VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Më 4 korrik 1826 u nda nga jeta John Adams, Presidenti i dytë i SHBA

By | July 4, 2019

Komentet

Më 21 nëntor Thomas Edison shpalli shpikjen e gramafonit

VOAL – Edison filloi karrierën e tij si një shpikës në Newark, New Jersey, me përsëritësin automatik dhe pajisjet e tjera të tij të përmirësuara telegrafike, por shpikja që e fitoi për herë të parë një njoftim më të gjerë ishte gramafoni më 1877. Kjo arritje ishte aq e papritur nga publiku në përgjithësi sa të dukej pothuajse magjike. Edison u bë i njohur si “Wizard of Menlo Park” (Magjistari i Menlo Park) New Jersey.

Fonografia e tij e parë ishte e regjistruar në pllaka rreth një cilindri të mbështjellë. Megjithë cilësinë e tij të kufizuar të tingullit dhe që regjistrimet mund të luheshin vetëm disa herë, gramafoni e bëri Edisonin një person të famshëm. Joseph Henry, presidenti i Akademisë Kombëtare të Shkencave dhe një nga shkencëtarët më të njohur elektrikë në SH.B.A., e përshkroi Edison si “shpikësi më i zgjuar në këtë vend … ose në ndonjë tjetër”.  Në prill 1878, Edison udhëtoi në Uashington për të demonstruar gramafoni ërpara Akademisë Kombëtare të Shkencave, Kongresmenëve, Senatorëve dhe Presidentit amerikan Hayes.

Washington Post e përshkroi Edisonin si një “gjeni” dhe prezantimin e tij si “një skenë … që do të jetojë në histori”. Megjithëse Edison mori një patentë për fonografin në 1878, ai bëri pak për ta zhvilluar atë derisa Alexander Graham Bell, Chichester Bell dhe Charles Tainter prodhuan një pajisje në vitet 1880 që përdorte cilindra kartoni të veshur me dyll.

Çfarë ka shkruar për shqiptarët, Shqipërinë dhe Skënderbeun Volteri (Voltaire)

Lindi François-Marie Arouet emri i penës, Volter; përfaqësues kryesor i Iluminizmit, shkrimtar, historian, filozof jashtë filozofisë konvencionale, i njohur për satirën, kritikën ndaj fesë si institucion, përkrahës i tolerancës fetare dhe për ndarjen e kishës nga shteti, shkrimtar me dhunti të shumta, duke prodhuar vepra në pothuajse çdo formë letrare: dramë, poezi, roman, ese, vepra historike e shkencore. Ai shkroi më shumë se 20 mijë letra dhe mbi 2 mijë libra dhe pamflete. Volteri ishte mbrojtës i hapur I lirisë së shprehjes, përkundër pasojave nga ligjet dhe censura e rreptë e kohës. Për shkrimet e tij satirike, ai shpesh u dënua me burgim ose mërgim. Volteri ishte kritik i ashpër i traditës fetare, që pengon lirinë individuale të besimit –  por ai nuk thoshte se ishte kundër idesë së një qenie supreme. Volteri arsyeton se ekzistenca e Zotit nuk është çështje besimi, por arsyeje, dhe se të gjithë njerëzit janë vëllezër, ndërsa janë krijesa të njëjta nga i njëjti Zot. Sa për skllavërinë, Volteri e kritikoi ashpër, por në anën tjetër, u përpoq të shpjegojë se racat e ndryshme kishin origjina të veçanta prandaj nuk mund të ishin të njëjta ose të barabarta. Volteri shpesh është akuzuar për anti-semitizëm edhe pse shumica e kritikave të tij në fakt i drejtohen Biblës, dhe jo Judaizmit në veçanti. Volteri gjithashtu shkroi drama, prozë dhe poezi. Kandidi është puna e tij më e famshme në prozë, ku ai kritikon filozofinë e Gottfried Wilhelm Leibnizit  mbi optimizmin metafizik nëpërmjet naivitetit të Kandidit, personazhi kryesor, i cili pas përjetimit të një fatkeqësie, refuzon të jetë optimist pa patur arsye për të qenë I tillë. Duke shkruar për historinë, Volteri sfidoi konceptin mbizotërues të kohës së tij, se historiografia duhej të merrej me ngjarjet e mëdha politike, ushtarake dhe diplomatike; Volteri thotë se theksi duhet vënë në kulturë, art, shkencë, zakone – dhe u përpoq  për të shkruar një histori të botës mbi këto baza. Kjo vihet re edhe në “Ese mbi edukatën dhe shpirtin e kombeve” lidhur me heroin kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti – Skënderbe, për të cilin Volteri shprehet me konsideratat më të larta, duke thënë se nëse perandorët byzantinë do të kishin vepruar si Skënderbeu, rënia e Kostandinopojës nuk do të kishte ndodhur. Në esenë e tij, Volteri analizon rezistencën çerek shekullore të shqiptarëve kundër perandorisë osmane; dhe argumenton se faktorët themelorë të fitoreve të Skënderbeut janë dy; 1) shqiptarët janë popull luftarak. 2) Shqipëria është vend malor dhe se mos-përulja është veçori e banorëve të maleve.

 

Një portret kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut me autor shkrimtarin, filozofin, dijetarin, humoristin dhe enciklopedistin francez, François Voltaire…

Shkrimtari, filozofi, dijetari, humoristi dhe enciklopedisti francez, François Voltaire (Volter) 1694-1778,  ka qenë një nga iluministët e shquar, të cilët besonin se me anë të dijes, shoqëria  njerëzore do të shëronte plagët që e mundonin. Ai e çmonte historinë si pjesë përbërëse të njerëzimit, kundër rrymave të shek. XVII, sidomos shkencave ekzakte, matematikës e fizikës, të cilat e shpërfillnin si diçka të vdekur e pa vlerë.

“Nuk mund të mos e duam historinë,” shprehej Volteri. Për t’iu përgjegjur Zonjës du Shatëlé, e cila e përçmonte historinë, Volteri shkrojti një ese të historisë së përgjithshme me titull “Ese mbi zakonet dhe shpirtin e kombeve dhe për faktet kryesore të historisë që nga Sharlemanje (Charlemagne) deri te Luigji XIII.” Te vëllimi I, ribotuar më 1963 në Paris nga Vëllezërit Garnier, ka edhe një kapitull të shkurtër për heroin tonë kombëtar Skenderbeun.

Volteri përsërit gjëra të njohura, aq sa nuk mund të pohojmë se shkrimi i tij pasuron të dhënat për Skenderbeun, por rëndësi të veçantë ka fakti që Volteri,  personalitet i shquar francez, shkruan për Skenderbeun, çka tregon se figura e heroit tonë kombëtar kishte marrë përmasa europiane qysh në shekullin e 18-të. Prof. Saimir Lolja, me banim në Otranto, Kanada, e zbuloi këtë shkrim dhe sugjeroi  të përkthehej shqip në mënyrë që ta lexojnë edhe bashkatdhetarët tanë. I jemi mirënjohës.

KAPITULLI XC – PËR SKENDERBEUN faqe 814-815
Një luftëtar tjetër i famshëm, të cilin nuk  di si ta quaj, osmanli apo të krishter, pengoi përparimin e Muratit dhe prej kohësh u bë ledhi i të krishterëve kundër fitoreve të Muhametit II: flas për Skenderbeun, lindur në Shqipëri, pjesë e Epirit, vend i shquar që nga kohët e quajtura heroike, dhe nga kohët vërtet historike Romake. Emri i tij ishte Jean (Gjergj) Kastriot. Ishte djali i një despoti, ose i një gospodari (princi) të këtij vendi, domethënë i një princi vassal; sepse fjalë për fjalë despot do të thotë zot shtëpie; madje është paksa e habitshme, se si kjo fjalë prej kohësh e ndryshoi kuptimin në despotik, çka u vishet sundimtarëve që bëhen absolutë.

 

Gjergj Kastrioti ishte ende fëmijë kur Murati, shumë kohë përpara betejës së Varnës, për të cilën do të flas, u mor prej Shqipërisë, pas vdekjes së atit të tij Kastriot. Ai e rriti këtë fëmijë, i vetmi që mbeti nga katër vëllezërit. Analet turke nuk thonë asgjë që këta katër princër u therorizuan prej Muratit për hakmarrje. Nuk është për t’u habitur që mizori të tilla ishin në karakterin e një sulltani që abdikoi dy herë kurorën dhe nuk ka të ngjarë që Murati t’i kushtonte dhembshuri dhe besimin e tij atij për të cilin ushqente një mëri të paqetësueshme. Ai e sajdiste atë dhe e mbante pranë tij gjatë betejave. Gjergj Kastrioti u dallua aq tepër sa sulltani dhe jeniçerët i dhanë emrin Scanderbeg, që do të thotë Aleksandri i Madh, (le seigneur Alexander).

Së fundi miqësia fitoi mbi politikën. Murati i besoi komandën e një ushtrie kundër despotit të Serbisë, që ishte radhitur me të krishterët duke i shpallur luftë sulltanit, dhëndërrit të tij; kjo përpara abdikimit të tij. Skenderbeu që në atë kohë s’ishte veçse njëzet vjeçar, shestoi planin të mos kishte më zot mbi kokë dhe të mbretëronte. Qëlloi të kalonte pranë fushimit të tij sekretari që mbante vulën e sulltanit. Ai e ndaloi, i vuri hekurat dhe e shtrëngoi të shkruante e të vuloste një urdhër për sundimtarin e Krujës, kryeqytet i Epirit, që t’ia dorëzonte qytetin dhe kështjellën Skenderbeut. Pasi siguroi urdhërin, e vrau sekretarin dhe suitën e tij. (1443) Marshoi mbi Krujë; sundimtari ia lëshoi postin pa vështirësi. Po atë natë ai u tha trupave shqiptare me të cilët mbante lidhje të fshehta, të afroheshin.

Sundimtarin dhe garnizonin e theri. Me luftëtarët e vet ai e fitoi gjithë Shqipërinë. Shqiptarët mbahen si luftëtarët më të mirë të këtij vendi. Skënderbeu i udhëhoqi me zotësi dhe diti të krijonte avantazhe nga terreni i thyer dhe malor, aq sa me pak trupa ia doli të ndalonte çdo herë ushtritë e shumta turke. Myslimanët e shihnin si besëthyes; të krishterët e adhuronin si hero, i cili duke mashtruar armiqtë dhe zotërit e tij, rimori kurorën e babait të vet, çka e meritoi me  guximin e tij. (E përktheu nga frëngjishtja Naum Prifti)

Akademiku Bedri Dedja- Baba i modernitetit në letërsinë tonë për fëmijë – Nga Alfred Papuçiu

Gjithmonë njerëzit e mëdhenj të çdo kombi qofshin karakterizohen nga thjeshtësia dhe janë tepër komunikues me njerëzit e çdo moshe dhe kategorie shoqërore.

Unë kam pasur fatin gjatë jetës sime të kem pranë figura të tilla të shquara të gjuhësisë, profesor Mahir Domi i cili më ndihmonte me zemërgjerësinë dhe thjeshtësinë që e karakterizonte, si edhe tim atë,  për të ecur në rrugën e gjatë dhe të vështirë të publiçistikës dhe letërsisë.

I tillë ishte edhe « xhaxhi » Bedriu për mua, siç i thërrisnim ne, që herë pas here shihte shkrimet e mija para se t’i botoja.

Ai më dha kurajo gjatë jetës sime, sidomos pas vdekjes së tim eti .

Me fjalët e tij të urta të një psikologu e pedagogu të shquar, më shtynte të shkruaja, si një terapi e mirë pas lodhjes së ditës, më dërgonte herë pas here letra, më telefononte apo më vinte dhe i shkoja për vizitë në Gjenevë apo Nëshatel,  për të botuar në një vëllim refleksionet e mija tek të cilat ai nuk donte të vinte asnjë presje.

Botuam së bashku « Përrallat e Zvicrës » dy gjuhësh shqip dhe frëngjisht të cilat lexohen jo vetëm në Shqipëri por edhe në Zvicër dhe gjetiu.

I kam përkthyer disa artikuj të tij në frëngjisht me » postulata » domethënëse për të rinjtë nga Kosova dhe Shqipëria që jetojnë në Zvicër, për sjelljen e tyre të edukuar në një vend që i kishte pranuar në gjirin e tij. Vitin e Ri të fundit, para vdekjes së tij e kaluam sëbashku familjarisht në Nëshatel të Zvicrës ku banon e bija.

Aty kishte ardhur dhe i biri, Taulanti dhe të afërm të tjerë. Kujtuam të kaluarën se sa ka bërë ai dhe e shoqja e përkushtuar, Pandora, për të ndihmuar nipër e mbesa që të merrnin sidomos rrugën e artit etj. Gazeta zvicerane «Le quotidien Jurassien» e Zvicrës e ka cilësuar Bedri Deden si personalitet shqiptar me zë. Vitet ikin dhe ai sot do të kishte 89 vjet.

Më poshtë po jap për lexuesit një shkrim të Agim Devës, në përkujtim të Akademikut Bedri Dedja. Alfred Papuçiu, Gjenevë, më 20 nëntor 2019

Agim Deva – “Bedri Dedja, baba i modernitetit në letërsinë tonë për fëmijë” – Kujtesë…

Bedri Dedjen (1930-2004) do ta nderojmë për kohe të gjatë, sepse puna e tij shënon një epokë kthesash të mëdha. Prej tij kemi mësuar se letërsia mund të shkruhet edhe ndryshe…

Kam përshtypjen se prof. Bedri Dedjes, këtij kolosi të kulturës sonë, i kemi mbetur borxh të gjithë nga pak : edhe kohërat që i kishte kaluar me të gjitha ngjyrimet e mundshme, edhe organet dhe institucionet social-kulturore, edhe rrjedhat e reja që hynin pamëshirshëm në gërshërë me ato të vjetrat, e ku prof. Dedja si rrallëkush realizonte intelektin e vet në mënyrën më dinjitoze : i kemi mbetur borxh prof. Bedri Dedjes edhe ne këtu në Kosovë, edhe për së gjalli, por edhe pas vdekjes së tij.

Mos ndoshta, të gjitha këto borxhe ndaj këtij bardi të kulturës sonë, na shpiejnë në fjalët e Tolstojit të madh kur thotë se « ndërgjegja është zëri i shpirtit.. » ?

Shfletoj librin me kujtime « Nëpër ravat e jetës » (Tiranë 2001), ku Bedri Dedja qysh në hyrje të tij, midis të tjerash, jep një sqarim të shkurtër, por esencialisht domethënës dhe simbolik : « …Fjala ravë ka kuptimin e rrugëve të dhive në mal, ose të gjurmëve në dëborë. Më është dukur se rrugët e mia të jetës ngjasojnë më shumë me ravat.. »

Dhe po të rrëshqasim, qoftë edhe shumë përciptazi nëpër jetën e prof. Bedriut (gjë që ai nuk e meriton një qasje të këtillë sipërfaqësore), do të shohim se nga viti 1930 kur erdhi në jetë e deri më 2004, kur ma dërgoi romanin e tij « Sikuriada », që realisht ishte pjesa e tretë e romanit « Kalamajtë e pallatit tim » (roman i një lloji të ri – roman manifest), dhe iku nga kjo botë, duke marrë me vete shumëçka, që po të na linte në një formë apo në një tjetër, do të kishim një dobi shoqërore shumë më karakterogjene, se tani kur gjëndemi pa të.

Autoriteti i tij qe ndërtuar gjithnjë me sakrifica natyrash të ndryshme. Vetë prezenca e tij në një konsultë, program kulturor, simpozium, mbledhje, etj. e kishte peshën e vet dhe karakteri i tij, gjithnjë stabël, të imponohej me një qetësi impozante, me një urtësi antike, me një kriter të formësuar e të shumë kohezional, që ishte rezultat i dijes, i përvojës së tij shumëvjeçare në shumë fusha të artit, të kulturës, të arsimit, të shkencës.  Këtë përshtypje e kisha edhe në vitin 1973, kur për here të pare u takova me të në Tiranën “misterioze”, dhe qysh atëherë më duket se kisha takuar një njeri, që kishte lindur nja tridhjetë vjet më herët, sepse vetë shkalla e tij e inteligjencës, fjalori i komunikimit, horizonti i tij kulturor që gravitonte nga Europa, qetësia me të cilën të dëgjonte dhe këshillat e tij assesi të imponuara si domosdoshmëri, mirësjellja e tij në interpretime shkencore, kishin tipare të një pedagogu e psikologu me experience, prej të cilit mund të mësonim shumë të gjithë ne, që kishim fatin të rrinim me të. Një tip recent, një mëndje e ndritur, që herë-herë m’i  përkujtonte rilindasit tanë. Korçari sharmant, studenti i dalluar i Universitetit të Moskës, pedagog shumëvjeçar në Universitetin e Tiranës, shkencëtar i dalluar, sidomos në fushat e psikologjisë, letërsisë për fëmijë dhe pedagogjisë, organizator i shumë simpoziumeve të ndryshme, krijues i një numri të madh veprash letrare (poezi, tregime, përralla, novela, poema, romane, legjenda, fabuka, përralla mbi kafshët, kujtime, etj.); pastaj, themelues i mendimit teorik-kritik mbi çështjet e ndryshme të letërsisë për fëmijë, autor i veprave letrare kapitale, me të cilat janë rritur gjenerata të tëra fëmijësh e të rinjësh tanë si:

“Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Një udhëtim i rrezikshëm”, “Kapiteni i shtrëngatës”, “Kalamajtë e pallatit tim”(1,2,3), “Republika e 1100 çudirave”, “Nëpër korridoret e thella të Jonit”, “Qyteti me tri kështjella”,

“Përralla njëmbëdhjetëkatëshe”, si edhe dhjetra e dhjetra vepra të tjera, që na bëjnë ta perceptojmë realisht formatin e madh të akademik Bedri Dedjes, pena e të cilit gjurmonte modalitete të reja të shprehjes, deri në ditët e fundit të jetës.

Është vërtet e dhëmbshme kur nëpër mbledhjet komemorative ngrihemi në këmbë për të mbajtur një minute heshtje për kolosët, siç ishte në këtë rast, Bedri Dedja. Një minute heshtje. Më besoni: kurrë nuk kam mundur ta kuptoj domethënien e këtij minuti, sado që edhe vetë jam ngritur shumë here në këmbë për këtë qëllim, për miqtë dhe dashamirët që na ikin – secili në mënyrë të vet. E shpjegojnë si nderim të fundit, që i bëjnë të ndjerit.

Bedri Dedjen do ta nderojmë për kohë të gjatë, sepse puna e tij shënon një epokë kthesash të mëdha: është baba i modernitetit në letërsinë tone për fëmijë. Prej tij kemi mësuar se letërsia mund të shkruhet edhe ndryshe, se edhe të vegjlit janë të detyruar të na kuptojnë edhe atëherë qartë e drejtë. Në botën e librit tone ka sjellë përvoja e modele të reja kreacionale, duke përkthyer vepra të rëndësishme nga letërsitë e huaja.

Vetëm ata që e duan njeriun, mbeten të pavdekshëm. Akademik Bedri Dedja ishte prej atyre që ka rrezatuar me energji positive kudo që ka qënë i pranishëm.

IM000278.JPG

IM000287.JPG

Rekuiem për Adile Zavalani – Ypi Nga Meri Lalaj

 

 

Dikur, në Shqipërinë tonë, ka jetuar një grua e bukur e lindur për të qenë një zonjë e vërtetë, por rrokullisja e fatit e deshi që ajo ta kalonte jetën nëpër internime. Emri i saj i lindjes është Adile Zavalani, e bija e Fehim Zavalanit, aq i njohur nga ne shqiptarët si njëri prej atdhedashësve që u përpoqën aq shumë për ta shkëputur Shqipërinë nga vargonjtë e Perandorisë Turke, për të bërë njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Ai ka dhënë një ndihmesë të paçmuar në mbajtjen e Kongresit të Manastirit në vitin 1908. Vepra e atij Kongresi nuk pati thjesht rëndësi gjuhësore, por ishte një vepër e mirëfilltë politike në bashkimin e të gjithë shqiptarëve, sidomos e atyre burrave që u përpoqën për të bërë Shqipëri.

Adileja u lind në Manastir në vitin 1895, bash po në atë shtëpi ku disa vite më vonë do të mblidheshin patriotët shqiptarë për vendosjen e alfabetit të shqipes. Edhe nëna e saj, Qerimeja, vinte nga familja e shquar e Frashërllinjve. Ajo ishte e motra e patriotit Shefqet Frashëri. Nëna e saj vdiq në moshë të re, kështu Adilesë i ra barra e rëndë për t’u kujdesur për familjen, veçanërisht për të vëllain Tajarin, që mbeti kërthi dhe ajo i dha dashurinë e një nëne. Adileja u martua me Jaup Ypin dhe jetuan së toku në disa vise të Shqipërisë si në Starje të Ersekës, në shtëpinë e tyre në qendër të qytetit të Korçës dhe në Tiranë. Koha e luftës i gjeti në shtëpinë e Thoma Orollogait.

Më vonë pas lufte ndryshuan shumë gjëra. Familjes së tyre ua konfiskuan krejt pasurinë në vitin 1947, për shkakun se dhëndrin e saj, burrin e bijës së saj të vetme, Vera Ypi (Alizoti) pra, Riza Alizotin e dënoi me vdekje dhe e vari në litar pushteti i komunistëve. Këtu filloi njëherë e përngaherë jeta e tyre e mënxyrosur. Ata vijuan që të jetojnë nga një bodrum në tjetrin në rrugën e Kavajës. Siç më ka treguar mikesha ime, mjekja e shquar Adelina Mazreku, gjyshja e saj Helidhona Falli ishte shoqe e rinisë dhe e të gjitha viteve të jetës për Adilenë. Në këtë mënyrë mëmë e bijë (Adileja dhe Vera) mundën që në mirëbesimin e kësaj zonje të fshihnin disa sende të tyret në bodrumin e shtëpisë të saj dhe kur u duheshin për t’i shitur që të mbijetonin, vinin aty mbrëmave nga dera e pasme për të mos i parë njeri, sepse në katin e sipërm të asaj shtëpie banonte me qira një ushtarak e kuptohet se frika asokohe ishte shumë e madhe.

Një periudhë kohe ata jetuan në Durrës ku aty në vitin 1949, ndahet nga jeta bashkëshorti i Adilesë, Jaup Ypi. Paskëtaj tok me të bijën dhe të birin e pamartuar, Seferin si edhe nipin e vogël, enden internimeve të njëpasnjëshme, së pari në kampin e Tepelenës në vitin 1952, më vonë në Xhafzotaj e me radhë nëpër vende të tjera internimi: Shijak, Sallmone, Katër Rrugët, Pat Milot, në Kryevidh të Kavajës dhe atje mbeten përgjithnjë. Janë të detyruar si familje që të paraqiten në apelet e operativit në mëngjes e në mbrëmje e të bëjnë punëra nga më të rëndomtat në bujqësi, duke prashitur e ujitur tokën apo duke korrur misër. Një jetë e tërë e kaluar duke u rropatur nëpër fshatra, në të cilët gjatë dimrit balta shkonte deri në gju, ndërsa gjatë verës zhyteshe në pluhurin e verdhë të arave. Nëpër gjithë këto vite të gjata të kësaj jete kaq të mundimshme Adileja ngahera mbartte me vete një makinë qepëse “Singer”, e cila punonte duke i rrotulluar dorezën me dorë e kështu duke qepur ndonjë rrobe për të tjerët, përpiqej vetëm për bukën e gojës për vete e për fëmijët e saj.

Adileja e piu një kupë plot me helm, kur në shkurt të vitit 1971 e bija, Vera, iku nga jeta për shkak të kancerit. Ajo i shtyu edhe tre vjet jetë skëterre dhe më së fundi, po e internuar, ndërroi jetë më 8 maj të vitit 1974. Ende varri i saj ndodhet atje lart në kodrat e Kryevidhit.

Adileja nuk ishte vetëm e bija e Fehim Zavalanit, por siç e shkrova më lart, edhe e motra e Tajar Zavalanit, shkrimtarit, gazetarit, përkthyesit, historianit e politikanit të shquar, i cili nën ndikimin e babait të tij, Fehim Zavalanit, përktheu e shkroi dhjetëra libra në gjuhën shqipe. I pajisur me kulturë franceze, ai qysh herët u përball me problemet e Shqipërisë, u zgjodh sekretar i Komisionit Shqiptar për Çështjen e Kufijve në vitin 1922. Ai ishte ndër të parët që ra në kontakt me idetë komuniste të kohës duke ushqyer ëndrrën se komunizmi do të ishte rruga e shpëtimit të popullit shqiptar të shumëvuajtur. Vajtja në Rusi në vitin 1925, e zhgënjeu plotësisht dhe po kështu ishte ndër të parët që e kuptoi se çfarë qe komunizmi i vërtetë, prandaj më vonë emigroi në Francë dhe më së fundi vendoset në Angli. Atje në nëntor të vitit 1940-të filloi punën, duke dhënë transmetimet e para në gjuhën shqipe dhe ku punoi gjatë gjithë jetës së tij në Radion e famshme Bi Bi Si (BBC) me detyrën përkthyes dhe folës në Seksionin Shqiptar të Shërbimit për Europën. Tajari u nda nga jeta më 19 gusht 1966.

Tajar Zavalani as që mund ta përfytyronte se në çfarë mjerimi jetonin motra e tij, mbesa dhe nipi, por mundohej të ndihmonte njerëzit e familjes, duke u dërguar herë pas here ndonjë pako, të cilat varej nga situata në ua dorëzonin apo nuk ua dorëzonin njerëzve të tij të dashur. Vëllai tjetër i Adilesë, Dalip Zavalani ishte studiues i agrokimisë, i cili ka mbrojtur disertacionin në këtë fushë mbi problemet e bujqësisë në Shqipëri dhe në Ballkan. Libri i tij në gjuhën gjermane është botuar në Berlin në vitin 1939. Kopje origjinale e këtij libri ndodhet në Bibliotekën Kombëtare Tiranë.

Shkëputur nga libri: “Atdhetari Fehim Bej Zavalani”

Nderim për At Klement Miraj – Nga Lida Fabian MIRAJ


Në 63 vjetorin e vdekjes ose të martirizimit, me 21 Nentor 1956


At Klement Miraj lindi në një familje malësore të Malësisë së Madhe në vitin 1885. Sipas të dhënave rrënjët e kësaj familje kishin 2 degë: Njëra që në atë kohë ishte e njohur me mbiemrin Mirashaj dhe e transformuar më vonë në Miraj dhe, tjetra e quajtur Radotinaj e transformuar më vonë në Tinaj. I ati i At Klementit, Luc Prela, pati shumë fëmijë: Zefin, Pjetrin, Palin, Jakun, Ndrekën, Tomën, Franin, Miren dhe Shaqen. Frani, i cili më vonë do të quhej Klement, ishte femija i shtatë dhe me i vogli i djemve. Luc Prela bashkë me të shoqen, Roza, dhe me femijet gjatë dimrit zbritnin nga Malësia e Madhe e dimëronin në Ishull-Lezhë, për të veruar përsëri në bjeshkë, gjatë stinës së nxehtë. Në Malësi, sot e gjithë ditën, thuhet se të shtatë djemtë e Luc Prelës shquheshin për atdhetarë, njerëz të urtë dhe shumë inteligjentë. Mbi të gjithë ata spikaste Frani dhe, që në femijëri shfaqi një dëshirë të madhe për t’u shkolluar, por në ato kohëra shkollimi ishte i veshtirë, sidomos për një familje malësorësh, që në dimër zbriste në Lezhë e në verë ngjitej në Malësi.

Në fakt ishte qyteti i Lezhës ai që i krijoi Franit mundësinë e shkollimit në Kolegjin e Franceskanëve. Aty, sipas kodit fetar, atij ju nderrua emri nga Fran në Klement. Emri i ri lidhej, me sa duket, me origjinen e tij nga malësia e Kelmendit. Ne librin e tij “Rrno vetëm për me tregue” At Zef Pllumi e quan atë herë At Kelmend e herë At Klement. At Klementi ndryshoi edhe mbiemrin e familjes, nga Mirashaj në Miraj. At Klementi mbaroi me rezultate të shkëlqyera dhe, në bazë të arritjeve të tij, u dërgua në Shkodër për të vazhduar Shkollën e mesme. At Klementi ishte i etur për dije dhe, duke patur rezultate të shkelqyera të shkollës së mesme, ju krijua mundësia të shkonte për të studiuar Filozofi-Teologji në Universitet, në Graz të Austrise. Atje edhe u diplomua si student honoris. Pas diplomimit, në vitin 1920, u kthye në Shkodër ku filloi apostolatën e vet. Duke qenë njeri i niveleve të larta kulturore, si edhe shumë i apasionuar në arkeologji, ai u emërua drejtor i Koleksionit Arkeologjik të Kolegjit të Franceskanëve, koleksion që At Shtjefen Gjeçovi kishte mbledhur me shumë dashuri e pasion të veçantë.
Aty punoi pak vite dhe më pas, me vendim të udhëheqjes së Kuvendit të Gjuhadolit, u dërgua me shërbim në Kosovë si famullitar i Pejës.
Atje ai ushtroi një veprimtari të madhe patriotike së bashku me At Shtjefën Gjeçovin. Si pasojë e kesaj veprimtarie të dy bashkë u persekutuan, u burgosën dhe u torturuan nga qarqe antishqiptare serbe. Pasi dolën nga burgu, At Shtjefen Gjeçovi dhe At Klementi, u larguan nga Kosova. Pas kthimit nga Kosova, At Klementi, u emërua famullitar ne Rubik ku punoi edhe aty për pak kohë. At Shtjefen Gjeçovi u rikthye në Kosovë dhe, më pas u vra në Zyme, në afërsi të Prizrenit, në vitin 1930.

Nё Arkivin Qёndror tё Shtetit në Tiranë, ndermjet shumё dokumentave gjёndet nje letёr, nё tё cilin thuhet se mё 13 Korrik 1927, zoti Ugo Sola, Ministёr pranё Ambasadёs Italiane nё Tiranё, disa kopje tё librit tё parё, “Albania Antica”, tё arkeologut Luigi M. Ugolini, ja dhuronte me dedikime personaliteteve shqiptare pёrfshirё Rektorin e Jesuitёve dhe At Gjergj Fishtёn nё Shkodёr, At Shtjefёn Gjeçovin, i cili nё atё kohё ishte nё Kosovё, e tё tjerё. Njё nga kopjet e kёtij libri i ishte dёrguar edhe At Klement Miraj, famullitarit tё Rubikut. Nё Arkiv ruhet letra me konsideratat e mendimet personale qё At Klementi i drejtonte z. Ugo Sola, pasi kishte lexuar me kujdes librin “Albania Antica I” tё Ugolinit.

Nё librin e Ugolinit njё vend mjaft tё rёndёsishёm zinte edhe pёrshkrimi i Seksionit Arkeologjik pranё Muzeut Historiko-Gjeologjik tё Jezuitёve nё Shkodёr, i Koleksionit Arkeologjik tё familjes Vlora ekspozuar nё pallatin e tyre nё Vlorё, si edhe pershkrimi i Koleksionit Arkeologjik te mbledhur me kujdes nga At Shtjefёn Gjeçovi.

Më vonë At Klementi u transferua në Laç të Sebestes. Aty punoi dhe jetoi për shumë vite. Banorët e atjeshëm e donin dhe e respektonin famullitarin e tyre, sepse ai i qëndronte pranë e i donte të gjithë banorët e fshatrave përreth: Laç, Zhej, Mamurras, etj. Ne Laç ai ndërtoi Kishën e re si edhe bëri riparime të shumta në Kishën e Shna-Ndout.

Gjatë kësaj kohe At Klementi, me një kapacitet të lartë, shkruante vazhdimisht në shtypin e kohës artikuj, që ruhen edhe sot e gjithe ditën, të botuara tek revista Hylli i Dritës, etj. Një nga të cilët është për të vërtetën e Kurbinit (1937). At Klementi ishte edhe mbledhës folklori, materiale të cilat ai gjithashtu i botoi në shtypin e kohës.

Në të pestin Provincial Shqiptar, më 17 Qershor 1938, At Klementi u zgjodh një nga 4 Definitorët e Provincës Françeskane, me Provincial At Çiprian Nika.

Viti 1944 At Klementin e gjeti të emëruar famullitar në Bize. Aty ai qëndroi shumë afër banorëve, duke i ushqyer dashuri, paqe e vëllazërim, dashuri për njeri tjetrin, dhe kjo ide e tij ishte jo vetëm per të krishterët, por edhe për ata të besimit musliman.

Gjatë luftës, duke qenë gjermanisht folës, ai arriti të shpëtonte rreth njëzet fshatarë të arrestuar e të dënuar me pushkatim nga pushtuesit gjermanë.
Veprimtaria e Fratit të mençur ishte e orientuar në dy drejtime: për Fe dhe për Atdhe.

Biza, Laci, Shkodra e Kosova e kanë nderuar dhe e kanë respektuar At Klementin për shërbesen që ai ju bëri, për devotshmëri e tij në detyrë, per diturinë e miresinë e tij.

Por diktatura komuniste nuk mund ta linte te lire Fratin e nderuar. Me vendim të Gjykatës Ushtarake, Durrës, nr. 62, date 24. 06. 1952, mbështetur në nenin 8 të ligjit nr. 372, At Klement Miraj u arrestua dhe u dënua, për agjitacion e propagandë, me 8 vjet burg.

Çfarë veprimtarie armiqësore kishte bërë ai për t’u denuar?
Natyrisht asgjë, përveçse kishte shërbyer me devotshmëri e atdhetari. Natyrisht regjimi komunist nuk i falte priftërinjtë katolike dhe At Klementi, si një nga të shërbimit katolik, u arrestua me një vendim të Gjykatës Ushtarake të Durrësit, Gjykata nxorri vendimin për ta denuar në mungesë për agjitacion e propagandë kur ai ishte në moshën 67 vjeçare. Prangat ju vunë në Bizë të Ishmit nga ish punonjësi i sigurimit të shtetit në Durrës, R. Domi. Gjykata ushtarake e dënoi 8 vjet burg. Ndën pranga Frati i nderuar u dërgua në burgun e Tiranës dhe, pak më vonë, u transferua në burgun e Burrelit, ku edhe vdiq dhe, deri më sot, nuk i është gjendur as varri.

Gjon Vlashi, me profesion avokat, i ka dëshmuar, në Janar të vitit 1994, babës tim shumë të nderuar, Fabjanit, se e ka njohur At Klementin në burgun e Burrelit, gjatë kohës kur kanë qenë të bashkëburgosur dhe, sipas dëshmisë së tij të lënë me shkrim, Patër Klementi ka vdekur me 21 Nëntor 1956.
At Klementi vdiq në moshën 71 vjeçare, 4 vjet pasi ishte arrestuar. Nuk dihen shkaqet, por dy janë arësyet e vdekjes: ose duke mos përballuar dot kushtet e burgut ose nga ndonjë rrethanë tjetër. Natyrisht që janë fare të panjohura dhe nuk dihet asgjë për rrethanat e vdekjes së tij. Ai vetë vdiq pa e kuptuar kurrë se përse u denua e përse duhet të vuante në periudhën, që mund të quhet si periudhë e gati pleqerise, kur gjithë jetën e tij ja kishte dedikuar njerëzve, kur kishte punuar vetëm me dashuri, devotshmëri e patriotizëm, për Fe dhe për Atdhe.

Burgu e vdekja e ndanë nga njerezit, por ata asnjëherë nuk e harruan famullitarin e ndershëm, njeriun e mirë e të kulturuar.
Me kujtohet, kur isha e vogël në shtepinë tone vinin jo rrallë fshatarë nga Biza për të takuar babën tim, e për t’i sjellë atij, si nipi i At Klementit, natyrisht me zë të ulët, pershendetjet e bashkëfshatarëve në mirënjohje të Fratit të tyre, të cilin ata nuk e harruan asnjëherë.
Nga familja e At Klementit kanë dale 4 Fretën Françeskanë, 3 nga të cilet nuk janë më dhe i katërti At Gazmend Tinaj, është në Provincën Françeskane të Zojës Nunziatë, në Shqipëri.
At Mhill Miraj, ose Rrok Pjetri siç ishte quajtur në femijëri, Mjeshtër në Klerikat në vitet 1938-1939, professor i matematikës ne Liceun e Shkodrës, njeri i kulturës e dijes, u dënua me 10 vjet burg nga Gjykata Ushtarake, më 13 Janar të vitit 1948 bashkë me 10 Klerikë të tjerë dhe u torturua me mënyrat më çnjerëzore në burgjet e asaj kohe. At Zef Pllumbi, në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue”, dëshmon për torturat e rezistencën e At Mhill Mirajt në ato burgje të ferrit komunist.

Baba im, i ndjeri e shumë i nderuari, Fabian Miraj ose Tom Zefi, siç ishte quajtur në fëmijëri, njeri shume i kulturuar, specialist i shkëlqyer në fushen e ndërtimit, të restaurimit të monumenteve të kulturës, ishte gjithnjë i palodhur në punë. Ai në fakt pasi kishte mbaruar Kolegjin e Françeskanëve në Shkodër kishte shkuar për studime në Itali dhe ishte diplomuar për Teologji në Universitetin Antoniana në Romë. Në fund të vitit 1945, menjëherë pas diplomimit, u kthye në Shqipëri, kur ishte vetëm 25 vjeç. Kthimi i tij lidhej jo vetëm me çlirimin e Shqipërise, por edhe me faktin që kishte mbaruar Lufta e Dytë Botërore. Sa herë e pyetnim na thoshte se u kthye nga dashuria e madhe për vendin, për prindërit e të afërmit. Shqipërinë e gjeti ndryshe nga ç’e kishte menduar. Që ne fillim, pasi u caktua Frat në Plan të Dukagjinit, u përball me kurthe, presione e kërcenime dhe pasi u burgos për disa muaj u detyrua që në vitin 1948 të ndërpriste veprimtarinë fetare e të largohej nga rrethi i Shkodres, ku ai njihej si Frat ose si njeri i sherbimit katolik. I ri dhe me vitalitet vendosi të regjistrohej vullnetar në ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës. Në hekurudhë jeta e tij mori drejtim tjetër. Vendosi të mos kete miq të afërt e të mos flasi me askënd për mendimet e tij ideologjike e politike. Nuk foli as me ne deri kur ndodhën ndryshimet demokratike, sepse mendonte se vetëm duke heshtur do të mbronte vehten, familjen dhe gjithë të afërmit.

Ne 63 vjetorin e vdekjes ose të martirizimit të At Klement Miraj dëshiroj të nderoj edhe të ndjerin At Mhill Miraj, Fabian Miraj si edhe gjithe fisin tim te nderuar, jo vetem ata malësore që jetojnë edhe sot në Kelmend, por edhe ata që kanë zbritur e jetojnë në Shkodër e Lezhe, Laç, Mamurras e kudo qofshin nëpër botë. Një nderim shumë të veçantë për të gjithë Fretnit e Provincës Françeskane të Zojës Nunziatë në Shqipëri, të cilët me përkushtim vazhdojnë rrugën e At Gjergj Fishtës, At Shtjefën Gjeçovit, At Zef Pllumit e të gjithë Fretënve të martirizuar në forma e mënyra të ndryshme nga ai regjim aq i egër, që per fat të keq zotëroi Shqipërinë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.

I përjetshëm qoftë kujtimi i At Klement Miraj. I përjetshëm qoftë kujtimi i Fabjan Mirajt dhe At Mhill Mirajt. I përjetshem qoftë kujtimi i të gjithë Fretënve Françeskanë, që ja kushtuan jetën parimit të tyre të bukur e të rëndësishëm: ‘Per Fe e për Atdhe’.

KËNGË ESKIMEZE NGA ANONIMË – Përktheu FASLLI HALITI

 

 

 

NJË NJERI ISHTE DUKE ECUR NË TË FTOHTË

 

Një njeri po nisej,

po nisej i vetëm,

ecte në të ftohtë,

ecte në erë,

po shkonte në Malin e Madh.

Pa diçka në borë

jo nuk ishte lepur,

nuk ishte thëllëzë,

as diçka e ftohtë.

 

Disa duar dilnin nga dëbora,

Duar të kafshuara nga dhelpra,

këmbë të kafshuara nga ujqërit.

Babai vështroi

pa folur.

Dhe i fshiu dëborën nga rrobat,

i fryu në sy,

i fryu në gojë,

mbështeti zemrën e tij,

mbi zemrën e djalit,

por djali mbeti i ftohtë,

dhe mbeti si gur i ngrirë,

i ngrirë si akull,

pas tre netësh babai

nuk mendoi më,

edhe humbi rrugën,

e harroi udhën,

nuk kishte më dritë,

dritë nuk kish në kokë.

Tani babai këndon.

Po këndon  nën tendë,

këndon me eskimezët,

këndojnë të gjithë së bashku

këndojnë të gjithë për djalin e tij.

 

***

 

Me ҫfarë shprehje të thjeshtë këndohet ankthi i babait i cili gjeti fëmijën të vdekur nga të ftohtit. Bëri ҫmos që ta sillte në jetë me frymën e tij, por djali mbeti i ngrirë nga të ftohtit. Atëherë babait nuk i mbetet tjetër veҫ të këndojë në çadrën e vet, të këndojë për birin e tij, dhe shkarkoi kështu,dhimbjen.

 

Përktheu: Faslli Haliti

 

KËNGË PËR TË TJERËT

 

Të gjitha këngët lindIn

për njeriun

mes të një shkretëtire të paanë

herë – herë  lindin si një dënesë ato

 

herë nga thellësia e zemrës sime në dhimbje,

herë  si një e qeshur e gëzueshme

si shkulm nga gëzimi

që s’mund të mos ndIhet

nga jeta dhe bukuria e botës.

Pa e ditur sesi

 

lindin me frymën

fjalët dhe tonet

 

që nuk janë

biseda  të përditshme

dhe bëhen gjë e vet atij

që di se si t’i  këndojë për të tjerët ai.

 

                     

 

 

 

 

DUKE KENDUAR NE SHI

 

       VAJTIM

 

Është i rrumbullakët ai

Është vezullues,

Është si një rruzull i vogël akulli në ujë.

Hidhet,

Valëzon,

Luan,

Si rruzull i vogël akulli në ujë.

Jek jek jek*

Ngrij sytë e tu,

Shikomë

Rruzullin  e vogël të akullit në ujë.

 

 

Përktheu: Faslli Haliti

 

 

*jek – thirrje tipike e eskimezëve

GOTTFRIED WILHELM LEIBNIZ ngjashmëritë e shqipes me gjermanishten i kërkon në keltishten e lashtë

1675 – GOTTFRIED WILHELM LEIBNIZ DEMONSTRON PËR HERË TË PARË KALKULUSIN INTEGRAL ‘y=fx’


1675 – Gottfried Wilhelm Leibniz (21. qershor 1646 in Leipzig – 14. November 1716 në Hannover) demonstron për herë të parë kalkulusin integral “y = ƒ(x)”, paralelisht me dhe në mënyrë të pavarur nga Isak Njutoni, duke u bërë bashkë-themelues i kësaj fushe të matematikës. Leibniz – filozof, historian, matematikan, jurist, diplomat, filolog – figurë e rëndësishme në mendimin perëndimor, lindi në Leipzig. Ai ishte presidenti i parë i Akademisë Prusiane të Shkencave.
Por, pullariteti i tij sa ishte gjallë edhe u cënua, veçanërisht nga Volteri, i cili si mik i Njutonit, e ironizoi atë; madje edhe Kandidin e shkroi me Leibnizin në mendje. Por Leibniz ishte njeri i interesave të shumta. Në 10 vitet e fundit të jetës, një nga përkushtimet e tij u bë edhe gjuha shqipe. Së pari, Leibnizi goditi mitin se shqipja, meqenëse flitej në Ballkan, bënte medoemos pjesë në grupin e gjuhëve sllave, apo rridhte nga greqishtja ose latinishtja. Ai besonte se shqipja ishte ilirishte (siç do të demonstrohej nga Franz Bopp më shumë se një shekull më vonë); Leibniz mendonte se shqipja kishte lidhje me gjermanishten dhe këto ngjashmëri ai i kërkon në keltishten e lashtë. Mendimet mbi shqipen, Leibniz i shprehu në letërkëmbimet e tij (1705 – 1715) me shkencëtarë, studiues e intelektualë të kohës – gjithsej 5 letra mbi shqipen (FESH).
Ja si shkruante Leibniz – ndër të parët, në mos i pari albanolog që e vendosi shqipen në hartën e botës së studimieve gjuhësore: “Sa për gjuhën e shqiptarëve, e njohur si Linguam Illiricam…mendoj se është e denjë të studiohet….Të dhënat që kam tregojnë se shqipja përmban shumë latinisht dhe pak gjermanisht. Dhe ky është mendimi im mbi disa fjalë shqipe: ‘hundë’ nga keltishtja e vjetër ka dhënë gjermanishten ‘wen’ – ‘qen’, kafshë që karakterizohet nga përdorimi i hundës ‘nose’ – ‘nuhatje’. Fjala ‘gjueti’, anglisht “hint” – ‘gjurmë’ – ‘shenjë’; gjermanisht ‘spuhr’, nga ‘kunde’ – ‘dije, njohje’. Fjala ‘krah’  lidhet me ‘krezzen, crabbe’ – ‘gaforre’ nga rrjedhin kthetër, zvarrë, rrafsh, zero. ‘Gaforrja’ mund të ketë lidhje edhe me ‘furkën, pirunin’. Fjala  ‘burrë’ mund të jetë e lidhur me ‘brautigam’ ‘dhëndër’. Ndërsa fjalët shqipe për numrat nuk kanë asgjë që mund  të rrjedhin nga gjuhët fqinje, por, duke ditur shumë gjuhë të tjera, studiuesi mund të jetë në gjendje të kuptojë shumë fjalë të shqipes; fjala ‘det’ nga Delt, dmth Thalassa, Thellësi, Perendia e Detit në mitologjinë greke. Është e qartë se reliket e ilirishtes janë ruajtur në gjuhët moderne, veçanërisht në atë të shqiptarëve”, shkruan Leibniz, në “Opera Philologica”, përkthyer nga frengjishtja në anglisht nga Robert Elsie.
Vlera e ideve të Leibnizit qëndron edhe në faktin se si shkencëtar serioz, ai tërhoqi vemendjen e shkencëtarëve të tjerë për t’u marrë me studime në fushë të shqipes. Ky interesim i Leibnizit mund të shpjegojë ndoshta edhe arsyen pse albanologjia ka tërhequr vazhdimisht shkencëtarë, gjuhëtarë e filologë ndër më të shquarit gjermanë e nga bota. Leibniz shkroi kryesisht frengjisht e latinisht dhe pak gjermanisht. Shumica e shkrimeve të tij ndodhen ende të pa botuara, dhe janë marrë në mbrojtje nga UNESKO. Në vitin 1985, qeveria gjermane krijoi Çmimin Leibniz, duke ofruar një shpërblim vjetor prej 1-milionë e 550-mijë euro për rezultate praktike dhe 770-mijë euro për ato teorike në shkencë.
Ky është çmimi më i lartë në botë për arritje shkencore.

Më 12 nëntor 1929 lindi Princesha e Monakos, Grace Patricia Kelly – Nga Elida Buçpapaj

Grace, Princesha e Monakos, e thirrur në përgjithësi Princesha Greis Patricia e Monakos, pra Grace Patricia Kelly, më tepër e njohur si Greis Kelli, simbol i elegancës për brezni të tëra femrash, e renditur nga Instituti Amerikan i Filmit në vendin e 13-të mes Yjeve më të Mëdhenj Femra të të Gjitha Kohërave, lindi më 12 nëntor 1929 në Filadelfia të SHBA, e treta nga të katër fëmijët e familjes Kelli- dhe u shua më 14 shtator 1982. Pasi mbaroi studimet e larta në Filadelfia, ajo shkoi në Nju Jork për të studiuar në Akademinë Amerikane të Arteve Dramatike (American Academy of Dramatic Arts ). Këtu, pasi kishte marrë diplomën, bëri debutimet e para teatrore.

Ajo ishte e treta e katër fëmijëve të John Brenda Kelly Sinjor, i njohur edhe si Jack Kelly, dhe e Margaret Katherine Majer Kelly. Fëmijët e tjerë të familjes ishin, me radhë, Peggy, John Junior, dhe Lezzane. Babai i saj ishte një prej dhjetë fëmijëve të John Henry Kelly (1847-1879) dhe e Mary Costello në një familje katolike irlandeze amerikane. Tashmë hero i tri medaljeve të arta olimpike, biznesi i tullave i John Kelly u rrit me shpejtësi të jashtëzakonshme. Multimilioneri i vetëbërë dhe familja e tij hynë në radhët e shoqërisë së lartë amerikane. Rrethi i gjerë i familjes Kelly përfshinte dy artistë të mëdhenj, humoristin Walter Kelly, dhe George Kelly, dramaturg me Pultzer Prize. Më 1935, John Kelly garoi për kryetar bashkie të Filadelfias, duke humbur për pak vota. Gjatë Luftës II presidenti Ruzvelt e emëroi Drejtor Kombëtar të Fitnesit fizik. Nëna e Grace, lindur luterane nga prindër gjermanë (Carl Majer dhe Margaretha Berg), u bë katolike kur u martua me zotërinë Kelly. Si shoqi, edhe ajo ishte e shquar në fitnes.

Filmi i parë i Grace Kelly ishte “Forteen Hours” ( Katërmbëdhjetë orë ) (1951), i regjisorit Henry Hataway, me një rol që kishte një hapësirë shumë të vogël në film. Por prova e saj e madhe si artiste vjen vitin e mëvonshëm, në filmin legjendar „High Noon“ (Pika e mesditës ), ku aktorja e re luante personazhin e një nuseje të një sherifi,rolin e të cilit e luante i famshmi Geri Kuper (Gary Cooper). Filmi i mëvonshëm do të ishte rezultat i kontratës me shtëpinë prodhuese të filmave MGM. Bëhet fjalë për filmin “Mogambo“ (1953), ku bashkëprotagonist i Kellit ishte mitiku Klerk Gebëll (Clark Gable).
Kur mund të quhej yll ndërkombëtar me plot kuptimin e plotë fjalës, Greis tërheq vëmendjen e mjeshtrit të të sapensit (suspense ), Alfred Içkokut (Alfred Hitchcock). Do të ishte pikërisht ky regjisor i madh njeriu që e zbuloi dhe vlerësoi plotësisht talentin e saj kur, më 1954, ia besoj asaj rolin e protagonistes në filmin „Dial M for M Murder“ (“Krimi i përsosur“ ). Në vazhdim, ata xhirojnë bashkë filmat „Rear Window“ (“Dritarja mbi oborr” ) dhe „To Catch a Thief“ (“Të kapësh hajdutin”). Greis do të ishte pjesë e suksesit të Mjeshtrit të filmave me tmerre, dhe prania e saj skenike bashkë me bukurinë tronditëse do t’i jepnin asaj mbiemrin “Akulli i zjarrtë “. Më 1954 Greis Kelli fiton edhe çmimin Oskar si aktorja më e mirë në rol kryesor në filmin „The Country Girl“ ( “Vajza e fshatit” ) të regjisorit George Seaton. Në film luante edhe divi Bing Crosby.
Filmi “Të kapësh hajdutin” zhvillohet në Costa Azzurra, një vend që ia ndërroi asaj fatin një herë e përgjithmonë. Gjatë pjesëmarrjes së mëvonshme në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Kanës, ajo takohet me Princin e Montekarlos Ranieri. Ranieri është i çmendur pas saj që në takimin e parë, ai bën gjithçka për ta përvetësuar, duke i kushtuar një mori të pafundme letrash dashurie dhe duke bërë gjithfarë gjestesh simbolike që e dëshmonin dashurinë e tij për Greisin. Brenda pak muajsh ata e shpallën zyrtarisht fejesën e tyre. Ishte saktësisht 5 janari i vitit 1956.
Për aktoren vijnë çaste të lumturisë së madhe. Ndërkohë, në fshehtësi, në rrafshin profesional, po ndodhnin mosmarrëveshja përfundimtare siç ishte shkëputja me shtëpinë prodhuese të filmave MGM, shtëpinë më të madhe dhe më të suksesshmen amerikane të filmave. Por në kuadrin e bashkëpunimit më këtë shtëpi prodhuese të filmave u realizuan edhe filmi i saj “High Society” (Shoqëria e Lartë ), ndërkohë që MGM pati edhe të drejtën ekskluzive për dokumentarin e martesës së saj me Princin e Montekarlos. Komedia muzikore “High Society”e xhiruar më 1956, ishte edhe filmi i fundit që kishte protagonistë të famshmit Bing Crosby e Frank Sinatra. Martesa ishte fiksuar për në muajin prill, kështu që Kelli ua dha lamtumirën për gjithmonë shesheve kinematografike të xhirimit për të ikur në Francë, kur e priste i dashuri i saj, Princi Ranieri.
Gazetat tabloide tashmë kishin një objekt tejet të pashtershëm, saqë nuk ia lejonin vetes të humbisnin as hollësinë më të vogël nga jeta e Greis Kellit. Që nga sjelljet e saj aristokratike, te shkëmbimet e dhuratave, deri te pamja e jashtme trallisëse e saj, Greis u bë shumë shpejt model për ta imituar të gjitha vajzat e Amerikës së viteve 1950. Dhe kjo dukuri kulmohet edhe më shumë kur Greis martohet me Ranierin. Dasma e saj ishte epokale dhe jeta e saj filloi që të pasqyrohej minutë për minutë në gazetat dhe në mediat botërore.

Martesa përrallore u bë pikërisht në datën e fiksuar. Prilli dhe pranvera shënuan edhe lamtumirën e Greisit jo vetëm ndaj kinematografisë por edhe ndaj Amerikës. Martesa e tyre u quajt njëzëri nga shtypi i gjithë botës “martesa e shekullit”. Ceremonia civile u kremtua më 15 Prill 1956, ndërsa ceremonia religjioze u krye të nesërmen në Kishën e Shën Kollit (St. Nicholas Church ). Nuk është nevoja të kujtojmë se kisha dhe mjediset e saj u pushtuan ato ditë faktikisht nga gazetarët (që tashmë njihen me emrin “paparacë” ) dhe nga telekamerat e gjithë botës. Gresi e fsheh mrekullisht nervozizmin, duke dashur të jetë gjithmonë e afërt dhe e natyrshme, pavarësisht se njerëzve të saj ua kishte hapur zemrën duke thënë se kishte mbetur tejet e bezdisur nga ceremonia, natyrisht për shkak të rolit të shtypit që, pa mëshirë, gjithçka e kishte publikuar në faqet e tij. Me pak fjalë, nga ajo ditë Greis Kelli, në sytë e mendjen e gjithë botës ishte transformuar përfundimisht në Princesha Greis e Montekarlos.

Më 23 janar 1957 Greis Kelli solli në jetë Karolinën (Caroline ), fëmijën e parë dhe vajzën e parë. Më 14 mars 1958 ajo lindi fëmijën e dytë dhe të vetmin djalë të saj, Princin Alberto. Shtatë vjet më vonë, në mes të shkurtit, solli në jetën princeshën Stefani (Stephanie ). Këta janë emra që përfaqësojnë aktualisht principatën e Montekarlos, të cilët, që të gjithë, që nga çasti kur erdhën në jetë, në mënyrë konstante, u bënë personazhe të të gjitha tabloideve ndërkombëtare.
Por sa ishte në këtë jetë, Greisi kërkoi me këmbëngulje që t’i rriste në kushte sa më të natyrshme dhe normale fëmijët e saj, edhe pse i duhej të luftonte, përveçse me gazetarët, edhe me temperamentet kryeneçe e rebele të disa prej tyre. Më 1978, për shembull, Karolina (së cilës i pëlqente të bënte një jetë thellësisht mondane, krejt në kundërshtim me vullnetin e së ëmës ), u martua, por martesa e saj zgjati sa bryma para diellit, çka nuk çuditi askënd, aq më tepër prindërit, të cilët e kishin kundërshtuar që në fillim. Stefania, nga ana e saj, ka kërkuar gjithmonë që të gjejë rrugën e saj, por jo të gjitha herët ka pasur sukses.
Më 13 shtatorin e vitit 1982, Greis dhe vajza e saj Stefani pësuan një aksident me makinën që po e drejtonte vetë Greis, një Rover P6, ndërsa po ktheheshin nga Franca në Montekarlo. Thuhet se ajo po e ngiste veturën në të njëjtën rrugë ku ajo kishte xhiruar filmin e vitit 1955 To Catche Thief, edhe pse djali i saj thotë se nuk ishte i njejti vend ku ishin bërë xhirimet e filmit. Stefania arriti të dilte nga vetura që po shkonte drejt honit, ndërsa Greis e plagosur rëndë, në gjendje koma, vdiq në spital pas 26 orësh kur ishte vetëm 52 vjeç.
Ishte ora 23:45 e 14 shtatorit 1982, kur televizioni i Montekarlos dha lajmin flesh të vdekjes së Greis Kellit, aktores të famshme të Hollivudit dhe Princeshës me hijeshi të magjishme, duke e ulur kështu siparin e legjendës të “Mjellmës”, të ikonës, bukuria e së cilës nuk perëndon kurrë, sepse princesha e Montekarlos bashkë me bukurinë e jashtëzakonshme, ishte mishërim i mrekullisë që vjen kur bukuria, mirësia dhe fisnikëria përzihen së bashku.

Princesha u varros në Katedralen e Shën Nikollës në Monako. Aty pranë saj do të varrosej edhe i shoqi, Princi Rainier, më 2005. Rreth 100 milionë veta në mbarë botën e panë nëpërmjet televizioneve funeralin e saj. Ajo do të mbetet princesha më e kujtuar në historinë monegashe.

Në eulogjinë e tij, pra fjalimin lavdërues, James Stewart tha: “Ju e dini sa e kam dashur Garce Kelly-n. E kam dashur jo pse ishte princeshë, jo pse ishte aktore, jo pse ishte mikesha ime, por sepse ajo ishte zonja më e mrekullueshme që kam njohur ndonjëherë. Grace solli në jetën time, ashtu siç solli në jetën tuaj, një dritë të butë dhe të ngrohtë të pashterrëshme.”

Greis Kelli i takon asaj kategorie personazhesh, që lenë shenjë në historinë e njerëzimit, duke i mbetur shoqërisë njerëzore në kujtesë. E paharrueshme do të vazhdojë të mbetet biondja me sy të paqtë, si për pasurinë e çmueshme gjithë dritë si aktore e përmasave botërore, ashtu edhe për historinë personale që është shumë e ngjashme me ato të përrallave, për të cilat kemi aq shumë nevojë./Elida BUÇPAPAJ

Ilia Therecka, 35 vjet në burgjet e komunizimit. Si nisi ferri i tij për një ‘rrëshqitje’ adoleshence në gjimnazin e Kadaresë dhe Agollit

Marsel Lela

Ilia Therecka ka zgjedhur të mos jetë në ciklonin mediatik. Intervista janë një gjë e huaj për të. Fakti që vendosi të flasë për Politiko.al mund ta konsideroni rastësi, këmbëngulje miqsh apo dhe fat. Ndoshta edhe një shtysë të atij që ka jetuar një jetë të pazakontë për të lënë një dëshmi.

Takohemi në apartamentin e tij, në rrugën ‘Fortuzi’. Flutura, e shoqja, një zonjë e bukur dhe e kulturuar, na pret me derën hapur dhe me mirëseardhje. Sapo futesh në sallon të zënë sytë libra të shumtë në gjuhë të ndryshme, pikturat e Sali Shijakut dhe të tjerë piktorëve të njohur shqiptarë, si dhe fotografitë e familjes. Ilia Therecka është në studio, ku rri me orë të tëra, duke u informuar rreth botimeve më të reja, apo studimeve më të fundit shkencore. Del nga aty dhe na pret me përzemërsi. Sytë plot gjallëri dhe kureshtje për jetën ta shfaqin menjëherë shpirtin rinor të këtij burri 85 vjeçar, që nuk e kishin mposhtur dot as 35 vitet që ai i ka kaluar në rrathët e tmerrshëm të ferrit komunist.

***

Ilia është biri i një prifti ortodoks, Vasil Thereckës, ndërsa nëna e tij rrjedh nga një derë e fisme e qytetit të Beratit. Ajo ka qenë stërmbesë e patriotit dhe veprimtarit të madh beratas për çlirimin e vendit, Babë Dudë Karbunara. I ati i vdiq i ri, kur ishte 43-44 vjeç në vitin 1947, duke e lënë Ilian fare të vogël, ndërsa e ëma u detyrua të bënte punë të ndryshme, pasi mbeti vetëm. Në vitin 1950 Ilia Therecka mbaron shkollën 7-vjeçare me nota maksimale dhe, siç ishte praktika e asaj kohe, ai zgjidhet mes 100 nxënësve që u dërguan në Jugosllavi. Më pas, Therecka fiton një bursë për në gjimanzin e Gjirokastrës ku vazhdon studimet. Në vitin e dytë të gjimnazit një lojë fëmijësh do të bëhej shkak që jeta e Ilias të merrte një rrjedhë të paimagjinueshme, dhe ai të etiketohej nga sistemi si një nga ‘armiqtë e atdheut’.

Ai tregon se dallonte nga të tjerët nga veshjet e mira, për shkak se i shoqi i hallës së tij u dërgonte nga Amerika ndonjë pako me rroba. Gjithashtu, Ilia ishte çapkën nga natyra dhe i pëlqenin këngët. Madje ai na tregon edhe një histori që ia kishte treguar Dritëro Agolli, pas rënies së regjimit. Ilia Therecka ka studiuar në të njëjtën shkollë paralel me shkrimtarin Ismail Kadare, ndërsa Dritëro Agolli ishte dy klasa më lart.

“Të shikonim ty ne fshatarët e tjerë dhe thoshim, u bë ky, i biri i priftit të vishet më mirë se ne”, i kishte rrëfyer Agolli gjatë një bisede.

Therecka tregon se kur ishte në vitin e dytë, shoku i tij, Thanas Dhespa, do të shkonte në fshatin e tij për festën e ‘Shën Thanasit’ më 16-17 janar. Rruga që ai do ta përshkonte më këmbë deri në fshat kalonte përmes një pylli dhe ishte e rrezikshme, ndaj një oficer nga i njëjti fshat me Thanasin që e takoi rastësisht, i dha këtij të fundit një revolver që ta kishte për vetëmbrojtje. Therecka tregon se ku u kthye në konviktin e shkollës ‘Asim Zeneli’, ai ia tregoi revolverin një shoku të klasës dhe i thotë me shaka se kishte ndërmend të vriste dikë që ata e njihnin.

“Kur e merr vesh se ku e kishte fshehur revolen, ai gjatë mësimit del dhe pasi e merr dhe ia çon Sigurimit të Shtetit. Gjatë pushimit ky shoku po më pyeste nëse e kisha parë vlonjatin që i kishte treguar për armën. E pyeta se çfarë kishe ndodhur dhe për çfarë arme bëhej fjalë dhe kur më tregoi si ishte puna, e kërkuam nëpër gjithë Gjirokastrën deri në orën 10 të natës. Thanasi vendosi ta priste se mos vinte, ndërsa unë ika në konvikt.

Dënimi i parë

Pas mesnate më zgjojnë me forcë dhe kur hap sytë shoh që në dhomën e konviktit ishin policë të armatosur. Të gjithë nxënësit ishin alarmuar. Më vunë menjëherë hekurat. Ndërkohë kisha edhe një shok nga Shkodra, Bajram Mesi, e morën edhe atë. Ai nuk dinte gjë fare për këtë muhabet. Pas mak morën edhe Thanasin. Na hipën në makinën e Sigurimit dhe pasi na i përplasën një herë kokat të treve na futën në ca biruca të ngushta, një metër e gjysëm, ku nuk mund të rrije dot as në këmbë dhe as ulur.”

Gjatë hetimeve, një avokat mbrojtës u ishte drejtuar atyre me një letër, pasi nuk lejohej që të pandehurit dhe avokati të takoheshin. Në letër ai u thoshte që e gjithë klasa kërkonte lirimin e tyre, ndaj ata duhej të paronin çdo gjë që u thoshin.

“Ka qenë janar i vitit 1952, unë isha 16 vjeç dhe ky avokat ishte një kushuriri im, ndaj ne pranuam të firmosnim në kuesturë atë që na dhanë”, rrëfen Therecka.

Pas 6 ditësh atë dhe të tjerët i çojnë në kalanë e Gjirokastrës. Therecka tregon se Kalaja kishte disa qela që në atë kohë ishin me çimento. Këto qela laheshin çdo ditë nga të burgosurit. Ishin diku te 15 qela nga njëra anë në dhe 15 nga ana tjetër, ndërsa në mes ishte një si tip trotuari i gjatë. Këto qela ishin plot me njerëz, prej tyre herë pas here nxirrnin të vdekur. “Mjerë ai që ka qenë te kalaja e Gjirokastrës”, kujton Therecka ndërsa sjell ndërmend tmerrin e atyre pamjeve.

“Futu aty, – më tha polici. Ishte dimër, binte borë kiamet dhe unë kisha në trup disa rroba të holla doku. Sapo pashë hapësirë u gëzova dhe u shtriva. Kur pas pak pashë që trupin e kishta të lagur, sepse uji futej nëpër dhoma kur lahej oborri i jashtëm, por këto që nuk kishin njerëz, dy të tilla, mbanin ujë akoma. Unë kisha fjetur mbi ujë atë natë. U tmerrova se kapota e vetme që të jepnin ata kishte ngrirë në çimento.”

Pas 5 muajsh qëndrimi aty i nxjerrin në gjyq, ku atë dhe shokun e tij i dënojnë me nga 20 vjet burg, maksimumi që ishte atëhere. Prokurori, kujton Therecka, na tha se kaq pak ishte për shkak të moshës, ‘se po të ishit më të mëdhenj do të hanit plumbin kokës’. Pasi i mbajnë aty edhe 6 muaj i nisin drejt Kuçovës ku do të ndërtonin aeroportin. Këtu Ilia Therecka kujton një episod të trishtë se si makina kishte ndaluar mu përpara shtëpisë së tij. Ishte ora një pas mesnate dhe ai, as 17 vjeç, shikonte shtëpinë dhe mendonte njerëzit që flinin brenda në të ngrohtë. Një ngrohtësi që atij do i duhej të kalonte shumë vite nëpër qelitë dhe galeritë e ftohta të burgjeve dhe kampeve të punës së detyruar për t’ia ndjerë shijen.

Therecka kujton se pas dy vjetëve në Kuçovë, në vitin 1953 i çojnë për të ndërtuar aeroportin e Rinasit, i cili, sipas tij, asokohe ishte si një pyll afrikan. Aty ai njihet me Jusuf Vrionin, Tomor Ypin, Sami Repishtin, Foto Balën, Spiro Pishën dhe plot intelektualë të tjerë. Më pas e transferojnë në kanalin Gjosh-Levan-Fier, në Spaç, Bulqizë, Burrel, në burgun e Vlorës, në Skrofodinë, në liqenin e Nartës, e në shumë vende të tjera.

Therecka kishte zënë miqësi me të gjithë intelektualët, sidomos me Jusuf Vrionin, i cili e shihte Ilian si pasuesin e tij për sa i përket gjuhës frënge.

“Frëngjishten kam filluar ta mësoj që kur isha në kampin e Beratit, me një mikun tim nga Kavaja, Naum Bidoshi, i cili kur gatuante unë i shkoja aty, se nuk kishim kohë tjetër: aman Naum, kam nja dy fjalë, – hë, më thoshte mua dhe i frynte zjarrit.”

Një ndihmë e madhe për Thereckën në mësimin e frëngjishtes ka qenë, përveç Vrionit, edhe Skënder Konica, nipi i Faik Konicës. Therecka thotë se kur dilnin për t’u ajrosur dy herë në ditë nga një orë, Skënder Konica e detyronte të fliste vetëm frëngjisht. Kur i thoshte diçka gabim, ai e korrigjonte. Kjo vazhdoi për dy vjet ndërsa ishin në burgu e Tiranës, pasi dy vjet më vonë e transferuan në burgun e Vlorës. Therecka rrëfen se në burgun e Tiranës flinin kokë më kokë. Të burgosurit futeshin nga 40-50 veta në një qeli sa dhoma e një apartamenti. Të gjithë flinin në çimento mbi rrogoza me nga një hapësirë të ngushtë në mes.

“Shpesh herë vinte policia edhe dy herë në ditë dhe detyroheshim t’i përmbysnim dyshekët që të kalonin ata të kontrollonin me hekura mos hapnim ndonjë vrimë.” Ky ishte dënimi i parë që zgjati 13 vjet, deri në janar të 1965-ës.

Dënimi i dytë

Pasi del nga burgu Therecka punon dy vjet e gjysëm si marangoz. Në krye të dy viteve atij i heqin kategorinë, duke u kapur pas një rasti banal.

“Po merrja ca dërrasa në një sekor të NSHN-së dhe pashë  një arkë të hedhur, të cilën e mora për të bërë një kasë atje ku punoja. Një shofer raportoi dhe tha, ky e vodhi arkën. Ata përfitua nga revolucioni kinez, më nxorën para gjithë brigadave dhe më akuzuan se kisha vjedhur arkën.”

Gjithçka po bëhej e vështirë në Shqipëri për Thereckën, ndaj ai vendos të arratiset se bashku me një shok, i cili kishte qenë ca kohë ushtar në Kukës, por nuk e njihte kufirin. Atëhere, Ilia gjen një hartë të Shqipërisë nga e cila pret zonën e Kukësit nga do të kalonte. Më pas takon të bijën e Tuk Jakovës, të cilën e ishte njohur pasi shkolla e saj ishte afër vendit ku punonte. Pasi arrin të gjejë një busull nëpërmjet saj niset bashkë me shokun e tij drejt Kukësit. Kur mbërrijnë atje tentojnë të kalojnë nëpër Drinin e Bardhë, por nuk arrijnë dot sepse lumi ishte shumë i rrëmbyeshëm. Nisën më këmbë dhe arrijnë pa i parë njeri deri në Prizren në krye të tri ditëve. Pasi qëndrojnë ca ditë te një familje vendosin të dorëzohen tek UDB-ja. Por, për fatin e tyre të keq UDB-ja i kthen mbrapsht dhe i dorëzon në kufi tek autoritetet shqiptare. Therecka dhe shoku i tij e marrin me mend se aty nuk i pret gjë tjetër veç vdekjes. Ai shpjegon se këto kthime të të arratisurve në ish Jugosllavi bëheshin në formë shkëmbimi.

“Në atë kohë ishte Tito në fuqi, kishte rrëzuar Rankoviqin dhe shumë kosovarë arratiseshin dhe vinin në Shqipëri. Shqipëria nuk i kthente. Kështu kur ata kapnin shqiptarë të arratisur i shkëmbenin me kosovarë që ishin arratisur në Shqipëri. Kur na kthyen ne të dy, ata morën në këmbim dhjetë veta.”

Ashtu siç e priste, Therecka mbahet 5 muaj në izolim dhe më pas dënohet me vdekje. Sigurimi kishte kurdisur edhe disa dëshmitarë kundër tij që të ‘çimentonin’ aktakuzën. Prokurori i heq edhe fjalën e fundit që Ilia do të thoshte në mbrojtje të tij. Në atë kohë, ishte tetor 1967, ishin hequr avokatët mbrojtës dhe duhet të fliste vetë i pandehuri pas vendimit të prokurorit dhe më pas vendoste gjykata. Për të respektuar këtë ligj, gjykatësi vendosi që t’ia jepte të drejtën e fjalës Thereckës. Ai tregon se kur u ngrit për të folur kishte sjellë në vëmendje padrejtësitë e sistemit në dënimin e tij të parë.

“Fon Paulis, i thashë, udhëhiqte një armatë të tërë dhe kur ushtria sovjetike e udhëhequr nga Stalini e rrethoi në Stalingrad, nuk ekzekutoi asnjë dhe këtë e dënoi vetëm me 9 vjet burg dhe sot e kësaj dite ai punon në një lulishte të Hamburgut. Perandorin e Mançurisë e kapën sovjetikët, e dënuan 10 vjet, bëri 5 vjet dhe sot është në Mançuri. Ndërsa unë pa mbushur 17 vjeç më kapin më fusin brenda, më mashtrojnë me anë të një spiuni që të pranoj të gjitha akuzat. Ky është një turp dhe një poshtërsi e madhe”.

Ndërsa Therecka fliste, jashtë ishin vënë altoparlantë dhe të gjithë beratasit dëgjonin. Ai kujton se edhe kur iu dha titulli ‘Qytetar nderi i Beratit’ dhe një rruge të këtij qyteti iu vu emri i tij, shumë qytetarë të Beratit e mbanin mend fjalimin e tij.

“Pastaj gjykata u tërhoq dhe pas 10 minutash u kthye ku dha vendimin pëfundimtar që më dënonte me vdekje. Nënës time që ishte aty e pranishme i ra të fikët. Gjatë kohës që isha dënuar me vdekje, tri herë gjatë natës, pas orës 1.00 ka ardhur polici, më ka hapur derën dhe më ka marrë për të më çuar në zyrën e hetuesit. Herën e parë më pyeti për Maksut Dërrasën, një nga kirurgët më të mirë që ka pasur Shqipëria. Ai ishte shok me Dhimitër Shytin, kushuri i parë i nënës sime, edhe ai mjek shumë i mirë, punonte tek Onkologjiku. Ti ke folur me të, më tha. Jo, i thashë. Dëgjo, tha, se kjo të fal dënimin. Jo, i thashë, nuk kam folur me të. Firmos këtu, më tha, kishte përgatitur shkresën që thoshte: Në rast se në të ardhmen, po të më falej jeta, rezulton se Maksut Dërrasa pranon se ka folur kundër pushtetit me Ilia Thereckën, ne do të marrim dhe do të të ekzekutojmë. Unë firmosa.

Herën e dytë më pyeti për Viktor Stradobërdhën, ka qenë miku im, kemi qenë në një burg bashkë. E njëjta gjë edhe për këtë. Firmosa. Në fund më pyetën për motrën e babait tim që jetonte në Shkodër dhe burri i saj, tregtar i madh jetonte në Itali. Donin që edhe hallën time ta fusnin në burg, ajo ishte 60 vjeçe atëhere. Pas 18 ditësh erdhi drejtori i burgut. Zgjidhe, i tha policit. Dëgjo këtu, tha, me sy të shtrënguar, qeveria ka vendosur të të falë jetën, një ka qenë në favorin tënd te gjykata e lartë. Më dënuan me 25 vjet, se aq ishte bërë atëhere maksimumi. Jam liruar në shkurt të ’89. Saktësisht kam bërë 34 vjet, 8 muaj e 3 ditë burg.”

Therecka tregon se në burg mësonte gjuhë të huaja, si frëngjishten, gjermanishten, anglishten, italishten, si dhe astronominë dhe astrofizikën. Në burgun e Burrelit zë shoqëri me Pjetër Arbnorin, me të cilin mëson të dyja metodat e gjermanishtes. Më pas miqësohet me Simon Jubanin, Mikel Koliqin dhe tenorin Luk Kaçaj.

“Shpesh herë, në orën 3.30, Radio Tirana jepte një emision operistik, arie nga opera. Unë bashkë me Lukën, edhe kur binte shi mbuloheshim me një mushama dhe rrinim poshtë altoparlantit vetëm për të dëgjuar ato. Luka i shoqëronte nganjëherë. Mbrëmjeve kur shëtisnim bashkë zinim ndonjë qoshte, se ishte oborri i madh, dhe Luka këndonte pjesë operistike. Ka qenë më i mirë se Kristofi, tenori bullgar.”

Në krahët e lirisë

Ilia Therecka lirohet në shkurt të vitit 1989. Ai rrëfen se në atë kohë sapo kishin filluar të lëviznin gjërat. Ditën që u hapën ambasadat në Tiranë, Ilia kujton se, ‘për dreq’, e merr vesh në orën 7.30 nga RAI. Kur vjen në Tiranë dëgjon se organet e Sigurimit kishin filluar të jepnin pasaporta të kuqe për të dalë jashtë shtetit, por duhet të kishe një garant që të priste.

“Kur bisedova me ca miq që kishim qenë në burg, ata më thonë ‘mos se është kurth për t’ju futur brenda’. Punë e madhe, thashë, kam bërë 35 vjet, le të bëj edhe 50 të tjera.”

Pasi e merr pasaportën, një mik i tij i jep adresën e motrës së ve që jetonte në Jugosllavi për ta përdorur si garanci. Por në Ambasadën Jugosllave nuk arrin të futet pasi aty ishin me qindra njerëz dhe futet tek ajo Italiane. Aty takon zv/ambasadoren dhe i thotë se kërkon të kalojë në Itali bashkë me shokun e tij që kishte gruan shtatzënë me dy fëmijë. Ajo u jep të plotësonin disa dokumenta dhe të ktheheshin pas dy ditësh, por gjatë kësaj kohë u ndodh diçka e papritur. Gruaja e shokut të tij që ishte shtatzanë lind të nesërmen, por duhej që fëmija të ishte mbi 15 ditësh që të figuronte në pasaportë. Atëhere zv/ambasadorja u jep një zgjidhje ‘alla shqiptare’: “Dil jashtë, i thotë, gjej një fëmijë tjetër pak më të rritur dhe bëji një fotografi, e ma sill”.

“Pasi e bëmë këtë, u morëm vesh me një peshkarexhë. Unë kisha 20 mijë lekë që asokohe ishin shumë, ndërsa shoku im kishte njerëz në Greqi dhe kishte grumbulluar 120 dollarë. Gjatë gjithë rrugës ishim me frikë se mos na arrestonin deri kur dolëm në Brindizi.”

Këtu Therecka ndalet dhe tregon një histori komike që kishte ndodhur me një shqiptar gjatë ambasadave. Në atë kohë godina ku kishte qenë Ambasada Sovjetike ishte bërë Ministria e Arsimit. Një burrë, i cili e dinte se ishte akoma ambasadë, kaloj përtej murit dhe futet brenda. “Ku vete more, – i thotë polici – futu po deshe po kjo nuk është ambasadë, është Ministria e Arsimit”. Por ai kishte menduar se polici po e gënjente dhe kishte qendruar aty për orë të tëra.

Kur arriti në Itali, Thercka punoi rreth 6 muaj në “Tolstoi Foundation”, që merrej me personat të cilët donin të iknin në Amerikë. Ilia merrte të dhënat e personave dhe pasi i përkthente i niste për në Ambasadën Amerikane. Kur ata e panë punën që bënte i ofruan punë në Ambasadë si përkthyes. Puna aty i dha edhe mundësinë Thereckës për të shkuar në Shtetet e Bashkuara.

Në dhjetëditëshin e parë të Janarit të vitit 1991, Therecka mbërrin në Nju Jork. Prej aty, ai përfundon në një zyrë të Karitasit në Hartford, Konektikat, ku punon në një fabrikë elektronike për një vit. Aty njihet me Artur Liolinin, një prift shumë i dëgjuar në Boston, i cili kishte shërbyer në kishën e ‘Shën Mërisë’, ku kishte shërbyer edhe Fan Noli. Therecka tregon se aty ishte edhe Sejfi Protopapa, shumë i njohur në SHBA, ku kishte punuar si profesor. Ilia tregon se kishin qenë duke ngrënë drekë në restorantin ‘Pier Four’  të Antony Athanas në Boston, ku i kishin thënë nëse kishte dëshirë të punonte te “Zëri i Amerikës”. Ilia u ishte përgjigjur se nuk e qaste njeri atje, pasi ai nuk kishte mundur të kryente dot më shumë se dy klasë gjimnaz dhe vetëm gjuhët e huaja nuk mjaftonin. Por Liolini kishte këmbëngulur se do të fliste vetë me Elez Biberajn për këtë punë. Me Biberajn foli edhe Sejfi Protopapa dhe më pas ai kërkoi të fliste vetë me Thereckën. Pasi e kishte dëgjuar ishte habitur me saktësinë që ai e fliste anglishten dhe kishte dërguar tek ai një grup specialistësh për ta marrë në provim.

“Më bënë një provim prej 5 orësh, si flisja, si përktheja, të gjitha ato që u duheshin atyre. Më pas pyetën në Shqipëri me rrënjë e me degë dhe pas më mori Elez Biberaj dhe më tha brenda 10 ditësh të dua këtu. Në shkurt të 1992 nisa punë te Zëri i Amerikës si përkthyes dhe folës.”

Therecka ka punuar te ‘Zëri i Amerikës’ për shumë vite, ndërsa në Shqipëri është kthyer në vitin 2010. Në lidhje me shpërblimin për vitet e burgut ai thotë me keqardhje se i kanë mbetur edhe gjysma e kësteve për të marrë. “Sikur të kishte mundësi shteti, meqë nuk ka njerëz që kanë bërë 35 vjet burg, a mund të më bëhet një privilegj që atë që më ka mbetur të ma japë, që ta gëzoj me që mbeta gjallë”, thotë ai.

Ilia flet qetë, ngadalë dhe asnjë fjalë e pakontrolluar nuk del nga goja e tij. Ai nuk ndjen urrejtje dhe as i mallkon përndjekësit dhe xhelatët e tij. Përkundrazi, ai shprehet se i fal ata, duke lënë Zotin gjykatësin e tyre. Në fjalët e tij ka atë që i qet zemra, ashtu siç thotë e shoqja, Flutura, me lot në sy nga emocioni. Ajo kujton një çast kur ai i propozoi për martesë.

“Unë ju përgjigja se është diçka që nuk bëhej, sepse unë, edhe pse përulem para vuajteve të tua, ka kaluar një jetë të qetë, të gëzuar, ndërsa ti ke parë tmerr me sy. Pikërisht për këtë,  mu përgjigj Ilia, unë do të shoh tek ti gëzimin që më ka munguar”.

Ilia Therecka, 34 vjet e 8 muaj i burgosur

Nga Kastriot Dervishi

Ilia Therecka, lindur në Berat më 15.2.1935, është ndër të dënuarit që u burgos qysh në moshë të re. U dënua dy herë. Mundi të realizojë arratisje, por u kthye nga jugosllavët në vitin 1967.

-Periudha e vuajtjes së burgimit:

1952-1965, 13 vjet, 15 ditë

1967-1989, 21 vjet, 7 muaj, 18 ditë

-Mosha në fillim të dënimit: 17 vjeç

Mosha në mbarim të dënimit: 54 vjeç

Dënimi i parë

Ishin tre shokë gjimnazistë në Gjirokastër, Ilia Therecka, Thanas Dhespo (nga Zheji i Gjirokastrës) dhe Bajram Mesi (nga Shkodra) të cilët u arrestuan më 16.1.1952. Akuzoheshin si pjesëtarë të një grupi armiqësor, kundërrevolucionar, që agjitonin kundër pushtetit, si dhe për akte diversioni apo vendime kundër udhëheqjes.  Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës me vendimin nr.34, datë 20.6.1952 në bazë të ligjit nr.372, datë 12.11.1946 i deklaroi fajtorë, duke i dënuar dy të parët me nga 20 vjet burgim dhe të tretin me 12 vjet. Gjykata e cilësonte “grup kriminal” në një kohë që vetëm 3-4 takime kishin bërë e asnjë veprim konkret. U ligjërua me vendimin nr.358, datë 31.7.1952 të Gjykatës së Lartë. Bajram Mesi u lirua nga reparti nr.309 Laç më 20.2.1961. Ilia Therecka u lirua më 31.1.1965. Thanas Dhespo u lirua nga reparti nr.309 Elbasan më 6.11.1965. Ilia mund të jetë i lirë vetëm 2 vjet e gjysmë.

Dënimi i dytë

Dy vjet e gjysmë pas daljes nga burgu, Ilia Therecka së bashku me Luftar Çalën u orvatën të arratiseshin.  Të dy kishin qenë punëtorë në NSHN (Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimit) Berat. Në maj 1967, Luftari pushohet nga puna dhe i kërkohet të largohet nga qyteti për në kooperativë bujqësore. Në këto rrethana, të dy u arratisen nga Shqipëria më 13.6.1967 nëpërmjet Jugosllavisë. Katër ditë më vonë, me kërkesë të organeve shqiptare, autoritetet jugosllave i kthyen dy të arratisurit në postën kufitare të Morinës. Kësisoj ata u arrestuan më 17.6.1967.

Me vendimin nr.8, datë 6.10.1967, Gjykata e Qarkut Vlorë e dënoi IliaThereckën në bazë të nenit 64/14 të Kodit Penal me vdekje, me pushkatim, ndërsa shokun e tij me 20 vjet burgim. Të dyve iu konfiskohej pasuria. Vendimi u ndryshua nga Gjykata e Lartë me vendimin nr.182, datë 21.10.1967, nga me vdekje në me 25 vjet heqje lirie. Luftar Çala u lirua nga burgu në vitin 1986. Ilia Therecka u lirua më 4.2.1989. Një jetë e mundimshme në kampe e burgje.

 

 

Të përgjërohem Nëna, që më tregove se Blloku Komunist i Tiranës ishte kriminel! Nga Miranda Jegeni

Eshte nje lufte e çuditeshme, ndoshta do te thoja e heshtur, pse jo midis vetes, lufte e lene nga 75 vjeçari komunist.

Shume njerez duke menduar se i kane pasur prinderit komuniste,por qe nga ky privilegj nuk kane pervetesuar asgje dhe sinqerisht une personalisht ndjej respekt, nuk kane pervetesuar sepse kane qene te ndershem dhe une njoh jo pak por shume. Bejne konvertimin, bejne dhe krahasimin sipas formave te tyre…….!!

Fatkeqesi ose militantizem post modern, apo pse jo dhe” demokratik”.

E them kete pasi gjyshi im nga mami i cili ishte nje nder te shumtet e atyre viteve te para te formimit te Partise dhe komunist i oreve te para, komunist qe gjithshka e shkriu per Partine, pasurine, punen, djersen pa pyetur se kishte femije qe per dite e me shume po i linte te gjymtuar duke ju pakesuar ushqimin, jetesen per levizjen, shok i ngushte ne ato vite, folet per vite rinie, i Kapos dhe shtepia e tij ishte kthyer ne nje aset per Levizjen.

Gjyshi im, i cili vdiq gjashte vjet mbas “çlirimit” te atdheut, vdiq jo vetem i varfer, i varfer sepse jua dha gjithshka hienave komuniste, por iku ne moshen me te re 42 vjeçare, pasi vajza e tij e pare dhe tezja ime, motra e mamit tim, vdiq ne moshen 18 vjece per dy gram streptomicine se nuk kishte me se ta paguante gjyshi im qe i kishte dhene Partise shkerdhate( me falni), pasurine, djersen dhe punen e tij ne ate kohe, sakrificat e nje lufte e krijuar nga vet shqiptaret, duke e kthyer ne vellavrasje dhe pse dy pushtus, per hir te zotit duhet ta pranojme ishin prezent, fashizmi dhe nazizmi.

Por per fat keq dhe kush eshte mjek e kupton ironine time per ikjen ne moshen 18 vjeç te tezes time, per pak antibiotik qe nuk kishte mundesi pagese, dhe absolutisht gjyshi qe nuk e njoha dhe mami im qe i mbante mend hijen, iku mbas tre muajve te ikjes se bijes se tij, si shpagim per ate qe i kish bere familjes duke e lene ne varferi, pa pasur mundesi te sheronte bijen e tij, per pak mjekim.

E them pasi keta kelysha kurvash, kurre dhe asnjehere nuk e kane vleresuar mirenjohjen, nuk e kane vleresuar mbeshtejen e njerezve te ndershem,

ATA veç ju moren me te shenjten DINJITETIN……!! mbasi im ate u arratis, ( une, mami dhe gjyshi nga babi u internuam ne Saver)…..mbasi une dhe mami u rehabilituam ne Tiranen Komuniste, prane NENES, IJES, SEPSE NON DAJAT JANE SHIPIRTI PA INTERES, dhe Begu ( gjyshi nga babi) u kthye per ne Shkoder, dhe mbasi kishin kaluar vite te dhimbshme, vjen nje dite dhe dera troket, troket dhe une e hap.

Perpara meje ishin dy burra, te cilet kerkonin familjen e DEKO, pseudonimi i gjyshit ne kohen e luftes, faktikisht ishin inicialet e emrit dhe mbiemrit te tij te respektuar. Doli HYJNESHA NENA IME dhe ju thote se ne nuk jemi familja e tij. Me vone e kuptova Ijen, me vone kur ajo u perball qe une te mos e ndryshoja mbiemrin tim, te mos ndryshoja egzistencen time, ta vinte me shpatulla pas murit te birin, duke i thene se te jesh “ KOMUNIST MOR BIR, ESHTE NJESOJ SIKUR TI TE KESH HUMBUR VET VETEN, SIC HUMBA UNE BIJEN TIME DHE BABABIN TEND….!!!

Ate dite une fitova jeten, fitova mbiemrin tim. Fitova fale IJES TIME MBI KOMUNISTET, fitova verveten.

E tregova kete per respektin e atyre njerezve qe u genjyen, per ate qe na lane, dhe absolutisht per jo per kundra peshe. E tregova shkurt sepse komunistet ishin aq te pameshirshem saqe te detyronin te te shuanin dhe identitetin siç donin te vepronin mbi mua, nje FEMIJE, nuk ja arriten……!!

Ndershmeria nuk matet sepse ajo eshte dinjitet, matet veç tradhetia sipas bemave te saj…….!!

Te adhuroj nenole qe me dhe gjithshka, te adhuroj.!!

Me tregove te verteten, me tregove se BLLOKU KOMUSIT I TIRANES ISHTE KRIMINEL…!!

Me tregove ne ato vite se, asgje nuk vlen perpara DINJITETIT.

Te pergjerohem nena, te pergjerohem.

AVNI PONARI NDEROHET NGA JAPONIA ME DEKORATËN E LARTË “THE ORDER OF THE RISING SUN, GOLD RAYS WITH NECK RIBBON” PËR KONTRIBUTET E TIJ TË JASHTËZAKONSHME

Më datë 3 nëntor 2019, Qeveria e Japonisë shpalli përfituesit e dekoratave për periudhën vjeshtë 2019, ndër të cilët është dhe Z. Avni Ponari, Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Tiranë – njofton Embassy of Japan in Albania  ( 在アルバニア日本国大使館)

  1. Avni Ponari ka punuar për promovimin e shkëmbimeve dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve si Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Tiranë  përgjatë dhjetë viteve të fundit.
  2. Ponari i akordohet dekorata “The Order of the Rising Sun, Gold Rays With Neck Ribbon” për kontributet e tij të jashtëzakonshme.

Ambasada e Japonisë në Shqipëri dëshiron të shprehë admirimin dhe vlerësimin e saj të sinqertë ndaj Z. Ponari për kontributin e tij dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme dhe e përgëzon atë për dekorimin e akorduar.

 

 Vite ma herët, mr. Avni Ponari, është nderuar nga Qeveria Japoneze me “Çertifikata e Mirënjohjes”, në cilësinë e tij si “Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Shqipëri”, për rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë.

  1. Avni Ponari, sivjet, në 20-vjetorin e Sigal Uniqa Group Austria, u dekorua me “Grand Decoration of Honour” nga Presidenti i Austrisë, Sh.T. Z.. Alexander Van der Bellen, si një biznesmen i sukseshëm në Shqipëri dhe kontribues për vendin tij dhe me një kontribut të veçantë edhe për shtetin e Austrisë.

Gjithashtu, z. Avni Ponari, ndërvite, për kontributet e tij kombëtare e ndërkombëtare të jashtëzakonshme, të qëndrueshme dhe me vlera të mëdha zhvillimore dhe komunitare, kanë qenë ndër faktorët kryesorë për vlerësimet e shumta që i ka marrë nga institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare, duke e vlerësuar e nderuar atë me vlerësime dhe titujt si: “Lider i Arrirë”-(pjesë e Profileve Ndërkombëtare të Liderve të Arrirë); “Njeriu i Vitit”-nga “Instituti Amerikan Biografik”, “Menaxher i Vitit” – nga “Komiteti i Sokratit të Oksfordit”në Mbretërinë e Bashkuar; Kush është Kush” – (nga Ndërkombëtarja “Who is Who”, një libër i mirënjohur referencash të njerëzve të shquar ndërkombtarisht, e cila botohet çdo vit që nga viti 1935); “Fellow” i “Paul P. Harris”– (“Klubi Ndërkombëtar i Rrotës”, një rrjet global prej 1.2 milionë liderësh, fqinjësh, miqësh, dhe zgjidhës problemesh, të cilët shikojnë një botë ku njerëzit bashkohen dhe veprojnë për ndryshimin); “Kavalier i Paqes”- nga “Qendra Ndërkombëtare për Paqen mes Njerëzve”; dhe “Menaxheri më i mirë” nga “Financë në Evropën Qëndrore”; “Qytetar Nderi” i Tropojës, i Durrësit e i Elbasanit;  “Personaliteti i Vitit” nga disa gazeta kombëtare shqiptare të përditshme; Cmimi “Justiniani i Madh” nga Akademia Monarkiste Shqiptare si Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Shqipëri; Cmimin “Pjetër Bogdani” nga “Gazeta e Alpeve” në “Takimin e Gjakovës”, më 26 prill 2019, etj.

  1. Avni Ponari, ndonëse mban dekorata të larta nga Japonia e Austria; mban tituj e cmime nga institucione e organizma të ndryshme brenda e jashtë Shqipërisë, por ai ende nuk ka asnjë dekoratë nga Presidenti i Shqipërisë dhe ai i Kosovës…(!).

Ramiz LUSHAJ