VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

50 Ushqimet më të shëndetëshme në Planet – që na sigurojnë jetëgjatësi, shëndet, rini dhe vitalitet

By | July 24, 2016

Komentet

Çajrat e lira me bustina? Në vend të çajit të malit, po konsumoni kimikate

Rreth 77% e çajrave të lirë të importuar nuk plotësojnë standardet Evropiane.

Çaji është një pijet më të përdorura në botë.

Sipas të dhënave më të fundit, të paktën 2 miliardë njerëz në botë pijnë çaj çdo mëngjes ndërkohë që 3 miliard ton çaj prodhohen çdo vit për konsum të përgjithshëm.

Varietet e çajit janë shumë të larmishme.

Ato organike siç është çaji shqiptar i malit, i rigonit të egër e të tjerë janë të shkëlqyer për tretjen, metabolizmin dhe parandalimin e disa sëmundjeve.

Në mungesë të tyre, shumë prej nesh mjaftohen me një bustinë çaji të lirë të paketimeve dhe markave të ndryshme.

Por jo çdo çaj është mirëbërës për shëndetin!

Çfarë përmban çaji me bustinë?

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të zbuloni detaje tronditëse të përmbajtjes së çajrave me bustinë që shiten në treg.

Në shtëpitë tona jemi mësuar që çajin e malit ta ziejmë direkt dhe më pas ta shijojmë me mjaltë e limon.

Megjithatë, çajrat modernë nuk kanë asgjë të ngjashme me këtë version çaji.

Shumica e kompanive botërore prodhuese të çajit promovojnë produkte që në pamje të parë supozohet të jenë plot vlera shëndetësore.

E vërteta është krejt tjetër.

Këto çajra janë të mbushura me pesticide, toksina, përbërës artificialë, aroma të shtuara dhe organizma të modifikuara gjenetikisht.

Çaji i Lirë Komercial Plot me Pesticide

A e dini se shumica e çajrave që përfundojnë në bustinë, nuk lahen përpara paketimit?

Kjo do të thotë se nëse gjethet e bluara të çajit janë spërkatur me pesticide, këto të fundit do të përfundojnë në filxhanin tuaj.

Një analizë e Glaucus Research mbi përmbajtjen e disa çajrave me bustinë zbuloi se shumë syresh përmbanin pestide të dëmshme në kundërshtim me normat e Bashkimit Europian.

Imagjinoni çfarë ndodh kur bustinat e mbushura me çaj me pestide zhyten në ujë të ngrohtë.

Sipas analizave, shumë çajra të njohur ndërkombëtarë përmbajnë të paktën 23 pesticide.

Kjo do të thotë se 77 përqind e çajrave të importuar nuk plotësojnë standardet Evropiane të importit.

62 përqind e çajrave të testuar përmbanin endosulfan, një pesticide e ndaluar nga Shtetet e Bashkuara, Kina, Bashkimi Evropian dhe 144 vende të tjera.

Kjo pesticide shkakton probleme me pjellorinë dhe dëmton shëndetin.

Një raport i Greenpeace publikoi së fundmi një raport mbi sasinë alarmuese të pesticideve që gjenden në çajrat e prodhuar në Kinë.

Raporti përmendi edhe shembuj të çajit që vinte nga Kina dhe sugjeronte konsumin ekskluziv të çajrave organikë.

Për më tepër, shumë çajra me bustinë mendohet të përmbajnë substanca të modifikuara gjenetikisht siç është niseshteja e modifikuar e misrit ose lecithina.

Përse ka rëndësi paketimi i çajit

Një artikull i publikuar tek ‘The Atlantic’ zbuloi se të gjitha bustinat që veshin çajin janë me material fijesh najloni.

Tek çajrat e lirë komercialë, këto substanca najloni shpërbëhen direkt sapo bien në kontakt me ujin e ngrohtë.

Është e lehtë për shqiptarët të shmangin dëmin që shkaktojnë kimikatet dhe aditivët e rrezikshëm të çajrave të lirë komercialë.

Çaji i malit, sherebela, rigoni i kuq, trëndafili i egër dhe shumë bimë të tjera mjekësore dhe aromatike shqiptare janë zgjedhja më e mirë dhe më e shëndetshme që mund të bëni./AgroWeb.org

Për rininë e lëkurës – Ushqimet që duhen shmangur

Infeksione bakteriale në fytyrë mund të shkaktojnë edhe probleme psikologjike.

Problemet me lëkurën nuk janë shqetësuese vetëm për aspektin fizik dhe paraqitjen e jashtme të njeriut.

Infeksione bakteriale në fytyrë mund të shkaktojnë edhe probleme psikologjike.

Aknet dalin më shpesh tek lëkurat e yndyrshme.

Ato shfaqen në grupmosha të ndryshme.

Tek nënat e reja, aknet shkaktohen si pasojë e ndryshimeve hormonale dhe stresit.

Këto infeksione bakteriale shfaqen edhe për arsye të tjera ku përfshihet: higjena , ndotja, stresi, nervozizmi dhe ushqyerja e keqe.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, ushqimet luajnë një rol shumë të rëndësishëm në shëndetin e lëkurës.

Hapi i parë drejt një lëkure të mirë e pa infeksione është përdorimi i vajit të ullirit në vend të yndyrnave të tjera në gatim.

Hapi tjetër është shmangia e ushqimeve pikante të cilat aktivizojnë gjendrat e yndyrës në lëkurë.

Nga ana tjetër, ushqimet e skuqura shkaktojnë jo vetëm dëmtim të lëkurës por edhe të mëlçisë.

Ushqimet Që Duhen Shmangur Për Një Lëkurë Pa Akne

Ushqimet E Përpunuara

Sipas informacioneve të AgroWeb.org, dermatologët këshillojnë shmangien e ushqimeve dhe lëngjeve të përpunuara, pijet e gazuara, patatet e skuqura, hamburgerat dhe patatinat.

Ata rekomandojnë mospërdorimin e acideve yndyrore Omega-6 që gjenden tek vaji i misrit, të cilat shkaktojnë inflamacion në lëkurë dhe përkeqësojnë aknet.

Gjalpi Dhe Margarina

Këto të dyja janë nxitëse të forta të gjendrave të yndyrës dhe shfaqjes së akneve.

Ekspertët rekomandojnë konsumin e frutave të freskëta dhe jo atyre të paketuara, të cilat përmbajnë karbohidrate dhe sheqer koncentrat që shkakton akne.

Vezët

Vezët shkaktojnë alergji në fytyrë, por jo tek të gjithë.

Për të kuptuar nëse ju jeni një prej tyre, jini të vëmendshëm ndaj konsumit të vezëve.

Në rastin e parë që vëreni shfaqjen e akneve, ndaloni së ngrëni të verdhën dhe më pas nëse situata përsëritet, mos hani më vezë.

Ushqime të tjera që duhen shmangur në të mirë të fytyrës janë ëmbëlsirat, të cilat përmbajnë jo vetëm vezë por edhe sheqer.

Zymbyli magjepsës – Si ta rrisni në shtëpi

Zymbyli është frymëzim i shumë krijimeve të bukura të foklorit shqiptar.

Zymbyli është frymëzim i shumë krijimeve të bukura të foklorit shqiptar.

Kjo lule natyrale arrin të magjepsë këdo. Ajo vesh me ngjyrat vjollcë dhe blu lëndinat dhe zonat pyjore të Shqipërisë.

Në foklor, zymbyli njihet si lulja e zanave. Legjenda thotë se nëse vendosni kurorë me lule zymbyli, do të ndiheni të detyruar për të thënë vetëm të vërtetën.

Zymbyli është simbol i përulësisë dhe shpesh i mirënjohjes. Kjo lule shpesh shoqërohet me simbolikën e dashurisë së përjetshme dhe qëndrueshmërisë.

Rritja e zymbylit në ujë është mënyra më e bukur për t’i dhënë shtëpisë suaj ngjyra dhe aroma nga më fantastiket.

Gonxhet e zymbylit kanë një aromë të mahnitshme ndërkohë që ngjyra e tyre me nuanca të rozës dhe vjollcës është krejt unike.

Zymbyli kërkon vazo me grykë të vogël sepse i mban lehtë dhe të bashkuar kërcenjtë mbi ujë ndërkohë që pjesa e poshtme shijon hapësirën dhe ujin për të cilat ka aq shumë nevojë.

Zhardhokun e zymbylit mund ta blini në tufa dhe ta rrisni në vazon përkatëse që të mbajë nën kontroll rritjen e lules.

Këto vazo me grykë të vogël dhe bazë të gjërë lejojnë rrënjët e lules të rriten në hapësirë dhe në ujë të bollshëm.

AgroWeb.org ju këshillon të mbushni vazon me ujë të mjaftueshëm që të arrijë deri tek pjesa e zhardhokut, por mos ta prekë atë.

Lini një hapësirë të konsiderueshme mes ujit dhe bazës së zhardhokut i cili nëse bie në kontakt me ujin ka tendencë të kalbet.

Pas pak kohësh, rrënjët do të fillojnë të dalin e të zhyten në ujë ndërkohë që zymbyli dalëngadalë do të lulëzojë.

Vazon vendoseni në një zonë të errët dhe të freskët deri sa rrënjët të jenë shpërndarë në ujë dhe sythat e bimës të kenë çelur pak. Ujin e enës duhet ta ndërroni dy herë në javë.

Vazoja duhet të ketë gjithnjë ujë të freskët në mënyrë që zymbyli të çelë plotësisht dhe plot bukuri.

Më pas, vazon transferojeni në një vend më të ngrohtë dhe me më shumë dritë. Momenti i duhur është kur gjethnaja e lules është 5 centimetra dhe rrënjët janë tejzgjatur deri në fund të vazos.

Zgjidhni vendin më të ndriçuar (por shmangni dritën e plotë të diellit) në shtëpi dhe lëreni zymbylin të lulëzojë plotësisht.

Zymbyli tërhiqet nga drita, ndaj rrotullojeni vazon çdo ditë që lulja të mos anojë në një drejtim të vetëm.

Pas dy javësh, zymbyli do të ketë çelur plotësisht. Keni kohë plot për të shijuar aromën e zymbylit dhe bukurinë e tij./AgroWeb.org

Pse kolla mbetet pas të ftohurës – Trajtimet natyrale që duhet të bëni

Ndjeshmëria e lartë e rrugëve të frymëmarrjes bën që edhe ajri i ftohtë ose edhe sasia më minimale e pluhurit të nxisë kollën.

Kolla është një simptomë shumë e zakonshme e të ftohurës.

Ajo është një instrument, nëpërmjet të cilit organizmi nxjerr jashtë sekrecionet e akumuluara në rrugët e frymëmarrjes.

Megjithatë, në shumë raste, edhe kur e ftohura ikën, kolla mbetet e shpesh vazhdon për shumë gjatë.

Ka njerëz të cilët nuk gjejnë paqe nga kolla për muaj të tërë.

Faktorët Që Ndikojnë Në Tejzgjatjen E Kollës

Kolla që mbetet pas të ftohurës ose infeksionit, ndikohet nga një sërë faktorësh.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, një prej tyre është irritimi i rrugëve të frymëmarrjes të cilat janë më të ndjeshme pas sëmundjes.

Ndjeshmëria e lartë e rrugëve të frymëmarrjes bën që edhe ajri i ftohtë ose edhe sasia më minimale e pluhurit të nxisë kollën.

Ka raste që kolla bëhet kronike dhe tregon praninë e azmës.

Mjekët thonë se azma është përgjegjëse për deri në 25% të rasteve të kollës kronike.

Një tjetër fenomen që vërehet pas kalimit të sëmundjes është ajo që në termat popullorë njihet si kolla e mirë.

Bëhet fjalë për një infeksion bakterial të rrugëve të frymëmarrjes që prek fëmijë dhe të rritur dhe mund të zgjasë për muaj të tërë.

Shpërthimet e kollës së mirë janë të forta. Krizat e kollës bëhen të njëpasnjëshme e të pandërprera duke vështirësuar marrjen e frymës.

Trajtimet E Nevojshme Të Kollës Pas Të Ftohurës

Përveç tabletave të kollës që shkrihen në gojë dhe shurupit që zbut rrugët e irrituara të frymëmarrjes, ekspertët rekomandojnë hapat e mëposhtëm.

Mjalti

Mjalti është një nga kurat më të lashta kundër kollës.

Të rriturit mund të konsumojnë nga një lugë çaji me mjaltë sa herë që kanë kollë për të zbutur rrugët e frymëmarrjes dhe zbutur krizat e kollës.

Lëngjet

Kollitja bëhet e vështirë nëse fyti është i thatë.

Pini sa më shumë lëngje të shëndetshme për të njomur fytin por qëndroni larg pijeve alkolike, ato me kafeinë, lëngut të portokallit dhe agrumeve që mund të acarojnë fytin.

Çajrat E Ngrohtë

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, çajrat e ngrohtë dhe supat janë gjithnjë të këshillueshme kundër kollës.

Ato luajnë rol hidratues dhe nxehtësia e tyre shpërbën sekrecionet.

Trajtimet Me Avull

Trajtimet me avull zbusin rrugët e frymëmarrjes dhe largojnë nevojën për t’u kollitur.

Mbushni një enë me ujë të nxehtë dhe mundohuni të thithni përmes gojës dhe hundës avullin duke vendosur mbi kokë një peshqir.

Për më tepër këto trajtime zbusin sekrecionet dhe lehtësojnë frymëmarrjen.

Kujdes Me Ajrin E Ndotur

Ajri i ndotur, pluhuri, cigarja janë të dëmshëm për rrugët e frymëmarrjes por ashpërsojnë edhe kollën.

Trupi Ka Nevojë Për Pushim

Kolla është drobitëse për të gjithë organizmin, ndaj ju duhet të pushoni dhe të qëndroni shtrirë.

Nëse nuk merrni kohën e duhur, problemi do t’ju shoqërojë për më gjatë.

E Ftohura Me Të Ftohtë

Ndonjëherë duhet t’i lejoni vetes diçka të ftohtë.

Duke qenë se fyti është në flakë nga kollitja e përsëritur, dhimbjen mund ta mpini me diçka të ftohtë./AgroWeb.org

Si të mbillni shegën krejt lehtë në ballkon dhe shtëpi

Shegët mund t’i mbillni krejt lehtë me fidanë ose me fara.

Shegët janë një frut me një paraqitje shumë të hijshme dhe pemët shtatshkurtra të tyre mund të transformohen në një dekor mjaft të këndshëm për shtëpinë tuaj.

Pema e shegës mund të arrijë në një lartësi deri në 90 centimetra ndërkohë që gjethnaja e saj arrin të marrë edhe një formë rrethore të bukur.

Shegët mund t’i mbillni krejt lehtë me fidanë të cilët në Tiranë i gjeni në Pazarin e Ri, por ato gjenden në çdo pikë shitjeje fidanësh.

Por shegët mund të mbillen edhe nga farat. AgroWeb.org do t’ju shpjegojë si të rrisni shegët në shtëpi.

Lulet me ngjyrë të errët të kuqe dhe frutat të cilat mund të shijohen pas pjekjes, mund të përdoren për çelje të reja.

Farat e shegëve kërkojnë ngrohtësi dhe falë tyre do të keni një pemë të re në pothuajse një vit.

Megjithatë, farat kanë nevojë për shumë dritë që të lëshojnë filiza dhe nuk duhen mbuluar gjatë mbjelljes.

Si të mbillni shegët nga farat

Merrni një shegë të pjekur mirë, qërojeni lëkurën me një thikë dhe çajeni frutin në dysh. Nxirrini farat, pra kokrrat prej saj.

Vendosini në një enë dhe hiqeni lëkurën e bardhë mbështjellëse. Shpëlajini dhe më pas vendosini në një letër kuzhine që të thahen. Ndërkohë ju përgatisni saksinë ku do të mbillen.

Mbushini saksitë me dheun, por lini një hapësirë prej 2 centimetrash lart pa mbushur.

Vendosni nga një farë në saksi dhe shtypeni lehtë në sipërfaqe, por mos e mbuloni shumë me dheun e vazos.

Mbuloni secilën prej farave me një qese të vogël plastike, për të krijuar idenë e serës, dhe vendoseni saksinë pranë një dritare të madhe ku hyn dielli. Në të kundërt mund të përdorni llambushkat ndriçuese florishente që të garantoni ndriçimin e duhur.

Farat duhen ujitur në momentin kur dheu është tharë. Përdorni një shishe spërkatëse për të ujitur farat e mbrojtura nga mbështjellja me qese.

Filizat priten të dalin nga një deri në tre javë pas mbjelljes dhe nuk duhen prekur derisa të kenë arritur lartësinë e duhur deri në qesen plastike.

Faza e dytë

Filizat duhen zhvendosur në vazo balte të mbushur në fund me rërë me guralecë. Agroweb.org këshillon që, nëse nuk ju gjenden këto produkte mund të përdorni edhe dhe të gatshëm për mbjellje të pasuruar me gëlqere.

Vazot e reja duhen vendosur në një dritare me drejtim nga perëndimi ose jugu për të paktën 6 orë që të marrin mjaftueshëm dritë dielli.

Vazot duhen rrotulluar çdo javë që ekspozimi në diell të jetë i njëtrajtshëm.

Në momentin që sipërfaqja e vazos të jetë tharë, atëherë duhet ta ujisni në sasi të kufizuara. Doza e ujit duhet rritur kur filizat të jenë rritur, por duhet pastruar pjesa mbajtëse e vazos nga uji i rrjedhur prej saj.

Dheu i vazos duhet pasuruar me ushqyes rregullisht çdo muaj nga pranvera deri në fund të verës. Përdorni fertilizues të bollshëm dhe më pas ujiteni vazon që të përshpejtoni shpërndarjen e tij në të gjithë vazon.

Në fillim të pranverës, krasiteni pemën e re që të krijoni një formë më kompakte të saj. Hiqni jo më shumë se një të tretën e gjethnajës së rritur duke krasitur majat e degëve.

Këshillë

Shega e rritur në shtëpi duhet mbrojtur nga nivelet e ulëta të lagështisë në ambientet e brendshme, duke i spërkatur me ujë nëpërmjet një shisheje spërkatëse.

Kampion për vitamina – Përfitimet e pazakonta shëndetësore të lëngut të koprës

Kopra është e pasur me folat që është thelbësore për organizmin, duke nisur nga riparimi i qelizave, mirëmbajtjen e tyre dhe ngadalësimin e plakjes së trurit.

A ju vjen ndërmend një arsye se përse duhet ta shtrydhni koprën?

Së pari, në 100 gramë kopër merrni 154% të dozës së nevojshme ditore të vitaminës A dhe 142% të vitaminës C.

Kjo përmbajtje e bën koprën një nga barishtet më të mira për shëndetin e lëkurës. Vitaminat A dhe C janë antioksidantë dhe luajnë një rol të rëndësishëm për qelizat e lëkurës dhe formimin e kolagjenit.

Kopra është e pasur me folat (vitaminë B12) që është thelbësore për organizmin, duke nisur nga riparimi i qelizave, mirëmbajtjen e tyre dhe ngadalësimin e plakjes së trurit.

Të dhënat e AgroWeb.org tregojnë se kopra është një barishte e shkëlqyer për shëndetin e kockave, duke qenë se ajo është një burim fantastik i kalciumit, hekurit dhe manganit.

Por nuk mjafton me kaq. Kopra lufton bakteret, rritjen dhe zhvillimin e tyre. Ajo është efikase kundër të ftohtit dhe shumë simptomave të tjera shoqëruese.

Kopra lufton bakteret dhe substancat përbërëse ndihmojnë në uljen e dhimbjeve, falë rolit të tyre qetësues.

Një arsye tjetër se përse duhet ta përfshini koprën në lëngjet tuaja është se kjo barishte përmban një vaj esencial që quhet eugenol. Ky vaj esencial ofron një gjumë të qetë dhe e ndihmon trurin të çlirojë enzima që kanë rol qetësues në trup.

Kopra plotëson dhe kombinohet mjaft mirë me produkte që zakonisht përdoren për lëngje. Ajo është një barishte ideale për shumë receta si kjo më poshtë:

Lëngu i ëmbël i perimeve dhe koprës

Përbërësit pë 2 gota:
një selino
4-5 karrota
Gjysmë ose një tufë me kopër
1 limon i qëruar
1 mollë e madhe jeshile
1 ose dy gjethe spinaqi bashkë me bishtat (nëse preferoni)

Lajini të gjithë përbërësit dhe hidhini në shtrydhësen e frutave. Kombinoni mollët dhe limonin me selinonë dhe më pas koprën me karrotat për lehtësi. Nëse keni barishte si spinaqi mund t’i shtoni sepse janë të rekomandueshme për lëngje të tilla.

Përdorimet mjekësore të koprës: Çaji i bërë nga një lugë me fara kopre ndihmon kundër mostretjes dhe lemzës. Ky çaj është përdorur me sukses për të trajtuar dhimbjet e barkut dhe forcimin e thonjve.

Qindra raste me grip në Shqipëri – Mjekët bëjnë thirrje për kujdes

Viruset e gripit janë në ndryshim të vazhdueshëm.

Mbi 100 raste me grip shënohen çdo ditë në Tiranë dhe qindra të tjerë në të gjithë Shqipërinë.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” thonë se luhatjet e motit dhe veçanërisht moti i ngrohtë i këtyre muajve, kanë bërë që numri i pacientëve me viroza të jetë i lartë.

Mjeku infeksionit në QSUT Gentian Stroni, ka deklaruar në media se viroza më e përhapur është ajo e gripit, dhe se kjo periudhë shërben më së miri për të marrë masa parandaluese.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të vaksionohen sa më shpejt dhe të marrin të gjitha masat për të shmangur prekjen nga viruset e gripit.

Të dhënat e AgroWeb.org tregojnë se viruset e gripit janë në ndryshim të vazhdueshëm.

Mjeku Stroni tha se ‘Është koha më e përshtatshme për bërjen e parandalimit të virozave që do vijnë më mbrapa, dhe nëse flasim për to, kemi të bëjmë me virusin e gripit.

Virusi i gripit do duhet të parandalohet me vaksinën, e cila aktualisht ndodhet në tregun shqiptar farmaceutik dhe quhet “tetavax”, e cila të mbron nga 4 elemente të gripit.’

50 Mijë Vaksina të Porositura Për Shqipërinë

Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP Silva Bino ka deklaruar se janë porositur 50 mijë vaksina.

“Kemi kapur virus të rrugëve të frymëmarrjes tek fëmijët ndërsa tek të rriturit ka shumë korona viruse që qarkullojnë. Virus i gripit nuk është izoluar ende”, ka deklaruar Silva Bino në media.

Brenda muajit nëntor nis aplikimi i vaksinës falas për grupet e riskut si gratë shtatzëna, personat me diabet, azëm, ata me probleme kardiovaskulare si dhe i gjithë personeli mjekësor.

“Jane 50 mijë vaksina që janë porositur dhe 50 mijë të tjera vijnë në bazë të një marrëveshje me qendrën e sëmundjeve infektive ndërkohë kemi nisur me trajnimin e mjekëve”, ka deklaruar zonja Bino.

Për herë të parë në vaksina e gripit do të jetë e personalizuar për Shqipërinë për të luftuar viruset që qarkullojnë në vendin tonë.

Vaksina e gripit përgatitet çdo vit sipas rekomandimeve të OBSH./AgroWeb.org

Çfarë i bën kolesteroli trurit – Si të mbani nivelet e duhura në organizëm

Luhatjet e kolesterolit sipas studiuesve ndikojnë fort në aftësitë reaguese të trurit.

Lidhja mes zemrës dhe trurit nuk bazohet vetëm tek emocionet, stresi apo harmonia.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, si truri, ashtu edhe zemra janë të varur plotësisht nga një sistem i shëndetshëm qarkullimi të gjakut.

Çdo ndryshim ose vështirësi në qarkullimin e gjakut shkakton probleme në zemër dhe në tru.

Shkencëtarët e Universitetit Leiden në Hollandë kanë zbuluar se kolesteroli duke vështirësuar qarkullimin e gjakut, dëmton rëndë aftësitë funksionale të trurit.

Përveç rrezikut në rritje të sëmundjeve të zemrës, kolesteroli ndikon tek vëmendja, përpunimi i informacionit dhe kujtesa.

Ekuilibrat e kolesterolit mund të prishen mjaft lehtë me kalimin e viteve, ushqyerjen problematike dhe aktivitetin fizik.

Luhatjet e kolesterolit sipas studiuesve ndikojnë fort në aftësitë reaguese të trurit.

Sipas studimit që zgjati mbi 2 vjet, njerëzit që kishin luhatje të kolesterolit në gjak, arrinin rezultate të dobëta në provime apo punë.

Atyre u duheshin disa momente më shumë se të tjerët për të plotësuar një test.

Luhatjet E Kolesterolit Dhe Rreziku I Humbjes Së Kujtesës

Studime të tjera kanë zbuluar se pas moshës 50 vjeçare, burrat dhe gratë me një nivel të ulët të kolesterolit të mirë , janë 53% më shumë të rrezikuar nga humbja e kujtesës.

Sipas shkencëtarëve niveli i lartë i kolesterolit të keq dhe konsumi i tepërt i yndyrnave të ngopura rrit ndjeshëm rrezikun e përkeqësimit të aftësive mendore në moshën e mesme.

Ata shpjegojnë se kolesteroli i keq bllokon enët e gjakut duke shkaktuar jo vetëm sëmundje të zemrës. por edhe ishemi.

Një nga pasojat e kësaj të fundit është edhe humbja e kujtesës.

Si Të Mirëmbani Nivelet E Kolesterolit Në Gjak

Studimet të cilave u referohet AgroWeb.org, këshillojnë aktivitet të rregullt fizik, lënien e duhanit dhe ushqyerjen e shëndetshme për të mirëmbajtur nivelet e kolesterolit.

Shmangia e yndyrnave të ngopura është një hap i domosdoshëm për uljen e kolesterolit.

Njerëzit duhet të konsumojnë më shumë fibër, fruta, perime dhe peshk për një shëndet sa më të mirë.

Lexoni këtu për ushqimet më të mira kundër kolesterolit/AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Burimi: U.S. National Library of Medicine

Kopshtaria, “Porta e gjelbër” drejt mirëqenies mendore

TAIPEI – Nëse dëshironi të mbillni farën e orizit do t’u duhet një tokë e lagësht për të marrë produktin, por për terapinë me hortikulturë, e gjitha që ju nevojitet është një zonë në natyrë e cila për produkt do të japë shëndetin.

Terapia hortikulturore është një praktikë profesionale me të cilën synohet përmirësimi i shëndetit mendor dhe fizik të njerëzve, përmes aktiviteteve të kopshtarisë.

Kjo ndihmon në përmirësimin e kujtesës, aftësive njohëse, inicimit të detyrave, si dhe aftësive gjuhësore dhe të socializimit.

Në kopshtin terapeutik, pjesëmarrësit qëndrojnë në një mjedis ku mbizotërojnë bimët, të cilat vendosen për të lehtësuar ndërveprimin e njeriut me elementet shëruese të natyrës.

Stacioni për Hulumtime Agrikulturore në qarkun Taichung të Tajvanit, ka ndërtuar një kopsht shërues, një lloj i kopshtit terapeutik, i cili funksionon tashmë për dy vjet.

“Kemi filluar këtë punë, sepse me siguri e dini se njerëzit gjithnjë e më shumë po shqetësohen për ritmin e jetës”, tha Hsueh-Shih Lin, drejtori i Përgjithshëm i stacionit.

“Kemi ndërtuar një kopsht që njerëzit të mund të ecin, të takojnë miqtë dhe gjërat brenda tij. Kemi edhe aktivitete kopshtarie brenda tij”, shtoi më tej.

Nga elementet themelore të kopshtit terapeutik janë seksionet e ndara sipas ngjyrës, përmbajtjes dhe aromës.

Lin tha se kopshti shërues nxit shqisat e të pamurit, dëgjimit, shijes dhe të prekurit.

Përzgjedhja e veçantë e luleve

Kalimi nëpër një rrugë të gjerë, duke shijuar gjërat themelore të kopshtit terapeutik, vizitorët fillimisht hyjnë në në pjesën e të pamurit.

Menaxheri i kopshtit, Chia-Chin Hsu, rrëfen se për kopshtin shërues, është bërë një përzgjedhje e veçantë e luleve.

Për pjesën e cila i referohet të pamurit, Hsu tha e kanë bërë një përzgjedhje të veçantë të ngjyrave duke organizuar bimët në skema dhe ngjyra të lehta.

Kopshti terapeutik bën një ndërveprim midis njerëzve dhe bimëve, ku ndërveprimet mund të jenë pasive ose aktive në varësi të dizajnit të kopshtit dhe nevojave të vizitorëve.

“Në këtë vend, ju mund të përqendroheni në meditim duke lënë anash punët tjera”, tha Hsu, për të shtuar se kanë bërë edhe një test mbi lehtësimet të cilat i sjell shëtitja në këtë kopsht.

“U dhamë njerëzve një letër përplot fjalë dhe u thamë brenda tre minitave të tregojnë numrin e fjalëve. Kjo u shkakton presion të madh. Pas testit i lamë të shëtisin për gjashtë minuta dhe u dhamë një test tjetër. Duke bërë kështu, ne masim stresin të cilin e lirojnë”, rrëfeu Hsu.

Rezultatet e këtij testi, flasin se pjesëmarrësit janë liruar nga stresi pas shëtitjes në kopsht.

Çaji i malit shqiptar dhe mjalti i gështenjës nga Reçi përfaqësojnë Shqipërinë me logon OriginAL

Mbi 800 delegatë nga 67 vende të botës, të pranishëm në Samitin e këtij viti, patën rastin të shijonin çajin e malit OriginAL dhe mjaltin e gështenjës OriginAL. Photo: ATWS2018

Produktet 100% shqiptare të certifikuara nga OriginAL kanë mbështetur pjesëmarrjen e Shqipërisë në Samitin Botëror të Turizmit të Aventurës (Adventure Travel Summit).

Organizuar nga Shoqata e Tregtisë së Udhëtimeve të Aventurës, Samiti Botëror i Turizmit të Aventurës (ATWS2018) përfshiu operatorët turistikë, publicistët dhe personalitetet e turizmit të aventurës, bordet e turizmit, partnerët e industrisë dhe përfaqësues të nivelit të lartë. Samiti Botëror u zhvillua në Toscana, Montecatini Terme, Itali nga 15-18 tetor 2018.

Ky organizim përfshin më shumë se 1,000 anëtarë nga më shumë se 100 vende të botës.

Viti 2018 shënon herën e parë që Shqipëria merr një rol si partneri kontribues i ATWS2018 dhe gëzoi mundësinë për t’u njohur si një destinacion i turizmit të aventurës me potencial të lartë nga partnerët anembanë globit.

Gjithashtu ishte hera e parë që marka origjinale e prodhimeve 100% shqiptare, OriginAL u prezantua në publik.

Çaji i Malit Shqiptar dhe Mjalti i Gështenjës nga Reçi nën logon OriginAL

Mbi 800 delegatë nga 67 vende të botës, të pranishëm në Samitin e këtij viti, patën rastin të shijonin çajin e malit OriginAL dhe mjaltin e gështenjës OriginAL dhe ta marrin atë me vete në vendet e tyre si dhuratë nga Shqipëria.

Çaji shqiptar i malit prodhohet nga Illyrian Pantheon, një ide e kompanisë Subashi që është e njohur për prodhimin e vajit të ullirit me cilësi të lartë në Marikaj, Shqipëri për më shumë se një dekadë.

Prodhuesi mori ndihmë nëpërmjet projektit Brand Albania në përtëritjen dhe ripaketimin e produktit për të ofruar një mostër produkti të ri, i përshtatshëm për qëllime promovuese dhe suvenire.

Mjalti shqiptar i gështenjës prodhohet nga kooperativa bujqësore “Reçi Prodhimtar – Malësi e Madhe” nga zona e njohur për gështenja me cilësi të lartë dhe mjaltin e gështenjës në Reç, Malësi e Madhe, në Shqipërinë Veriore.

Gështenjat dhe mjalti i gështenjës së rajonit të Malësisë së Madhe kanë marrë statusin ligjor të “Indikacioneve Gjeografike” në Shqipëri me mbështetjen e MADA dhe Projektit të Ruajtjes dhe Vlerësimit të Biodiversitetit Rural në Malet e Ballkanit nga CIHEAM dhe Ambasada e Francës në Shqipëri.

Prodhuesi i mjaltit të gështenjës ka marrë gjithashtu ndihmë përmes projektit Brand Albania për markim dhe ripaketim. Aktualisht, paketimi më i vogël e këtij produkti vjen në kavanoza qelqi prej 1 kilogram.

Paketimi i ri OrigiAL vjen në një kavanoz qelqi prej 100 gramësh. Ofrimi i kësaj madhësie produkti mundëson më shumë kërkesa për tregun e brendshëm, sidomos nga turistët që udhëtojnë në Shqipëri nga linjat ajrore me kosto të ulët.

Gergana Nikolova, Menaxhere Rajonale e ATTA-s për Europën tregon se “Çaji i malit shqiptar u përfshi në çantat e delegatëve. Edhe mjaliti i gështenjës rezultoi një produkt shumë tërheqës. Të dy produktet janë të një cilësie super të mirë dhe përfaqësojnë shumë mirë Shqipërinë.

Veprimtaria u bë shumë e suksesshme dhe ka shumë interes për Shqipërinë thotë Shannon Stowell – Drejtore e Përgjithshme e ATTA (Shoqata e Turizmit të Aventurës dhe Tregtisë).

Çfarë përfaqëson logo OriginAL?

OriginAL (origjina-Shqipëri) është një markë kombëtare për prodhimet autentike 100% shqiptare të krijuara nga Brand Albania, një iniciativë e projektit USAID për Rritjen Ekonomike Rajonale (REG), në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, palëve të tjera private dhe publike.

Misioni i OriginAL është të mxisë agroturizmin duke promovuar karakteristikat unike dhe cilësore të produkteve bujqësore shqiptare të përzgjedhura, duke përdorur produkte si “ambasadorë” të turizmit.

Çdo produkt që aplikohet për markimin OrigiAL i nënshtrohet një ekzaminimi të plotë bazuar në një sërë kriteresh të miratuara për të përcaktuar nëse markë OriginAL mund të jepet.

Këtu një ndër kriteret më të rëndësishme është se një produkt ose 100% e të gjithë përbërësve të produktit të kenë origjinën nga Shqipëria./AgroWeb.org

Roli i zinkut në vjeshtë kundër të ftohurës dhe virozave – Ushqimet ku ta gjeni

Zinku është një mineral për të cilin kohët e fundit është folur shumë.

Rëndësia e rolit të zinkut në shëndet është e lartë, veçanërisht sa i përket mundësisë që ky mineral të shkurtojë kohëzgjatjen e të ftohurës dhe sëmundjeve.

Çfarë Është Zinku

Zinku është një mineral thelbësor për shëndetin e njeriut.

Pas hekurit, zinku është metali i dytë më i bollshëm në trup.

Ky mineral është shumë i rëndësishëm për sistemin imunitar, formimin e rruazave të bardha të gjakut, pjellorinë, ndarjen e qelizave dhe enzimat.

Ushqimet më të pasura me zink janë mishi pa dhjamë dhe frutat e detit.

Mungesa dhe dozat e shumta të zinkut janë problematike për shëndetin.

Sasitë e mëdha të këtij minerali mund të pengojnë përthithjen e hekurit dhe bakrit.

A Ndihmon Zinku Kundër Të Ftohurës

Një analizë e kohëve të fundit e disa studimeve shkencore mbi rolin e zinkut tregoi se ky mineral shkurton kohëzgjatjen e gripit me një ditë.

Kjo ndodh nëse zinku merret brenda 24 orësh nga shenjat dhe simptomat e të ftohurës.

E ftohura shkaktohet nga një virus që lulëzon dhe shumohet në rrugët e sipërme të frymëmarrjes.

Zinku parandalon shumimin e virusit dhe strehimin e tij në membranat e fytit dhe hundëve.

Zinku është shumë efikas nëse merret në formën e shurupit apo kapsulave që shkrihen në gojë.

Kësisoj, lëngu qëndron në zonën e fytit dhe lufton virozat me më efikasitet.

Pavarësisht rolit të zinkut, shkencëtarët nuk kanë paracaktuar një dozë të mirëfilltë efikase të zinkut kundër të ftohurës.

Efektet Anësore Të Kapsulave Të Zinkut

Në formën e kapsulave që shkrihen në gojë, zinku shkakton efekte anësore ku përfshihen të përzierat dhe shija e keqe në gojë. Ndaj AgroWeb.org ju këshillon të bëni kujdes.

Njerëzit që përdorin solucione spërkatëse të hundëve me zink shprehen se humbasin përkohësisht shqisën e aromës.

Sasitë e mëdha të zinkut mund të jenë toksike dhe të shkaktojnë anemi dhe dëmtim të sistemit nervor.

Përpara se të merrni suplementë me zink, AgroWeb.org ju rekomandon të konsultoheni me një mjek për të përcaktuar dozën dhe kohëzgjatjen e kurës.

Ushqimet Bimore Të Pasura Me Zink

AgroWeb.org ju këshillon se zinkun mund ta gjeni tek drithërat, mishi i viçit, mëlçia e viçit, mishi i gjelit, vezët, bajamet, djathi, fasulet, farat e kungullit, farat e susamit, bizelet, spinaqi dhe kërpudhat.

Burimet më të pasura me zink janë shega, avokado dhe frutat e pyllit.

Simptomat e Mungesës Së Zinkut

Nëse organizmi ka mungesë të këtij minerali thelbësor atëherë do të përballeni me simptomat e mëposhtme:

Pika të bardha në thonj

Psoriazë, ekzemë dhe akne

Puçra dhe herpes të herëpashershëm

Ftohje të përsëritur

Zbokth

Mjegullim të trurit dhe probleme të tjera mendore

Suplementët e zinkut duhen marrë me konsultën e mjekut.

Ato janë të nevojshme për të mposhtur gripin, infeksionet e të ftohurën.

Ju nuk duhet të merrni më shumë se 100 mg zink në ditë ose efektet e mineralit do të jenë forta dhe do të përfshijnë: diare, të vjella dhe të përziera.

Cilat janë frutat dhe perimet që duhet të konsumoni në nëntor

Mandarinat dhe agrumet nga Xarra, Borshi apo Saranda e bëjnë nëntorin një nga muajt më të dashur për shqiptarët.

A ju besohet që kemi hyrë në Nëntor?

Vetëm ideja e një pjate supe të ngrohtë të gatuar mirë nën rehatinë e shtëpisë të bën ta duash akoma më shumë motin e ftohtë.

Nëntori sjell shumë produkte, që nga lakra gjithë vitamina që na vjen nga zona e Lushnjës, tek ullinjtë e Beratit, Tiranës, Elbasanit dhe Jugut që na shoqërojnë në sallata e meze.

Nga panxhari i kuq i zonës së Maliqit tek kërpudhat e shkëlqyera që rriten në të egër në Tropojë.

Dhe si për t’u ëmbëlsuar pak, disa mandarina dhe agrume nga Xarra, Borshi apo Saranda e bëjnë nëntorin një dashuri më vete.

Panxhari i kuq

Panxhari ka jo vetëm një pamje të bukur, duke qenë se kanë një ngjyrë të fortë të kuqe që shkëlqen si asgjë tjetër, por ka dhe një kombinim të shkëlqyer të së ëmblës me tokën.

Nëse hyn tek kategoria e atyre që nuk e fusin në gojë panxharin, bëni mirë ta rikonsideroni duke qenë se ka edhe shumë vlera ushqyese.

Në Shqipëri, zona që shquhet për prodhimin e panxharit në vend, është ajo e Maliqit.

Si t’i zgjidhni

Zgjidhni panxhar që është më i rëndë për madhësinë e tyre dhe kujdesuni që të mos ketë të çara në lëkurë.

AgroWeb.org ju tregon se nëse shiten dhe me pjesën e bishtit, pjesa jeshile është tregues i freskisë dhe mund të gatuhen shumë shpejt.

Janë me të vërtetë shumë të shijshëm – mos i anashkaloni.

Si t’i ruani

Vendosini në frigorifer në një qese plastike të mbyllur në mënyrë hermetike.

Këshilla shtesë

Mbështilleni panxharin me letër alumini kuzhine dhe futeni në furrë në 400 gradë dhe lëreni derisa të jenë aq të buta sa të priten lehtësisht nga thika.

Lërini të ftohen dhe lëkura do të bjerë me shumë lehtësi.

Lakra

E pasur me vitaminë C dhe K, lakra është një super ushqim për parandalimin e radikaleve të lira.

Duke ngrënë më shumë lakër ju ndihmoni të zvogëloni rrezikun e kancerit të gjirit dhe kancerit në zorrë dhe prostat.

Plus studime të reja kanë treguar se të ushqehesh me këtë lloj perimi ndihmon për ta mbajtur në super formë sistemin imunitar.

Lakrat më të mira janë nga zona e Lushnjës, që njihet dhe për prodhimin më të madh të lakrës në vend.

Si t’i zgjidhni

Zgjidhni lakër që ka ngjyrë të fortë dhe sigurohuni që gjethet të jenë të mbyllura fort dhe lakra të jetë e fortë.

Si t’i ruani

Mbajini të mbyllur në frigorifer në qese plastike të izoluara mirë.

Këshilla shtesë

Ka disa mënyra për ta gatuar lakrën. Ajo tradicionale që kanë gatuar gjithnjë mamatë tona, duke e zier, por edhe në sallatë.

AgroWeb.org ju tregon një mënyrë tjetër, sanduiçin tuaj të preferuar në vend të bukës mund ta mbështillni me një fletë lakër.

Do të merrni vitaminat dhe do të keni një shije të veçantë.

Mandarina

Këto fruta të vogla janë gjithë shije dhe lëng dhe i përkasin familjes së agrumeve së bashku me portokallet.

Mandarinat e Xarrës, Borshit, Sarandës na japin një shije aq të ëmbël që na bëjnë të besojmë se vera nuk ka mbaruar edhe pse jemi në nëntor.

Si t’i zgjidhni

Shihni për mandarina që kanë ngjyrë të fortë dhe janë gjithashtu të forta. AgroWeb.org ju këshillon se nëse shiten me gjithë gjethe, sigurohuni që gjethet të jenë të freskëta.

Si t’i ruani

Duke qenë se lëkura e tyre është e hollë, mandarina është një agrume që mund të futet në frigorifer në qese plastike të izoluara mirë.

Këshilla shtesë

Ka disa varietete mandarinash, ku disa prej tyre janë pa fara. Por edhe në rast kur kanë fara, janë aq të shijshme dhe të ëmbla sa askush nuk i vë re.

Perimet me rrënjë

Përveç karrotës, ka dhe shumë perime të tjera me rrënjë që janë të shkëlqyera. Një nga ato është dhe preshi i gatuar në gjellë, byrek apo i shtuar në sallatë.

Si t’i zgjidhni

Zgjidhini ato që janë të forta, pa pjesë të buta. Kujdesuni që veçanërisht koka dhe bishtat e preshit në veçanti të jenë të gjelbra dhe të freskëta.

Si t’i ruani

Ruajini në një qese plastike në frigorifer.

Këshilla shtesë

Preshi gjithashtu është i ëmbël, por jo aq sa karrota, por e pasurojnë shumë mirë njëra tjetrën.

Ullinj

Është një nga pemët më të përmendura në librat e shenjtë, ndërkohë që fruti i tij është krejt shpirti i shijes mesdhetare.

Ulliri është konsideruar dhe si simbol i paqes, jetës dhe pjellorisë dhe ka formëzuar peisazhin e Shqipërisë.

Kultivarët “Kalinjot”, “Kokërr Madhi i Beratit”, “Bardhi Tiranes”, “Kryps Elbasani”, “Mixan” dhe “Himara” zënë 85% të prodhimit në vend dhe janë të një cilësie shumë të lartë.

Si t’i zgjidhni

Ullinjtë jeshilë zakonisht mblidhen në fillim të sezonit, ndërsa ullinjtë e zinj vilen në nëntor-dhjetor dhe janë më të butë dhe me më shumë tul.

Si t’i ruani

Ullinjtë duhet të jenë relativisht të fortë dhe asnjëherë të gërvishur apo të dëmtuar.

Për t’i ruajtur këshillohet të shtoni disa feta limoni dhe t’i ktheni herë pas here në mënyrë që të mos kalben. Mos i mbani të mbyllur, pasi është më mirë që të kenë ajër.

Nëntori është një nga muajt më domethënës të vitit për asortimentet e produkteve që sjell. Sigurohu ta shijosh plotësisht.