Përshtati në shqip: Blertina Koka

Shpesh dëgjojmë rekomandime të tipit, bëni kontrolle të herëpashershme të gjirit për të zbuluar në kohë kancerin, apo vini re nishanet nëse ndryshojnë madhësi apo formë, pasi mund të jenë shenjë e parë e melanomës. Ndërsa për kancerin e tiroides nuk flitet shumë. Por në fakt duhet të keni informacione mbi të, pasi numri i njerëzve të diagnostikuar me këtë sëmundje është dyfishuar që nga vitet ’70. Gratë sidomos janë më të rrezikuara.

Edhe pse duket e rrezikshme, nuk ka arsye për t’u frikësuar. Është e vërtetë që diagnozat me kancer të tiroides janë në rritje, megjithatë flasim më shpesh për kancerin papilar të tiroides, që është më pak i rrezikshëm.

Fatmirësisht, ekografitë apo skanerët që mund të bëjmë për probleme të tjera shëndetësore mund të zbulojnë edhe nodulet shumë të vogla në fyt. Edhe nëse janë kanceroze, shumica e tyre janë aq të vogla dhe rriten shumë ngadalë, prandaj mund të mos shkaktojë probleme gjatë jetës.

Megjithatë, jo të gjithë llojet e kancerit të tiroides janë kaq të padëmshme, prandaj është mirë të vizitoheni tek mjeku nëse vëreni simptomat e mëposhtme:

Shfaqja e një gunge në qafë

Gjëndra e tiroides ndodhet në pjesën e përparme të qafës, ndërsa shfaqja e çdo noduli apo gunge tjetër në qafë që nuk zhduket vetë brenda pak javësh duhet të kontrollohet tek mjeku. Nëse tumori ka filluar të përhapet afër nodujve limfatikë, masa tumorale mund të jetë në pjesën anësore të qafës, ndërsa nodujt limfatikë janë në pjesën e përparme, ku është edhe gjëndra e tiroides.

Prania e nodujve të tiroides është tepër e shpeshtë në popullatë dhe incidenca e tyre rritet me moshën. Nëse do të bënim një ekzaminim ekografik në popullatën mbi moshën 50 vjeç, një në dy persona do të paraqesin nodul në tiroide, por vetëm 5% e këtyre nodujve janë me natyrë malinje. Përveç pranisë së nodulit, ekografia na ndihmon për të përcaktuar dhe numrin e nodujve, natyrën e tyre (kistike apo solide) përmasat, praninë e limfonodujve në qafë etj. Pra, ekografia është një ekzaminim që na jep të dhëna të rëndësishme për këtë patologji.

Probleme me gëlltitjen

Ndërkohë që masa tumorale rritet, mund të shkaktojë probleme me gëlltitjen e ushqimit. Nëse ky problem nuk largohet brenda pak javësh (duke qenë se edhe ftohja, gripi apo ndonjë virus tjetër mund të shkaktojnë ënjtje të fytit dhe probleme me gëlltitjen),  është e domosdoshme të bëni një kontroll tek mjeku.

Ndryshime të zërit

Boksi i zërit gjendet afër tiroides, prandaj ndryshimet tek gjëndra mund të shkaktojnë ngjirje të zërit.

Probleme me të folurin, të ngrënin ose frymëmarrjen

Këto probleme mund të mos shfaqen deri në momentin që kanceri ka avancuar shumë, megjithatë kërkojnë vëmendje mjekësore të menjëhershme.

Si trajtohet kanceri i tiroides?

Trajtimi do të përcaktohet nga lloji i kancerit, si dhe nga stadi i tij në momentin e diagnostikimit. Në pjesën dërrmuese kirurgjia është hapi i parë dhe konsiston në heqjen e gjëndrës tiroide, si dhe të limfonodujve të qafës kur ato janë të pranishëm. Më pas në varësi të tipit dhe stadit të kancerit vendoset për trajtim me jod radioaktiv, i cili synon shkatërrimin e indit mbetës apo metastazave në distancë. Rrezatimi i jashtëm, si dhe kimioterapia përdoren në raste të rralla, për kancerin që nuk e fikson jodin radioaktiv.

Cila është prognoza e kancerit të tiroides?

Pjesa më e madhe e kancerëve të tiroides janë të kurueshme, kuptohet kur diagnostikohen në faza të hershme, gjithsesi prognoza varet nga lloji dhe stadi i kancerit në momentin e diagnostikimit, mosha e pacientit, si dhe gjendja e përgjithshme e tij. Në fakt, tipat më të shpeshtë janë më të kurueshmit, kanceri agresiv fatmirësisht është i rrallë.

Burimi: Prevention / Shendeti.com.al