I nderuar Z. Agron Tufa, Drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit,
Nuk është aspak e habitshme që ju të sulmoheni për shkak të detyrës, nga individë me imunitet dhe pushtet politik në Shqipëri. Kjo është e natyrshme për aq kohë sa atyre u janë prishur balancat.
Dokumentet të publikuara prej Institucionit që ju drejtoni, i kanë zhveshur para publikut shqiptar dhe të huaj.
Ata do të kishin dëshiruar që në krye të Institucionit që ju drejtoni të ishte një ushtar i tyre! Kjo nuk ndodhi. Ndodhi që njëri nga ligjvënësit e Kuvendit të Shqipërisë, të kërkonte nga sallat e komisioneve, shkarkimin tuaj nga detyra.
( Me gjuhë kërcënuese, kujtoj se ju kërkoi të mbyllni gojën. Kambanë alarmi kjo për shoqërinë shqiptare në shekullin që jetojmë!)
Dikur këta individë kanë firmosur dënime me vdekje. Sot janë po këta që po të kishin mundësi do të bënin të njëjtin veprim. ( Sot Shqipëria është vend pluralist, dënimi me vdekje nuk ekziston).
Nëse do të ishte diktaturë, juve do ju kishin dënuar me vdekje, si Vison Blloshmin, Genc Lekën, e si shumë të tjerë shkrimtarë , artistë, klerikë, njerëz të pafajshëm të këtij vendi të cilëve sot nuk u gjenden as eshtrat e as vendet ku i hodhën ekzekutorët.
Ju i nderuar Z. Tufa, keni lexuar në dokumente të vërtetën tronditëse të Shqipërisë! Ju patët guximin që të bënit publike tashmë të dokumentuar për shoqërinë shqiptare, të vërtetën e krimeve të diktaturës.
Shqipëria e shekullit të XXI, nuk duhet të ishte kjo!
Shteti përbëhet nga Institucionet. Kuvendi është një prej tyre. Individë që kanë firmosur dënime të çfarë do lloji në diktaturë e sidomos dënim me vdekje, nuk duhet të kishin vend në Institucionet e shtetit demokratik në Shqipëri, 30 vjet pas komunizmit. Shqipëria sot është shtet anëtar në NATO, është vend që aspiron të integrohet në Bashkimin Evropian, është vend me të drejta të plota në Organizata të rëndësishme ndërkombëtare.
Shoqëria politike shqiptare ka dështuar, për aq sa individët që kanë kryer krime në komunizëm i ka veshur me imunitet dhe pushtet politik.
Ky dështim i shoqërisë politike shqiptare është i dëmshëm për shoqërinë shqiptare, e po ashtu cënon dinjitetin e Shqipërisë dhe shtetit.
Në vendet post komuniste të Evropës , të cilat sot janë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, nëse një ligjvënësi do i publikohej një dokument autentik firmosur prej tij për ekzekutimin qoftë edhe të një njeriu të vetëm në kohën e diktaturës, ai parlamentar jo që do të ishte jashtë parlamentit, por do të përballej me gjykatat Evropiane.
Kjo në Shqipëri në aktualitet, nuk ndodh. Ky është dështimi i klasës politike shqiptare dhe institucioneve të shtetit.
Me dy fjalë më lejoni t’ju citoj dy fjalë nga Kadare drejtuar z. Bedri Blloshmi në një letër publike për çështjen e krimeve të komunizmit. Kadare në atë letër e cila është botuar mes të tjerash shkruan për vezë të gjarprit. Këtë letër më është dashur që ta përktheja për takimin ndërkombëtar të shkrimtarëve që PEN International mbante në Itali, për shkrimtarët e burgosur dhe ekzekutuar në vendet diktatoriale.
Pra thënë shkurt, letra e Kadaresë drejtuar Bedri Blloshmit dikur ka artikuluar qartë të vërtetën tronditëse të shoqërisë politike shqiptare, pikërisht atë të vërtetë që ju dhe Institucioni që drejtoni e keni zbuluar përmes dokumenteve.
Kadare ka shkruar parathënie për veprën tuaj letrare si shkrimtar me autoritet për shkrimtarin , për ju.
PEN International, ka botuar përzgjedhje të krijimtarisë tuaj letrare po ashtu. Letërsia shkruar prej jush është tashmë një vlerë e shtuar letërsisë shqipe.
I nderuar Z. Tufa, ajo që mua personalisht më bën përshtypje jo të mirë, është heshtja e disa institucioneve të tjera të shtetit, të cilat paguhen me taksat tona dhe mbahen me fonde nga organizata ndërkombëtare për garantimin e të drejtave, lirive themelore të njeriut, si edhe për zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe forcimin e standardeve të demokracisë dhe sigurimin e garancive të dinjitetit ë njeriut në Shqipëri.
Ajo që mua personalisht më trondit, është heshtja e disa shkrimtarëve, intelektualëve, gazetarëve, të cilët i shohim çdo ditë në media pa artikuluar asnjë fjalë të vetme për këtë çështje të shoqërisë shqiptare.
Sigurisht që e mirëkuptoj frikën e tyre për shkak të lidhjeve me të shkuarën dhe të tashmen, por është e pa-pranueshme dhe jo e moralshme që të na shfaqen ekraneve, mediave, si misionarë të lirisë dhe garantues të saj.
Ajo që më bën përshtypje është fakti se si në faqet e shtypit shqiptar, çështja e rëndësishme që Institucioni drejtuar prej jush ka ngritur, është deformuar e i serviret publikut si një ‘debat’, apo ‘konflikt’ personal midis jush dhe atij parlamentarit.
Në këtë rast media ose ka dështuar në misionin e vet, ose ka probleme me lirinë dhe profesionalizmin e saj si institucion.
Megjithatë, ky është një tregues jo i mirë. Organizata jo qeveritare dhe jo politike, përfshirë edhe organizata të medias në Shqipëri, shpesh kanë mbajtur qëndrim kur është kërcënuar liria e shprehjes dhe gazetarët në krye të detyrës apo për shkak të detyrës.
Ju u kërcënuat publikisht për shkak të detyrës tuaj e cila po ashtu është në shërbim të informacionit publik dhe shoqërisë shqiptare!
Në rastin tuaj asnjë organizatë jo politike, përfshirë këtu edhe organizata të medias jo vetëm që nuk shkruan dy gisht letër, por as nuk mbajtën një qëndrim zyrtar.
Standardet jo të njëjta janë tregues për pavarësinë, rolin dhe misionin e ketyre organizatave!
Kjo është një kambanë alarmi për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe po ashtu për dinjitetin e njeriut në Shqipëri.
I nderuar Z. Tufa, Drejtor i një prej Institucioneve më të rëndësishme të vendit tonë.
Me punën tuaj dhe të stafit tuaj, ju i keni bërë një shërbim të çmuar shoqërisë shqiptare. E keni përballur me të vërtetat e krimeve të diktaturës. Ndërsa shoqërinë politike e keni tronditur nga themelet!
Entela Kasi
Presidente e PEN Qendrës të Shqipërisë
PEN International, me seli në Londër.
Tiranë, 15 Prill 2019
E nderuar zonjë, përshëndetje. Unë jam Asllan Loka, emigrant në Greqi që nga viti 1990, këto 4 vitet e fundit në Itali. Kam botuar deri më tani 4 libra: Dy me studime historike dhe dy të tjerë poetikë. Ata me tematikë historike titullohen ” Shqipëria, Dibra, Aliajt dhe Halil Alia botuar në shtypshkronjën “Dita 2000″ viti 2008 dhe ” Shteti shqiptar dhe Dibra, Shkodra e Kosova përmes sfidave shtetformuese 323-2014..”! Dy të tjerët me vëllime poetike titullohen ” Hanzat e Korabit” dhe ” Gurgullimat e gurrave shqiptare”! I gjeni në faqen e Bibliotekës Kombëtare. Edhe studimet nëpër arkiva e biblioteka, edhe shpenzimet për botimet i kam përbalkuar vetë. Janë studime e krijime të pavaruara. Nuk i ka paguar as ndonjë parti, as ndonjë model sllavo-turk i shtetit të derisotëm shqiptar. Pra jam edhe studiues serioz, edhe poet i pavarur. Vij nga një vend i djegur nga Brigada V komuniste më 27 korrik që quhet Sinë e Epërme e Dibrës! Më është mohuar e drejta e studimit në kohën e komunizmit për biografi antikomuniste gjatë regjimit të Komunizmit I-rë edhe pse isha më të gjitha notat 10- ta. Nuk kam punuar asnjë sekondë në asnjë administratë komuniste etërve të komunizmit Enver Hoxha e Sali Berisha e as të përfaqësuesve të bijve të Komunizmit Edi Rama, Lul Saliu etj etj. Sipas bindjeve të mija , kemi jetuar në një kohë ku shkollimin, vendin e punës dhe vendbanimin i caktonte partia! Kushdo që i përfitoi këto privilegje, nuk mund ti merrte nëse nuk ishte i partisë. Pikë! Më pas, kush punoi më Sali Berishën nuk mund të quhet antikomunist. Sepse asnjëri prej tyre nuk e kundërshtoi këtë enverist kur Halil Alinë – Komandantin e Qëndresës Antikomuniste në Dibër e cilësoi ” “bashibozuk”, asnjëri nga këta nuk e kundërshtoi kur më 2008 ky Sali dekoroi me medalje nderi Dali Ndreun, Ish Komandantin e Div. I Komunist që dogji fshatin tim dhe Fushë-Alijen e Halil Alisë! Sikur të mos mjaftonte kjo, në studimet e mia unë kam gjetur një vjershë që ky Agron Tufa ka botuar në gazetën ” Ushtrime e Maleve” në kohën që ishte nxënës në shkollën e mesme Gjergj Kastrioti në Kastriot të Dibrës. Është një vjershë për partinë që po ta lexosh të vë në mendime e dyshon se e ka shkruar Sofokli Lazri! Pra, në pajtim të plotë me ato që thashë, për mua duhet të jesh status për ta bërë një diçka. E nuk mund ta luftosh tek tjetri një të keqe që e ke vetë! Libri mbi shtetin shqiptar përveç të tjerave është edhe hapje e dosjeve të agjenturës së ish sigurimit të shtetit në të cilat shumë persona që punuan me Sali Berishën rezultojnë të përfshirë si vetë Saliu. As partitë PS e PD nuk ndryshojnë nga PPSH – ja, as Salinjtë, Edët e Lulushët nga Enveri e as ata që u vendosët nëpër zyrat e themekesave shtetërore ( institucioneve në jo shqip) nuk ishin të pashantazhueshëm! Nëse don informacione më të plota, mund të komunikojmë me facebook në adresën Asllan Loka, me tel në nr. 00393420561913; 00306907904917; 00355686266792 ose më email në adresën [email protected]! Ju uroj gjithë të mirat!