VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Më 3 shkurt 1871 kryeqyteti i Italisë zhvendoset nga Firence në Romë

By | February 3, 2020

Komentet

BAJRAM CURRI DHE DRAGOBIA … – Nga Fritz RADOVANI

 

 

SHPELLA  DRAGOBISË

29 MARS 1925… Kjo Shpellë u la me gjak… 95 vjetë perpara…

E sot, ka shumë prej “atyne” që mendojnë se “Shpella asht mbyllë”!..

E sot, ka edhe ma shumë që kujtojnë se Bajram CURRI “po harrohet”!..

E sot, ka edhe nga “ata”.., që po kerkojnë me ia mbyllë edhe plagët…

Atë ditë… Bash kur mreti po lante duert si Pilati, u suell e u tha “miqve”:

“Tashti, nuk kam ma frikë asnjë njeri!”… E Gjaku shkonte rrkajë!…

Rrkajë në Bari… Rrkajë në Dragobi… Rrkajë në Vermosh.., e n’ Ohër…

E peshë u çue Valbona… Me rrkajt’ e dallgët e saja skuqi Ballkanin!.. 

E rrkajë shkoi Gjaku i Bajram Currit.., mbi letrat e Pashiqit…

Gaboni o vrasës të pabesë! Bisha t’egra e të terbueme t’ Vllazenve tuej!

Nuk i kishte ra dheu Ftyrës ende as Luigj Gurakuqit e, as Bajram Currit,..

E, nder ata Bjeshkë t’ Nêmuna, katilat e pashshpirtë vazhduen me ua  zhgulë Foshnjet e merthyeme per parzem të Nanave të veta… E me i vra…

Loçkat e zemres së Tyne.., që perjetsisht ua nxine jeten Atyne Nanave…

E paturpsisht.., merren kockat e atij tiranit vrastarë nga vorret serbe të Parisit, e sillen n’ krah nga tradhtarët e atdheut, per me i vue në qender të Tiranës së Toptanve! Po, kockat e dajës Esad kur po i sillni o t’ paftyrë?

Rreshtoni me “heronjtë” e Titos, të skiles boshnjake e të kobres së zezë!

Shporruni andej, ikni atje ku keni “vëllezrit e gjakut”, o pjellë mizore!..

Shpellat e lame me Gjak Atdhetarësh dhe plagët e Tyne, do të vazhdojnë me gufue Gjak të paster po, po edhe të freskët, si flladi i Atyne Bjeshkve…

Atdhetarët që dhane jeten per Flamurin e Kastriotit janë të Pavdekshem!

            Melbourne, 27 Mars 2020.                     

Dokument: Rrëfimi rrënqethës i nënës Ferdonije Qerkezi për humbjen e bashkëshortit dhe katër djemve të saj!

E rrethuar mes fotografive që i sjellin kujtimet me bashkëshortin Halimin, djemtë Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin, jeton e vetmuar zonja Ferdonije Qerkezi. Ajo jeton me shpresën që pas tërë këtyre viteve, do të ketë një vend, ku më të dashurit e saj do të prehen të qetë. Një vend, ku edhe ajo të ketë mundësi  që të ulet e t’i vajtojë. E mbyllur mes  katër mureve të mbushura me fotografi, e të shndërruara madje në një shtëpi-muze, zonja Ferdonie pret vizitorë nga e gjithë bota.

Madje, i shpjegon secilit se çfarë ndodhi në natën e tmerrit të 27 marsit të vitit 1999. E bashkë me rrëfimin, secilit vizitorë i ‘falë’ edhe disa lotë trishtimi e dhimbje për më të dashurit e saj.Me lotë për faqe, na rrëfeu edhe neve se si serbët ia morën bashkëshortin e djemtë atë natë për të mos ia kthyer më kurrë. Pavarësisht ndodhive, ajo thotë se mundohet të qëndrojë e fortë, për një arsye. Ajo e përdor një thënie  gjakovare, “Sa më rëndë që bie, aq më i fortë bëhesh”.  Zonja Ferdonie, thotë se forcën e gjen vetëm e vetëm për shkak të armikut, për t’i treguar se nuk e kanë mposhtur.Ajo tregon se i njeh personat që atë ditë kanë qenë në shtëpinë e saj, por nuk ka informacione nëse është ngritur padi ndaj tyre. Në drejtësinë e Kosovës nuk ka aspak besim, madje as në politikanët të cilët thotë se e kanë vizituar edhe në kohë fushate, por që nuk i premtuan se do të ngrisin padi ndaj serbëve, sado që ajo ju kishte kërkuar.

“Bota sot”: Çfarë në të vërtetë ndodhi në natën e 27 marsit të vitit 1999?

Ferdonije Qerkezi: Në familjen e Halim Qerkezit ka ndodhur një tragjedi. Më 17 mars 1999 në shtëpinë e Halim Qerkezit, kanë hyrë policia serbe dhe ma kanë marrë burrin edhe katër djemtë. Në shtëpinë tonë kemi pas mysafirë, ka qenë miku i djalit të madh, Shpëtimi ka qenë me nënën, me motrën dhe gruan dhe dy vajza te vogla, kanë qenë dy shokë të djalit, Ardianit, me nënën, një kushëri i Halimit, bashkëshortit ka qenë me grua, do të thotë Skenderi me bashkëshortën, dhe Murtezai me nusen dhe me vajzë. Unë i kam pas edhe dy nuset, se dy djemtë e mëdhenj i kam pas të martuar. Kemi qenë 23 veta , 11 meshkuj dhe 12 femra. Kah ora 11 paradite kanë hyrë policia serbe, ka hyrja e podrumit. Kanë hyrë na kanë kontrollu, na kanë qitë jashtë ashtu siç kemi qenë krejt familjarët, bashkë me mysafirët. Na kanë kontrolluar dhe na kanë thënë mirë qenkeni, na pyetën kush janë këta dhe bashkëshorti i tregoi. Na tha hyni brenda se mirë qenkeni. Ata shkuan në 11.30, dhe pas orës 15.00 janë kthyer prapë të njëjtit policë dhe kanë ardhë na kanë marrë leternjoftimat, mua, bashkëshortit Halimit, Artanit, Armendit, Ardianit, Edmondi nuk ka pasur leje, pasi ishte 14 vjet dhe mysafirëve të tjerë. Na kanë marrë në sekretariat, një orë na kanë mbajtë, pas një ore na kanë kthyer leternjoftimat, dhe na kanë qitë para hyrjes së podrumit, ku kemi ndejtë një orë jashtë, ka qenë kohë me shi dhe aty kemi prit derisa na kanë kthyer lejet, sepse na thanë rrini aty. Edhe janë kthyer prapë, na kanë sjellë lejet, i kanë dhënë urdhër djalit të madh të nxjerrë veturën nga podrumi, e kemi pas një Opel Kadet, mandej na kanë dhënë urdhër mu vendos në podrum të gjithë, do të thotë 23 persona. Aty kemi ndjetë një orë e gjysëm. Gjatë asaj kohe, kanë kërkuar raki, por bashkëshorti i tha që nuk kemi.

 

Shtëpia e familjes Qerkezi tash e një kohë është shnëdrruar në muze, ku shumë vizitorë vinë dhe njoftohen me dhimbjen që ka përjetuar nëna Ferdoni

Ferdonije Qerkezi:Ata thanë që ju e keni qebaptoren, dhe bashkëshorti i tha që momentalisht nuk kemi. E thirrën djalin e tretë Ardianin dhe i thanë hajde ti, se ti shërben mirë, me ju sjellë ujë, unë iu bëra kafe. Derisa ngjitesha shkallëve për t’i bërë kafet, ofshava dhe njëri serb me pyeti se ‘çfarë ki nano”, dhe i thashë që nuk e di. Mos u frikëso më tha se jemi ardh me ju ruajt. Unë aty u shlirova se thash ata po na ruajnë. Para se me i pi kafet, Dragani e kërkoi një tavolinë dhe dy fotele, dy karriga për tu ulur vetë dhe fotelet për tu ulë, Halimi dhe kushëriri, Skenderi. Dhe unë sa isha aty afër, e dëgjova që i tha Halimit se shqiptarëve duhet me ia pre kokën krejtve. Ai i tha po pse. Ai i tha sepse nuk ka më, ashtu duhet tash, janë prishur marrëdhëniet, nuk ka më si vëllëzër, tash duhet me iu pre kokën gjithë shqiptarëve. Bashkëshorti i tha që në dorë na keni, mundeni me na bo gjithqka. Unë aty u zbeha.  Kur shkova të familjarët tjerë, ata me pyetën se çfarë ndodhi. Ju thashë se asgjë. Aty e pashë që nuk është gjithqka në rregull, sepse kur hynë me kontrollu podrumin, e kemi një dalje mbrapa, e kontrollun podrumin krejtë, e mbyllën derën me qelës, i morën qelësat, edhe bashkëshorti i tha që mos e mbyllni sepse e kemi miellin këtu. Ata thanë që ju japim na. Gjatë asaj kohë, rreth orës 17.00, hyri Dragani na dha gjysëm kilogrami kafe edhe dy qokollada për vajzat e vogla që ishin me ne. Na i dha ato dhe doli, kur hyri Halimi tha mos u tutni se mirë jemi. Janë dalë ata, dhe prapë janë kthyer me maska. Kur janë kthyer i kanë thirrë të gjithë me emra, Artani, Armendi, Ardiani, Fatosi, Shpendi, Vegimi dhe Shpetimi, Edmondi. I kemi pasur disa letra të shitores, dhe Edmondi ishte shtrirë aty, dhe unë ia prisha gjumin, i thash qu se po kërkojnë edhe ty, (qan me zë) …dhe aty i kishin shkruar emrat në listë dhe e kërkonin edhe një mashkull , por i thash të gjithë i ke marrë se Edmondi nuk ka leje të njoftimit, të gjithë i keni marrë. Dolën dhe u kthyen prapë, për të marrë diqka dhe na kërkuan para. Na i mblodhën të gjithë arin që kishin nuset dhe e mbushën plotë një gotë dhe dolën. U kthyen prapë na thanë na jepni pare, njëri mu drejtua me një automat dhe njëherë nuk iu dhashë. Ato të tjerat iu gjuajtën tek këmbët, dikur unë ia dhashë 500 marka të asaj kohe, i morën paratë dhe dolën. Na thanë merrni vetëm disa rroba për fëmijë edhe shkoni për Shqipëri. Na dolëm, i morëm rrobat për fëmijë dhe jemi dalë dhe jemi shku në një shitore aty afër dhe na takuan policë prapë dhe na pyetën ku po shkoni. Ju thamë se kanë përzënë kolegët e juaj dhe na thanë kthehuni se askush nuk ju ngucë. Na nuk u kthyem atë natë në shtëpi dhe kemi qëndru në një banesë këtu afër, tek një qytetare e Gjakovës. Të nesërmen i kam marrë dy nuset dhe kemi ardhë këtu dhe i kam thanë ku doni me shku, ato më thanë ku të shkojsh ti, do të vijmë me ty. Kemi ardh këtu në shtëpi dhe nuk kemi parë asgjë, shtëpia ka qenë pa njerëz, mandej kam shkuar tek vëllau, Muharremi dhe iu kam treguar atyre, aty kemi ndejtë katër ditë. Pastaj kam shkuar të familja ime, dhe aty kemi qëndruar gjatë luftës, tre muaj. Vëllait Muharremit që ia kanë marrë djalin, unë me zonjën e tij, kemi shkuar deri tek Dragani, dhe kemi shkuar në gjyq. Sepse kur bombardoj këtu policia, u përhapë policia dhe tërë blloku ka qëndruar këtu dhe në gjykatë. Aty në gjykatë na thanë se ku me ditë se çfarë kanë bërë me ata. Aty, vëllau i Halimit, Kasimi e kishte njohur këtë Draganin, dhe kemi shkuar në shtëpi tek ai dhe doli kishin qenë në pantollona të shkurtër dhe na tha pritni sa të vishemi, dhe Kasimi tha se desha të marr vesh se e kanë marrë Halimin me djemtë. Unë kur i pashë ata, i njofta dhe njëri më tha a po me njeh se unë kam qenë tek ju dhe qelësat e podrumit i kam unë. Kasimit i thanë serbisht se ata kanë shkuar në Koshare, por ai i tha jo se nuk kanë shkuar se deri një natë para bombardimeve kanë punuar në shitoren tonë. Ata na thanë nëse nuk ju tregojmë sonte, vonë keni me marrë vesh. Unë i thash Draganit, që nuk është problem që i keni marrë se të gjithë janë pa ushtri, por ai tha se kanë shkuar për të luftuar në Koshare. Kasimi tha se ju i keni marrë. Ai tha se unë i kam marrë, i kam dërguar deri në polici, por drejtori i policisë i ka marrë. Unë i thash që nuk është problem që i keni marrë, por Halimi është keq nga zemra dhe deshta t’ia jap barnat. Ata më thanë mos ki dert se na barnat ia japim vet se kemi boll. Nga ajo ditë e deri në vitin 2005, asgjë nuk kam marr vesh. Në vitin 2005 kanë dalë djali i madh Artani dhe Edmondi. Për Halimin, Armendin edhe Ardianin nuk di asgjë, nga ajo ditë. Por në vitin 2008, unë rrobat e Ardianit i kam parë, por trupin jo. Dhe kështu tragjedia nga serbët, kështu ka ndodhur. Ata nuk kanë besë hiq, kështu të thonë por, nga mbrapa të prenë, janë të pabesë.

“Bota sot”: Ju thatë që në vitin 2008, keni parë rrobat e djalit tuaj Ardianit. Ku i keni parë ato?

Ferdonije Qerkezi: Trupat kanë qenë në morg të Rahovecit, por kur i kanë bartë, aty se si kanë mbetur rrobat pa trup nuk e dimë, dhe rrobat kanë shkuar në morg të Prishtinës. Ato rrobat kanë mbetë aty dhe tash nuk dihet se kush është aty. Nuk na kanë dhanë informacione se kush i sjellë, vetëm i kanë bartë. Ende ka trupa aty që nuk janë identifikuar.

“Bota sot”: A keni informacione nëse është duke u hetuar ndonjë person për ngjarjen e 27 marsit?

Ferdonije Qerkezi: Asnjë informacion nuk kemi as ku janë. Askush nuk po merret me ta. Tash që kanë qenë për fushatë, prej tri partive, unë ju thashë që kam qejf me i padit ata personalisht vetë, por ata nuk më dhanë kurfarë përkrahje.

“Bota sot”: Po me Dragani çfarë ka ndodhur?

Ferdonije Qerkezi: Ai ka ikur pas luftës, bile e ka marrë veturën e bashkëshortit, Halimit, Kadetin e ka marrë me gjësende që kanë vjedhë këtu në Gjakovë. Tek ne kanë vjedhë gjësendet e nuses dhe teknikën e muzikës që ka pas djali i madh në dhomë. Ato kush i ka marrë ne nuk e dijmë. Kryesisht në Gjakovë çfarë kanë vjedhë, e kanë pa disa familjarë Draganin duke dalë me veturë të mbushur plotë.

“Bota sot”: A është ngritur padi ndaj Draganit?

Ferdonije Qerkezi: Jo, nuk e dimë nëse është ngritur askush nuk na ka lajmëruar asgjë. Po duhet kap atë Draganin dhe drejtorin e Policisë, ai e di se ku i ka dërguar. Ne i kemi njohur ata me emra, se kanë ardhur kanë ngrënë në shitore dhe në qebaptore tek ne, më tepër pa para. Djemtë i kanë detyru me hangër qebapa njëherë për vete e pastaj me i ngrënë ata, se kanë menduar se mos po i helmojnë ata.

“Bota sot”: A ju kanë vizituar ndonjëherë krerët e shtetit?

Ferdonije Qerkezi: Krerët e shtetit më kanë vizituar, ka qenë Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi, vetëm Isa Mustafa nuk ka qenë edhe Jakup Krasniqi. Tek Jakup Krasniqi kemi qenë dhe na ka pritë shumë mirë.

 

Eshtrat e dy prej djemve të nënës Ferdonije, Artanit dhe Edmondit janë identifikuar në vitin 2005, derisa për bashkëshortin Halimin dhe dy djemtë tjerë Armendin edhe Ardianin nuk di asgjë që nga 27 marsi i vitit 1999

Foto galeri

“Bota sot”: Çfarë ju kanë premtuar ata?

Ferdonije Qerkezi: Për padi nuk kanë premtuar asgjë, ndërsa për shtëpinë muze më kanë ndihmuar. Më kanë ndihmuar edhe shoqatat “Thirrjet e nënave”, dhe “Rrjeti i grave”, me Igballe Rogovën, që më kanë përkrahuar për shtëpinë-muze. Kur unë kam dashur me bë shtëpinë muze, vëllezërit e Halimit kanë kërkuar hise. E tash kur e morën vesh ato për këtë, ato erdhën dhe më përkrahen.

 

“Bota sot”: A shpresoni se drejtësia do të vë prapa grilave fajtorët?

Ferdonije Qerkezi: Me këtë drejtësi të Kosovës nuk kam shpresa, nuk besoj, vetëm nëse ndërkombëtarët bëjnë diqka.

“Bota sot”: Po Gjykata Speciale, a keni shpresa në të?

Ferdonije Qerkezi: Deri më tani nuk më ka kontaktuar askush asgjë. Përpara kanë ardhur shumë policë ndërkombëtarë, por unë nuk i kam njohur. Kishte me qenë mirë nëse bëhet diqka.

“Bota sot”: Vitin e kaluar është krijuar edhe një film për ju dhe jetën tuaj. Çfarë domethënie ka ky film për ju?

Ferdonije Qerkezi: Ai film ka një domëthënie shumë të madhe për mua, sepse sado pak është informuar bota se çfarë kanë bërë serbët këtu. Ne vizita kemi pasur prej kur ka përfunduar lufta, por ne në fillim nuk kemi ditë me rujt librin se kush ka hyrë e ka dalë këtu. Kanë ardhur doktorat më të mëdhenj të botës, për me na kontrollu si jemi. Nuset i kam pas ende këtu, por nuk kemi ditë me i rujtë të gjitha shënimet. Kemi pas gazetarë, dhe të gjitha mediat e kanë bërë të madhe këtë ngjarje. Atë ditë që është shpallë pavarësia, ka pasur visitor nga të gjitha anët dhe është bërë ngjarje e e madhe për gjithë Kosovën.

“Bota sot”: Si fillon një ditë e juaja e zakonshme dhe si mbaron ajo?

Ferdonije Qerkezi: Unë si të zgjohem e pi kafen, e bëj insulinën, mëngjesin dhe nganjëherë më lajmëron dikush që do të vijë dhe e pres, por më tepër merrem me punë të shtëpisë, e mirëmbajë shtëpinë.

“Bota sot”: Shtëpia juaj tash e sa kohë është bërë muze, a ka interesim të qytetarëve për t`ju vizituar?

Ferdonije Qerkezi: Prej vitit 2016 ka më tepër vizita, sepse në këtë vit është shpallur tamam zyrtarisht si muze. Pllaka ka qenë qe na viti 2005, ndërsa si muze ka filluar para një viti.

“Bota sot”: A ju lehtësojnë dhimbjen sadopak këto vizita?

Ferdonije Qerkezi: Po ma e lehtë është për mua, sepse po e di që njerëzit po interesohen më tepër për mua, për ngjarjen se çfarë ka ndodhur. Është shumë më e lehtë për mua, por edhe pak e vështirë sepse po më duhet me i përsërit vazhdimisht këto kujtime.

“Bota sot”: Po ju, si ndiheni kur shikoni gjithë këto kujtime?

Ferdonije Qerkezi: Më e lehtë është për mua ta mbajë shtëpinë me gjithë këto kujtime, sepse kur e kom marr më pastru dhe lyer shtëpinë, i kam heq të gjitha dhe më dukej shtëpia e thatë, menxi pritsha me përfundu shtëpinë dhe me i vendos fotografitë nëpër vende të veta, sepse më duket shtëpia më e mbushur.

“Bota sot”: A është Kosova e sotme ajo për të cilën u flijuan më të dashurit tuaj?

Ferdonije Qerkezi: Jo aspak nuk është kjo Kosovë, pa punë, pa asgjë në këtë vend. Bashkëshorti im dhe djemtë kanë qenë shumë punëtorë. Kur po i shoh të rinjtë pa punë, si kamarierë, edhe pse edhe atë punë duhet ta bëjë dikush por jo kështu siç është sot.

L’Echo de Paris (1913)- Intervista ekskluzive me Isa Boletinin ne Londer, perfaqesuesin e Kosoves dhe delegatin e qeverise se Vlores

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Mars 2020

 

“L’Echo de Paris” ka botuar, të hënën e 5 majit 1913, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me intervistën ekskluzive të Isa Boletinit, të zhvilluar asokohe në Londër, ku si përkthyes i ka shërbyer Luigj Gurakuqi, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Bisedë me shefin shqiptar Isa Boletini

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

(Nga korrespondenti ynë i veçantë)

 

Londër, 4 maj.

 

E kam takuar Isa Boletinin në një nga hotelet e mëdha në Londër, i ulur para një filxhani çaji, i patundur, me një cigare në gishtat e tij. Rreth tij, anëtarët e qeverisë së përkohshme shqiptare të veshur me pardesy prej mëndafshi. Me këtë stil, ata mund të ligjërojnë në “House of  Commons”. Isa Boletini, edhe në zemër të civilizimit, nuk e hoqi kostumin e tij prej malësori luftarak. Ai mban plisin e bardhë, traditë për të gjithë bashkatdhetarët e tij.

 

Për të mashtruar disi kureshtjen e publikut, ai veshi një pardesy gri krejt perëndimore, por veshja kombëtare përsëri dukej : këmisha blu dhe jeleku (xhamadani), rripi i gjerë dhe pantallonat që i ngjiten nga afër pjesës së prapme të këmbëve. Një strukturë kockore, shumë e gjatë dhe e harkuar, mbart fytyrën, e pjekur dhe të djegur nga dielli, mbi të cilën shkëlqen një sy mjaft i mprehtë. I tillë është njeriu, i cili, me përsosmëri, përfaqëson Shqipërinë luftarake, atë, që e palodhur dhe prej shekujsh, ka zbritur nga lartësitë për të dëbuar gjithnjë e më larg serbin, grekun dhe bullgarin; ajo që, nesër, do të sulmojë ushtarët evropianë, qofshin në shërbim të koncerteve (planeve) apo interesave austro-italiane.

 

Shqiptarë të tjerë kanë pasur sukses në Yildiz – Kiosk, në poste të larta publike, por ky njeri përfaqëson shumë më mirë tokën shqiptare, të cilën kurrë nuk ka dashur ta braktisë, dhe që, edhe sot, në këtë hotel të madh perëndimor, ka një marshim të dhimbshëm dhe gjeste të ngadalta të kujtdo që ngjit një lartësi dhe mbart armë.

 

  1. Luigj Gurakuqi, një katolik nga Shkodra, anëtar i qeverisë së përkohshme të Vlorës, pranon të më shërbejë si përkthyes.

 

E pyes Isa Boletinin :

 

— Në çfarë moshe keni filluar të luftoni ?

 

Në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare. Unë jam dyzet e shtatë vjeç sot. Domethënë, tridhjetë vjet luftë. Kam lindur në fshatin Boletin, afër Mitrovicës. Armiqtë e mi të parë ishin serbët dhe malazezët. Ishte për të zmbrapsur bastisjet e tyre që pak nga pak fitova besimin e bashkatdhetarëve të mi dhe u bëra shef klani.

 

— Ju keni pasur marrëdhënie të mira me turqit e regjimit të vjetër ?

 

— Ndonjëherë ndoshta disa mosmarrëveshje; por, në përgjithësi, nuk kemi shkuar keq. Sulltani Hamid e dinte se çfarë vlere kishte një shqiptar; në vitin 1902, ai më thirri pranë tij, më vuri në krye të gardës së tij shqiptare dhe më dha titullin bej.

 

Isai me jep këto detaje copëza-copëza që i lë të dalin një nga një.

 

— Në Shqipëri, tha ai, njerëzve nuk u pëlqen të flasin për veten; kjo është në kundërshtim me zakonet.

 

— Fatkeqësisht ! iu përgjigja, në Perëndimin tonë, të mos flasim për veten është gjithashtu në kundërshtim me zakonet.

 

I ardhur në Londër për t’i shërbyer vendit të tij, Isai, nga Boletini, e pranon reagimin tim.

 

Për dy orë, ai u përgjigj pyetjeve të mia biografike, duke thënë herë pas here: “Kam vuajtur aq shumë sa nuk mund të them gjithçka !”

 

Pasi qëndroi për katër vite pranë sulltan Abdul-Hamidit, beu i ri u kthye në Shqipërinë e tij. Ai jetonte prej tre vitesh në kullën e tij afër Mitrovicës kur ndodhi lëvizja xhonturke. E dimë se, gjatë një takimi në Ferizaj, më 15 korrik 1908, delegatët shqiptarë e pranuan Kushtetutën. U kishin thënë se ishin të lirë ndaj pushtetit qendror, efektet e të cilit nuk është se ndiheshin atje.

 

— Nuk e lashë veten të mashtrohem, thotë Isai. Unë nuk kam qenë në Ferizaj.

 

— Pse ? A i njihnjit turqit e rinj ?

 

— Vetëm disa.

 

— A keni pasur marrëdhënie të këqija me ta ?

 

— Jo ! marrëdhënie të mira. Megjithatë, nuk kisha besim tek ata. Burrat e regjimit të ri nuk më falën për abstenimin tim. Të ngarkuar për nënshtrimin e të gjitha elementeve armiqësore, komandanti i Mitrovicës, Xhavit pasha, përmes meje, vendosi të fillojë serinë e ekzekutimeve të tij. Ai, pa asnjë paralajmërim, rrethoi kullën time, nga e cila familja ime mezi arriti të dilte. I kapur në befasi, kisha vetëm 20 burra rreth meje. Nga këta 20 burra, 12 u vranë. 8 të tjerët, përfshirë edhe mua, qemë në gjendje të shpëtonim por të mbuluar nga plagët.

 

Duke rrëfyer këtë arritje, shefi shqiptar tregon shpatullën e tij të majtë të enjtur. Ishte e shpuar nga njëra anë në tjetrën. Shoh që në dorën e tij të majtë mungon gishti i mesit.

 

— E ka marrë Xhavit pasha ?

 

Isai buzëqeshi me përbuzje :

 

— Jo. Aksident i thjeshtë gjatë rinisë.

 

Natyrisht, kjo nuk llogaritet. Që ky gjigant i zhdërvjellët dhe esmer të rrëzohet për tokë, do të duhej të vritej shtatë herë, si një mace. Ai vazhdon :

 

— I detyruar të largohem nga Mitrovica, u strehova afër Pejës. Xhaviti arriti shpejt me pesë batalione, duke djegur të mbjellat dhe kullat. Pasi u mundova të luftoj me aq sa munda, u strehova te malsorët e Gjakovës. Rezistenca u organizua, betejat e Lumës dhe Rugovës u mësuan shtypësve modestinë. Në pranverën e vitit 1909, të thirrur për arsye të ngjarjeve të Kostandinopojës, ata u larguan. Kjo ishte për t’u kthyer një vit më vonë, nën urdhrat e Shefqet Turgut pashës. Këtë herë, erdhën për të ndëshkuar lëvizjet shqiptare në krahinën e Kosovës. Ne luftuam në Kaçanik, të shpërndarë, kurrë të mposhtur. Pastaj, kam gjetur azil në Mal të Zi.

 

— Çfarë mendoni për mbretin Nikolla ?

 

— Ai më ftoi disa herë në tavolinën e tij, duke më bërë të ulem pranë mbretëreshës. Më mbetet vetëm ta falenderoj atë dhe popullin e tij. Pasi paqja u rivendos, u ktheva në fshatin tim të lindjes Boletin, më mungonte vendlindja. Unë qëndrova në heshtje për një vit të tërë dhe nuk mora pjesë në kryengritjen e malsorëve të Shkodrës dhe në kuvendin e Berçës, i cili hartoi statutin e lirive shqiptare. Isha akoma në Boletin në gusht, kur sulltani erdhi të vizitojë fushën e betejës së Kosovës, ai më ftoi të shkoj. Nuk pranova. Mësova se ishte i shoqëruar nga Haki pasha dhe Mahmud Shefqeti. E dija si njeri pa vullnet, mendova se ishte e kotë të shkoja e ta shihja. Një vit më pas, unë mora drejtimin e kryengritjes së madhe, e cila na çoi radhazi në Pejë, Gjakovë, Prishtinë dhe Shkup. Hyra me në krye ushtarët e mi. Kështu arrita qëllimin e përpjekjeve të mia : të siguroj ekzistencën kombëtare të Shqipërisë, të kërcënuar nga Turqit e Rinj. Ne ishim duke përfunduar një marrëveshje me Gazi Muktar  pashën (Ahmed Muhtar Pashën) kur papritmas deklarata e luftës së aleatëve shpërtheu.

 

— Duke pasur parasysh zgjedhjen midis serbëve, me të cilët keni luftuar tërë jetën, dhe turqit, të cilët i keni luftuar për pesë vjet, çfarë bëtë ?

 

— Unë kërkova armë në Kostandinopojë; me të vërtetë, të gjithë njerëzit e mi i kishin çarmatosur. Këto armë m’u refuzuan. Unë luftova me mundësitë që pata, duke u tërhequr nga Mitrovica në Dibër, Elbasan dhe Vlorë. I emëruar kryetar i milicisë së formuar nga qeveria e përkohshme, m’u desht të ndërhyja për të larguar grekët nga Himara. Ndërsa vizitova jugun e Shqipërisë, vura re se të gjithë shqiptarët janë vëllezër; isha shumë i lumtur. Tani kam ardhur për të kërkuar drejtësi në Europë.

 

— A do t’i pranoni kufijtë e rinj që kanë vendosur ambasadorët ?

 

— Kurrë. Është një dhimbje e madhe për mua që vendi im Kosova është ndarë nga Shqipëria. Shqiptarët nuk do t’i nënshtrohen kurrë me qetësi zgjedhës serbe.

 

— A do ta ndaloni hekurudhën tregtare që i është dhënë Serbisë ?

 

— Trazirat do të jenë të pandalshme.

 

— Çfarë mendoni në lidhje me një pushtim italo-austriak ?

 

— Për sa kohë që nuk ka drejtësi, dhe ndërsa Mali i Zi dhe Serbia vazhdojnë të aneksojnë vendet shqiptare, Italia dhe Austria mund të jenë pjesë e kësaj loje. Kam ardhur këtu për të protestuar si një përfaqësues i Kosovës, si një delegat i qeverisë së Vlorës. Tërë jetën time, unë do të luftoj serbin, malazezin, grekun, italianët, austriakët, deri në çlirim ose vdekje.

 

Duke thënë këto fjalë, Isai merr flakë dhe lëviz. Ai përsërit të njëjtën fjali tri ose katër herë. Ka frikë se unë nuk i kam shënuar mirë fjalët e tij.

 

Ndërsa unë e kam lënë tashmë të qetë, ai ngrihet dhe nxiton drejt meje :

 

— Ajo që thashë është e vërteta. Nëse dikush pretendon ndryshe, unë jam këtu për t’iu përgjigjur atyre.

 

Ndërsa largohem, mendoj për të ardhmen që pret Isain dhe arnautët e tij krenarë. I krijuar për luftë, i papërshtatshëm për çdo punë tjetër përveç asaj të pushkës; i ushqyer në idhtësinë fisnike të armëve, kur ai të ketë luftuar mirë kundër ndërhyrësve të rinj, pa dyshim malli për vendlindjen do ta kthejë sërish në kullën e tij në Boletin, në Serbi; ai do të shohë njerëzit (rayas), që, dikur, kur takonin shefat shqiptarë,  zbrisnin me përulësi nga gomerët e tyre, të kalojnë tashmë para tij duke e shikuar në sy; ai do t’i shohë djemtë e tij të bëhen gjithnjë e më pak luftëtarë dhe gjithnjë e më shumë fshatarë; udhëtuesit shitës dhe sllavët do të qarkullojnë me mallrat e tyre në këtë vend, i çelur më parë vetëm për vendasit (autoktonët). Ata do ta tregojnë me gisht plisin e tij të bardhë dhe jelekun e tij blu. Isai do të flasë me veten se fundi i botës ka mbërritur. Europa do të ketë humbur racën e saj më bukur ushtarake. — A. C

VIRUSI PYET: A E DINI KET ? – Nga Fritz RADOVANI: Pyetja I.

 

 

NDUE  PALI

 

Ju pyet ju qeveritarve të Shqipnisë e të Kosovës, a e dini ket?

 

  • 1945 Plot 75 vjet ma parë, Ndue Pali para pushkatimit në Zallin e Kirit, i lidhun përdore me Caf Metin, ka deklarue simbas proces verbalit të mbajtun nga terroristi Aranit Çela:

Proçes- verbal. I mbajtun mbi vullnetin e mbramë të të dënuarve me vdekje,

Ndue Mirash Pali dhe Caf  Meti, nga Shkodra.

Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para drekë, unë prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e fundit të tyre, në të cilën thanë këto: Ndue Pali: Nuk më vjen keq, që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij. Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh që pata nga fashistët dhe nazistët. Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin!

Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste: Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike!

Rrnoftë Shqipnia e Shqiptarëve!

Të fala familjes.                             Prokuror  (Aranit Çela) d.v.”

        

         Shenim FR: Fjala e fundit botohet pa asnjë ndryshim nga origjinali.

Qeveritarë! Tash 75 vjetë vetem vritni e zhdukni Atdhetarë! Turp per ju!      

FOTOKOPJO E ORIGJINALIT:

 

 

Melbourne, 26 Mars 2020.

Kalendari historik – 26 mars

26 marsi është dita e 86 e vitit të brishtë. Deri në fund të vitit kanë mbetur edhe 280 ditë.

1169 – Saladini apo Salahudini bëhet emir i Egyptit. Saladini ishte sulltani i parë i Egjiptit dhe Sirisë dhe themeluesi i dinastisë Ayyubid. Mysliman me origjinë kurde, Saladini udhëhoqi opozitën myslimane kundër kryqtarëve evropiane. Në kulmin e fuqisë, sulltanati i tij përfshinte Egjiptin, Sirinë, Mesopotaminë, Jemenin, dhe pjesë të tjera të Afrikës së Veriut.

1881 – Lufta greke per pavaresi nga perandoria Osmane – Thesalia bëhet pjesë e Greqisë. Në epikën e Homerit, Odiseu viziton mbretërinë e Aeolus, dhe ky është emri i vjetër për Thesalisë. Fusha e Thesalisë është vendi i betejës mes perëndive; sipas mitologjisë, Kadmus mbolli dhëmbë në këtë fushë dhe prej tyre mbinë njerëz, autoktonë, vendas, lindur nga dheu); një nga djemtë e Kadmusit dhe Harmonisë quhej Ilir dhe Illyrian u quajtën pasardhësit e tij. Kadmus, fenikas, solli edhe alfabetin në këtë rajon, sipas mitit. Në shek. IV pes, Thesalia u përfshi në mbretërinë e Filipit II të Maqedonisë. Në shekujt e parë të erës sonë, Thesalia më u bë pjesë e Perandorisë Romake, dhe më pas pjesë e perandorisë romake të Lindjes, Bizantine. Avarët erdhën në këtë pjesë të Evropës në vitet 550, të pasuar nga fiset sllave në shekullin e VII, dhe aleanca Avare – Sllave filloi të kontrollojë Perandorinë byzantine, përfshi Thesalinë. Në vitin 1821, pjesë të Thesalisë u përfshinë nga kryengritjet e para për pavarësi nga perandoria osmane. Thesalia u bë pjesë e shtetit modern grek në vitin 1881, pas Traktatit të Berlinit.

1904 – Lindi Joseph Campbell, mytologist amerikan, shkrimtar dhe pedagog i njohur për punën e tij në mitologjinë krahasuese. Vepra e tij mbulon shumë aspekte të përvojës njerëzore. Filozofia e tij është përmbledhur shpesh thënien; “Ndiqni lumturinë tuaj”. Joseph John Campbell vdiq më 30 tetor 1987.

Rrugë e hapur… nga Josef Kampbell
(shqipërim)

Futu në pyll
në pikën më të errët,
ku nuk ka rrugë.
Udha e hapur,
Eshtë e dikujt tjetër.
Nuk je në rrugën tënde.
Nëse ndjek gjurmët e tjetrit,
Nuk do të mund të kuptosh
As potencialin tënd.

1913 – Lufta I Ballkanke: Forcat bullgare marrin Edirnenë (Adrianopojë), pas 5 muajsh rrethimi dhe dy sulme të guximshme gjatë natës. Robërit osmanë të luftës u trajtuan shumë keq dhe disa prej tyre u vranë. Sipas raportit Carnegie, ndaj bullgarëve u bënë dy akuza kryesore:
1 – ata i trajtuan robërit osmanë të luftës me mizori dhe shumë brutalitetit.
2 – autoritetet bullgare lejuan plaçkitjen e pronës së popullsisë turke të Edirnesë për tre ditë pas dorëzimit të qytetit.

1931 – SwissAir themelohet si linja ajrore kombëtare e Zvicrës. Swissair konsiderohet një nga linjat ajrore më të mëdha ndërkombëtare dhe njihet si “Flying Bank” (Bankë Fluturuese) për shkak të stabilitetit financiar të kësaj linje ajrore.

1979 – Anwar al – Sadat, Menachem Begin dhe Jimmy Carter të nënshkruajë Traktatin e Paqes Izrael – Egjipt në Uashington, DC. Normalizimi i marrëdhënieve mes Izraelit dhe Egjiptit, hyri në fuqi në janar 1980. Në mars 1980 u përuruan fluturime të rregullta ajrore. Egjipt gjithashtu filloi furnizimin e Izraelit me naftë bruto. Traktati u prit me polemika të mëdha në të gjithë botën arabe, ku ishte dënuar dhe konsiderohet si një thikë në shpinë. Ndjenja e zemërimit ishte veçanërisht i fortë në mesin e palestinezëve, me udhëheqësin e Organizatës Çlirimtare të Palestinës, Jaser Arafat, duke deklaruar; ” . . Le ta nënshkruajnë atë që u pëlqen paqja e rreme nuk do të zgjasë”. Në anën tjetër, traktati bëri që presidenti egjiptian Anwar Sadat dhe kryeministri i Izraelit, Menahem Begin të ndanin Çmimin Nobel të Paqes. Megjithatë, si rezultat i traktatit, Egjipti u pezullua nga Lidhja Arabe në 1979 deri1989, dhe Sadati u vra me 6 tetor 1981 nga anëtarët e Xhihadit Islamik Egjiptian.

1997 – Afër San Diegos, Kaliforni, policia zbulon 39 viktima të një vetëvrasjeje në masë – anëtarë të kultit “Heaven’s Gate”, të cilët besonin se vetëvrasja do t’i lejonte ata të dilnin nga trupi dhe të hynin në një anije jashtëtokësorësh e fshehur pas kometës Hale-Pope.

  • 1999 – në Padalishtëtë Skendraj nga kriminelët serbë janë masakruar 19 anëtarë të familjes Imeraj (në mesin e të cilëve 11 femra dhe 5 fëmijë të moshës 2 – 16 vjeçare).
  • 1999 – Okupatoret Serbë masakruan Krushen dhe disa fshatra per rreth
  • 2000 – Vladimir Putin bëhet kryetar i ri i Rusisë.
  • 2011 – Rrëqebulli fotografohet në Veriun e Shqipërisë nga ekipi i PPNEA.

Mendim i ditës
“Mitologjia, me fjalë të tjera, është psikologji e lexuar gabimisht si biografi, histori, dhe kozmologji”
Joseph Campbell

Lindje

  • 1951 – Rexhep Mala,Hero i Kombit Shqiptar
  • 1868 – Fuad I, mbret i Egjyptit
  • 1876 – Princ Vidi, Mbret i Shqipërisë (vdiq më 18 prill 1945)
  • 1893 – Palmiro Togliatti, politikan italian
  • 1911 – Tennessee Williams, dramaturg amerikan
  • 1913 – Paul Erdös, matematikan hungarez (vdiq më 1996)
  • 1925 – Pierre Boulez, kompozitor francez
  • 1935 – Mahmoud Abbas, politikan palestinez
  • 1937 – Ahmed Kurei, politikan palestinez
  • 1940 – James Caan, aktor amerikan
  • 1942 – Erica Jong, letrare amerikane
  • 1944 – Diana Ross, këngëtare amerikane
  • 1968 – Mahsun Kirmizigul, këngëtar dhe aktor turk
  • 1982 – Princi Leka, pinjoll i familjes mbretërore Zogu

Vdekje

  • 1212 – Sancho I, mbret i Portugalise (lindi më 1154)
  • 1827 – Ludwig van Beethoven, kompozitor gjerman (lindi më 1770)
  • 1902 – Cecil Rhodes, politikan britanik (lindi më 1853)
  • 2005 – Melihate Ajeti, aktore (lindi më 1935)
  • 2015 – Tomas Tranströmer, nobelist suedez

SIKUR T’A KISHA ARKEN E NOEHIT ?! – Nga Fritz RADOVANI

ARKA IMAGJINARE E NOEHIT…

 

Sa miljarda njerzë sot mendojnë si unë ?!

 

  • As nuk din kush me e diftue…

 

Po neser, sa do të mendojnë si unë ?

 

Asht mirë me e lanë të shkrueme n’ Arkë, edhe pse …

 

Per disa shekuj “disa..”, nuk kanë me dijtë me e lexue !..

 

         Melbourne, 20 Mars 2020.  

La France Libre (1918)- Profesori më i mirë francez i okulistikës erdhi nga Parisi në Lyon për të operuar Esat Pashë Toptanin

 

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 14 Mars 2020

 

“La France Libre” ka botuar, të enjten e 22 gushtit 1918, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me operimin e syve të Esat Pashë Toptanit në qytetin Lyon të Francës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Një mysafir i shquar

 Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një qendër shëndetësore pranë parkut Tête-d’Or, në Lyon, aktualisht është shtëpia e një mysafiri të shquar, shëtitjet e të cilit nëpër qytet kanë mbetur pa u vënë re. Bëhet fjalë për Esat Pashën, udhëheqësin shqiptar, dikur kokë turku e “M’bretit” të disa muajve Princ Vidit.

 

I prekur nga një sëmundje e rëndë e syve, Esat Pasha, iu drejtua mjeshtërit të oftalmologjisë (okulistikës) franceze për ta operuar. Dhe profesori Morax, i cili erdhi nga Parisi, e kreu vetë ndërhyrjen e nevojshme.

 

Le t’i urojmë një rikuperim të shpejtë këtij luftëtari të fortë, goditjet e të cilit austriakët dhe bullgarët, që nga fillimi i luftës, i ndien më shumë se një herë, në malet e Shqipërisë, ku ai komandonte trupat autonome.

Le Soleil (1912)- Ismail Qemali: “Shqipëria nuk do ta pranojë më sovranitetin e Sulltanit.”

Ismail Qemali

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Mars 2020

 

“Le Soleil” ka botuar, të martën e 24 dhjetorit 1912, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me qëndrimin e Ismail Qemalit ndaj Turqisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Deklaratë e Qemal Beut

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Romë, 23 dhjetor.

 

Një telegram nga Vlora njofton se anëtarët e qeverisë shqiptare kanë falënderuar konsujt italianë dhe austriakë për mbështetjen e dhënë nga qeveritë e tyre për çështjen shqiptare.

 

Qemal Beu tha : “Shqipëria, në asnjë formë, nuk do ta pranojë sovranitetin e Sulltanit, sepse në këtë rast do të kufizohej dhe kompromentohej autonomia dhe pavarësia e saj e arritur për mrekulli.”

Rrëfim për mihalin, mihalet dhe mihaleizimin e shoqërisë shqiptare… Reagim nga Jozef Radi

Mihal Ll. i përket nji kohe të hershme, rinisë sime ai iu shfaq ai një njeri i errët, e keqja do ta kishte lakmi shpirtin e tij, e zeza do të ndjehesh e turpëruar para veprimeve të tij. Nëse do të ishte veç i rinisë sime, do të ishte e keqja më e vogël, sepse mund të ishte edhe qëndrim subjektiv, e ndërkohë, të njëjtën gjë mund ta thoshte edhe ai për mua!

Por unë jam i sigurt, janë me qindra ata që e njohin e të mos kenë diçka të keqe për të thënë për të.

Mihal Llazi ka edhe ai një pjesë të jetës së tij në Savër, po jo si i ndëshkuar, si ndëshkues. Ai mbaroi nga mesi i viteve ’60 gjimnazin e qytetit, dhe punoi për gati 10 vite si mësues, diku nga zona midis Peqinit dhe Darsisë, në tetëvjeçaren e Gjuzajt, kohë gjatë së cilës ai ishte bujtës i rrallë në Savër, derisa do të shfaqej befas me dy detyra që nuk kishin lidhje me shkollën. Nuk dihet mirë pse e braktisi shkollën, apo e përzunë prej saj, por ajo që dihet mirë, është së rikthimi i tij në Savër që me dy detyra të rëndësishme, më shumë se Partie: brigadier dhe kryetar këshilli!

Mbas kësaj Mihal Ll. do të ishte për 16 vite kryetar i këshillit në Kampin e Savrës, (periudhë tejet e gjatë, për një kryetar këshilli), çka tregon se ky njeri përtej detyrës, ka pasur zell të rrallë në kryerjen e detyrës. Duke marrë parasysh, se Savra më shumë se gjysma ishte me të interrnuar, jetëgjatësia e këtij kryetari këshilli, është e justifikuar me shërbime të veçanta, si: spiunime, kontrolle, ndëshkime, demaskime, arrestime pse jo edhe interrnime… Pra këtij njeriu të errët jo vetëm në pamje, i përket nderi i tejkalimit në zell e devotshmëri i luftës së klasave, i kontrollit të jetës së çdo individi, në veçanti të interrnuarve, i kërcënimi i përditshëm e të vazhdueshëm të qetësisë së familjeve, mbasi ai ishte i aftë për të goditur çdo grimë lirie, që Savra e kishte në shpirtin e saj, qysh prej 1953, kur Partia e kishte krijuar, si qendër grumbullimi e gjithë të ndëshkarve politike dhe represionit që do të zhvillohej aty, me aktorë të zinj si Mihal Ll…

Me kalimin e viteve, ai do të ishte modeli i njeriut negativ, i hipokritit të pafytyrë, i maskarait të pashoq, i propagandistit mediokërr, figurë që e kishin në konsideratë vetëm minjtë e gjirizeve, e ca mjeranë që sot përpiqet t’na i shesë si e keqja e brendëshme e t’interrnuarve…

Mihal Ll. vinte nga një familje myzeqare. Prindët e tij ishin njerëz të urtë e të sjellshëm dhe kurrë s’u përzien në ndonjë situatë fyerje të banorëve të atij kampi. Motrat e tij Kristina dhe Drita, ishin zonja, Kristinën e kam pasë mësuese në klasë të tretë, dhe ruaj kujtime pozitive, kurse vëllai i tij, Miti qe llogaritari i përjetshëm i sektorit, edhe pse i sëmurë, qe njeri me humor, e shpesh tim eti, jo pa ironi i thërriste “Ku je Dom Lazër!”, si për të dëshmuar se krahas vlerave të tij, kishte edhe pak urtësi prej prifti… e megjithatë i vëllai i tyre ky njeri i zeshkët, me atë buzëqeshjen hipokrite e cinike, që i gatshëm të përdortë terminologjinë ideologjike e për t’ia vënë përballë Partinë e të ndëshkonte këdo…

Nëse do të bëhej një anketë, prej shumë atyre që kanë jetuar me kët Uriahip në 16 vitet e kryetarllëkut, që ia humbi mbiemrin, mbasi prej të gjithve thirrej: o “Mihal Këshilli”, o “Mihalja”, sot do të kishim një katalog të rrallë dëshmish të trishta, të dhimbshme e të frikshme, që ky njeri, që s’ishte as në parti, po ishte më i keq se vetë njerëzit e partisë; ky njeri që s’ishte nëpunës Dege, po ishte më i keq se operativët e Sigurimit; ky njeri që s’kishte asnjë kompetencë për të dënuar, po që u përbetohej shumë njerëzve se: “Pa të dënuar ty, plaça!”; ky brigadier plehu, që ishte me i pistë se plehu kishte rreth vetes veç gjirizin e spiunëve dhe ndjehesh krenar me ta!!

Në fund të fundit, diktaturat egërsinë dhe poshtërsinë e kanë në themel të tyre, po njerëz të ulët, cinikë e me shpirt të zi si Mihal Ll. janë modeli i vërtetë i terrorit të diktaturës, janë krijesat e saj shembullore!

Në Savër, përpara Mihal Këshillit, kishin qenë kryetarë Sulo Lame – Stërneci (përmetar) dhe Hetem Hajdini (skraparli), po asnjë prej tyre s’mund të krahasohet me këtë korrozi të paskrupullt, i cili me kohë u shtrembërua, u deformua dhe u përkeqësua… si shembull i Njeriut të Ri, çka përbën thelbin e kësaj qenie, po thelbin e gjithë atyre që devotshmërinë ndaj diktaturës e kanë ende në DNA e tyre…

Në ato 16 vite të arta të Mihal Këshillit, në Savër u dënuan njerëz pafund. U arrestuan dhe u dënuan me burg dhjetra presona… Për të qenë korrekt po jap vetëm disa prej tyre… U dënuan me burg: Nikollë Merrnaçaj, Spiro Gjoka, Avdulla Nela, Musa Sina, Thoma Buzi, Xhevat Ago, Agim Poda, Vasfi Cane, Fiqiri Hoxha; u demaskuan publikisht: Lazër Radi, Sherif Nela, Bardhok Zefi, Vocërr Sherifja, Ilir Biçaku; u interrnuan dhe u përzunë nga Savra drejt Bedati e Grabjan: Koço Plasoti, Ylli Iliazi, Ymer Spahiu, Flamur Spahiu, Mehmet Mustafa; u internuan aty në Savër: Ali Dema, Vasfi Cane, Najada Spahiu, Zef Grishaj… e plot të tjerë që ndonjë edhe e kam harruar. Në të gjitha emrat që përmenda është dora dhe fytyra e zezë e Sigurimit të Shtetit, por vegla simbol e kësaj pune mbetet: Mihal Këshilli, i cili fluturonte mbi një biçikletë kineze blu 26, për të çuar sihariqet e spiunëve, (që për fat të keq disa prej tyre ishin nga familje të interrnuara), po edhe dora e zeze e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, miq zemre të Mihales si: “Aparati”, “Qytetërimi”, “Vëzhguesi” “Portokalli”, “Vepruesi”, “Guximtari”, “Pëllumbi” e plot skrunde shoqërore, që nga një anë ndanin vuajtjen e përbashkët, nga ana tjetër i shërbenin diktaturës me llumin që hidhnin mbi shokët e tyre… E Mihalja e njeh mirë ata, e njeh mirë këtë formë komunikimi, i njeh mirë gjirizet sepse ka qenë frymëzues i tyre…

Në 16 vitet e kryetarllëkut të Mihal Këshillit, si operativë të Sigurimit në Savër shërbyen Ali Ajdini, Selfo Islami, Gëzim Sadikaj, Edmond Rada, Agron Xhelili e të tjerë… këta së paku kujtoj unë… Jam i bindur se zelli i Mihalit, ishte përtej të gjithëve, edhe pse ata ishin përpunues të opinioneve në një kamp të madh interrnimi si Savra. Në fund të fundit Dega e Brendëshme, me operativët e saj, Mihal Këshilli dhe gjithë rekrutët e tyre ishin mekanizma që kontrollonin jetën e atyre njerëzve që kishin tre breza që jetonin me terrorin e burgjeve dhe kampeve, pa asnjë mundësi për të pasur një jetë njerëzore lineare… I gjithë ky kompleks institucional: Sigurimi i Shtetit-Dega e Brendshme-Operative; Organet e pushtetit si: Këshilli Popullor-Fronti Demokratik-Partia – së bashku bashkëpunëtorët dhe spiunët ordinerë përbënin atë hallkë që dje quhej diktaturë e kontrollonte krejt jetën e një shoqërie, sot ka një tjetër emër po nuk është fort larg… Këto mekanizma të përbindshme funksionojnë edhe sot, e Shqipëria përmes këtyre hallkave na dëshmon me dhimbje se ka realizuar mihaleizim i shoqërisë, atë zellin dhe devotshmerinë e individëve që tejkalonin edhe vetë hallkat strukturave diktatoriale…!!

Këtë shkrim, s’do ta kisha shkruar, po mos të më dërgonte një bisedë një miku im në Athinë, Stefan B. Ai më rrëfeu se kishte takuar Mihal Ll., (mbiemrin e plotë s’po e jap për të mos rënduar fëmijët dhe të afërmit e tij, po shumica e dinë). Ja biseda që ai më nisi:

Jozef i dashur!

Sot në drekë njofa një farë Mihali që ju e kishit atje në Savër, nga Divjaka me origjinë!! E di ç’më tha: Të gjithë ata që ishin në Savër kanë kaluar shumë mirë! Bëra debat të madh! Ju njifte mirë! Një enverist e kriminel i pandreqshëm!!! Këta njerëz nuk ndryshojnë kurrë!!

Po Mihal Ll… ishte! I thashë ti do të më thuash që Lazër Radi s’ka vuajtur!! U soll si karagjoz i madh!! Rastësisht ia hapa e bisedën, se më thanë miqtë se ka qënë në Savër, ngaqë kisha lexuar edhe historinë e demaskimit të Babës tuaj, ndaj m’u kujtua emri. Ai donte të ikte, po unë e mbajta Pa ulu, ulu këtu i thashë se kam historira me Savrën!

Ishte shpirtzi edhe në pamje! E pashë me një bastun! Ju paraqiste se nuk ishit në internim, por në kovaleshencë. E kujt, mua m’i thua ti këto i thashë? Kam qënë i vogël, por i mbaj mend të gjitha dhe baltën dhe bukën e misrit që vinte erë. Kallashnikovi s’e shponte, po edhe çangën…

S’ka pasur çangë – më tha! Ka pasur apel i thashë!! Grekët kanë një shprehje të bukur: “Si ke fytyrën ke dhe shpirtin!!” Ai ishte i zi dhe shpirtzi, dhe sigurisht ëndërronte përsëri atë kryetarin e këshillit!

Fatkeqsisht, Athina ka shumicën e spiunëve dhe sigurimsave të Shqipërisë!!

Kurse para pak ditësh, te një dokumentar mbi Savrën, befas, si i mbirë nga shkretëtira m’u shfaq me atë llustrën hipokrite të shenjtorit Mihalja, sikur s’kishte qenë ai simboli i së keqes për shumë vite në Savër, por të tjerët!! Një pafundësi njerëzish iu sulën dhe s’i lanë gjë pa thënë, duke rrëfyer bëmat dhe historitë e tij e të tyre… U ula edhe hkrova, për gjithë të këqiat e shkaktuara prej tij, po edhe për atë “dashurinë” e veçantë që kishte ndaj familjes sonë, në veçanti ndaj tim eti! Të Keqen, s’ta harron askush në këtë botë…!!

Në fund të fundit një maskarai ca gjëra i duhen thënë ballas, të mos mendojë se koha mundet t’ua mbulojë gjirizin, që ata e hodhën pa mëshirë mbi njerëz të pafajshëm…
.
Shkruar në kohën e karantinës së Covid-19

Shkolla Tregtare, dallëndyshe e arsimit kombëtar në Vlorë – Nga MSc. Albert HABAZAJ

 

Tregtarja e Vlorës – vatër e Dritës Shqiptare

 

  1. ARSIMI NË VLORË DERI NË VITET E PAVARËSISË

Po t’i hedhim një sy historikut të arsimit dhe shkollës sonë në Vlorë, vërejmë se qyteti dhe krahinat, njohur për histori e bëma edhe tej hapësirave rajonale, kishte krijuar emër të përveçëm në udhët e reja që iu çelën shkollës shqipe nga porta e shekullit XX. Vlora ka një traditë të pasur arsimore. Kujtojmë se shkollat e para, ku mësohej shqip janë hapur në Himarë para afro katër shekujsh nga misionarët bazilianë, shumica arbëreshë dhe të tjerë, por që e dinin shqipen po aq saktë sa banorët. Pohojmë se Himarë para disa shekujsh, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut, quhej gjithë krahina e Labërisë së sotme, domethënë duke nisur nga Radhima, në Lekël e Butrint [Shih: “Fletë nga historiku u shkollës sonë (materiale dhe dokumenta), Tiranë, 1963, f. 7]. Shkollat e para kombëtare shqipe në Vlorë nisin me shkollën e Muradies në verën e vitit 1908 [Neil Shehu shkruan se është hapur më 25 korrik 1908, ndërsa Aleksandër Prifti shkruan se është hapur po atë verë, por më 8 gusht], me drejtor Leonidha Naçin. Vjeshtën e atij viti, më tetor 1908 hapet nga Jani Minga shkolla fillore e Kaninës. Edhe pse rrethanat politike, ekonomike dhe arsimore ishin të pafavorshme, dhe kushtet në të cilat filloi dhe vijoi veprimtarinë e vet Qeveria e Përkohshme e Vlorës ishin të vështira e të ndërlikuara, Plaku i Urtë vështrimhapur me rilindasit e dritës, i dha përparësi organizimit dhe zhvillimit të arsimit tonë kombëtar në trevën e Vlorës, si dhe në zonat ku shtrinte pushtetin: Fier, Lushnjë, Berat e Gjirokastër. Qeveria e Vlorës përcaktoi ndër detyrat themelore për prefekturat Vlorë, Berat, Durrës, Elbasan ishin ato që kishin karakter arsimor-kulturor, sepse, sipas atyre burrave të ndritur, arsimi është dritë për të ardhmen e vendit, për pavarësinë e kombit tonë. Gazeta qeveritare “Përlindja e Shqipërisë” shkruante: “Viti shkollor 193-1914 filloi më 16 shtator 1913. Në Vlorë u hapën 10 shkolla, 1 në qytet dhe 9 në fshatra: Kaninë, Vranisht, Kudhës,Dukat, Tragjas, Oshtimë, Drashovicë, Smokthinë [Matogjin], Tërbaç” [Shih: “Përlindja e Shqynies”, 20.11. 1913; “Revista pedagogjike” nr. 1, 1978; K. Koçi “Arsimi në periudhën e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, 1912-1914”, f. 99, “Shqipëria, më 1937”, vëll. 1, f. 157, N. Shehu “Edukata dhe arsimi në Vlorë”, Tiranë, Eurorilindja, 1998, f. 84].

Në kohën e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, numri i shkollave  shqipe që çeli Qeveria e Ismail Qemalit me Ministër Arsimi Luigj Gurakuqin në krahinat e lira arriti 48, ndërkohë në qytet 9 shkolla (në vitet 1913-1914).

 

  1. SHKOLLA TREGTARE – SHKOLLË KOMBËTARE

Me shtrirjen e sistemit unik, kishte lindur nevoja e një shkolle të mesme, e cila u bë e mundur e çeljen e shkollës mesme tregtare. Më 23 shtator 1924, prefekura e Vlorës i shkruante Ministrisë së Arsimit se … “mjerisht, gjithë prefekturat kanë lice, Vlora është lënë pas dore. Populli i Vlorës kundrejt sakrificave të bëra në çdo rast për shpëtimin e vendit, kërkon nga qeveria qendrore ndihma morale për zhvillimin e kulturës. Populli dhe intelektualët e vendit më drejtohen dhe më shtërngojnë përditë…urdhëroni çeljen e shkollës”. [AQSH, Fondi Prefektura Vlorë, dok. nr. 2814, shkresa nr. 1661, v. 1925; shih dhe “Konferenca shkencore: Vlora në rrjedhat e kohës”, Tiranë, Toena, 2001, f. 288].

Vlen të kujtojmë se për hapjen e Shkollës Tregtare ka rol pozitiv  veprimtari politik dhe arsimit kombëtar Niman Ferizi nga Gjakova, “Mësues i Popullit”, që ishte emëruar prefekt i Vlorës, qysh më 1 korrik 1924, kur erdhi në fuqi qeveria e Fan Nolit. Në Shkollën Tregtare, përveç nxënësve të qytetit, kishte edhe nxënës nga krahina e Lumit të Vlorës, Dukati, Himara, Mesapliku dhe Kurveleshi.

Kërkesa që përcolli prefekti i Vlorës për çeljen e saj u shtrua me nismën e pishtarëve të diturisë, mësuesve atdhetarë Jani Minga e Halim Xhelo dhe u miratua nga Qeveria Demokratike e Fan Nolit më 8.11.1924. Sipas Alesandër Priftit, “… u bë e mundur, që me shkresën nr. 1661, viti 1925 të Ministrisë së Arsimit, më 1 dhjetor 1925 u çel shkolla e mesme tregtare me 68 nxënës nga Vlora, Dibra dhe prefektura të tjera”. [“Konferenca shkencore: Vlora në rrjedhat e kohës”, Tiranë, Toena, 2001, f. 289].

Është mirë që nxënësit tanë të dinë se Tregtarja është shkollë e mesme profesionale nga më të vjetrat në Shqipëri. Me këtë shkollë, arsimi shqip në Vlorë dhe në rang vendi mori një përparim të dukshëm, mbi bazën e programeve shtetërore, ku mësimi jepej në gjuhën amtare.

Kush kishte kryer studimet në Shkollën Tregtare të Ujit të Ftohtë në Vlorë, vlerësohej lartësisht, si të kishte realizuar denjësisht Universitetin.

  1. PISHTARËT E TREGTARES

Drejtori i parë i shkollës ka qenë Isuf Puka “Mësues i Popullit”,  dhe vite më pas Naum Stralla nga Korça (1903 – 1972), i cili kreu studimet e larta për inxhinieri kimike në Athinë dhe më 1931 u emërua drejtor i Institutit Tregtar Mbretëror (kështu quhej atëherë shkolla tregtare në Vlorë). Në këtë shkollë kanë dhënë mësim Stavro Skëndi nga Korça (1906- 1989) historian, etnolog, gjuhëtar, arsimuar në Stamboll, Zvicër e Gjemani; Skënder Luarasi nga Luarasi i Kolonjës (1900-1982), i biri i rilindasit të dritës shqiptare Petro Nini Luarasi, publicist, përkthyes, luftëtar antifashist, autor librash, veprimtar i arsimit dhe i shkollës shqipe, personalitet i shquar i kulturës shqiptare, arsimuar në Stamboll, SHBA dhe Austri; studimet e larta i përfundoi në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Vjenës. Një tjetër emër gjurmëlënës është Ernest Koliqi nga Shkodra (1903 – 1975), shkrimtar, përkthyes, studiues i letërsisë, publicist, botues, arsimuar në Itali; studimet e larta i kreu për letërsi në Padova. Në dritëhijet e këtij personaliteti të kulturës dhe arsimit shqiptar, [pa patur të drejtën të futem thellësisht në fushës e historisë], vlen të theksohet se gjatë viteve të pushtimit fashist qe Ministër i Arsimit (1 prill 1939-dhjetor 1941) dhe ka meritën e dërgatës së mësuesve nga Vlora për mësimin e gjuhës shqipe në Kosovë.

  1. UDHA E TRADITAVE

Traditat atdhetare të qytetit historik të Vlorës, ku ishin ende të freskëta ngjarjet madhore të vitit 1912 (Pavarësia Diplomatike) dhe fitorja e vitit 1920 (Pavarësia e Vërtetë), ndikuan shumë për të ushqyer në një shkallë më të lartë frymën përparimtare të nxënësve. Gjatë periudhës së pushtimit fashist të vendit, nxënësit e Shkollës Tregtare sabotuan masat për fashistizimin e shkollës. Në bankat e Shkollës Tregtare kanë studiuar dhe 229 nxënës e nxënëse që u radhitën në formacionet e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, ndër ta shkrimtarët Petro Marko, Shevqet Musaraj, Andrea Varfi, Aleks Çaçi, Fatos Arapi, etj. 45 prej tyre ranë dëshmorë për lirinë e Atdheut e u përjetësuan si 45 yje e pashuar, ndër ta dhe 6 Heronj të Popullit: Kastriot Muço (1923-1943) regjistruar në Shkollën Tregtare me nr. amze 115, Perlat Rexhepi me nr. amze 140, Bajram Tushi (1924-1942) me nr. amze 157, Hajredin Bylyshi (1920-1942), me nr. amze 189, Shyqyri Alimerko (1923-1943) me nr. amze 224, Maliq Muço (1921-1944)  me nr. amze 525. Në këtë shkollë kanë studiuar dhe 2 Heronj të Popullit, që vdiqën mbas Çlirimit,  ish- partizanët Hysni Kapo (1915-1979) dhe Vehbi Hoxha (1916-1993). Kujtimi i heronjve dhe dëshmorëve Astrit Kokoshi, Akile Bezhani, Azem Troqe, Bedri Agalliu, Dadan Dajlani, Donika Dule, Enver Velja, Gaqo Qeleshi, Gogo Mati, Hajro Çakërri, Hasan Kushta, Hektor Shyti, Ismet Çakërri, Jani Mone, Jashar Luçi, Josif  Bitri, Kostandin Kazanxhiu, Kujtim Hoxha, Lef Sallata, Llambro Sheti, Merjeme Gjomemaj, Mitaq Sallata, Mithat Dauti, Nexhat Agolli, Nustret Xhelo, Numan Bilani, Petrit Bisha, Pirro Palla, Polo Bezhani, Prënjo Petoshati, Qëndro Bellaj, Reiz Rukaj, Sami Imami, Senusi Nota, Skënder Libohova, Sulo Didi, Teli Ndini, Vllas Arapi, Xhuvel Xhemalaj është përjetësuar në kujtesën atdhetare të Vlorës dhe Shqipërisë. Emrat e tyre janë gdhendur në  faqet e këtij instucioni të rëndësishëm profesional dhe dritërojnë me dinjitet, sikur duan t’ju thonë brezave: “Edhe ne e nisëm rrugën nga Shkolla Tregtare, por Atdheu na kërkoi të bëheshim yje lirie, ndërsa ju, djem e vajza sot koha u do të bëheni yje të ekonomisë dhe turizmit shqiptar dhe të shkëlqeni këtu edhe tutje, ku është tregu i punës për ju…”

Nuk mund të harrojmë, por duhet ta pohojmë me dhembje, se më 22 Maj 1943 shkolla u mbyll. Ishin organet e pushtimit që e kthyen atë në kazermë ushtarake. U rihap pas Çlirimit të vendit, në mars 1945. Në vitin arsimor 1946-1947 u çel konvikti dhe dega e mbrëmjes pa shkëputje nga puna. Për një kohë të shkurtër, shkolla u vendos në Tiranë, por më pas u kthye në Vlorë.

Kjo shkollë, deri në ditët tona, ka qenë vatër diturie dhe ka krijuar traditën e saj në qytet për arsimin profesional, si një shtyllë e arsimit kombëtar. Në Vlorë kemi dhe simotrën e Tregtares, Shkollën e Mesme Industriale “Pavarësia”, që po shkruan një faqe të re me emër të bukur dinjitoz në qytet e në rang vendi, sidomos vlen të përmendim ndërkombëtarizimin që i bën aktualisht edukimit dhe arsimit të mesëm profesional të qytetit.

Shkolla Tregtare e priti 95 vjetorin e çeljes së saj me ballin e bukur shkruar me dritë lavdie: “Dallëndyshe e arsimit kombëtar në Vlorë, vatër e dritës shqiptare” dhe udhëton me vizion të qartë të kapë shekullin e shekuj të tjerë mes sfidash me arritje të dukshme të arsimin profesional, aq të nevojshëm për ekonominë dhe turizmin e Vlorës, rajonit e më gjerë. Ndërkohë, një nga pikat kulmore të historisë më të re të Vlorës është hapja e Universiteti “Ismail Qemali” më 10 Tetor 1994, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 105, datë 28.02. 1994 fillimisht me tre fakultete, ku Fakulteti i Tregtisë (sot i EKONOMISË) ishte dhe duhet të jetë PORTË E HAPUR, E NGROHTË, E DASHUR për ju, të dashur nxënës të Tregtares.

*Albert HABAZAJ, përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universtiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

VETEM SHQIPNIA KA TERRORISTA ME DEKORATA – Nga Fritz RADOVANI

A ka mbetë kund në Trojet Shqiptare ftyrë e gjak Shqiptari!?

Po si lejohen tradhëtarët njeni ma i poshter se tjetri me vazhdue me u quejtë “heronj”?!

Ka pasë qitë në vajë e shkreta Katrin Tomja kur i vrane djalin në 1946:

                        “Enver Hoxha me Nishan…

                         Gjan’ e vet dreqi s’e han…”

Dhe, me të vertetë.., jo vetem ata, po as rojet e rrugicave e të vorreve të tyne!

Prof. I Madh Arshi Pipa tha: “Xhonturqit e Shqipnisë së ré, kerkojnë me vazhdue me sundue pergjithmonë…” Po bahen 30 vjet tjera prej ditës që Profesori foli n’Institutin Pedagogjik të Shkodres, dhe Shqiptarët i gjenë tue kullotë nen shkopin e sundimtarëve…

E sundimtarët tanë i njeh OKB, “Konferenca Islamike”, NATO, se porosia tyne asht:  “amaneti” i Ramiz Alisë: “Edhe bar do hajmë.., e parimet nuk i shkelim…!” Veteranët i gjenë ditë e natë tue kullotë te livadhet e maruanës…I lagun me lotët e partisë ngordhur.

Shumë interesante: Në të gjitha kohët kur Shqiptarët u sunduen nga vrasës e terroristë të vetshpallun “presidentë.., deri tek mbret apo sekretarë të parë partie, tue u modifikue si kryeministra…”, ky Popull ka provue vetem vrasje, varje, dëbime, internime, pushkatime dhe terror nga vrasësit e vet per me ruejtë kolltukun e sunduesit barbar e tradhëtar! Kjo ngjet se edhe sunduesit e sotem e ndiejnë veten trashigimtarë të denjë të kriminelëve të djeshem, prej të cilëve kanë marrë vetem instingtin e gjakut dhe të hajnisë, me të cilin nuk po ngopen asnjëherë! Filloi i pari Esad pashë Toptani, i nipi Ahmet Zogu, e mbas tyne vrasësi i Gjinokastres së njohun me titullin e drejtuesit komunist, që perfundoi në shinat anadollake të kriminelit, tue u pasue nga llomi vrastarë boshnjak Ramiz Alia, i cili kolltukun ua trashigoi terroristave hajdut e drogaxhinjë të PPSh, që janë vetdeklarue “vëllezer gjaku të turqëve”… E po mos t’ishin Burra të vertetë minatorët e Valiasit, edhe sot Enver Hoxha do t’ishte tue i tregue sundimtarëve se “e ardhmja asht nga banka e shtetit”, ku me rradhë si mbas porosisë së tij po vazhdojnë hajninë, grabitjen e pronave, dhunimin e të persekutuemëve dhe i pronarëve të ligjshem, këthimin e kohës primitive të largimit rinisë dhe skllavnimin poshtnues me drogë e lojna kufijsh të Shqiptarëve.

Me çfarë surrati ulen nder karrigat e Omer Nishanit, Haxhi Lleshit e Ramiz Alisë disa të vetquejtun “deputetë të Kuvendit Popullor”..? Një tufë agjentësh e hajdutësh, pasues të denjë të një epoke të turpëshme diktatoriale dhe terroriste, që edhe dekoraten e Enver Hoxhës “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, dhanë nga Tito me 1 korrik 1946, endè sot ia ruejnë të varun në gjoks!! Asht ajo dekoratë që i dha Tito vetë E. Hoxhës, se filloi në vitin 1944 luften vllavrasëse civile pa pikë mëshire ku i erdhi ma mbarë në Jug e Veri, në male e fusha e deri me vllaznit e vet kosovarë, që mbrenda janarit 1945 filluen edhe zhdukjen e tyne në Kukës dhe e mbyllen me krimet e “Masakres së Tivarit” bashkë me “heroin” Ramiz Alia. Ishte pikrisht gjysa e janarit kur vrane edhe mbi 118 Burra të Kelmendit pabesisht në perpjekje me forcat Atdhetare të Prekë Calit, e trupat e të vramëve i ka tretë bash tradhëtari i shitun, baba i atij Kastriot Islamit me Koçi Xoxen e Mehmet Shehun, shoqnue nga forcat jugosllave që u ranë mbas shpine Atyne Burrave.

Terroristët komunistë ma barbar të shekullit XX, janë vrastarët “heronjë” të mashumëse

50.000 Shqiptarëve Atdhetarë, prangues dhe interrnues të mbi 450.000 Shqiptarëve tjerë, burra, gra, fëmijë, pleqë e të rinjë, shumicës së të cilëve nuk ju dihen as vorrezat?!

Këto janë shifrat e verteta dhe jo ata që publikojnë disa…

Të gjitha ata vrasje a u bane me urdhen të Enver Hoxhës, Omer Nishanit, Ramiz Alisë, Haxhi Lleshit, Nexhmije Hoxhës e plehave tjerë që u shkonin mbrapa si zagarët derisa, u dhane edhe atyne ate çka kanë kerkue tue fillue nga Koçi Xoxe, Tuk Jakova, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Gjin Marku e Bedri Spahiu, me shokë?!

Të gjithë ketë llom e pleh edhe sot Shteti e ka të mbathun me dekorata e tituj…

Paturpsisht “dr. prof…akademikë” presin se,“ku do t’i vendosin këta barbarë” historia?!

Dosjet nuk hapen…Vetem premtime e rrena…Nuk tregohet per asnjë person “pastertia” e figurave politike, Presidenti zgjidhet pa tregue kush asht, “nuk i dihet as baba”.., veç per ke asht i martuem…Nuk tregohet prejardhja e as origjina e qeveritarëve se të gjithë i kanë sherbye sigurimit të shtetit vrastar per me realizue diktaturen komuniste, që solli e po sjellë perditë në pushtet vetem bijtë e terroristve vrasës hajdutë…Kjo asht “Rilindja”!

Knaqësi… Rinia po ikë… Pleqnia po vdes…

Mbas kujt mëshefen këta tregtarë droge? E kush janë këta drejtues të Shqipnisë?!

I pari Presidenti, Kryetari i Kuvendit Popullor, Kryeministri, Gjykatat e dikasteret… Deri tek deputetët e “bodigardët” e Nexhmije Hoxhës… Që, me siguri duhen pague se, nuk ka kush me ia zhgulë barin që i del mbi vorr, se rritet perditë prej plehut që ka nen dhe…

E mos me kenë veteranët që permallohen e i pshton… Kush ua lanë surretnit e tyne?..

            Melbourne,  13 Mars 2020

 

 

Natën e vrasjes së Mehmet Shehut, Kadri Hazbiu hyri dy herë në bllok. Pse njëri rast u mbajt i fshehur? – Nga Ylli Polovina

Dy ditë pas pushkatimit në mesnatë të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Ziçishtit dhe Llambi Peçinit, në 12 shtator 1983, u mbajt një mbledhje e Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. Do ta drejtonte Ramiz Alia. Kohën më të madhe të diskutimeve e përpiu ajo që pati ndodhur: gjyqi dhe dënimi i “bandës së komplotistëve, puçistëve dhe terroristëve të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu”.

Në një çast të shkëmbimit të mendimeve mbi këtë temë byroisti dhe njëkohësisht sekretari i parë i degës lokale të partisë për Elbasanin, Pali Miska, u kujtoi pjesëmarrësve se “Edhe takimi i Kadri Hazbiut me Mehmet Shehun natën e 17 dhjetorit 1981, para se ky i fundit të vriste veten, nuk është pa domethënie”.

Pas kësaj ndërhyrjeje mund të fliste edhe kushdo tjetër prej të pranishmëve, por është Ramiz Alia që shpejton t’i japë interpretimin e vet kësaj ngjarje me shumë enigma brenda saj. Njëra prej tyre mbetet: Kadri Hazbiu shkoi tek Mehmet Shehu natën e 17 dhjetorit apo atë të 18 dhjetorit? Apo edhe në shtatëmbëdhjetë e në tetëmbëdhjetë?

Çfarë pas Pali Miskës tha menjëherë Alia përbëhej nga këto rrokëzime të shkurtëra fjalësh, në pamje të parë si jo shumë të qarta: “Ai takim u bë fare komedi”. Por pastaj ai vijoi dhe në ato që shqiptoi çuditërisht nuk kishte asgjë për të qeshur: “Armikja Fiqret Shehu dhe armiku Ali Çeno deponuan hollësisht për rrethanat si u krye ai takim. Fiqret Shehu shpjegoi se, atë natë, para se poliagjenti Mehmet Shehu të vriste veten, erdhi në shtëpi Kadri Hazbiu, i cili i kishte thënë Mehmet Shehut se nga pyetjet dhe diskutimet që u bënë në mbledhjen e Byrosë Politike gjendja për ty është shumë e rëndë dhe se dyshonte se mos udhëheqja e Partisë kishte ndonjë sinjal komprometues ndaj tij etj”.

Në fakt, saktësojmë ne, biseda e të dyve, takimi Shehu-Hazbiu u bë “kokë më kokë”, nuk pati asnjë dëshmitar. Ish-ministri i Brendshëm e kishte refuzuar sjellshëm këmbënguljen e Fiqretit, duke e bindur se çfarë të dy do të bisedonin, Mehmeti do t’ja thoshte edhe asaj. Rrjedha e provuar, nëpërmjet dëshmive të tjera, e asaj nate të 17-18 dhjetorit 1981, ngul këmbë se nuk ka pasur ndonjë vetërrëfim të kryeministrit tek e shoqja para se ai të ikte nga kjo jetë.

Është vetëm “Tabloja sinoptike” e Enver Hoxhës që ofroi variantin, sipas të cilit Mehmet Shehu e vuri në dijeni bashkëshorten se do të vetëvritej, se kjo ra dakord dhe që të dy zhdukën më parë të gjitha provat e planit të tyre për të helmuar Hoxhën si edhe direktivat për marrjen, pas këtij krimi, të pushtetit në duart e tyre.

Këtë interpretim bëri edhe Fiqret Shehu gjatë gjyqit, madje akuzat e saj kundër të shoqit (por edhe vetes e familjes) ishin më të rënda se të vetë Enver Hoxhës. Ndërkohë ra në sy se qenë po ato të “Tablosë sinoptike”.

Vëmë në dukje me këtë rast se te kjo “tablo” Hoxha nuk ka asnjë fjalë për prani të Kadri Hazbiut në banesën e Mehmet Shehut natën e 17 apo 18 dhjetorit 1981. Personi që sipas Enver Hoxhës shkoi në këtë vilë një natë më parë se të ndodhte vrasja, pra në 16 dhjetor, ishte ajo e ministrit të Brendshëm Feçor Shehu. Gjithnjë sipas Hoxhës ky i pati përcjellë Shehut urdhërin e Beogradit për ta vrarë atë me armë në mes të mbledhjes së Byrosë Politike.

Në këtë “Tablo sinoptike” madje nuk ka asnjë akuzë ndaj Kadri Hazbiut, sepse kur ajo u hartua ky i fundit qe ende në funksione të larta dhe aspak i goditur. Këtë rrethanë gjithsecili lexues mund ta shohë të dëshmuar në librin “Titistët” të Enver Hoxhës, i cili u botua në 1982.

Sipas Ramiz Alisë dhe asaj çfarë tha në mbledhjen e Sekretariatit të 12 shtatorit 1982, në mbrëmjen apo natën e 17-18 dhjetorit 1981 Hazbiu i pati thënë Shehut, për t’i nxitur aktin e vetëvrasjes, atë formulë trysnie psikologjike që cituam më sipër: “gjendja për ty është shumë e rëndë dhe dyshoj se mos udhëheqja e Partisë ka ndonjë sinjal kompromentues për ty”.

Ndërkaq në gjyq, siç dihet, por edhe Ramiz Alia e thekson dy ditë pas pushkatimit të Kadri Hazbiut, ky e mohoi gjer në fund praninë e tij në shtëpinë e Shehut pas mbledhjes së Byrosë Politike dhe para vrasjes me vetëvrasje. Refuzon ndonjë takim të kryer në 17 dhjetor, po ashtu edhe në çastet e para të datës tetëmbëdhjetë.

Ndërkohë në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë Alia mëshon se Hazbiu pati qenë në vilën e kryeministrit, duke lënë të nënkuptojë se kjo kishte ndodhur vetëm një herë, më shtatëmbëdhjetë. Ai e ironizon ish-kolegun e tij, tashmë prej dyzetë e tetë orësh mbuluar nga dheu, se gjatë gjyqit, për të krijuar alibinë e tij të mungesës tek shtëpia e Mehmet Shehut, kërkoi të pyeteshin si dëshmitarë shoferi i tij i parë si edhe një person, tek i cili atë natë Kadri Hazbiu i pati shkuar në banesë për t’i festuar përvjetorin e ditëlindjes.

Thotë më tej Ramiz Alia në mbledhjen e 12 shtatorit 1983: “Erdhi shoferi i tij si dëshmitar dhe e pyetën “Çfarë ke bërë atë natë, kur Mehmet Shehu vrau veten?” “Atë natë, tha ai, mbasi mbaroi mbledhja e Byrosë Politike e mora Kadri Hazbiun në makinë dhe e çova në zyrë. Sapo e çova në zyrë më dërgoi në shtëpi t’i merrnja një qese duhani. Vajta në shtëpi, i mora qesen e duhanit dhe ia çova në Ministri. Sa ia dhashë qesen me tha: më prit se do zbres poshtë. Dhe unë kështu bëra. Zbrita poshtë dhe po e prisja. Nuk vonoi shumë erdhi Kadri Hazbiu, hypi në makinë dhe më tha të ecnja nga bulevardi. Kur erdha te ura e Lanës ai më tha të kthehesha djathtas, dhe kështu shkova me makinë deri te shtëpia që hyn në bllok. Ku ka  shkuar unë nuk di gjë. Aty ndenja nja rreth 20 minuta, me saktësi nuk e mbaj mend, por pas një kohe Kadriu u kthye. Prej andej e kam çuar në shtëpinë e një të quajturi Ismail”.

Këtë prani të Kadri Hazbiu te ditëlindje festuesi me emrin Ismet (dhe jo Ismail), e provuan në gjyq tre vetë. E para ishte sekretarja e Hazbiut me emrin Eli. Kjo dëshmoi se në pushimin e mbledhjes së Byrosë shefi e kishte marrë në telefon në zyrë  dhe i pati thënë: “Ju ikni se unë do të vonohem”. Eli qe përgjigjur: “Mirë, por Ismeti ju pret se është përgatitur”. Kadri Hazbiu pati shtuar: “Unë do të vonohem, po nëse mbaroj shpejt, do të vij”. Në gjyq Eli kishte saktësuar se “Kadriu ka ardhur rreth orës 22.00”, “Për të qëndruar, kemi qëndruar mbi tre orë e ca. Se kur kam vajtur në shtëpi e kam parë orën, ishte një pa dhjetë. Atëherë më bëri përshtypje e thashë: Ua sa shumë paskemi qëndruar?!”

I dyti person i pyetur për të njëjtën ngjarje, oficeri i lartë i Ushtrisë Veli Llakaj, pohoi në gjyq se “E kemi pritur Kadri Hazbiun rreth orës 22.00 të mbrëmjes. Në orën 22.00 ka ardhur ai. Ka ardhur shumë i lodhur, i djersitur dhe shumë impulsiv. Sa ka ardhur ka kërkuar falje se kishte qenë në një mbledhje të Byrosë Politike e prandaj ishte vonuar.  Kemi qëndruar atje deri rreth orës 24.30 ose deri në 01.00 të ditës së nesërme. Pas kësaj ore, jemi larguar në shtëpitë tona. Unë kam ikur së bashku me makinën e Kadri Hazbiut, së bashku me një shoqe tjetër, me atë Elin, deri tek shtëpia ime. Pastaj ai ka çuar atë shoqen tjetër më lart, se kështu i kishim rrugët. Dhe u ndamë…”

Njeriu i tretë i pyetur qe vetë personi i cili kishte ditëlindjen, Ismeti. Ky dëshmoi të njëjtin orar të ngjarjes, duke shtuar se “Kadriu erdhi i lodhur në darkë. Nuk kishte më karakterin e atij humori e muhabeti që ky e bënte, që kishte aftësi ta bënte. Por mbajti qëndrim disi zyrtar e filloi të pinte e këndonte…”

Nga sa më sipër duket qartë se Kadri Hazbiu prej orës dhjetë të mbrëmjes së 17 dhjetorit deri në 0.30 të së nesërmes, nuk ka qenë në shtëpinë e Mehmet Shehut. Me dëshmitar vetëm shoferin e tij ai ka hyrë në Bllok afërsisht në 21.30 të 17 dhjetorit, por pa provuar dot se këtu shkoi tek vila e kryeministrit dhe jo në ndonjë portë tjetër. Shoferi qe i bindur (ose i instruktuar nga të tjerë) se në brendësi të Bllokut Kadri Hazbiu ndenji rreth njëzetë minuta.

Sipas Ramiz Alisë dhe interpretimit të tij në mbledhjen e Sekretariatit, ky rast ka qenë ai dhe jo ndonjë tjetër, kur Hazbiu hyri në Bllok saktësisht në vilën e Mehmet Shehut dhe i bëri grackën me lojën se Enver Hoxha të nesërmen do të urdhëronte arrestimin e tij.

Jo vetëm këtë çast por edhe më pas Alia, si edhe Enver Hoxha, kanë ngulur këmbë për vetëm një prani të Kadri Hazbiut tek Mehmet Shehu, në më të shumtën e herës pa dhënë hollësi të orës kur kjo ka ndodhur. Ky variant, pavetëdijshëm dhe për rutinë, ka vijuar deri tani, gjatë tërë tri dekadave të pas rënies së diktaturës.

Mirëpo autori i këtyre rradhëve mendon se këtu është ngritur një grackë. Natën e 17-18 dhjetorit 1981 Kadri Hazbiu ka bërë dy hyrje në Bllok, të cilat jo me domosdo që të dyja kanë qenë në një pikë: banesa e Mehmet Shehut.

Klithma në citofon

Kjo ngjarje e ndërlikuar dhe e mbushur gjer në fyt me mistere ka pasur edhe një dëshmitar, i cili vazhdon të mbahet larg vëmendjes. Ai quhet Asim Beja. Qe oficer, topograf. Pas disa viteve punë në një institut profesional të Ushtrisë, në rrethana që nuk qenë kërkuar prej tij, u caktua roje i specializuar në Bllok (këta rrinin të veshur civilë, me pallto cilësore gub dhe automatik në krahë). Për një rastësi ose që ngjan si e tillë, pikërisht në natën e 17-18 dhjetorit 1981 ai filloi punën e re tek hyrja e banesës së Mehmet Shehut. Përgjegjësi i truprojeve të kryeministrit, Ali Çeno, i komunikoi: “Ti e ke ndërresën në dy të natës, por me që është dita e parë dhe duhet të mësosh disa rregulla të shërbimit, po munde sakrifiko pak dhe eja në orën tetë, kur shërbimin e fillon kolegu. Duke e parë atë, sidomos si e përdor çitofoninë, nuk do të krijohet ndonjë problem në turnin tënd”.

Kolegu roje i turnit të orës njëzetë quhej Baki Okrama. I ardhur në të njëjtën orë me të, pra në orën njëzetë, në më pak se gjashtëdhjetë minuta Asimi mësoi përdorimin e çitofonit, sidomos cilave mjedise të banesës kryeministrore u korespondonin numrat e tasteve të tij. Mehmet Shehu kishte butonin e vet, Fiqretja të sajin. Numri pesë ishin gratë e shërbimit, me të cilat oficerët roje tek dera e vilës kishin më shumë punë dhe të drejtë të komunikonin.

Atë ditë të 17 dhjetorit 1981 Asim Beja mori vesh që Byroja Politike kishte qenë në një mbledhje të saj vetëm kur pa të vinin në këmbë drejt vilës Mehmet Shehu i shoqëruar prej grupit të tij gjashtë vetësh të sigurisë. Aty ndodhej edhe mjeku personal Milto Kostaqi si edhe infermieri Llesh Roku. Në një çast Shehut papritur iu prenë gjunjët dhe gati ra përdhe. E kapën rrufeshëm truprojësit.

Kur Mehmet Shehu hyri në oborr dhe po bëhej gati të ngjiste shkallët për në vilë, nën dritën e plotë të llambës së portës kryesore Asimi dalloi që ai e kishte fytyrën dyll të verdhë.

Edhe pse dhoma e vet dhe e bashkëshortes qenë në katin e dytë të vilës, shoqëruesit e hipën kryeministrin në ashensor. Kur Ali Çeno me doktorin dhe infermierin zbritën poshtë porosia për Baki Okramën dhe Besim Bejan ishte “Bëni kujdes!” Këta të tre nuk u larguan, por ndenjën aty, në një mjedis të përshtatur për ta në garazh. Ndërkaq Bakiu, i cili duhej ta linte shërbimin në orën dy të natës, sipas marrëveshjes së parabërë, sërish nëpërmjet një mirëkuptimi, iku që në orën njëzetë e tre. Ishte dymbëdhjetë e një çerek apo e njëzetë e natës kur Asim Beja ndjeu që u hap dera e vilës dhe tek kanata e çelur u shfaq Mehmet Shehu. Ishte me pizhama. Kryeministri dhe ai qenë larg njëri-tjetrit vetëm tre kërcime shkalle.

“Oficer!”, thirri Mehmet Shehu. “Urdhëro!” “Çfarë po bën?”  “Po kryej detyrën”.

Asim Bejas zëri i kryeministrit iu duk i fortë. Ky i fundit pa rreth e rrotull, pastaj i hodhi sytë tek ora e dorës. U përpoq të vështronte po ashtu nga qielli, i cili qe plot re dhe herë pas here shkarkonte shi me erë. Mehmet Shehu ndenji një moment si në mëdyshje dhe me po atë shpejtësi që u shfaq, e mbylli derën dhe u fut brënda.

Patën kaluar afro pesëmbëdhjetë minuta kur u hap porta kryesore dhe hyri brenda “Gaz 69” e grupit të mjeteve të kryeministrit. Nga ajo makinë zbriti Jonuz Lutaj, punonjës i shërbimit pranë Mehmet Shehut. Dyzetë e ca vjeçari hynte ndër më të besuarit e kryeministrit, shpesh ishte vetëm ai që e shoqëronte Fiqreten në shërbimet e saj jashtë Tiranës.

Hyrja e “Gaz 69” dhe dalja nga dera e vetëm shoferit iu duk Asimit një pamje rutinë: mbyllje në garazh e makinës. Por befas u hap dera e prapme e “Gaz 69” dhe prej tij zbriti Kadri Hazbiu. Ky me shumë shpejtësi hapi llamarinën e portës së strehimit nëntokësor që ndodhej pranë garazhit, dhe humbi nëpër të.

Kjo nëntokësore qe një vendstrehim atomik. Ishin disa dhoma të mirëpajisura dhe të shtruara me moket. Nuk mungonte në të as dhoma e dushit dhe as krevati dopio.

Tuneli i bollshëm fillimisht e merrte drejtimin në brendësi të Bllokut, andej ku ndodhej edhe banesa e Enver Hoxhës, por shumë shpejt ai bënte një hark të butë dhe shkonte atje ku në vilën e Mehmet Shehut ndodhej kuzhina.

Pas ikjes së Kadri Hazbiut në nëntokësore vijoi një pritje e gjatë. Ky doli pas një ore. Akrepat e orës së dorës të Asim Bejas shënonin dy pa një çerek. Hazbiu hipi rrufeshëm në “Gaz 69” dhe makina nxitoi nëpër natën me erë dhe herë pas here me shkulme shiu.

Kur “Gaz 69” u kthy Jonuz Lutaj nuk e futi makinën brenda, por e la jashtë. Pastaj nxitoi për në apartamentin e tij në katin e parë të një ndërtesë afër, ku jetonin katër familje, mes tyre edhe djali i Hysni Kapos, Pëllumbi, apo i biri i sekretarit personal të Enver Hoxhës, Haxhi Kroit, Maksi.

Sipas shënimeve të urdhrit të ditës, në orën pesë të mëngjesit Asimi duhej t’i binte atij butoni të çitofonit që komunikonte me punonjësen e kuzhinës, e cila qe edhe një lloj infermiereje. Në këtë orë çdo ditë ajo shkonte në dhomën e madhe të kryeministrit dhe ngrinte grilat.

Mehmeti dhe e shoqja flinin veç e veç, i pari e kishte pamjen që shihte nga bulevardi “Deshmorët e Kombit”, kurse Fiqreti nga brendësia e Bllokut.

Kur ora vajti pesë, i ra tastit përkatës të çitofonit dhe e kujtoi punonjësen të ishte gati për të shkuar në dhomën e gjumit të kryeministrit për të ngritur grilat, por ajo tha se ishte me kohë e bërë gati, qe veshur dhe krehur, veç se Mehmet Shehu ende nuk i kishte rënë ziles.

Biseda e mbyll këtu gjer në pesë e gjysmë. Asim Beja e shtypi butonin sërish. Përsëri zëri i punonjëses iu përgjegj po njëlloj. Një çerek ore më vonë mbërritën tek porta e vilës tufa e shtypit të ditës dhe paketa informative, Buletini Special, nga ATSH.

Në këtë kohë u hap dera e shtëpisë dhe tek pragu i saj u duk një nga djemtë e kryeministrit, Vladimiri. .

Bashkë me bashkëshorten, Bardhën, bijë e gjeneralit Tanush Shyti, Vladimiri ndodhej në shtëpinë prindërore thjesht sepse i kishte marrë malli. E shoqja qe shtatzanë në muajin e nëntë. Në pritje të fëmijës ata banonin përkohshëm në një vilë qeveritare.

“Mirëmëngjes!”, e përshendeti Vladimir Shehu. “Mirëmëngjes!”, “Ju jeni ai oficeri i ri qe keni ardhur?”, “Po”, “Nga je?”

Asim Beja i tha emrin e fshatit dhe tjetri ngazëlleu: “U ndake vetëm nga një mal me vjehrin tim!” Pas kësaj Ladi rihyri në shtëpi dhe vila kryeministrore u rimbështoll nga heshtja. Një gjysmë ore më pas çitofoni filloi të këlthiste pa pushim. “Oficeri i shërbimit!”, thirri pothuaj duke ulëritur një zë gruaje. “Urdhëro, u përgjegj Asimi, oficeri i shërbimit po ju dëgjon!” “Jam Fiqretja. Shpejt doktori të vijë lart!”

Asimi vrapoi tek Ali Çeno dhe tek mjeku. Këta, ndërsa dremisnin veshur, brofën dhe u ngjitën me një frymë në katin e dytë. Infermieri dhe Asimi i ndoqën nga pas.

Koha po i shtynte akrepat e orës përtej gjashtë e një çerek.

Dera e dhomës së Mehmet Shehut ishte e hapur dhe Fiqretja qëndronte tek dera. Shihte vetëm nga i shoqi. Qe e shpërfytyruar. Mbi shtratin e tij, mbështetur shpatullat tek disa jastekë, qëndronte i shtrirë dhe i pajetë kryeministri. Dorën e djathtë e kishte lëshuar anash, ndërsa një pistoletë i pati shkarë pak nga pëllëmba e dorës. Tek sisa e majtë, atje ku është pulsi i zemrës, i dukej një plagë arme. Nga shenja rrethore që kishte lënë mbi mish, dallohej qartë që ishte goditur me puthitje. E kishte mëshuar shumë fort grykën e revolverit “Makarov”, duke bërë të humbiste një e treta e zhurrmës së zakonshme të krismës.

Në një kanape afër shtratit dallohej një zarf i bardhë.

U lajmërua menjëherë zëvendësministri i Brendshëm, pastaj Ali Çeno i bërtiti Asimit: “Shko shpejt tek dera, se ata po vijnë!” Ky vrapoi poshtë në vendrojë.

Të parët erdhën Xhule Çiraku dhe shefi i hetuesisë Elham Gjika. Zarfin e mori nënministri. Pastaj erdhi Ramiz Alia, i cili bisedoi pak me Ali Çenon, që vazhdonte të ishte shumë i tronditur. Më vonë u rishfaq bashkë me Simon Stefanin. Bënin tutje e tëhu nëpër hapësirën e ngushtë para derës së vilës dhe nuk u ngjitën lart. Kadri Hazbiu erdhi dy herë, në orën tetë dhe më pas. Po ashtu edhe Hekuran Isai, atë kohë ministër i Punëve të Brendshme.

Marrëveshje e prishur

Ngjarjet e tjera vijuese janë të shumëditura, mënyra e interpretimit zyrtar po ashtu. Mes të hetuarve të shumtë qe edhe Asim Beja, madje ky u dyshua se, duke mos e raportuar, e pati fshehur dëgjimin e krismës së armës. Shpëtoi nga një rrezik i madh (zhdukje në Malin me Gropa), vetëm kur u provua se për shkak të erës së asaj nate dhe zhurrmës së pikave të shiut, nuk pati ndjerë asgjë.

Vrasja me vetëvrasje e Mehmet Shehut ka ndodhur në herën e dytë të hyrjes në Bllok të Kadri Hazbiut, pra në dy orët e para të ditës së 18 dhjetorit 1981. Asim Beja (bashkë me Bali Okramën) qenë në vendin e rojes në hyrje të vilës që prej orës njëzetë të 17 dhjetorit dhe nuk kanë diktuar ndonjë person, përfshi edhe Kadri Hazbiun, të hyjë në banesën kryeministrore. Ndërkohë fakti që kjo hyrje e dytë u mbajt jashtë variantit zyrtar dëshmon edhe më fort se pikërisht këtu “fshihej lepuri”.

Nëse ka ndodhur kështu, pra hera e parë e hyrjes në Bllok e Kadri Hazbiut nuk është shpikur për të larguar nga vëmendja hyrjen reale të pasmesnatës, atëherë ku shkoi sekretisht ai në njëzetë minutat e orës 21.30? Nexhmije Hoxha ka hedhur poshtë vazhdimisht një akuzë, sipas të cilës ish-ministri i Brendshëm natën e thellë të 17 dhjetorit ka takuar të shoqin e saj. Enver Hoxha ndërkohë, siç dëshmoi më pas rrjedha e ngjarjeve, u gjet i befasuar prej vetëvrasjes së Mehmet Shehut.

Apo Kadri Hazbiu atë natë ka takuar Ramiz Alinë, i cili qe në brendësi të plotë dhe ishte mjaft aktiv në lojën që po bëhej në rezervim për të të postit të pasardhësit të Enver Hoxhës?

Mendojmë se Hazbiu atë natë nuk ka vepruar me kokën e tij (Jago e quan Mehmet Shehu në letrën-testament), por i ngarkuar nga eprorë në krye të PPSH-së. Që të vepronte ai patjetër është garantuar se nuk do t’i ndodhte gjë e ligë në të ardhmen, në mos do të merrte një post shumë të lartë, pse jo edhe atë kryeministror.

Episodet që shoqëruan procesin e hetimit, dënimin dhe deri momentet e fundit para pushkatimit dëshmojnë se Kadri Hazbiu priste të funksiononte marrëveshja paraprake, të paktën t’i falej jeta. Mallkoi kur ndjeu grykën e pistoletës në qafë.