimit të vendimeve të Kongresit të 8-të të Partisë.

– Të kuptoj, Qemal. Partia dhe populli do t’i kuptojnë drejt këto probleme. Mos u shqetëso.

Enveri iu drejtua menjëherë Ramizit:
– Ramiz, shqetësimi është i drejtë. Merrni parasysh edhe këto mendime. Enveri, duke më parë në sy, tha duke na u drejtuar të treve:

– Qemal, analizoji me kujdes dokumentet.
– Patjetër, shoku Enver!
– Hekuran, merr masa që arrestimi të bëhet pa probleme.
– Si urdhëron, shoku Enver!

– Ramiz, ta mbyllim këtë problem deri javën tjetër. /Panorama/

(VIJON)

VIRUSI PYET: PO KET A E DINI SE, KOMUNIZMI BAN “MREKULLI”? – Nga Fritz RADOVANI

“Kjoftë per atëherë!”… Na ishim pa u lé…

Gati askush nuk dijti me e kuptue, as me parashikue shka a komunizmi?

Don Kolec Prennushi kishte thanë: “Kur hine këta: Tashti marueme!..”

Ai dinte nandë gjuhë. Se ku e kishte gjetë “perfundimin e vet”, nuk e dij!

Ata me të vertetë maruen e nuk i vijnë Shokët e tyne kurrma Shqipnisë!

E verteta duhet pranue dhe besue! Historia mos u persëritët ma!!..

Komunizmi asht e vertetë që “shkaperdanë familjen”, këte e besoj!

Komunizmi asht e vertetë se “zhdukë virtytet”, edhe ket e besoj!

Komunizmi asht e vertetë se vetem krijon rrjete spijunazhi e agjenture!

Komunizmi asht e vertetë se torturon deri në shperbamje të karakterit!

Komunizmi asht e vertetë që ka torturue Burra, sa nuk i ka njoh kushma!

Komunizmi ka ba kushedi sa miljon vetë me pranue vdekjen para turpit!

Komunizmi në Shqipni ka ba at që nuk e ka ba tjeter vend: Shtetin Ateist!

Po, se komunizmi ban “mrekulli”, as këte s’e ka shkrue kush deri tashti.

“Mrekullitë e komunizmit” kanë një qellim: “Me sigurue mijetesen e tij!”

“Rilindja” e tij asht “ringjallje”, mbas vdekjes së diktaturës komuniste!

Dhe “ringjallja” e komunizmit, pasohet nga “rilindja apo ringjallja” edhe e “krimeve të padënueme t’ atij sistemi barbar”, me të gjitha vllavrasjet tjera që do të “perjetsojë vetem shfarosjen”! Gjithshka filloi nga vorfnia!

Vorfnia e popujve dhe pasunimi i sundimtarëve asht “Rilindja” e plotë!

Ashtu, si asht vet komunizmi “shfarosës” i njerzimit të qytetnuem, ashtu janë dhe “mrekullitë” e tij, barbare, vrastare e shpartalluese të njerzimit!

Skllavnimi i Botës së qytetnueme asht piksynim i “Rilindjes” komuniste!  

Njerzimi asht krijesë dhe kryeveper e Dorës së Zotit! Këte mos e harroni!

Prova ma e saktë e këtij mendimi: Asht Shqipnia e Gjergj Kastriotit…

Asht Shqipnia e Shën Nanë Terezës dhe, e Shën Papës Gjon Pali i II..!

Mes bishave t’ Ballkanit, e sundume tash 100 vjetë nga gjarpij helmues…

Shfarosës të Besës, Burrnisë e Bujarisë, tradita shekullore t’ Alpeve tona!

            Melbourne, 12 Gusht 2020.   

LETËR – KËMBIM MUSTAFA KRUJA – ERNEST KOLIQI: Pa nji koalicion të forcave të emigracionit nuk zgjidhet problemi shqiptar

 

 

Heliopolis, 30 Prill 1948

 

I dashtuni Ernest,

Mbrâmë më dha Nexha me këndue nji letër t’ânden qi kishte marrë po dje. Edhe un po dje mëngjes i pata shkrue Ndoit gjân’e gjatë rreth argumentit qi shkruejshe ti. Gzohem qi të gjitha rrethanat politike të drejta e të zhdrejta qi po zhvillohen po duken sikur tek e mbramja jemi tue ecun drejt nji agimi shpresdhânës për ne. Por kujtoj se edhe na vetë duhet t’i shpejtojmë hapat t’ona për sa na përket e mos të rrijmë me bjerrë kohë të çmueshme me sabotatorët e kurdohershëm të çdo pune të mirë qi kemi nisun a kemi dashun të bâjmë. Shqip, dua me thânë të bâjmë bashkimin e të krijojmë nji organ përgjegjës nji or’e mâ parë për fatin e Atdheut t’onë. Të jemi realista e të përpiqemi me përmbledhun në këtë bashkim gjith’elementat positivë pa çá kryet nëse negativët e disfatistat përjashtojnë vetin me pretekste meskine ase makar tue dashtun të na trêmbin me shauretin e opinionit të huej, i cili na peshon vetëm për shka vyejmë e për sa rândsí kemi në kandarin e interesave të veta.

Shkruejshe se ka bâ përshtypje të keqe mungimi i ardhjes së vizave në kohën qi duhej. Âsht krejt e natyrshme e un vetë kam ndêjtun nja nji javë dit me ethe në shtat e s’më zênte gjum’i natës. Shihshem në rrezik shok’e miq, djal’e motër. Por kështu shkueka puna me Arabë e më duket se këta të këtushmit i merituekan me kamatë përshkrimet qi na kishe bâ ti për ta. Këtyne qênka për t’u thânë me fjalën e tyne khafazanall-llah (Zot na ruejttë). Ai gamin-i débauché [1] qi kanë në krye qênka taman ksulë për kokën e tyne! Nji herë mezi u bâ lista emnore, se për ditë shkonte ndonji Shqipo e lutej me shtí ndonji të venë. Hajde mbandej hetime e stërhetime për çdo njeri të panjohun prej Oborrit ase prej Legatës. Tekembramja lista, me 58 vetë, i dorzohet Autoritetit policuer këtu, i cili mbasi e mban deri kah gjysa e mojit lajmon se s’pranohet. Deri kaqë e dij mirë. Por s’i kam ndie prej goje kompetente arsyet qi kanë mujtun me u vû përpara për atë mospranim. Fundi i hiqet Legatës ajo barrë e e merr në dorë vetë Zogu. Nuk dij mbandej se ç’âsht bâ mâ, mbasi mbas datës së rrezikut as qi jam interesue me pyetë për tê. Ajo, ditën qi u praps, duhej të kishte pasë mbërrîmë në Romë.

Kur më tha Zogu qi shpresonte se ti do të vijshe këtu, harrova me i thânë se ti s’kishe si vjen pa viza, mbasi gjithnji, si duket, ka punue ajo qelzë e trûnit t’em ku kishte pasë zânë vênd se ti e ke vizën permanente për këtu. Se mâ për atë mjetin tjetër do të kishte mujtë me i u bâ halli nemose përkohsisht.

Sidoqi të jetë, Ernest, në qoftë se juve ju mbushet mêndja me bâ ashtu si i shkrova Ndoit, lajmomni shpejt se i bie mbrapa vetë punës, dhe kujtoj se ajo âsht e vetmja rrugë qi kryen punë vrik e mirë.

  1. Shani shpresoj qi tashmâ do të jetë mirosun fare. Edhe tjerët shpresoj e uroj t’i keshë si lulja. Të përqafoj e u çoj shëndetet e mija të gjithëve.

Mustafa

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Rapallo, 23.IX.1948

Via Aurelia Orientale,  45

 

I dashuni Mustafë,

Tekembrâmja kam rá në fashë në kët heshtje plot dritë të kaltërt të Rapallo-s dhe po mundem me u mbledhë nji herë mendt e me blue në qetësí përshtypjet e gjalla të verës, plot peritina, qi shkoi.

Me 14 gusht mbërrijta në Romë me nji bankjer sirian e u solla me tê, aty e në Salsomaggiore e në Milan, deri me 3 shtatuer. Puna, për të cilën u dogja në diell të Misirit, dështoi kryekëput. Nxora vetëm shpenzimet e udhëtimit. Tue qênë se n’at punë kisha ngulë shpresa të mëdhaja për nji zgjidhje të përkohëshme të problemit t’amëshuem të familjes s’ime, lajmi i dështimit më ka tronditë dhe m’a ka lânë shpirtin mbushë me idhënim.

Prap njaty më 10 shtator u nisa për Romë e pardje kam këthye. Këtë herë pata rasë me bisedue mâ gjatë me Kapidanin, me Ismailin dhe me tjerë. Ndoshta, edhe për dobi të çâshtjes, s’âsht keq qi këtu me t’i tregue shkurtas disa përshtypje dhe idéna të mija.

Të lutem, gjithmonë merr parasŷsh ndryshimin e atmosferës s’Aleksandrís me atë të Romës. Jo pse unë u jap randësi thanethashavet të horave, por me të bâ me prekë me dorë ç’farë kandari përdoret aty dhe këtu. Po të kallzoj ç’opinione qarkullojnë në Romë. Në se atje dikush më paraqet si nji nxânës makiavelik jezuitësh qi në nji ânë flet për bashkëpunim dhe në  tjetrën këtê e saboton dhe e siluron, këtu (në Romë) thonë disa se i jam shitë Zogut dhe kam për qëllim të mshefët zhgatrrimin e Blokut.

Ti e din se atje unë mprova sinqerisht tezën e Blokut, pa tërthorzime; këtu fola çiltas për sa i përket nevojës së nji bashkëpunimi të përzêmërt me Legalitetin. Kemi fatin, këtu, qi âsht Kapidani, i urtë e i arsyeshëm. Nji fjalë e matun e tija vlen sa nji qind fjalime t’ona, qi e mbajmë veten të pajisun me kulturë akademike. Edhe Ismaili âsht i nderuem dhe peshon. Tjerët lëshohen, shumica, në histerizëm e tash mbështetun në nji anë dhe të nesërmen pa kurrfarë vështirsije në të kundërtën. Mjerisht Ekrem Libohova, njerí i ekuilibruem dhe ekuilibrues, âsht shtrí në dyshek me nji smundje qi zor se ka për t’a falë. Por me forcue prirjet e njerzvet t’urtë i a arrîni me kohë Xhafer Deva, i cili me energjinë e njoftun zhdavariti shum mosmarrëveshje qi e kishin bazën në nji shitje t’ime hipotetike në treg të Zogut (Po t’u bânte shitja me peshë, nuk do t’ishte keq për mue….!? me tul qi më rrethon anëkand.). Shkurt  triumfoi tendenca e urtís e, mbas sodit, do t’i kushtohet i gjithë kujdesi afrimit, bashkëpunimit, besëlidhjes. Këto deshire laçë në Romë. Përgjegja e letrës së Legalitetit niset në këto ditë.

Pa nji koalicjon të forcave t’emigracjonit nuk e besoj se i a arrijmë (asnjâni grup) m’e vu n’udhë problemin shqiptar për zgjidhje. Deri tash ky ishte nji opinjon i emi, tashti âsht bâ aksiomë. E ja pse.

Gjatë qindrimit t’im në Romë prej 14 deri në 24 gusht, Ministria e Jashtme më kishte kërkue gjithkah. Më gjetën e shkova tash (me 14 shtatuer).

Nji funksjonar shum i naltë më tha:

1 – Si mbas fjalës qi ju dhamë në fund të majit, kjo Ministri âsht interesue pranë Departamentit të Shtetit për çâshtjen e juej. Departamenti i Shtetit na ka përgjegjë se pak gjâ din mbi problemin shqiptar, se ajo shka din âsht krejt negative: n’Amerikë i vetmi komb qi me mish e me shpirt mpron komunizmin janë Shqiptarët, këta në kët mënyrë kanë marrë nji rrymë antiamerikane dmth. veprojnë kundra interesavet të vendit qi i hospiton; – asnji zâ kundërshtar s’ka dalë me thye kompaktecën e shumicës. Departamenti i Shtetit tregohet skeptik dhe mbi seriozitetin e nji lëvizjeje refugjatësh antikomunista mbasi qi këta paraqiten krejt të dám. Me gjithë këtê do të pëlqehej nga Departamenti i Shtetit nji interesim i italjanvet, tue qenë se këta kanë eksperiencë në çâshtje shqiptare, i cili interesim të kishte për qëllim nji koalicjon të grupeve politike shqiptare n’emigracjon. Funkcjonari më siguroi se ai ishte i autorizuem të më thonte për t’i a tregue eksponentave shqiptarë të ndryshëm, natyrisht atyne qi s’e përhapin ndër kafehane por dijnë se ç’âsht diskrecjoni në të tilla punë delikate.

2 – Po u realizue nji koalicjon ndërmjet shumicës së grupevet, pasaportat për Amerikë janë gati për delegatë dhe ndoshta shpenzimet e udhëtimit. Në rasë t’arrijtjes shtypi do të flitte – me shtytje të Departamentit të Shtetit. – mbi çâshtje shqiptare dhe nji antar i delegacjonit t’onë do t’u pranonte në Komitet formue nga eksponentat e vendeve danubiane-ballkanike robnue nga Sovjetët, komitet qi ka për kryetar  Mikolajcik  (burrë shteti polak). Si e  shef puna ka baza të shëndosha. Kam folë edhe për bursa e shefi i sekcjonit përkatës më ka premtue 10 (dhetë) për vjetin e ardhëshëm akademik. Për Koço Mukën dhe Ali Këlcyrën i kërkova visa-t dhe më premtuenë me i dërgue sa mâ parë.

Si e shef un këtu, n’at t’emen, jam përpjekë. Mos rrini pa punue ju atje. Koalicjoni i partive nuk duhet të trembi askênd, i vjen dobí çâshtjes së kundrueme në dritë të realizimit dhe qet jashtë e derrmon utopit qesharake të parvenu-vet  në politikë.

Të fala të gjithë shokvet e ma fort posaçërisht Ago Agajt e Nexho Qorraliut.

Të përqafoj.

Ernesti

 

Ka edhe gjana tjera por nuk mund të shkruhen me letër: duhet me punue për formimin e nji komiteti, pse munden me e bâ tjerët para nesh!

 

 

 

 

Rapallo, 7.XII.1948

 

I dashtuni Mustafë

Letrën t’ânde shkrue me 20 tetuer e gjeta këtu në Rapallo, ku jam tash mâ se nji muej i kapërthyem vetëm me punë familjare. Sot n’orën 4 të mëngjesit më fali Zoti nji vajzuke. Ime – shoqe âsht krejt mirë dhe puna vojti rregullisht. Isha në kujdes e disi tashti pak u qetësova.

E kuptoj fare mirë mallin t’onë për këto vise të bekueme, ku Ti kalove me familje vjet qi atëherë na dukeshin âmtije e pritjeje dhe sot kujtoj  se përbâjshin hisen e lumnís qi na ishte dhânë në kët botë. Kur kaloj ndonji herë nëpër Nervi Të kujtoj, sikurse nuk më hiqet mêndsh mikpritja e asaj kohe të zojës Caje dhe e jotja. Unë jam pak ma fatlum se shum shokë, por edhe mue bukurín e ditve të bukra qi këtu çuditënisht janë tue vazhdue, m’a terratisë kujtimi i vllaut qi kam në burg atje n’at ferr qi u bâ Shqipnija dhe dyshimi mos të zhduket herët a vonë edhe ai si shokët!

Në dorë të Zotit!

Për Bashkimin prap kam shkrue. Plasa tue bâ relacjone n’at dreq Ministrije (m’i lypin ata vetë), por punët ecin kadalë.

Djalit të Myftís ia mora visto-n, ashtu Koços e Këlcyrës. Kur po vijnë?

Mora tash tri ditë nji kartë prej Koços, por nuk kuptova mirë se ç’më thonte.

Jam krejt në terr për sa u përket punve të pulatikës së shqyptarhânes. Ismaili nuk më ka shkrue po bâhen 20 dit. Unë, si të thaçë, kam pasun telashe e iu kushtova në kohët e fundit vetëm çâshtjeve familjare. Prej Rome askush nuk më shkruen, ndoshta pse kanë pritë të dukem atje krye moji s’paku simbas zakonit. Por unë, salvo imprevisti,[2] deri më 15 kallnduer s’due t’los vendit. Tashti u bâna dyfish babë e shtëpija më mban mâ tepër se përpara.

Javën e fundit të tetorit e kalova në Sicili, aty, si e din pse edhe Tý t’âsht dërgue thirrja, u mblodh nji Kuvend ndërkombëtar studimesh shqiptare. Suksesi qe i shkëlqyeshëm. Veçanërisht né Shqiptarvet të Shqipnís na kanë pritë me nji përzêmërsí të thekëshme. Me 24 nanduer, si fryt i parë i kuvendit, u themelue në Palermo qêndra e studimeve shqiptare. Kryetar: Dr. Petrotta; Drejtues: prof. Riberzo; sekretar i përgjithshëm: Karl Gurakuqi. Kjo qêndër mund të ket zhvillime të pamêndueme. E përkrahë qeverija e Regjonit me mjete edhe financjare. Un kam pasë bisedime të gjata me Shkëlqesën Alessi; President i Regjionit (nji farë Mëkâmbsi). Kam folë gjatë edhe për Tý. Por mbi këtê, nji herë tjetër. Në kuvend shum kush ka pyetë për Tý.

Kaq për sot. Salih Efendiut dal-kadalë të gjitha deshiret do t’ia çoj në vend?! M’i bân nderimet e mija. Tý të përqafoj me mall.

Të fala prej të gjithëve të shtëpís.

I yti Ernesti.

 

 

Rapallo, 21.III.1949

 

I dashuni Mustafë,

Për smundje t’ande s’diejshem askurrgjâ. E mora vesht në fillim të frorit në Romë nga Kapidani. Mâ mirë: pse mora vesht njajzi smundjen edhe shërimin. Këtu në shtëpí jemi gzue të gjithë e Shani pa prá më pyetë. Uroj qi tifoja t’i két marrë të gjitha të ligat!

Falem nderit për fjalë të mira qi më shkrueni për vajzë. Vajzë e ndiellshim, si unë si ime shoqe, e vajzë e fali Zoti. Në Shqipní mue më ka mbetë vllau qi vjen fill mbas meje. D. Mikel Koliqi, famullitar i Shkodrës. Tash katër vjet në burg. Deri sod ka shpëtue për mrekullí, veç shokvet. Mbas sodit, në dorë të Madhit Zot!

U gëzova qi Zogu kênka sjellë hijshëm me Tý. Këto sende bâjnë përshtypje e përhapin ndienja besimi e vllaznije.

Ali Klissura vazhdon tue e akuzue Blokun se bân manovra e nuk don koalicjonin e forcave të refugjatvet. Kam folë edhe me Kapidanin e Ismailin: siguroj se na besëlidhjen e duem me mish e me shpírt; jo vetëm, por na âsht mbushë mendja se pa tê, as na as tjerët nuk munden me vú kurrgjâ n’udhë për zgjidhjen e të vetmit problem qi sod për sod ka randësi: shlirimi i Shqipnís nga zgjedha sovjetike. Na e çmojmë Alín edhe sinqeritetin e tij. Por edhe ai duhet të na lëshojë do kredí morale. Jemi të mendimit qi qêndra e besëlidhjes të vendoset n’Italí, pse këtu – sa të krijohet – kemi për të pasun përkrahje m’u futun me paritet tagrash në vallën e tjerave organizata të popujvet balkano-danubjanë. E ndoshta me çue përfaqësues në Washington. Me letrën, s’mund të shkruej mâ gjatë. Për sa marrim vesht na, këtu gjinden njerzit qi interesohen për çâshtje t’onë e nuk flas për breshkagjí, ndonse edhe këta mund të na ndihmojnë shum pse sod punojnë për llogarí të të mëdhejvet.

Aliut i kam shkrue e besoj se e kam bindun qi na duem bashkëpunim me të gjithë antikomunistat e vërtetë.

Me Petrottën kam folë gjatë si për Tý si për Bashkimin. Ai sot âsht pjestar i qeverís regjonale e shi ministër i Shëndetësís e i Igjenës. Mundet me i gjetë punë Bashkimit, po u përdorë me zéll. Edhe Ismaili, në sý t’em, i âsht lutun mjaft. Besoj se do t’interesohet. Adresa e tij âsht: Corso Calatafimi 89 – Palermo – Adresa e Karl Gurakuqit, qi të kujton me simpatí e nderim, âsht: Via Francesco Perez, 193 Palermo – Karli âsht emnue sekretar i Centro Internazionale Studi Albanesí.[3]

Shani e tjerët të shtëpís të falen me shëndet.

Unë të përqafoj me mall

Ernesti

Marrë nga “KUVEND LETRASH ME MIQTË”, Vëllimi II

 

[1] Frëngjisht : djali i shthurur (Përkthim i Eugjen Merlikës)

[2] Italisht : me përjashtim të ndonji të papriture (E.M.)

[3] It. : Qendra Ndërkombëtare e Studimeve Shqiptare (E.M.)

Le Temps (1919)- Deklarata e Mehmet Konicës para përfaqësuesve të shtypit italian në Romë: “Ja çfarë do të kërkojmë në Konferencën e Paqes në Paris!”

Mehmet Konica

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Gusht 2020

 

“Le Temps” ka botuar, të martën e 4 shkurtit 1919, në ballinë, një shkrim në lidhje me deklaratën e Mehmet Konicës në Romë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Çështja shqiptare

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Mehmet Konica, ministri i jashtëm i qeverisë së përkohshme shqiptare (delegat i punëve të jashtme), sapo ka mbërritur në Romë me një delegacion shqiptar, të cilët janë nisur për në Paris.

 

I intervistuar nga përfaqësuesit e shtypit italian, Mehmet Konica tha :

 

“Integriteti dhe pavarësia e gjithë Shqipërisë, kjo është tema mbi të cilën do të zhvillojmë kërkesat që do të paraqesim në Konferencën e Paqes.”

“Pasi Enveri në Plenum tha: ‘ngrihuni e flisni ç’keni për armikun Beqir Balluku’ babai erdhi në shtëpi dhe…”- Dëshmia e rrallë e djalit të ish-ministrit

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Beqir Ballukut, ish-Ministrit të Mbrojtjes Popullore, deputetit të Kuvendit Popullor, anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe zv/kryeministrit të parë të qeverisë së drejtuar prej Mehmet Shehut, i cili u pushkatua në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës pranë fshatit Linzë më 5 nëntor të vitit 1975, pasi ishte dënuar me vdekje nga ana Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, i akuzuar si “kreu i grupit puçist në ushtri”. Dëshmia e rrallë e Çlirim Ballukut, djalit të madh të familjes Balluku, që nga origjina e familjes, periudha e Monarkisë së Zogut, aktiviteti i tij gjatë Luftës Antifashiste, shkollimi, funksionet dhe detyrat pas vitit 1945, raportet e relatat me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Gogo Nushin, etj., nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, si dhe përse filluan kritikat e goditja ndaj tij në vitin 1974, kush ishin ata që e sulmuan më shumë në mbledhjet e para, çfarë u tha ai fëmijve të tij kur u kthye në shtëpi pasi ishte sulmuar si “armik i popullit”, internimi i tij dhe familjes, ekzekutimi bashkë me dy vartësit e tij, Petrit Dumen dhe Hito Çakon në një nga tunelet e fshehta të Linzës në periferi të Tiranës, si e mësoi familja atë gjë kur ishte në internim, e deri tek peripecitë e shumta pas viteve ’90-të për të gjetur eshtrat e tij në fshatin Vranisht të Vlorës, ku ishin groposur me urdhër dhe nën kujdesjen e Kadri Hazbiut.

“Goditja ndaj babait tonë, Beqir Ballukut, i cili prej vitesh mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, filloi në qershor-korrikun e vitit 1974 me mbledhjen e zgjeruar të Aktivit të Ushtrisë, e cila u mbajt në Vilën e Zogut të qytetit të Durrësit. Goditja ndaj tij ishte e parapërgatitur në bazë të një skenari të hartuar mjaft mirë nga krerët kryesorë të “piramidës” së lartë të PPSH-së, me njerëz të veçantë brenda rradhëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo gjë vërtetohet edhe nga fakti se akuzat ndaj tij filluan në një kohë që materiali me tezat që duheshin të paraqiteshin për diskutim në Këshillin e Mbrojtjes, nuk ishin bërë ende publike dhe ndodheshin të mbyllura në kasafortën e zyrës në Ministrinë e Mbrojtjes. Pas asaj ai u analizua edhe në mbledhjet e Byrosë Politike ku Enver Hoxha dha i pari orientimin e sulmeve ndaj tij, duke e akuzuar si tradhëtarin më të madh që kishte pasur Shqipëria deri në atë kohë. Pas atyre mbledhjeve të Byrosë Politike, babai u analizua edhe në Pleniumin e Pestë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, që u mbajt më 25 korrik të vitit 1974, ku u sulmua nga dikush më shumë dhe nga dikush me pak. Në fund të atij Pleniumi ai u përjashtua dhe u shkarëkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore. Pas asaj mbledhje, babai nuk u arrestua si shumë nga ish-personalitetet e larta të udhëheqjes së lartë komuniste që ishin goditur vite më parë, por u la i lirë që të vinte në shtëpi. Më kujtohet si tani kur erdhi babai në shtëpi pas asaj mbledhje dhe na tregoi gjithëshka që kishte ngjarë në atë Plenium, si dhe vendimet që ishin marrë aty në adresë të personit të tij. Në thelb të atyre fjalëve që na tha babai atë pasdreke në shtëpinë tonë, ku ishim mbledhur të gjithë ne pjestarët e familjes, ishte ajo që ai nuk ishte tradhëtar dhe nuk e kishte tradhëtuar asnjëherë Partinë dhe Enver Hoxhën. Pas asaj dite babai qëndroi edhe rreth dhjetë ditë të tjera pa dalë fare nga shtëpia, pasi edhe ata që e goditën nuk kishin vendosur ende se në çfarë vëndi do e dërgonin. Gjatë atyre dhjetë ditëve që babai nuk doli fare nga shtëpia, në afërsi të vilës sonë aty në Bllok, u përforcuan masat e sigurisë gjë e cila dukej qartë edhe nga shtimi i ushtarëve të Gardës. Gjatë asaj kohe, në bisedat që bënte me ne, për për herë të parë Beqiri u shpreh hapur kundra udhëheqjes së lartë të Partisë, duke na thënë se ajo po e godiste kot dhe gjithshka thuhej në adresë të tij ishte e manipuluar”.

Dëshmon për Memorie.al, Çlirim Balluku, djali i madh i ish-Ministrit të Mbrojtjes, anëtarit të Byrosë Politike dhe zë/kryeministërit të parë në qeverinë komuniste të kryesuar prej Mehmet Shehut, i cili rrëfen të gjithë historinë e panjohur të babait të tij, Beqir Ballukut, i konsideruar si një prej udhëheqësve më popullorë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili u pushkatua në 5 nëntorin e vitit 1975 në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës afër fshatit Linzë, së bashku me dy vartësit e tij, Shefin e Shtatmadhorisë, Petrit Dumen, e Drejtorin Politik të Ushtrisë, Hito Çakon.

Kush ishte Beqir Balluku, cila ishte origjina dhe e kaluara e tij e ku u shkollua ai? Si u lidh Beqiri për herë të parë me grupet komuniste, kush ishin shokët e tij më të ngushtë gjatë Luftës dhe si u njoh ai për herë të parë me Enver Hoxhën në vitin 1943? Cilat ishin akuzat që i’u bënë Beqir Ballukut nga Enver Hoxha në mbledhjet e Byrosë Politike dhe Pleniumin e pestë që u mbajt në 25 korrikun e vitit 1974 dhe çfarë iu tha Beqiri familjes së tij pas asaj mbledhje ku e përjashtuan nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore? Çfarë ndodhi me Beqirin ato dhjetë ditë që ai qëndroi i izoluar në vilën e tij të Bllokut, kush ishte njeriu i vetëm që mundi të hynte në shtëpinë e tij dhe çfarë porosish iu dha ai fëmijëve të tij? Çfarë i kërkoi sekretari i partisë i Radio-Televizionit Shqiptar, Çlirimit, djalit të madh të Beqirit, kur e thirri atë në zyrën e tij dhe cila ishte përgjigjia që mori prej tij? Si e hoqën Beqirin nga vila e tij e Bllokut për ta internuar në Roskovec të Fierit dhe si u arrestu ai në shtatë dhjetorin e vitit 1974 kur ishte i internuar në Selenicë të Vlorës? Si e mësoi familja Balluku ekzekutimin e Beqirit dhe si u trajtuan që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991 kur qëndruan të internuar në Selenicë të Vlorës?

Çlirim Balluku, është djali i madh nga gjashtë fëmijët e Beqir Ballukut, ish-Ministrit të Mbrojtjes, deputetit, anëtarit të Byrosë Politike dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë komuniste të Mehmet Shehut, i cili qëndroi në ato funksione të larta deri në vitin 1974, kur u akuzua dhe u godit nga Enver Hoxha, duke u quajtur sabotator, armik dhe kreu i “Puçit Ushtarak” që kishte për qëllim rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor në Shqipëri. Si më i madh i familjes Balluku, Çlirimi i mban mënd mjaft mirë dhe i ka përjetuar vetë shumë nga ngjarjet e asaj kohe të largët kur babai i tij ishte në majat më të larta të regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe më pas kur ai u sulmua nga Enveri me akuza nga më të rëndat, të cilat tashmë janë bërë publike për lexuesin e gjerë nga botimet e shumta në shtypin e përditshëm të pas viteve ‘90-të. Nisur nga ky fakt dhe për t’u njohur akoma dhe më shumë me anën e panjohur të figurës së Beqir Ballukut dhe familjes së tij, në vazhdën e dhjetra shkrimeve të kësaj natyre që kanë gjetur vënd në faqet e Memorie.al, ne i’u drejtuam për një intervistë të gjatë zotit Çlirim Balluku, të cilën po e publikojmë duke filluar nga ky numër.
Vijon nga numri kaluar

Zoti Çlirim, si e mbani mënd fillimin e goditjes ndaj babait tuaj?

Goditja ndaj babait, filloi diku atu nga qershori i vitit 1974, me Aktivin e Ushtrisë që u zhvillua në vilën e Mbretit Zog që ndodhet edhe sot në kodrat e qytetit të Durrësit.

Para asaj mbledhje, a kishit vënë re ndonjë ndryshim në gjëndjen shpirtrore të babait tuaj dhe a fliste ai për ndonjë problem që kishte në atë kohë?

Më sa më kujtohet pas datës 22 qershor të vitit 1974, babai filloi të kishte disa probleme në lidhje me një material, i cili më vonë është i njohur si “Tezat e Zeza” ku ishte dhe ajo që u quajt “Teoria e Rrëshqitjes”. Lidhur me problemet që i kishin dalë atij për këtëo materiale, në atë kohë ne fëmijët nuk dinim gjë, sepse babai nuk bisedonte me ne për probleme pune. Për herë të parë atë që po ndodhte me babanë tonë ne e mësuam vetëm ne prag të mbledhjes që u zhvillua në Vilën e Zogut në Durrës.

Pas asaj mbledhje që u zhvillua në Durrës, a filloi Beqiri të bisedonte me ju në familje dhe çfarë u thoshte në lidhje me akuzat që i kishin ngritur atje. A përmëndi ai atëhere ndonjë nga emrat e udhëheqjes së lartë që e kishin kritikuar në Aktivin e Ushtrisë?

Babai filloi të fliste në shtëpi pas mbledhjes së Durrësit dhe atë gjë ai e bëri sepse e pa shqetësimin tonë që rrinim me ankth se diçka po ndodhte me të. Në bisedat e pakta që bënte me ne në shtëpi, ai përsëri ishte i matur dhe tepër konçiz. Babai na thoshte se të gjitha akuzat që ishin ngritur në ato mbledhje që po bëheshin në Durrës, nuk qëndronin dhe atë gjë e lidhte me faktin se Ushtria Shqiptare ishte e fortë. Pak a shumë kjo gjë ishte kryefjala e atyre bisedave që bënte babai me ne ato ditë.

Pas mbledhjes së Durrësit, a u ndje ftohja e “shokëve të udhëheqjes” me babanë tuaj dhe në atë kohë ju erdhi më njeri në shtëpinë tuaj siç ju kishin ardhur më përpara?

I’u kam treguar dhe më parë se në fillimet e viteve ‘70, anëtarët e Byrosë Politike vinin në shtëpinë tonë vetëm për raste të veçanta (datëlindje, Viti i Ri etj). Si rrjedhojë në korrik të vitit 1974, nuk kish çfarë ftohje të shihnim prej tyre. Përsa i përket miqve të tij, sapo u njohën me problemin u larguan, pra në shtëpi nuk vinte më njeri.

Po pas mbledhjeve të tjera të Byrosë Politike dhe Plenumeve ku vazhdoi goditja ndaj Beqir Ballukut, a i’u thoshte gjë babai kur vinte në shtëpi?

Natyrshëm që tashmë bisedonim. Mbledhja e Byrosë Politike ishte përcaktuese për fatin e familjes sonë. Ndërsa në Aktivin e Ushtrisë analizën e drejtonin Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, në Byronë Politike merrnin pjesë të gjithë antarët me në krye Enver Hoxhën. Akuzat ishin po ato të Aktivit të Ushtrisë të veshura politikisht, të cilat u kundërshtuan me forcë deri në fund nga im atë Beqiri.

Cili ishte mendimi i babait tuaj në atë kohë lidhur me akuzat që i bëheshin?

Nga bisedat që kemi bërë ne në atë kohë me babanë, ai dilte me konkluzionin se: të gjitha akzuat ndaj tij ishin të montuara dhe të parapërgatitura në bazë të një skenari tepër të qartë dhe me qëllim goditjen dhe largimin e tij nga Ministër i Mbrojtjes. Ai gjykohej me shkas për një material të cilin akoma nuk e kishte dorëzuar të përfunduar, e ç’ishte më e çuditshmja, ai material ndodhej në kasafortën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Cila ishte mbledhja ku u godit më fort Beqir Balluku dhe cilët ishin ata që ngritën akuza dhe mbajtën qëndrim më të rreptë ndaj tij?

Nga Aktivi i Ushtrisë në Durres, në Byronë Politike deri në Plenumin e Pestë që u mbajt më 25 korrik të vitit 1974, goditja erdhi e shkallëzuar dhe në rritje. Ndërsa në Aktivin e Ushtrisë u akuzua për kundërshtim të tezave të Këshillit të Mbrojtjes, në Byronë Politike akuzat u rënduan duke u cilësuar si “devijator i vijës së Partisë dhe si agjent i imperializmit dhe i social-imperializmit”. Maja arriti në Pleniumin e pestë që unë do t’a cilësoja gjyq të sajuar politik me moton: “Çfarë keni për të shtuar të tjera për armikun e popullit”? Plenumi u kthye në nje maskaradë ku shumica e të pranishëmve merrnin fjalën për të fituar kredit ndaj Enver Hoxhës. Pra hetimi filloj në Aktiv, vendimi u mor në Byronë Politike dhe pretenca u dha në Plenum. Kështu kish funksionuar gjithnjë ky mekanizëm.

Po nga Enver Hoxha a pati sulme Beqir Balluku?

Dua të shtoj diçka. Në Aktivin e Ushtrisë, Enver Hoxha nuk merrte pjesë, ai i ndiqte zhvillimet nga Tirana. Këtu nuk bëhet fjalë për sulm por për direktiva. Në mbledhjen e Byrosë ai nuk la vend të tjerëve për analizë, por dha direktivën: “Beqiri ka dalë nga vija e marksizëm-lenininzmit”. Kaq është e mjaftueshme për të cilësuar si shkoi kjo mbledhje më pas.

A ju tregoi babai se çfarë akuzash i kishte bërë Enveri në atë Plenum?

Si fillim desha të bëj një parantezë lidhur me atë Plenum. Ne mendonim se dita e Plenumit do të ishte hera e fundit që do të shihnim babanë tonë, Beqirin, por nuk e arrestuan menjëherë pas mbledhjes, kështu ai pati fatin të kthehej në shtëpi ku bisedoi gjerë e gjatë me ne duke na treguar të gjitha ato që kishte ndodhur në atë Plenum dhe gjithçka ishte thënë ndaj tij.

A mund të na thoni diçka rreth atyre që biseduat me babanë tuaj kur ai erdhi në shtëpi pas përfundimit të atij Pleniumi?

Ne biseduam gjatë, por ajo që është më e rëndësishmja për ju, mendoj se janë akuzat e Enver Hoxhës në adresë të babait tonë, Beqirit, dhe cilat ishin fjalët që na tha ai në shtëpi lidhur me ato akuza. Më kujtohet që babai erdhi në shtëpi pasdreke dhe fjalët e para të tij ishin për vendimet që ishin marrë aty në adresë të tij, pra përjashtimin e tij nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore dhe gjithashtu ishte përjashtuar edhe nga Partia. Në atë Plenium Enveri ishte shprehur duke thënë se “Beqir Balluku ishte tradhëtari më i madh që kishte parë Shqipëria deri në atë kohë”. Por ato akuza nuk qëndronin kurrsesi, sepse po të kishte qenë Beqir Balluku tradhëtar, ai do të kishte tradhëtuar në vitin 1948 dhe në 1960 (i’u kujtoj ngjarjet me Titon dhe atasheun ushtarak sovjetik në Tiranë) kur atij i’u afrua një një mbështetje e madhe nga jashtë. Dhe kurrsesi babai nuk mund të tradhëtonte në vitin 1974 kur ai nuk kishte asnjë lloj mbështetje. Këto ishin pak a shumë thelbi i përgjigjieve të babait, ndaj akuzave që i kishte bërë Enver Hoxha në Plenium. Po kështu desha të shtoj se duke e njohur mirë babanë tonë, me ato që po ndodhnin, mua personalisht më humbi krejtësisht besimi tek Partia.

Po pse deri në atë kohë ju nuk kishit pasur asnjë rezervë në lidhje me vijën që po ndiqte Enver Hoxha me udhëheqjen e lartë?

Për të qenë sa më i sinqertë me ju dhe me lexuesin deri në fund, desha të them se unë me vëllanë tim, Ladin, duke qenë se kishim dalë disa herë jashtë me sportin, kishim parë nivelin ekonomik dhe zhvillimin e atyre vëndeve e shpesh herë bënim krahësimin ndërmjet tyre me Shqipërinë. Ndërsa përsa i përket dënimeve të njerëzve të pafaj për probleme politike, unë me Ladin thonim se aty arrinte kulmi. Por të gjitha ato biseda ne i bënim vetëm me njëri tjetrin dhe kurrë jashtë shtëpisë.

Çfarë ndodhi me babanë tuaj pas atij Plenumi dhe si rrodhën ngjarjet më vonë?

Pas atij Pleniumi, babai qëndroi në shtëpi edhe për afro dhjetë ditë të tjera, sepse si duket, ata që e kishin sulmuar dhe goditur në atë Plenum, nuk e kishin vendosur ende se ku do e dërgonin. Ato ditë që babai qëndroi i mbyllur në shtëpi, rreth e rreth shtëpisë sonë, u shtuan masat e sigurisë, gjë e cila bëhej pa rënë në sy, por dukej fare qartë me shtimin e ushtarëve të armatosur pak më tutje vilës sonë. Ndërsa babai qëndroi i mbyllur në shtëpi, ne të tjetër dilnim dhe nuk na ndalonte njeri. Por mendoj se edhe ndaj nesh ishte vendosur masa e survejimit.

Ato dhjetë ditë që Beqiri qëndroi i mbyllur në shtëpi, a patët ndonjë vizitë dhe a shkeli aty njeri tjetër jo pjestar i familjes?

Ato dhjetë ditë në shtëpinë tonë mundën të vinin dy persona. I pari ishte një stomatolog nga Poliklinika Qëndrore, të cilin vajta dhe e mora unë, pasi babai kishte probleme me dhëmbët. Kur vajta atje, ai u tregua shumë i gatshëm dhe erdhi në shtëpi duke e mjekuar në kushtet që mund të mjekohet një njeri jashtë klinikës stomatologjike. Mund të them se, si vajtja ime atje dhe ardhja e atij stomatologu në shtëpinë tonë, kanë qenë të kontrolluar nga organet përkatëse.

Po njeriu tjetër që thatë se erdhi në shtëpinë tuaj, kush ishte?

Personi tjetër që erdhi në shtëpinë tonë ato ditë që babai qëndroi aty i izoluar, pas atij Plenumi që e kishte cilësuar atë tradhëtar dhe armik, ishte kuzhinjeri i familjes sonë, Nuredin Bufi, i cili erdhi në shtëpinë tonë deri ditën e fundit që ne qëndruam aty. Nuredinin ne e kishim si njeriun e shtëpisë (punonte aty për më shumë se 25 vjet), por ardhja e tij në atë kohë ishte një guxim më shumë se i tepruar, pasi pas shkarkimit dhe përjashtimit të babait nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore, atij i’a hoqën dhe të gjithë personelin e shërbimit, me shoferin, shoqëruesit, rojet etj. Për atë mirënjohje apo njerzillëk që tregoi Nuredini ndaj familjes sonë, organet e Sigurimit të Shtetit e dënuan më pas me dy vjet burg, duke e akuzuar gjoja për një derë hekuri.

Po nëna juaj, Znj. Taibe Kafazi, nga ishte me origjinë, çfarë shtrese shoqërore i përkiste familja e saj dhe ku kishte punuar deri në atë kohë?

Origjina e nënës sonë është nga Berati dhe ajo rrjedh nga një familje bejlerësh të cilët pothuaj të gjithë pasurinë e tyre e kishin shkrirë për Luftën Antifashiste Nac-Çlirimtare. Nje nga vëllëzërit e nënës sonë, (daja i im) u vra gjatë luftës në vitin 1943 dhe ështe shpallur dëshmor i Atdheut. Njëri nga dajat, që gjatë Luftës kur ishte ilegal në Tiranë, ka pasur njohje dhe miqësi me babanë tonë, Beqirin dhe si rezultat i saj u bë më pas edhe miqësia me familjen e tyre. Dhe nëna mori pjesë aktive në Luftë, duke u inkuadruar në Brigadën e III-të partizane, ku për pak kohë babai ish komisar i saj. Ndërsa nëna jonë, Taibja, në vitin 1974 kur filloi goditja ndaj nesh, pati punuar në Ndërrmarjen Artistike “Migjeni” në Tiranë.

Pas largimit nga Tirana më 5 gusht 1974, ku e dërguan babanë tuaj, Beqirin, nënën, Taiben, Lulen dhe Agimin?

Pas largimit nga Tirana, babai, nëna, Lulja, Agimi dhe Agroni udhëtuan në drejtim të qytezës së Roskovecit, që ishte paracaktuar si vëndi i internimit. Në atë qytezë të vogël, ata u vendosën me banim në katin e dytë të një pallati, që ishte “rregulluar” apostafat për familjen tonë.

Sa kohë qëndruan ata në qytezën e Roskovecit dhe a u lejonin ju të tjerëve që ishit në Tiranë për të shkuar dhe për t’i takuar ata?

Në Roskovec, babai bashkë me pjesën e familjes që e shoqëronte nuk qëndroi për më shumë se një muaj e gjysëm, sepse ata i lëvizën edhe që andej duke i internuar përsëri për në Selenicë të Vlorës. Por gjatë asaj periudhe kohe që ata qëndruan në Roskovec, ne nuk pengoheshim per te shkuar atje, por natyrisht të gjitha lëvizjet tona ishin të kontrolluara nga Sigurimi i Shtetit.

Gjatë kohës që ata ishin në Roskovec, me çfarë të ardhurash financiare mbahej familja dhe si i kalonte ditët atje babai juaj, Beqiri?

Gjatë kohës që babai me nënën, Lulen, Agronin e Agimin qëndruan në Roskovec, ata mbaheshin vetëm me pensionin e babait të cilin nuk i’a dhanë menjëherë, por i’a vonuan për shumë kohë. Ndërsa lidhur me pyetjen që bëtë se si i kalonte babai ditët atje në Roskovec, i’u them se gjatë asaj kohe, ai nuk doli për asnjë minutë nga shtëpia. Ai qëndronte në shtëpi duke lexuar libra dhe gjithashtu degjonte radio dhe shikonte televizorin bardh e zi që i’a kisha dërguar unë nga Tirana. Kjo përsa i përket kohës së lirë sepse në këtë kohë babai kishte diçka të rëndësishme për të bërë, “autokritikën” me shkrim që i’u kërkua nga Plenumi i V-të i Komitetit Qëndror të PPSH-së.

Le të kthehemi pak më pas në kohë, kur në fillim të këtij Plenumi u shtrua pyetja nga Enver Hoxha: “Ç’dënim mendoni t’i japim Beqir Ballukut”?

Pasi ishin dëgjuar më të zellshmit që bërtisnin “të arrestohet këtu armiku i popullit”, pati një propozim që në kontekst ishte: “të mendohet dhe brënda tre muajve të na paraqesë në Komitetin Qëndror me shkrim, një autokritikë të shëndoshë ku të na paraqesë veprimtarinë e tij armiqësore”. Enver Hoxha e mbështeti këtë propozim dhe Plenumi që kuptoi se ky ishte urdhëri i tij, e miratoi atë një zëri. Pra në Roskovec babai shkroi shumë dhe këtë material e solli në Tiranë vëllaj Agimi, i cili i’a dorëzoi në dorë Haxhi Kroit, sekretarit të Enver Hoxhës. Dua të theksoj se këtë material asnjë nga ne nuk e ka lexuar. Memorie.al
Vijon nesër

Kadare dy herë pranë arrestimit, Qemal Lame zbulon telefonatat: Enveri më tha “shikoji edhe ti dokumentet”

Dashnor Kaloçi

Prej një distance kohore disa dekadash duket se Ismail Kadare ishte shkrimtari më i privilegjuar i regjimit komunist: udhëtime jashtë shtetit, botime, romane me protagonist Enver Hoxhën, tek-tuk del edhe ndonjë fotografi e tij me diktatorin, në shtëpinë e këtij të fundit.

Mirëpo, dukja nuk është gjithçka. Dokumentet e botuara gjatë viteve të fundit kanë treguar se e vërteta qëndron ndryshe. Shkrimtari jo vetëm që ishte i ndjekur, i survejuar, i vënë me “shpatulla për muri” nga “kolektivi”, – fundja si çdo shqiptar,- por edhe në rrezik serioz për jetën. Fati i tij varej në fije të perit.

Këtë na e dëshmon në vetë të parë një nga njerëzit më të pushtetshëm për dhjetë vjet me radhë gjatë diktaturës komuniste. Bëhet fjalë për ish-kryetarin e Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë, Qemal Lame, i cili sjell për publikun librin e tij “Dritëhijet e kohës: Letërsia dhe arti në diktaturë.

“Përndjekja e Ismail Kadaresë”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Neraida”. Krahas fakteve që tashmë janë bërë publike, sipas të cilave Ismail Kadare rrezikonte të dënohej në grupin e “komplotistëve”, me në krye Mehmet Shehun, Lame me përgjegjësi profesionale dëshmon se për Kadarenë kanë ekzistuar jo vetëm dosje, por urdhra konkretë arrestimi.

“Ka rëndësi të dokumentohet me objektivitet e vërteta për urdhra konkretë për arrestimin e shkrimtarit. Janë dy raste konkrete kur është diskutuar për arrestimin e Ismail Kadaresë. Në vitin 1982 u dha urdhër konkret për arrestimin, u përgatitën dokumentet ligjore, por zbatimi u anulua në momentet e fundit. Në vitin 1983 u përgatitën edhe një herë dokumentet për arrestim. Këto dokumente nuk u njoftuan dhe as u dërguan zyrtarisht në Hetuesinë e Përgjithshme”, shkruan ai në librin e tij “Dritëhijet e kohës”.

Qemal Lame
Qemal Lame

Sipas tij, kjo ishte një çështje aq me rëndësi, saqë me të po merreshin krerët më të lartë të shtetit. Nuk bëhej fjalë thjesht për krerë të Sigurimit të Shtetit apo Ministrisë së Brendshme, madje nuk mjafton as Ramiz Alia e Hekuran Isai. Ishte vetë Enver Hoxha i interesuar për këtë çështje.

Qemal Lame, ndër të tjera boton edhe pjesë të ditarit të tij, mbajtur gjatë viteve që drejtonte institucionin e Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë. Për herë të parë zbardhen biseda telefonike dhe takime me Enver Hoxhën, që urdhëronte: Të arrestohet!

QEMAL LAME

DY URDHRA KONKRETË PËR ARRESTIMIN

Ka rëndësi të dokumentohet me objektivitet e vërteta për urdhra konkretë për arrestimin e shkrimtarit. Janë dy raste konkrete kur është diskutuar për arrestimin e Ismail Kadaresë.

– Në vitin 1982 u dha urdhër konkret për arrestimin, u përgatitën dokumentet ligjore, por zbatimi u anulua në momentet e fundit.

– Në vitin 1983 u përgatitën edhe një herë dokumentet për arrestim. Këto dokumente nuk u njoftuan dhe as u dërguan zyrtarisht në Hetuesinë e Përgjithshme.

URDHRI I PARË PËR ARRESTIMIN

Ideja, formulimi dhe kërkesa për zbatimin e arrestimit është dhënë nga vetë Enver Hoxha.

E premte, më 24 shtator 1982, 20:15

Në zyrën time, si kryehetues i përgjithshëm, ra zilja e telefonit sekret të komunikimit vetëm me udhëheqjen:

-Jam Enveri, Qemal! Ramizi dhe Hekurani më raportuan për hetimet. Kanë dokumentet për atë Kadarenë. Të arrestohet! Mos veproni menjëherë! Do ta diskutojmë. Shikoji edhe ti dokumentet. Dua mendimin tënd. Mos u thuaj Ramizit e Hekuranit që biseduam bashkë.

-Si të urdhëroni ju, shoku Enver!

-Mirë. Natën e mirë!

-Natën e mirë!

E hënë, më 27 shtator 1982, 08:00:

Biseda me Hekuran Isain

– Shoku Qemal! Nga hetimi kanë dalë fakte dhe kemi dokumente për bashkëpunimin e Ismail Kadaresë me Mehmet Shehun. Dokumentet ia kam bërë të njohura shokut Enver. Do ta arrestojmë. Kemi bërë gati kallëzimet. Shoku Enver më porositi që t’i analizoni edhe ju materialet dhe të shkojmë tek ai.

– Do t’i lexoj dhe analizoj me shumë përgjegjësi, shoku Hekuran.

E hënë, më 27 shtator 1982, 08:30:

Telefonata e Ramiz Alisë

Ra zilja e telefonit sekret. Ishte Ramiz Alia.

Ramiz Alia: Shoku Qemal! Hekurani ka biseduar me ju për Ismail Kadarenë.

Qemal Lame: Po, shoku Ramiz. Pak më parë biseduam. Jam duke lexuar dhe analizuar dokumentet.

Ramiz Alia: Do ishte mirë të bisedonim. Sapo bisedova edhe me Hekuranin. Po të keni kohë, hajdeni e bisedojmë të tre bashkërisht. Në orën 09:00 do jem në zyrë.

Qemal Lame: Do të vij, shoku Ramiz.

Hekurani erdhi në zyrën time dhe shkuam së bashku te Ramizi.

E hënë, më 27 shtator 1982, 09:00:

Biseda me Ramiz Alinë

Ramiz Alia: Shoku Qemal! I kemi dokumentet për Ismailin. Ta arrestojmë! Nuk ka përse të zgjatet më ky veprim.

Qemal Lame:Nuk i kam lexuar të gjitha materialet, shoku Ramiz. Ka dokumente të vjetra dhe të tanishme nga hetimi i komplotit.

Ramiz Alia: Mirë. Lexoji dhe analizoji. Do të takohemi me shokun Enver dhe do të bisedojmë. Ai do që ju të jepni mendim. Ka besim dhe pret mendimin tuaj. Do të të lajmëroj kur të takohemi. /Panorama/
(VIJON…)

Ngjarja e panjohur e ish-ministrit Balluku/ “Babai se pranoi ‘ofertën’ që i bëri Tito në një takim të fshehtë dhe gjatë kthimit, mbi Pogradec, piloti jugosllav…”

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Beqir Ballukut, ish-Ministrit të Mbrojtjes Popullore, deputetit të Kuvendit Popullor, anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe zv/kryeministrit të parë të qeverisë së drejtuar prej Mehmet Shehut, i cili u pushkatua në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës pranë fshatit Linzë më 5 nëntor të vitit 1975, pasi ishte dënuar me vdekje nga ana Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, i akuzuar si “kreu i grupit puçist në ushtri”.

Dëshmia e rrallë e Çlirim Ballukut, djalit të madh të familjes Balluku, që nga origjina e familjes, periudha e Monarkisë së Zogut, aktiviteti i tij gjatë Luftës Antifashiste, shkollimi, funksionet dhe detyrat pas vitit 1945, raportet e relatat me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Gogo Nushin, etj., nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, si dhe përse filluan kritikat e goditja ndaj tij në vitin 1974, kush ishin ata që e sulmuan më shumë në mbledhjet e para, çfarë u tha ai fëmijve të tij kur u kthye në shtëpi pasi ishte sulmuar si “armik i popullit”, internimi i tij dhe familjes, ekzekutimi bashkë me dy vartësit e tij, Petrit Dumen dhe Hito Çakon në një nga tunelet e fshehta të Linzës në periferi të Tiranës, si e mësoi familja atë gjë kur ishte në internim, e deri tek peripecitë e shumta pas viteve ’90-të për të gjetur eshtrat e tij në fshatin Vranisht të Vlorës, ku ishin groposur me urdhër dhe nën kujdesjen e Kadri Hazbiut.

“Goditja ndaj babait tonë, Beqir Ballukut, i cili prej vitesh mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, filloi në qershor-korrikun e vitit 1974 me mbledhjen e zgjeruar të Aktivit të Ushtrisë, e cila u mbajt në Vilën e Zogut të qytetit të Durrësit. Goditja ndaj tij ishte e parapërgatitur në bazë të një skenari të hartuar mjaft mirë nga krerët kryesorë të “piramidës” së lartë të PPSH-së, me njerëz të veçantë brenda rradhëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo gjë vërtetohet edhe nga fakti se akuzat ndaj tij filluan në një kohë që materiali me tezat që duheshin të paraqiteshin për diskutim në Këshillin e Mbrojtjes, nuk ishin bërë ende publike dhe ndodheshin të mbyllura në kasafortën e zyrës në Ministrinë e Mbrojtjes. Pas asaj ai u analizua edhe në mbledhjet e Byrosë Politike ku Enver Hoxha dha i pari orientimin e sulmeve ndaj tij, duke e akuzuar si tradhëtarin më të madh që kishte pasur Shqipëria deri në atë kohë. Pas atyre mbledhjeve të Byrosë Politike, babai u analizua edhe në Pleniumin e Pestë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, që u mbajt më 25 korrik të vitit 1974, ku u sulmua nga dikush më shumë dhe nga dikush me pak. Në fund të atij Pleniumi ai u përjashtua dhe u shkarëkua nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore. Pas asaj mbledhje, babai nuk u arrestua si shumë nga ish-personalitetet e larta të udhëheqjes së lartë komuniste që ishin goditur vite më parë, por u la i lirë që të vinte në shtëpi. Më kujtohet si tani kur erdhi babai në shtëpi pas asaj mbledhje dhe na tregoi gjithëshka që kishte ngjarë në atë Plenium, si dhe vendimet që ishin marrë aty në adresë të personit të tij. Në thelb të atyre fjalëve që na tha babai atë pasdreke në shtëpinë tonë, ku ishim mbledhur të gjithë ne pjestarët e familjes, ishte ajo që ai nuk ishte tradhëtar dhe nuk e kishte tradhëtuar asnjëherë Partinë dhe Enver Hoxhën. Pas asaj dite babai qëndroi edhe rreth dhjetë ditë të tjera pa dalë fare nga shtëpia, pasi edhe ata që e goditën nuk kishin vendosur ende se në çfarë vëndi do e dërgonin. Gjatë atyre dhjetë ditëve që babai nuk doli fare nga shtëpia, në afërsi të vilës sonë aty në Bllok, u përforcuan masat e sigurisë gjë e cila dukej qartë edhe nga shtimi i ushtarëve të Gardës. Gjatë asaj kohe, në bisedat që bënte me ne, për për herë të parë Beqiri u shpreh hapur kundra udhëheqjes së lartë të Partisë, duke na thënë se ajo po e godiste kot dhe gjithshka thuhej në adresë të tij ishte e manipuluar”.

Dëshmon për Memorie.al, Çlirim Balluku, djali i madh i ish-Ministrit të Mbrojtjes, anëtarit të Byrosë Politike dhe zë/kryeministërit të parë në qeverinë komuniste të kryesuar prej Mehmet Shehut, i cili rrëfen të gjithë historinë e panjohur të babait të tij, Beqir Ballukut, i konsideruar si një prej udhëheqësve më popullorë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili u pushkatua në 5 nëntorin e vitit 1975 në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës afër fshatit Linzë, së bashku me dy vartësit e tij, Shefin e Shtatmadhorisë, Petrit Dumen, e Drejtorin Politik të Ushtrisë, Hito Çakon.

Kush ishte Beqir Balluku, cila ishte origjina dhe e kaluara e tij e ku u shkollua ai? Si u lidh Beqiri për herë të parë me grupet komuniste, kush ishin shokët e tij më të ngushtë gjatë Luftës dhe si u njoh ai për herë të parë me Enver Hoxhën në vitin 1943? Cilat ishin akuzat që i’u bënë Beqir Ballukut nga Enver Hoxha në mbledhjet e Byrosë Politike dhe Pleniumin e pestë që u mbajt në 25 korrikun e vitit 1974 dhe çfarë iu tha Beqiri familjes së tij pas asaj mbledhje ku e përjashtuan nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore? Çfarë ndodhi me Beqirin ato dhjetë ditë që ai qëndroi i izoluar në vilën e tij të Bllokut, kush ishte njeriu i vetëm që mundi të hynte në shtëpinë e tij dhe çfarë porosish iu dha ai fëmijëve të tij? Çfarë i kërkoi sekretari i partisë i Radio-Televizionit Shqiptar, Çlirimit, djalit të madh të Beqirit, kur e thirri atë në zyrën e tij dhe cila ishte përgjigjia që mori prej tij? Si e hoqën Beqirin nga vila e tij e Bllokut për ta internuar në Roskovec të Fierit dhe si u arrestu ai në shtatë dhjetorin e vitit 1974 kur ishte i internuar në Selenicë të Vlorës? Si e mësoi familja Balluku ekzekutimin e Beqirit dhe si u trajtuan që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991 kur qëndruan të internuar në Selenicë të Vlorës?

Çlirim Balluku, është djali i madh nga gjashtë fëmijët e Beqir Ballukut, ish-Ministrit të Mbrojtjes, deputetit, anëtarit të Byrosë Politike dhe zv/kryeministrit të parë në qeverinë komuniste të Mehmet Shehut, i cili qëndroi në ato funksione të larta deri në vitin 1974, kur u akuzua dhe u godit nga Enver Hoxha, duke u quajtur sabotator, armik dhe kreu i “Puçit Ushtarak” që kishte për qëllim rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor në Shqipëri. Si më i madh i familjes Balluku, Çlirimi i mban mënd mjaft mirë dhe i ka përjetuar vetë shumë nga ngjarjet e asaj kohe të largët kur babai i tij ishte në majat më të larta të regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe më pas kur ai u sulmua nga Enveri me akuza nga më të rëndat, të cilat tashmë janë bërë publike për lexuesin e gjerë nga botimet e shumta në shtypin e përditshëm të pas viteve ‘90-të. Nisur nga ky fakt dhe për t’u njohur akoma dhe më shumë me anën e panjohur të figurës së Beqir Ballukut dhe familjes së tij, në vazhdën e dhjetra shkrimeve të kësaj natyre që kanë gjetur vënd në faqet e Memorie.al, ne i’u drejtuam për një intervistë të gjatë zotit Çlirim Balluku, të cilën po e publikojmë duke filluar nga ky numër.

Vijon nga numri kaluar

Zoti Çlirim, është thënë se Beqir Balluku deri në vitin 1974, ka qenë njeriu më i besuar i Enver Hoxhës, dhe ajo gjë lidhej me faktin sepse ai e ka shpëtuar dy herë Enverin. Rasti i parë bën fjalë për vitin 1948 kur Josif Broz Tito i kërkoi Beqirit që të firmoste urdhërin për pranimin e futjen e dy divizioneve ushtarake jugosllave brenda kufirit tonë në zonën e Korçës, gjë të cilën Beqiri e refuzoi. Ndërsa rasti i dytë bën fjalë për vitin 1960 kur Shqipëria po i prishte marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Një nga anëtarët e Byrosë Politike të asaj kohe, ka dëshmuar për Memorie.al duke thënë se në atë kohë që Enveri, Hysniu, Mehmeti, Kadriu dhe Ramizi ndodheshin në Moskë, atasheu ushtarak sovjetik që ishte në Tiranë, në pije e sipër e provokoi Beqirin duke i thënë: “Si thua, t’i lëmë jashtë ata të katërt dhe t’i japim ty çelsat e Shqipërisë”? Dhe insinuatës tepër të qartë të diplomatit ushtarak sovjetik, Beqiri i’u përgjigj i prerë: “Po t’ju ndodhi gjë atyre të pestëve që ndodhen në Moskë, unë me dorën time do t’i var në Sheshin “Skënderbej” të 5000 rusët që janë në Shqipëri”. A keni dijeni ju dhe si qëndron e vërteta për këto dy ngjarje?

Mund të them se për këto dy ngjarje kam dëgjuar natyrshëm në momente të veçanta nga persona të ndryshëm, (jo të rangut të udhëheqjes së lartë) të cilët sot pas kaq vitesh nuk mund që t’i përcaktoj qartë dhe me ekzaktësi se kush kanë qenë. Por mendoj se fakti, d.m.th. se kush kanë qenë ata persona që kanë folur në prezencën e babait për ato dy momente historike, ku kanë qenë dhe pjestarë të tjerë të familjes, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Por vija re, se lidhur me historinë e atyre dy ngjarjeve dhe argumentimit të tyre, babait, Beqirit, nuk i pëlqenin të diskutoheshin fare dhe personat që i hapnin bisedat për to, ai i ndërpriste menjëherë duke e kaluar bisedën në çështje të tjera. Natyrisht duke mos qenë i njohur me ato ngjarje, sidomos me atë të vitit 1948, nga kurioziteti i moshës, unë isha i interesuar të mësoja diçka më shumë se ato që kisha dëgjuar nga goja e atyre personave që thashë më lart. Nisur nga kjo që thashë dhe gjithashtu nga personaliteti politik e ndërkombëtar që gëzonte në atë kohë udhëheqësi i Jugosllavisë, Marshalli Josif Broz Tito, unë në koefidencë e pata pyetur babanë, se si qëndronte e vërteta lidhur me atë ngjarje. Dhe përgjigjia e babait ishte kjo që po jua them unë me fjalët e mia, sipas asaj që mbaj mënd nga biseda me të. Gjatë një vizite pune në Beograd, diku aty nga viti 1948 kur babai ishte në funksionin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Marshalli Tito e kishte thirrur Beqirin në një takim, jashtë programit të vizitave dhe takimeve të punës që ai kishte parashikur para nisjes nga Shqipëria për në Beograd. Gjatë asaj bisede, pasi kishte shfaqur shqetësimin për një rrezik evident që mund t’i vinte Shqipërisë nga fqinji jugor i saj, Greqia, Josif Broz Tito, i kishte kërkuar Beqirit që ai, me cilësinë e Shefit të Shtatmadhorisë Shqiptare, të firmoste një dokument ku thuhej se ishte dakort për futjen e trupave jugosllave brenda territorit shqiptar. Duhet të kemi parasysh se ky moment, pra kërkimi për firmosjen e atij dokumenti, bën fjalë për atë kohë kur Josif Broz Tito deklarohej dhe konsiderohej si miku më i madh i Shqipërisë.

Cila ishte përgjigjia e Beqir Ballukut lidhur me atë kerkesë që i bëri Josif Broz Tito?

Përgjigjia që i kishte dhënë babai, Titos, ishte kjo: “Shqipëria nuk ka ndonjë rrezik evident që të sulmohet nga Greqia, por edhe sikur të ndodhë kjo, ne jemi vetë në gjëndje që t’i mbrojmë vetë kufijtë tanë me të gjithë arsenalin ushtarak që disponojmë. Por më kryesorja është se unë nuk jam i autorizuar që të firmos një dokument të tillë”. Ndoshta kjo histori për të cilën po flasim, është e lidhur edhe me një ngjarje tjetër të panjohur që ka të bëjë me rrëzimin e avionit ushtarak jugosllav me të cilin po kthehej babai nga Beogradi për në Tiranë pas mbarimit të asaj vizite. Gjatë udhëtimit me atë avion për në Tiranë, piloti jugosllav bëri një ulje të detyruar diku në një arë të punuar në afërsi të Liqenit të Pogradecit. Këtë ndodhi, nëna jonë, Taibja (bashkëshortja e Beqir Ballukut) e kujtonte deri sa ishte gjallë, me frikën që ndjeu në ato momente kur mësoi për ngjarjen që i kishte ndodhur babait me avionin jugosllav.

Po për ngjarjen tjetër, atë të vitit 1960 me atasheun ushtarak sovjetik në Tiranë, ç’mund të na thoni?

Për sa i përket ngjarjes së vitit 1960, atë që bën fjalë lidhur me krizën që kishte përfshirë marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, unë ato i kam të dëgjuara nga të tjerë, si në atë kohë, apo i kam lexuar në shtypin shqiptar të pas viteve ‘90. Lidhur me sa pyetët, mendoj se ka pak rëndësi forma se si i’u përgjigj babai atasheut sovjetik (gjeneralit) në Tiranë, pas provokimit apo sugjerimit që i bëri ai, sepse, rëndësinë më të madhe e ka ka përmbajtja e përgjigjies që i dha Beqiri atij. Por, siç jam shprehur diku më lart gjatë kësaj interviste, desha të shtoj se: duke pasur parasysh impenjimin e madh të babait gjatë atyre ngjarjeve, më kujtohet fare mirë se ne si fëmijë, e ndjenim mungesën e tij në familje.

Po me ushtarakët e tjerë madhorë, ish-gjeneralë e kolonelë të cilët ishin edhe vartësit e tij, çfarë marrëdhëniesh ka pasur Beqiri, kë kishte mikun më të afërt ndër ta dhe a vinin ata në shtëpinë tuaj?

Për këtë është më mirë që të pyseni ish-ushtarakët e lartë, por megjithëatë mund t’ju them se nga takimet e rastësishme që unë kam pasur me ta, nuk ka qenë e vështirë që përnjeherë të ndjeja simpatinë dhe respektin e madh të tyre ndaj tij. Besoj se kjo mjafton që të kuptosh mjaft mirë marrëdhëniet që ka pasur babai me vartësit e tij dhe ish-ushtarakët e tjerë të lartë, ndaj të cilëve ai nuk bënte kurrë dallime dhe i konsideronte të gjithë njëlloj. Por desha të theksoj se Pogradeci mbetej vëndi më i preferuar i babait për pushime.

Ku i kalonte zakonisht pushimet e gjata verore Beqiri dhe familja juaj?

Pushimet verore zakonisht babai me familjen i bënte në plazhet e Pogradecit, Vlorës dhe Durrësit, aty ku i bënin zakonisht edhe ish-funksionarët e tjerë të lartë. Po në një rast të vetëm, para prishjes së marrëdhënieve shtetërore me Bashkimin Sovjetik, babai ynë Beqiri i bëri pushimet familjarisht në Çekosllavaki, sepse ai kishte një miqësi të ngushtë me Ministrin e Mbrojtjes së aij shteti, i cili e ftoi babanë tonë që t’i kalonte atje pushimet bashkë me familjen. Por kjo gjë ishte një përjashtim dhe pas asaj, edhe babai e ftoi homologun e tij çek i cili erdhi në Shqipëri duke i’a kthyer vizitën.

Cilat kanë qenë lojrat dhe argëtimet më të preferuara të Beqir Ballukut dhe me kë luante ai nga personalitetet e tjera të udhëheqjes së lartë?

Për sa i përket lojrave të ndryshme si bilardo, shah, tavëll, apo letra, babai ynë nuk i luante fare sepse nuk i kishte qejf. Në shtëpinë tonë ne nuk kemi pasur fare bilardo dhe as me letra babai nuk luante. Kjo gjë ndodhte ndoshta edhe për arsye kohe, sepse pjesën më të madhe të kohës ai e kalonte në punë. Babai kishte një regjim ditor po thuaj me një orar strikt. Në ora tetë ai shkonte në zyrë dhe në shtëpi vinte në ora katër, ku pasi hante drekë, shkonte përsëri në punë dhe punonte edhe disa orë të tjera. Atë pak kohë të lirë që i mbetej, babai e kalonte në shtëpi sepse ai ishte shumë i lidhur me familjen. Babai kishte krijuar raporte shumë të afërta me ne fëmijët dhe nuk mbante fare distancë. Ai ishte shumë komunikues dhe mund të bisedoje me të fare lirshëm pa të krijuar asnjë distancë.

Cilët ishin sportet me të preferuara të babait tuaj?

Sportet më të preferuar të tij ishin gjahu, futbolli por edhe noti, sepse babai notonte shumë mirë. Në funksion të periudhave të ndryshme dhe të moshës, ai i ka ushtruar ato dhe më vonë edhe tenisin. Që në vitet e para të pasluftës apo dhe më vonë kur babai ishte më i ri, ai dilte në stadiumin “Dinamo”, apo në ndonjë palestër tjetër dhe luante futboll, kryesisht gjatë mbrëmjeve. Këtë gjë siç thashë e bënte kur ishte i ri. Rrallë here e shoqëronim edhe ne dy çunat, unë me vëllanë tjetër, Ladin, sepse edhe ne që të vegjël ishim të ingranuar me sportet e atletikës dhe futbollit. Po kështu përveç futbollit, babai luante edhe tenis tek Shkolla e Bashkuar e Oficerëve me Petrit Dumen (Shefin e Shtabit të Përgjithshëm) e Abdyl Këllezin (zv/kryeministrin) dhe rrallë ndonjëherë në Klubin “Partizani”.

Është thënë se Beqir Balluku ka qenë një tifoz shumë i madh i “Partizani”-t dhe bënte shumë për atë skuadër që përfaqësonte Ushtrinë Popullore?

Dua t’ju them se dikush që është marrë njëherë me sport, apo që e njeh atë, nuk mund të jetë tifoz. Futbollin ai e njihte që nga koha e të mëdhenjëve Riza Lushta e Naim Kryeziu, të cilët i ka pas njohur personalisht. Gjatë viteve 1960-‘70, babai ka pritur në shtëpi si Loro Boriçin që ishte trainer i ekipit “Partizani”, ashtu dhe Lym Allën që ishte trainer i Tiranës. Natyrisht duke qenë Ministër i Mbrojtjes, ai ishte i interesuar jo vetëm për futbollin, por edhe për të gjitha sportet e tjera të atij klubi sportiv.

Po me muzikën, librat dhe artin në përgjithësi, a ka qenë i lidhur Beqir Balluku?

Babai ka pas lexuar shumë shpesh libra të ndryshëm artistikë e historikë dhe ai e donte shumë artin dhe sidomos muzikën. Ai nuk donte vetëm muzikën e Shqipërisë së Mesme, por kishte preferenca edhe për muzikën operistike italiane dhe kryeveprat e muzikës botërore, të cilat i dëgjonte me vëmëndje të madhe. Ne kemi pasur shumë pllaka të vjetra gramafoni dhe shirtita disqesh me atë lloj muzike që babai i dëgjonte me kënaqësi. Po kështu edhe kur hynë manjetofonët e parë, babai filloi të koleksiononte shumë kaseta, disa nga të cilat i pata regjistruar unë kur punoja në Radio-Televizionin Shqiptar në vitet 1970-‘74.

A ka qenë ndopak liberal babai juaj, apo anonte nga e kundërta, nga konservatorizmi?

Mendoj se për kohën ka qenë liberal. Në atë periudhë kohe kur ne fëmijët ishim në moshë të re dhe në radio apo manjetofona dëgjonim muzikë të huaj, babai nuk na tërhiqte vërejtje dhe nuk na pengonte asnjëherë, kur dihej shumë mirë se ato ishin të ndaluara. Po kështu desha të shtoj se në rrethin tim shoqëror kishte dhe nga ata me biografi “jo të pastër” , të cilët vinin edhe në shtëpinë tonë. Në atë kohë, si mik i imi, në shtëpinë tonë vinte dhe Hans Bekteshi, nipi i Arshi Pipës, por babai asnjëherë nuk më tërhoqi vëmëndje, përkundrazi takohej me përzemërsi me të edhe pse e dinte shumë mirë se kush ishte.

Ju jeni një nga fëmijët e ish-“Bllok”-ut me moshëm më të madhe dhe njëkohësisht jeni martuar më herët se të tjetër. Sa vetë kanë qenë të ftuar në dasmën tuaj dhe kush ka qenë nga personalitet e larta të udhëheqjes komuniste?

Të ftuar në darkat e dasmave tona nuk ka pasur nga personalitet e larta të udhëheqjes, sepse në darka thirren miqtë dhe ata që të kanë ftuar në të tilla gëzime. Dy dasmat tona u bënë ashtu siç bëheshin në popull dhe si bëhen sot. Babai vuante dhe e respektonte traditën shqiptare. Ndërsa për vizitë në shtëpi, natyrisht që patën ardhur dhe personalitetet.

Ka pasur dëshirë babai juaj Beqiri, që të bënte krushqi në “Bllok” dhe a keni pasur ju fëmijët nxitje prej tij në këtë drejtim, pra për t’u lidhur me vajzat e “Bllok”-ut?

Në këtë aspekt babai nuk na ka ndërhyrë asnjëherë në jetën tonë private dhe e respektonte zgjedhjen tonë. Unë dhe motra ime Drita u lidhëm me njerëz të thjeshtë dhe babait i pëlqeu ajo lidhje.

Historia e panjohur e Beqir Ballukut dhe familjes së tij nga 1945-sa deri në vitin 1974

Detyrën e Komandantit të Qarkut të Tiranës, e cila i’u dha Beqir Ballukut në saj të kontributit të madh që kishte dhënë gjatë Luftës, ai e mbajti deri në në vitin 1946, pasi në atë kohë u transferua nga Tirana duke u emëruar në detyrën e Komandantit të Divizionit të Korçës. Transferimi i Beqir Ballukut në atë detyrë, u bë për arsye se në atë kohë në vëndin fqinjë, në Greqi, ishte intesifikuar lufta civile ndërmjet forcave qeveritare të kryeministrit Caldaris dhe atyre komuniste partizane të udhëhequra nga Niko Zaharjadhis dhe gjenerali Markos Vafjadhis. Si rezultat i asaj lufte civile, kishte trazira edhe në kufirin jug-lindor të Shqipërisë, i cili i’u besua Divizionit të Korçës të komanduar nga kolonel Beqir Balluku dhe komisar, Panajot Plaku. Në atë detyrë, Beqiri qëndroi deri në vitin 1948 dhe në atë kohë ai u thirr në Tiranë për të zëvëndësuar Mehmet Shehun në funksionin e Shefit të Shtatmadhorisë shqiptare, pranë Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë që komandohej nga gjeneral-armate, Enver Hoxha. Në atë kohë, Beqiri së bashku me bashkëshorten e tij, Taibe Kafazi me të cilën ishte martuar që në fundin e vitit 1944, u vendos me banim në një nga vilat e “Bllok”-ut, që ndodhej fare pranë asaj së Enver Hoxhës. Pas emërimit në funksionin e Shefit të Shtatmadhorisë Shqiptare, Beqirit i’u dha edhe grada gjeneral-brigade dhe në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë që u mbajt në nëntorin e vitit 1948, ai u zgjodh edhe anëtar i Komitetit Qëndror të PKSH-së. Funksionin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Beqiri e mbajti deri në vitin 1951 kur u dërgua për studime pranë Akademisë Ushtarake “Voroshillov” të Moskës, të cilën ai e mbaroi në vitin 1955. Edhe gjatë kohës që ai ishte me studime në Bashkimin Sovjetik, nuk u zëvëndësua në funksionin e Shefit të Shtatmadhorisë, por vazhdoi ta mbante atë detyrë të lartë, duke u kthyer herë pas here në Shqipëri. Në vitin 1953, pasi kryeministri Enver Hoxha u lirua nga postet e Ministrit të Jashtëm dhe atij të Mbrojtjes, Beqir Balluku u emërua në postin e Ministrit të Mbrojtjes Popullore. Po kështu në vitin 1953, Beqiri u zgjodh edhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së. Që nga viti 1956, përveç funksionit të Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut i’a dha edhe funksioni i zv/kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, detyra të cilat ai i mbajti deri në 25 korrikun e vitit 1974. Po kështu që nga aderimi i Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, gjeneral-kolonel Beqir Balluku, mbajti edhe detyrën e nënkomandantit të atij Traktati, ashtu si të gjithë ministrat e vëndeve të tjera anëtare (të Lindjes Komuniste) që aderonin në atë pakt ushtarak. Që nga viti 1956, Beqir Balluku konsiderohej si njeriu më i afërt dhe më i besuar i Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Hoxhës dhe njëkohësisht edhe krahu i djathtë i tij. Nga martesa me zonjën Taibe Kafazi, Beqiri pati gjashtë fëmijë: Çlirimi, (1945) Vladimiri, (1949) Drita,(1950) Agimi, (1952) Lulja, (1954) dhe Agroni (1956). Nga viti 1947 e deri në vitin 1961, Beqir Balluku me familjen e tij ka banuar në disa vila të ndryshme te “Bllok”-ut dhe pas vitit 1961 e deri në vitin 1974, për arsye zgjerimi pasi i’u rritën fëmijët, ata u vendosën në vilën përballë asaj të Enverit (aty ku sot ndodhet “Kafe REX”) Deri në vitin 1974, dy djemtë e mëdhenj të familjes Balluku, Çlirimi dhe Vladimiri, si dhe vjaza e madhe Drita, ishin diplomuar në Universitetin e Tiranës në degët: Inxhinjeri Elektronike, Inxhinjeri Ndërtimi dhe Shkenca Politike ndërsa tre fëmijët e tjerë, Agimi, Lulja dhe Agroni, vazhdonin shkollat e larta apo ato të mesme. Pas mbarimit të studimeve universitare, djali i madh i familjes Balluku, Çlirimi, nga viti 1970 deri në vitin 1974 punoi në Radio-Televizionin Shqiptar, ndërsa Vladimiri në Institutin e Studimeve Ushtarake në Tiranë. Po kështu krahas studimeve, si Çlirimi edhe Vladimiri që në moshë fare të re ishin marrë me sport, duke qenë emra shumë të njohur, në atletikë ku Çlirimi ishte kampion kombëtar në disa gara, dhe në futboll ku Vladimiri aktivzohej si një nga pikat e forta të ekipit të “Partizani”-t. Edhe vetë Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, në ato kohë ka qenë mjaft i njohur si një nga simpatizantët e ekipit të futbollit “Partizani”. Ai kujdesej për t’i krijuar të gjitha kushtet futbollistëve të atij ekipi si dhe grumbullimin e sportistëve cilësorë nga skuadrat e tjera./Memorie.al