Në 6 nëntorin e këtij viti, u shua mes heshtjes dhe mospërfilljes Kasem Trebeshina. Shkrimtari i madh i letrave shqipe në disa gjini, me mbi 120 tituj librash; i përfshirë familjarisht në rezistencën antifashiste dhe luftëtar i paepur në atë përballje në moshë fare të re, duke provuar burgun fashist që 16 vjeç; komanduesi i spikatur i njësive të rëndësishme partizane, deri zv/Komisar Brigade kur qe vetëm 18 vjeç; simboli i disidencës politike antikomuniste në Shqipëri që i kushtoi atij rreth 40 vite burgime dhe internime nga ai regjim; kundërshtari i çdo qeverisje në këtë vend që ka menduar për vete e jo për popullin; njeriu që nuk bëri paqe me askënd për parimet e lirisë dhe të së vërtetës; modeli i të qenurit fisnik dhe larg mburrjeve, madhimeve e publicitetit të stisur të kësaj kohe.
Shkoi në atë botë i përcjellë vetëm nga familjarët më të afërt të tij, që nuk i kalonin 30 njerëz. Rast, i cili nuk ishte thjesht e vetëm zgjedhje e tyre,por edhe neglizhencë e ‘’lajthitje’’ institucionale. Iku të prehet i qetë në tokën amë, pa e gjetur kurrë qetësinë dhe sadisfaksionin e merituar, prej atyre që qeverisin, që kanë në dorë ‘’fatin ‘’e të tjerëve, që kanë detyrën t’i nderojnë dhe respektojnë njerëzit e këtij ‘’soji’’, sikurse kanë bërë e bëjnë edhe për të tjerë të përafërt ose identikë si ai. Pra, mungoi xhesti më i thjeshtë e më i natyrshëm njerëzor dhe zakonor për atë çfarë ai ishte, për çfarë ai i kish dhënë kulturës dhe letërsisë shqiptare, për çfarë ai kish sakrifikuar si luftëtar, si patriot, si qëndrestar apo dhe si njeri.
Kasem Trebeshina, iku prej të gjallëve thuajse i vetmuar, ashtu sikurse edhe në luftë e në jetë ai pati “shok” vetëm vetveten: i pa dyzuar, i pa përkëdhelur, i pa vlerësuar. Por edhe i papërsëritshëm për tiparet burrërore dhe zgjuarsinë që e karakterizonte. I qëndronte larg çdo lloj kompromisi si dhe armik me hipokritët, gënjeshtarët dhe shtrëmbëruesit e së vërtetës, për të cilat ka pagur jo pak ‘’haraç’’ nga qenia e tij, nga pasioni si njeri i letrave shqipe. Por u qëndroi rrebesheve dhe rrufeve të piramidës partiake e shtetërore të regjimit të djeshëm sikurse edhe nënvleftësimit të sotëm. U përgojua, u sulmuar dhe u braktis deri dhe nga jo pak kolegë të dikurshëm të krijimtarisë letrare apo bashkëluftëtarë të një llogore. Madje, edhe nga ata me të cilët kish qenë në burg e në internim, të cilët në vend të krenoheshin me atë njeri dhe ta kishin pikë referimi për guximin dhe qëndrestarinë kostante, i kthyen ‘’kurrizin’’, bitisën në servilë të pushtetarëve për ca interesa të vogla të ditës, për lëmosha që Trebeshina i kish urryer e neveritur qysh në krye të herës. Nuk iu gjend në varrim askush prej tyre dhe as nga ndonjë organizatë veteranësh të luftës. Nuk di nëse kanë vënë diçka në vend nga ‘’nderi’’i tyre, duke kryer ngushëllimet e rastit tek pasuesit e tij familjarë. A thua se po përcillej në botën tjetër një kriminel nga ata të nazizmit të djeshëm apo të ISIS-it, të sotëm. Askush edhe nga media. Madje, fare pak çaste para varrimit të tij u kujtua ndonjë prej tyre ta përcillte si njoftim të thatë, sikurse shkaras folën dhe disa gazeta në ditët më pas, si të ishte një milingonë dhe jo një figurë madhore e letërsisë dhe disidencës shqiptare. Një mërimbajtje masive e çuditshme. Mbase e justifikuar për ata që ai u kish dalë kundër politikisht dhe ideologjikisht në dekadat e shkuara, por e pa kuptimtë për të sotmit, për të cilët ai jo vetëm sakrifikoi nga jeta e tij, por qe ndër të parët intelektualë të përndjekur që ligjëroi i posa liruar nga dënimi politik, në Institutin e Lartë të Arteve, kur po bëhej ndryshimi pluralist i Shqipërisë,në dhjetor të vitit 1990. Madje qe i mirëse ardhur në tubimet e asaj kohe. Nuk mund të justifikohet kjo që ndodhi as me “mosnjoftimin prej familjes”, dhe as me arsyetimin se ‘’nuk u mor vesh se vdiq në dhè të huaj’’, ndërkohë që arkivoli me trupin e tij nuk hyri fshehtas në aeroportin e Rinasit, por sheshit dhe i ditur administrativisht mjaft orë para ceremonisë mortore.
Të vetmit përfaqësues më tej familjes së tij në atë ceremoni, ishin dy titullarë të Shoqatës Atdhetare e Kulturore ‘’Dëshnica’’,që përfaqëson emrin e një krahine në rrethin e Përmetit,aty ku ai kish rrënjët e të parëve të tij, e cila prej 13 vitesh e kish atë ‘’Kryetar Nderi ‘’.Prezenca e këtyre përfaqësuesve të gjithnjëgjendur të tij. Ishte nga të paktat ‘’ndere’’ që i bëheshin atij si person në këto 27 vite të ashtuquajtura ‘’demokraci’’ (që ai shpesh e quante: ‘’Feudalizëm…’’),ishte i vetmi “nderim” shoqëror që iu bë atij në çastin e lamtumirës, të cilët thanë ato pak fjalë zakoni për të, që ai të mos përcillej si ‘’i gjetur në rrugë’’. Një nderim i merituar, por aspak i duhuri, aspak i plotë e i mjaftueshëm për atë burrë, që gjithkush do ta kish për nder të pinte një kafe me të për pak minuta, do të ndjehej i plotësuar nëse do të ulej në një bisedë për artin, letërsinë, politikën, familjen etj. Do të ndjehej i befasuar për kulturën e tij, për freskinë e mendimit, shqipërimin e fjalës, vërtetësinë e gjërave. Pra, askush tjetër nuk ishte në këtë fund të jetës së tij 91 vjeçare për t’i hedhur një dorë dhè, për të kryer një detyrim njerëzor që shpesh nuk ia kursejnë as kriminelëve më me damkë. Le të ndodhte kjo qoftë edhe në formë ndjesë për harresën dhe braktisjen shumëvjeçare.
Ndodhi me të sikur ai të kish vdekur 30-40 vjet më parë, kur ishte i burgosur dhe i internuar politikisht dhe regjimi ndalonte e përndiqte çdokënd që do të tregonte respektin më minimal për të. Për t’u habitur, por ai ashtu u trajtua dhe ashtu janë sjellur me të. Si i tillë, Kasem Trebeshina mbeti thuajse përsëri ‘’i persekutuar’’. Nuk qe në burg dhe as i internuar si dikur, por mbeti qëllimisht ‘’i harruar’’, tërësisht i abandonuar. Çdokush që vë në dyshim këtë fakt, le të bëjë një kërkim mendërisht apo konkretisht në arkivat televizive të këtij vendi (të çdo televizioni qoftë),nëse do të gjejë diku për të në këto 27 vite (që ai quhej ‘’I lirë’’), ndonjë emision që t’i jete dedikuar atij me zë e figurë, që të jetë thirrur diku për të folur në mos për vuajtjet të paktën për krijimtarinë e tij, që të thërritej në ndonjë debat për letërsinë e djeshme e të sotme, për kinematografinë, teatrin, komedinë, poezinë etj. Se, për to kish studiuar shumë vite më parë, për to e kish pësuar burgun dhe internimin. Pra, le të bëjë një kërkim qoftë edhe çfarëdo. Le t’u hedhin “një sy” edhe faqeve të gazetave të këtyre 27 viteve (se 40 vitet e mëparshme as që bëhet fjalë për të), dhe a do të gjejë vallë ndonjë shkrim, ankesë, kërkesë apo diçka tjetër prej tij. Asgjë.
Edhe një libër dhe disa shkrime që botoi pak vite më parë historiani dhe publicisti i njohur Nuri Dragoj për veprën e tij (në shumicë të pa botuar), iu kundërvunë jo vetëm autorit por edhe Kasemit duke e denigruar atë me lloj-lloj shpifjesh, e sajimesh të pa skrupullta. Iu kundërvunë sidomos ca të quajtur Sadikër, Farinj e Turlinj, a thuaj sikur Kasem Trebeshina të mos ishte ai që kish dalë nga persekucioni i gjatë komunist, por që e meritonte persekutimin tani. Një furi inati, smire dhe mllefi të pashoqe prej një shpure ziliqarësh,lajkatarësh e puthadorësh të zellshëm të së djeshmes dhe të konvertuar në “demokratë” dhe “bashkëkohorë” të tanishëm, deri në mohim të qëndrestarisë së tij kundër regjimit komunist, të disidencës së tij të gjatë. Stisën akuza nga më të çuditshmet për të: “i sëmurë mendërisht”, ”ekstremist’’, ’’ abrash i pandreqshëm…’’etj. I mohonin faktin që në vitin 1953, si askush më parë, ai i shkruajti hapur Enver Hoxhës se, kështu siç po bëni,’’…do të asgjësoni njëri-tjetrin…do të detyroheni të vrisni njëri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak…”. Një profeci që vetëm njerëz guximtarë dhe të përgjegjshëm si ai mund ta parashikonin dhe ta thoshin me zë e me të shkruar.
Ndërsa Kasemi aso kohe po thoshte atë që parandiente, pavarësisht kostos vetjake (sikurse ndodhi me të), emrat e mësipërm dhe të tjerë të ngjashëm me ta, Ia quanin si “sajim për t’u mburrur”, “mashtrim” etj, sikur ai paskej hyrë në burg dhe qenkej internuar me dashje. A thua se paskej qenë “punë vakante” qenia aq shumë vite nëpër burgje dhe internime. Dhe përse vallë gjithë ky mllef e mëri? Sepse ai na paskej shprehur rezerva për brendinë e disa krijimeve të Kadaresë dhe supozohej mos vallë Kasemi po i bëhej rival atij për çmimin ‘’Nobel’’, ose po cenonte ‘’disidencën’’( gjasme), të këtij shkrimtari (që Ismaili nuk e ka pranuar as vet),të trumbetuar subjektivisht prej kalemxhijsh tamam ‘’të kazanit…’’, të cilët gjenin ‘’strehë’’ edhe tek moskomunikimi i ndërsjelltë i këtyre dy figurave me peshë letrare e publike, ku Kadareja mbase mund të ishte më luajal në këtë rast. Një ligësi që nuk iu nda këtij njeriu, jo vetëm në katër dekada të diktaturës komuniste, por edhe të këtyre tri dekadave më pas. Mbi 65 vite mëri dhe mllef ndaj tij, ndërkohë që ai nuk u mor fare me ta, i sfidoi me heshtjen,jo se i druhej ballafaqimit, por nuk preferoi të harxhonte energji me njerëz të vegjël nga shpirti,me liliputë që sipas tij nuk ia vlente t’u zinte në gojë as emrin. Turp, për cilindo që u përfshi në këtë qerthull ligësish, qofshin këta ordinerë, pseudointelektualë, pushtetarë, etj.
Është aq i vërtet ky fakt, sa që asnjë njeri i veshur me pushtet në këto 27 vite nuk e thirri në një mjedis miqësor, nuk e vuri në krye të ndonjë tubimi publik ku ai mund të dëgjohej e mund të flitej për krijimtarinë letrare të tij apo të të tjerëve, askush nuk u kujtua t’i bënte një vizitë në banesën fare të thjeshtë ku ai jetonte, askush nuk mori mundimin t’i bënte një vlerësim për çfarëkish dhënë, kur dekoratat dhe medaljet ‘’presidenciale’’ të këtyre kohëve thuajse zunë deri vendin e ‘’pafilleve’’, që zor t’i begeniste edhe ai vet sa qe gjallë. Në vitin 2004, Shoqata ‘’Dëshnica’’ i propozoi Bashkisë së Përmetit, për ta nderuar atë me titullin ‘’Qytetar Nderi’’ të atij qyteti, ndër të tjera edhe si një ish zv/Komisar i një brigade partizane e krijuar në atë trevë, por nuk u përfill. E vetmja që e begenisi atë ishte ish Komuna e Ballabanit ku përfshihet fshati Vinokash tek i cili ai ka rrënjët e veta, e cila në kuadrin e 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë e shpalli ‘’Nderi i Komunës’’. Pra, fare pak. Tashmë Kasem Trebeshina nuk rron më. Ata që e patën si ‘’halë në sy’’, le të qetësohen dhe është e sigurt që edhe në u marshin me të, ai nuk i dëgjon më, sikurse nuk ua vuri veshin edhe sa qe gjallë. Por vepra e tij duan apo nuk duan kundërshtarët e tij, nuk vdes, nuk humbet. Ajo mbijetoi e pa asgjësuar plotësisht edhe në vitet më të egra të përndjekjes së tij. Por, ajo duhet të dalë në dritë, jo thjesht si nder që i bëhet atij, por sidomos si vlerë për publikun e gjerë shqiptar e më tej. Nëse ai do të kish mundësi ekonomike, sigurisht do ta realizonte me kohë ndër vite. Ndaj, do të kish qenë në nderin e Ministrisë së Kulturës dhe e Institucioneve të tjera Akademike të këtij vendi, madje e kësaj qeverie dhe personalisht e Kryeministrit Edi Rama (i cili siç dihet, ka ligjëruar sëbashku me Kasemin në fundvitet 1990 ), për ta bërë të mundur nxjerrjen në dritë të kësaj pasurie me vlerë edukuese dhe shpirtërore, botimin e tyre. Nuk do të ishte e tepërt që një rruge të Kryeqytetit, apo një shkolle, ti vihej emri i tij. Diçka mund të bënte edhe Fieri e Përmeti, si dy vendet që e lidhin atë me të kaluarën personale e familjare. Nuk ishte dhe nuk është çështje “mëshire”apo “për sevap”, por për të qenë mirënjohës e seriozë për njerëzit që i meritojnë vërtetë nderimet, për të cilat mban shënim edhe kujtesa jonë kombëtare. Dhe, Kasem Trebeshina ka merituar dhe meriton shumë më shumë se çfarëka marrë prej shoqërisë dhe qeverisjeve të këtyre viteve. Ndaj tij çdokush prej nesh ka mbetur në borxh. Mërimbajtja kaq e gjatë me të, mund e duhet të kthehet në mirënjohje reale, edhe pse ai nuk është më fizikisht mes nesh.
Komentet