LONDËR – Themeluesi i WikiLeaks Julian Assange do të mësojë të hënën nëse ai do të ekstradohet nga Britania e Madhe në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat e spiunazhit mbi botimin e dokumenteve sekrete ushtarake amerikane.
Gjykatësja Vanessa Baraitser pritet të japë vendimin e saj në gjykatën e Londrës në orën 10 të ditës së hënë. Nëse ajo e miraton kërkesën, atëherë sekretarja e brendshme e Britanisë, Priti Patel, do të marrë vendimin përfundimtar.
Pala humbëse pritet të apelojë, gjë që mund të çojë në vite të mëtejshme betejash ligjore.
Sidoqoftë, ekziston një mundësi që forca të jashtme mund të hyjnë në lojë që mund t’i japin fund menjëherë sagës prej mbi një dekade.
Stella Moris, partnerja e zotit Assange dhe nëna e dy djemve të tij, i ka bërë thirrje Presidentit amerikan Donald Trump përmes Twitter-it për t’i dhënë falje Assange-it përpara se të largohet nga detyra më 20 janar.
Dhe edhe nëse Presidenti Trump nuk e bën këtë, ka spekulime se pasardhësi i tij, Joe Biden, mund të ketë një përqasje më të butë ndaj procesit të ekstradimit të Assange-it.
Prokurorët amerikanë ngritën ndaj 49-vjeçarit Assange 17 akuza spiunazhi dhe një akuzë për keqpërdorim kompjuteri që mbartin një dënim maksimal prej 175 vitesh burgim.
Juristët që veprojnë në emër të qeverisë amerikane thanë në argumentet e tyre përfundimtare pas seancës katër-javore në vjeshtë se ekipi i mbrojtjes i Assange-it kishte ngritur çështje që nuk ishin as të rëndësishme as të pranueshme.
“Në mënyrë të vazhdueshme, mbrojtja i kërkon kësaj gjykate të bëjë konkluzione, ose të veprojë sipas kërkesës, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fajtorë për tortura, krime lufte, vrasje, shkelje të ligjit diplomatik dhe ndërkombëtar dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ‘një shtet pa ligje’, ” thanë ata. “Këto deklarata jo vetëm që nuk janë të drejta në këto procedime, por nuk duhet të ishin bërë kurrë”.
Ekipi i mbrojtjes i Assange-it pretendon se ai duhet të gëzojë mbrojtjen e Amendamentit të Parë për botimin e dokumenteve që ekspozuan shkelje të ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan dhe se kërkesa e Shteteve të Bashkuara për ekstradim ishte e motivuar politikisht.
Në argumentet e tyre përmbyllëse me shkrim, ekipi ligjor i Assange-it akuzoi Shtetet e Bashkuara për një ndjekje penale “të jashtëzakonshme, të paprecedent dhe të politizuar” që përbën “një mohim flagrant të së drejtës së tij për lirinë e shprehjes dhe përbën një kërcënim themelor për lirinë e shtypit në të gjithë botën”.
Avokatët e mbrojtjes gjithashtu thanë se Assange vuante nga probleme të gjera të shëndetit mendor, përfshirë tendencat vetëvrasëse, të cilat mund të përkeqësohen nëse ai vendoset në kushte të pavolitshme burgimi në Shtetet e Bashkuara.
Julian Assange duke u transportuar për në gjykatë
Ata thanë se shëndeti i tij mendor u përkeqësua ndërsa ai përfitoi azil brenda ambasadës ekuadoriane në Londër për vite me radhë dhe se ai ishte diagnostikuar me një çrregullim të spektrit të autizmit. Assange theu lirinë me kusht në 2012 kur kërkoi azil në ambasadë, ku qëndroi për shtatë vjet para se të dëbohej dhe arrestohej. Ai është mbajtur në burgun Belmarsh në Londër që nga prilli i vitit 2019.
Ekipi i tij ligjor argumentoi se Assange, nëse ekstradohet, ka të ngjarë të përballet me izolim që do ta vinte atë në një rrezik të shtuar të vetëvrasjes. Ata thanë se nëse ai do të dënohej më pas, ai ndoshta do të dërgohej në burgun famëkeq ADX Supermax në Colorado, ku ndodhen gjithashtu terroristi Ted Kaczynski dhe baroni meksikan i drogës Joaquin “El Chapo” Guzman.
Juristët e qeverisë amerikane argumentuan se gjendja mendore e Assange-it “nuk është aq e rëndë sa të përjashtojë ekstradimin”.
Assange ka tërhequr mbështetjen e figurave të profilit të lartë, përfshirë artistin disident kinez Ai Weiwei dhe aktoren Pamela Anderson.
Daniel Ellsberg, informatori i mirënjohur amerikan, gjithashtu doli në mbështetje, duke i thënë seancës se ata kishin “mendime shumë të krahasueshme politike”.
89-vjeçari, i vlerësuar gjerësisht për ndihmën për t’i dhënë fund Luftës së Vietnamit përmes nxjerrjes së Dokumenteve të Pentagonit në 1971, tha se publiku amerikan “duhej urgjentisht të dinte se çfarë po bëhej rregullisht në emrin e tyre, dhe (se) nuk ishte asnjë mënyrë tjetër që ata ta mësonin këtë përveç zbulimit të paautorizuar (të informacionit)”.
Ka ngjashmëri të qartë midis Assange-it dhe Ellsberg-ut, të cilët zbuluan mbi 7’000 faqe dokumentesh të klasifikuara në shtyp, duke përfshirë në gazetat The New York Times dhe Washington Post. Zoti Ellsberg më pas u gjykua për 12 akuza në lidhje me shkelje të Ligjit për Spiunazhin, të cilat ndëshkoheshim me deri në 115 vjet burg. Akuzat u hodhën poshtë në 1973 për shkak të sjelljes së papërshtatshme të qeverisë ndaj tij.
Assange dhe ekipi i tij ligjor shpresojnë që zhvillimet në Shtetet e Bashkuara t’i japin fund kalvarit të tij nëse gjykatësi miraton kërkesën e ekstradimit të Shteteve të Bashkuara. VOA
Guten Tag. Wenn Sie ein solches Problem haben und es nicht selbst beheben können, empfehle ich Ihnen schlusseldienst-amriswil.ch. Sie können ohne Zweifel die Dienste dieser Spezialisten in Anspruch nehmen. Sie erledigen ihre Arbeit immer sehr schnell und mit hoher Qualität. Sie arbeiten rund um die Uhr, sodass Sie sie jederzeit anrufen können, was sehr praktisch ist. Ich wünsche Ihnen einen guten Tag.
Disa protestues armenë, të cilët janë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Nikol Pashinian, kanë hyrë më 1 mars në ndërtesën e qeverisë, në kryeqytetin e këtij vendi, Jerevan.
Pashinian është përballur me protesta në rritje, dhe thirrje nga opozita për dorëheqjen e tij, pas konfliktit gjashtëjavor në mes të Azerbajxhanit dhe forcave etnike armene për rajonin e Nagorno-Karabakut një vit më parë.
Një marrëveshje për armëpushim, e ndërmjetësuar nga Rusia, të cilën e ka nënshkruar Pashinian, u ka dhënë fund luftimeve 44-ditore për rajonin e Nagorno-Karabakut, ku forcat armene janë përballur me humbje territoriale nga ushtria e Azerbajxhanit, e përkrahur nga Turqia.
Pashinian, aleanca e të cilit ka shumicën në parlament, ka refuzuar kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme dhe ka bërë thirrje për konsultime.
Javën e kaluar, ai ka dënuar ato që i ka cilësuar “përpjekje për puç”, pasi disa zyrtarë të lartë ushtarakë kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë së tij.
Kryeministri është detyruar të heqë dorë nga kontrolli i Nagorno-Karabakut dhe shtatë distrikteve të Azerbajxhanit, të cilat janë pushtuar nga forcat armene nga vitet e 1990-ta.
Ekspertët e sëmundjeve infektive po shprehin shqetësim për udhëtimin e ardhshëm të Papa Françeskut në Irak, duke pasur parasysh një rritje të mprehtë të infeksioneve të koronavirusit në vend.
Askush nuk dëshiron t’i thotë Françeskut që ta ndërpresë vizitën, dhe qeveria irakiane është interesuar të demonstrojë stabilitetin e saj relativ duke mirëpritur Atin e shenjtë, i cili do të ishte papa i parë që shkon në vendlindjen e Abrahamit.
Udhëtimi nga data 5 deri në 8 mars pritet t’u japë një nxitje shpirtërore tepër të nevojshme të krishterëve të Irakut që ndodhen në vështirësi ndërkohë që synon të avancojë përpjekjet për ndërtimin e urave të Vatikanit me botën myslimane.
Por nga një këndvështrim thjesht epidemiologjik, si dhe nga mesazhi i shëndetit publik që dërgon, një udhëtim papal në Irak mes një pandemie globale nuk është i këshillueshëm, thonë ekspertët shëndetësorë.
Shqetësimet e tyre u shtuan me lajmin e së dielës se ambasadori i Vatikanit në Irak, personi kryesor që do ta shoqëronte Papa Françeskun në të gjitha takimet e tij, u testua pozitiv për COVID dhe është vetizoluar..
Përveç kësaj, ekspertët thonë se luftërat, krizat ekonomike dhe ikja e mjekëve nga vendi e kanë shkatërruar sistemin spitalor irakian.
Ndërkaq, studimet tregojnë se shumica e infeksioneve të reja të Irakut me COVID-19 janë nga varianti tepër ngjitës i identifikuar për herë të parë në Britani.
Shtetet e Bashkuara ndërmorën të enjten sulme ajrore në Siri ndaj “infrastrukturës së përdorur nga grupet militante të mbështetur nga Irani”, njoftoi Pentagoni.
Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, John Kirby tha në një deklaratë se sulmet ishin ndërmarrë me urdhrin e Presidentit Joe Biden.
“Goditjet u autorizuan në përgjigje të sulmeve të fundit kundër personelit amerikan dhe të koalicionit në Irak dhe kërcënimeve të vazhdueshme ndaj atij personeli”, thuhet në deklaratë.
Goditja e sotme mund të jetë veprimi i parë i Shteteve të Bashkuara si kundërpërgjigje ndaj këtyre sulmeve.
“Operacioni dërgon një mesazh të qartë: Presidenti Biden do të veprojë për të mbrojtur personelin amerikan dhe të koalicionit”, thuhet në deklaratë.
Por njëkohësisht goditja ishte e kufizuar dhe nuk synonte përshkallëzimin.
Po ashtu, një vendim për të goditur vetëm në Siri dhe jo në Irak do t’i jepte qeverisë irakiane kohë për të kryer hetimin e vet për një sulm të 15 shkurtit që plagosi amerikanë.
Sipas Pentagonit, sulmet shkatërruan disa objekte të vendosura në një pikë kontrolli kufitar të përdorur nga një numër grupesh militantësh të mbështetur nga Irani.
Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë disa sulme ushtarake si kundërpërgjigje vitet e fundit.
Sulmet me raketa kundër pozicioneve të SHBA në Irak u kryen ndërsa Uashingtoni dhe Teherani po përpiqen të gjejnë rrugët për t’u kthyer në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 nga e cila u tërhoq ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në sulmin e 15 shkurtit, raketat goditën bazën ushtarake amerikane në Aeroportin Ndërkombëtar të Erbilit në rajonin e kontrolluar nga Kurdët duke vrarë një kontraktor jo-amerikan dhe duke plagosur një numër kontraktorësh amerikanë dhe një ushtar amerikan. Një tjetër goditje disa ditë më pas kishte si objektiv një bazë ku strehohen forca amerikane në veri të Bagdadit duke lënduar të paktën një kontraktor.
Me gati gjysmën e popullsisë së Izraelit të vaksinuar me të paktën njërën dozë të vaksinës Pfizer-BioNTech, Ministria e Shëndetësisë e Izraelit po raporton rezultate edhe më të mira se ato të marra nga provat klinike të kompanisë Pfizer. Izraeli, i cili kryeson botën në përqindjen e popullsisë së vaksinuar, shkëmben të dhënat mjekësore me kompaninë Pfizer. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein nga Jeruzalemi, lajmi i mirë vjen ndërsa pjesa më e madhe e ekonomisë izraelite u rihap gjatë fundjavës.
Qendrat tregtare të Izraelit u hapën për herë të parë pas muajsh kufizimesh dhe bllokimesh për shkak të koronavirusit. Një numër i kufizuar i njerëzve lejohen brenda dyqaneve.
Vende të tjera, si hotelet dhe palestrat, janë të hapura vetëm për izraelitët që mbajnë ato që quhen “Pasaportat e Gjelbërta”, të cilat tregojnë se ata kanë marrë dy doza të vaksinës COVID-19, ose që e kanë kaluar virusin.
Mati Ariel është pronare e shtatë palestrave në të gjithë vendin ku janë regjistruar mijëra anëtarë. Të gjitha palestrat kanë qenë të mbyllura për pjesën më të madhe të vitit të kaluar dhe punëtorët e saj kanë qenë me leje pa rrogë.
“Po i motivojmë njerëzit të vaksinohen sepse ata duan të rikthehen në palestër. Por ka shumë njerëz që nuk mund të vaksinohen, si të rinjtë nën 16 vjeç, të cilët sipas rregullave nuk mund të vaksinohen dhe kështu po ndëshkohen. Ata me të vërtetë kanë nevojë për palestrën, për shëndetin e tyre fizik dhe mendor”, thotë zonja Ariel.
Hyrja në palestra është vetëm një nga stimujt e vaksinimit që u ofrohet të rinjve izraelitë, të cilët kanë qenë më të gatshëm sesa të moshuarit për të marrë pjesë në fushatën masive të vaksinimit të vendit. Tel Avivi dhe qytete të tjera kanë ofruar birrë joalkoolike, falafel dhe pica falas së bashku me vaksinën që bëhet në të njëjtin vend.
“Erdha të bëj vaksinën kundër COVID-19. Bashkia e Tel Avivit pati një ide interesante, për t’i tërhequr të rinjtë që ta bëjnë vaksinën në lokal dhe t’u japin birrë falas“, thotë Yaara Maimon, banore e Tel Avivit.
Përpjekja intensive dymujore e Izraelit për vaksinimin ka treguar rezultate mbresëlënëse për vaksinën Pfizer, sipas një deklarate të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë. Si pjesë e marrëveshjes me të cilën Izraeli bleu vaksina të mjaftueshme për të gjithë popullsinë e tij, Izraeli ra dakord të shkëmbejë të dhënat e tij me kompaninë Pfizer.
“Shohim se efektiviteti është ai që u deklarua në studimet e kompanive Pfizer dhe Moderna, rreth 95 përqind. Dhe për sa i përket njerëzve të pranuar në spital, është edhe më shumë se kaq. Mbrojtja është e fortë”, thotë Ronni Gamzu, ish-koordinator kombëtar për koronavirusin.
Ministria e Shëndetësisë e Izraelit thotë se pas marrjes së dy dozave të vaksinës, rreziku i sëmundjes nga koronavirusi për izraelitët ra me 98.5%, dhe rreziku për t’u shtruar në spital ulet me pothuajse 99%.
Por edhe me këto statistika, zyrtarët izraelitë të shëndetësisë thonë se rihapja e vendit duhet të jetë graduale dhe se mbajtja e maskës dhe distancimi fizik do të vazhdojnë në të ardhmen.
Spitali në Goma ku ka vdekur ambasadori italian, Luca Attanasio.
Ambasadori i Italisë në Republikën Demokratike të Kongos u vra në një sulm në lindje të këtij vendi, bëri të ditur Ministria e Jashtme italiane.
Luca Attanasio vdiq në spital të hënën, pasi autokolona e Kombeve të Bashkuara me të cilën udhëtonte, u sulmua pranë qytetit Goma, thuhet në deklaratë.
Autokolona raportohet se i përkiste Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara.
Sipas njoftimeve, një oficer i policisë ushtarake italiane që udhëtonte me ambasadorin dhe një person i tretë u vranë gjithashtu.
Sipas zyrtarëve të Republikës Demokratike të Kongos, sulmi besohet të ketë qenë një përpjekje rrëmbimi.
Milicitë përleshen rregullisht në lindje të këtij vendi, ku një forcë e madhe e Kombeve të Bashkuara po lufton për të mbajtur paqen.
Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropën dje tha se beson se shpërthimi i koronavirusit (COVID -19) do të përfundojë në fillim të vitit 2022, transmeton Anadolu Agency (AA).
Hans Kluge i tha transmetuesit shtetëror danez DR se COVID-19 do të vazhdojë të jetë i pranishëm në vitin 2021, por do të jetë më i menaxhueshëm sesa në vitin 2020.
Duke deklaruar se skenarët më të këqij tani kanë mbaruar, Kluge tha se ka më shumë informacione në lidhje me virusin në krahasim me vitin 2020, kur filloi të përhapet.
Ai paralajmëroi se askush nuk mund ta dijë paraprakisht të ardhmen e pandemisë së COVID-19.
“Do të vazhdojë të ketë virus, por nuk mendoj se do të nevojiten kufizime. Ky është një mesazh optimist”, tha ai.
Kluge tha se mutacionet janë normale dhe virusi po përpiqet të përshtatet me personin e infektuar, por përhapja e shpejtë e mutacioneve është shqetësuese për ta.
Duke shtuar se OBSH-ja është duke monitoruar nga afër efektivitetin e vaksinave të zhvilluara kundër COVID-19 për shkak të llojeve të përhapjes së shpejtë të virusit, Kluge tha se vaksinat mund të ndryshohen bazuar në mutacionet e reja nëse është e nevojshme dhe nuk ka nevojë t’i prodhojë ato nga terreni.
Ai tha se mutacionet nuk do ta bëjnë virusin jashtë kontrollit por theksoi se vendet, sistemet e kujdesit shëndetësor të të cilave tashmë janë nën presion mund të vihen nën presion edhe më të madh, gjë që e bën të domosdoshme marrjen shumë seriozisht të mutacioneve.
Agjencia amerikane e hapësirës NASA ka publikuar fotot e para të marra nga mjeti kozmik i zbulimit “Perseverance”, i cili u ul në Mars dy ditë më parë në kraterin “Jezero”, transmeton Anadolu Agency (AA) )
NASA, vetëm 24 orë pas uljes së mjetit robotik, publikoi fotografi që tregojnë qartë sipërfaqen e Marsit.
“Kjo është diçka e paparë ndonjëherë”, tha NASA.
Mjeti kozmik “Perseverance” është i pajisur me 25 kamera dhe dy mikrofona, kurse regjistrimi i parë audio nga Marsi pritet të publikohet së shpejti.
NASA aktualisht ka tre mjete kozmike në Mars, “InSight”, “Curiosity” dhe “Perseverance”. Ky i fundit zbarkoi në kraterin “Jezero” të enjten dhe nga ai më së shumti priten kërkime për përgjigjen e pyetjeve në lidhje me gjurmët e jetës në planetin e kuq.
Princesha Latifa është “nën kujdes në shtëpi”, ka thënë familja mbretërore e Dubait.
“Ajo është nën kujdes në shtëpi e mbështetur nga familja e saj dhe profesionistët shëndetësorë”, ka thënë familja në një deklaratë të cilën e ka lëshuar ambasada e Emirateve të Bashkuara Arabe në Londër.
Ne deklaratë thuhej se pamjet e transmetuara në BBC dhe mediat tjera nuk “tregonin gjendjen aktuale”.
“Ajo vazhdon të përmirësohet dhe ne shpresojmë që ajo do të kthehet në jetën publike në kohën e duhur”, tha familja mbretërore.
Panorama, programi hulumtues i transmetuesit britanik BBC, ka publikuar më 16 shkurt një video në cilën është shfaqur Princesha Latifa, një prej vajzave të udhëheqësit të Dubait, Mohammed bin Rashid Al Maktoum, duke thënë se ajo është izoluar kundër dëshirës së saj në një vilë të barrikaduar.
Princesha Latifa bin Mohammed al-Maktoum ka fituar vëmendje ndërkombëtare më 2018 kur një grup i të drejtave të njeriut ka publikuar një video që ka bërë ajo, teksa ka tentuar të ikë nga Dubai.
Fushata për lirimin e Latifas, përmes së cilës është kërkuar lirimi i saj për kohë të gjatë, ka thënë se ka arritur t’ia dorëzojë asaj një telefon.
“Unë jam peng në këtë vilë, që është shndërruar në burg”, ka thënë Latifa, 35-vjeçare, në një video të publikuar nga Panorama. “Të gjitha dritaret janë të mbyllura, nuk mund ta hap asnjërën”.
Ajo ka thënë se ka bërë videon në banjo të vilës, meqë ajo është hapësira e vetme me çelës. “Nuk e di nëse do t’i mbijetoj kësaj situate”, ka thënë ajo në njërën prej videove.
BBC ka thënë se videot janë incizuar disa muaj më parë.
Të premten, Zyra e Komisionarit të Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, kërkoi nga Emiratet e Bashkuara Arabe që të sigurojë prova që Princesha është gjallë.
Por, në daklaratën e familjes mbretërore nuk kishte të bashkangjitur asnjë video ose fotografi e cila mund të shërbente si provë se Princesha është gjallë. rel
Presidenti Joe Biden do t’u kërkojë të premten vendeve demokratike botërore e aleatëve evropianë që të punojnë së bashku për të trajtuar një sërë shqetësimesh që lidhen me Kinën, por nuk po kërkon një “Luftë të re të Ftohtë”, tha një zyrtar i lartë i administratës.
Presidenti demokrat, i cili u inaugurua më pak se një muaj më parë, do të përdorë një “vizitë virtuale” në Evropë për të rivendosur Shtetet e Bashkuara në rolin e një lojtari të një ekipi shumëpalësh, pas katër vitesh politike përçarëse, nën moton “Amerika e Para” të ish-Presidentit Donald Trump.
Zoti Biden do të premtojë rreth 4 miliardë dollarë për përpjekjet globale të vaksinimit kundër koronavirusit, futjen sërish të Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen e Parisit për klimën si dhe do të flasë mbi të ardhmen e një pakete për të shpenzuar rreth 2 trilionë dollarë, e cila do të mbështeste jo vetëm ekonominë amerikane, por edhe ato globale.
Presidenti Biden do të marrë pjesë virtualisht në takimin e Grupit të 7-s ku marrin pjesë udhëheqës nga Britania, Franca, Gjermania, Italia, Kanadaja dhe Japonia, por ai planifikon t’i takojë ata personalisht këtë verë, në një takim të organizuar nga Britania.
Më vonë gjatë ditës së sotme (e premte) zoti Biden do të flasë në një tjetër takim virtual, në Konferencën e Mynihut mbi Sigurinë, një takim që bën bashkë udhëheqës të lartë botërorë gjatë të cilit disa vite më parë në cilësinë e një qytetari privat ai siguroi pjesëmarrësit e tronditur nga presidenca e zotit Trump, duke u thënë se: “Ne do të rikthehemi”.
Zoti Biden pritet të nënvizojë se demokracitë dhe jo autokracitë, ofrojnë rrugën më të mirë përpara për botën. Pas sulmit të 6 janarit ndaj Kapitolit nga mbështetës të zotit Trump ai bëri të qartë se demokracia ishte e brishtë.
“Ai (Presidenti Biden) do të mbështesë fort argumentin se demokracia është modeli më i mirë për të përmbushur sfidat e kohës ku jetojmë”, tha një zyrtar i lartë amerikan. “Demokracia nuk është diçka e rastësishme. Ne duhet të luftojmë për të“, pritet të shprehet Presidenti Biden në takim.
VOAL – Jo të gjitha princeshat kanë një jetë përrallore, më së paku Latifa, vajza e Emirit të Dubait Mohammed bin Rashid al Maktoum, i cili e ka mbajtur atë të ndarë në një vilë për vite me rradhë. “Të gjitha dritaret janë me grila të mbyllura, ka 5 policë jashtë shtëpisë dhe dy agjente femra brenda”, thotë në një video 35-vjeçarja, e cila pretendon se ishte mbyllur në banjë për të regjistruar thirrjet e saj sepse është i vetmi lokal me vetëm një derë.
Për princeshën Latifa Al Maktoum nuk ishte folur që nga viti 2018, kur ajo u përpoq të largohej për herë të dytë nga qyteti-shtet i Gjirit. Në atë kohë, ajo u kap pranë brigjeve indiane, u drogua e u soll në shtëpi dhe u përhapën zërat se ajo vuante nga çrregullimi bipolar. Një tezë vështirë e besueshme, në dritën e precedentëve. Njëzet vjet më parë, gjatë një qëndrimi në Angli, motra e saj Shamsa gjithashtu u përpoq më kot të arratisej.
Në vitin 2019, arratisja e Haya, gruas së gjashtë të emirit, i cili tani jeton në Londër me dy fëmijët e tyre, ishte i suksesshëm. rsi-eb
Aktivistja e shquar e të drejtave të grave në Arabinë Saudite, Loujain al-Hathloul është liruar nga burgu. Ajo qëndroi për tri vjet në paraburgim dhe rasti i saj kishte shkaktuar zemërim të bashkësisë ndërkombëtare.
“Loujain është në shtëpi”, shkroi në Twitter, motra e saj, Lina al-Hathloul.
Hathloul, 31-vjeçare, është aktiviste e njohur e Arabisë Saudite e cila zhvilloi fushata të gjëra për të drejtën e grave për të vozitur makinën dhe për t’i dhënë fund sistemit të kujdestarisë nga burrat. Në vitin 2018 ajo u arrestua së bashku me disa gra tjera.
Disa javë pas arrestimit të tyre ky vend vendosi të lejojë gratë që të drejtojnë makinat.
Në dhjetor të vitit 2020, një gjykatë e dënoi aktivistën Hathloul me gati gjashtë vjet burgim mbi akuzat për lidhje me terrorizmin, por një pjesë e dënimit ishte pezulluar duke hapur rrugën për lirimin e saj të parakohshëm. Edhe pse është lënë e lirë ajo ende është në vëzhgim dhe i ndalohet largimi nga Arabia Saudite.
Lirimi i saj nga burgu ndodhë në kohën kur presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden po i rishqyrton raportet me Arabinë Saudite, në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut dhe përfshirjen saudite në luftën e Jemenit.
Gjatë një fjalimi në Pentagon, presidenti Biden e mirëpriti lajmin për lirimin e aktivistes saudite. Organizatat e të drejtave të njeriut gjithashtu e mirëpritën lirimin e saj, por kërkuan që edhe aktivistet tjera të lirohen.
Sundimtari de fakto i Mbretërisë, Princi i Kurorës, Muhamed bin Salman, është përpjekur të marrë vendime të cilat do ta paraqisnin atë si reformator. Megjithatë kritikët raportojnë për masa të vazhdueshme ndaj aktivistëve dhe rivalëve brenda monarkisë. rel
Guten Tag. Wenn Sie ein solches Problem haben und es nicht selbst beheben können, empfehle ich Ihnen schlusseldienst-amriswil.ch. Sie können ohne Zweifel die Dienste dieser Spezialisten in Anspruch nehmen. Sie erledigen ihre Arbeit immer sehr schnell und mit hoher Qualität. Sie arbeiten rund um die Uhr, sodass Sie sie jederzeit anrufen können, was sehr praktisch ist. Ich wünsche Ihnen einen guten Tag.