VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Më 8 prill 1973 u nda nga jeta Pablo Picasso, piktor, skulptor, një nga artistët më të shquar të Shekullit XX

By | April 8, 2019

Komentet

PIKTORI SHQIPTAR I PARISIT PROFESOR SADIK KACELI – Nga Fritz RADOVANI

 

SHQIPNIA – NJË COPË TOKË E VOGEL ME BURRA TË MËDHAJ E TRIMA !

E një nder Ata Burra të vertetë ishte edhe Piktori ynë i njohun, Prof. Sadik KACELI.

E njoha ma afer kur unë në vitin 1960 vazhdova Liceun Artistik me korespondencë…

Jo vetem Mësues dhe edukator, po një prind i vertetë per ata që e kanë njoh. Ai ishte nder Shqiptarët ma të daltuem dhe të formuem nga kultura Perëndimore, që Parisi e kishte veshë perjetsisht me fildishin e artit të bukur të pikturës së vet shekullore…

Nuk dij ndonjë rasë në jeten time që tue bisedue me Prof. Kacelin, të kemi mbajtë doren në xhep ose, të kemi harrue se jam me dijetarin e vertetë t’ Arteve figurative. Kishte një dhimbje të madhe në Shpirtin e Tij kur fillonte me bisedue per Shkodren, e kryesisht per piktorët e saj të pavdekshem Kol Idromeno, Simon Rrota, Ndoc Martini e Zef Kolombi.

Nder bisedat e Prof. Kacelit gjithnjë dominonte saktësia e mendimit gja që, tregonte përgatitjen e Tij kulturore dhe formimin e Tij Shpirtnuer të një Atdhetari të saktë.

Lexova nga Prof. Oltsen Gripshi një material mjaft të plotë per Prof. Kacelin, ku nder tjera shpjegon: “Dëshmi e këtij interesi për lëvrimin e peizazhit, artisti e shfaq në pikturimin e një serie të konsiderueshme peizazhesh me teknikën e bojërave të vajit nga Parisi dhe Franca, si: “Notre Dame”, “Collioure”, “Catedral de Chartres”, duke vijuar në vitet pas rikthimit nga Parisi në Shqipëri me përjetësimin e shumë këndeve, fushë pamjeve, atmosferave dhe freskive nga peizazhi shqiptar që aq shumë e dashuroi.”

“Notre Dame e Parisit” ishte “ndoshta” një vegim i perjetshem per Prof. Kacelin, që i dukej e zhdukej nder të gjitha veprat e Tij të mëdha artistike, tue mos perjashtue kurrë Atdhetarizmin e theksuem në Shpirtin e formuem, të cilin e kujtonte me dhimbje dhe therje në zemer, kur para 40 e sa vitesh… Prof. Kaceli, mjaft i moshuem kishte shkue gjoja me pa hidrocentralin e Vaut të Dejës, dhe me atë rast i ishte ngjitë kodres së Asaj Kishës së Shen Mërisë Shqiptare, ku ishte kunorzue Kastrioti… E rrafshueme pertokë nga ateistë antishqiptarë, a aty kishte puthë gurtë ku ka shkelë Gjergji me Doniken…

Ju mbushen sytë me lot Profesorit, kur më foli per copat e afreskut të shkrryem në baltë!

            Melbourne, 20 Prill 2019.

 

Portret me bojna vaji i Piktorit Sadik KACELI

Gjenevë: Një trio inter-kulturale për integrimin Nga Enriketa Kalldremxhiu Barbey

Marco Zappa: cantautor
Mimoza Nazarko : këngëtare lirike
Ilir Kryekurti: baterist

U desh një ditë nëntori që të tre muzikantët: dy shqiptarë dhe një tiçinez të gjendeshin së bashku në Gjenevë. Nga ky takim një «bebe» lindi. Me përkrahjen e pakursyer të Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës iu mjaftuan vetëm pesë muaj për të «ngritur më këmbë beben» e tyre. Dhe erdhën këtë 6 prill përpara publikut gjenevez me beben të burrëruar e të bukur, për të çuar hov zemrat e shqiptarëve të Gjenevës, për të zgjuar kujtimet dhe emocionet e fjetura, siç do shprehej një spektatore.

Ajo pjesë publiku paksa sqimatare gjeneveze që pati fatin të ndodhej në këtë koncert, mundi të shijonte këtë bashkëpunim zvicerano-shqiptar me repertor të gjërë këngësh shqiptare, italiane, franceze dhe angleze. «Respekt dhe mirënjohje për vendin ku jetojmë, Zvicrën, që na mundëson ruajtjen dhe pasurimin e kulturës sonë në bashkëveprim me kulturat e tjera», do të shprehet Mimoza.

Në homazh të artistëve shqiptarë që kanë lenë gjurmë në historinë e muzikës shqiptare, koncerti çelet me «Valsin e lumturisë» për të mbushur sallën me zërin e fuqishëm të Mimozës me timbrikën e saj të kthjellët. Marco, që komunikon në frëngjisht me publikun frëngjisht-folës të Gjenevës, shpjegon fillesën e orkestracionit të tij për «Kur bie fyelli e çiftelia». Admirues i artistes sonë të madhe Vaçe Zela, ai sjell një orkestrim origjinal e të personalizuar (ndihet «vula» Zappa). Së pari donte ta këndonte në qytetin e artistes, Lushnjë (në shenjë homazhi për Të). Rrethana teknike nuk ia ofruan këtë mundësi. Por kjo nuk pengoi këngën të merrte «rrugën» e për t’u kthyer në një hit. Suksesi i saj është përherë i padiskutueshëm: së pari për adhurimin që publiku shqiptar ushqen gjithmonë për Vaçen e madhe, së dyti, edhe respekti që Marco i imponon publikut me personalitetin e tij muzikor e human. Në variantin e koncertit tonë, në të ndërthuren bukur teksti shqiptar-italian-francez, që provokon një emocion më vete.

Tre perla të Ardit Gjebresë të fillim-viteve ’90, kur ai i fali skenës shqiptare «Projekt Jon» album-kult i kohës, që lidhi aq bukur influencën e muzikës tradicionale shqiptare me tingujt e instrumentave ballkanikë e mesdhetarë, prekur edhe nga tendencat e kohës së muzikës internacionale, duke sjellë hite rock e pop do vijnë në këtë koncert me të njëjtën ndjeshmëri, modernitet e bukuri nga tre artistët tanë. Tre perlat janë: «Ja ku jam», «Të kam shpirt», «Xhixhile».

Vend i është lenë edhe këngës «Fshatarja ime» të Sabri Fejzullahut, mbështetur në intonacionet popullore dhe e sjellë në variant pop-folk, si dhe repertorit tjetër kosovar: «Molla», «Moj bjondinë», «Zotëria juaj».

Punë të bukur dhe profesionale kanë bërë artistët. Për të paraqitur atë repertor të zgjedhur me kujdes të veçantë, për të prekur trevat e muzikës shqiptare me repertor nga Shqipëria si edhe nga Kosova, me një ritmikë të rrjedhshme emocionale. Këngët franceze dhe angleze, nuk mungojnë gjithashtu. Por këngët e Marcos qenë ato që i veshën kryekëput tisin e bukurisë koncertit. Marco ka një karrierë muzikore pas tij, që e kalon gjysmën e shekullit. Tre këngët e tij të koncertit në duo me Mimozën « La Rondine », « Attimi » dhe « Che sia il caffè » kërkuan jo pak punë që të vinin në publik me përkthime e harmoni tri-gjuhësore: italisht-shqip-frëngjisht. Ai është tepër kërkues. Qëllimi i vetëm: komunikimi dhe afërsia e artistëve me publikun. Pastaj, ai këndoi në të gjitha këngët shqip me Mimozën, gjë që i shtoi akoma më shumë sharmin këtij koncerti.

Publiku jetoi nën ritmin e artistëve : herë-herë duke kërcyer e kënduar nën tingujt e këngëve ritmike dhe intensive, herë-herë në heshtje përpirëse, për të admiruar romantizmin dhe muzikalitetin e Marcos e Mimozës, kombinimin absolut të të dy zërave të tyre.

Marco cantautor, multi-instrumentist nuk ndalet vetëm në interpretim. Inteligjenca e tij emocionale, idetë e tij multi-kulturale, shpirti i tij i hapur ndaj të gjitha kulturave i japin atij këtë dimension shumë ngjyrësh artistik, shoqëruar me një energji të pashtershme. «  Nuk mund të ndjeja lodhjen time me zhvendosjet nga Gjeneva ku jetoj, në Lugano për prova », thotë Mimoza. « Kur shihja Marcon, dashurinë dhe respektin e tij për këngët shqiptare, orkestracionet tona, energjinë e tij, me të cilën na i kalonte ne dy të tjerëve, lodhja më fashitej dhe në vilën e tyre familjare, më dukej se ndodhesha në Pogradecin e Elenës, gruas së Marcos ».

Dy shokë fëmijërie, Mimoza e Ilir, që kanë ndarë jetën e tyre artistike nëpër festivalet e Shqipërisë, Teatrin e Estradës së Tiranës dhe koncerte jashtë Shqipërie, së bashku me gjysmë-shqiptarin zviceran (jam nga fshati i gruas, themi ne), bëhen kjo urë lidhëse midis vendeve, midis kulturave, duke përcjellë mesazhe të forta harmonie dhe bashkëpunimi të dimensioneve universale.
Do përmblidhja këtë koncert me fjalët e një spektatoreje: «…sa emocione të bukura na përcollët, me treshen tuaj – një sintoni e vërtetë», për të vazhduar me një tjetër spektatore po aq të nderuar «Duhet ta vazhdoni këtë bashkëpunim».

Sa më shumë koncerte të tilla cilësore, sa më shumë emocione të bukura, artistët tanë!!!!

 

 

 

DJALOSHI ME PIPË I MINISTRISË SË BRENDSHME – Nga AVNI DELVINA

Edhe grafikave te mia po ju vjen fundi, sepse nuk po harmonizohen me menyren dhe betejen per demokraci ashtu siç shpresoja dhe enderroja une si artist….. Ne protesta po perdoren foto, parrulla, dhe elemente te tjere, te cilat nuk i kalojne kufijte e vendit tone dhe nuk internacionalizohen ne mediat dhe shtypin e huaj ne masen qe duhet….
A e imagjinoni dot protesten e Banoreve te Lumit, me foto te medha te Djaloshit me pipe te Picassos, te interpretuar me Ministrin e Brendshem, se çfare efekti do te kishin ne shtypin nderkombetar !!!!!!!!!!!!!!
A do te kishte agjensi lajmesh qe nga Afp e deri tek Reuters qe nuk do ta publikonte kete foto !!!!!

Ndersa vazhdohet me mjete banale te konsumuara dhe pa emocione………….. Ka vetem nje shprese per fitore : LLESHI DHE PICASSO se bashku !

 

Më 8 prill 1973 u nda nga jeta Pablo Picasso, piktor, skulptor, një nga artistët më të shquar të Shekullit XX

Pablo Ruiz Picasso (sqt. Pablo Ruis Pikaso) lindi më 25 tetor 1881 më Málaga; vdiq më 8 prill 1973 në Mougins, Francë. Ishte piktor, projektues grafik dhe skulptor spanjoll. Konsiderohet si njëri nga artistët më të rëndësishëm të shekullit XX. Ka punuar më shumë se 15.000 piktura, vizatime, grafika, plastika dhe qeramika. Bashkë me Georges Braque themeloi Kubizmin. Plot 41 vjet më parë, në 8 prill të vitit 1973 vdiq piktori spanjoll Pablo Picasso, pionier i kubizmit. Duke refuzuar të kthehet në Spanjë gjatë regjimit të Frankos, ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Francë. Veprat e tij më të shquara janë “Zonjushat e Avinjonit” dhe ” Guernika “. Shpesh herë punët e Pikasos kategorizohen në periudha, emrat e të cilave janë bërë edhe objekt debatesh. Periudhat më të pranueshme janë: periudha blu 1901-1904, periudha rozë 1905-1907, periudha e influencës afrikane 1908-1909, periudha e kubizmit analitik 1909-1912 dhe e kubizmit sintetik 1912-1919. Ndoshta pak e dinë që emri i vërtetë i piktorit është Pablo, Diego, José, Francisco de Paula, Juan Nepomuceno, Maria de los Remedios, and Cipriano de la Santísima Trinidad. Pasi studioi për arte në Madrid bëri udhëtimin e parë në Paris në vitin 1900, në kryeqendrën e artit botëror.

Atje banoi me Max Jacob një gazetar dhe poet që e ndihmoi të mësonte frëngjisht. Përgjithësisht Pikaso punonte natën dhe flinte ditën. Ishte një kohë varfërie dhe të ftohti dhe shumë prej punëve të tij u dogjën për të ngrohur sado pak dhomën. Një vit më vonë, së bashku me mikun e tij themeloi gazetën “Arte Joven” në Madrid. Edicioni i parë u ilustrua i gjithi prej tij. Prej asaj dite nisi t’i nënshkruante veprat e tij vetëm “Picasso”. Në vitet e parë të shekullit të 20-të e ndante jetën mes Parisit dhe Barcelonës, kur nisi edhe një marrëdhënie me Fernande Olivier, me të cilën u bë objekt i shumë faqeve rozë në gazetat e kohës. Pasi fitoi famë dhe pak pasuri, Pablo Picasso e la Olivier për Marcelle Humbert, të cilën ai e thërriste Eva. Dashurinë për të ai e shprehu në shumë prej veprave të tij kubiste. Miqtë e tij të asaj kohe ishin André Breton, Guillaume Apollinaire dhe Gertrude Stein. U martua dy herë dhe pati katër fëmijë me tre gra. Në 1918 u martua me balerinën Olga Kholhlova, e cila e integroi piktorin në shoqërinë e lartë.

Por jeta e tyre ishte një luftë e vazhdueshme. Jeta e lartë që dëshironte Olga binte ndesh me jetën boheme të piktorit. Gjatë kësaj kohe pati edhe një lidhje të fshehtë me 17- vjeçaren Maria Therese Walter. Gjithsesi qëndruan ligjërisht të martuar deri në vdekjen e balerinës në vitin 1955. Fotografja dhe piktorja Dora Maar ishte gjithashtu një shoqe dhe e dashur konstante e Picassos. Pas çlirimit të Francës pati një tjetër lidhje me një studente të re arti Françoise Gillot, me të cilën pati dy fëmijë. Ajo u nda prej tij për tradhti. Më tej pati të tjera të dashura edhe pse në një moshë të thyer. Gjatë luftërave ai mbajti një qendrim neutral, duke refuzuar të luftojë në njërën, apo tjetrën anë. Edhe pse nuk e komentonte asnjëherë një gjë të tillë, e grishte ideja e të qënurit pacifist

Prizreni, qyteti i filigranit!

Sekretet e punimit të Filigranit janë ruajtur gjeneratë pas gjenerate në qytetin e Prizrenit.

Në vitet 1980, tregtia e filigranit lulëzoi. Në ato kohë në Prizren kishte 150 deri në 200 artizanë.

Ky zanat i ka dhënë shumë famë Prizrenit gjatë shekujve. Nuk ka një datë të saktë se kur shqiptarët në Kosovë filluan të punojnë me argjend, por historianët thonë se kjo ndodhi ndoshta dikur në shekullin e 18-të.

Familja e Nue Gjinit është ndër ta. Ata punonin shumë, por gjithashtu shisnin shumë, sidomos turistëve në bregdetin kroat.

Shumë artizanë nga Prizreni u larguan nga qyteti dhe u transferuan në Dubrovnik, në Kroaci, ku gjetën biznes më të mirë.

Tani ka vetëm 10 familje ndoshta edhe më pak, që kanë mbetur të punojnë ende argjendin në Prizren e Nue Gjoni është më i riu ndër mjeshtrit e Filigranit.

“Me artin e filigranit unë merrem që prej moshës 8 vjecare, unë jam gjenerata e katërt si mjeshtër që merrem me këtë punim, e kam trashëguar prej babës, baba prej gjyshit, gjyshi prej stërgjyshit e kështu me radhë”, thotë Gjini.

Emri Filigran rrjedh prej dy fjalëve latine “filio di grana” që do të thotë tel edhe kokërr d.m.th ky art bëhet prej telave dhe kokrrave, materiali në shumicën e rasteve është argjend, por ka mundësi edhe me ari dhe bakër por ato janë punime janë shumë të rralla.

Punimet e Filigranit daton që nga koha ilire ku shihen disa vathë, byzylyka që edhe sot bëhen me argjend. Këto materiale punohen kryesisht me dorë.

“Faza e parë është kur merret materiali i papërpunuar në këtë rast argjendi, shkrihet, bëhen disa tela pak më të trashë, masnej është faza e dytë kur teli fillon të hollohet deri në disa milimetra, deri dy ose tri milimetra, por gjithcka bëhet prej telave të hollë”, ka treguar më tej Gjini.

I gjithë sekreti i kësaj mjeshtrie janë pincetat, me të cilat kryhet e gjithë puna

“Të vetmet mjete të filigranit janë këto, pincetat, gjithcka bëhet me këto”, tregon ai.

“Është traditë familjare dhe e kam pasë qef kur i shifsha tu punu babën e gjyshin ku prej dicka shumë të vogël qet dicka shumë të madhe e shumë të bukur , të lind nifar dëshire me bë edhe ti atë, që po e bëjnë edhe ata”, shton Gjini.

Gjini është një nga argjendarët e paktë që kanë mbetur në Prizren, të cilët ende e njohin dhe praktikojnë artin e filigranit, një lloj bizhuterie tepër delikate që bëhet me fije në formë fjongosh, rruaza të vogla dhe fije të përdredhura.

Nue Gjini thotë se dëshirën e punimit të artizanëve të filigranit do të mundohet ta mbjellë edhe në gjeneratat që vijnë pas tij.

“Gjenerata e gjyshit tim kanë qenë mbi 120 familje, vetëm në lagjen time, tash prej të rinjve nuk e njoh askë që e punon këtë zanat, ndoshta jam i vetmi, shpresoj që jo. Mendoj që ka me u trashëgu edhe në gjeneratat tjera, të pakten kam me insistu në këtë që më u trashëgu prap zanati, e nuk ka me humb”, ka treguar Gjini.

Ky art mbetet tepër i njohur në Azi, sidomos në Indi, por edhe në Afrikën e Veriut por është i rrallë në Evropën moderne e dita- ditës shumë më i rrallë në Kosovë./Prizrenipress

Florian Vlashi magjeps me violinën e restauruar të shek. XVIII të kompozitorit spanjoll Andres Gaos Nga Gëzim Kabashi

Foto e Florian Vlashit nga Victor Echave

 

Koncerti u organizua me rastin e “2019 – Viti Andrés Gaos”që përkon me 60 vjetorin e vdekjes së tij dhe të krijimit të “Fondacionit Gaos” nga Këshilli i Kulturës Galiciane dhe Universiteti i qytetit Santiago e Kompostelës. Ky universitet prestigjoz i vitit 1495 është nga më të vjetrit në botë.

 

Violinisti Florian Vlashi me violinen shekullore te Gaos

 

Violinisti  shqiptar Florian Vlashi dy net më parë ka interpretuar në sallën e Bashkisë të Santiago de Compostela, me violinën e kompozitorit spanjoll AndresGaos. Instrumenti i shekullit  XVIII i kompozitorit të shquar iu besua artistit 55-vjeçar FlorianVlashi, pas një periudhe të gjatë restaurimi.

Koncerti u organizua me rastin e “2019 – Viti Andrés Gaos”që përkon me 60 vjetorin e vdekjes së tij dhe të krijimit të “Fondacionit Gaos”  nga Këshilli i Kulturës Galiciane dhe Universiteti i qytetit Santiago e Kompostelës. Ky universitet prestigjoz i vitit 1495 është nga më të vjetrit në botë.

Florian Vlashi dhe pianisti  Julio de Mourenza interpretuan vepra të autorit Andres Gaos Berea (1874 – 1959), i cili ka lindur dhe ka kaluar një pjesë të jetës në Korunja, qyteti ku violinisti shqiptar jeton dhe punon prej vitit 1992.

“Violina dukej e mrekullueshme ne duart e Vlashit, të shoqëruar në mënyrë të shkëlqyeshme nga Julio Mourenza, në rikrijimin e shpirtit të Andres Gaos në tri veprat e tij të bukura dhe aspak të lehta-  shkruan sot në shtypin spanjoll “La opinión” kritiku Julio Andrades, duke nënvizuar: Romanca e bukur, Sonata e shkëlqyer dhe Habanera e këndshme, kjo e fundit ofrohet si një biss për entusiazmin që publiku mnifestoi pas koncertit”.

Andres Gaos është një nga personalitetetet e kulturës hispano-amerikane, i njohur si kompozitor i shumë veprave të ndryshme, nga muzika sinfonike, muzika edhomës si dhe veprave për piano dhe vokale. Ai ishte pedagog i muzikës, violinist dhe menaxher kulturor në Spanjë dhe në Argjentinë.

 

 

Prej shumë vitesh Florian Vlashi ka promovuar muzikën e kompozitorit spanjoll dhe“është i vetmi instrumentist që ka luajtur me të katërta violinat e tij” shkruan gazeta La Opinión  e së dielës. Në vitin 1999 artisti shqiptar regjistroi dhe publikoi CD “Andres Gaos- Integral per violin e piano”, të ardhurat e të cilit shkuan për Kryqin e Kuq Spanjoll si falënderim për kontributin në ndërtimin e kampeve për refugjatët kosovarë. Florian Vlashi është një nga instrumentistët më të vlerësuar në Spanjë me rreth 145 premiera absolute.

“Pa të muzika moderne në Galici nuk do të ishte ajo që është. Një instrumentist që beson në muzikën e re dhe në kompozitorët e vendit tonë”-ka shkruar për të një nga kompozitorët dhe kritikët e njohur spanjollë., Presidenti i Shoqërisë së Kompozitorëve të Galicisë, Paulino Pereiro,autori i veprës për violinë  “Sonata Vlashiane”.

 

Kur në luftën mes artistëve, përfshihen institucionet – Nga INA KOSTURI

Në ditët e sotme shpesh i kthehemi të shkuarës, tentojmë të hapim publikisht ato histori të errëta të sistemit të kaluar, ku personazhe të ngjarjeve, shpesh dramave janë vetë artistët, marrëdhëniet midis njëri- tjetrit. Cudia e frikshme e dosjeve të dikurshme pasohet nga ligësitë e sotme, shfaqur me format moderne të një sistemi të lirë, që ashtu si dje mundohemi ti mbajmë në heshtje nga fisnikëria, a ndoshta si trashëgimi nga e shkuara. Është absurde të mendosh se ndryshimi i sistemit solli dhe ndryshimin e marrëdhënieve në art midis njerëzve. Ambicja, cmira, ligësia në art kanë ekzistuar dhe ekzistojë përtej çdo sistemi, në çdo kohë.

Tranzicioni shqiptar vetëm zëvendësoi, sofistikoi mjetet, ndonëse në thelb ruajti deri diku të njëjtat metoda, atë të frikës dhe heshtjes. Në momentet kur këto forma kalojnë limitet e një lufte të vockël momentale midis artistëve dhe shndërrohen në probleme serioze ku përfshihen institucione, pushtete, cënohen interesa, atëherë problemet janë më të rënda. E shkuara e socializmit të ndryshkur, midis trashëgimive na kë lënë dhe këtë teatër ” rrugaç” do e quaja, në të cilin detyrohesh të japësh shfaqje dhe kur nuk ke dëshirë të jesh personazh. Koha e sotme të jep mundësinë të përpiqesh, të krijosh për profesionin, të regjistrosh në gjykatë një shoqatë dhe në rastin më të thjeshtë të marrësh pak fonde në institucionet shtetërore, shuma këto të paparfillshme, me qëllim vetëm organizimin e aktiviteteve dhe sigurimin e interpretimit në skenë, domosdoshmëri e profesionit që ti ushtron si pedagoge e artiste.

Kjo procedurë brenda ligjit, e ekzistencës si organizatë jofitimprurëse ngjall ndoshta zili në rrethin e muzikantëve, ndonëse për një periudhë 5 vjeçare ndoshta nuk arrin të fitosh asnjë projekt. Në momentin kur kjo shoqatë penalizohet padrejtësisht me 10 milion lekë të vjetra gjobë, gjobë e sajuar do e cilësoja, pasi Drejtoria e Apelimit e cila mori nw shqyrtim çwshtjen me shfuqizimine aktit objekt ankimi administrativ mbi detyrimet tatimore nr 44340 1046 tregon se gjobat u vunw padrejtwsisht. Me kaq gjobë do acarohej e tronditej çdo biznes, i madh e i vogël fitimprurës, e theksoj . Ky është vetëm preludi i një dosjeje moderne . Kur kësaj shoqate pas pak kohësh i bllokohet tre herë llogaria bankare pa asnjë njoftim, kur i njëjti drejtor i taksave vendore firmos dy vendime i pari datë 21.12.2017 prot 234983 ku citohet se subjekti ka likujduar detyrimet dhe te tjetri që vjen pas një viti datë 3.12.2018 prot 271470 cilwsohet debitor për vitet e kaluara 2015, 2016, 2017 atëherë kupton se e gjitha nuk është as rastësi as koinçidencë. Sa herë duhet tw kalojnw ato thërrime fonde koncertesh, llogaria e shoqatës bllokohet, ndonëse në bankë të japin shkresën absurde të bllokimit, ku midis 50 subjekteve që do bllokohen shoqata nw fjalw mban nr 60 !!! Pas penalizimeve të shoqatës qëndrojnë koncertet, reputacioni si artist.

Vret mendjen ta kuptosh si ndodh diçka e tillë dhe paritmas shikon se fillojnë me rradhë të anullohen të gjitha koncertet, në të njëjtën mënyrë, me të njëjtën këmbëngulje. Pra kupton se e keqja vjen nga rraca e jonë e muzikantëve. Nga eksperiencat të kujtohen ankesa të shkuara, njerëz që kanë rendur në ministri kur ke marrë me votim unanim të artistëve më të mirë shqiptarë me ligjin e ri të arsimit të lartë titullin Profesor i asociuar. Po revanshi nuk ndalet, e ndërsa hesht nga fisnikëria e dëshira për të vazhduar rrugën tënde, çudirat nga gjoba e tatimeve afrohen fare pranë, lëvizin në tw njëjtin institucion . E kur ky institucion ka një qëllim më të lartë e fisnik se çdo ambicje mjerane, se budallallëku i kujtdo, se për ta fituar atë vend të është dashur të studiosh një jetë, të luftosh për tu punësuar si pedagog i brendshwm si rrallëkush, të çash ca dyer të mbyllura për shumë breza violinistwsh, se konkursi yt i punësimit zgjati tre ditë ndonëse kishe dy diploma, cv të shkëlqyer, se një avokat të ndoqi në 24 seanca gjyqësore vetëm për të hapur një konkurs që e kishe të fituar se ligji kërkonte detyrimisht titullin Profesor i asociuar që e kishe vetëm ti të regjistruar në Ministrinë e Arsimit, gjithë kjo mjafton e tepron për ti thënë Stop me forcë kujtdo që guxon të trazojë studentët. Atëherë boton një status në facebook , prapë butë kur je mësuar prej 15 vitesh të botosh artikuj kritikë në shtypin e shkruar, duke kërkuar që kjo poshtërsi të mbarojë sa më parë. E atëherë fillon historia e vërtetë, personazhet e socializmit dalin nga librat romanet, dramat e shfaqen ashtu zbuluar në mjerimin e dikurshëm me forcën e sotme, me fuqinë e nepotizmit me paratë e fondet që të huajt ndajnë që qytetarët të bërtasin ndaj padrejtësive, por që përdoren nga fisi për të plotësuar teka , kapriccio , absurditete.

Pas gjithë kësaj epopeje u shfaq dhe ankesa, tashmë e shkruar me mjetet moderne të kohës, zbukuruar me nene , ligje, kode, ku në vend të të dikurshmit ligj famkeq për agjitacion e propagandw cilwsoheshe si shkelwsw e legjislacionit fiskal si drejtuese e shoqatws e tërci e vërci…, ndërsa në vend të burgut kërkohej masë administrative… Aq shumë ishin trimëruar shqiptarët në tranzicion sa Ministrisë i lihej vetëm 10 ditë afat pwr tw vepruar ndaj njw statusi nw facebook, në të kundërt… Midis dhjetra çudive ankesa si mjet keqbërjeje ndaj tjetrit ishte një nga format më efikase, specifike që sistemi i barazisë stimulonte dikur. Kjo mënyrë të vepruari vazhdoi e pandryshuar dhe në tranzicionin e vështirë e ndonëse modernizmi përfshiu gjithë jetën, në thelb ankesat, letrat qw zwvwndwsuan anonimkat e dikurshme mbetën parfume shqiptare pa skadencë . Një skeç fëmijërie të vjen në mendje me frazën “ më jep një pelivan, të të jap një qen me lesh “.

E kështu si lodra janë koncertet që sigurohen në bashkitë e rretheve , bursat e përfitime të tjera , që bamirësja e muzikës i ndan pa drojë në këmbim që ndereve që përshijnw dhe absurdin e të bërit keq ndaj njërit e tjetrit. Sigurisht ky është një nga rastet që kanë ekzistuar e ekzistojnë ndonëse shfaqet fuqishëm e pa drojë, se ka një aleat të madh , atë të dikurshmin , heshtjen. Përtej personales faktet janë më të rënda se penalizmi i një shoqate, llogaria e të cilës do zhbllokohet sigurisht, më të rënda se ndalimi i një apo shumë koncerteve ndonëse të parët e mi në Korçë i ka vrarë nw e nuk i ka ndaluar dot greku të ushtrojnë veprimtarinë , e si gjithë shqiptarët kam të drejtë të shkel e të luaj në çdo teatër që nga Shkodra gjer në Vlorë. Kjo është dosja moderne e Shqipërisë që vajtoni çdo ditë se nuk bëhet, dashuria e servilizmi për pushtetin e dikurshëm është zëvëndësuar me makutërinë për para e lavdi. Mos qani me lot krokodili për dosjet e artistëve të së shkuarës, ato ishin tragjeditë shqiptare të parrëfyera, bëhuni trima e mos merrni pjesë në këto shfaqje mjerane mediokre !

Më 2 prill 1879 lindi Aleksandër Moisiu, aktor i shquar me prejardhje shqiptare

Aleksandër Moisiu ose Alexander, Alessandro Moissi ose Moisi, lindi më 2 prill të vitit 1879 në Trieste dhe vdiq më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë, ishte aktor austriak me origjinë shqiptare.[1]

Jeta

Moisiu lindi në Trieste, Itali. I ati ishte shqiptar nga Kavaja dhe e ëma ishte arbëreshe.[2] Në moshën 19 vjeçare shkon në Vjenë,[2] ku me ndihmën e Jozef Kainc iu përkushtua aktrimit. Më 1898 e nisi karrierën e vet si kompars (aktorë që luajnë rol të vogël) në Burgtheatër. Pastaj vijuan angazhime në teatër në Pragë dhe Berlin. Në Berlin Aleksandër Moisiu u pranua në seminarin e Max Reinhardt me të cilin shkoi në turne në Petersburg (1911). Atje u dallua për rolin e Edipit. Pas këtij suksesi ai u angazhua në shumë vende të Evropës dhe Amerikës Veriore.

Fusha e veprimit të Moisiut përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë”. Ai luajti po ashtu edhe rolet kryesore në premierat e pjesëve teatrale të Hauptmann-it (“Der weiße Heiland“), të Wedekind-it (“Frühlings Erwachen”) dhe të Hofmannsthal-it (“Jedermann”).

Në vitin 1920 ishte i pari që në Lojërat Festive të Salzburgut (Salzburger Festspiele) luajti rolin kryesor në “Jedermann”.

Moisiu vlerësohej shumë nga publiku i tij për shkak të zërit të tij të bukur si dhe për angazhimin e tij emocional. Ai llogaritej sidomos në vitet para fillimit të Lufta e Parë Botërore si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse. Në periudhën mes dy luftërave ishte shumë kohë në turne. Në Berlin aktronte në këtë kohë vetëm si mysafir. Stili i tij i aktrimit llogaritej këtu si i vjetëruar dhe nuk mund të matej më me zhvillimet teatrore si ai i ekspresionizmit, apo teatri politik i Brecht-it apo i Piscator-it.

Prej vitit 1910 e deri më 1935 mori pjesë në 10 produksione të filmave, 8 prej tyre ishin filma pa zë.

Në vitin 1935, pak kohë para vdekjes së tij, Moisiu kërkoi shtetësinë e Shqipërisë si dhe atë të Italisë. Shqipëria refuzoi këtë kërkesë, kurse Italia ia dha shtetësinë Moisiut, kur ai ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes.

Ai vdiq më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë. Ai është i varrosur në varrezat e komunës së Morcote-së, pranë qytetit Lugano në kantonin e Tessin-it në Zvicër.[2]

Moisiu sot adhurohet dhe respektohet sidomos në Shqipëri si një ndër aktorët më të mëdhenj të vendit, edhe pse ai që nga rinia e tij më nuk e vizitoi Shqipërinë. Shkolla e aktrimit në Tiranë, Universiteti i Durresit, Shkolla e mesme e pergjithshme në Kavajë dhe teatri i Durrësit e mbajnë emrin e tij.

Gruaja e tij Maria Moisiu ishte nga Vjena. Aleksander Moisiu është stërgjyshi i aktorit Gedeon Burkhard (ndër të tjera i njohur me rolin e tij kryesor në serinë “ Komisar Rex”).
Citate[redakto | përpunoni burim]

“Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë asnjëherë në skenën botërore të artit.” – Franc Kafka, shkrimtar i njohur botëror
“Hamleti është shkruar për Moisiun dhe Moisiu ka lindur për të interpretuar Hamletin, vetë ai.” – Max Brod
“Unë gjeta te Moisiu aktorin e vërtetë që kërkoja.” – Max Reinhard, regjisor dhe reformator i skenes gjermane
“Nepermjet interpretimit te rolit te Hamletiti, Moisiu fitoi dashurine e shikuesit francez.” – Andre Antuan, reformist i teatrit francez

Filmografia

“Das Schwarze Los”, 1913
“Die Augen des Ole Brandis”, 1913
“Kulissenzauber”, 1915
“Sein einziger Sohn”, 1915
“Pique Dame”, 1918, me Johanna Terwin
“Der Ring der drei Wünsche”, 1918
“Erborgtes Glück”, 1919, me Käthe Dorsch
“Der Junge Goethe”, 1919, me Käthe Dorsch
“Zwischen Tod und Leben”, 1919, me Maria Zelenka
“Figaros Hochzeit”, 1920, Figaro, me Hella Moja, Eduard von Winterstein, Vera Schwarz, Gertrude Welcker
“Die Nacht der Königin Isabeau”, 1920, mit Fritz Kortner,
“Kean”, 1921, Kean, me Camilla Horn
“Die Königsloge”, 1929, Edmund Kean, me Camilla Horn
“Lorenzo de Medici”, 1935

Literaturë

Vangjel Moisiu: Alexander Moissi – Biografia në gjuhën gjermane, Tiranë 1980
Rüdiger Schaper: Moissi. Triest, Berlin, New York – Eine Schauspielerlegende. – Berlin: Argon 2000

Shiko edhe

Durrësi
Universiteti Aleksandër Moisiu

Referenca

^ Schaper, Rüdiger (2000). Moissi.: Triest – Berlin – New York. Eine Schauspielerlegende (në gjermanisht). Argon Verlag. f. 42. 978-3-87024-513-9. Marrë më 1 nëntor 2013.
^ a b c Elsie, Robert (19 mars 2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Scarecrow Press. f. 309–310. 0-8108-6188-7. Marrë më 10 mars 2019.

Burime

Biblioteka Kombtare
Rüdiger Schaper (2000). Moissi. Triest, Berlin, New York. Eine Schauspielerlegende (në gjermanisht). Berlino: Argon. 3-87024-513-1.
Hans Böhm, red. (1927). Moissi. Der Mensch und der Künstler in Worten und Bildern (në gjermanisht). Berlino.
Vangjel Moisi (1980). Alexander Moissi (në gjermanisht). Tirana: Verlag 8 Nëntori. (Biografia në gjermanisht).

Lidhje të jashtme

Qendra e inegrimeve kulturore “A.Moisiu”

Albumi i Piktorit – Avni Delvina: REFORMA NË DREJTËSI MARSHON NGA FITORJA NË FITORJE…..

VOAL – Po sjellim grafikën e piktorit të shquar Avni Delvina “Reforma në drejtësi marshon nga fitorja në fitorje…”

Piktori, në faqen e tij në facebook, e ka shoqëruar me shënimin Vetem ata qe e kane mendjen tek pjesa qe mbulon koka e Leninit, nuk i shikojne keto arritje madheshtore…..”

Më 30 mars 1746 lindi piktori gjenial spanjoll Francisco Goya

Francisco José de Goya y Lucientes ka lindur në Fuendetodos, një fshat i vogël në Aragon pranë Zaragozës, më 30 mars 1746. I katërti i gjashtë vëllezërve, ai është djali i një mjeshtri gilder (i përket një familje që i të borgjezisë së vogël), ai ndjek për disa vite studion e piktorit José Luzán Martínez.

I magjepsur nga piktura e Tiepolos, e njohur në Spanjë, më 1769 ai vendosi të largohet për në Itali. Ai u kthye më vonë në atdheun e tij dhe u vendos në Zaragoza, ku mori porosinë e rëndësishme për disa afreske për Bazilikën del Pilar. Falë mbështetjes së vëllezërve të tij, piktorëve Ramon dhe Francisco Bayeu, më 1774 ai u caktua të realizonte dizajnin për veshjen mbretërore të Santa Barbaras, një punë që do të bëjë për një pjesë të mirë të jetës së tij.

E vitit 1777 është një nga veprat e tij më të famshme: El Quitasol. Më 1780 Goya u mirëprit si anëtar i Akademisë Mbretërore të San Fernandos. Në vitet në vijim bëri një cikël të pikturave me vaj me lojëra të fëmijëve, filloi t’iu kushtohet portreteve dhe në vitin 1784, bën për vëllain e mbretit një nga pikturat e tij më të rëndësishme: “Familja Infante don Luis”.

Në të njëjtën periudhë ai ka punuar edhe për Dukët e Osunës disa tema rurale për vendbanimin e tyre dhe disa portrete familjare.

Pasi krijoi “Livadhi i San Isidros”, një nga dizajnet më të suksesshme për dhomën e princit në Pardo, më 1789 ai mori emërimin si piktor i dhomës nga mbreti i ri, Charles IV i Spanjës. “Familja e Karlos IV” është një nga pikturat më të famshme të bëra në gjykatë.

Goya goditet nga një sëmundje shumë serioze që me kalimin e kohës do të çojë në shurdhëri: megjithatë, ai vazhdon të pikturojë portretet (“Dukesha e Albës”, 1795 dhe 1797), si dhe paqyrime të jetës popullore (“Vdekja e pikadorit” 1793), por edhe skena të para të çmendurisë, magjisë dhe torturës.

Më 1797 ai filloi të punonte në “Kapriçiot”, një seri regjistrimesh ku shprehu rebelimin e tij kundër të gjitha formave të shtypjes dhe bestytnisë me imagjinatë të madhe.

Disa prej personazheve më intensive të femrave – të tilla si “María Tomasa Palafox, marquise of Villafranca” (1804); “Isabel de Porcel” (1804-1805); “La maja vestida” (1800-1805); “La maja desnuda” dhe “Familja e Karlos IV” (portreti më i famshëm i grupit të tij) – të gjitha datojnë që në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Pushtimi i Napoleonit më 1808, ndëshkimet e egra dhe martirizimi i popullit spanjoll, lënë një shenjë të pashlyeshme në jetën e artistit, çka shprehet në gdhendjet e “Katastrofave të luftës” (1810-1820) dhe në dy piktura të famshme të vitit 1814: “2 Maj 1808” dhe “3 Maj 1808”.

Vepra “Kolosi” (El Coloso) daton gjithashtu në këtë periudhë, një pikturë që i atribuohet atij, e cila megjithatë u krijua ndoshta nga një prej studentëve të tij.

Në vitet në vijim, i turpëruar në gjykatë, Goya u tërhoq në shtëpinë e tij të vendit, “Quinta del Sordo”, duke mbuluar muret me të ashtuquajturat “piktura të zeza”, ankth dhe imazhe vizionare, ndër të cilat ne kujtojmë “Saturnin që gllabëron fëmijët e tij “. Më 1824 ai u nis për në Francë dhe u vendos në Bordeaux: këtu Francisco Goya vdiq më 16 prill 1828.

Veprat e tij të fundit janë “Qumështi i Bordosë” dhe një portret i nipit Mariano.

Më 28 mars 1985 u nda nga jeta piktori i shquar Marc Chagall

VOAL – Pavarësisht nga francezimi i emrit të tij, Marc Chagall (Mark Shagall) ishte piktori më i rëndësishëm që Bjellorusia kishte. Lindur në Liosno, pranë Vitebsk më 7 korrik 1887, emri i tij i vërtetë është Moishe Segal; emri rus do të ishte Mark Zakharoviç Sagalov, i shkurtuar si Sagal, i cili sipas transkriptit francez do të bëhej më vonë Chagall.

I lindur në një familje të kulturës dhe fesë hebraike, djali i një tregtari harenge, ai është më i madhi prej nëntë vëllezërve. Nga 1906 deri 1909 ai ka studiuar në Vitebsk, pastaj në Akademinë e Petersburgut. Midis mësuesve të tij është Léon Bakst, piktor rus dhe dizajner i vendosur, dijetar i artit francez (në 1898 themeloi grupin avangardë “Bota e artit” së bashku me menaxherin e dramës Diaghilev).

Kjo është një periudhë e vështirë për Chagallin sepse hebrenjtë mund të jetonin në Petersburg vetëm me një leje të veçantë dhe vetëm për periudha të shkurtra. Në vitin 1909, në shtëpinë e tij të kthimit të shpeshtë, ai takon Bella Rosenfeld, i cili do të bëhet gruaja e tij në të ardhmen.

Në 1910 Chagall u zhvendos në Paris. Në kryeqytetin francez ai njeh rrymat e reja në modë. Në veçanti ai i afrohet Fauvizmit dhe Kubizmit.

Duke hyrë në qarqet artistike të avangardës, ai frekuentoi shumë personalitete të cilët në Francë mbanin ambjentet kulturore duke ndezur: midis tyre ishin Guillaume Apollinaire, Robert Delaunay dhe Fernand Léger. Marc Chagall shfaqi veprat e tij në 1912 si në Salon des Indépendants dhe në Salon d’Automne. Delaunay e prezantoi atë te tregtari i Berlinit, Herwarth Walden, i cili në vitin 1914 përgatiti një ekspozitë personale për të në galerinë e tij “Der Sturm”.

Qasja e fillimit të luftës botërore sjell Marc Chagall përsëri në Vitebsk. Në vitin 1916 lindi, Ida, fëmija i tij i parë. Në qytetin e tij Chagall themeloi Institutin e Artit, prej të cilit do të jetë drejtor deri në vitin 1920: pasuesi i tij do të jetë Kazimir Malevich. Më vonë Chagall u zhvendos në Moskë, ku krijoi dekorata për teatrin e shtetit hebraik “Kamerny”.

Më 1917 ai mori pjesë në mënyrë aktive në revolucionin rus aq shumë sa që ministri sovjetik i kulturës e caktoi Chagall si komisionere të artit në rajonin e Vitebsk. Megjithatë, ai nuk do të ketë sukses në politikë.

Më 1923 ai u shpërngul në Gjermani, në Berlin, për t’u kthyer më në fund në Paris. Në këtë periudhë ai botoi kujtimet e tij në gjuhën jidisht, fillimisht të shkruara në rusisht dhe pastaj të përkthyer në frëngjisht nga gruaja e tij Bella; piktori gjithashtu do të shkruajë artikuj dhe poema të botuara në revista të ndryshme dhe koleksione – pas vdekjes – në formë librash. Në Paris ai u bashkua me botën kulturore që kishte lënë dhe u takua me Ambroise Vollard, i cili e porositi atë për të ilustruar libra të ndryshëm. Pak kohë kalon dhe në 1924 një retrospektivë e rëndësishme e Chagall ndodh në Galerie Barbazanges-Hodeberg.

Më vonë artisti bjellorus udhëton shumë, në Evropë, por edhe në Palestinë. Në vitin 1933 u organizua një retrospektivë e madhe në Zvicër në Muzeun e Arteve të Bazelit. Ndërsa në Evropë po dëshmojmë ngritjen e nazizmit në pushtet, të gjitha veprat e Marc Chagall në Gjermani konfiskohen. Disa prej tyre shfaqen në ankandin e mbajtur në Galerie Fischer në Lucern në vitin 1939.

Spektri i dëbimit të hebrenjve e çon Chagallin të vendosë të strehojë në Amerikë: më 2 shtator 1944, vdes Bella, shoqja e tij dashur, një subjekt i shpeshtë në pikturat e artistit. Chagall kthehet në Paris në vitin 1947 për t’u vendosur në Vence dy vjet më vonë. Shumë ekspozita, disa të rëndësishme, i dedikohen pothuajse kudo.

Ai u rimartua në vitin 1952 me Valentina Brodsky (të quajtur “Vavà”). Në këto vite ai filloi një seri të gjatë dekorimesh të strukturave të mëdha publike: në vitin 1960 krijoi një dritare xhami për sinagogën e spitalit Hadassah Ein Kerem në Izrael. Në vitin 1962 ai krijoi dritaret e qelqit me ngjyrë për sinagogën e Qendrës Mjekësore Hassadah, pranë Jerusalemit, dhe për katedralen e Metzit. Në 1964 ai bëri pikturat e tavanit të Operas së Parisit. Në 1965 ai krijoi pikturat e mëdha të murit në fasadën e Metropolitan Opera House në Nju Jork. Në vitin 1970 ai krijoi dritaret e qelqit me ngjyrë të korit dhe dritares së trëndafilave të Fraumünster në Zyrih. Pak më vonë është mozaiku i madh në Çikago.

Marc Chagall vdiq në Saint-Paul de Vence më 28 mars 1985, në moshën e nderuar të nëntëdhjetë e shtatë vjetësh.

 

Punimet të Chagall

Unë dhe fshati (1911)
Për Rusinë, gomarët dhe të tjerët (1911)
Vetë-portret me shtatë gishta (1912-1913)
Violinisti (1912-1913)
Gruaja Shtatzene (1913)
Acrobat (1914)
Hebrei në lutje (1914)
Portret i dyfishtë me një gotë verë (1917-1918)
Rreth saj (1947)
Kënga e këngëve II (1954-1957)
Rënia e Ikaros (1975)

Foto e Ditës, e javës e muajit dhe e vitit: Tre Mbretëresha të Skenës Shqiptare

Edi Luarasi posa ka postuar në faqen e saj në rrjetin social këtë foto të mrekullueshme, ku janë bërë bashkë tre Mbretëresah të skenës shqiptare: Edi Luarasi, Tinka Kurti dhe Roza Anagnosti.

Kjo foto është Foto e Ditës, e javës, muajit dhe e vitit sepse kombi shqiptar po jeton i mbytur në kënetën e dekulturimit nën një regjim kriminal, që shemb theatrot, poshtronartistët dhe që i përulet vetëm diktatorit mizor që e ka përçudnuar artin dhe botën shqiptare!