VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

80 vitet e fundit të Shkodrës në një album fotografik

By | October 31, 2016

Komentet

U shënua me dinjitet në Francë përvjetori i vdekjes së Albert Kamysë – Nga Bajram Sefaj

(Kanali  Francë 3, i Televizionit shtetëror francez, shfaqi filmin dokumentar “Jetët e Camus, të autorit 3. E përjavshmja e ilustruar  “Paris Match” ia kushtoi një foto-reportazh me shumë faqe).

——————————-

 

Gjashtëdhjetë vjetorin e vdekjes tragjike të shkrimtarit të njohur, Albert Camus,  mediat e informimit publik franceze, pa përjashtim, shtypi i shkruar apo ai elektronik, e shënuar me korrektësi e dinjitet. Lirisht mund të thuhet se, tëre muaji janar, (ky vit), ishte në shenjë të shënimit të këtij jubileu të zymtë. Kush me faqet të tëra gazetash e revistash, kush me emisione (seriri emisionesh) në radio e në televizion. Gjithçka, gjatë këtij muaji ishte në shenjë të këtij përvjetori. Masmediat e informacionit publik francez, sikur ishin në garë: kush më shumë. Kush më mirë se tjetri…

Megjithatë, dy prej tyre “Paris Match” dhe France 3, u dalluan në këtë shteg. Derisa e përjavshmja e ilustruar dhe më tirazh të madh  “Paris Match”, e javës (16 – 22) janar 2020, ia kushtoi foto-reportazhin e shtrirë në tetë faqe, ndërkaq që kanali televiziv shtetëror (publik) France 3, këtë përvjetor e shënoi me një emision të goditur dokumentar, emetuar më 22 janar, në termin të përshtatshëm, në ora 21.04, kur llogaritet se shikueshmëria është më e madhe, maksimale.

E përbashkëta e këtyre dy mediumeve të informimit publik francez (që jo rastësisht fokusohen, veçohen dhe hynë në çarkun e ngushtë të këtij vështrimi, enkas për lexuesit tanë!), është se, secila në mënyrë të vet, sjellin shumë informacione, lidhur me jetën e shkurtër, po të bujshme të Camus, me përfundim tragjik, të këtij shkrimtari të shquar, algjerian-francez. Camus u lind, më 7 nëntor 1913, në Dréan, në Algjeri dhe, vdiq tragjikisht, më 4 janar 1960 në Villeblevin, në Francës. Ndonëse jetoi shumë pak, në moshën 57 vjeçare, në kulmin e afirmimit, të lavdisë dhe të popullaritetin si shkrimtar i angazhuar dhe intelektual i rebeluar, humbi jetën tragjikisht  në një aksident automobilistik, (bashkë me botuesin  e tij, MIchel Galimard). Ngjau kjo. pikërisht në çastin kur jeta e tij ishte aq dinamike dhe e mbushur përplot me aktivitete dhe angazhime në shumë fusha, sa që bën që, apriori, të pajtohesh me autorin, Georges-Marc Benamou, kur dokumentarin e tij e titulloi “Jetët e Albert Camus-ë”. Njëmend ashtu ishte. Ai nuk e kish vetëm një jetë. Jetën si shkrimtar e biti llakërdia!

Jo. Përkundrazi. Camus, kishte aq shumë jetë!

Kjo më së miri mësohet pasi të ndiqet, fund e kryer, dokumentari i G.M. Benamou dhe bashkëpunëtorëve të tij. Duke parë atë pasuri biografike, që e rrokte jetën e Camus, prej lindjes, atje në atë Dréan, të Algjerisë e gjer në Francën e turbullt të epokës se Jean-Paul Sarter e filozofeve të njohur, të qarqeve e rretheve të tjera intelektuale, kryesisht në Paris, por edhe në qytete të mëdha, gjithkund në(për) Francë. Duke ndjekur me vëmendje e përqendrim, këtë dokumentar të goditur, të bëhet të mendosh (e të mos besosh) si është e mundur që në ata 98 minuta të këtij dokumentari, të  mbërthehet një jetëshkrim aq i pasur, me dëshmitë e të gjithë atyre, që në një mënyrë apo në një tjetër, kishin qenë bashkudhëtarë të tij, prej ditëve të lindjes, shkollimit fillor e deri të ngadhënjimi i çmimit Nobel për letërsi në vitin 1957. Duke ndjekur ecjet ritmike të tij të vrullshme, si një përrua vërshues që, nuk kishte fuqi ta ndalte, as pasojat e sëmundjes së tuberkulozes, vuajtjen e cilës, e barte me vete qysh se ishte fëmijë i vocërr, duke ndjekur, pra atë lumë të madh, të angazhimeve të tij aq intensive në politike, në filozofi, në letërsi, por edhe në dashuri, (ishte burrë i disa grave,  (vetëm me të parën, me Francine, kishte dy fëmije binjakë, Jean dhe Chaterine!), ishte çudi në vete, si ishte e mundur që, përkundër gjithë kësaj, Camus kishte arritur të shkruaj atë grumbull veprash të vyera letrare, duke filluar nga romani më i lexuar në botë, “Etranrger” (“I Huaji”,që fatbardhësisht, që më kohë është përkthye në shqip), e deri të romani i fundit “Njeriu i parë”. Veprimtari e pasur krijimtarie , kjo që, këtë krijues revolucionar, e shpie deri në dyert e Pallatit Mbretëror dhe që,  pikërisht nga duart e Gustave VI,  mbret i Suedisë, në mënyre tradicionalisht solemne, më dhjetë dhjetor 1957, të merr çmimin prestigjioz Nobel për letërsi. Nga gjithë ajo mori personalitetesh, por edhe njerëzish të zakonshëm, kur qoftë edhe rastësisht, kishin pasur çfarëdo kontakti me Camus, më e padurueshmja, me mendjemadhja, më e mjera ishte pikërisht bija e tij Catherina. Krejt meritat e saj, pos që,  vërtetë Camus është baba i saj biologjik, përmblidheshin në angazhimin e saj në zbulimin fletores me dorëshkrimin e romanit “Njeriu i parë” dhe zbardhjen dhe botimin e tij.

*

Digresioni I: dy kujtime ruaj në lidhje me këtë roman. I pari: ishte muaji maj 1994– “Vjeshta është një pranverë e dytë, ku çdo gjethe, është një lule” (Camus), kur në dorë me ra romani “Njeriu i parë”, që sapo kishte parë dritën e botimit. Krejt çka  me kujtohet nga ai lexim (i thënçin!), ishin ndërhyrjet, me shkrim stilolapsi illisible, fjalë që Chaterine nuk kishte arritur t’i lexoi e deshifroi, nga fletorja e të atit të saj. Kujtimi i dytë: bënte verë në Tiranë (në Tiranë edhe dimri më i egër, është pranverë e verë!), kur Radio Tirana kumtoi lajmin sensacional, për kohën se, “Njeriu i parë” – ështe kryevepra e Albert Camus, e jo “I huaji” sikurse konsiderohej gjithnjë, deri në atë çast! Ishte ky titulli i shënimit tim që, e botonte gazeta “Tema” e Tiranës. Atë ditë Tirana ishte imja, ndoshta më shumë se kurdo herë tjetër më parë, në jetë. Ah, sikur të shtypej në dy milion e më shumë kopje, rënkova me vete, në dhomën time të vogël, në një cep të Tiranës të përnjëherësh e vërshëlleu një shkëlqim magjik, për pak, jo real! (Ndjesë për këtë rrëfim të vocërr. Ditën e vdekjes, sytë do të ngelnin hapur pa e kallëzua…!).

Digresioni II: “Gjashtëdhjetë vjet pasi fituesi i çmimit Nobel, Albert Camus, vdiq në një aksident automobilistik në moshën 46 vjeçare, një libër i ri argumenton se ai është vrarë nga spiunët e KGB-së, për shkak të retorikës së tij kundër-sovjetike. Autori italian, Giovanni Catelli, fillimisht e nxori në dritë këtë teori në vitin 2011, duke shkruar në gazetën Corriere della Sera se kishte zbuluar shënime në ditarin e poetit dhe përkthyesit çek, Jan Zábarana, që sugjeronte se vdekja e Camus-së nuk kishte qenë aksidentale. Që prej vjeshtës së vitit 1956, Camus kishte mbajtur publikisht anën e revoltës hungareze dhe i kritikonte jashtë mase veprimet e sovjetikëve. Ai gjithashtu vlerësonte e mbështeste publikisht shkrimtarin rus, Boris Pasternak, i cili konsiderohej kundër-sovjetik”.

Ky është thelbi ose argumenti, në të cilin mbështetët teorinë e vet autori i italian G. Catelli. Rreth këtij supozimi, me të cilin nuk u morën asnjë nga masmediat franceze, nga se këtë “teori” ndërkohë e hodhi poshtë filozofi kontemporan francez, Michel Onfray. Energjik dhe tejet mirë i informuar. Kur Onfray e thotë, e thotë dhe pikë. Ai e di mirë çka thotë. E ai thotë: sikur shërbimi famëkeq, i njohur si KGB, të kishte gisht në vdekjen e Camus, sigurisht se nuk do të zgjidhej fatkeqësi komunikacioni. KGK kishte, sa s’ta merr mendja, mënyra të tjera shumë më efikase “komunikimi” e ekzekutimi, se që është kurdisja ä e komplikuar e një fatkeqësie automobilistike!

Krejt këtë ecejake kumulative, si të ishte pa gjini përcaktuese gazetareske, e përfundoj  me një thënie të këtij autori që shquar kur thotë: “As ata që e duan të vërtetën, as ata që e duan të bukurën, nuk mund të merren me politikë, sepse, ajo nuk merret as më të vërtetë, as me të bukurën”. Mua ‘u begenis kjo thënie e Albert Mamus, sepse prek në aktualitet, është e freskët (si të ishte shqiptuar dje pas dite!) dhe nuk vjetrohet kurrë. Besoj se, edhe ju do ta begenisni…

BUTKA DHE BUTKALLINJTË, NDER I NACIONALIZMIT SHQIPTAR – Nga Kadri Tarelli

Ylli Polovina në një liber te ri

Godet dhe tërheq titulli i librit “Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka”, të autorit Ylli Polovina, sepse është mjaft ngacmues, aq sa të lind përshtypja e çastit: “Si shumë lart e paska ngritur emrin e një fshati të vogël në rrëzë të malit Gramoz, siç është Butka në krahinën e Kolonjës”. Kjo ndjesi fillestare krijohet te të gjithë këndonjësit, që, ose nuk kanë fare dijeni mbi Butkën apo butkallinjtë, ose njohja është aq sipërfaqësore, duke mbetur në dy apo tre emra burrash, që kanë lënë gjurmë, jo vetëm në Kolonjë, por edhe në historinë e Shqipërisë. Emra të fisëm, disa të nderuar e të lakmuar për trimëri e mençuri, të tjerë të nëmur, të mallkuar, të baltosur e të damkosur keq nga politika. Madje edhe më keq akoma, kur për ta gjëmonte e shkrepte rrufe “Zeusi”, udhëheqësi i partisë Enver Hoxha. Ai edhe pas 20-vjetësh çlirim, në një vizitë në Kolonjë, në maj të vitit 1965, i rikthehet kësaj teme, kur thotë: “Një fjalë e urtë popullore thotë: “Trëndafili bën gjembin”. Familja e Butkës nxori trëndafila, nxori edhe gjemba. Njëri nga gjembat më të helmatisur të kësaj familjeje, ishte Safeti”, duke vazhduar më poshtë: “Qysh gjatë luftës Nacionalçlirimtare, u duk qartë, se këta tradhtarë, që mbanin emrin shqiptar ………”. Kam përshtypjen se të njëjtën taktikë, baltosja e kundërshtarëve politik të luftës, e përdori kudo që shkonte në krahinat e vendit. Si duket i bënin hije madhështisë së tij.

Nuk marr përsipër të komentoj këto fjalë të fitimtarit dhe fitimtarëve që “shkruajnë historinë”, sepse lexuesi e nxjerr vete përfundimin, duke gjykuar mbi pak reshta, për secilin nga burrat e familjes së madhe të butkallinjve.

Trëndafila ishin: Sali Butka, shumë i njohur për patriotizëm, për të cilin shkrimtari Sabri Godo ka shkruar një libër mjaft të bukur, “Plaku i Butkës”. Trëndafil ishte edhe i biri Ganiu, që u vra në Starovë të Pogradecit, në përpjekje kundër forcave të Haxhi Qamilit. Trëndafil u bë edhe Muharrem Butka, pjesëmarrës në demostratën e rinisë në Korçare, në nëntor 1941, ku u plagos rëndë, më pas dalë partizan familjarisht. Besoj rast i rrallë.

Ndërsa gjemba mbetën të tjerët:

Safet Butka, i diplomuar në Austri, profesor e drejtor në disa shkolla të mesme në Shqipëri, kundërshtar i pushtuesit italian, i internuar për disa vjet (1940–1943), në Ventotene Itali. Pas kthimit në vendlindje, krijon çetën e Kolonjës. I vetëvrarë, sepse nuk pranonte vëllavrasjen mes shqiptarëve, ballistë e komunistë. Uran Butka ka shkruar një libër monografi për të.

Qemal Butka, inxhinier-arkitekt i diplomuar në Austri, kryetar i Bashkisë së Tiranës, deri në Prill 1939, kundërshtar i thekur i pushtimit italian, të citët e kërkuan për ta arrestuar. Shpëton duke u arratisu fillimisht në Turqi, më pas në Palestinë, Misir dhe përfundon në SHBA, ku e kaloi jetën.

Xhafer Butka, i arratisur që në ditët e para të çlirimit. Vdiq në Gjermani. Familja e internuar.

Fetah Butka, anëtar i Grupit Komunist “Zjarri”. Pjesëmarrës në Konferencën e Pezës, në shtator 1942 (I harruar qëllimisht). I kërkuar për t’u arrestuar nga forcat ushtarake italiane. Komandant i një çete të madhe nacionalistësh. Pajtohet me komunistët për të luftuar së bashku, të cilët e prishën marrëveshjen, ndryshuan strategji dhe taktikë, duke u kthyer pushkët çetave balliste. Fetahu, në një çast tronditjeje nga besë-prerja, thotë: –Pse kështu vritet shqiptari nga shqiptari? Ai, i ndodhur në vorbullën e përplasjes, s’besoj se u çudit nga fjalët profetike të komunistit Anastas Lulo, bashkëkryetar i “Grupit komunist të të rinjve”: “Mos u bashko me ta, sepse janë me jugosllavët. Edhe unë komunist jam, por jo komunizëm me jugosllavët”. Fetahu arrestohet në ditët e para të çlirimit, një fije floku e shpëtoi nga pushkatimi. Dënohet me burg, familja u internua.

Duam apo nuk duam, fshati Butka mbetet në kujtesën e kombit, si qendër e nacionalizmit shqiptar. Ndaj duket sikur autori Ylli Polovina, enkas e ka zgjedhur këtë fshat e këtë familje, për t’u shprehur: “Jam i çmendur, një i sëmurë patologjik, kur bëhet fjalë për kombin dhe shqiptarinë”.

Që në ballinë të librit, bie në sy përplasja paralajmëruese, artistikisht e bukur e ideatorit, i cili ka vendosur pranë e pranë kapelen me yll të kuq, simbol i komunistëve, ardhur nga sllavët dhe përkarshi qeleshen, (në Kosovë i thonë “plis”), pra qeleshen e bardhë me shqiponjën e zezë, simbole “bio” të nacionalizmit shqiptar. Pamja është një kumt tragjik dhe përgjithësim lakonik i përmbajtjes së librit, ku ashtu pran e pran e përballë, siç u vendosën shqiptarët në kohën e luftës, ndeshen dy qëndrime dhe dy ideologji brenda të njëjtës familje. Çudi dhe fatkeqësi: një atdhe, një popull,  një pushtues, dy qëndrime, dy ideologji, dy ushtri shqiptare, që u ndeshën me njëra-tjetrën, duke vrarë shqiptari-shqiptarin?! Një dukuri, që nuk mbeti vetëm në familjen e madhe të butkallinjve, por molepsi tërë shoqërinë shqiptare të asaj kohe.

Më lart përmenda fjalët: “Kumt tragjik”, për të mos thënë “ogurzi”, jo thjesht për vazhdimësinë e kësaj familje të madhe patriote me rrënjë e degë, që u përndoq si nga italianët pushtues dhe ca më keq nga sundimtarët komunist, por te ndarja, apo përçarja që e ndoqi shoqërinë shqiptare pas lufte, për 45-vjet me radhë. Është trashëgimia më tragjike për kombin, që na la sundimi gati 50-vjeçar i diktaturës. Fatkeqësisht, por jo çuditërisht, zjarri përçarjes ushqehet vazhdimisht nga politika, si një sëmundje shkatërruese ndaj pajtimit të shqiptarëve dhe bashkimit të kombit.

Lexuesi, që pas faqeve të para, e merr vesh, se libri shkruhet për Fetah Butkën, pra është një monografi e gërshetuar me të gjitha ngjarjet e kohës, si  gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Kështu lehtë mund të nxirret përfundimi, se historia e kësaj familjeje, mund të quhet një pasqyrë e të gjithë asaj periudhe, ku parakalojnë të gjitha problemet: ato politike, ideologjike, ushtarake, ekonomike, përfshirë grindjet dhe marrëveshjet, zhgënjimet, besa dhe besë-prerja. Pas fitores, një strategji e endur hollë dhe menduar ligësisht: Asgjësimi dhe ndëshkimi i kundërshtarëve, madje i shtrirë edhe te pasardhësit, në disa breza.

Heronjtë që e mbushin librin janë të gjithë Butkallinjtë e rritur, mes tyre edhe Fetahu, personazh sa interesant aq edhe fatkeq. Ai, ashtu si e gjithë familja “Butka”, mbart në vetvete kalvarin e të gjithë nacionalistëve shqiptar që i shpëtuan vdekjes, por jo goditjes vrastare komuniste, sepse të gjithë u cilësuan “Armiq” e “Tradhëtarë”. Askush nuk çuditet, që sistemi dhe diktatura nuk i harronte “Armiqtë” e tij, duke ushqyer e fryrë zjarrit të urrejtjes në popull.  Kështu ndodhi edhe me Fetahun, aq sa emri i tij do të kujtohej e lakohej edhe nëpër veprat e Enver  Hoxhës: “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” dhe “Kur lindi Partia”. Vetiu lind pyetja: Pse? Përgjigja është e thjeshtë: Menduan keq për të bërë keq dhe bënë keq.

Pa dashje, politika nuk e çbëri dot Fetahun si faktor historik. Pikërisht këtë të vërtetë na thotë autori i librit, i cili me guxim e durim, heq pluhurin dhe baltën e kohës, duke na dhënë leksion, se “E vërteta vonon, por nuk harron” dhe historia nuk të fal. “Heroi” ishte dhe mbeti një atdhetar luftëtar dhe veprimtar aktiv, që bëri histori dhe kështu mbeti në histori. Mbase ka të drejtë Sharl De Gol, ish presidenti i Francës, që thotë: “Lavdia shkon te ai, që nuk e kërkon vetë”.

Nuk di sa vlerësohet analiza që po bëj, por logjika më shtyn të mendoj e të pyes: Cili nga heronjtë e luftës për liri, gjatë viteve 1939-1944, meriton më shumë vlerësim dhe nderim? Ata që e filluan luftën vetë dhe organizuan çeta luftarake, duke u nisur nga bindjet e tyre atdhetare, apo ata, të cilët e nisën dhe e bitisën luftën, me orientimin e partisë, madje pas krijimit të saj në nëntor 1941?

Një meritë e studiuesit Polovina, është, se në ngjarjet e mëdha të kohës, nuk ka lënë mënjanë gratë e butkallinjve, të cilat janë ndodhur e qëndruan përkrah burrave edhe në ditë të vështira. Ato ishin, sa të bukura e trime, aq edhe të fisme e të duruara, për të përballuar vështirësitë e luftës dhe të pas luftës, duke mbetur “zonja” deri në fund. Kush i ka njohur, ka shprehur nderim e adhurim, për fisnikërinë e tyre.

Kur mbaron edhe faqen e fundit, lexuesi kupton, se libri është një porosi, për të njohur dhe mos harruar të kaluarën. Secili do të ndjejë kënaqësi në artin e fjalës, po aq edhe nga ndodhitë e shumta të rrëfyera aq thjesht e bukur, me toponimet e krahinës dhe të zonave ndërluftuese, me një fjalor shpesh origjinal në të folurën e Kolonjës. Por do të ndjejë edhe trishtim e dhimbje shpirti, duke pyetur veten: Pse ndodhi kështu me historinë dhe jetën e shqiptarëve. Pyetje që i shkojë përshtat edhe këto fjalë të thëna nga nobelisti Aleksandër Sollzhenicin, i cili shprehet: “Nëse mban sytë nga e kaluara, t’u qorroftë njëri sy. Nëse harron të kaluarën t’u qorrofshin të dy”.

Urime autorit për vepra të tjera me vlera kombëtare e atdhetare!

PESHA E MESAZHIT DHE E HORIZONTIT JETËSOR NË KËNDIMIN POETIK – Analizë libri nga Sejdi BERISHA

 

 

(Fitore HAKLAJ: “Shpirti peshon”- PoezI, botoi MESHARI-Prishtinë, 2019)

 

Rrugëtimi jetësor është ai tharmi dhe themeli që njeriun shpeshherë e detyron të përballet me të gjitha sfidat të cilat provokojnë shpirtin që t’i qaset edhe këndimit, edhe shkrimit, edhe vargut e pikturës, që janë reflektim i dhembjes, i mallit por edhe i lumturisë, e të gjitha këto, njeriun e bëjnë pjesë të madhështisë dhe e kalitin me njerëzoren, të cilat e mundin atë që përbrenda mendjes dhe vetvetes krijon e shkruan histori të kujtimeve të trishta por edhe të bukura. Ndërsa, krijimtaria, jo vetëm se fisnikëron, por edhe hapë horizonte për të thënë e për përjetësuar shumëçka në jetë. Si duket, i tërë ky konstatim, edhe pse është libri i parë, është mbrumur në “Shpirti peshon” i autores, Fitore Haklaj.

 

Moment nga promovimi i librit

 

Pesha e fjalës që shndërrohet në këngë, edhe në hidhërim, edhe në lumturi, edhe në dhembje…

 

Duke iu referuar biografisë së saj, atëherë, edhe këndimi poetik, s’do mend se kapërthehet me personalitetin e saj të kalitur pastër e qëndrueshëm, për çfarë na dëshmojnë edhe vargjet kushtuar peshës dhe mesazhit të asaj që quhet “fjalë”, e cila, edhe shndërrohet në këngë, edhe në hidhërim, edhe në lumturi, edhe në dhembje, e që bashkërisht krijojnë histori jete. Andaj, edhe pse në mënyrë të thjeshtë por të kapshme, autorja fjalën e konsideron diçka që kapërthehet e mishërohet me mirësinë, me edukimin, me qetësinë e shpirtit dhe me tërë madhështinë e ndijimin shpirtëror. Për këtë, tanimë poetja, në mes tjerash vargëzon: “Fjala është si mjalti/Ta lehtëson shpirtin /Ta ngrit ballin”!

Pra, kështu, ajo, fjalën e konsideron si nismën e të gjitha rrjedhave. Kjo, nënkupton se fjala si kuptim nuk është gjë e thjeshtë dhe as e lehtë, por edhe shumë e rëndësishme, nga e cila varet pothuaj se gjithçka!

 

Pas promovimit një foto me peshën e kujtimit

 

Autorja, në shikim të parë na duket se lexuesit i sjell diçka të thjeshtë dhe modeste, por, nëse e analizojmë më thellë vargun e saj, ndoshta modest, mund të konstatohet se ajo bën përpjekje për të na ofruar atë zjarrminë e dilemave të rrugëtimit jetësor, i cili rrugëtim nuk është aspak i lehtë dhe as i thjeshtë. Për çfarë, në mes tjerash vë në spikamë edhe këtë, se: “Shumë herë mendja më shkon /A ta bëjë atë rrugë që ka dy kahe/Duke e ditur që nuk ka ndalje/Apo ajo që është shumë e drejt/Dhe e pafund”.

Duke e lexuar me përkushtim librin “Shpirti peshon”, sikur para nesh na del një pikturë e paparë dhe e veçantë, e vargu është shpirti i pikturës, përbrenda saj mund të lexojmë e përjetojmë gjërat që peshojnë shumë, dhe si të tilla na detyrojnë edhe mesazhin e veçantë e shumë të përgjegjshëm, sepse: “Mos i harroni të gjitha kujtimet/Ato të bukurat i ruaj në zemrën time”. Vargjet e tilla, gjithsesi tingëllojnë edhe si këshillë por edhe si qortim!

Edhe etja, si pjesë e fuqishme e vargut dhe e këndimit, si pjesë e jetës së njeriut tonë për shumëçka e gjithçka, në këtë libër e hasim si një peshë që nuk dëshmon thjeshtë vetëm etjen, por edhe shumë gjëra që e rëndojnë apo e madhështojnë historinë e njeriut por edhe të kombit, e që etja më e rëndë dhe më e tmerrshme është kurbeti, malli dhe dashuria për vendlindjen dhe atdheun: “Etja ishte e madhe/Dhe buzët ishin tharë/Nuk më mbeti tjetër/Veç të filloj të qajë…”. Mirëpo, autorja nuk dorëzohet dhe as nuk i shuan shpresat për jetë të lumtur, pra, edhe për ta shuar etjen e cilitdo lloj qoftë. Për këtë edhe vargëzon: “Etja/Më shikoi në sy/Ma dha një buzëqeshje/Më tha ec përpara/Se do ta shuaj etjen”!

 

 

 

 

 

Fitore HAKLAJ

 

Këtë temperament këndimi, autorja e ka në shumë poezi, dhe se ajo, nuk heziton, që ashtu si ia thotë mendja e shpirti, lexuesit t’ia ofrojë mendimin dhe qëndrimin e saj: “Ah shpirt i pastër e në paqen e botës/Shikoje sa bukur është jeta në mendimet e mia/Vlerat e çdo mendimi që ke në kokë/Janë gjërat më të bukura që mund tˊi shijosh”.

Ose, kur thotë: ”Të lutem dritë e vogël, bëhu e madhe/Shndrit rrugën time, shndrit zemrën time/Çdo rreze e jotja më ngroh në shpirt/Më ndez ndjenjat dhe ëndrrat çdo ditë”.

Në këtë mënyrë, autorja shpërfaq diapazonin e saj të pastër, njerëzor, të begatë e të qëndrueshëm për ta përqafuar lumturinë dhe për ta luftuar dhembjen, e cila jo rrallë na zë gafil gjatë rrugëtimit jetësor, apo edhe na kapërthurë në rrjetin e saj.

 

Vargu që ngrit lartë bukurinë dhe mesazhin e poezisë

 

Nganjëherë, tek poezia e Fitore Haklajt, hasim edhe vargje të cilat sertshëm reflektojnë sfidat me jetën, siç është poezia “Amaneti”, por, vijnë e shndrisin edhe vargjet që dëshmojnë për qëndresën, për optimizmin dhe për jetën e lumtur, e që më së miri, më duket se ngritin lartë bukurinë dhe mesazhin e vargëzimit: “Ju dua sa yjet që janë në qiell/Ju dua sa diellin që çdo ditë na ngroh /Ju dua sikur ujët që etjen na e shuan/Ju dua sa jetën që nuk ka më”.

 

 

Në “Shpirti peshon”, autorja ligjëron edhe për shumë gjera që bëjnë trakullima në jetë, mbase edhe turbulenca, të cilat ndonjëherë dot nuk përballohen, si te poezitë, “Gabim”, Ik, shko” e të tjera. Mirëpo, kjo autore, që këtë libër e ka si fëmijën e parë, do të thotë gëzimin e parë, këmbëngulë dhe heshtjen asnjëherë nuk e pëlqen. Për këtë dëshmojnë edhe vargjet: “Largoje atë dhimbje/Se të lëndon shumë/Fole atë fjalë/Mos e mbaj si plumb”.

Të kësaj fryme i ka edhe shumë poezi, siç është ajo “Fryma” e të tjera.

Përmes këndimit poetik, autorja ka shprehur ndijimin shpirtëror edhe për figura të larta dhe për persona të dashur të saj, që, veç sa e shtojnë peshën përmbajtjesore të librit.

Poezitë në këtë libër, të cilat lëvizin si grafikon, sa poshtë lartë, trajtojnë thjeshtë e fuqishëm jetën me tërë atë bagazhin kurrë të pa shpjeguar dhe të papeshuar deri në fund, dhe vargëzimi me thjeshtësinë e vetë, lexuesin, jo vetëm se e bën për vete, por ia mundëson që edhe ai vargjet dhe poezitë t’i përjetojë dhe komentojë ashtu siç do vetë.

Dhe krejt në fund. Fitore Haklaj, kam përshtypjen se nuk i vë pranga as vargut dhe as këndimit. Gjithashtu, as nuk i vë me zor hijeshi relievit dhe as horizontit të vargut dhe poezisë, prej nga shijohet e përjetohet gjithçka, edhe pse, nganjëherë edhe autorja edhe vargu, reflektojnë zemërimin dhe hidhërimin bashkë!

Dua të shpresoj, se autorja në librin e radhës do ta na sjell këndim edhe më madhështor, duke kuptuar se krijuesi, në këtë rast, poetja, krijon paqe me vargun dhe kështu u jap përjetësi thellësive të mendjes dhe cilësisë, të cilat gjithnjë i kërkojmë. Është kënaqësi të krijosh, por edhe më shumë është guxim dhe përgjegjësi…!

Shkrimin do ta përfundoj me disa nga vargjet e autores së këtij libri kushtuar nënës: “Ah, fjalë e ëmbël fjala nënë/Kush ta shuan mallin si ti/Askush në botë nuk të kupton/Ti veç më ata sy kur të shikon”!

Koncepti i lirisë dhe patriotizmit në këndvështrimin e autorit Mihal Kalia në studimin monografik “Përqasje e çoroditur” – Nga MSc. Albert HABAZAJ*

 

Për ju, miq të Librit, të Bibliotekës dhe të Autorit jemi falënderues, sepse këtë ditë, që natyrshëm  e keni aq të çmuar, po na e falni mirësisht për të marrë dhe dhënë mesazhe qytetare të kulturës letrare, këtu, në tempullin e dijes të Qytetit të Flamurit, Shqipërisë Jugperëndimore e më gjerë, në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, i kësaj Vlore me histori e kulturë, që është qyteti i dytë me universitetin më të madh në Shqipëri.

Pikërisht këtu, në Sallën e Madhe “Rilindja” të Universitetit tonë po realizojmë përurimin e librit “Përqasje e çoroditur”, dhuratë nga mendimi i kualifikuar dhe shpirti bujar i autorit Mihal Kalia. Sa nisëm kështu një punë të mirë, të bukur e të dobishme në funksion të edukimit, në shërbim të plotësimit me kulturë letrare, artistike dhe estetike, për një Vlorë, Shqipëri dhe shoqëri më qytetare, jo vetëm në fushën e letrave.

Studimi monografik i “Përqasje e çoroditur” i kritikut Mihal Kalia është një punim shkencor i thellë, për të cilin autori është marrë gjatë dhe në mënyrë krahasuese, sidomos për autorët më në zë të Letërsisë shqipe, duke vënë në peshore të mendimit të tij këndvështrimet e emrave të njohur apo artikujshkruesve tentues për të shprehur diçka në fushën e gjuhës, gjuhësisë/ filologjisë dhe letërsisë. Në një libër voluminoz prej 560 faqesh, me 28 shkrime (pa hyrjen në krye të veprës) vërejmë unitetin formë – përmbajtje, për çfarë autori trajton si zotim parësor intelektual nga veprat e letërsisë artistike si dhe teoria, mjeshtëria e të shkruarit, kritikat letrare, pa e nënvleftësuar, pa patur synim parësor historinë e letërsisë, biografinë e shkrimtarëve, por vlerat kulurore artistike në dobi të kombit, veçmas nëpërmjet kritikës letrare me standardet që ka kjo displinë shkencore, pa vegjetuar në akuarium si peshqit, monotonisht…

Autori Mihal Kalia, pasi notoi e notoi, qysh nga viti 1993 në Detin e Kritikës letrare, sot po hedh spirancën e anijes së tij të bardhë studimore në limanin e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, mbushur autorë, miq, pegagogë, studentë, dashamirës të letrave shqipe, edhe pse shqota ende rreh keq brigjet e Shkrimit e Leximit…

Kemi fatin e mirë, se nga profili i autorit Mihal Kalia shohim personalitetin e një mësuesi veteran, shembullor në mësimdhënie për gati një gjysëm shekulli, të kompletuar në arsim dhe kulturë; shohim kritikun e plotësuar, të talentuar në interpretim, të cilët Vlorës historikisht i janë numëruar me gishta dhe sot, ose nuk janë më fizikisht, ose kanë kaluar në jetë pasive përsa i përket kritikës dhe interpretimit të letërsisë shqipe dhe autorëve shqiptarë; shohim veprimtarin e duhur dhe në fushën e shkrimeve nëpërmjet korespodencës me shtypin, duke qenë aktiv me artikujt teorikë, origjinal dhe i prerë në opinionet e komentet e tij apo polemikat në gazetat qendrore etj. Pohojmë fatkeqësisht, se nga fundi i viteve ’90 të shekullit të kaluar e deri më sot letërsia shqiptare ka shfaqur edhe problemet e saj. Kush ka guximin t’i shohë dhe t’i artikulojë, si autori Mihal Kalia, e pranon me dhimbje këtë fakt dhe falë mundësive intelektule që zotëron, po e jep konkretisht ndihmesën e tij. Është pranuar dhe nga kritika, që kjo letërsi, të paktën brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, në shumë pak raste e tejkaloi vetveten dhe shpesh letërsia e mirë hëngri nga dhjami i vjetër. Edhe pse ndonjë autor shkruan më i shpenguar, në këto vite ndodhi ajo që ndoshta si fenomen ka ngjarë rreth viteve ’30-’40. Dikush shkruan drithirambe dhe nuk do të pranojë realitetin e përditshëm; dikush sikur zhytet në të përditshmen pa vizion. Ka edhe disa autorë të rinj që sollën apo eksperimetojnë të sjellin forma e trajtime të reja.

Në shkencën e bibliotekonomisë flitet për klasifikim hierarkik dhe me hierarki numerike reflektohet hierarkia e koncepteve. Autori Mihal Kalia pasqyron çështje të rëndësishme në gjuhën dhe letërsinë shqipe nëpërmjet shkrimeve të përzgjedhur që, siç shprehet ai, edhe pse në kohë të ndryshme, përfshirë edhe atë të regjimit socialist, kanë të përbashkët frymën polemizuese me autorë dhe  institucione kulturore-edukative, lidhur me qëndrimin dhe vlerësimin e figurave të spikatura të letërsisë shqiptare, drejtimeve letrare, raporteve me historinë dhe gjuhën shqipe, me traditën  letrare dhe, çka është më e rëndësishmja, me Njeriun, bërthamën e shoqërisë që, nëse sot kemi arritur këtë shkallë emancipimi dhe ndërveprimi, kjo, falë luftës dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Tij për t’u evidentuar si faktor dhe aktor substancial i  ekzistencës, besimplotë në ngadhënjimin e pritshmërive.

Në hierarkinë vertikale  dhe horizontale të vlerave, të dhjetë fushat e dijes janë në funksion të një jetese më të mirë të njeriut, familjes, atdheut konkret, të vërtetë; kuptueshmërisht në dobi të shoqërisë. Ato zhvillohen e pasurohen që ne të përparojmë duke u përmirësuar, që të kemi të mira materiale në jetën qytetare, të pasurojmë shpirtin me kulturën materiale dhe jomateriale, këtë shpirtërore, ku letërsia ka peshën e saj specifike. Kritiku Mihal Kalia, ndërkohë një qytetar korrekt dhe punëtor i mirë i fjalës së bekuar është serioz, këmbëngulës, i drejtë e dinjitoz në shkrimtarinë e tij, në këtë kohë të të turbullt, të shushatur, të çoroditur, me përqasjet e tij të karakterit debatues në funksion të së vërtetës së botës letrare thotë guximshëm në ballaqim shumë kurajoz: “Unë jam këtu. I tëri dhe i bëri. Ky jam unë! Ju ku jeni? Kush jeni? Cilën fytyrë letrare tuajën të besojmë, xhanëm? Dua t’ju shikoj fytyrën letrare dhe shkencore të fushës, more penëxhinj, sepse unë jam një ndër ata penëtarë, që nuk e turpëroj profesionin dhe dhuntinë e virtytshme që më ka falur natyra.

Pena e Mihal Kalisë nuk ka si qëllim analizën e veprave letrare, as të autorëve të tyre, edhe pse atë e kryen lartësisht sipas standardeve dhe vlerave të shfaqura në tekstin përkatës; synim ka përballjen me disa gjykime cungale, gjymtake për autorët më në zë të letërsisë sonë. Autori trajton 12 ndër autorët më të njohur të letrave shqipe, që nga Naim Frashëri, Pashko Vasa, Ndre Mjeda, Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni, Faik Konica, Lasgush Poradeci, Ali Asllani, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Kryeakademiku i Kosovës – Rexhep Qose, Daut Gumeni- rrezëllitës lirie, diamantini i fjalës Ylli Polovina, gjuhëtarë të lartë si Gjovalin Shkurtaj, Rami Memushaj, Ali Dhrimo etj. Duke marrë në shqyrtim dhe katër autorë vlonjatë, pikërisht poetët Hiqmet Mehmetaj, Albert Habazaj, Luto Lamçe dhe romancierin Leka Skëndaj, ky tekst i autorit Mihal Kalia ka vlera të veçanta njohëse dhe emancipuese për letërsinë në qytetin e Vlorës, pasi veçse dëshmon provën identitare dhe natyrshëm imponuese të penës së tyre dhe frymëmarrjen letrare pastërtisht origjinale, deri më sot nuk është trajtuar nga asnjë kritik i nivelit lokal apo i rangut kombëtar. Në emër të të katërve, si dhe në emër të poetëve dhe shkrimtarëve dhe artistëve të qytetit: MIHAL KALIA FALEMINDERIT! MIRËNJOHJE! Autori ëshët qytetar, njeri i lirë, jo rob i natyrës. Si çdo njeri flet, por më tutje, falë dëshirës, vullnetit, guximit dhe diturisë që zotëron, shkruan edhe për filozofinë, politikën, sportin etj., por unë nuk mund të flas dot për mendimin filozofik të Mihal Kalisë. Të mos harrojmë se autori i këtij libri radhitet në krahun e optimistëve dhe shkruan me dritë shprese e besimi, edhe pse është një luftëtar i pamëshirshëm i ditirambeve lajkatare nga do që vijnë e për këdo emër të përveçëm të letrave shqipe pa veçuar as Kadarenë, Konicën etj. Ky libër nuk është një studim për studim, por një punim shkencor i mirëfilltë, që kërkon kohë e përqëndrim vëmendjeje për ta lexuar, kuptuar e reflektuar jo vetëm letrarisht, pse jo për të formuar reflekse letrare letrarët e tij, sidomos nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e departamenteve të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Koha nuk më lejon të bëj panoramën e librit, por kam bindjen që, të paktën për të shumëpërfolurën poezi “Pashallarët e kuq”, që është gati e papërfillshme në Opusin e të madhit Kadare, studiuesi Mihal Kalia ka bërë një vështrim mbushmendës, gati shterues të pakundërshtueshëm.  Në një shkrim tjetër, Kalia na thotë se Pashko Vasa vetëm me 72 vargjet e të famshmes poezi “O moj Shqypni” jo vetëm që ka siguruar një vend të merituar  në historinë e letërsisë shqiptare, por është sipër, në apogjeun e letërsisë shqiptare, sepse kjo poezi kushtrim është një aureolë e kurorës me vlerat më të spikatura të kësaj poezie. Dhe ne, logjikisht, njëmendjesohemi me deduksionin shkencor të autorit.

Ndërkohë shqetësimet e autorit janë se çfarë po ndodh me interpretimet “e reja” të veprave letrare të traditës? Shkrimet lënë gjurmë, sidomos tek brezi i ri, po çfarë gjurmësh se ky brez mund të jetë dhe ndoshta i paformuar, ndoshta i painformuar si duhet. Ndaj autori thekson: “Ka një çoroditje në përqasjen e re të asaj prodhimtarie letrare të periudhës së socializmit, ndaj së cilës nuk  funksionon dot mekanizmi i bjerrjes së vlerave artistike, duke ua  citosur ato parimeve të një tjetërsoji realiteti, që do të mbartte në vetvete sa tragjedi dhe dhimbje, siç mund të shkaktojë rrjepja, shqitja e lëkurës prej trupit të shëndetshëm, aq edhe  komedi, kur mbështjell një trup të skeletosur për shndërrimin e shëmbëlltyrës” (f. 6). Vërtet liria e fjalës, e shkrimit, e shprehjes, janë themel i demokracisë, çelës i gëzimit të shumë të drejtave të tjera të njeriut, se liria është jetë dhe jeta liri, por jo liri pa kufi, sepse pa kufi ligjorë e moralë, shoqëria dëmtohet,  shpërfytyrohet, shëmtohet, prishet, sepse liria pa kufi e fjalës, shkrimit e shprehjes na sjell imazhin e demonit  të së keqes, që mirësinë e bën keqësi.  Jo thjesht si studiues me merakun e mësimdhënësit, por shqetësimi kryesor i intelektualit qytetar Mihal Kalia është edukimi i brezit të ri, shkolla jonë, shëndeti fisnik i saj, prandaj i bie kambanës së fjalës së shkruar të lëshojë kushtrimin sepse tejduket më e keqja, qoftë larg e mos ndodhtë, pasi artikujgatuesit e paplotësuar: “Të shenduar prej rrethanave trallisëse, ushqejnë ngasjen për t’u shtrirë edhe më gjerë, të gërvishtin e ciflosin historinë, gjuhën, kulturën, traditat e shkëlqyera në çdo kohë e në çdo fushë të jetës, të krijuara këto me shumë mund, gjak e sakrifica, si emblemë e identitetit tonë kombëtar” (f. 6). Dhe na kujton kryerilindasin tonë, mësuesin e ndritur, bilbilin e gjuhës shqipe, Poetin Kombëtar Naim Frashërin, që thoshte “Një komb, ç’vleftë t’i vërë vetes, atë i vënë dhe të tjerët”. Kalia është i kthjellët në argumentet bindëse, që sjell, kur shtjellon sesi Naimi u bë simbol i gjallë i atdheut dhe lirisë, sepse “përdori metodën krijuese në funksion të qëllimit dhe ai ishte i karakterit kombëtar” (f. 156). Autori është trim i fjalës dhe nuk ua përton shkronjëzinjve të llojit [shih në tekst] M. Aleksi, K. Ujkaj, B. Cengu, A. Stefani, S. H. apo dhe të tipit [shih në tekst] P. Kulla e B. Beci, paçka se i pari është figurë e njohur e humorit shqiptar apo tjetri akademik, profesor i Gramatikës  së Gjuhës Shqipe. Ai nuk “kursen” as emra të tjerë të dëgjuar dhe shumë të respektuar të penës shqiptare si [shih në tekst] M. Zeqo, apo N. Jorgaqi, kur ata gabojnë, shkasin në mendimin kritik që bëjnë si qoka për njëri-tjetrin apo të preferuarit e interesit të vockël. I vlerëson për vlerat universale  në të shumtën e rasteve në fushën e studimeve letrare, të estetikës, kulturologjisë, për vargun apo prozën elegante, por nuk i ngre dot, siç mendon ai, të pavërtetët e tyre. Autori nderon fytyrën, nderon fjalën. E ka të shenjtë fjalën. Nderi i fjalës është thesar. Me këtë shqetësim, kërkon të dijë sa fytyra ka x zotni i nderuar që ka uzurpuar mediat, shtëpitë botuese, televizionet? Cilin Moikom apo Nasho të besojmë? Nderimi dhe çnderimi, fjala dhe llafet janë fushëbeteja e studiuesit.

Ai nuk i duron dot dhe nuk i fal gjithologët jo profesionistë, servilët, konformistët, magazinierët e llafeve pa inventar, sahanlëpirësit për një dekoratë të pamerituar varake. Atë e shqetëson shumë fakti që vargjet e Nolit të madh “Ti, Halim, që s’di këndim/ shko ministër në arsim janë ende realitet i hidhur e dëshpërues në organigramën e strukturës sonë vertikale dhe horizontale.

Falë ushtrimit të profesionit të bukur e të vështirë të mësuesit, metodistit, përvojës së gjatë në arsim dhe inspektimin e shkollave në fushën ku u arsimua e dha mësim, nëpërmjet këtij teksti autori synon të ndihmojë nxënësit e studentët në formimin e tyre, sepse libri ka vlera pedagogjike-arsimore dhe përbën një model edukimi për t’u ndjekur, sepse mendimet e autorit janë të rëndësishme për fushën që trajton, sepse është e dukshme ndihmesa që ai jep për shkollën, mësuesit dhe nxënësit. Kuptohet që gjuha e autorit në tekst është gjuha e specialistit të fushës, gjuhë e nivelit akademik dhe mund të jetë literaturë e duhur për edukimin shkollor dhe universitar të nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve të Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Humane të paktën në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë.

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania, 08.01.2020

*MSc. Albert HABAZAJ/ përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Maratona Violinistike edicioni i 8-të

Maratona Violinistike edicioni i 8-të  u realizua në 24 dhjetor në sallën “Tonin Harapi “ Liceu Artistik, Tiranë.

Koncerti i titulluar “ Tingujt e paqes “ sinkron dhe me situatën që kaloi vendi dhe në prag të Krishtlindjes solli tingujt e violinës soliste dhe orkestrës së harqeve. Ashtu si në edicionet e mëparshme ,  risia e këtij aktiviteti është promovimi i muzikës shqiptare për violinë, e cila në këtë edicion erdhi me veçantinë e një koncerti të plotë tre kohësh “ Koncert për violinë e orkestër harqesh në la minor “ të kompozuar e interpretuar nga violinistja Ina Kosturi, orkestruar nga Robert Radoja.

Pedagogë të Universitetit të Arteve, instrumentistë të orkestrës së Teatrit të Operës dhe Radio Televizionit Shqiptar, nga tre institucione të rëndësishme , drejtuar nga baketa e dirigjnetit Gridi Kraja interpretuan krahas koncertit për violinë dhe vepra nga Tchaikovski, Faure e Dvorak.

Ky interpretim i parë i koncertit për violinë është nisja për të tjera debutime të këtij koncerti dhe përfshirjen në repertorin e muzikës shqiptare .

Aktiviteti u organizua nga Shoqata “ Bota e Artit “ dhe u mbështet nga Bashkia Tiranë.

 

Sopranoja me famë botërore Inva Mula me miqtë e saj Artistë të shquar ju ftojnë në Prishtinë në mbrëmjen e solidaritetit!

 

Nesër është një ditë e re! Dita e shpresës! Do të ketë ditë shprese edhe për ata që kanë humbur gjithçka prej tërmetit të 26 nëntorit!

Shpirti shqiptar do të rizgjohet! Dhe kush më mirë se Artistët mund të ngrenë një komb në këmbë që vëllai të ndihmojë vëllain.

Sopranoja me famë botërore Inva Mula ka ngritur në këmbë gjithë botën Artistike në një fushatë humanitare për mbledhje fondesh në ndihmë të dëmtuarve nga tërmeti.

Në mënyrë vullnetare të gjithë Artistët shqiptarë me në krye Inva Mulën janë përfshirë në këtë aksion solidariteti, ku vetëm japin!

Inva Mula thotë se “Shpirti i artistit eshte ai qe i jep vlera nje kombi. Unë vazhdoj te ndjek zerin e brendshem qe me thote bë sa mundesh mire se dikujt do t’i behesh shembull i mire !”

Dhe zëri i Inva Mulës bashkë me zërin e miqve të saj, Artistëve të shquar, do të na ngrejë në këmbë!

Shqiptarë kudo që jeni, solidarizohuni me vëllezërit e motrat tuaja në këto ditë dhimbje!

Sepse çdo kush ka të drejtë te besojë se e nesërmja është një ditë e re!

Koncerti i rradhës do të mbahet në Prishtinë më 23 Dhjetor!

Eshte një bashkëpunim me RTV21.

Mbremja do të jetë  live dhe do të fillojë në orën 20:00.

Dhe kush dëshiron t’i bashkangjitet nismes per kontribut financiar, mund te telefonojë ose të lidhet direkt gjate emisionit!

Do të jetë një mbrëmje e mrekullueshme!

 

HERMAN BERNSTEIN – Ambasador i ShBA-ve në Mbretërinë Shqiptare 1930-1933 – Nga TEUTA DHIMA

                                                                  Biografi nga Mal Berisha

 

 

Biografia Herman Bernstein Ambasador i ShBA-ve në Mbretërinë Shqiptare 1930-1933 e shkruar nga Mal Berisha, Ambasador i RSH në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Irlandës 2012- 2015, është një botim plot vlera ndaj  autori meriton përgëzime, së pari për figurën e përzgjedhur dhe së dyti, për mënyrën  se si e ka shkruar këtë biografi.

Herman Bernstein, është i pari udhëheqës hebre që ndërmerr rrugën e diplomacisë. Njëkohësisht Bersrnstein është i pari përfaqësues i hebrenjve intelektualë të Amerikës që ka depërtuar në botën politike dhe një prej të paktëve udhëheqës kulturorë amerikanë zgjedhur për një nder të tillë.

Mal Berisha, vjen me këtë biografi jo vetëm i saktë dhe orientues, informues për jetën e këtij personaliteti, por edhe shumë i ngrohtë. Biografia kushtuar Bernsteinit është shkruar me shumë dashuri. Këtë ndjenjë meritonte Herman Bernstein, i cili edhe pasi njohu anët e errëta të Shqipërisë si skamjen, varfërinë, prapambetjen, ai përsëri e deshi atë, diti të vlerësojë ato rreze drite që arriti të shquante me sytë e dashurisë në terrin e madh.

Misioni i kësaj vepre, siç thekson edhe autori, është të zbulohet Shqipëria dhe shqiptarët, siç e kanë parë njerëz të tillë të mëdhenj. Mal Berisha, qëllimin e tij e ka përmbushur plotësisht, pasi në libër është sjellë e plotë jo vetëm biografia e  Herman Bernsteinit, por edhe janë nxjerrë në pah edhe të gjithë ata që e rrethonin këtë personalitet në punën, mjedisin dhe jetën e tij. Biografia është e përbërë nga dy pjesë: Herman Bernstein në Shqipëri dhe Herman Bernstein, para ardhjes në Shqipëri.

Të dyja pjesët kanë nëntituj, të cilët shërbejnë si piketa për të njohur edhe më mirë jetën dhe veprimtarinë e Bernsteinit. Nëntitujt paraprihen nga paratekste, të cilat përmbajnë esencën e ndarjeve të realizuar nga nëntitujt.

Po përmend disa nga këta nëntituj:

Pushteti i butë” i Enciklopedisë Bernstein, Kontaktet e para shqiptaro- amerikane, Vështrim i shkurtër i marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane nga fillimi i tyre deri sot, Herman Bernstein, figurë që lidh tre kombe, Emërimi i Herman Bernstein si ministër fuqiplotë në Mbetërinë Shqiptare, Instituti i kërkimeve hebraike YIVO në New York, Tirana siç e shihte Bernstein, Toleranca fetare në Shqipëri e përshkruar nga Bernsteini, Puna e Bernsteinit për njohjen e historisë së hebrenjve në Shqipëri, Fundi i misionit të Bernsteinit në Shqipëri, Ministri Bernstein po largohet nga Shqipëria, Bernsteini ruan miqësinë me shqiptarët edhe pas largimit, Vdekja e Herman Bernsteinit, Nderim për këtë njeri të madh etj.

Në biografi kemi një përmbysje kronologjike në jetën e Bernsteinit: fillimisht është treguar për të në Shqipëri, punën dhe rolin e tij në këtë vend dhe në pjesën e dytë, tregohet për Bernsteinin para ardhjes në Shqipëri. Kjo lloj përmbysje, mendoj se rrit kuriozitetin në lexim.

Nga pjesa e parë e biografisë kushtuar këtij diplomati ndahesh me përshtypjet më të mira. Bernstein, nuk ishtë vetëm një diplomat i ftohtë që jepte e merrte relacione e firmoste dokumente zyrtare. Duket qartë që ai e kishte për zemër Shqipërinë, përparimin e saj, zhvillimin e arsim-kulturës dhe, si një mjeshtër i analizave diplomatike, ai tregonte shumë kujdes edhe në paraqitjen e gjendjes së Shqipërisë, historisë së saj, duke mos qenë një raportues i thjeshtë, por edhe një shpjegues  i mirë i pasojave, rrjedhojat e akteve të caktuara, implikimet që rrjedhin prej tyre. Herman Bernstein jo vetëm e deshi Shqipërinë, por edhe u desh dhe u respektua shumë nga shqiptarët si mik i mirë i kulturës shqiptare Ai pati marrëdhënie të mira me At Gjergj Fishtën, Lef Nosin, Fan Nolin, Mbretin Zog, Faik Konicën etj. Në korrespondencën e sjellë nga Mal Berisha duket se ka një marrëdhënie të bazuar në respektin reciprok mes tyre.

Në biografi sillen fakte nga më të ndryshmet të cilat janë frut i një pune të palodhur kërkimore. Autori ka shfrytëzuar arkivën e Yivo-s, Institute of Jewish Research në New York, Bibliotekën Publike në New York, Bibliotekën e Univeritetit Yale në New Haven, British Library në Londër etj, etj.

Në ditët e sotme, është shumë e lehtë të gjesh dhe të lexosh biografinë e personave të caktuar. Biografinë e Herman Bernsteinit, fare mirë mund ta gjesh online, por biografia e shkruar nga Amasador Mal Berisha, ka vlera të veçanta për mënyrën se si janë ndërthurur të dhënat, rrëfimi është në shërbim të qëllimit në çdo moment dhe falë një konçiziteti dhe saktësie mbresëlënëse, thuhet shumë për një figurë që historia e ka lënë disi mënjanë. Për të shpluhurosur vlerat nga pluhuri i kohërave, së pari duhet t’i njohësh  ato. Mal Berisha nga pozicioni i tij si diplomat, erudit në formimin e tij, jo vetëm e ka nxjerrë figurën e Herman Bernsteinit nga harresa e kohës, por e ka sjellë pranë lexuesit në gjithë madhështinë e tij.

Një surprizë e vërtetë pë mua si lexuese ka qenë pjesa e dytë e biografisë titulluar: Herman Bernstein, para ardhjes në Shqipëri.

Bernstein sillet para lexuesit si një poet dhe shkrimtar. Ai ka botuar vëllimin me poezi      Fluturimi i kohës dhe për të krijuar një ide për këtë vëllim janë sjellë në biografi disa poezi të tij si Fluturimi i kohës, Shiu dhe shkëlqimi diellor, Dashuria e famës, Legjendë, Muzika. Në to Bernsteini i ri  është i  frymëzuar nga natyra, i shqetësuar për paqen në botë e i lidhur ngushtë me identitetin e tij hebraik.

Vëllimi me tregime, Në portën e Izraelit, histori hebrenjsh, është botuar prej tij në vitin 1902. Në to,sipas Mal Berishës, gjenden përshkrime zakonesh, traditash e bestytnish të hebrenjve të vendosura në rrethana interesante dhe në gojë të personazheve të thjeshtë të jetës. Në biografi janë sjellë tregimet: Artisti, Romancë në geto, Shkuesi, Kurë xhelozie, dhe Vetëm.

Herman Bernstein ka dhënë një kontribut të madh në njohjen e letërsisë ruse në botën anglishtfolëse. Ka sjelllë në gjuhën angleze,  Njeriu i frikësuar, Gorki, Brengat e Belgjikës nga Leonid Andrejev, Shpifësi nga A. Çehov, Takimi nga I. Turgenjev. Në kuadrin e përkthimeve, Herman Bernstein ka përkthyer nga gjermanishtja në anglisht dramën e Aleksandër Moisiut   I burgosuri.

Bersteini kritik letrar. Herman Bernstein me Leonid Andrejevin ka pasur një miqësi me përmasa shumë të mëdha intelektuale. Njohja me të e ka shtyrë atë të shkruajë perla të kritikës letrare. Përmendim këtu parathënien e librit të Andrejevit, shkruar prej Bernsteinit.

Bernsteini pati arritje edhe në gazetarinë investigative dhe u prir të zbulonte veprimet totalitariste ruse. Kulmin e tij në këtë fushë ai e arriti me zbulimin e korrespondencës së fshehtë midis Kaizerit të Prusisë dhe Carit të Rusisë, të cilën e publikoi në një libër me titull Korrespondenca Willi- Nicki.

Bernsteini intervistues i figurave më të shquara të kohës së tij. Në një moshë të re, Bernsteinin arriti të merrrte në intervistë njerëz të mëdhenjsi Leon Tolstoi, Konti Sergius Witte,Metchenikof, Geoge Bernard Shaw,  Henri Bergson, August Rodin, Havelock Ellis,Leonid Andrejev, Sheik –Ul- Islam etj. Këto intervista janë botuar në ente të ndryshme, për t’u përmbledhur më pas në një libër të titulluar  Mendjendriturit.  Idenë e tij të intervistave e vazhdoi me Të famshmit e kohës sonë, botuar në vitin 1924 ku përmblidhen intervista me Papa Benedikt XV, Leo Trockin, Lordin Robert Cecil, Albert Ainshtjnin, Presidenti amerikan Theodore Roosevelt, Presidenti amerikan Woodroww Wilson, Presidenti amerikan Herbert Hoover etj.

Në konkluzionet e biografisë nga Dr. Xhoana Papakostandini thuhet se.

Duke hedhur dritë mbi personalitetin e Herman Bersnsteinit, kjo biografi i ka shërbyer historiografisë shqiptare në disa aspekte.

– Plotëson fragmente të rëndësishme të procesit të brishtë të konsolidimit të shtetit shqiptar pas Pavarësisë.

– Na jep një pamje të qartë të kontributit të mbretit Zog në konsolidimin e shtetit shqiptar, si dhe marrëdhënieve tepër të vështira me Italinë fashiste.

– Me Herman Bersteinin, historia e hebrenjve në Shqipëri merr kuptim akoma më të thellë.

Mal Berisha ka një krijimtari të pasur që përbëhet nga:

Librat e përkthyer;

  • “Shqipëria e Jugut ose Epiri i Veriut në Marrëdhëniet Ndërkombëtare Evropiane, 1912-1923.” shkruar nga Edith Pierpont Stickney e Universitetit Stanford të Kalifornisë;
  • “Shpëtim në Shqipëri”, shkruar nga Harvey Sarner, ku del në pah virtyti shqiptar i “Besës” dhe tregon historinë e hebrenjve të mbrojtur në Shqipëri –  100 për qind e hebrenjve të shpëtuar në vendin e tij.

Botime të tij:

  • “Shqiptarët, Lisa mbi truallin Ilir”, një studim i plotë i artikujve të  botuar në revistë n National Geographic Magazine të fokusuar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në një hark kohor prej mëse 100 vjet (2007);
  • “Shqiptarët, Europianët më të lashtë dhe më të rinj”. (2008);
  • “Amerikani Charles Telford Erickson, Një jetë kushtuar Shqipërisë” tre volume, (2012).
  • “Herman Bernstein, Ambasadori U.S në Shqipëri, 1930-1933” (dhjetor 2014),
  • Realitetet Shqiptaro – Britanike” është libri i radhës i Berishës, botuar në vitin 2015 në prag të mbylljes së misionit të tij në Mbretërinë e Bashkuar. Libri u promovua në Universitetin e Londrës Regent dhe Ambasadën Britanike në Tiranë.

Nisur nga tematika e shkrimeve të tij , por edhe dashuria me të cilën ka shkruar, intensiteti i fjalës, gjithmonë në shërbim të qëllimit, Mal Berisha nuk është Ambasador i Shqipërisë vetëm në vendet ku ai ka ushtruar misionin e tij fisnik, Mal Berisha, është Ambasador i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në të gjithë botën dhe pa afate kohore.

(Video) Më 8 dhjetor 80 Artistë të shquar me në krye sopranon e famshme Inva Mula u ngjitën në skenë ne ndihme të të demtuarve nga termeti

Më 8 dhjetor 80 Artistë të shquar me në krye sopranon e famshme Inva Mula u ngjitën në skenë ne ndihme te të demtuarve nga termeti

Për një dite tjeter, me e mire, me e bukur, që do ta kthejë shpresën u ngjitën 80 artiste ne skene ne qendren kulturore te kishes ortodokse ne Tirane për të ndihmuar ata që kanë mbetur pa shtëpi e strehë!

Ishte një mbrëmje magjike që i bëri bashkë 80 Artistë të shquar për të ndikuar me artin dhe shpirtin e tyre të bukur!

Faleminderit këtyre Artistëve!

Nderime për Artistët emër për emër!

Inva Mula
Robert Radoja
Pandi Laco
Eva Golemi
Blerta Zhegu
Zamira Kita
Irma Libohova
Aurela Gace
Eranda Libohova
Era Rusi
Etleva Shemai
Klaudio Zoto
Denis Bizhga
Mirush Kabashi
Elia Zaharia
Ledion Zoi
Shkolla e baletit
Bela Arbana
Ligoraq Riza
Marina L Kurti
Vikena Kamenica
Merita Rexha Tershana
Solen Alla
Xhoni Kitarristi
Klodjan Kaçani
Rozela Gjylbegu
Arjeta Dhima
Robert Bisha
Ema Andrea
Pajazit Murtishi
Suzana Turku
Dhe kori i te rinjve
Etrita Ibrahimi
Enada Gerd Vaso
Xhevat Limani
Ardita Bufaj
Fjorda Veizaj
Liljana Kondakci
Ekipi i realizimit:
Bledi Laco
Julia Sinanaj Zoi
Albi Greva
Eraldo Rexho
Jorka Xamo
Agi Haxhimurati
Valbona Guri
Elona Zebo
Ekipi i ASLV
Western Union my ticket
Kisha Otodokse
Tv ABC

“Dosja B” – Roman që flet për anën e errët të luftës – Nga XHAFER LECAJ

Prof. Dr. Jusuf Buxhovi dhe publicisti Xhafer Lecaj

Prof. Dr. Jusuf Buxhovi, është historian dhe politikan nga më të njohurit e trojeve të Shqipërisë Etnike. Ky libër, si edhe shumë të tjerë, është publikuar edhe në anglisht. Kënaqësi! Dëshiroj të shkruaj pak fjalë. Romani “Dosja B” trajton tema të rëndësishme, për zhvillimin e luftës së fundit në Kosovë, duke përshkruar ngjarje të dhimbshme konfliktuoze mes faktorëve ” të rezistencës institucionale” dhe “rezistencës së armatosur”, të cilat kanë shkaktuar një luftë të hapur kriminale për pushtet, pasojat e së cilës po i ndjejmë edhe sot.

 

 

 

 

Autori ka prekur temën ende aktuale të një rrëfimi të një vrasësi të penduar, i cili dhjetë vjet pas përfundimit të luftës, i shtyrë nga vrarja e ndërgjegjës, shpirti i tij i lënduar, rrethanat tjera politike, rast shumë i rrallë në historinë e njerëzimit, ai, publikisht, kërkon dënimin e tij nga drejtësia, për kryerjen e një vrasje të organizuar kriminale. Duke u marrë në pyetje nga një hetues gjerman të EULEX-it, i cili kishte filluar zbulimin e lidhjeve kriminale të faktorëve vendorë, në bashkëpunim me ata ndërkombëtarë, të cilët kishin arritur, në bashkëpunim, ta parandalojnë mosfunksionimin e shtetit të Kosovës, në veçanti, të drejtësisë.

Hetuesi gjerman, duke zbuluar edhe vrasjet e dëshmitarëve, disa edhe të mbrojtur, vendos të largohet nga emisioni europian, për të bërë padi private, kundër UNMIKUT, EULEKX-it, BE-së dhe shtetit gjerman, të cilët në vend se të parandalojnë kriminin e organizuar, ata janë bërë pjesëmarrës në krim, duke punuar kundër drejtësisë, për të fshehur gjurmët e krimit! Autori tek ky roman, ka përgënjeshtruar bindshëm kundërshtarët ekstremistë majtistë, të cilët duke ditur se Prof. Jusuf Buxhovi, ka qenë krye-organizatori për themelimin e LDK-së, bile edhe Sekretar i Përgjithshëm i saj, janë munduar ta njollosin LDK-në, përmes emrit të Tij, kinse paska punuar në shërbim të autoriteteve të pushtetit të atëhershëm jugosllav.

Unë, Xhafer Leci, për akuzën e vetme që kanë përmendur deri më sot, majtistët, pra, LPK-ja, dhe kushdo tjetër kundër Prof. J.Buxhovit, kam dy fjalë: Bëhet fajlë për ish të burgosurin politik, H.G.,me të cilin kemi punuar bashkë, në vitet 1977-1979, në Fabrikën e televizorëve “Standard Elektrik Lorenc” në Esslingen të Gjermanisë. H.G. më dhimbset për vuajtjet e tij nëpër burgjet jugosllave. Kam respekt për H.G. si atdhedashës. Por, vërtet, H.G. nuk ka qenë ndonjë faktor aq i rëndësishëm politik, por vetëm një puntor. Atëherë lind pyetja, pse të merrej dikush i rangut të Prof. J.Buxhovit me të, e aq më pak, ta merrte në pyetje në burg! J. Buxhovi, nuk besoj kurrë ta ketë njohur e as parë me sy, derisa H.G. nuk ka dalur nga burgu dhe, në vitin 1990, ka shkuar në selinë e LDK-së, mendohet me porosi të dikujt, në barakat e atëhershme në Prishtinë.

Edhe në këtë rast më dhimbset H.G., i cili ka rënë pre e manipulimeve të disa ekstremistëve stalinistë, të dyshuar për veprime avetureske e udbeske, siç është I.K.,  e të tjerë, të fletushkës së atëhershme “Zëri i Kosovës”, e cila botohej në Zvicër!  H.G. sipas asaj që kam lexuar, kinse me atë rast të vizitës në selinë e LDK-së, gjoja se e paska njohur Prof. J.Buxhovin!  Tek H.G. kanë ardhur njerëz të dyshimtë, siç janë I.K.R.S.S.B., etj. Ky i fundit  e mashtron, e pret në besë dhe, H.G., u kap me disa libra e gazeta shqiptare, duke përfunduar në burg në vitin 1980 ! H.G. kur ka dalur nga burgu, ka pas ardhur në Stuttgart, tek djali i vet, nuk më kujtohet viti, besoj 1990,me atë rast e vizituam, unë Xh.Leci, Hajrullah Matoshi dhe Beçir Emini, ne të tre kemi punuar së bashku me H.G., por atëhrë, nuk kam dëgjuar për këtë akuzë. Për ndryshe do ta kisha pyetur. Për këtë kam shumë çfarë të them e të shkruaj, por po e përfundoi me kaq, sepse “nuk ia vlen barra qiranë”, thotë një urtësi popullore.

Wendlingen, 06.12.2019.

Violinisti i shquar Florian Vlashi organizon në Spanjë koncert në ndihmë të familjeve në Durrës të prekura nga tërmeti

Violinisti i shquar Florian Vlashi organizon në Spanjë koncert në ndihmë të familjeve në Durrës të prekura nga tërmet.

Koncerti titulluar “Tingulli dhe Fjala”, ku marrin pjesë tre poetë, tre kompozitorë dhe tre interpretë  do të zhvillohet ditën e shtunë me 7 dhjetor ne Fundación Luis Seoane, La Coruña Spanjë.

Floriani thotë se “Koncerti do t´i dedikohet viktimave të tërmetit të Durrësit dhe të ardhurat nga ai do të shkojnë në ndihmë të familjeve të prekura.”

“Tërmeti i 26 nëntorit që shkaktoi 51 viktima në Shqipëri dhe shumë familje të shkatërruara kanë nevojë për ndihmë.”

Florian Vlashi me familjen e tij, një kuartet artistësh, me artin e tyre kanë ndërtuar prej vitesh me radhë një urë kulturore, artistike dhe muzikore Galicia-Shqipëri, siç është rasti i Grupit Instrumental të Shekullit XX që drejtohet pikërisht nga violinisti i shquar.  Florian Vlashi, në rastin e koncertit thotë se “Do të dëshironte që kjo urë të merrte tani harmoninë e solidaritetit për familjet në nevojë urgjente dhe prandaj do t´ja kushtojmë, këtë koncert dhe eventin NEXOS viktimave të tërmetit të Durrësit. Kujtimi ynë për ta, emocioni ynë, muzikë dhe fjalë.”

Me këtë rast Florian Vlashi falenderon poeteshën Yolanda Castaño.

Vepra në program “Tiendo, Lamento y Tocata” e kompozitorit Federico Mosquera i është dedikuar dy muzikantëve shqiptarë,  Florian Vlashi dhe Rediana Lukaçi.

 

Programi:

TINGULLI DHE FJALA

Florian Vlashi, violín
Ruslana Prokopenko
, violonçel
Clara Jelihovschi Panas,
soprano

Prezantuese Yolanda Castaño

 

Federico Mosquera:
Tiento, Lamento y Tocata (Premierë botërore)
Violín e violonçel

Alba Cid
“Atlas”

Xesús Xosé Iglesias Gonzalez :
“Antitesis” (Premierë botërore)
Violín  e violonçel

Carlos Catena Cózar
“Los dias hábiles”

Claudia González Caparrós
Te miro como quien asiste en un desielo”

Hugo Gómez-Chao Porta
Chanson de la plus haut tour” (Premierë botërore)
Soprano, violín , violonçel

 

Sociologu Gëzim Tushi dhe libri “Gratë në kohën e tyre” – Nga Fran GJOKA

Sociologu i njohur, Mjeshtri i Madh, Gëzim Tushi ka një kohë të gjatë që i është përkushtuar me këmbëngulje sociologjike, intelektuale dhe politike temës së madhe e të ndërlikuar të femrës në përgjithësi dhe veçanërisht problematikave sinkretike e komplekse të gruas shqiptare. E tërë kjo punë e deritanishme është sintetizuar në mënyrë kompakte në librin e tij me titull sinjifikativ “Gratë në kohën e tyre”, në të cilën ai trajton problematikat, betejën gjinore, progresin dhe dështimet, debatet herë sintetike e herë tautologjike, që janë bërë dhe bëhen në lidhje me këtë problem madhor e tejet shqetësues të shoqërisë tonë. Autori jo vetëm përmes këtij libri, por ai ka qenë i investuar intensivisht në debatet publike, konferenca shkencore që janë zhvilluar në këto tri dekada, duke qenë i involvuar seriozisht në mendimin politik e sociologjik shqiptar.

Autori, në libër, duke u marrë me temën sensibile të situatës së gruas në shoqërinë shqiptare, herë në kontekstin e zhvillimeve historike e pastaj edhe konceptuale e filozofike, evidenton një lloj përzierjeje kaotike të problematikës së gruas herë në rrafshin teorik dhe herë në situatën empirike të ngjarjeve që rrethojnë botën e vërtetë të gruas shqiptare. Synimi autorit është jo thjeshtë të bëjë një analizë të situatës konkrete, por të synojë që cilat do mund të ishin ato veprime precise politike, sociale e ideologjike në intensifikimin e betejës me bazë gjinore për emancipimin permanent të grave dhe rolit të ri të tyre në familje e shoqëri.

Në këtë kontekst, në se do ta përmblidhnim me dy fjalë synimin e sociologut Tushi në librin “Gratë në kohën e tyre”, mund të themi se ai nuk është një libër vetëm për gratë. Libri ka një “bosht” më të gjerë e më të qartë që mund të konsiderohet si përpjekje për një orientim më të drejtë për aksionin, politikat dhe veprimet që mund dhe duhen ndërmarrë në përballjen me sfidat e shumta e të komplikuara të betejës së përbashkët sociale e politike për të bërë hapa më të sigurtë në rrugën e përmirësimit të statusit të gruas dhe përmirësimin e treguesve të barazisë gjinore.

Autori e shikon, trajton dhe vlerëson problemin gjinor me një optikë ndryshe, duke qenë kundër konceptit rutinor  semplist se tema e gruas shqiptare dhe trajtimi i saj është i njëjtë. Ai shfaqet kundër idesë se “tema e gruas është po ajo që ka qenë gjithmonë”. Ky koncept është retograd e konservator, mendon sociologu Tushi. Ky lloj konservatorizmi gjinor vazhdon të jetë një “limfë” që akoma qarkullon pothuaj lirisht në “dejet maskiliste” të shoqërisë tonë.

Në këtë libër, autori, përveç trajtesave politike e sociologjike, i kushton vëmendje shumë të kujdesshme edhe problematikave më të holla gjinore. Kjo është arsyeja pse ai mendon se duhen trajtuar me shumë prioritet probleme të tilla si ato të martesës dhe divorcit, zgjerimi i epidemisë sociale të shthurjes së martesës dhe përpjekjes për ta “nxjerrë nga loja” sociale këtë institucion bazë të jetës humane, liberalizimi ekstremist i seksualitetit dhe zgjerimi i kakofonisë së lidhjeve seksuale tejet të liberalizuara. Doemos, autori e shikon të udhës që të

trajtojë në të njëjtën kohë nga pozitat e zhvillimeve të jetës postmoderne edhe disa probleme delikate dhe akoma të padiskutuara me zë të plotë lidhur me të drejtën e femrës që të ketë integritet moral të pacënuar, barazi sociale të vërtetë dhe “sovranitet seksual”.

Sociologu Gëzim Tushi e shikon këtë çështje edhe me optikën e zhvillimeve politike në vend, ndikimet dhe dallimet që ekzistojnë në vështrimin dhe trajtimin e temës së gruas. Kjo është arsyeja që atë e bën të jetë i interesuar edhe për dikotominë e trajtesave nga politikat e majta e të djathta, duke analizuar pikëpamjet filozofike, morale dhe sociale, jo thjeshtë në kuptimin literal, por esencial të programeve të partive në Shqipëri.

Autori është i mendimit se problemi i barazisë gjinore, si çështje e madhe politike, sociale dhe e grave shqiptare në përgjithësi nuk duhet mbuluar në programet e partive politike të majta apo të djathta me frazeologji bombastike, me slogane sociologjizante apo populiste që nuk të lejon të dallosh mirë bazën ideore, orientimin specifik, objektivat dhe strategjitë e tyre, dallimet thelbësore e programore midis tyre.

Sociologu Tushi është i mendimit se patologjia e trajtimit evaziv të problemeve të barazisë gjinore është një pengesë e madhe në rrugën e progresit të kauzës së madhe e të papërfunduar të gruas shqiptare. Sipas tij, problemi nuk është vetëm filozofik dhe teorik. Thelbi polivalent i problematikës gjinore nuk duhet trajtuar duke e “ambalazhuar” me frazeologji e slogane të përgjithshme, të cilat të lënë në një situatë të paqartë për rrugën që duhet ndjekur.

Ai ngul këmbë për të bërë betejë të vendosur. Sepse, sikurse ai arsyeton në librin “Gratë në kohën e tyre”, megjithë ndryshimet që kanë ndodhur, përsëri pozita sociale dhe barazia gjinore për gratë mbetet një nga objektivat e paplotësuara të qytetërimit tonë. Sipas Tushit, gjërat në këtë fushë duhen parë jo në pamje, jo si duken në sipërfaqe, por ashtu sikurse janë në thelbin e tyre. Ky është “kusht i ditës” për të kuptuar të vërtetën e pozitës së gruas. Ky duhet të jetë motiv nxitës, për të ndërmarrë ato veprime sociale për ta bërë procesin e barazisë gjinore të vërtetë, të prekshëm, të matshëm, të vlerësueshëm njëherësh nga shoqëria dhe vetë gratë tona.

Sipas autorit, kjo është detyrë imperative, sepse disa ndryshime që ka sjellë koha moderne në shoqërinë tonë, më shumë se i kanë favorizuar gratë dhe kanë zgjidhur problemet e tyre, në shumë raste më shumë i kanë ngatërruar disa raporte socio-biologjike që duhen ndarë prerazi. Sidomos kur është fjala për vlerësimin e dallimeve thelbësore midis roleve gjinore të determinuara të grave dhe detyrimeve sociale që ka për të plotësuar të drejtat e tyre sociale shoqëria. Natyrisht, duke i ndihmuar ato të përballin sfidën e paplotësuar për të qenë të barabarta dhe kompetitive në jetën e përditshme, në familje, në shoqëri, në “botën e punës” dhe në “sferën e profesionit”.

Tani “rolet” biologjike, gjinore dhe sociale të gruas në shoqërinë tonë janë ndërlikuar më shumë. Ngaqë kanë ndodhur ndryshime të thella në statusin social, në parametrat e vlerësimit të pozitës së saj në përputhje me imperativat e kohës, principet e jetës moderne, determinimit të natyrshëm të raporteve të të drejtave të saj gjinore, të cilat janë të ndodhura përballë me logjikën  gjinore deformuese e ekonomisë së tregut. Raportet e grave në shoqërinë tonë lidhur me shkollimin, profesionin, punën, martesën, veçoritë e seksualitetit, rolin si nënë, detyrën për lindjen e fëmijëve, etj., janë bërë për gratë jo vetëm “barrë” e natyrshme biologjike, por dhe peshë sociale, duke u bërë për to një proces shumë i ndërlikuar dhe stresant.

Sociologu Tushi, për ta bërë sa më koherent idenë në libër, shtron disa pyetje: -Çfarë duhet të bëjnë gratë në kohën tonë? Cilin rol duhet të luajnë ato më mirë? Kujt duhet t’i japin prioritet, roleve që janë “determinime gjinore”, që lidhen me identitetin e tyre seksual, apo roleve sociale, që lidhen me to si qënie sociale dhe politike, që kanë të drejta të barabarta me burrin? Si duhet të sillen ato dhe çfarë qëndrimi duhet të mbajnë për “detyrimet jetike” të tyre? Kë duhet të vlerësojnë më shumë martesën dhe fëmijët, apo punën, të ardhurat, karrierën profesionale?

Autori mendon se duhet të njohim dhe të pranojmë sociologjikisht të vërtetat që kanë filluar të shfaqen në raportet që femrat tona kanë sot me veten, familjen dhe shoqërinë, për të njohur pozitën e tyre të vështirë, të vendosur nga koha në “trekëndëshin” e dëshirave të tyre për karrierë, martesë dhe familjen. Një “trekëndësh social” i vështirë, në mes të së cilës është femra që ka dëshirë t’i realizojë të gjithë “rolet” biologjike dhe sociale, por që realizimi i tyre në praktikë nuk është i lehtë, nuk bëhet pa vështirësi dhe pengesa, qoftë të natyrshme, por edhe artificiale.

“Tirana Composition Academy”, mirupafshim në edicionin e dytë!

Në  datën 22.11.2019 Orkestra Simfonike e RTSH-së “Nderi i Kombit” do të vijë para publikut e drejtuar nga dirigjenti anglez Jonathan Bloxham dhe solist në violinë Benjamin Baker nga Zelanda e Re.

Në program janë:

Thoma Simaku – The Scream – për orkestër harqesh – Premierë në Shqipëri
Edward Elgar – Koncert për violinë Op. 61 në si minor
Dmitri Schostakovich- Simfonia Nr. 5 Op.47 në re minor

Koncerti do të organizohet pranë sallës “Iliria” të hotelit “Mak” Albania në Tiranë.

Vetë kompozitori Simaku nuk e fsheh gëzimin për këtë koncert ku do të interpretohet vepra e tij.

Për ndjekësit e tij ai shkruan: “Mbas kaq shume vitesh jam i lumtur që do të kem rastin të dëgjoj orkestrën e RTSH-së, e cila  do të japë premierën shqiptare të veprës sime të fundit ‘THE SCREAM’, në drejtimin e dirigjentit anglez Jonathan Bloxham”.

Ky koncert  vjen disa ditë pas “TIRANA COMPOSITION ACADEMY” 2019 ku kompozitori Simaku ishte themelues dhe aktor kryesor i saj. Në ditën e fundit të Akademisë ai shprehej:

 

 

Sot dita e fundit e TIRANA COMPOSITION ACADEMY 2019! Një kënaqësi e veçantë që na u dha mundësia të shkëmbenim mendime dhe përvojën  me kompozitorë të rinj shqiptarë në këtë aktivitet të parë të këtij lloji në Shqipëri.

Falënderoj së pari instrumentistin e shkëlqyer nga Parisi Jérôme Comte për përkushtimin e jashtëzakonshëm në përgatitjen dhe interpretim e pjesëve të reja të kompozitorëve të rinj nga Shqipëria dhe Kosova!

Falënderoj Ministrine e Kulturës, Akademine e Shkencave dhe Ambasadën Franceze në Tiranë për mbeshtetjen që i dhanë këtij aktiviteti mjaft të  rëndësishëm për të ardhmen e muzikës së re shqiptare! All good things come to an end, por jam i bindur që është vetëm fundi i një fillimi të mbarë!! Mirupafshim në edicionin e dytë”, mbyll postimin e tij kompozitori Thoma Simaku.

Edicioni i parë i “Tirana Composition Academy” lindi pas përpjekjesh për vite për ta realizuar një projekt të tillë.  Kjo nismë lidhet me synimin për të zgjeruar hapësirat për krijuesit e rinj shqiptarë që vijnë nga të gjitha trevat shqipfolëse.

 

 

Në këtë edicion kompozitori Simaku ishte bashkë me klarinetistin francez Jerome Comte njëherazi edhe solist i formacionit “Ensemble Intercontemporain” të Parisit.

Për disa ditë me radhë  të dy profesorët  Simaku dhe Comte respektivisht nga Universiteti i Jorkut në Britani dhe Konservatori i Parisit në Francë ndanë me kompozitorët e rinj leksione, trajnime dhe seminare mbi teknikat bashkëkohore të  kompozimit.

Akademia e Kompozicionit të Tiranës erdhi me  ndihmën e Ministrisë sonë  të Kulturës, Ambasadës Franceze në Tiranë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë,  Akademinë e të Rinjve.

Aktiviteti u mbajt në mjediset e Akademisë së Shkencave në Tiranë.

Shpresojmë që kjo Akademi e ideuar dhe e realizuar me kontributin e rëndësishëm të kompozitorit Thoma Simaku i cili përbën krenarinë kombëtare në fushën e kompozicionit bashkëkohor të jetë e përvitshme dhe jetëgjatë!

Këtu përfitimin e madh do ta kenë studentët e rinj të cilët do të kenë mundësinë të ndikohen nga muzika dhe përvoja më e mirë e kohës.