VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

A talk by Dr Gezim Alpion on 29 September at 7pm. “From Skopje to Calcutta: Mother Teresa’s path to sainthood”

By | September 29, 2020
blank

Komentet

blank

Exclusive – Justina Aliaj, një sinfoni që vazhdon –

Voal.ch po sjell për publikun dokumentarin kushtuar Artistes të shquar Justina Aliaj prodhuar nga Top Channel titulluar:

Exclusive – Justina Aliaj, një sinfoni e pambaruar – 13 Qeshor 2021

 

blank

Dy Artistë shqiptarë pjesë e kastit të Traviatës me të cilën Opera e Triestes e hap sezonin

 

Pas erës Covid, po fillon era e re. Njerëzimi po përpiqet të kurojë dhimbjet, traumat, i etur të rifillojë jetën!

Alfabeti i kuptueshëm për të gjithë,

që nuk ka nevojë për interpretë është muzika, gjuha universale e njerëzimit, sikur thotë Longfellow,

që ka fuqi magjike të rigjallërojë shpirtrat e lodhur nga diçka që nuk e kishin imagjinuar kurrë se do t’ju ndodhte.

Në Zvicër përshembull, karnavalet e famshme të Bazelit, që sot janë pjesë e trashëgimisë kulturore të njerëzimit dhe mbrohen nga UNESCO ishin shtyrë në 1920 katër javë për shkak të gripit spanjoll,

ndërsa një shekull më vonë, do të pezulloheshin dy vite rresht,

pra bota kulturore, megjithë përpjekjet për të treguar potencialet e veta, ishte nën karantinë.

Gjithësesi shpresojmë që çka përjetuam këto dy vjet t’i shërbejnë njerëzimit për të nxjerrë mësime.

Por tani gjithçka është rizgjuar!

Pas periudhës të plotë të izolimit, ku sallat e koncerteve qëndronin të heshtura,

dhe nëpër teatrot e mëdha platetë e lozhat ishin bosh dhe nuk dëgjoheshin më duartrokitjet

ndërsa Artistët me artin e tyre ishin privuar nga emocionet prej kontaktit direkt me publikun…

Tani gjithçka po rifillon, me energji të reja për të demonstruar fuqine madhështore të Artit.

Italia vendi i muzikës lirike, il paese del bel canto, ka rilindur si pas një ankthi,

për të rinisur jetën artistike, turet koncertore të artistëve, teatrot për rinisur repertoret, sezonin.

Teatri lirik i Triestes e hap kalendarin e shfaqjeve  me Traviatën e Giuseppe Verdi, emrin e të cilit edhe mban.

E bukura është se küesaj here pjesë e kastit të Artistëve janë dy shqiptarë Nina Muho dhe Hektor Leka,

që është i shtëpisë në këtë teatër pasi aty është i angazhuar prej kur lanë Shqipërinë bashkë me familjen,

me nënën e tij të shquar, të famshmen Rozmari Jorganxhi, e cila këndoi në skenën e Verdit deri sa doli në pension.

Hektori më thotë se “Shqipëria ka nxjerrë këngëtarë më tepër se politikanë, por të cilëve mjerisht u mungon një Teatër lirik.

Edhe një Teatër që e kishin u shemb. Shqipëria duhet të kishte të paktën tre Teatro Lirikë”, shton Hektori. “Në Shkodër, ku u interpretua për së pari opera e parë shqiptare Mrika e Prenk Jakovës, në Korçën e kulturës dhe në Tiranë si metropol.”

Duke iu kthyer skenës të Giuseppe Verdit të Triestes, këngëtari i mirënjohur lirik Hektor Leka tregon se në këtë skenë kanë interpretuar shumë yje shqiptare, si Inva Mula, Ermonela Jaho, Mirjam Tola, Gëzim Myshketa, Orjana Kurteshi, Frano Lufi, Enkeleida Shkoza, emra të shkëlqyer të belkantos që performojnë në botë, ndërsa për ta dihet pak ose aspak në Shqipëri.”

“Nuk është hera e parë që në skenën e Teatrit lirik të Triestes një shfaqje të interpretojnë dy shqiptarë, tregon Hektori, duke u ndalur kësaj here tek talenti premtues i Nina Muhos e cila interpreton rolin kryesor, atë të Violetës.

“Nuk është hera e parë as që sopranoja shqiptare Nina Muho është pjesë e kasteve operistike të Teatrit lirik të Triestes. Falë talentit dhe përkushtimit të saj në realizimin e roleve, Nina do të jetë e angazhuar edhe në projekte të tjera”, përfundon Hektor Leka, duke na premtuar se do të na mbajë në djeni në vijim për të rejat më të fundit.

Teatri Giuseppe Verdi i Triestes e hap sezonin me Traviatën më 25 qershor, dhe pastaj më 26,27,29 qershor si dhe 2 dhe 3 korrik.

Voal.ch u uron Artistëve shqiptarë suksese pas suksesesh!

Kjo është mrekullia sot. Kur nëpër skenat botërore takohesh me Artistë shqiptarë, çka flet për formatin e tyre botëror!

/Elida Buçpapaj

blank

blank

blank

Artistja e madhe Justina Aliaj promovon Artisten e madhe Alida Hisku

Ja si e promovon Justina Aliaj këngën e re të Alida Hiskut Plazhi i Artë me tekst të Zhuliana Jorganxhi dhe muzikë të Erand Sojlit

.

Është vlerësimi i një Artiste te madhe ndaj një tjetër Artiste të madhe që ndajmë midis tyre vlerat dhe respektin e ndërsjelltë për artin dhe indivualitetin e njëra-tjetrës.

Të dyja kanë të përbashkët edhe vuajtjet, largimin nga skena!

Po kritika ku është ?

Kritika vlerëson muzikën tallava me tekste tallava por që rrjedhin para!

Më poshtë po sjellim statusin e Artistes të madhe Justina Aliaj:

 

“Të dashur miqt e mi. Me shumë dashuri po prezantoj para jush nji prej kolegëve të mija më të dashura e të talentuara, të shtrenjtën e të papërsëritëshmen Alida Hisku.
Po këndon kaq e qeshur e me shpirtin e saj të hareshëm.
Pranverë në shpirt, pranverë në melodi, pranverë zëri i saj.
Këndofsh, këndofsh…
Faleminderit.”

 

blank

PELLAZGET ( Origjina e Shqiptarëve) – Nga ELENA KOCAQI

Kam kënaqësinë të ndaj me ju sot një nga studimet e mia, me te rëndësishme ne fushën e historisë, me titull Pellazget (Origjina e Shqiptareve). Të dhënat historike janë te mjaftueshme, për të përcaktuar shtrirjen territoriale dhe pasardhësit e popullsisë pellazge dhe ilire. Kjo tezë ka një rëndësi te jashtëzakonshme dhe ka qenë e pranuar gjate gjithë kohës, nga autorët e huaj, por e lënë nën hije me qellim nga historiografia komuniste shqiptare. Madje çështja shqiptare ne 1919, është mbrojtur nga një studiues amerikan me çeshtjen pellazge ne Senatin Amerikan, kur Wilsoni çoj Traktatin e Versajës, për diskutim. Ishte teza pellazge, ajo qe shpëtoi shtetin shqiptar ne atë kohe, pasi studiuesi amerikan nguli këmbë qe shqiptaret janë populli me i vjetër i Evropës, pikërisht nga pellazgët. Pjesë nga ky diskutim janë botuar edhe në libër. Kjo tregon sesa rendësi ka historia në të drejtat e kombeve dhe shteteve sot.
Ky studim sjell shumë informacion të reja te pabotuar me parë dhe shkurtimisht do te japim vetëm disa prej te dhënave qe ka libri, pasi informacioni ne te është shumë i gjerë dhe i detajuar.
1- Shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve ne Epir, apo Shqipëri të Jugut, pasi fiset epirote janë quajtur gjithmonë si pellazge. Pellazgët sipas autorëve antik quheshin Toskë, Tusk, Thiosk, për shkak te ritit te tyre fetar dhe për shkak te lidhjes me tempullin fetar me te vjetër atë te Dodonës, që ne antikitet thuhej se kishte bazë malin e Tomorit. Shqiptaret sot ende ruajnë emrin e vjetër të Pellazgeve, Toskë. Vetëm kjo e dhënë, pa asnjë të dhënë tjetër, tregon qartë vazhdimësinë e padiskutueshme pellazge ne Epir. Dodona ishte një tempull mbi katër mijë vjeçar qe sipas burimeve antike ishte themeluar nga Dheukalioni, pas përmbytjes, pasi presupozohet që arka e tij mbeti aty, dhe aty ai i kreu ritet e flijimit për Zotin që e shpëtoi, rit qe vazhdon edhe sot. Dheukalioni lidhet me Nohun sipas Biblës hebreje, sepse ne fakt Dodanimi është pikërisht stërnipi i Nohut, sipas gjenealogjisë Biblike, qe u vendosen ne Epir pas përmbytjes, siç thonë burimet antike. Kjo gjë duket se i jep shpjegim edhe konstatimeve te lidhjes se shqipes, jo vetëm me gjuhët në Evropë, por edhe me gjerë, pasi nga te dhënat historike del se është një gjuhë e para-Nohut. Ende dhe sot në malin e Tomorit, ushtrohet riti i flijimit, si në antikitet dhe lidhet pikërisht me babanë e gjithë profetëve Nohun dhe që është një vend tan-fetar, jo vetëm për shqiptaret, por për të gjithë Njerëzimin dhe për te gjitha llojet e feve, pasi ky është tempulli i parë i Zotit. Dodona e vërtet ndodhet ne malin e Tomorit dhe jo ne Janine dhe për këtë ka disa te dhëna qe trajtohen ne studim.
2- Sipas burimeve antike, pellazget dhe iliret ishin i njejti popull, pasi kemi te njejtat fise qe quhen me te dy emrat dhe ne burimet historike dhe mitike dalin te dy, rreth 3800 vjet me pare nga e njejta familje. Shqiptaret janë pasardhës te ilirëve ne pjesën tjetër te vendit dhe kjo vazhdimësi ilire na sigurohet nëpërmjet autorëve bizantin qe i quajnë shqiptaret me ermin ilir deri vone. Kështu ne shekullin e XV, shqiptaret quhen nga bizantinët ende ilir, Skënderbeu quhet Princi i Ilireve dhe vendi quhej Iliria, i ndare ne atë te Peloponezit dhe ate Jonit. Për shqiptaret janë përdorur disa emra ne këtë kohe si ilir, alban, epirot, maqedon, shqiptar qe lidhet edhe me fiset pellazge dhe ilire qe banonin gadishullin Ilirik dhe shtrirja e fiseve u ruajt deri para 2 shekujsh nga Peloponezi, deri ne Bosnje dhe Dalmaci.
3- Fiset pellazge dhe ilire duke u bazuar nga te dhënat qe japin autorët antik nga kur rrjedhin edhe shqiptaret sot, kane pasur një shtrirje te jashtëzakonshme, duke përfshire Ilirikun, Italikun dhe Azinë e Vogël. Greket antik ishin po nga ky stok etnik, ku Spartanet ishin nga fisi i dorëve qe ishin ilir nga Hylli dhe Athinasit ishin kryesisht pellazg, ndërsa pjesa e Thesalisë ishte pellazgo-ilire, ku perrebejt një fis ilir banonin ne vet malin e Olimpit. Nëpërmjet te dhënave qe jepen nga autoret antik për Spartën dhe Atiken vërejmë se, shoqëria shqiptare sot është para- Homerike, sepse ajo ruan ende te gjithë traditën ligjor, zakonore, politike para- Homerike. Demokracia e aplikuar ne Kanun, është një nga format me te larta dhe me te pastra te demokracisë se drejtpërdrejtë, e paarritshme për njerëzimin deri me sot. Asnjë popull tjetër as Athina, nuk e ka aplikuar ne formën kaq te lart, sa tek shqiptaret, madje as sot nuk aplikohet. Barazia e burrave ne te drejta është një koncept qe vetëm pas luftës se Dytë Botërore ka filluar te aplikohet, ndërsa nder shqiptar është një zakon tepër i lashtë. Homerishtja dhe me pas ajo qe quhet atikishtja, jonishtja dhe gjuha greke antike janë gjuhe artificiale, pra nuk janë gjuhë te popullit dhe studiuesit janë pothuajse unanim ne këtë çështje, kështu qe populli nuk i ka folur kurrë ato gjuhë, por ne analizën etmilogjike dhe morfologjike te bazuar ne fjalorët e etimologjiko-historik, me te mirë qe njihen deri me sot, rezulton qe homerishtja edhe pse është teknike ka fjale shqipe ne fjalëformim te dy dialekteve si Gege dhe Toskë, por edhe fjale te shqipes sot si dielli, ati, kreu, keli-kali, voj, gjuri, gjuni, gjera etj. Ndarja ne dialekte qe në atë kohe, tregon se vendosja e fiseve shqiptare ne këto pozicione, ka qene mbi 3 mije vjeçare dhe tregon një autoktoni absolute te shqiptarëve. Shqipja ruan sot fjalët dhe kuptimin e tyre, por greqishtja e sotme artificiale, nuk mund te korrigjoj vetveten, pasi ka shume fjalë qe janë keqlexuar dhe ashtu janë përcjelle sot botes. Te dhënat bizantine na tregojnë se greket antik, u zhduken ne shekullin e VI, nga sllavet dhe disa rajone mbeten si Monemvasia, Cakonia te përzier me Mardaitit, ndërsa Mani ne Peloponez, mendohet se është e vetmja zone e pastër nga antikiteti dhe ne burimet historike, ajo zone del 100% shqiptar dhe ka folur gjuhen shqipe dhe zakonet si tek shqiptaret kryesisht Gegë, pasi vet Spartanet qe ishin ilir, duket se kane lidhje me zonën veriore te Shqipërisë. Kjo tregon qartë qe shqiptaret janë autokton edhe ne Greqi nga fiset antike pellazge dhe ilire, gjë qe del edhe nga regjistrat osman, por qe ne do t’i trajtojmë gjerësisht ne një studim te posaçëm. Ishin shqiptaret ata qe zhduken sllavet ne Greqi pasi ne regjistrimet e para osmane (1460) qe jepeshin edhe te dhena etnike, shqiptarët dalin si e vetmja etni ne Greqi dhe me pas përdoret emërtimi fetar.
Këto dhe shume informacione historike janë trajtuar ne këtë studim kur i gjithë materiali historik, është cituar dhe analizuar. Është një kënaqësi, por edhe një çlirim qe sot e ndaj këtë informacion me ju. Falënderoj te gjithë lexuesit dhe publikun që me kane mbështetur dhe inkurajuar ne punën time, qe ka qenë një pune vërtet e lodhshme që të privon nga gjithçka.
blank
blank

U shfaq drama teatrale ne Zagreb „KTHIMI I MBRETËRESHËS TEUTA“     ne regjine  e Shenide Bilallit

Shkruan: Kujtim Morina

 

Në 16 Nëntor të këtij viti, në Teatrin e Kukullave të Zagrebit, Teatri Teuta i Klubit të Grave Shqiptare të Kroacisë shfaqi pjesën teatrale premierë rreth mbretëreshës së madhe ilire me titull “Kthimi i Mbretëreshës Teuta”.

Shfaqja u transmetua nëpërmjet internetit me rastin e 16 vjetorit të  Klubit të Grave Shqiptare të Kroacisë “Mbretëresha Teuta”, si dhe festimit tradicional të Ditëve të Mbretëreshës Teuta, financuar nga Këshilli për Pakicat Kombëtare të Qeverisë së Republikës së Kroacisë.

Historia 23-shekullore falë regjisores dhe skenaristes Shenida Bilalli, e cila përmes punës së saj dramatike dhe dokumentare në shfaqje, ka zbuluar një të vërtetë të re për Teutën.

Ajo shprehet:

– Mbi Mbretëreshën Teuta, dihet vetëm një histori e shkruar nga Romakët.  Teuta për ta ishte një pirate,  një grua imorale. Megjithatë, ekziston një kontradiktë midis historisë së Mbretëreshës që trashëgoi Ilirinë pas vdekjes së burrit të saj Mbretit Agron, vrarë nga udhëheqësi i tij ushtarak Demetri Grek i Hvarit, për të trashëguar mbretërinë Ilire  … dhe realitetit historik.

Për jetën e Mbretëreshës Teuta dhe mbretërimin e saj, skenaristja i shfaqjes Shenida Bilalli, gjatë shumë viteve të hulumtimit, hasi shumë paqartësi ndërmjet historisë romake dhe legjendës që populli shqiptar ka transmetuar  për shekuj me radhë.

-Shqiptarët në legjendën e tyre e kujtojnë Teutën si një mbretëreshë të bukur, e cila ishte  viktimë e kundërshtimit të politikës së fuqive të mëdha, Grekëve dhe Romës. Për shekuj me radhë ata ringjallën emrin e saj duke e quajtur vajzën e  tyre Teuta një mbretëreshë të fuqishme, ndërsa Romakët transmetuan historinë se ilirët ishin piratë .. !! Kjo kontradiktë ishte arsyeja e kësaj shfaqjeje në Zagreb.  Kjo dramë shpall të vërtetën për likujdimin e Teutës, e cila kërkonte taksa për mallin që tranportonin anijet romake dhe greke.

Përmbajtja e shfaqjes bazohet në dokumentacionin historik dhe skenat e zgjedhura me kujdes, të cilat ilustrojnë ngjarjet  e 23 shekujve më parë.

Ngjarja zhvillohet në shekullin e Tretë para Krishtit, kur Teuta, mbretëresha e rajonit Adrian udhëhoqi mbretërinë e saj drejt fitoreve të mëdha, duke u zgjeruar gjatë bregdetit Adriatik, nga Visi deri në Epir. Për këto arsye, ajo pati kundërshtimin e Romës, e cila i shpalli luftë asaj dhe  ilirëve.

Në dramën “Kthimi i Mbretëreshës Teuta” morën pjesë 16 aktorë të njohur të  Teatrit Kombëtar Kroat, balerina të famshme dhe anëtarë të grupit të vallëzuese „Ilirke“. Në shfaqje prezentohen  tre Teuta, të cilat na udhëheqin nëpër kohë ; Teuta e re, Teuta e imagjinuar-valltare  dhe Teuta e vërtetë që shfaqet pas 23- shekujve.

Dramaturgja  i famshëme kroate e  HNK-së  dhe  e kësaj  drame, Sanja Ivić deklaroi se:      „Është e vështirë të gjesh një legjendë të cilën nuk mund ta egzagjerosh në jetë.

-Kjo shfaqje ndërlidh skenat dokumentare me skena artistike, të shëndruara nga dokumente historike që ne zotëronim duke gjetur një mesatare.

Narratori romak na çon nëpër botën e panjohur të ilirëve, duke vazhduar me udhëheqësin ushtarak ilir Demeter, grupin ilir të vallëzimit me 5 balerina dhe 5 ushtarë romakë dhe me  një daulle. Me tingujt e butë të flautit, instrumentit të famshëm muzikor ilir, dhe  me mbështetjen e këngës shqiptare „Baresha“  interpretuar nga Shaqir Hotia, çdo skenë zbulon detaje të panjohura nga jeta e mbretëreshës ilire Teuta.

Karakteret dramatike vendosen pas vdekjes së mbretit Agron, të cilin e takojmë përmes komplotit politik të Romës, Greqisë dhe Ilirisë. Po ashtu përmes lidhjes së dashurisë së mbretëreshës ilire Teuta dhe udhëheqësit të saj të fuqishëm ushtarak grek, Demeter i Hvarit, i cili lufton për të sunduar detet Adriatik dhe Jon.

-Në tragjedinë ilire, konfliktet midis Demetrit dhe Teutës së re alternohen në mënyrë dramatike për shkak të dashurisë, mashtrimit, tradhëtisë dhe prestigjit të pushtetit. Në monologun te tij  Demeter zbulon sekretet e tij të fshehura, ambiciet e mëdha për të pushtuar Ilirinë dhe Teutën.

– Konflikti midis Teutës dhe Demetrit në  tragjedi  kulmohet kur Teuta lufton për Ilirinë dhe i kundërvihet Romës së fortë pa e ditur që armiku i saj më i madh është njeriu që ajo do.

Kulmi i dramës vjen pas tradhëtisë së luftëtarëve ilirë në Epir nga komandanti i marinës ilire Demetri (Dhimitri) në favor të Romës dhe Greqisë duke detyruar Teutën të dorëzojë Mbretërinë e Ilirisë.

Kontributi i udhëheqësit të saj ushtarak Demeter ndihmon në humbjen e Mbretëreshës Teuta . Ai përfundimisht e kupton se me të vërteët e dashuron Teutën dhe  në fund përpiqet ta shpëtojë nga legjionet romake, të cilët kërkonin të hakmerreshin dhe ta përdhunonin. Teuta nuk ia fal tradhtinë, e lë vetëm atë dhe hidhet nga shkëmbijtë e Risanit, në mënyrë që të mos binte në duart e Romakëve. Demetri mbetet i vetëm dhe i përbuzur nga të gjithë.

Shfaqja zgjat 45 minuta, është me plot emocione dhe  përbëhet nga shfaqje narrative, vallëzimeve, pjesë dialogu dhe monologe. Në rolin e narratorit është aktori i famshëm, artisti merituar i Teatrit Kombëtar Kroat Dragan Despot.

-Si një narrator romak, unë paraqes fakte të rëndësishm dhe të panjohura  historike mbi Mbretëreshën Teuta dhe mbretërimit e saj.   E pranova këtë rol me nxitjen e shoqes sime Shenida Bilalli, kolege të studimeve në Akademinë e Teatrit, Filmit dhe TV. Me të kam bashkëpunuar edhe më pare dhe ndihem i nderuar të luaj në këtë dramë ..

Shfaqja “Kthimi i Mbretëreshës Teuta” u kushtohet grave që po kalojnë një udhëtim të vështirë si nëna vetëushqyese, por në fund, u jep mesazh të rinjve që të mos  largohen nga vendet e tyre antike të Ilirisë.

„Në skenën përfundimtare, e cila kthehet pas shekullit të 23-të, në „Monologun e Mbretëreshës Teuta“, ajo zbulon të vërtetën të ekzekutimit të saj ”.

Teuta u vu në skenë nga aktorja e famshme kroate Barbara Vicković e Teatri Hvidra, e cila tha ..

-Jam jashtëzakonisht e nderuar për rolin që më dha znj. Bilalli, duke prezantuar  Teutën e vjetër të  rikthyer pas shekullit të 23-të, dhe duke iu bërë thirrje të rinjve që të mos largohen nga rajonet e Ilirëve të lashtë.

Balerina e famshme, e re, e bukur dhe shumë tërheqëse e kërcimit klasik dhe modern Karolina Šuša, udhëheqësja e grupit të vallëzimit “Ilirke”, e cila interpretoi performancën „Mbretëresha Teuta“ në  të tre Aktet, tërhoqi  vëmendjen e publikut që e ndiqte.

– Grupi „Ilirke“ janë  pjesë integrale e Klubit të Grave Shqiptare të Mbretëreshës Teuta dhe për shumë vite kemi duke luajtur shfaqjen Teuta, ku unë kam nderin të jem Teuta. Ky është një bashkëpunim i gjatë dhe i bukur, që zgjat prej 15 viteve. Në koreografi, zonja  Bilalli ndihmon shumë të rinjtë.

Skenat e vallëzimit përbëhen nga kostume jashtëzakonisht të bukura, të përbëra nga 4 ngjyra. E bardha përfaqëson pafajësinë e Teutës, ngjyra blu lirinë e saj, e kuqja ngjyra e trëndafilit, luftëtaren por njëkohësisht edhe butësinë e dashurinë, duke shprehur gjendjen shpirtërore të Teutës dhe popullit të saj. Veçanërisht mbresëlënëse ishte shfaqja muzikore  „Teuta luftëtare“ ku dominon  forca, metali, e kuqja dhe ari, si një simbol i luftës së dashurisë dhe mbretërisë.

– „Ngjyra e kuqe është gjithashtu një simbol i flamurit tonë shqiptar, i cili është i mbytur në gjak“, tha koreografja dhe regjisorja  Shenida Bilalli. Kjo është arsyeja pse ajo  e përdori ne shfaqjen skenike, duke treguar emocione, pasion, luftë, shoqëruar nga muzika  “Carmina burana fortuna imperatrix mundi “.

Të gjitha skenat ishin jashtëzakonisht të bukura, por koreografia më e mire gjendet në skenën e fundit të trishtueshme ,“Mbretëresha e Mashtruar” ku publiku gjithmonë qan.

Roli i rëndësishëm i Demetrit Grek të Hvarit, udhëheqësi ushtarak ilir që tradhtoi Mbretëreshën Teuta, luhet nga aktori i njohur kroat Ivan Colarić, i Teatrit Kombëtar Kroat, i cili thotë.

– „Unë shfaqem në disa skena dialogu: Demetri është një udhëheqës ushtarak dinak , krenar që ka vrarë Mbretin Agron, një joshës, pushtues i madh i Mbretëreshës Teuta, dhe një udhëheqës ushtarak rebel që nuk mund të kontrollojë ndjenjat e tij për Teutën. Në skenën e fundit, Demetri është një tradhtar që mbetet i vetëm dhe e përbuzur nga Teuta dhe Ilirët.

Teuta e re luhet nga artistja mirënjohur kroate  – Vini Jurčević, e cila në fillim ka një idil dashurie si mbretëresha e re Teuta duke menduar më shumë si një grua e dashuruar dhe më pak si një mbretëreshë, duke luftuar midis dashurisë dhe fuqisë për të konsoliduar pushtetin për tu  u mbrojtur nga Roma e duke kërkur aleancë me Demetrin, i cili më vonë i shkatërroi jetën e saj dhe mbretërinë e Ilirëve.

– Në fund të kësaj tragjedie, Teuta bindet se dashuria e madhe e saj ndaj burrit që ajo e dashuron, i cili e tradhtoi dhe mashtroi, i shkaktoi dhimbje të mëdha si gruas si dhe mbretëreshës, por ishte tepër vonë.

– Drama përfundon me shumë trishtim por i hap dyert historianëve-hulumtues për të kërkuar të vërtetën për Teutën dhe Ilirinë e cila është fshirë nga historia, megjithëse zona të reja arkeologjike ku Teuta dhe civilizimi ilir jetuan më shekuj gjenden çdo ditë. Romakët e shpallën Mbretëreshën Teutë të pamoralshme si grua dhe një pirate. Pikërisht kjo shfaqje tregon se ka një anë tjetër të historisë dhe se historia përsëritet në lidhje me gratë e pabindura që përfundojnë duke i etiketuar, poshtëruar, zhvlerësuar dhe përdhunuar si Teuta.  Por në historinë shqiptare fati i Teutës eshtë përsëritur disa herë mbi gratë shqiptare…

 

 

blank

blank

blank

blank

blank

blank

 

blank

“Kthimi i Mbretëreshës Teuta” në thyerje mitesh për triumfin e së vërtetës – Me autore Shenida Bilallin, skenariste e regjisore e mirënjohur shqiptare në Kroaci në thyerje mitesh për triumfin e së vërtetës

“Kthimi i Mbretëreshës Teuta”, e shfaqur në skenën e Teatrit të Kukullave në Zagreb, vjen si shfaqje moderne me frakturë dokumentare

 

Mitet, legjendat e gojëdhënat kanë kapërthyer ndër shekuj historinë e Mbretëreshës Teuta, duke e mjegulluar të vërtetën për të e për ilirët. Shfaqja “Kthimi i mbretëreshës Teuta”, e shfaqur në Zagreb me kastë aktorësh e balerinësh të njohur kroatë, nën regji të Shenida Bilallit, nuk vjen thjesht si një dramë historike bashkëkohore. Ajo thur të pathënat e ato që u heshtën

 

Me rastin e “Ditëve të Mbretëreshës Teuta”, në Zagreb, “Teatri Teuta” ka vënë në skenë shfaqjen teatrale që thur rrëfimin për mbretëreshën e madhe ilire, me titull “Kthimi i Mbretëreshës Teuta”, të Shenida Bilallit, skenariste e regjisore e mirënjohur shqiptare në Kroaci.

Premiera u dha më 16 nëntor në skenën e Teatrit të Kukullave në Zagreb.

Drama historike u transmetua drejtpërdrejt në internet me rastin e 16-vjetorit të ngjarjes tradicionale të “Ditëve të Mbretëreshës Teuta”, financuar nga Këshilli për Pakicat Kombëtare të Qeverisë së Republikës së Kroacisë.

Historia 23-shekullore, falë regjisores Bilalli, veprës dramatike dhe dokumentare në këtë shfaqje, ka zbuluar një të vërtetë të re për Teutën, ku thotë: “Për Mbretëreshën Teuta dihet vetëm një histori e shkruar nga romakët: Që Teuta ishte një grua pirate imorale, ku lind një kontradiktë dhe kundërshtim me legjendën për Teutën, e trashëguar nga disa popuj të Mesdheut, të cilit me shekuj e përcjellin atë për mbretëreshën e tyre të fuqishme të mbretërisë legjitime ilire, me forcë të madhe ushtarake dhe status institucional. Teuta trashëgoi mbretërinë ilire pas vdekjes së burrit të saj, mbretit Agron, i cili u vra nga udhëheqësi i tij ushtarak Dhimitri Hvaranin, me qëllim që të merrte Mbretërinë e Ilirisë dhe gruan e tij Teutën”.

 

Konflikti me Romën – i fshehur nga historiografia

Shqiptarët e ruajnë kujtimin për Teutën si një legjendë për mbretëreshën e bukur, e cila ishte viktimë politike e fuqisë së madhe të grekëve dhe Romës, dhe me shekuj ata ringjallin emrin e saj duke pagëzuar vajzat e tyre me emrin Teuta.

Mbretëria Ilire ishte realitet i historisë antike. Teuta kishte monedhën e saj, flotën, kishte të zhvilluar anije-ndërtimtarinë, tregtinë e fuqishme, përpunimin e arit, argjendit e qelqit. Kësisoj, nuk kishte nevojë për pirateri. Ndërsa romakët thurin historinë për ilirët piratë!

Ekskluzivja e kësaj shfaqjeje është prezantimi i konfliktit midis Romës dhe Teutës, i cili lindi për shkak të taksës ndaj anijeve greke dhe romake që lundronin në detin e ilirëve. Ky informacion u fsheh me shekuj dhe dëshira për zbulimin e së vërtetës ishte arsyeja e realizimit shfaqjes teatrale në Zagreb, ka thënë Bilalli.

Ngjarja e dramës zhvillohet në shekullin III para Krishtit, kur Teuta, mbretëresha e rajonit Ardian, korri fitore të mëdha dhe u zgjerua përgjatë bregdetit të Adriatikut nga ishulli Visi deri në Epir. Pushtimi ilir e shqetësoi Romën, fuqinë më të madhe në Mesdhe, tek shpërtheu lufta iliro-romake.

“Përmbajtja e tekstit bazohet në dokumentacionin historik dhe shkencor, përzgjedhur me kujdes, dhe ilustrohen ngjarjet e 23 shekujve më parë. Nuk ekzistonte asnjë material vizual për ngjarjet reale, kështu që kjo dramë u ilustrua me detaje, simbole dhe kostume nga jeta ilire”, ka thënë Bilalli.

Në dramën moderne historike “Kthimi i Mbretëreshës Teuta” luajtën 16 aktorë, më të njohurit e Kroacisë nga Teatri dhe Baleti Kombëtar Kroat dhe anëtarë të “Teutës”.

Dramaturgia e mirënjohur kroate e Teatrit Kombëtar Kroat dhe e kësaj shfaqjeje, Sanja Iviq, ka thënë se është e vështirë të gjendet një legjendë në jetë pa hyrë në ekzagjerim.

“Kjo shfaqje u gjet në gjysmë të rrugës dokumentare e disa skenave artistike të cilat u shndërruan nga dokumente historike bazuar në hulumtimet e gjata të regjisores… E gjetëm një masë të duhur në një shfaqje që u pëlqen shikuesve dhe të vërtetës“, ka thënë ajo.

Strukturimi artistik i historisë

Drama zgjat 50 minuta, e përbërë nga pjesë narrative, vallëzim modern dhe pjesë artistike. Në rolin e narratorit është aktori i mirënjohur, artisti kryesor i dramës në TKK-HNK, Dragan Despot.

“Si një narrator romak, paraqes faktet e rëndësishme historike të Mbretëreshës Teuta, mbretërimit të saj dhe situatave kryesore që lidhen me rajonin tonë në atë kohë. Pranova rolin me nxitjen e shoqes sime Shenida Bilalli, të cilën e kam mike dhe kolege të studimeve nga Akademia e Teatrit të Filmit dhe Televizionit. Jam krenar që bashkëpunoj me miken time dhe pakicën shqiptare“, ka thënë ai.

Ekipi artistik i “Kthimit të Mbretëreshës Teuta”, në krye me regjisoren Shenida Bilalli, solli një dramaturgji të re, një guxim me vizion dhe alternativa të reja në shprehjet vizuale, solli mesazhe, dialogë në strukturimin e historisë në formë të artit dhe ruajtjes së etnosit të përbashkët ilir dhe shqiptar, me elemente nga jeta.

Atë lidhshmëri nga kohët e lashta e vërtetojnë tingujt e butë të fyellit, instrumentit të lashtë muzikor të ilirëve dhe shqiptarëve, me kompozimin e mirënjohur “Baresha” të kompozitorit Rexho Mulliqi, interpretuar nga Shaqir Hoti dhe etno-grupi nga Kosova. Fyelli e ndihmoi audiencën të përjetojë më fuqishëm detaje të panjohura nga jeta e Mbretëreshës Teuta. Ndërsa ngjarjet historike u prezantuan nga grupi vallëzues “Ilire“, me 5 balerina profesioniste të baletit modern dhe klasik, me 5 artistë, ushtarë romakë, lajmëtarë, një tambur dhe tri artiste në rolin e tri Teutave, që shpalosën histori të parrëfyera gjer më tani.

Karakteret e dramës vendosen në kohën pas vdekjes së Mbretit Agron, që vjen nëpërmjet komplotit politik të Romës, Greqisë ndaj Ilirisë dhe dashurisë së Mbretëreshës ilire Teuta me gjeneralin e saj të fuqishëm grek, Dhimitri nga Hvari (Isa), i cili lufton për t’i sunduar detet Adriatik dhe Jon.

“Konfliktet në dialog midis Dhimitrit dhe Teutës së re alternohen në mënyrë dramatike, për shkak të dashurisë, tradhtisë dhe prestigjit të pushtetit. Ndërsa skena e Demeterit zbulon në monologët e tij ambiciet e mëdha dhe jo të sinqerta për të pushtuar Ilirinë dhe Teutën“, ka thënë Bilalli.

Kjo tragjedi historike, me idealin së vërtetës, lirisë dhe artit, lufton për status më të mirë gruas në shoqëri, ku marrin pjesë tri aktore, tri Teuta të moshave të ndryshme, duke na udhëhequr nëpër kohëra: Teuta e re është Vini Jurçiq, Teuta është balerina Karolina Shosha dhe Teuta e vërtetë, që shfaqet pas 23 shekujsh, është Barbara Vickoviq.

Midis dashurisë dhe pushtetit

Aktorja kroate Vini Jurçeviq, që luan Teutën e re, paraqet arsyet e kundërshtimit të Romës në skenat dialoguese me Dhimitrin.

“Më pëlqen roli i Teutës. Në fillim të idilit të dashurisë, Mbretëresha Teuta mendon më shumë si një grua e dashuruar dhe më pak si një mbretëreshë. Ajo vazhdimisht lufton mes dashurisë dhe pushtetit. Në mënyrë që të konsolidonte pushtetin dhe të mbrohej nga Roma, ajo kërkoi aleancën me Dhimitrin, gjë që ishte fatale për jetën e saj dhe shkatërrimin e Mbretërisë së Ilirëve“, ka thënë Jurçeviq. “Teuta është një grua e fortë, trime dhe krenare, por akoma e brishtë. Më pëlqeu roli kompleks i Teutës, të cilin e ka parashtruar regjisorja Bilalli. Besoj se me interpretimin tim kam realizuar personalitetin e fortë të Teutës, e cila në fund të tragjedisë argumenton se burri që donte e tradhtoi dhe i shkaktoi dhimbje mbretëreshës, por ishte tepër vonë. E admiroja shumë si person Teutën, por më vjen keq sesi përfundoi”.

Konflikti midis Teutës dhe Dhimitrit ka parashtruar ritëm të posaçëm dhe tension në shfaqje, posaçërisht në skenat ku Teuta lufton pa frikë për Ilirinë dhe përballet me Romën e fuqishme, pa dijeni se armiku i saj më i madh është njeriu që ajo do. Rolin e rëndësishëm të Dhimitrit, grekut, e luan Ivan Colariq, aktori i njohur i Teatrit Kombëtar Kroat.

“Unë shfaqem në disa skena të dialogut me Teutën, të cilat janë vendosur me një mjeshtëri të bukur nga dramaturgia në mes të skenave të vallëzimit e narracionit dhe i japin ritëm të posaçëm dramës tek shpjegon raportet midis Dhimitrit, Teutës, Romës dhe Ilirisë. Dhimitrus është një udhëheqës dinak ushtarak, i cili krenohet që vrau Mbretin Agron. Është joshës dhe pushtues i madh i Mbretëreshës Teuta. Luftëtar i dashuruar që nuk mund t’i kontrollojë ndjenjat për Teutën. Në skenën e fundit është tradhtar i lënë vetëm dhe i përbuzur nga Teuta dhe ilirët. Roli i tij nuk ishte i lehtë, por i dashur për mua. Jam i kënaqur që jam ftuar për këtë rol nga regjisorja Bilalli, për të cilën kam respekt të posaçëm, që ia shpalosi dramën e Teutës publikut kroat dhe më gjerë”, ka thënë Colariq.

Freskia e kësaj shfaqjeje janë katër aktet koreografike nga grupi vallëzues “Ilire”, me kostume jashtëzakonisht të bukura të balerinave dhe aktoreve. Performancat patën rol të rëndësishëm në dramë, pasi shprehnin ngjarje historike, ndjenja, bukurinë dhe qëndrimin e Mbretëreshës Teuta ndaj ilirëve dhe Romës.

Shfaqja është ndarë në skena sipas ngjarjeve dhe ngjyrave. Nis me të bardhën, e cila tregon bukurinë dhe pafajësinë e Teutës, për të vazhduar me të kaltrën për lirinë e saj. E kuqja është për luftën dhe kundërshtimin dhe ngjyra e fundit, ajo vjollcë, prezanton butësinë dhe dashurinë e Teutës.

Në pjesën muzikore “Teuta luftëtare” dominojnë e kuqja dhe ngjyra e arit, si simbole të luftës, dashurisë dhe mbretërisë, shoqëruar me muzikën e “Carmina burana fortuna imperatrix mundi”, që vjen fuqishëm dhe e cila mori duartrokitje të gjata nga audienca, si një konfirmim për një koreografi plot shprehje vizuale, emocionale dhe me pasion.

Sipas Bilallit, balerina e njohur kroate e baletit klasik dhe modern, Karolina Shusha, udhëheqëse e grupit vallëzues “Iliret“, interpreton Mbretëreshën Teuta në tri akte dhe me atë interpretim tërheq shumë vëmendje nga spektatorët dhe kritikët me triptikë në role: si sundimtare, luftëtare dhe si grua e mashtruar.

“Grupi ‘Iliret’ është një pjesë integrale e Klubit të Grave Shqiptare të Kroacisë, ku bëjmë me vite shfaqjen ‘Teuta’ dhe pata nderin që ta luaja Teutën. Ky është një bashkëpunim afatgjatë, i bukur dhe shumë cilësor, që zgjat 15 vjet me mbështetjen e madhe të koreografes dhe regjisores Shenida Bilalli, e cila ndihmon dhe afirmon krijues të rinj“, ka thënë Shusha.

Kulmimi me tradhti dhe rikthimi

Drama kulmon pas tradhtisë së luftëtarëve ilirë në Epir nga komandanti i marinës ilire, Dhimitri, i cili punoi për fuqi të mëdha të Romës dhe Greqisë, ashtu që Teuta u detyrua t’ia dorëzonte pushtetin dhe Mbretërinë e Ilirisë.

“Skena e fundit e rënies së Mbretëreshës Teuta, ku luaj rolin e Teutës, u kontribuua nga Dhimitri, i cili fshehurazi e dashuron, duke u përpjekur ta shpëtojë nga legjionet romake që duan të hakmerren dhe ta përdhunojnë. Lut Teutën që të dorëzohet, por ajo nuk ia fal tradhtinë. E lë atë dhe hidhet poshtë në shkëmbin e Risanit. Dhimitri mbetet vetëm dhe i përbuzur nga të gjithë”, tregon balerina Karolina Shusha.

Kur publiku përthekohet prej trishtimit, i thyer me fatin tragjik të Teutës, në fund të shfaqjes vjen një kapërcim i befasishëm. Në skenë, prej mjegullës, shfaqet Mbretëresha Teutë e vërtetë, e cila kthehet pas 23 shekujsh. E bukur dhe e fortë vjen në monologun që shkrin ndjenjat të cilat shpalosen fuqishëm nga aktorja e famshme kroate, Barbara Vickoviq.

“Jam jashtëzakonisht e nderuar që kam marrë këtë rol dhe që bashkëpunoj me regjisoren Bilalli, ku vëmë në skenë Teutën e vjetër, duke u kthyer pas 23 shekujsh, që t’u ndihmoj grave që kanë fatin si ajo dhe luftojnë kundër paragjykimeve ndaj grave të vetmuara dhe për të drejtat e tyre. Në fund, u bëj thirrje të rinjve që të mos largohen nga zona e ilirëve të lashtë. Përmes audiencës më të gjerë në internet, patën mundësinë të shohin fatin e vështirë të Teutës, i cili deri më tani nuk u prezantua”, ka thënë Vickoviq.

Sipas saj, me këtë tragjedi historike është tentuar që Teuta të shfaqet si një heroinë, viktimë e një super-fuqie, figurë e heroinës mitologjike me parime të larta morale, që ndoqi idealet e veta. “Ka krenari, guxim dhe pavarësi… Një grua me fat tragjik që humbi Mbretërinë Ilire për shkak të dashurisë dhe lojërave të superfuqive që përdorën dashurinë dhe dobësinë e gruas, asaj mbretëreshe të vetmuar”.

Drama e Teutës përfundon gjithë trishtim.

“Por, ua hap dyert historianëve dhe hulumtuesve për të kërkuar të vërtetën për Teutën dhe Ilirinë, e vërtetë që është fshirë nga historia, megjithëse çdo ditë shfaqen zona të reja arkeologjike ku kanë jetuar Teuta dhe civilizimi ilir”, ka thënë Bilalli.

Sipas saj, kjo dramë historike po ashtu tregon se ekziston edhe ana tjetër e historisë me porosi.

“E vërteta del në sipërfaqe kurdo, edhe pse historia fshihet e përsëritet në raporte ndaj grave të forta dhe të vetëdijshme, që nuk pranojnë ta luajnë lojën siç duan të tjerët. Kundërshtarët, kur nuk e mundin gruan, e dënojnë, e etiketojnë dhe e poshtërojnë si dhe zhvlerësojnë statusin e saj. Në këtë rast, në fund, përhapin lajmin se është e pamoralshme. Jemi dëshmitarë të historisë tragjike shqiptare gjatë shumë luftërave, ku fati i Teutës përsëritet mbi gra shqiptare si hakmarrje, si dënim dhe zhdukje e një populli“, ka thënë Bilalli. Në fund, krahas porosisë që ka përcjellë me “Kthimin e Mbretëreshës Teuta”, ka pasur edhe një tjetër: “Ne, si artistë, si gazetarë a shkencëtarë dhe si popull, e kemi detyrë ta kujtojmë Teutën çdo vit, e të mos e harrojmë”.

Tri artiste në rolin e tri Teutave, shpalosën histori të parrëfyera gjer më tani: Teuta e re është Vini Jurçiq, Teuta është balerina Karolina Shosha dhe Teuta e vërtetë është Barbara Vickoviq. Në rolin e narratorit është aktori i mirënjohur, Dragan Despot

Ekipi artistik i “Kthimit të Mbretëreshës Teuta”, në krye me regjisoren Shenida Bilalli, solli një dramaturgji të re, një guxim me vizion dhe alternativa të reja në shprehjet vizuale, solli mesazhe, dialogë në strukturimin e historisë në formë të artit dhe ruajtjes së etnosit të përbashkët ilir dhe shqiptar

blank

Mitingu i 57 i Poezisë në Gjakovë – përkujtohen poetët e ndjerë gjakovarë – Nga TAHIR BEZHANI

Sot ne ora dhjete, me rastin e Mitingut te 57 te poezise, nje grup letraresh nga Klubi “Gjon Nikolle Kazazi” i Gjakoves,perkujtuan poetet te cilet nuk jane me ne mesin tone,por jetojne ne zemrat e gjithe neve,te qytetareve te Gjakoves e jo vetem. Veprat e tyre,si te Din Mehmetit,Agim Devës, e shume e shume te tjereve,do mbesin thesar i kultures sone letrare neper breza. Din Mehmeti,emer i veçant per vargun poetik ne letersine shqipe,eshte edhe themeluesi i Mitingut te Poezise qe nga viti 1964, i cili do mbetet ne mbamendje historike per brezat e ardhshëm.
Respekt per te gjithe poetet gjakovare,te cilet tani kane kaluar ne boten e amshuar, si Din Mehmeti,Besim Bokshi,Teki Dervishi,Agim Deva,Enver Gjergjeku,Ali Musaj,Bujar Rexha,Mehmet Bobi,Halil Haxhosaj etj. te cilet neper vite dhane çdo gje nga vetja per te jetuar e jehuar fjala poetike nensqetullat e Qabrat krenare, ne Gjakoven e lavdise e kultures letrare ne pergjithesi.
Respekt e lavdate u takon edhe poeteve Muharrem Kurti,Engjell Berisha,Agim Byci,Migena Arllati, gjithe kryesise se Klubit Letrare “Gjon Nikolle Kazazi” te Gjakoves,te cilet,edhe ne keto kushte tejet te nderlikuara pandemike e ekonomike,nuk ndalojne aktivitetetin, por, me punen e tyre te palodhshme, po e madheshtojne Mitingun historik të Gjakoves,fjalen poetike ne truallin e kultures dhe tradites sone letrare.
blank
blank

TË PRISHËSH NJË MONUMENT KULTURE – Nga Agim Xh. Dëshnica

                      


Shembja barbare, papritur natën e Teatrit Kombëtar me ndihmën e policëve të dhunshëm, të Edvin Rames te fshehur pas shpines së shkatërrimtarit të Tiranes Erion Veliajt, na kujton pushkatimet në mesnatë me urdhër të atyre që rrafshuan me dinamit ndërtesën neoklasike të Bashkisë edhe të Kafe Kursalit, të kohës së paraluftës, më te bukurat në Sheshin Skëndërbe; shkatërrimet e monumenteve te kultures, si Pazari i Vjetër në Tiranë me vlera historike e turistike; hedhjen për tokë me dinamit të Bezistenit në Shkodër, – treg i gjerë, i mbuluar me çati, ku shiteshin mallra e këmbeheshin monedha të vendeve ballkanike. Na kujton edhe shembje, mbyllje kishash, xhamish e teqesh të vitit 1967; shkallmimin aty nga vitet 70, e qyteve si Berati të shpallur formalisht qytet muze.
Çdo shtëpi ka veçanësitë e saj. Qindra syresh krijojnë një qytet me tërë vlerat dhe historinë e tij. Si gjithmonë, trashgimtarët, pas rrënimesh për shkaqe nga më të ndryshmet, përpiqen të mirëmbajnë vjetërinë e bukur, krahas ndërtimeve moderne në zona të veçanta, si vazhdim të jetës në kohëra të reja. Historia për qytetet e vdekur është e mjegullt, shpesh e sajuar sipas hamendjeve. Për mrekulli, Berati i lashtë, pas dëmtimesh të qëllimshme në vitet e një sistemi të huaj, siç qe socialimi, mundi të mbërrinte në kohët tona, si një dëshmitar i gjallë i ndodhive tragjike, mjerisht vetëm me tri lagje, Mangalemin, Goricën e Kalanë, edhe këto të prekuara nga ndërtime të gabuara. Asnjë popull dhe asnjë shtet në botë nuk prish monumentet e veta të kulturës, sipas manisë perverse të një njeriu, pra: “nuk prish shtëpi të bëjë kasolle!” Nga një revistë italiane mësohet se, pasi armët e Luftës së Dytë Botërore heshtën, shumë qytete të rrënuar u ringritën siç qenë më parë. Turistët amerikanë me origjinë nga këto vende, befasoheshin, kur ktheheshin atje dhe gjenin pallatet klasike, kafet, parqet e rrugët e kohëve të bukura të rinisë së tyre.
Në Shqipëri, në mbarim të luftës, pas largimit të trupave pushtuese gjermane, kudo u ndje fryma dhe pesha e një jete të re; për disa – e lumtur, ndërsa për mjaft të tjerë – e panjohur, e dhunshme dhe e frikshme.
Shtatëmbëdhjetë vjet më pas, me një vendim të paqartë të qeverisë, Berati u shpall qytet muze. Pra, shteti i ri tashti e tutje do të kujdesej për mirëmbajtjen e shtëpive dhe të qytetit në tërësi, të njohur për lashtësinë dhe bukuritë e rralla. Do të kujdesej për Kalanë me dramat tragjike, për shtëpitë e bardha e dritaret si mijëra yje mbi lumë e urë, për xhamitë e kishat, për zejtarinë, legjendat e këngët. Por, ç’ndodhi në të vërtetë? Pas ngritjes së fabrikave, ardhjes nga rrethet e tjerë të nëpunësve dhe punëtorëve, qyteti u mbipopullua dhe mori pamjen e një qendre industriale pa të ardhme. Si një akt hakmarrës i pakuptimtë, qysh në vitet e para u bë rrënimi i Sarajeve të Pashallarëve në qendër të qytetit dhe hedhja në lumë e shumë elementëve arkitektonikë! Sot, ashtu të shkallmuara, ato dëshmojnë për hijeshinë e hershme dhe për marrëzinë e diktaturës. Pas vendimit që e shpalli atë qytet muze, qendra e tij me sheshe, pazare e një varg dyqanesh, u shemb dhe u tjetërsua! Ndërtesa neoklasike e hotelit Kolombo u rrafshua për një lulishte! Edhe Shkolla qytetëse, ku dikur mbërrinte Felbani (treni) austriak Shkodër-Berat, u hodh përtokë! Xhamitë, medreseja, teqetë e kishat u mbyllën, disa u shembën! Po atë fat patën edhe lagjet e tjera. Emrat e vjetër, që dëshmonin historinë, u ndryshuan. Mbijetuan vetëm përmendorja e Dëshmorëve të Kombit dhe busti i Babë Dudë Karbunarës, të përuruar qysh në vitet ’30. Kalimtarët, në hyrje të parkut të madh, kundër natyrës së qytetit, haseshin me bustin e Stalinit, kurse heroi ynë kombëtar Skënderbeu, përfaqësohej vetëm, gjë që ndodh edhe sot, nga një përkrenare e bardhë, pa kurrfarë vlere artistike, sipër një shkëmbi.
Gjithsesi, njëra nga lagjet vazhdoi të mbronte emrin Murat Çelepi. Ky emër i shqiptarit Kara Murat-Çelepi, mytesarif i Sanxhakut me qendër në Berat, mbeti i pashlyer nga kujtesa, dhe emri i ri zyrtar “Çlirimi” përdorej vetëm nga postierët dhe policët. Karrocierët e pajtoneve, para se të hiqeshin nga qarkullimi, thërrisnin “Hajt, Çelepi!”. Dikur kjo lagje e mbuluar nga një gjelbërim i plotë, shtrihej nga hyrja e Beratit deri në urën e Goricës, me shtëpi në shpatin e Kalasë dhe në zonën fushore buzë Osumit. Ajo kujtohej për disa shkolla, për Kullën e Sahatit, për puset e çesmat, për xhamitë, teqetë e tyrbet, për parkun plot me lule, për ndërtesat monumentale e për bahçetë, që kufizoheshin me fushat e fshatrave përreth. Njëra nga mëhallët e saj, afër lumit dhe përballë Shpiragut, njihej me emrin Sarajet. S’dihet as sot, se si ato saraje madhështore të Omer Pashës, me rojtarë e shërbyes të shumtë, u përfshinë nga flakët e një zjarri të madh dhe u kthyen në gërmadha brenda mureve të lartë. Në atë vend të braktisur, me një portë të zymtë, nuk u ndërtua asnjë shtëpi. Për një kohë të gjatë, askush nuk guxonte ta blinte atë tokë të mbuluar nga hithra e ferra, ku lëvrinin gjarpërinj e hardhuca. Gjyshet shamibardha pëshpërisnin, se atje, kur binte nata, shfaqeshin xhindet e bukura, që endeshin si hije poshtë e lart me veshje të ndritshme dhe hidhnin valle. Çdo njeri, që besonte rrëfimet me xhinde të gjysheve, nëse kalonte natën nëpër sokak, përbri mureve gjysmë të rrënuar, s’kthente sytë anash, por shpejtonte hapat. Edhe emri Sarajet, seç kishte diçka të frikshme. Në atë mëhallë të pastër me sokakët e gjerë, shtruar me gurë të sheshtë, kalonin lehtë e lehtë, kuaj e karroca, biçikleta, vetura dhe kamionë. Njëri prej sokakëve fillonte nga porta e bejlerëve Vokopolas, vijonte përmes shtëpive të mësuesve, tregtarëve dhe zejtarëve të njohur beratas. Pak më thellë, djathtas, ndodhej shtëpia e Ibrahim Buharasë, më vonë e Vexhi Buharasë. Në fund të një rrugice të vetmuar majtas, lartësohej një portë e rëndë me dy kanata druri nën harkun e gurtë. Në çastet kur ajo qe e hapur, dukej një pjesë e shtëpisë së bardhë e të madhe e gjyshit tim Sulejmanit, me prejardhje nga Roshniku. Sipas kujtimeve, ai qe një burrë i pashëm, shtatlartë, me sy e flokë gështenjë, i respektuar nga të gjithë, herë – herë i rreptë, por i matur e bujar. Thuhej, se shtëpia e tij qe themeluar aty nga viti 1750, fare afër Osumit. Ajo ngrihej ngjitur me muret e Sarajeve. Rreth motit 1880, Sulejmani aso kohe oficer me gradën kapiten, e bleu atë dhe shtoi një pjesë të dytë sa e para. Në përfundim të punimeve, u ruajt pamja e bardhë beratase me shumë dyer e dritare, në të katra anët, me të dyja pjesët në harmoni të plotë. Në anën lindore gjyshi u kishte falur shërbyesve, që merreshin me punë të ndryshme në shtëpinë e madhe dhe në bahçe, një shtëpi përdhese, me disa kthina, me oborr, pus e kopsht. Nga oborri kryesor, dy dyert e gjera të çonin në mjediset e ndërtesës së bardhë, që e shihte diellin tërë ditën. E freskët në verë ajo, e ngrohtë në dimër. Pjesa e dytë, e ndërtuar me mjeshtëri, ashtu si e vjetra në krahun e djathtë, qe vepër e shkëlqyer arti. Atje, miqtë kalonin nëpërmjet katoit, ku lidhnin kuajt. Pastaj, nëpër shkallët e brendshme, ngjiteshin në dhomën e pritjes, që njerëzit e shtëpisë e quanin “dhoma me bojë”. Aty binin në sy tavanet me rombe ngjyra-ngjyra, figura zogjsh, zambakësh e trëndafilësh, gdhendur në kanatat e derës, të kamareve dhe musandrave. Në dhomë shkëlqente gjithçka: muret, vatra me rrasa guri gri, daullja e saj e bardhë dhe dyshemeja e mbuluar me qilim persian. Llampadarët në tavan dhe disa shandanë shumëdegësh mbi dyshemé, plotësonin ndriçimin natën, kurse ditën gjashtë dritare me perdet hapur tërhiqnin rrezet e diellit nga lindja e perëndimi. Në katin e dytë ndodheshin edhe dy hamame, si edhe dhoma e gatimit, (açillëku, apo kuzhina), e ndriçuar nga një baxha konike nën çatinë me katër gërshanëza e strehë të gjera. Në një kënd të saj shihej hambari i drunjtë dhe mokrra e gurtë për bluarjen e drithit. Më tej, pas një dere, kalohej në një mjedis, ku renditeshin furra për të pjekur bukët e tavat, larësja e enëve, rrobalarësja me një korridor të zgjatur, që kthehej në anën jugore për tharjen e teshave. Hapësira mbi tavan shërbente si depo. Në pjesën e dytë të shtëpisë, brenda një dere të gjerë me dy kanata ngjyrë kafe, shtrihej hajati i gjatë e i gjerë i mbuluar me pllaka guri të gdhendura imët. Në të djathtë ndodhej kthina e kafesë me nime për miqtë, ku shërbehej nëpërmjet një dollapi rrotullues të vendosur në murin e hajatit. Kafetë zbrisnin me tabaka nga kuzhina, nëpërmjet një shkalleje të fshehtë me kapak sa një derë. Në fund të hajatit hapej dera tjetër për në odën e freskët, që përdorej gjatë muajve të verës. Majtas, përsëri pas një dere, ndodhej qilari i errët e i ftohtë pa asnjë dritare, me voza druri, me shtëmba e qypa të mëdhej për zahiretë e dimrit. Një shkallë rrethore e brendshme me parmak, të hipte lart në sallonin e gjerë me piktura e katër dyer. E para, për dhomën ku flinte gjyshi, e dyta për dhomën me bojë të miqve, e treta – tek e zjarrit, e katërta – për dhomën e bibliotekës me nime në krahun jugor, që përçonte rrezet e diellit përmes tri dritareve të mëdha. Një zgjidhje e mençur e ustallarëve të panjohur. Nga oborret dukej kalaja, mali i Goricës dhe më tej, shpesh, kur shkrepte dielli i mëngjesit, shfaqej në lartësi madhështor mbi re mali i Tomorit. Në fund të pusit, herë pas here shiheshin ngjala që ndaheshin nga tufa në lumë, pas shtegtimit të gjatë nga deti i Sargaseve dhe mbërrinin në puset e mëhallës së Sarajeve. Në orë të caktuara dëgjoheshin kambana nga Kulla e Sahatit pranë xhamisë e çesmës dhe zëri i myezinit nga minarja. Në oborr kryheshin jo rrallë rite fetare. Në raste festash e dasmash ushtonin këngët qytetare beratase të shoqëruara me def e saze. Në ato çaste hareje, kur hëna qe e plotë, dukej sikur zbriste mbi kullat e muret e Kalasë dhe dëgjonte e kënaqur ato këngë të paharruara.
Bahçeja u ngjante oazeve të përrallave arabe, me palma, kopshte, lulishte e zogj. Anës bahçesë nxitonte rrjedha e rremës, që kthehej më sipër nga lumi me anën e një sfrati me trungje e degë drurësh. Deri në kohët e vona ai pellg i pastër, ku laheshin të rinjtë, quhej “te trarët.” Dy ledhet e rremës i lidhte një urë druri. Pranë saj sillej rrotull me kërkëllima çikriku me kova teneqeje, që hidhte me gurgullimë ujë në vijën që vadiste perimet e u bënte mirë edhe pemëve. Kalimtarët, tek kalonin përtej rremës, deri në kohët e shqetësuara të pasluftës, ndaleshin dhe sodisnin pamjet e pemëve me fruta gjithfarësh, si fiq, kumbulla e rrush të bardhë e të zi në hardhitë, që kacavireshin në kavakët e lartë; mes tyre – arra, lajthi, bajame, mana, ftonj, shegë, kajsi e zerdeli. Në një kënd të ngrohtë afër murit dukeshin zgjojet e bletëve. Në kohë pranvere e gjatë verës nëpër bregun tej rremës, vraponin fëmijët e mëhallës me pipëzat e borijet prej druri të njomë. Disa hidheshin topçe në rremë dhe ndiqnin rosat. Ato zhyteshin nën ujë dhe shfaqeshin larg mbi sipërfaqe. Në freskinë e blerimit, tok me cicërimat e zogjve, ndiheshin edhe xhi-xhi-të e gjinkallave në trungjet e pemëve. Bletët, fluturat e pilivesat fluturonin lule më lule. Ndërkohë, ndihej mërmërima e uturima nanuritëse e Osumit me ajrin e pastër nga kodrat nën lartësitë e malit Shpirag, që shtrihej si i fjetur nën diell e re.
Gjysh Sulejmani në ditë të kremte priste në atë shtëpi, madje edhe në bahçe, në një qoshk apo në verandë të mbuluar, për kafe, drekë a darkë, miq nga qyteti e fshati, zyrtarë, ushtarakë, doktorë, e mësues, si Babë Dudë Karbunara, Xhelal Koprencka, Sulo Resuli, Baki Gjebreja, Ibrahim Buharaja dhe shumë të tjerë nga mëhalla, të njohur në gjithë krahinën. Aty bisedohej edhe për çështje të mëdha, siç qenë hapja e shkollave shqipe dhe ngritja e flamurit në Berat e në Vlorë.
Çfarë ndodhish ndoqën njëra – tjetrën në rrjedhën e kohës në atë shtëpi të rrallë për nga bukuria, vlerat artistike dhe historia e saj?
Ajo u ndërtua nën pushtimin osman.
U gëzua, kur lindi djali, Xhevdeti, që do të shquhej më vonë si patriot.
Kremtoi në kohën e Pavarësisë.
U dhunua nga rebelët më 1914, me kërcënime, zënka, sharje e qortime ndaj gjyshit për gjuhën e flamurin shqiptar nga myftiu i Tiranës Musa Qazimi, por nuk u prek.
U vlerësua nga albanologët austriakë në kohën e Austro-Hungarisë.
Festoi në vitin e Kongresit të Lushnjës.
U gëzua më kot në ngjarjet e qershorit dhe u braktis nga djali i vetëm i arratisur mal më mal në dhjetorin e shqetësuar dhe mbeti në duart e motrës së tij me të shoqin telegrafist, i njohur në gjithë prefekturën.
Në një mëngjes të atyre ditëve ndodhi diçka e papritur.
Trokitën në portën e madhe dhe hynë me vrull në oborr një togë xhandarësh me teneqe vajguri në duar. Dilni jashtë, thirri kapteri, se kësaj shtëpie do t’i vëmë zjarrin! Për një çast ai u step, kur pa atë shtëpi aq të bukur. Halla mbylli dyert nga brenda, doli në dritare dhe thirri:
– Po të jeni burra, digjeni! Asnjë njeri nuk del nga kjo shtëpi!
Kapteri u hutua edhe më, teksa atje ia behën me vrap tërë ata burra e gra nga mëhalla. Atëherë, me urdhrin e kapterit, xhandarët morën teneqetë me vajguri dhe u larguan për të mos u kthyer më.
Në kohën e Luftës italo-greke, me urdhër të Bashkisë, u vendosën në katin e parë të shtëpisë zyrat e komandës së një reparti ushtarak italian, që kishte fshehur kamionët e luftës me topa e mitroloza në sokakët e lagjes Murat Çelepi. Shpesh herë oficerët dilnin në oborr për të soditur në qiell dyluftimin e ajrorëve anglezë e italianë mbi fushën e Otllakut. Halla, e shqetësuar për shtëpinë, u fliste oficerëve të hynin brenda.
Pasi ikën italianët, në qytet erdhën trupat gjermane. Një ditë në oborr u pa një ushtar gjerman pa pushkë dhe pa helmetë, me kapelen me strehë në duar. Halla doli e trembur në dritare. Gjermani me duar e me kapele bënte shenjë drejt bahçesë. U kuptua se kërkonte të merrte ca kumbulla te një pemë e rritur vetiu buzë rremës, kokrrat e tharta të së cilës njerëzit e shtëpisë nuk i mblidhnin kurrë. Ato piqeshin, binin në rremë dhe i rrëmbente me vete rryma e ujit. Merr, merr sa të duash! – ia bëri me shenjë halla ushtarit gjerman. Pas pak, ai mori dhe u kthye, e falënderoi hallën dhe u largua drejt urës me dërrasa, tek e priste një shoku i tij.
Një ditë tjetër halla pa një ballist, që kishte mundur të ngjitej te një nga kavakët dhe po hante nga rrushi i verdhë i pjekur mirë. O djalë, i bërtiti ajo, kjo bahçe ka zot! Hë, moj hallo, ia ktheu ballisti, s’u bë kiameti, më shumë se një vesh rrush nuk ha dot unë! Ja, mbarova! Zbriti poshtë ai dhe, duke qeshur, kaloi urën e u zhduk.
Kur Shqipëria u çlirua prej “armiqve e tradhtarëve”, siç shkruhet edhe sot nga akademikët e thinjur dhe nga gazetarët e rinj, erdhën ditë të papara ndonjëherë.
Në kohën e hapjes së tokave të reja, aty nga orët e para të mëngjesit, një zyrtar njoftoi se, sipas vendimit të Komitetit të Partisë dhe të atij Ekzekutiv, bahçeja qe shtetëzuar për t’u mbjellë me grurë e misër. Halla, aktiviste e guximtare e luftës, u lodh më kot t’i bindte shefat, që pemët të mos i pritnin. Pa kaluar as tri ditë, dhjetë punëtorë me sharra e sëpata në duar e me një përgjegjës në krye, u futën në bahçe dhe i prenë pa mëshirë pemët e ëmbla të gjyshit. Përfytyroni për disa çaste rrëzimin e kavakëve të lartë, ku pati hipur ballisti për një veshak rrush, këputjen e dhimbshme dhe harlisjen mbi parcelat e perimeve të hardhive me lloj – lloj rrushi, shembjen e zhurmëshme të arrës vigane me degët e gjelbra si direkë anijesh, plandosjen e mënit të lartë, përmbysjen e kumbullave, të fiqve e të pemëve të tjera me fruta gjithfarësh!
Merreni me mend dëshpërimin dhe fyerjen e hallës!
Më pas i erdhi radha tragjedisë së shtëpisë së regjistruar nga etnografët si monument kulture!
U panë në oborr disa ustallarë. Mos vallë kishin ardhur për mirëmbajtjen e saj? Përgjegjësi mbante në duar një letër të bardhë, tek shkruhej urdhri i qeverisë për ta rrafshuar shtëpinë. Atëherë halla nuk jetonte më. S’mund ta mbronte dot me vetmohim. Po edhe trashgimtarët e saj ishin të pafuqishëm. Me lot në sy e jetoi dhimbjen edhe nipi i tyre, shkruesi i këtyre radhëve, me punë larg Beratit. Punëtorët, të ngjashëm me xhelatë kohësh barbare, e nisën rrafshimin me kazma, lopata, sharra, sëpata e sqeparë, ganxha e qysqi. Pra, bënë rrafsh me tokën një nga shtëpitë më të bukura të lagjes Murat Çelepi, tok me historinë e saj dhe artin e mjeshtrave të panjohur! U goditën e u hodhën në tokë muret e gurtë rrethues, porta e madhe me hark! U shembën tavanet dhe çatia e gjerë, dhomat me oxhakë e llampadarë, nimet e shkallët, furra e qilari me qypa, hajati e konaku i kafesë, biblioteka… Gjithçka – me vrull revolucionar! Përse, vallë, u shfaros ajo mrekulli bujare!? Mister!
Ndoshta në arkivin e Kinostudios “Shqipëria e Re” ruhet edhe sot ndonjë film dokumentar, për atë shtëpi të bardhë, tek u strehua e sigurt Margarita Tutulani, e tek më vonë fshehën kokën rreth tridhjetë hebré dhe ushtarë të sfilitur italianë të arratisur nga kampi gjerman i robërve të luftës. Disa foto të asaj shtëpie në prag të rrënimit rrëfejnë për hijeshinë e saj në ditët e fundit të jetës. Një etnografe e vonuar, në kërkim të veprave monumentale për studime shkencore, ashtu si policët që mbërrijnë disa orë pas krimit, gjeti në atë lagje një rrafsh të pastruar nga mbeturinat e një ndërtese të zhdukur pa nam e nishan, si nga ndonjë bombardim i egër.
Tashmë trualli i rrafshuar i saj ka mbetur shkretë. Nuk dëgjohen më atje zërat e një brezi të tërë njerëzish me kulturë, që lindën, u rritën, banuan dhe shërbyen në arsim, në shëndetësi dhe ekonomi. Pipëzat e gajdat prej druri të njomë të pranverës heshtin. Nuk ndihen as cicërimat e zogjve, as kënga e kaposhit mbi degët e fikut në oborr, as kakarisja e pulave, as xhi-xhi-të e gjinkallave në trungje pemësh, as kërkëllima e çikrikut e llapashitja e krahëve të rosave në rremë. Nuk fluturojnë më bletët e fluturat lule më lule, as pilivesat mbi ujë. Rrezet e ngrohta të diellit e ajri i pastër i Shpiragut më kot kërkojnë dritaret varg të shtëpisë së bardhë dhe kurorat e blerta të pemëve. Askush s’e merr me mend, se ku ndodhej ajo shtëpi zemërgjerë si vetë madhësia e bardhësia e saj. Në atë mëhallë të ngrohtë u rrafshua edhe shtëpia e dijetarit dhe poetit Vexhi Buharaja, edhe shtëpitë e mësuesve, tregtarëve dhe të zejtarëve të njohur të qytetit. Nuk dëgjohet më uturima nanuritëse e lumit, as kambana nga Kulla e Sahatit e hedhur në tokë bashkë me çesmën, pranë xhamisë në lagjen Murat Çelepi.
Eshtë për të ardhur keq, kur ndonjë që merret me studime të monumenteve të kulturës, i qan hallin Pëmetit për zonat historike, që nuk janë mbrojtur si duhet, në një kohë, kur qyteti i vet i lindjes, jeton një gjendje të dhimbshme për shkak të shkujdesjes së atij vetë dhe zyrtarëve përgjegjës të sotëm, që mburren me librushkat për turistët.
Në troje të harruara të Beratit të tanishëm shihen vetëm disa shtëpi përdhese. Kalldrëmet e sheshta dhe shtëpitë e hijshme të mëhallës janë zhdukur. Pamjet e dikurshme përtej mureve e mbi pemët e bahçeve të dhunuara kanë humbur trishtueshëm. Janë shlyer edhe nga kujtesa. Diku pranë tyrbes së Baba Aliut të shenjtë, prehet gjyshi i urtë. Ai nuk e di seç është bërë me shtëpinë e vet të bukur, ku gëzoi dhe u hidhërua gjatë jetës. Edhe hëna, teksa ulet mbi muret e Kalasë, ashtu e zbehtë, mallkon e qan. Vetëm mrekullia e Zotit ka shpëtuar nga shfarosja shegën, mjaltë të ëmbël e plot lëng të fshehur në një kënd, pranë murit, që dikur rrethonte shtëpinë dhe bahçenë. Shega, qysh nga koha e gjyshit, rrit kokrra të shëndosha, duke dëshmuar, ashtu siç ndodh shpesh pas një masakre se jeta vazhdon…
Kështu do të ndodhë edhe me Teatrin Kombëtar, tashmë rrënojë e heshtur, nëse Shoqata për mbrojtjen e tij do të shtojë rradhët duke kërkuar me vendosmëri në protesta ringritjen e ndertesë së artit dramatik, ashtu siç ishte me kulmin e hijshëm. Atëherë në skenën plot me kujtime aktorësh artistë, do të ringjallen, Hamleti, Laerti, Otello, Shekspiri e Noli, ndërsa në sallën e gjerë, do të shpërthejnë duatrokitjet e munguara…                                                                                                                                                                                                                                                                                                           

blank

Eurosong 2021 – Mes Karmës të Anxhela peristerit dhe Universit të Lotëve të Gjon Muharremaj Nga Alba Kepi

Mes karmës e Anxheles zgjodha Universin e Lotëve të Gjonit.
U mbyll gjysëm finalja e parë e Festivalit Europian Eurosong 2021.
Ia kam imponuar këto mbrëmje familjes, dhe pse ku jetoj, nuk ka asnjë garë këngësh që të mundi Sanremon.
Dy këngëtarë shqiptarë garojnë për gjysëmfinale;
Anxhela Peristeri për Shqipërinë e Gjon Muharremaj për Zvicrën. Kanë të dy gjyshër “të famshëm”.
Gjyshi i Gjonit u bë i famshëm për lotët e tij që i mbushnin faqet sa herë dëgjonte “Can’t Help Falling In Love with You” të Elvis Presly.
E lotët u bënë motivi që Gjon Muharremaj të marr emrin artistik “Gjon’s Tears”.
Hej Gjon më bëre të qaj dhe mua! Lotët e gjyshit ma puthën fytyrën.
“Gjithë Universi” yt m’u bë lajmotiv i ditës.
Sa keq që nuk garon për Shqipërinë. Kemi nevojë për akustiken e notave të tua. Natyrale, të freskëta, të qeta, origjinale, të intonuara, harmonike e të respektueshme.
Je kaq i sjellshëm në performancën tënde sa edhe sikur të stonoje nuk do ja prishte emocionet melodisë.
Imagjinoj tët gjysh ulur diku në sallën e Rotterdam, si atëherë në një sallë televizive të talenteve të vegjël shqiptarë.
Ndoshta po mendon sa bukur do ishte ta këndoje shqip?!
Po muzika nuk ka kufij tokësorë e as gjuhë.
Tetë notat janë mjaftueshëm për ta komunikuar talentin.
“Gjithë universi” yt, vjen kaq i vërtetë sa lagështira e faqeve të gjyshit.
Jemi me fat ne shqiptarët! Për disa herë në skenën e Eurosong kemi pas disa këngëtarë shqiptarë njëherësh, ka ndodhur me Ana Oxa, Ermal Meta…
Sivjet përballë Gjonit për Shqipërinë garon Anxhela. Këndon mirë, e në rrumpallën e tregut të diskografisë shqiptare them se duhet të jemi të kënaqur që përfaqësohemi nga ajo.
Por “Karma” e Anxhelës mundet nga kostumi i Jessica Rabbit. Thonë se është stilizuar nga më i mirë “krejt” i vendit. Uroj të mos jetë frymëzuar nga ngjyra e flamurit se patriotizmi nuk është film me kartona.
Kapelja disk i hoqi Karmës notat e ja hodhi syve të spektatorëve. Efekti skenik zhduku melodinë e korniza zëvendësoj artin.
“Il valore predominante è diventato l’apparire” do të thoshte Umberto Eco.
Dhe Anxhela e ka një gjysh të famshëm. E përmenda jo për t’i bërë biografinë, (mjaft është marrë “gjyshi” i saj me biografinë e shqiptarëve), por për barazi informacioni të dy këngëtarëve.
“Gjyshi” i Anxhelës u bë i famshëm se ka bërë të qajnë mijëra nëna shqiptare, por Anxhela është me fat se askush sot nuk ia paralelizon talentin.
As unë! Je brava Anxhela por këtë natë fitoj Jessica e jo ti.
Unë preferova universin e “Gjon’s tears”, e do rizgjedh cdo ditë universin e lotëve të gjyshit shqiptar që ka rritur mirë nipin nga Zvicra.
Paci fat!
Une e dhashe preferencen time per sonte! (18 maj).
blank

KOHA SHTESË në 7 vjet e 7 ditë – Nga VISAR ZHITI

– mbresë rreth romanit “Extra time” të shkrimtarit Durim Taçi, shkruar në vetën e dytë –

“Extra time” më erdhi si një befasi me të gjitha kuptimet. Dhe i tillë është, arrin të të gjejë dhe të godet, si era mbase e të trondit si një tërmet, pa zhurmë, por i heshtur.

Se jeta kështu është, dhimbja e saj ashtu si dhe ngazëllimet, e zakonshmja dhe e pazakonshmja, etj, etj, duan dhe një sendërtim të dytë, për t’u kuptuar më mirë dhe jo vetëm kaq, për t’u ndjerë e ty të duhet ta ndalësh kohën, më saktë ta krijosh, ta rikrijosh ende më saktë, jo perjetesinë e pamundur, por të përhershmen, një të gjithmontë tonën.

Libri/ romani, besoj, mbetet më i përshtatshmi për ta mbartur rrjedhën e jetës si një praní, ëndërr dhe mister bashkë, ku e pritura dhe e papritura ngatërrohen mes tyre, shkëmbejnë dhe vendet ose kapitujt. I tillë është dhe libri yt, aq shumë filmik, që më shumë ngjan se shikohet se sa lexohet. Dhe ashtu siç ti kërkon një “extra time” – kohë shtesë rrëfimi, kështu do të duheshin dhe “extra words” për të rrefyer rrëfimin, fjalë shtesë që s’janë shpikur ende dhe ti ke nxjerrë shpirt nga fjala, pa i kërkuar ato, janë fjalë të përditëshme tonat, a u ke dhënë shpirt të ri a nga Qielli ka rrjedhur ajo frymë prej Ati a të gjitha bashkë a diçka tjetër e përtejme, një si ndihmë prej Hyu a të gjitha ishin këtu, brenda nesh.

Libri yt përjetohet, ritmi i tij është pulsim i gjallë, si një ecje e nxituar e atij që nuk ka kohë ta thotë kumtin e vet më të rëndëishëm, por që duhet thënë patjetër, shenjat e tij do të donin të kundërshtonin harrimin dhe ti ia del ta pakësosh atë, duke hequr të tepërtat, siç thoshte Mikelanxhelo për statujën, por duke vënë të tepërtën e rëndë, jo që të përftohet një statujë, por jetë e jetës.

Të teorizosh si kritikët e të thuash që është pasqyrë e një realiteti, jo, nuk ke për të qenë i saktë, – i them vetes, – as të shtosh se është një realitet tjetër paralel letrar, gabim, – prapë i them vetes, – por vêrtet “Extra time” është një të jetuar tjetër, si zanafillor, me magjinë e leximit, real si ai i përjetuari që s’lejohet të bëhet kujtim, i shpalosur në një një tashmë autoritare, të filtruar natyrisht, se ti je shkrimtari, me atë  teknologji që bëhet lënda e së përhershmes, (gjuhësisht koha e tashme e përhershme duhet krijuar medoemos), që s’është një dimension sipas logjikës së varfër të njerëzve, por vërshim njëherësh e-shkuar-e-tashme-e-ardhme-bashkë, duke i bërë një çarje çesariane barkut të Kronosit,

Ky është libri yt, një  risi në letrat shqipe, sipas meje. Në fund të fundit ai është një rrefim në altarin e vetes, një e folur me vete, nga një tronditje supreme, ndërkaq e mbajtur 7 vjet brenda vetes dhe e zbrazur për 7 ditë si në një mit, prandaj dhe libri me të drejtë mund të quhet dhe mitobiografi, duke iu larguar vetes, si shpirti që kërkon të na ngrihet lart, për të na kqyrur me një mosfolje të shenjtë.

Shkrimtari e thyen këtë pakt nga shkaku i demonit të tij të brendshëm, ti flet dhe s’e ke për gjë t’i  rrefehesh vegimeve ashtu si dhe një ikone, apo urës, bregut pranë shtëpisë, agut, ashensorit, që pasi hap dyert, nuk sjell atë që duam dhe e nis sërisht, të vijë me ëndrrën e asaj që duam.

Shkrimtari i jep zë të heshtur fletës së shkrimit nē kompjuter, të kaltër si një copë parajsore qielli dhe studion e krijimit e bën fushë futbolli, ku luajnë jeta me vdekjen, me arbiter fatin. Që pas lojës janë bashkë. E kush fitoi?

Po kjo është lojë, pa fitues të vërtetë dhe humbës të vërtetë dhe Zoti e di ku është e vërteta, si e qysh. E bukur dhe frikshme! Dikur, thua ti. Dhe dikur është dhe nesër, Ti mundohesh t’i bashkosh si në një tashme. Dhuratë për fëmijët. Dhe djemtë tanë fatalisht deshëm të ishin dhe etërit tanë. Sa gabim dhe ç’dhimbje pa fund që na dëgjuan…

Dhe s’na mbeti gjë tjeter veçse t’i japim dinjitetin e merituar dhe vdekjes ashtu si jetës.

Durim Taçi, me këtë  libër ia ke arritur, shkëlqyer mynxyrshëm a mynxyrshëm shkëlqyer a… duhen extra words. Di që nuk është libër-britmë, as requiem dritë-mugët. Është një vetvete e dytë, jo vetëm jotja. Dhe s’kish si të ishte ndryshe…

Asaj i drejtohesh, vetvetes si tjetrit, njëlloj si botës, s’ke ç’i bën emfazës, është si pandemia, aqkollajrënëse, nuk është e veprës tënde, realiteti vërtet është habitës, dhe i një antilogjike tokësore, ndërkaq i druhesh emocioneve të tua, që t’i tregosh dua të them, por jo poezisë së fshehtë, dhe tregon ato, jo më tepër, që të mundin të shkaktojnë emocion te leximtari, te tjetri, te vetja tjetër.

Në fund të fundit qëllimi yt më duket se është shumë më konkret, se edhe ëndrra është konkrete, edhe deliri, edhe krijimi, konkretja s’është dhe aq konkrete, ti do që Atisi yt, ashtu si birin e mitologjisë që Zeusi deshi ta ringjallë, qoftë dhe pjesërisht, ta risjellësh, të dashur dhe të bukur, sportist në fushën e jetës.

Prandaj dhe  ashensori i librit, kur i mbyll në funf fletët e veta, shohim se e ka nxjerrë atë dhe po vjen drejt nesh.

 

blank

blank

(Video) Krijimi i grupit TINGUJT E ZJARRTË, Elton Deda, Hektor Leka, Alban Emiri, Lulëzim Baçova, Altin Koka, Dokumentar –

Regjia: Ardian Murraj, Skenari: Ardian Murraj, Muzika: Mira Mecule, Producent: Shqipëria e Re, Viti: 1991, 27’

Dokumentari sjell momente nga krijimi i grupit “Tingulli i Zjarrtë”, drejtuar nga Elton Deda i cili mori famë me këngën pjesëmarrëse në Festivalin e 29 të Këngës në RTSH, “Jemi emri i vetë jetës”.

Pjestarët e grupit ishin Elton Deda, Hektor Leka, Alban Emiri, Lulëzim Baçova, Altin Koka.
Në fillim ishte edhe Edlira Çako në flaut për muzikën simfojazz dhe Uliks Krajka në tastierë i cili ishte edhe në koncertin e parë që bëmë në TKOB.
Në këtë film dokumentar trajtohet jeta studentore e të rinjve të Liceut Artistik “Jordan Misja” gjatë vitit 1990, dhe vihet re dëshira e madhe dhe përpjekjet e të rinjve shqiptarë, për të përqafuar trended muzikore botërore të viteve 80’-90’.

blank

KADARE-ONUFRI 25 VJET BASHKËPUNIM – Ishte një terren i vështirë dhe vazhdimisht binin rrufe Nga Bujar Hudhri

Gjysmë shekulli më parë

Më kujtohet kur isha një nxënës në tetëvjeçare, mbi pesëdhjetë vite të shkuara, kur një të diel në mëngjes, i shoqëruar nga vëllai im i madh, u regjistrova në bibliotekën e qytetit. Atëherë banonim në Peqin. Libri i parë që kam marrë, e mbaj mend si tani, ishte Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Siç duket, titulli pati ngacmuar fantazinë time dhe e mbarova librin me një frymë. Të nesërmen, ditë e hënë, që në mëngjes shkova ta dorëzoja në bibliotekë, por e gjeta mbyllur. S’dihet sa kisha pritur te dera, kur pashë tabelën e orarit: E hënë, pushim!

Ngjarja tjetër duhet të ketë lidhje me një konkurs kombëtar të vitit 1969, ndërsa ndiqja shpalljen e fituesve në gazetën Drita. Më sheh im vëlla, i cili ishte atëherë student në Institutin e Arteve, dhe më pyet pse isha mërzitur. “Kadareja nuk e mori çmimin e parë”, – i thashë, thua e kisha humbur unë çmimin. – “Ja, e mori Dritëroi çmimin e parë, kurse Kadareja u afrua gjithë arrogancë të tërhiqte çmimin e tij te juria”. S’di pse kjo fjalë më ngushëlloi. (Arroganca më ka mbrojtur nga sulmet e mediokërve, do të dëgjoja shumë vjet më vonë nga Kadareja.)

Ishte një rast kur mund ta takoja për herë të parë. E mbaj mend datën: 28 nëntor 1980. Kadareja me zonjën e tij po ktheheshin nga vizita në Prishtinë, ku ishte botuar kompleti i parë i veprave të tij. Në kufi kishte dalë për t’i pritur im vëlla, Feridi, atëherë redaktor në gazetën Drita. Ishin kthyer në shtëpinë tonë, por unë isha ushtar, ndaj nuk munda t’i takoja. Edhe sot e mbaj mend që zonja Kadare kishte sjellë një tufë karafila të kuq nga të Kosovës.

Do ta takoja shumë vjet më vonë Kadarenë, pasi kisha themeluar dy gazeta të pavarura, Fjala e lirë (16 shtator 1991-14 shtator 1992) dhe Ku vemi (tetor 1992-janar 1993), dhe shtëpinë botuese Onufri. Po ashtu, kisha instaluar një shtypshkronjë me ndihmën e një kredie të programit “Phare” të Komunitetit Europian. Mund të jetë e para shtypshkronjë në vend që përdori kompjuterin në procesin e shtypit dhe kjo na dha mundësi të konkurrojmë të gjitha shtypshkronjat shtetërore të cilat edhe disa vjet më pas do të përdornin germat prej plumbi.

Pas nja dy vjetësh Onufri kishte edhe një godinë ndër më të bukurat e qytetit. Ishte projektuar nga arkitekti i shquar shqiptar, Qemal Butka, i cili më vonë ka projektuar grataçela në Nju-Jork. Mbaj mend se, kur po bënim pagesën e këstit të parë, ishin mbledhur pasardhësit dhe njëri prej tyre më tha që, të kishte qenë gjallë babai, nuk do ta kishte shitur kurrë këtë godinë. Pasi pushuan diskutimet, më i madhi prej tyre u drejtua: të ishte gjallë babai, do t’ia kishte falur këtij djali për atë që po bën për kulturën! Nuk i harroj kurrë këto fjalë të cilat, mbase, do ta profilonin edhe më qartë rrugën që do të ndiqja në jetë. Po për këtë do të flasim më vonë.

Onufrin e kam zgjedhur për botuesin tim të tanishëm dhe të ardhshëm, midis botuesve të tjerë shqiptarë. Më është dukur një botues serioz, por më kryesorja, më është dukur se në aksionin e tij të botimit nuk udhëhiqet nga etja për fitime, që për fat të keq është shumë e shpeshtë në jetën e sotme shqiptare dhe në vende të tjera të Europës Lindore, por ka edhe njëfarë idealizmi, domethënë në kuptimin shpirtëror të gjërave.

(PJESË NGA INTERVISTA E I. KADARESË DHËNË SË PËRDITSHMES “RILINDJA”, 22.05.1996)

Takimi i parë me Kadarenë

Isha bërë një botues i njohur tashmë. Mendoj se arsyeja kryesore ishte drejtimi që kisha marrë për botimet e autorëve shqiptarë, duke filluar me librin e parë Abeli të Haxhiademit, ndërkohë që pothuaj të gjithë kolegët e mi kryesorë botonin vetëm letërsi të huaj. Mbase po shtroja rrugën qetësisht drejt Kadaresë, i cili tani për herë të parë botohej nga një botues privat. Ishte shtëpia botuese Çabej, e Brikena Çabejt, vajza e profesorit të famshëm, ish-redaktore e Naim Frashërit. Dhe librat që ajo kishte nisur të botonte ishin modeli europian që kurrë nuk ishte parë në libraritë tona. Edhe sot janë model! Ndaj lidhja me Kadarenë më dukej edhe më e largët, aq më tepër që të dy jetonin në Paris, mund të kontaktonin shumë kollaj. Ndërkohë Kadareja po vinte më shpesh në Shqipëri dhe normalisht që botuesi duhej të ishte në Shqipëri për botimin dhe shpërndarjen e librave të tij.

Ka qenë qershori i vitit 1995 kur mund të takoheshim, por nuk e mbaj se ç’ngatërresë ndodhi dhe u la për në vjeshtë. Përsëri një ngatërresë me orarin. Kadareja na priste në orën 14.00 në shtëpinë e tij dhe mbase kam menduar që e kisha dëgjuar gabim, sepse ishte vakt dreke. (Më vonë do të mësoja se pikërisht kjo ishte ora më e rëndësishme për të pritur vizitorët në shtëpinë e tij.) Edhe këtë herë gjithë sherrin e përballoi im vëlla, Feridi, që kishte mundur t’i mbushte mendjen të takoheshim në orën 18.00.

 

blank
Në shtëpinë e Kadaresë në Paris, me Jusuf Vrionin, mars 2000

Por nuk qe e thënë. Përsëri u vonuam, sepse ngatërruam katin dhe u përballëm me derën e apartamentit të Dritëroit. Doli duke qeshur Sadija dhe tha se nuk është hera e parë që na ngatërrojnë me Ismailin. Zbritëm dhe hymë në dhomën e ndenjjes, një dhomë shumë e madhe, pak e ndriçuar nga dielli i pasdites. Disa minuta zgjati debati me tim vëlla, jo pse nuk janë korrekt njerëzit në këtë vend, a është i rëndësishëm ky takim për ju, pse neglizhoni etj.

Më erdhi radha mua të flisja. Pasi më pyeti se ç’botoja, i thashë se kisha vepruar si në një kampionat boksi derisa të arrija te sfidanti i duhur. “Mirë, mirë, por lëri këto tani”, – dhe për herë të parë pashë se një buzëqeshje u përhap në gjithë fytyrën, kur ai ndezi një nga abazhurët. Në këtë moment im vëlla i tha: “Jepi një libër Bujarit për botim.” Ai u ngrit energjikisht nga kolltuku i thellë ngjyrë bezhë, shkoi në studio dhe u kthye që andej me një libër në dorë, në frëngjisht. E vuri në tavolinë në krahun tim dhe tha me seriozitet: “Ja, ta provojmë me këtë libër.” Ndërkohë Feridi nxori një stilolaps dhe ia zgjati duke thënë: “Shkruaji diçka Bujarit, ndryshe e gjitha kjo do t’i duket si një ëndërr.” Ai zuri vend në kolltuk dhe qetësisht, pa e zgjatur, shkroi autografin e parë dhe të fundit për mua: “Zotit Bujar Hudhri, duke i uruar suksese në punën e tij fisnike dhe si një fillim i bashkëpunimit tonë. Ismail Kadare. 14 nëntor 1995.” Nuk kam asnjë foto nga ai takim!

Vizita tek Onufri në Elbasan

Kaluan gjashtë muaj dhe Kadareja u kthye përsëri në Tiranë. Ndërkohë, unë kisha botuar librin e parë Dialog me Alain Bosquet. Edhe pse kisha vetë shtypshkronjë, për të pasur një libër cilësor e shtypa në Itali. Cilësia e lartë, çmimi i shitjes shumë i arsyeshëm. Kështu e kam nisur dhe kam vazhduar deri më sot me të gjithë librat e Kadaresë. Shpesh kolegët më kanë tërhequr vëmendjen për këtë paradoks, por kurrë nuk kam ndryshuar dhe këtë e kam bërë për lexuesin shqiptar dhe vetë Kadarenë.

Ardhja e Kadaresë nuk ra edhe aq në sy, sepse Shqipëria ishte përfshirë nga ethet e zgjedhjeve të majit 1996. Morëm një kameraman dhe një fotograf amator për të fiksuar diçka nga kjo vizitë e papërsëritshme. Sapo u ulëm në zyrë, m’u drejtua seriozisht: “Shumë e bukur kjo godinë, por shite urgjent dhe eja në Tiranë!” Nuk po u besoja veshëve, ndërsa vazhdoi: “Po, po, mos e zgjat.” Por nuk ishte sikur të ndërroje hotel, ndaj na u deshën tri vite të mira derisa u shpërngulëm në Tiranë. E shpejtoi këtë viti i mbrapshtë ’97. Sipas mendimit tim, ky vit ndau njëherë e përgjithmonë kryeqytetin nga çdo qytet tjetër në Shqipëri. E ndieja këtë duke ardhur çdo ditë nga Elbasani në Tiranë, dhe kthim. Për tetë vjet radhazi. Por tani kisha edhe një pengesë shumë më të madhe, sepse autori im i rëndësishëm banonte në Paris, unë në Elbasan dhe duhej të komunikonim gjithmonë e më shpesh. Kur kujtoj sot ato vështirësi, humbjen e valëve të celularit pas kthesave të panumërta dhe zërin e nervozuar përtej: “Po ku je? Ç’u bëre, nga u zhduke?” Sa herë u paraqitën këto situata, të cilat e bënin të pashmangshme shpërnguljen drejt Tiranës.

Erdhi një episod që i vuri vulën gjithçkaje. Duhet të ketë qenë nëntori i vitit 1998. Kadareja kishte ardhur vetëm në Tiranë, sepse Televizioni Francez do të bënte një film për jetën e tij në kooperativën “Agimi”, në Ndërnënës, Fier. Meqenëse ishte ftohtë, ai u akomodua në Hotel Tirana. E kishim lënë të takoheshim në orën 15.00. Me sytë nga dera e hotelit se mos po vinte nga çasti në çast, mendova të pyes te recepsioni mos ndoshta kishte ardhur. Jo, nuk është brenda, m’u përgjigjën. Prita deri në orën 18.00, pyeta edhe një herë. Nuk ishte. Dhe u nisa për në Elbasan. Mbaj mend, kur mbërrita në majë të Qafë Krrabës dhe kishin nisur fjollat e para të dëborës, më merr im vëlla në celular. Ishte me Kadarenë. “Pse nuk ndenje?” – më tha im vëlla. – “A kishe lënë takim?” Mezi kam mbërritur atë natë në Elbasan dhe mora vendimin e vështirë, por jetik. Po ç’kishte ndodhur me Kadarenë? Kur u takuam në mëngjes, më tha që kishte qenë brenda dhe i kishte porositur te recepsioni të mos e shqetësonin deri në orën 18.00.

Pas tre muajsh, në mars 1999, u shpërngulëm në Tiranë dhe ky ka qenë viti më i vështirë në jetën e familjes dhe biznesit tim: fëmijët e vegjël, shtypshkronja pothuaj një vit e painstaluar në Tiranë. Por me sakrifica i tejkaluam të gjitha dhe ai vit u kthye në suksese, sidomos në Panairin e Prishtinës, në dhjetor 1999, ku Kadareja vinte pas gati njëzet vjetësh. Megjithatë, me vitet që po kalonin vija re se ardhja në Tiranë nuk ishte ndonjë ndryshim kushedi, sepse largësia bënte të vetën.

blank
Një autograf për bashkëshorten time, Suzanën, 1996

Dua të përmend një rast që nuk e kam bërë të ditur asnjëherë. Kadareja kishte ikur në Paris. Pasi kisha nënshkruar dhe parapaguar disa kontrata, duhej të nxirrnim romanin e tij të ri Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut. Më vuri kushtin që çmimi të ishte 500 lekë. Ishte sikur ta falje! E shtypëm me atë çmim në kopertinë dhe një të enjte dolëm bashkë Gimin, ish-shokun tim të bankës në gjimnaz, i cili atë kohë, pasi ishte kthyer nga Greqia, bënte shpërndarësin e librave të Onufrit. U ktheva në zyrë dhe i rashë numrit të telefonit të Kadaresë, por nuk u përgjigj. I lashë një mesazh telefonik në sekretari: “Zoti Kadare, megjithëse binte shi, bashkë me Gimin i shpërndamë librat në gjithë Tiranën. Nesër nëpër rrethe.” Më merr në telefon të nesërmen zonja Kadare: “Bujar, veç ta shikoje Ismailin, ulur në kolltuk, e dëgjonte disa herë mesazhin tënd i lumtur.” I harrova edhe debatet për çmimin, megjithëse po regjistronim një tjetër humbje të radhës. S’kaluan veç 24 orë, kur në një darkë me disa të huaj bie celulari. Ishte Kadareja. Nuk e hapa se ishim në bisedë e sipër. Celulari nuk pushonte. “Më merr në telefon”, – më tha dhe e mbylli. Nuk e mora, thashë ta lë për më vonë, sepse nuk më pëlqeu zëri i tij. Nuk po kuptoja asgjë. Kur telefonoi përsëri. U ngrita dhe e pyeta se ç’kishte ndodhur. “More, pse nuk ka libra në librari? Një shoqes së Helenës i kishin premtuar të hënën një kopje!” M’u duk sikur kjo telefonatë më ndau kokën më dysh. “Çfarë, – i ngrita zërin, – ma jep këtu Helenën, kush është ajo?” Nuk dija ç’flisja nga nervozizmi dhe e ndjeva që ai u praps dhe më tha: “Jo, nuk ta jap Helenën në telefon me këto nerva.”

Ishte viti 2002. Ato ditë niste panairi i librit dhe koincidonte me ardhjen e tij, por nuk doja t’ia dija më për të. Mora një vendim të prerë: të ndaheshim njëherë e mirë! Boll më! Nuk komunikuam fare deri ditën kur u pamë rastësisht në Rinas. Unë me time shoqe, Zanën, kishim dalë për të përcjellë një grup norvegjezësh, kur shoh që Kadareja dhe zonja e tij kishin hipur në një xhip. Ishte hera e parë që i shihja si gjithë të tjerët, sikur s’kisha asnjë lidhje me ta. I përshëndetëm me dorë dhe u nisëm pas makinës së tij. Ndërkohë u ktheva në zyrë dhe nisa të shkruaja letrën e ndarjes. Ime shoqe me lotët që nuk i pushonin dhe unë i vendosur si asnjëherë. E futa në një zarf A4 që të mos e thyeja dhe drejt e te shtëpia e tij e re te Sky Tower. Pas 5 minutash, bie citofoni. Ishte regjisori Gëzim Kame që kishte vënë në skenë Stinë e mërzitshme në Olymp. U ngritëm menjëherë, s’kishim ç’të bisedonim, ardhja e regjisorit sikur e shtoi dramaticitetin. “Ke një letër këtu”, – i thashë. E parandjeu. “Ç’është kjo letër?” – më tha. “Lexojeni, flasim”. Dolëm, hymë në ashensor dhe drejt e në rrugë, ku kishte nisur një rrebesh shiu. Nuk kaluan pesë minuta, kur celulari: “O Bujar, kthehu, ç’janë këto? Eja flasim, ke luajtur mendsh më duket.” Shpesh linja ndërpritej, shiu nuk po pushonte, gjëmime herë pas here. Vetëm ime shoqe e heshtur gëlltiste lotët mbështetur te xhami i makinës. Nuk kthehem më, i thashë. Vazhduan edhe disa biseda që ndërpriteshin mbase nga koha e keqe. Lagje të tëra pa drita, rrugët po ashtu. Nuk më hiqet nga mendja edhe sot e kësaj dite, por s’ishte ky problemi i vetëm.

Ishte planifikuar një pjesëmarrje e Kadaresë në Tetovë, por unë vazhdova me këmbënguljen time dhe nuk shkova. Dhe nuk do të shkoja, por mikesha jonë e përbashkët, Mira Meksi, me një durim e këmbëngulje të pashoqe ma mbushi mendjen. Kur mbërrita në sheshin para Pallatit të Kulturës në Tetovë, në mes të grumbullit të njerëzve shoh Kadarenë që gjithë gëzim po më thërriste. Nuk ishim përqafuar kurrë ndonjëherë dhe me siguri ka shkaktuar habi tek të tjerët, thua se po takoheshim pas disa vjetësh. Të nesërmen ndenjëm në Strugë, dolëm buzë liqenit deri në mesnatë dhe në mëngjes u nisëm për në Tiranë. Rrugës, bashkë me menaxherin tim Fatosin, i dhashë një drekë me rastin e 10-vjetorit të themelimit të Onufrit, që ishte atë ditë. Ndërsa Kadareja me rastin e festës së Onufrit më dhuroi përgjithmonë librin tim të preferuar Autobiografia e popullit në vargje. Kështu nisi një periudhë e qetë, deri në stuhinë e radhës.

Ishte kompleti i plotë i veprës që na e komplikoi bashkëpunimin për vite të tëra. Pikërisht kurorëzimi i një bashkëpunimi që duhej të ishte krejt i natyrshëm, solli shpesh situata jonormale. Siç duket, i ndikuar nga të tjerë, shpesh hezitonte. Do të kujtoja vetëm dy javët e fundit kur do të fillonte botimi i dy vëllimeve të para. Acarime pa ndonjë shkak të dukshëm. Nervozizëm. Ditët kalonin. Ai donte të shihte letrën e kapakut të fortë, si do të ishte produkti final. Ishte një enigmë për të gjithë. Por nuk kisha qetësinë e nevojshme. Nuk e dija se ndërkohë një botues tjetër, me miratimin e njerëzve të afërm të autorit, priste që të dështonte ky bashkëpunim. Afati ishte dhënë: nëse nuk dilte vepra në panair, çdo gjë ndërpritej. Kadareja ishte i ftuar për tri ditë në Gjermani. E përcolla deri në Rinas. Nuk e di pse u tregua i dhembshur, gjë që nuk i shkonte aspak në marrëdhënien me mua, dhe më porositi që vepra të dilte sa më mirë. Që të nesërmen u nisa për në Shkup, sepse në Tiranë nuk mund të gjendej një material i tillë. U ktheva, po ashtu edhe Kadareja, i cili donte të shihte si do të dilte libri. Por si, qysh t’ia tregonim? Duhej ende punë. Dhe ja, filloi java finale. Ika në Shkup të dielën së bashku me Bledin, shoferin, që të merrnim paperkotin. Ishte ora tetë e mëngjesit, në qendër të Shkupit. Ku je, u dëgjua zëri i Kadaresë. As si je, as mirëmëngjes. Po ç’bën atje? Po ç’punë keni ju se ç’bëj unë etj. U kthyem të martën në mesnatë, përmes borës, drejt e në shtypshkronjë, ku të gjithë punonjësit po merreshin me veprën e plotë. Në orën 17.30 u bënë gati dy vëllimet e para pas shumë peripecish. Binte shi, trafiku ishte i rënduar si asnjëherë, ndaj nisëm një shpërndarës drejt e te shtëpia e Kadaresë. Aty ishte vetëm e motra, Kakuja. Gjithë zemërim i kishte thënë se Kadarenë e kishte marrë me makinë botuesi në pritje. Ndërkohë, në stendë, disa persona po fërkonin duart, të sigurt që Onufri do të dështonte. Kur në orën 18.00 librat, si në një magji, ishin në stendë. Ndërsa unë nuk munda të isha i pranishëm në momentin më të rëndësishëm për një botues. Dy net i pagjumë, i parruar, i stërlodhur, ndenja në shtypshkronjë. Kur rreth orës 20.00 më mori Kadareja. Pse nuk erdhe? më tha. Nuk munda, pastaj, kishim tri ditë pa u parë dhe do të takoheshim përpara kamerave sikur po bënim teatër. “Dëgjo këtu, – më tha shumë serioz, – bravo! S’ka libra më të bukur. Veç të jesh i lig e të mos i pëlqesh. Të lumtë!” I lodhur siç isha, e ndjeva që më rrodhi një lot dhe befas sikur u çlirova nga një barrë e madhe e një makth që s’më linte të merrja frymë.

Të nesërmen na ftoi për drekë së bashku me Zanën. Kur u afruam tek tavolina e vogël, pashë që kishte vënë dy librat dhe i shihte me një fytyrë të mrekulluar. Helena i mori pa kujdes që të shtronte pjatat, kur Kadareja i foli prerë: “Lëri aty!” Pastaj pyeti të motrën, Kakunë: “Hë, si të duken?” “Ku di unë, s’marr vesh unë”, – u përgjigj ajo mbyturazi. Pastaj m’u kthye mua: “Dëgjo, Bujar. Unë jam rritur mes librave të bukur, gjithë jetën. Po s’ka libra më të bukur se këta!”

* * *

blank
Në ditën e 25-vjetorit të bashkëpunimit: 4 maj 2021 në Bar Juvenilja, Tiranë

Jemi të dy në Bar Juvenilja. E martë, 4 maj 2021. Që të sigurohem marr nga tavolina faturën, ku lexoj edhe datën dhe orën e saktë – 04.05.2021; 12.45. I them se fiks në këtë orë, 25 vjet më parë, kemi nënshkruar kontratën e bashkëpunimit. Shoh që buzëqesh, është krejt i qetë dhe pret që të vazhdoj.

“Ishte një terren i vështirë dhe vazhdimisht binin rrufe!” – i them.

“Po, sigurisht, çfarë prisje tjetër? Nga Olimpi vijnë vetëm rrufe!” – ma kthen aty për aty.

Nuk folëm për një kohë dhe s’di pse m’u kujtua vetja, ai fëmija dhjetëvjeçar me librin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, përpara derës së mbyllur të bibliotekës. Befas, ajo derë m’u bë sikur të isha para Olimpit dhe atje në majë shihja siluetën e Kadaresë. E di shumë mirë se kurrë nuk do të mbërrij të ngjitem atje, sado të jetoj. Sepse atje është arti i madh, janë zotat dhe ne jemi shumë të vegjël para tyre. Doja t’i shprehja mirënjohjen për të gjithë këtë rrugëtim, por, i bindur se nuk do t’i shkonte ky happy end një shkrimtari si ai, nuk ia thashë.

Faleminderit Kadare. Përjetë. Scripta manent.


Send this to a friend