Χhoni Athanas
Brokton, Massachusetts, 4 Nëntor 1925 – Massachusetts 1 Tetor 2018
Këngëtar Lirik, Pedagog Kanto dhe Artist i Merituar,
Nëse në librin e muzikës shqiptare, artistët e mëdhenj përfshihen në faqe të veçanta, me siguri në një faqe të tillë do të gjejmë personalitetin e shquar të Xhoni Athanasit. Dhe gjithmonë goja, pothuajse vetë, e thotë Xhoni, në njëjës, pavarësisht rrugëtimit të rëndësishëm, kontributit të madh artistik dhe personalitetit të tij me reputacion. Ai është një nga ata artistë të mëdhenj, që populli, e njohu, e desh, e duartrokiti dhe gjithmonë i thërriti me emrin e tij. Madje kështu i tha dhe lamtumirën e fundit. Shumë faktorë kanë çuar në këtë rezultat, si emri i tij i huaj, karakteri gazmor, paraqitja e bukur që kishte si mashkull, finesa amerikane që kishte gjithmonë në stil, por edhe afrimiteti që krijonte me njerëzit e thjeshtë.
Në verë u takova me disa ish-studentët e më pas kolegët e tij në Teatrin e Operës dhe Baletit, të cilët pohuan me shumë nostalgji, që që nga dita e parë që panë siluetën e Xhonit në Akademinë e Arteve të Bukura, spontanisht, zhvilluan marrëdhënie miqësore me të, ndryshe nga ajo që ndodhte me profesoret e tjerë në “artet”.
Për biografinë e tij mund të shkruaj për një muaj të tërë dhe të zbuloj vazhdimisht gjëra të reja, megjithatë do të kufizohem që të mos ju lodh në më të rëndësishmet. Prindërit e tij, emigruan në Amerikë pothuajse menjëherë pas pavarësisë së vendit, atje ku rreth një dekadë më vonë erdhi në jetë Xhon Athanasi. Megjithatë, familja e tij u kthye në Korçë kur ai ishte ende shumë i vogël. Ylli i tij tashmë e kishte nisur rrjedhën e tij në djepin e qytetërimit kur Xhoni filloi të këndonte psalmet bizantine në kishën ku i ati ushtronte profesionin e klerikut (prift ortodoks).
Ai do të debutojë në vitin 1933 me “Këngën e Mullirit”, qysh në moshën 8-vjeçare së bashku me motrën e tij Katerina në një koncert të madh me pjesëmarrje të personaliteteve lokale. Gjithë adoleshencën e tij e kaloi me veprimtari aktive të ngjarjeve artistike të qytetit, duke interpretuar në mënyrë të jashtëzakonshme këngë popullore dhe karakteristike korçare. Artisti i Merituar Piro Sulioti, i cili ishte bashkëmoshatar dhe bashkëkohës i Xhonit, tregonte për disa shfaqje të shkëlqyera tek “Kafeneja e Shetros” dhe tek kafeneja legjendare “Panda” që këngëtari i ri imponoi emrin e tij në rrethet artistike të qytetit, pak kohë para pushtimit italian.
Më 1940 Xhoni fillon mësime profesionale muzikore me profesor Spiro Kondën dhe më pas kalon në korin miks të Shën Ilisë dhe në korin e e Mitropolisë. Në të njëjtën periudhë kohore, ai hyn si solist në korin “Lira” të qytetit të Korçës me propozimin nga dirigjenti Kristo Kono. Gjatë gjithë kësaj kohe ai tashmë është bërë një këngëtar i njohur në për koncerte dhe ballo, ndërsa nuk mungon të dielave dhe nga “Altoparlanti i Radio Korçës” të interpretojë drejtpërdrejt .
Pas luftës, e rëndësishme është përfshirja e tij në aktivitetet artistike si ato të Qendrës së Kulturës së Korçës “Αli Kelmendi” dhe ato të Radio Korçës menjëherë pas Luftës me artiste si Gaqo Jorganxhi, Tole Adhami, Pavlina Nikaj, Anida Take, Piro Sulioti, Mihallaq Zallëmi, Gaqi Konomi.etj. Në vitin 1947, me kërkesën e Gaqo Avrazit, Xhoni bëhet pjestar i korit të Ushtrisë Popullore duke shkruar prologun e artë të asaj që do të pasonte së bashku me artistë që hodhën themelet e arta të muzikës bashkëkohore shqiptare, si Avni Mula, Ibrahim Tukiçi, Mentor Xhemali, Maliq Herrin etj.
Të njohur në të gjithë vendin për shkak të koncerteve të shumta dhe sistematike, në vitin 1949 me vendim të komietit të atëhershëm të kulturës nisen për një Turne në ish BRSS ku arrijnë të vendosin për herë të parë Shqipërinë në arenën muzikore ndërkombëtare dhe jo vetëm. Vendi liliput prezanton traditën e tij muzikore përtej kufijve. Në vitin 1952, shteti shqiptar nisën për studime të larta, studentët e parë në Konservatorin “Çajkovski” të ish BRSS, të cilët më pas do të luanin rolin e themeluesve të muzikës moderne shqiptare. Gjatë viteve që studioi në Moskë, mori mësime prej solistit të parë në Teatrin Balshoi, Sergei Baturin.
Megjithatë, nuk vonoi të vinte edhe vlerësimi i parë ndërkombëtar për Shqipërinë në Festivalin Botëror të zërave të rinj (World Festival of Youth and Students) që organizohej ne vitin 1957 në Moskë, pasi atje Xhoni zuri vendin e dytë nga 110 këngëtarë (dhe ndoshta solli çmimin e parë ndërkombëtar të Shqipërisë në një festival të organizuar për artistë solo). Po atë vit dhe pas kthimit të tij në Tiranë me “gjeneratën e parë të Moskës” emërohen në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë duke bashkëpunuar me korifenjtë. Roli i parë i tij është “Almeriku” nga opera “Jollanta” në vitin 1957. Në skenën e TOB do të interpretojë nga repertori botëror si “Kavaleria Rustikana”, “Eugjen Ognegin”, “Pagliaci”, “Boheme”, “Dasma e Figaros”, “Baterflai”, “Carmen, “Jollanta”, “Princesha e Çardashit” etj si dhe nga repertori shqiptar: “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, “Zgjimi”,”Borana”, “Cuca e maleve”, “Brigada e grave”, “Komisari”, “Pranvera”, “Heroinat”, “Dhëndërri u transferua” etj.
Gjatë viteve që punoi si solist në Teatrin e Operës ai ka dhënë mbi 300 koncerte jashtë vendit duke përfaqësuar Shqipërinë si në BRSS, Rumani, Kore, Kinë, Mongoli, Vietnam, Bullgari, Hungari, etj. Mund të radhisim 1100 koncerte dhe 450 shfaqje operistike (pa numëruar këtu koncertet para studimeve). Por ai që i dha vlerat e artistit kombëtar shqiptar ishte roli i Skënderbeut në operën me të njëjtin emër të kompozitorit Prenk Jakova, e cila u dha me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar. Opera “Skënderbeu” e ngriti Xhonin në piedestalin e arritjeve të tij artistike.
Përsa i përket muzikës së lehtë konsiderohet si pionier çdo ngjarje muzikore të viteve të hershme socialiste, herë si kompozitor e herë si këngëtar. Ai është dalluar në festivalet e këngës në radio dhe televizion, në koncertet e majit dhe në anketat e Radio Tiranës. Në Dhjetor 1962, Florinda Gjergji & Trio Gjoni Athanas, Avni Mula dhe Ibrahim Tukiçi marrin pjesë në Festivalin e 1-Ë Në Rtsh me këngën “Jeta E Re Ne Na Pret” si dhe me këngën “Shpresë”.
Në vitin 1973, pa u shkëputur asnjëherë nga aktiviteti i tij si këngëtar në Teatrin e Operës dhe Baletit, Xhoni filloi njëkohësisht punën si pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura në degën e kantos. Nga duart e tij kaluan disa nga këngëtarët e mëdhenj lirikë, të cilët bënë karrierë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Në vitin 1991 e më pas provon edhe regjinë, pasi ka vënë në skenën e Teatrit të Operes disa fragmente nga veprat operistike “Norma”, “Rigoleto”, “Toska”, “Madama Batërflaj”, “Karmen”, të cilat u pritën shumë ngrohtë
Mbas vitit 1994 Xhoni bashkë me familjen e tij u rikthye në Amerikë, në vendin ku kishte lindur, në Boston ku vazhdoi veprimtarinë e tij aktive artistike dhe ku merrej intensivisht me komunitetin e shqiptarëve të Amerikës. Shumë e rëndësishmr dhe jo veçanërisht e njohur është Veprimtaria e tij për Kosovën dhe mbështetja e saj financiare përmes koncerteve speciale nga viti 1999 deri në vitin 2008. Ai vazhdoi të jepte mësime vokale dhe të organizonte kore të rëndësishme në SHBA duke nxitur interesin e mediave, por edh
e duke arritur vlerësime të rëndësishme.
Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti
Komentet