Kreu i Institutit:  Shifra e të pushkatuarve shumë herë më e lartë se ajo e deklaruara zyrtarisht

Drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizimit, tha se numri i personave të ekzekutuar në periudhën komuniste është shumë herë më i lartë nga ai që është deklaruar. Kreu i këtij institucioni, Agron Tufa, tha sot në çeljen e ekspozitës “Lugina e qëndresës”, se të gjitha ngjarjet e rëndësishme, mes diagramës së terrorit nga 44-ra në 91-in, të dokumentohen dhe të bëhen të njohura nëpër shkolla dhe në universitete.

“Është ngjallur një frymë e alergjisë nga mashtrimet dhe përpjekja për t’i mbyllur përgjithmonë rrugët e njohjes së historisë tonë më të afërt që është diktatura. Përfshirja në tekstet shkollore do të sillte një realitet tërësisht të ri në shifrën e database. Jam përpjekur ta shpërndaj gjithandej, duke i raportuar Parlamentit dhe gjithkujt tjetër. Ne po bëjmë një fjalor enciklopedik për viktimat e terrorit komunist. Na kanë ardhur shumë persona, të cilët nuk dinë se ku kanë të afërmit e tyre, nuk dinë ku janë vendet e pushkatimit”, tha Tufa.

Ekspozita “Lugina e qëndresës”, kurator i së cilës është Migen Qiraxhi përcillet edhe në formë muzeale online.