“Shko Hashim”, ia ka vënë titullin lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, një statusi dedikuar Presidentit Hashim Thaçi.
Kurti i bën thirrje Thaçit të vetëdorëzohet në Gjykatën Speciale, ndërsa shkrimi i tij ka nxitur shumë reagime. Aq sa, ish-bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Dardan Molliqaj, shkroi se Kurti pajtohet me Gjykatën Speciale, nëse ajo e fton Thaçin.
“Sot kanë ndërruar yjet, tjetër këngë këndohet. Gjykata Speciale, varet… Nese e arreston Hashim Thaçin edhe bën”, ka shkruar Molliqaj.
Në një shkrim në Facebook, Molliqaj po ashtu se Kurti po i personalizon raportet politike dhe po reagon njëjtë si kundërshtarët e tij. Sipas Molliqajt, lideri i VV’së nuk dallon aspak prej Hashim Thaçit.
“Duke i personalizuar marrëdhëniet politike deri në obsesion, Albini është zhytur e ka humbur brenda orbitës së kundërshtarëve, duke përvetësuar mënyrat e tyre. Sikur Hashimi, edhe ky punon me vegla e instrumentalizon çdo gje. Sikur Hashimi, edhe ky është frikacak që nuk ka pranuar të marrë mbi vete asnjë rrezik. Asnjë! Sikur Hashimi, edhe ky zgjohet në mëngjes me dy fjalë: unë dhe historia”, ka shkruar deputeti i PSD’së.
Kurti i kërkoi Thacit që të shkojë në Hagë, në Gjykatën, që sipas tij e ka krijuar vetë Presidenti. Sipas liderit të VV’së, nuk mund të shkojnë luftëtarët e tjerë në një institucion të krijuar me vota të deputetëve
“Sepse, si po e mendon këtë punë Hashim? Dhjetëra luftëtarë e pjesëtarë të UÇK-së, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa e deri te Sokol Dobruna, Kadri Veseli e Xhavit Haliti të shkojnë në Hagë, kurse ti në Prishtinë të jesh president me Baton Haxhiun?! Shko ti në vend të të gjithë atyre Hashim. Shko në Hagë. Për ata. Për vete. Shko. Mos e malltreto popullin dhe shtetin, shokët dhe vetveten. Shko ti”,
Analisti Imer Mushkolaj ka thënë për Gazetën Express se shkrimin e Kurtit e konsideron si shprehje të mllefit ndaj Thaçit.
Ai thotë se nuk e sheh si dëshirë të kreut të VV’së për të shkuar Presidenti në Hagë.
“Thirrjen e Kurtit më shumë e kam parë si shprehje mllefi të tij ndaj Hashim Thaçit, të cilin ai e konsideron përgjegjësin kryesor për themelimin e Gjykatës Speciale, se sa si thirrje ose dëshirë për dorëzimin e Thaçit në gjykatë”, është shprehur Mushkolaj.
Analisti ka kujtuar insistimin e Thaçit për t’u krijuar Gjykata Speciale, dhe nuk përjashton se një nga arsyet e kësaj mund të kenë qenë personale.
“Thaçi ka qenë personi që e ka marrë përgjegjësinë për themelimin e gjykatës dhe i cili ka bërë presion mbi deputetët e partisë së tij që ta votojnë atë. Thirrja e Kurtit ka të bëjë pikërisht me përgjegjësinë e ish-kryeministrit tash president, i cili për arsye të ndryshme, që mund të jenë edhe personale, shtyu përpara themelimin e gjykatës për procedimin e krimeve të supozuara të pjesëtarëve të UÇK’së, drejtor politik i së cilës organizatë ishte vetë”.
Zyrtarë të lartë të PDK’së u pozicionuan në mbrojtje të ish-shefit, pas fjalëve të Albin Kurtit. Nënkryetari i ish-partisë së Thacit, Xhavit Haliti, tha mbrëmë se dëshira e liderit të VV’së për t’u marrë në burg një nga figurat e shtetit është e papranueshme.
“Është degradim moral i individit i cili dëshiron ta çojë një njeri tepër të rëndësishëm të skenës politike në burg për luftën që e ka bo. Është tejet e papranueshme për mua. Nuk besoj që duhet gëzuar për ata që kanë luftuar e që shkojnë në burg”, tha Haliti në Interaktiv.
Sipas Halitit, nëse Thaçin e thërret Gjykata Speciale, ai do të shkojë.
“Nëse ka bërë krime, nëse ka vrarë njerëz të pafajshëm pas lufte, është tjetër muhabet, por duket tepër e ulët kjo, që t’i thuash në fund të fundit, një ish-kolegu tënd, shko në Hagë. Nëse e thërrasin, edhe ai shkon, nuk është prej atyre burrave që nuk shkon” ka thënë Haliti./Express/
Shporru