VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Rritja e ndikimit të Turqisë në Ballkan

By | July 26, 2018

Komentet

Integrimi në BE, Sussane Schutz: Sundimi i ligjit dhe liria e medias vendimtare në progresin e Ballkanit

Ballkani Perëndimor është në krye në axhendën e presidencës gjermane të Këshillit të BE-së, por progresi konkret i shteteve drejt integrimit në BE – nga hapja e negociatave dhe kapitujve – varet nga angazhimi i tyre ndaj sundimit të ligjit dhe lirisë së medias, tha për BIRN Susanne Schutz, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor.

Gjermania mori përsipër presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Europian këtë korrik dhe Schutz thotë se dëshiron të shohë “një vrull të ri” në marrëdhëniet midis bllokut dhe Ballkanit Perëndimor.

Kjo pason vendimin e BE-së për të hapur bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe paketën e solidaritetit prej 3,3 miliardë eurosh të rënë dakord për rajonin, për të zbutur pasojat e pandemisë së koronavirusit.

“Ne duam ta vazhdojmë këtë dinamikë pozitive. Kjo do të thotë, para së gjithash, se duhet të vazhdohen të hidhen themelet për bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke përfunduar strukturat e bisedimeve. Ne synojmë të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe, nëse plotësohen kushtet, gjithashtu edhe me Shqipërinë gjatë presidencës sonë të Këshillit”, shpjegoi Schutz.

Në intervistën e saj për BIRN, diplomatja me përvojë, e cila ka shërbyer në Izrael, Ukrainë, Rusi dhe Shqipëri para se të bëhej Drejtoreshë e Ballkanit Perëndimor në Berlin, tha se Gjermania shpreson të vazhdojë bisedimet e pranimit me Serbinë dhe Malin e Zi, të vërë më tej në zbatim prioritetet e BE-së për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe të rifillojë dialogun e ngecur midis Kosovës dhe Serbisë.

“Falë përpjekjeve të ndërmjetësimit nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajcak dhe mbështetjes së Gjermanisë dhe Francës, dialogu i udhëhequr nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës rifilloi më në fund më 12 korrik, pas ndërprerjes së tij 20 muaj më parë”, kujton ajo.

“Ne shohim një nevojë urgjente për progres në dialog pasi situata e pazgjidhur po mban peng të dy vendet dhe duke penguar bashkëpunimin rajonal aq shumë të nevojshëm për të gjithë Ballkanin Perëndimor”, shtoi ajo.

“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse që lejon realizimin e perspektivës së BE-së është në interes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe të rajonit në tërësi. Kjo marrëveshje gjithashtu duhet të sjellë një stabilitet më të madh në rajon. Siç dihet, ne nuk besojmë se kufijtë e rinj ose shkëmbimet territoriale do të kontribuojnë në një zgjidhje të qëndrueshme”, shpjegoi Schutz, duke iu referuar kundërshtimit të Gjermanisë ndaj shkëmbimeve territoriale si një zgjidhje përfundimtare.

Berlini, i cili në rajon shihet shpesh si vendimmarrës kryesor kur bëhet fjalë për aspiratat e BE-së për të ashtuquajturin “Ballkan Perëndimor 6”, gjithashtu planifikon të përqendrohet në muajt në vazhdim te demografia dhe emigracioni.

Në kërkimin të një punësimi më të mirë, shtetasit nga Ballkani po shkojnë çdo vit gjithnjë e më shumë drejt Gjermanisë. Të dhënat e fundit nga zyra gjermane e statistikave tregojnë se vitin e kaluar 237,755 shtetas serbë, 232,075 nga Kosova dhe 203,265 nga Bosnja dhe Hercegovina jetonin në Gjermani. Shumë gjejnë punë në sektorin e shëndetësisë gjermane.

Por Schutz thotë se kjo lëvizje është gjithashtu problematike. “Edhe pse si rezultat i kësaj Gjermania dhe vendet e tjera po fitojnë profesionistë të trajnuar, në vendet e tyre mbeten boshllëqe të përhershme – jo vetëm në sektorin e shëndetit”, theksoi ajo.

“Arsyet e largimit nuk janë vetëm ekonomike: Ato kanë të bëjnë gjithashtu edhe me deficitet e vazhdueshme në fushën e sundimit të ligjit, emërimet jo-meritokratike dhe korrupsionin. Duke qenë se shumica e njerëzve nga rajoni emigrojnë drejt vendeve të BE-së, ne mendojmë se është e rëndësishme të kërkojmë koncepte që mund të zbutin efektet negative dhe të shfrytëzojmë aspekte që janë të dobishme si për Ballkanin Perëndimor ashtu edhe për BE-në.

“Për këtë qëllim, ne planifikojmë të zhvillojmë një konferencë me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë presidencës sonë të Këshillit”, njoftoi Schutz.

Progresi për Serbinë dhe Kosovën varet nga vetë ata

Si Kosova ashtu edhe Serbia i kanë sytë nga Berlini në muajt në vazhdim, ndërsa Berlini kryeson Bashkimin Europian. Por Schutz mbetet e vendosur se nuk do të ketë asnjë zbutje përsa i takon kushteve që kanë lidhje me sundimin e ligjit.

“Ne jemi të vetëdijshëm për zhgënjimin e madh në Kosovë të shkaktuar nga fakti se liberalizimi i vizave është ende në pritje”, tha ajo.

“Ne shohim nevojën për të arritur progres në këtë çështje të rëndësishme, e cila është shumë e rëndësishme për marrëdhëniet BE-Kosovë dhe gjithashtu për ekonominë e Kosovës. Megjithatë, që të mund të binden skeptikët e mbetur në BE, do të jetë shumë e rëndësishme që qeveria e Kosovës të bëjë pjesën e saj. Kjo nënkupton para së gjithash një angazhim të qartë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit”, shpjegoi ajo.

Fqinji i saj verior, Serbia nuk ka hapur ndonjë kapitull të ri, gjë të cilën shumë njerëz e shohin si një pasqyrim të progresit të dobët të Serbisë në reforma dhe të tendencave gjithnjë e më autoritare. Gjermania e mirëpret zgjedhjen strategjike të anëtarësimit të Serbisë në BE, por prapë pret reforma, tha Schutz.

“Në rrugën e saj drejt BE-së, Serbia tashmë ka bërë progres të rëndësishëm dhe hapi më shumë se gjysmën e të gjithë kapitujve të negociatave, përkatësisht 18 nga 35”, vuri në dukje ajo.

“Sidoqoftë, ne e konsiderojmë një rol tepër të rëndësishëm progresin në fushën kryesore të sundimit të ligjit – të trajtuar në Kapitujt 23 dhe 24 – si dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Mesazhi diplomatik informal i Komisionit Europian i qershorit mbi gjendjen në lidhje me kapitujt 23 dhe 24 për Serbinë përshkruan qartë deficitet dhe fushat e identifikuara ku ende duhet të bëhet progres i rëndësishëm. Kemi nevojë për një angazhim më të fortë politik për sundimin e ligjit, sidomos pavarësinë e gjyqësori, si dhe për lirinë e medias”, tha ajo.

“Është e rëndësishme që Serbia të përshpejtojë luftën kundër korrupsionit, sidomos atij në nivelet e larta. Për të hapur kapituj të mëtejshëm, duhet të ketë progres në këto fusha”, shtoi Schutz.

Duke iu përgjigjur pretendimeve se zgjedhjet parlamentare të qershorit në Serbi nuk ishin të lira – pasi shumica e partive të opozitës i bojkotuan ato – Schutz tha se “BE-ja është e gatshme të sigurojë ndihmën e duhur” për çështjen e ankesave. Por ajo tha se ndërmjetësimi “ka kuptim vetëm nëse opozita dhe qeveria janë të gatshme të luajnë një rol aktiv në arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dy palët”.

Reformat gjyqësore në thelb të procesit të zgjerimit të Shqipërisë

Reformat në sistemin e drejtësisë si dhe reforma në ligjin zgjedhor janë identifikuar si përparësi për Shqipërinë nga Gjermania dhe BE-ja, tha ajo.

“Që prej ndryshimeve kushtetuese në vitin 2016, ne kemi parë që reforma në drejtësi, përfshirë vetingu i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, është tepër sfiduese”, shtoi ajo.

“Është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, i cili ka çuar përkohësisht edhe në një mosfunksionim të pjesshëm të gjyqësorit. Megjithatë, ne jemi të bindur se nuk ka asnjë alternative për këtë proces thelbësor. Pasi të përfundojë, sundimi i ligjit në Shqipëri do të forcohet në të mirë të popullit shqiptar”, vazhdoi ajo.

Gjermania po vëzhgon gjithashtu reformat zgjedhore në vend, si edhe zhvillimet rreth legjislacionit të ri për median që qeveria e sheh si një mundësi për të rregulluar hapësirën në internet, por që kritikët e shohin gjithashtu si një përpjekje për të frenuar lirinë e medias.

“Liria e medias është një temë shumë e rëndësishme për qeverinë gjermane në përgjithësi dhe sigurisht edhe gjatë presidencës tonë të Këshillit Europian”, tha Schutz. “Një media e lirë dhe e pavarur është shtylla e çdo demokracie të gjallë. Kjo është arsyeja pse liria e shtypit dhe e medias është gjithashtu shumë e rëndësishme në procesin e pranimit.”

“Projektligji i ri për median në Shqipëri nuk pasqyron ende standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, paralajmëroi ajo.

“Ne e shohim mendimin e fundit nga Komisioni i Venecias si një udhëzues adekuat për punën në vazhdim brenda parlamentit shqiptar për të përmirësuar projektligjin, sidomos në lidhje me përcaktimin e fushës së tij, proporcionalitetin e gjobave dhe pavarësinë e organeve të AMA-s (Autoriteti i Mediave Audiovizive i ngarkuar me monitorimin e ndryshimeve të planifikuara).

“Raporti i fundit i përkohshëm i Komisionit Europian me të drejtë e cilësoi projektligjin si si të mangët në fusha të caktuara dhe jo plotësisht në përputhje me standardet e BE-së dhe praktikat më të mira në lidhje me lirinë e shtypit dhe medias. Përmirësimi i ligjit në këto aspekte do të ishte një hap inkurajues në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së”, tha ajo.

“Procesi i pranimit ofron udhëzime: Kapitulli 23 për sistemin gjyqësor dhe të drejtat themelore, i cili përfshin lirinë e medias, është një shtyllë e rëndësishme e këtij procesi. Si një nga dy kapitujt më të rëndësishëm, ai do të përcaktojë ritmin me të cilin vendet e Ballkanit Perëndimor i afrohen më pranë BE-së”, përfundoi Schutz.

Berlini po vëzhgon me vëmendje Bosnjën

Reformat zgjedhore dhe sundimi i ligjit janë gjithashtu një detyrë për Bosnjën dhe Hercegovinën fqinje, e cila ende nuk ka statusin e vendit kandidat për në BE.

“Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet ligjit të ri për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, pasi ky institucion luan një rol vendimtar për të gjithë sistemin gjyqësor në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha ajo.

“Besimi i publikut te ky institucion duhet të rivendoset pa ndonjë vonesë të mëtejshme dhe të merren të gjitha masat e nevojshme. Ndërsa sundimi i ligjit është në thelb të procesit të pranimit në BE, Gjermania së bashku me Delegacionin e BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë dhe shtete të tjera do të vazhdojnë të mbështesin vendin në rrugën e tij të reformës.

“Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm i 14 përparësive kryesore që Komisioni Europian përshkroi në Opinionin e tij për kërkesën e anëtarësimit të Bosnjës dhe Hercegovinës është mbajtja e zgjedhjeve. Ne e mirëpresim faktin se më në fund në Mostar mund të mbahen zgjedhjet lokale. Ne presim që forcat politike të bëjnë gjithçka që është e nevojshme që zgjedhjet të zhvillohen ashtu siç janë planifikuar dhe që më në fund është rënë dakord për buxhetin e shtetit. Kjo është tepër e rëndësishme për rrugën e Bosnjës dhe Hercegovinës drejt BE-së dhe realizimin e aspiratave të publikut për t’u bërë pjesë e Bashkimit.

“Përveç kësaj, politikanët duhet të fillojnë të zbatojnë vendimet e lëna në pritje nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (p.sh. Sejdiç dhe Finci kundër Bosnjës dhe Hercegovinës) dhe të adresojnë rekomandimet e bëra nga ODIHR dhe Komisioni i Venecias për ta sjellë ligjin zgjedhor në përputhje me standardet europiane”, shtoi ajo. (ODIHR është Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut).

Sipas Schutz, një zonë tjetër që ka nevojë për përmirësim është politika e refugjatëve dhe azilit. Bosnja është përballur me një fluks të madh njerëzish, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika, që kalojnë nëpër vend në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian. Shumë njerëz jetojnë në kushte të dobëta në kampe të mbipopulluara me qasje të kufizuar në ndihmë juridike.

“Është e nevojshme që të gjithë aktorët përkatës në Bosnjë dhe Hercegovinë të marrin përgjegjësinë për veprime vendimtare për të lehtësuar rrethanat e refugjatëve dhe emigrantëve, duke përmirësuar kështu situatën për të gjitha pjesët e shoqërisë”, tha ajo.

Bosnja duhet “të profesionalizojë sistemin e saj të azilit, në mënyrë që ata që kanë të drejtë mbrojtjeje të mund të paraqesin me lehtësi një kërkesë dhe të marrin statusin e nevojshëm. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që Bosnja dhe Hercegovina dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të shtojnë përpjekjet për të lidhur marrëveshje ripranimi me vendet e origjinës”.

“Konkluzionet e fundit të Këshillit të BE-së mbi forcimin e bashkëpunimit me partnerët e Ballkanit Perëndimor në fushën e emigracionit dhe sigurisë janë një bazë e mirë për të zhvilluar më tej përpjekjet tona të përbashkëta dhe për të menaxhuar sfidën e përbashkët të flukseve të emigrantëve në mënyrë më efikase”, tha ajo.

Mbështetje për proceset e pajtimit

Pajtimi mbetet një detyrë e rëndësishme për rajonin dhe një gur themeli për zhvillim pozitiv dhe progresin në rrugën drejt BE-së, nënvizoi Schutz.

Qeveria gjermane do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e tilla, veçanërisht nismën KOMRA, komisionin rajonal i ngarkuar me përcaktimin e fakteve për të gjithë viktimat e krimeve të luftës dhe shkeljet e tjera të të drejtave të kryera në ish-Jugosllavi.

Ai gjithashtu do të kërkojë bashkëpunim nga autoritetet e Kosovës me Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, të ngritura posaçërisht për të gjykuar anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, për pretendimet për abuzime dhe krime lufte të kryera në luftën për pavarësi nga Serbia.

“Investigimi i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit është një pjesë e përkushtimit të Kosovës ndaj sundimit të ligjit. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në një shoqëri pa drejtësi”, tha ajo me vendosmëri.

“Gjermania beson se lufta ndaj mosndëshkimit përmes gjykatave penale kombëtare dhe ndërkombëtare është pjesë e një politike të përgjegjshme ligjore dhe të jashtme. Së bashku me BE-në, Kosova ka ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm me krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të cilat funksionojnë sipas ligjit të Kosovës, punën e të cilave Gjermania e mbështet si pjesë e përpjekjes së përgjithshme për të adresuar krimet e kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi.”

Duke iu drejtuar ankesave të bëra shpesh në Kosovë, se Dhomat e Specializuara po nxjerrin në gjyq një komb të tërë, ajo shtoi: “Dhomat e Specializuara hetojnë vetëm krimet e pretenduara të individëve dhe nuk paragjykojnë një vend të tërë ose popullin e tij.”

Vendi i saj është gjithashtu mbështetës i organit të sundimit të ligjit të BE-së, EULEX, që Schutz thotë se mundëson në mënyrë kritike punën e Dhomave të Specializuara.

“Që prej vitit 2008, misioni ka mbështetur krijimin njësive policore, të doganave dhe të kontrollit kufitar. Kjo nënkupton përmirësim real për qytetarët kosovarë si një parakusht i domosdoshëm për stabilitet të qëndrueshëm. EULEX gjithashtu kontribuon në përpjekjet ndërkombëtare për të garantuar sigurinë si një ‘përgjigje e dytë’ me njësitë e saj të policisë”, tha ajo.

Mali i Zi inkurajohet të zgjidhë krizën me Kishën

Duke folur për Malin e Zi, vendi më i vogël, por më i përparuari në rajon për sa i përket procesit të pranimit në BE, por që aktualisht po kalon një krizë të brendshme në marrëdhëniet me komunitetin e tij më të madh fetar, Kishën Ortodokse Serbe, Schutz tha se Gjermania shpreson që të dy palët do të arrijnë konsensus mbi një ligj tepër polemik mbi fenë.

“Ne e mirëpresim faktin se qeveria malazeze dhe Kisha Ortodokse Serbe kanë filluar një dialog rreth Ligjit për Lirinë Fetare dhe shpresojmë që – pasi bisedimet u desh të vonoheshin për ca kohë për shkak të pandemisë COVID-19 – ata tani do të arrijnë një konsensus së shpejti mbi mënyrën se si duhet të vazhdohet”, tha ajo.

Ajo tha se i vinte keq që Kisha nuk ishte e gatshme të përmbushte propozimet e fundit të qeverisë malazeze.

“Ne inkurajojmë Kishën Ortodokse Serbe dhe qeverinë e Malit të Zi të kthehen në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje për çështjen e lartpërmendur, si dhe për një regjistrim të duhur të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Të dy palët duhet të kontribuojnë në një zgjidhje të tillë. Përndryshe, rekursi për veprime juridike mund të jetë një mundësi e mundshme, me Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut që shërben si gjykata e fundit e apelit”, shtoi ajo.

Mosmarrëveshjet e mbetura në rajon, përfshirë midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që pengojnë perspektivën e kësaj të fundit për në BE, duhet të zgjidhen në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, sipas Schutz.

“Drafti i kornizës negociuese i propozuar nga Komisioni Europian më 1 korrik thekson përkushtimin për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim më të ngushtë rajonal, si dhe rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit të marrëveshjeve bilaterale në mirëbesim, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin mbi Marrëdhëniet e Mira Fqinjësore me Bullgarinë.

“Sa i përket traktatit me Bullgarinë, unë mendoj se formula e dakorduar nga kryeministrat Zoran Zaev dhe Boyko Borisov, sipas së cilës historia duhet t’u lihet historianëve, mbetet e vlefshme. Të dy vendet duhet të zgjidhin pyetjet e hapura brenda kornizës së marrëveshjes bilaterale, p.sh. komisionin e historianëve”, tha ajo.

“Për më tepër, bashkë-kryesimi i Procesit të Berlinit këtë vit është një mundësi shumë e mirë për të kapërcyer dallimet bilaterale, për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe forcimin dhe zgjerimin e besimit dypalësh.”

Gjermania synon të finalizojë kornizat negociuese dhe të zhvillojë konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe nëse plotësohen kushtet, edhe me Shqipërinë gjatë presidencës së Këshillit.

“Ne do të punojmë fort me partnerët tanë në BE dhe me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për arritjen e këtij qëllimi”, përfundoi Schutz. /Reporter.al/

Si e harruan mediat e qeverisë Ylli Ndroqin dhe iu kthyen historisë së Xhemail Pasmaçiut

Ka një fakt tejet interesant rreth sekuestrimit të pasurive të Ylli Ndroqit, alias Xhemail Pasmaçiut, që nuk mund të kalojë jashtë vëmendjes.

Ndërkohë që e shkuara e tij është e njohur në të gjithë rrethet e gazetarëve,

ndërkohë që emri i tij origjinal njihet prej tyre,

ndërkohë që arrestimi në Turqi, si pritësi i 30 kg heroinë në vitin e largët 1998, është një fakt i njohur,

mediat pranë qeverisë po bëjnë sikur i zbulojnë tani këto fakte.

Janë po të njëjtat gazeta dhe portale që kur këto informacione shkruheshin nga simotrat e tyre periferike,

nuk merrnin me “copy paste” asnjë gërmë rreth kësaj teme.

Tani papritmas janë bërë më të zellshëm dhe më katolikë se Papa./lapsi.al

 

SHBA paralajmëron Serbinë të jetë e vetëdijshme për rrezikun e blerjes së armëve nga Kina

Pajisje ushtarake kineze.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Serbi tha më 10 gusht se përzgjedhjet që bën ky vend për blerjen e armatimit, duhet të pasqyrojnë qëllimin e deklaruar të politikës së Serbisë për një integrim më të gjerë evropian.

“Ne e pranojmë që blerja e pajisjeve ushtarake dhe mbrojtëse është një vendim sovran. Sidoqoftë, qeveritë duhet të kuptojnë rreziqet dhe kostot afatshkurtra dhe afatgjata nga të bërit biznes me kompanitë kineze”, tha ambasada në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Në përgjigjjen e ambasadës thuhet se shtetet duhet të jenë në gjendje të besojnë se blerja e këtyre pajisjeve nuk do të dëmtojë sigurinë e tyre kombëtare ose sovranitetin e tyre ekonomik.

“Ky besim nuk mund të ekzistojë kur shitësit e pajisjeve ushtarake dhe të mbrojtjes i nënshtrohen një qeverie autoritare si ajo e Republikës Popullore të Kinës”, thotë ambasada.

SHBA-ja e inkurajon Serbinë që të angazhohet për një lidhje më të ngushtë me politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së.

“Ka shitës tjerë që nuk u detyrohen regjimeve autoritare dhe të cilët ofrojnë pajisje që janë të afta për të përmbushur nevojën e mbrojtjes së Serbisë dhe të krahasueshme në cilësi dhe kosto”, theksoi Ambasada.

Radio Evropa e Lirë kërkoi qëndrimin e ambasadës amerikane pas blerjes së fundit të armatimin kinez nga ana e Serbisë.

Serbia ka blerë një gjeneratë të raketave me rreze të mesme tokë-ajër nga Kina, duke dhënë shenja për thellim të bashkëpunimit në mes të Pekinit dhe Beogradit.

Blerja e sistemeve raketore për mbrojtje, FK-3, është përfshirë në raportin vjetor të kompanisë shtetërore për armët, Jugoimport SDPR, që i është dërguar Agjencisë për Regjistra të Biznesit, ka transmetuar agjencia e lajmeve, Reuters.

Radio Evropa e Lirë i ka dërguar pyetje në lidhje me këtë çështje edhe Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje.

Serbia gjithashtu bleu nga Kina gjashtë dronë ushtarakë. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ishte më 4 korrik në aeroportin ushtarak në Batajnicë, afër Beogradit, ku zyrtarët ushtarakë shfaqnin dronët e parkuar ndërsa gazetarëve u dha një mundësi për të fotografuar këto pajisje ushtarake.

Misteri i botimit dhe epoka shqiptare që pasoi “Mesharin” e Buzukut – Nga Ndriçim Kulla

Për kulturën kombëtare shqiptare të sapoplazmuar nga rryma humaniste e shekullit XV, invazioni turk ishte si breshëri për vreshtat, i cili duke goditur një nga një të gjitha rrënjët e tyre, jo vetëm i than e i zhvesh duke i privuar nga prodhimi i atij viti, por edhe i bën të papërdorshme më, derisa të mos mbillen më vreshta të reja.

Gjithë çka ishte kulturë, u zhduk. Heshti organoja e katedrales së Shkodrës nga momenti që e gjithë popullsia e saj, deri asokohe latine, emigroi duke u sistemuar e tëra në Venedik; mbetjet e mrekullueshme të monumenteve romane të Durrësit filluan t’u shërbenin si gurore turqve dhe ciganëve që nisën të vërshonin aty; lumenjtë, të lënë pas dore në rrjedhën e tyre, nisën të mbulonin me baltë e kallama Apolloninë e ndërtuar sipas stilit grek dhe Butrintin sipas atij roman. Kapitolet e katedraleve, kolegjet, manastiret e famshëm benedetë, bazilianë apo domenikanë u rrënuan gjithandej. Vetëm aty-këtu ndonjë prift i trembur mbeti bashkë me popullsinë, e ndonjë qelëz fretërish françeskanë vulosi në ndërgjegje trashëgiminë e rrënimit të madh të  institucioneve.

Po me të kaluar vrulli i stuhisë turke, u pa të rikthehej tek-tuk ndonjë famulltar e të rigjallërohej ndonjë kishë. Veçse s’duhet të harrojmë se jemi në shekullin XVI, kur kishin vdekur edhe të fundit priftërinj të mbetur gjallë e ata që i kishin zëvendësuar, qenë njerëz të varfër e të paditur, që punonin gjithë ditën për të siguruar jetesën e që mezi arrinin t’i lexonin librat liturgjikë, pa i kuptuar fare.

Ja, në një ambient të tillë e për t’i ardhur në ndihmë rimëkëmbjes, na shfaqet libri i parë i shtypur në gjuhën shqipe, me autor një famulltar, Gjon Buzukun, i cili duket ta ketë përgatitur materialin, gati rrëmbimthi, currenti calamo, e ta ketë dhënë për shtyp brenda pak muajve. Po gjithsesi, nëse shohim përmbajtjen e librit, sigurisht të bazuar te liturgjia romane e në këtë pikëpamje një vademecum për një prift që nuk kuptonte latinisht, mund të pohojmë se bëhet fjalë për një vepër të konsiderueshme, për të qenë e para që njihet në lindjen e një literature.

Më tej, mbetet për t’u shpjeguar rrallësia e mbijetesës së një vepre të tillë (një kopje e vetme), ku mundet të supozohet se rreptësia e njohur e Romës përballë zëvendësimit në gjuhën kombëtare të liturgjive latine, të ketë arritur deri aty sa ta ndalojë e t’i zhdukë nga qarkullimi kopjet e këtij libri.

Mirëpo nga ana tjetër mbetet e pashpjegueshme me fakte, ende edhe sot, se si vallë një prift i varfër si Buzuku, apo një komunitet katolik njerëzish të varfër, të detyruar të shpërngulen nëpër male, arritën të mendonin realizimin e një ndërmarrjeje të tillë kaq të kushtueshme, siç ishte asokohe botimi e t’ia dilnin mbanë pa ndihmën e Selisë së Shenjë. Mund të aludohet edhe se ajo vetë mund ta ketë marrë përsipër iniciativën, ashtu siç do ta shohim shpesh më vonë për vepra të tilla.

Po gjithsesi, edhe nëse citojmë tezën tjetër, sipas së cilës libri u ndalua dhe kopjet e botimit u shkatërruan, përderisa sot në Bibliotekën e Vatikanit ruhet vetëm një kopje, përsëri mbetet i pakontestueshëm jo vetëm fakti se ishte liturgjia romane ajo që i shënoi zanafillën – qoftë edhe në mënyrë jo zyrtare – orvatjes së parë të përpunimit të gjuhës shqipe, porse ishte ajo që arriti të ushtrojë një ndikim të madh edhe në vazhdim, për lartësimin dhe pasurimin e kësaj gjuhe nga pikëpamja letrare.

“Edhe gjetja e kopjes së vetme të librit, në një gjendje gati të shqyer, në Bibliotekën e Kolegjit të Propagandës, që në vitin 1740”, siç na rrëfen zbuluesi i saj i parë, monsinjor Kazazi, tregon se nxënësit shqiptarë të kolegjeve duhet ta kenë përdorur shpesh e të jenë formuar gjatë me të, përderisa germat dhe karakteret e veçanta të botimeve shqiptaro-katolike deri në fundin e shekullit XIX, madje deri më 1909, rrjedhin padyshim nga ato germa e karaktere që pat sajuar Buzuku.

E lindur kështu me Buzukun, literatura shqiptare do të vazhdojë të zhvillohet për dy shekujt në vijim, në ambientin e thjeshtë të katekizmit, e thjeshtë, por aspak e anashkalueshme për ndikimin e vet, në formimin mendor dhe linguistik të një populli: katekizmi është libri që mësohet më lehtë nga të gjithë, edhe nga analfabetët; e nëse është e pranuar se ç’jehonë ka në fillimet e çdo literature gjuha kishtare, mund ta imagjinojmë fare mirë se ç’ndikim duhet të ketë pasur ajo aty, ku përbënte librin e vetëm të shkruar, të botuar, të lexuar e të mësuar.

Mirëpo, që nga fundi i shekullit XVI nuk ishte vetëm libri i vetmi mjet ndikimi i kulturës romano-papnore për të ndihmuar në plazmimin e një kulture kombëtare shqiptare. Nisën kështu të lindnin kolegjet papnore apo misionare, që do të rezultonin më vonë si djepet e më të vërtetës dhe më të fortës kulturë të krijuar në të gjithë Orientin, sado i stërmadh qe ai. E këtu nuk flitet vetëm për kulturën latine, romane apo katolike, por edhe për kulturën kombëtare të secilit prej këtyre vendeve.

Për latinët shqiptarë ose në përgjithësi për rajonin dardano-prevalitan të nënshtruar nga turqit, dritarja e shkollimit dhe formimit u bënë kolegjet e shumta që nisën të lulëzonin në Itali. Më 1572 themelohet Kolegji i Shën Athanasit në Romë (i famshëm për doktorët në teologji, që nxori nga nxënësit shqiptarë të ritit bizantin dhe për përgatitjen e misionarëve që punuan në Himarë gjatë shekujve XVII-XVIII); Vijon Kolegji ilirik i Loretos më 1580 dhe ai i Propagandës më 1627, i themeluar nga jezuitët.

Në vijim të Kolegjit të Loretos, njërit prej më të rëndësishmëve për kontributin e tij letrar, themelohet më 1633 e jeton deri më 1746, Kolegji ilirik i Shën Pjetrit dhe Palit, në Fermo, i specializuar për nxënësit shqiptarë. Kjo i hapi udhë një drejtimi të ri të aktivitetit të rregullt të formimit të tyre misionar. Kështu, fillimisht në dy manastiret baziliane të Grottaferatës dhe Mecojuzos në Palermo, ku përgatiteshin misionarë të ritit ortodoks dhe në konventën françeskane  të Shën Pjetrit në Montorio, që në fillim të shekullit XVII nisi të mësohej gjuha shqipe, madje më 1711, të formohej edhe katedra përkatëse e saj. Kjo iniciativë, që për historinë e kulturës shqiptare është e nivelit më të latë të rëndësisë, u mbështet fuqimisht edhe nga Papa Klementi XI, me origjinë shqiptare, i cili e citoi atë konventë si shembull për urdhrat e tjerë fetarë e misionarë.

Nën këtë direktivë shohim të themelohet më 1725 Kolegji i Familjes së Shenjtë në Napoli, i cili do të shndërrohej më vonë në Institutin Mbretëror Oriental, i pari institut italian i pajisur me një katedër të gjuhës shqipe, drejtimin e së cilës do ta marrë shkrimtari i madh arbëresh, Zef Sqiroi. Më pas, me iniciativën e vëllezërve Rodota ndërtohet më 1732, në Kalabri, kolegji për shqiptarët e ritit ortodoks, kolegj ky që do të shndërrohet në Kolegjin e Shën Adrianit e që do të ketë një jetë të lavdishme në impulsin që do t’i japë kulturës shqiptare, edhe pas laicizimit të tij, deri në ditët tona.

Megjithatë, fakti më i rëndësishëm i përmendjes së kësaj liste të gjatë kolegjesh është nënvizimi i ekzistencës së tyre jo vetëm si një seminar mësuesish, por edhe si shtëpia-nënë e shumë shkollave të tjera më të vogla, që nisën të mbinin aty-këtu, por kudo, në të gjithë territorin shqiptar, përgjatë atyre dy shekujve kaq pak të favorshëm për kulturën tonë, siç qenë shekujt XVII e XVIII.

Kështu, gjejmë shkolla në dioqezën e Shkupit dhe një shkollë në Bëdhanë që më 1638, një gjimnaz në Blinisht më 1639, një tjetër në Shkodër më 1698, një seminar në Velja më 1692 dhe një në Kurbin më 1703, madje emblematik është edhe fakti i hapjes në vitet 1669-1670 i një shkolle në Himarë, të mbyllur shumë shpejt nga xhelozia e despotit grek, por të rihapur përsëri më 1680. Aq më tepër kur dihej se ishte tashmë mëse njëshekullor devocioni i himarjotëve për Venecian, duke i furnizuar shpesh ushtritë e saj në luftërat e herëpashershme kundra turqve.

Twitter shpreh interes për blerjen e TikTok-ut

Kompania “Twitter Inc” i ka shprehur interesin kompanisë kineze “ByteDance” për të blerë operacionet në SHBA të aplikacionit “TikTok”, bënë të ditur për agjencinë “Reuters” dy burime që kanë dijeni mbi këtë çështje. Por ekspertët kanë hedhur dyshime mbi aftësinë e “Twitter-it” për siguruar financim për një marrëveshje të mundshme.

Burimet thanë të shtunën se ka pak mundësi që “Twitter-i” të jetë në gjendje ta mundë kompaninë “Microsoft Corp” duke mbyllur një marrëveshje brenda 45 ditësh, afat që Presidenti Donald Trump i ka dhënë kompanisë “ByteDance” që të shesë “TikTok-un”.

Lajmi se “Twitter-i” dhe “TikTok-u” janë përfshirë në bisedime paraprake dhe se “Microsoft-i” ende shihet si kryesues për blerjen e aplikacionit u raportua më herët nga “The Wall Street Journal”.

Sipas burimeve “Twitter-it” do t’i duhet të mbledhë kapital shtesë për të financuar marrëveshjen. Kompania “Twitter” ka një vlerë në treg prej rreth 30 miliardë dollarësh, pothuajse aq sa vlera që kërkon “TikTok-u” të shesë.

“Twitter-i” do ta ketë të vështirë të mbledhë fonde të mjaftueshme për të siguruar blerjen e operacionet amerikane të “TikTok-ut”. Ai nuk ka aftësi të mjaftueshme huamarrjeje”, thotë Erik Gordon, profesor në universitetin e Miçiganit.

“Nëse ai (Twitteri) përpiqet të bashkojë një grup investitorësh, kushtet do të jenë të forta. Aksionerët e tij mund të preferojnë që përqendrimi i menaxhimit të jetë tek biznesi ekzistues”, shton ai.

Një nga aksionarët e “Twitter-it”, firma private e kapitalit “Silver Lake”, është e interesuar të ndihmojë në financimin e një marrëveshjeje të mundshme, shton një nga burimet. Sipas informacioneve “Twitter-i” ka bërë të ditur se oferta e tij do të përballej me një kontroll më të vogël rregullator sesa në rastin e “Microsoft-it” dhe se nuk do të ketë ndonjë presion nga Kina duke pasur parasysh se nuk është aktiv në atë vend, thanë burimet. “TikTok-u”, “ByteDance” dhe “Twitter-i” nuk pranuan të komentojnë.

Ligjvënësit amerikanë kanë ngritur shqetësime ndaj aplikacionit “TikTok” lidhur me sigurinë kombëtare. Në fillim të kësaj jave zoti Trump njoftoi vendimin për të bllokuar përdorimin e aplikacioneve me pronar me bazë në Kinë, “WeChat” dhe “TikTok”, duke përshkallëzuar tensionet mes dy vendeve. Urdhrat ekzekutivë hyjnë në fuqi brenda 45 ditëve.

Zoti Trump tha këtë javë se do të mbështesë përpjekjet e “Microsoft-it” për të blerë operacionet në SHBA të TikTok-ut nëse qeveria amerikane do të merrte një “pjesë të konsiderueshme” të të ardhurave. Ai tha gjithashtu se do ta ndalojë aplikacionin popullor në 15 shtator. “Microsoft-i” bëri të ditur të dielën se synon që përfundojë negociatat për një marrëveshje deri në mesin e shtatorit. zëri i amerikës

Shteti do të paguajë edhe për vizitat e grave jashtëmartesore të atyre që do të akuzohen nga Specialja

Gratë ose burrat jashtëmartesorë, me para të Shtetit, do të kenë mundësi të shkojnë t’i shohin të dashurit e tyre në Hagë, në rast se ata do të ballafaqohen me akuzat e Gjykatës Speciale. Ky rregull është përcaktuar në Udhëzimin Administrativ për Mbështetjen e Nevojshme Financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në procesin gjyqësor pran Dhomave të Specializuara. Aty, është paraparë të shkojnë deri në 12 familjarë të ngushtë në kryeqytetin holandez ku është selia e Speciales.

Express

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, është kujdesur edhe për gratë dhe burrat jashtëmartesorë të të gjithë atyre që do të ballafaqohen me akuza nga Gjykata Speciale, shkruan Gazeta Express.

Pra, gratë ose burrat jashtëmartesor ndaj të cilëve mund të ngritën aktakuza nga Specialja do të mund të shkojnë t’i vizitojnë partnerët e tyre në Hagë me para të shtetit.

Udhëzimi i nënshkruar nga Selimi parasheh vizita në Hagë për 12 anëtarë të “NGUSHTË TË FAMILJES”.

Në nenin 1, pika 1.1, Udhëzimin Administrativ për Mbështetjen e Nevojshme Financiare për anëtarët e “NGUSHTË TË FAMILJES” së personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në procesin gjyqësor pran Dhomave të Specializuara, ka paraparë se në kuadër të familjes së ngushtë hyn edhe gruaja ose burri jashtëmartesor.

“Anëtarët e ngushtë të familjes – në kuptim të këtij udhëzimi administrativ janë: bashkëshorti, bashkëshortja, fëmijët, fëmijët jashtëmartesor, fëmijët e adoptuar (birësuar), prindërit, vëllezërit, motrat, njerka, njerku, si dhe bashkëshorti/bashkëshortja jashtëmartesore”, shkruan në Udhëzimin Administrativ.

Kuvendi i Kosovës me rishikimin e buxhetit ka vendosur t’i ndajë 20 milionë euro për përkrahjen e personave që do të akuzohen nga Gjykata Speciale. Më herët ishin paraparë në buxhet 3.5 milionë. Këtë shtim të mjeteve e kishte kërkuar në seancë deputeti i AAK’së, Gazmend Abrashi. Edhe Shefi i deputetëve i PDK’së, Bedri Hamza kishte arsyetuar ndarjen e këtyre mjeteve. Kishte thënë se kjo shumë e ndarë nuk është shpenzim, por është planfikim dhe shpenzimi varet se si ndodhin ngjarjet.

“Kjo nuk është e vullnetit të mirë, urojmë që asnjë cent të mos shpenzohet nga kjo kategori, por me ardhë puna me ndodhë, ky është detyrim ligjor që e ka marrë shteti i Kosovës”, kishte thënë Hamza që ka qenë edhe ish-Ministër i Financave.

Deputetja e VV’së, Mimoza Kusari, kishte thënë në seancë se Kryeministri Hoti nuk ka pranuar të nënshkruajë Udhëzimin Administrativ me të cilin rregullohen pagesat për ata që do të ballagaqohen me Specialen.

Shefi i Qeverisë asnjëherë s’e ka sqaruar një pozicion të tillë pavarësisht se Udhëzimin është në fuqi ndërsa mjetet janë ndarë me vendim të Parlamentit.

Sidoqoftë, Gjykata Speciale ishte themeluar për t’i hetuar pretendimet e senatorit zviceran Dick Marty, i cili kishte hartuar një raport me të cilin i përfshinte ish-udhëheqësit e UÇK’së në krime kundër njerëzimit deri te vrasjet politike të pasluftës.

Nga janari 2019 janë intervistuar më shumë se 200 persona, përfshirë ish-eprorë të UÇK-së, ish-deputetë, kryetarë komunash e qytetarë të thjeshtë.

Madje, ka një njoftim se aktakuzat e para kanë shkuar në Speciale ku janë nëntë ish-udhëheqës të UÇK’së në mesin e të cilëve edhe Presidenti aktual, Hashim Thaçi dhe Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli. Deri në tetor është koha kur do të refuzohet ose konfirmohet një aktakuzë e tillë e Speciales.

Por, pse është themeluar Gjykata Speciale e cila ishte cak i zhbërjes në fund të vitit 2017?

Përgjigja është e qartë: për t’i sqaruar akuzat që janë shkruar nga një zviceran, Dick Martyt, në një raport 27 faqesh, ku i bën përgjegjës udhëheqësit e UÇK’së për krimet e kryera gjatë dhe me krimin e organizuar pas luftës.(raporti shqip: KETU)

Për t’i hetuar këto akuza ishte emëruar edhe Prokurori, Clint Williamson, i cili kishte thënë se do të ngritën përafërsisht dhjetë aktakuza ndaj ish-udhëheqjes së UÇK’së.

Por, kush janë emrat që përmenden në raportin e ish-senatorit zviceran?

Ata janë: Hashim Thaçi, Shaip Muja, Kadri Veseli, Azem Syla, Fatmir Limaj , Xhavit Haliti, Haradinaj janë personazhet kryesorë në Raportin e Dick Martyt.

Këta ish-udhëheqës të UÇK’së, Marty, i ndërlidh me veprime kriminale të kryera gjatë kohës së luftës dhe pasluftës.

Sa herë përmenden emrat e udhëheqësve të UÇK’së në Raportin e Martyt?

Më së shumti përmendet emri i ish-udhëheqësit politik të UÇK’së, Hashim Thaçit. Pra, emri i tij figuron në pothuajse secilën prej 30 faqeve të Raportit. Konkretisht, pesë herë përmendet emri dhe mbiemri, ndërsa, 21 herë të tjerë mbiemri i tij. Në total, emri i Ish-Kryeministrit Thaçi përmendet 26 herë.

Pas tij vjen deputeti tjetër i PDK’së, Shaip Muja, i cili përmendet 20 herë në Raport. Ai ka pasur pozita edhe në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK’së.Pos tyre, në Raport përmendet shtatë herë edhe emri i Kadri Veselit, aktualisht, Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Gjashtë herë përmendet edhe emri i Fatmir Limajt, aktualisht, Zëvendëskryeministër dhe udhëheqës i NISMA’s. Azem Syla dhe Familja Haradinaj përmenden nga dy herë në raport.

Emërtimi “Grupi i Drenicës” përmendet pesë herë, ndërsa, udhëheqës i tij, thuhet se është Hashim Thaçi.

“Ky lloj aktiviteti kriminal ka vazhduar të veprojë edhe pas luftës në forma të tjera, të ndërlidhura me krimin e organizuar, derisa Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX­i zbuloi rastin e klinikës Medicus në Prishtinë për trafikim organesh”, thekson raporti.

“Disa anëtarë të tjerë të ‘Grupit të Drenicës’ na janë dhënë indikacione gjatë hulumtimit se kanë luajtur rol vital si bashkë­konspiratorë në aktivitete të ndryshme kriminale. Këtu përfshihen Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla dhe Fatmir Limaj. Të gjithë këta janë hetuar vazhdimisht gjatë dekadës së fundit si të dyshuar për krime lufte dhe ndërmarrje të përbashkëta kriminale, duke përfshirë raste të mëdha të udhëhequra nga UNMIK­u, Tribunali i Hagës, dhe EULEX­i. Deri më sot, të gjithë i kanë ikur drejtësisë”, shkruan mes tjerash Marty.

“Burimet e drejtpërdrejta që disponojmë tregojnë në mënyrë të besueshme se Haliti, Veseli, Syla e Limaj, si dhe Thaçi e anëtarët e tjerë të rrethit të bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë, do kenë urdhëruar, e ndonjëherë do kenë ndjekur edhe personalisht, realizimin e një numri vrasjesh, burgosjesh, agresionesh dhe marrjesh në pyetje, në rajone të ndryshme të Kosovës dhe konkretisht, çka na intereson në mënyrë më të veçantë, gjatë operacioneve të kryera nga UÇK-ja në territorin shqiptar, në vitet 1998-2000”, thuhet në raport.

Patrullimet ndër vite në mes të KFOR-it dhe forcave serbe

Mimoza Sadiku

Më 7 gusht, nuk ishte hera e parë që misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, kreu një patrullim të sinkronizuar me Forcat e Armatosura serbe, në vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është një praktikë, që ky mision ka kryer ndër vite.

KFOR-i nuk deshi të komentojë deklaratën e ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, lidhur me atë nëse patrullimet e sinkronizuara mes KFOR-it dhe forcave serbe mund të quhen të tilla, por të cilësohen si patrullime të përbashkëta, pasi ministrja kosovare ka thënë se për aktivitete të tilla askush nuk ka mandat dhe autorizim.

Nga misioni i KFOR-it megjithatë kanë shtuar se “patrullimet e sinkronizuara në mënyrë rutinore kryhen ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe përgjatë Vijës administrative kufitare”.

“KFOR-i ka kontakt me Forcat e Armatosura serbe dhe bashkëpunimi është i mirë dhe efektiv”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Mario Renna, zëdhënës i komandantit të KFOR-it.

Mediat në Kosovë atë ditë raportuan se forcat serbe u panë në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës. Lajmi se forcat serbe kanë hyrë në territorin e Kosovës, në këtë “patrullim të sinkronizuar” me KFOR-in, nxitën shqetësime në Prishtinën zyrtare.

Lidhur me atë që ka ndodhur në Karaçevë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se janë angazhuar të gjitha organet përkatëse për të vlerësuar rastin.

Sidoqoftë, KFOR-i sqaroi se në Komunën e Kamenicës kanë zhvilluar një patrullë të sinkronizuar me Forcat e Armatosura serbe, “përgjatë vijës kufitare administrative, në afërsi të fshatit Hodovc”.

Sipas njoftimit të KFOR-it, vija kufitare – që është e gjatë 350 kilometra – nuk është krejtësisht e shenjëzuar dhe e përcaktuar mirë dhe se patrullat e sinkronizuara të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe lëvizin “përgjatë Vijës kufitare administrative me një shkallë përshtatjeje të imponuar nga terreni”.

Megjithatë, KFOR-i tha se në patrullimet që zhvillon me forcat serbe, asnjëherë këto të fundit nuk ndahen nga anëtarët e KFOR-it.

Ky mision theksoi se patrullime të ngjashme ka kryer edhe në të kaluarën.

Ndërkohë, lidhur me këtë në një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralimajorin Michele Risi është njoftuar edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, i cili deklaroi se hyrja e forcave të xhandarmërisë̈ serbe në territorin e Kosovës ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët i këtyre forcave me pjesëtarët e KFOR-it.

Veliu, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se me KFOR-in janë dakorduar që të rinisin patrullimet edhe me Policinë e Kosovës.

Sidoqoftë, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të dielën deklaroi se ngjarja e 7 gushtit nuk mund të quhet patrullim i sinkronizuar, por “patrullim i përbashkët” ndërmjet KFOR-it dhe Serbisë, pasi sipas saj, një patrullim i sinkronizuar nuk nënkupton që forca të shteteve të tjera, të futen në territorin e Kosovës. Sipas saj, për këtë gjë askush nuk ka mandat e as autorizim.

“Popullit të shqetësuar duhet t’i sqarohet se a e ka shkelur Serbia marrëveshjen me NATO-n që ka hyrë 300 metra brenda territorit të Kosovës, apo këtë e ka bërë me aprovimin paraprak!”, ka shkruar Haradinaj- Stublla në Facebook.

Patrullimet e sinkronizuara, që nga viti 2008

Përveç më 7 gusht, KFOR-i ka kryer edhe në të kaluarën patrullime të sinkronizuara me forcat serbe. Në qershor të vitit 2018, ishin kryer patrullimet e sinkronizuara ndërmjet ushtarëve të KFOR-it dhe atyre serbë. Ky aktivitet ishte zhvilluar në zonën veriore të Komunës së Istogut që gjendet në kufi me Serbinë, dhe siç kishte njoftuar Ushtria sllovene – që kishte marrë pjesë në këtë aktivitet – gjatë këtij patrullimi “nuk u identifikua asnjë aktivitet i dyshimtë”.

Më 27 qershor të 2017-ës dhe më 31 gusht të po këtij viti, ishin kryer patrullime të sinkronizuara. Për këto dyja patrullime, KFOR-i ka thënë se janë bërë me qëllim të “të rritjes së bashkëpunimit në zbatimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjes teknike ushtarake”.

Ndërkaq, në dhjetor të vitit 2016, forcat e KFOR-it po ashtu kishin kryer patrullime të sinkronizuara me forcat serbe, në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Komunën e Leposaviqit.

Më 5 maj, 2010, në ueb-faqen e NATO-s u tha se në pjesën veriore të Kosovës, pranë kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, forcave daneze të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe, mbajtën patrullime të sinkronizuara nga shkurti i atij viti deri në muajin mars.

“Këto patrullime janë pjesë e programit të Komisionit të përbashkët për implementim dhe kanë për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve mes KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë”, thuhej në njoftimin e NATO-s të publikuar në maj të vitit 2010.

Ndërkaq, në një raport të Kombeve të Bashkuara të vitit 2008, njoftohej po ashtu për patrullim të sinkronizuar mes KFOR-it dhe Forcave serbe.

Patrullimi thuhej se ishte kryer më 19 qershor, 2008 – vetëm pak muaj pasi Kosova kishte shpallur pavarësinë.

“Patrullimet e sinkronizuara ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe u kryen sipas planit”, thuhej në një raport të OKB-së, ku theksohej se ky patrullim ishte kryer në Rudare të Serbisë më 19 qershor, 2008.

Më 22 korrik, 2020, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Michele Risi, kishte marrë pjesë në video-konferencën e tetë të “Javës së NATO-s në Beograd”, ku kishte theksuar se bashkëpunimi ndërmjet Komandës së KFOR-it dhe Forcave të Armatosura serbe “është kyç” për partneritetin midis dy forcave.

Risi kishte thënë se patrullimet e sinkronizuara ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të armatosura serbe në vijën kufitare kontribuojnë në mbajtjen e paqes dhe atmosferës pozitive, që sipas tij, janë të rëndësishme për popullatën që jeton në atë zonë.

Në Kosovë, forcat e KFOR-it filluan të vendosen më 12 qershor të vitit 1999. Fillimisht, ishin rreth 50,000 mijë ushtarë nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet që janë pjesë e aleancës së NATO-s.

Aktualisht, në Kosovë janë rreth 3,500 trupa të KFOR-it.

Spanjë, e ardhmja e monarkisë pas largimit të ish-mbretit (video)

Alfonso Beato

Ish-mbreti i Spanjës, Juan Carlos është larguar nga vendi, përballë akuzave të mundshme për shkelje të ligjeve financiare. Monarku, i cili ia kaloi kurorën të birit, Felipe, gjashtë vjet më parë, nuk është zyrtarisht nën hetim. Skandalet e ish-mbretit dhe largimi i tij kanë rindezur debatin nëse Spanja duhet ta mbajë ose jo monarkinë.

Juan Carlos ka qenë mbret i Spanjës nga viti 1975, kur erdhi në fron pas vdekjes së diktatorit Francisco Franco, e deri në vitin 2014.

Ai hoqi dorë nga froni pas disa skandaleve, siç ishin njoftimet se kishte marrë pjesë në gjuetinë e elefantëve në Botsvanë dhe se kishte një të dashur në moshë të re.

Tani ish-mbreti është larguar nga vendi, këtë radhë mes aludimeve për shkelje të ligjeve financiare. Qeveria e Spanjës reagoi ndaj largimit.

“Ne respektojmë në mënyrë absolute arsyet e vendimit të familjes mbretërore, pra krijimi i një distance nga çështjet e pretenduara që sot mund të jenë subjekt i një hetimi gjyqësor”, tha kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.

Presionet politike dhe juridike që e shtynë ish-mbretin të largohej nga Spanja përsëri kanë ngritur pyetje mbi atë nëse vendit i duhet një monarki.

Për disa banorë të Spanjës, monarkia paraqet një relike të së kaluarës, një tranzicion të domosdoshëm nga diktatura e gjeneralit Franco por që tani ka tejkaluar dobinë e saj.

“Ai u vendos aty (në fron), qëndroi, dhe askush nuk ngriti dyshime për këtë. Unë jam 100 për qind anti-monarkist. Mendoj se (monarkia) është një anakronizëm dhe nuk i përket kohës tonë”, thotë Antonio Carmona.

Të tjerët e shohin ish-mbretin Juan Carlos si një udhëheqës që ndihmoi Spanjën të bëhet një vend modern, demokratik, pas dekadave të diktaturës së gjeneralit Franco.

“Po të mos ishte ai, ne nuk do të kishim demokraci”, thotë Luis Fernando.

Ka edhe nga ata që mendojnë se e ardhmja e monarkisë duhet të vendoset me referendum.

“Nuk ka mënyrë më të mirë për të ecur përpara në 40 vitet e ardhshme sesa t’ua lëmë njerëzve që të vendosin përmes një referendumi”, thotë Jordi Masip.

Ndërsa mundësia e një referendumi po diskutohet në rrugë, ajo deri tani duket e pamundur. Konservatorët e shohin monarkinë si një garantues të integritetit territorial të Spanjës.

“Ekziston frika e madhe se Rajoni Bask dhe Katalonja do të përfitonin nga një situatë e tillë. Ka nga ata që bëjnë thirrje për një referendum mbi monarkinë, ose për një republikë. Ka nga ata që bëjnë thirrje për lloje të tjera referendumesh dhe kjo është arsyeja pse është kaq e vështirë të ecësh përpara me këtë pikëpamje”, thotë Lluis Simon, Gazetar i La Republikës.

Mediat njoftojnë se ish-mbreti vendosi të largohej në Portugali dhe pastaj në Republikën Dominikane, në përpjekje për të mbrojtur djalin e tij, mbretin Felipe. Ditët në vijim dhe rezultati i çdo hetimi mund të përcaktojë të ardhmen e monarkisë, që dikur ishte një nga perandoritë më të mëdha të botës.

S‘ka zgjidhje në Ballkanin Perëndimor pa SHBA – Nga Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling

SHBA në vitet 1990 ndihmoi që t’u jepet fund luftërave në Bosnjë dhe në Kroaci. Edhe sot Amerika e ndërmerr iniciativën në Ballkan. Europa duhet të angazhohet më intensivisht, mendon Christian Schwarz-Schilling.

 

Në fund të korrikut të këtij viti gazeta britanike Guardian botoi artikullin me titull “Bill Clinton pushed ‘appeasement’ of Serbs after Srebrenica massacre”. Gazetari Julian Borger duke u bazuar në dokumentat e hapura për publikun nga Clinton Digital Library lidhur me politikën e SHBA-së ndaj Bosnjë-Hercegovinës arrin në konkluzionin, se presidenti i SHBA-së dhe ekipi i tij synonin me shumë vendosmëri fundin e luftës (1992-95) për ish-republikën jugosllave.

Sipas Borger, Clinton menjëherë pas gjenocidit në Srebrenicë donte t’i kërkonte qeverisë së Bosnjes të drejtuar nga myslimanët, që të bënin lëshime territoriale ndaj serbëve të Bosnjes. Madje një ndarje përgjatë linjës etnike duke përfshirë edhe “Land Swap” si dhe një referndum për shkëputjen e pjesës së vendit të kontrolluar nga serbët, kjo përmendej pas dy tri vjetësh në një dokument strategjik me emërtimin “Endgame”.

Nëse e lexon me kujdes dokumentin “995-07-20A, NSC Paper Bosnia Endgame Strategy”, has në një kontekst krejt tjetër. Këshilltarët e Clintonit  janë përpjekur të paraqesin, se me çfarë masash mund të arrihej paqja në Bosnjë. Këtu të bie në sy, që propozimet e tyre përmbajnë edhe opcione, që kanë qenë të njohura shumë më përpara. Qysh në vitin 1993 Lord Owen, drejtuesi britanik i bisedimeve për Europën, propozoi një plan për një copëzim edhe më të madh të Bosnjës.

Vallë presidenti Clinton e ka vlerësuar vet “Endgame” dhe e ka konsideruar atë si të mirë? Lidhur me këtë nuk shkruhet asgjë në artikullin e Julian Borger e po ashtu asgjë nuk dihet për këtë. Çfarë ndodhi atëherë pas gjenocidit në Srebrenicë dhe përpara bisedimeve në Dejton?

Konferenca në Split

Politika britanike për Bosnjën nuk donte të përzihej më thellë, donte t’i drejtonte bisedimet pas Srebrenicës në të njëjtin stil si edhe më parë – ndonëse sulmet serbe vazhdonin të avanconin dhe me këtë afronte edhe pushtimi i tërë i vendit duke konturuar kësisoj katastrofën tjetër pas Srebrenicës në qytetin perëndimor të Bosnjes, Bihać.

Paqja nuk u arrit prej lëshimeve të përmendura nga Julian Borger, por nga konferenca e Splitit. Më 22 korrik 1995 presidenti i Bosnjes, Alija Izetbegović dhe homologu i tij kroat Franjo Tuđman u takuan në qytetin bregdetar kroat, përë të shpallur një deklaratë të përbashkët mbi bashkëpunimin ushtarak të Kroacisë dhe Bosnjës. Unë vet, autori i këtij komenti, asokohe kam qenë i pranishëm.

“Oluja” çliron edhe Bosnjën perëndimore

Ofensiva kroate që pasoi “Oluja” (Sulmi, më  4 deri më 8  gusht 1995) solli kthesën ushtarake dhe ishte një ndër çastet më të rëndësishme në luftën për ish-Jugosllavinë. Ushtria kroate çliroi pjesët e Kroacisë deri në atë çast të pushtuara prej serbëve, ajo boshnjake mundi të rimarrë territoret boshnjake në perëndim të Bosnjës.

Jo NATO -ja, por “Oluja” i dha fund luftës në dy ish-republikat jugosllave. Prej “Oluja-s” u shmangën të gjitha rezervat, që ekzistonin deri në atë çast në radhët e bashkësisë ndërkombëtare dhe në NATO kundër një ndërhyrjeje më të fuqishme në luftë; prej “Oluja-s” ndryshoi tërësisht situata e luftës.

Europa mbeti pasive

Ndërkohë në NATO dhe veçanërisht nga Britania e Madhe dhe Franca pati një angazhim me insistim kundrejt presidentit të SHBA-së, Bill Clinton për të ndalur këtë kundërofensivë, duke argumentuar se kjo mund të nxisë Serbinë e madhe të pushtojë nga ana tjetër… “to stop this counteroffensives, arguing that they may incite greater Serbia to invade from the other side, but Clinton said he refused.” (The Clinton Tapes von 2009, 277). Clinton refuzoi.

Sidoqoftë me sukseset ushtarake boshnjake dhe kroate dolën jashtë loje si strategjia ashtu edhe opcionet e dokumentit “Endgame”. Serbët e Bosnjës erdhën në tryezën e bisedimeve në Dejton. Mundësia e një shkëputjeje të “Republika Srpska” – pjesës së Bosnjes, që në luftë u „spastrua etnikisht” dhe ku tani jetojnë kryesisht serbë – në asnjë çast nuk ka qenë temë në tryezën e bisedimeve të paqes në qytetin e SHBA-së në fund të vitit 1995.

Injorim për SHBA-në

Se çfarë roli ka luajtur Europa që nga fillimi i luftrave në Ballkan në vitet 1990, kjo mundi të shihej qartë qysh në maj 1993. Asokohe presidenti Clinton dërgoi ministrin e tij të Jashtëm Warren Christopher në Europë, për të diskutuar mbi planet e ndërhyrjes të përpiluara në Amerikë – por politikanët europianë e injoruan të dërguarin e SHBA-së.

Vetëm aleanca e krijuar në Split mes Bosnjës dhe Kroacisë dhe faktit, që amerikanët i dhanë ndihmë ushtarake Kroacisë, bëri t’i jepej fund luftrave në Kroaci dhe në Bosnjë. Ne vetëm mund t’i jemi mirënjohës presidentit të atëhershëm amerikan Clinton, që të dy popujt i trajtoi me seriozitet dhe u ndihmoi atyre.

Appeasement? Një akuzë e padurueshme

Pikërisht Clintonin ta akuzosh tani për politikë appeasement kundrejt serbëve pas Srebrenicës, kjo shkon në kufijtë e deformimit të hitorisë. Artikulli anti-amerikan i gazetës, Guardian i ndihmon sot në radhë të parë separatistëve të përjetshëm, si p.sh. anëtarit aktual të presidencës boshnjake Milorad Dodik. Ai menjëherë në agjencinë boshnjako-serbe “Srna”, kërkoi që të „rehabilitohet ideja e SHBA-së për një secesion të Republika Srpska.”

Fakt është, që SHBA i ka ndihmuar për paqen asokohe Bosnjë-Hercegovinës, në një kohë kur Europa nuk donte të vepronte me vendosmëri. SHBA-ja vazhdon të jetë e angazhuar në Ballkanin Perëndimo – pavarësisht që nismat si ajo aktuale e të ngarkuarit të posçaëm të SHBA-së për Kosovën Richard Grenell mund të cilësohen si dritëshkurtër dhe të rrezikshme. SHBA-ja mbetet një aleate e fortë në Ballkanin Perëndimor, që ndërmerr iniciativën. Edhe rezoluta e senatit të SHBA-së në jubileun e 25 vjetorit të gjenocidit Srebrenicës deri më sot nuk është ndërmarrë nga asnjë shtet europian.

Ku ka mbetur Europa? Europa duhet sërish të angazhohet më intensivisht në Ballkanin Perëndimor, për të zhvilluar atje shtetin ligjor, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Artikuj si ai i Julian Borger në Guardian janë kthim në një shablon, që nxiti atëbotë luftrat e Ballkanit. Nuk është mirë për Guardian me të tilla rishkrime të nxituara të historisë.

*Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling ka qenë nga viti 1982 deri 1992 ministër federal i Postës dhe Telekomunikacionit nga partia CDU. Ai e dorëzoi postin në shenjë proteste kundër qendrimit të qeverisë gjermane në luftën e Bosnjës. Në vitet 2006/07 ka qenë Përfaqësues i Lartë i BE në Bosnjë-Hercegovinë.

Isabel Allende: Jam 77 vjeçe dhe e di që nëse virusi më kapë, do vdes

Mbi pandeminë dhe frikën

Nga Isabel Allende

Meqenëse Paula (vajza ime) vdiq 27 vjet më parë, unë kam humbur frikën e vdekjes. Para së gjithash, sepse e pashë të vdiste në krahët e mi dhe e kuptova që vdekja është si lindja, është një tranzicion, një prag dhe kam humbur frikën e saj personalisht.

Tani, nëse virusi më kap, unë i përkas popullatës më të rrezikuar, të moshuarve, unë jam 77 vjeçe dhe e di që nëse e marr, do të vdes. Kështu që mundësia e vdekjes është shumë e qartë për mua tani, e shoh atë me kuriozitet dhe pa frikë.

Ajo që më ka mësuar pandemia është të kuptoj se sa pak më duhen. Nuk kam nevojë për të blerë, nuk kam nevojë për më shumë rroba, nuk kam nevojë të shkoj diku apo të udhëtoj. Unë mendoj se kam shumë. Shikoj përreth në shtëpi dhe pyes veten përse.më duhen të gjitha këto. Pse më duhen më shumë se dy pjata?

Po zbuloj se kush janë miqtë e vërtetë dhe njerëzit me të cilët dua të jem.
Virusi po na mëson përparësitë dhe na tregon një realitet. Realiteti i pabarazisë. Si disa njerëz e kalojnë pandeminë në një jaht në Karaibe dhe njerëz të tjerë vdesin nga uria deri në vdekje.

Ai gjithashtu na mësoi që ne jemi një familje. Dmth ajo që ndodh me një qenie njerëzore në Wuhan, ndodh me planetin, ndodh për të gjithë ne.

Nuk ka më asnjë ide të tillë fisnore që ne jemi të ndarë dhe se ne mund të mbrojmë grupin ku bëjmë pjesë ndërsa pjesa tjetër e njerëzve nuk na intereson. Nuk ka mure, nuk ka mure që mund të veçojnë njerëzit.

Krijuesit, artistët, shkencëtarët, të gjithë të rinjtë, shumë gra, po e konsiderojnë një normë të re. Ata nuk duan të kthehen në atë që ishte normale.
Ata pyesin veten se çfarë botë duam.

Kjo është pyetja më e rëndësishme tani.
Kjo ëndërr e një bote tjetër: ne duhet të shkojmë atje.

Dhe unë reflektoj: në një moment të caktuar kuptova se njeriu hyn në botë për të humbur gjithçka. Sa më gjatë të jetoni, aq më shumë humbni. Në radhë të parë, ju po humbni prindërit tuaj, ndonjëherë njerëz shumë të dashur përreth jush, kafshët shtëpiake, vendet dhe madje edhe fakultetet tuaja.

Ju nuk mund të jetoni në frikë, sepse kjo ju bën të imagjinoni gjëra që nuk ndodhin dhe vuani dy herë më shumë.
Ne duhet të pushojmë pak, të përpiqemi të shijojmë atë që kemi dhe të jetojmë të tashmen”.

Vetëdijësimi i qytetarëve, e vetmja mundësi për ndryshim! – Nga Florim Zeqa

Përçarja e skenës politike e nisur ne fillet e saj po vazhdon edhe në ditët e sotme. Shkaktimi i krizave të njëpasnjëshme institucionale në vend janë produkt i kësaj klase politike, e cila asnjëherë nuk u muar seriozisht me problemet e qytetarëve, por vetëm për interesat e tyre personale.

Rënja e paralajmëuar e ‘Qeverisë Hoti’ nuk është e para dhe as që do të jetë e fundit. Sikurse qeveria paraprake edhe kjo do të rrëzohet nga brenda e jo nga jashtë.

Humbja e fuqisë politike të një lideri partiak në koalicionin qeverisës po bëhet shkaktar i rënjes së qeverive, madje kjo tashmë është bërë dukuri e zakontë.

Uniteti i brishtë qeveritar dhe opozicioni i liderëve partiak po bëhet shkas i rënjes edhe i kësaj qeverie, e cila deri më tani, në mos për suksese, është shquar për urtësi dhe maturi politike.

Me rrëzimin e ‘Qeverisë Hoti’, po bëhemi shëmbulli më i keq në rajon i rrëzimit të dy qeverive brenda gjashtë muajve me pandeminë si “senduiq” në mes!
Rënjen e ‘Qeverisë Hoti’ nuk mund ta parandaloj as shkopi magjik i zgjidhjes së të gjitha problemeve.

Pavarësisht faktit, se sa gjatë do të mbetet në pushtet, ‘Qeveria Hoti’ shënoi rekordin e parë të zgjedhjes së dy qeverive brenda një legjislature të Kuvendit!

Se a do të thyhet ky rekord apo do të shkohet në zgjedhje të parakohshme, sërish varet nga dakordimi i krerëve të këtyre partive politike, të cilët përafërsisht janë bërë të gjithë të njëjtë.

Pavarësisht se kush do të vie nesër në krye të ekzekutivit, përseri do të përballet me të njëjtat probleme dhe vështirësi. Me vete do ta ketë edhe “Lista Srpska”, si një të keqe të domosdoshme, që kjo klasë politike e pranoi si kategori kushtetuese me vende të rezervuara në Kuvend.

Bashkëjetesa me virusin do të jetë një e keqe shtesë, e cila i ka sfiduar edhe qeveritë e vendeve më të fuqishme, e lërë më neve se jemi ende në margjinat e ndërtimit të shtetit.

Shihet qartë se partitë aktuale nuk janë të afta të përballen me problemet madhore që ka vendi, e aq më pak me menaxhimin e pandemisë.

I suksesshëm në drejtimin e shtetit do të jetë një lider apo një subjekt politik që është i gatshëm t’i merrë jo vetëm meritat, por edhe të gjitha përgjegjësitë për dështimet gjatë rrugëtimit politik.

Krijimi i blloqeve të reja politike, jo vetëm që nuk paraqet shpresë dhe shpëtim për vendin, do ta zgjasë “Status Quon” politike si dhe do t’ua shtojë vuajtjet qytetarëve të vendit dhe brengat e mërgimtarëve.

Për shkak se këta politikan, jo vetëm që s’dinë dhe s’kanë kapacitet, nuk mund as të zhveshen nga interesat personale, gjegjësisht nga zhvatja dhe grabitja e posteve, gënjeshtrat dhe mashtrimet e përditshme.

Shpresa mbetet tek ngjizja e një alternative të re politike dhe tek vetëdijësimi i qytetarëve, me mosvotimin e politikanëve mashtrues si e vetmja mundësi për largimin e kësaj klase të papërgjegjshme nga skena politike.

PËRGATITJA E MËSUESIT SI EDUKATOR I NXËNËSIT. SYNIMET E EDUKIMIT – Nga MSc. Albert Habazaj*

 

Përmbledhje/ Abstrakt

Me këtë kumtesë mbi procesin e edukimit kulturor në shkollat tona, do të përqëndrohemi në ecurinë e zhvillimit të arsimit të fëmijëve tanë, që natyrshëm kalojnë me botën e librave në vend të parë dhe me botën e lodrave në vend të dytë. Nxënësi ynë përparon kur funksion si duhet edukimi në familje dhe në shkollë, nëpërmjet raportit të drejtë të trekëndëshit: prind – nxënës – mësues, sa klasik aq dhe bashkëkohor, për nga dobia e rezultateve që ka sjellur, kur ka funksionuar sipas standardeve të kërkuara. Synimet e edukimit arrihen me ndershëmëri profesionale, me kulturë qytetare, me dashuri ndaj nxënësit, si ndaj fëmijës tënd dhe me vlerësimin e punës në grup, duke e konsideruar veten si pjesë e së tërës. Që udhëtimi i edukimit të vijojë përditshmërisht normalisht, ndër tre hallkat e zinxhirit të artë, gjykojmë se parësore del përgatitja e mësuesit si edukator, jo thjesht si teknicien, ekspert mësimor, por sidomos zotërues i metologjisë në procesin mësimor dhe edukativ të klasës e shkollës sonë. Nuk mund ta quajmë të drejtë që përgatitja e mësuesit si edukator të shikohet si ishull më vehte, e shkëputur nga dy hallkat e tjera të rëndësishme të sistemit: prindi dhe nxënësi. Secili ka vendin dhe rolin e tij në këtë proces, ku mësuesi jep dije e kulturë, nxënësi merr dije dhe edukohet, ndërsa prindi vijon me format e tij etiko-morale edukimin në familje, duke qenë hallka e ndërmjetme midis dhënësit – mësues dhe marrësit – nxënës.

Fjalët çelës/ kyçe: edukimi, shkolla, përgatitja, raporti mësues – nxënës – prind

  1. Hyrje

Në rrafshin e pedagogjisë, kur flasim për edukimin, kuptojmë procesin e gjerë të formimit tërësor të personalitetit të njeriut, zhvillimin e tij gjatë gjithë jetës. Edukimi është një veprimtari e organizuar, e vetëdijshme, për të ndikuar mbi njerëzit, sidomos mbi brezat e rinj, për t’i formuar ata sipas një synimi të caktuar. Hapësirat e edukatës, ose përmasat e saj janë shumë të gjera. Ato shtrihen në tërë jetën tonë. Ndër fushat më kryesore, kryesisht në kuptimin, brendinë, rrugët kryesore të edukimit, prof. Musa Kraja ndërton këtë pemë pedagogjike të hapësirave të edukatës: “1. Edukata mendore, 2. Edukata morale, 2.1 Rrugët kryesore të edukimit moral, 2.2. Dy fushat konkrete të edukimit moral, 3. Edukata e punës, 4. Edukata teknike, 5. Edukata fizike, 6. Edukata shëndetësore, 7. Edukata estetike”[1]. Çdo mësues e ka të qartë se ato zhvillohen në harmoni me njëra-tjetrën dhe jo të shkëputura, pra, edukata mendore zhvillohet në harmoni me edukatën fizike, edukatën e punës, morale, estetike, teknike, nëpërmjet veprimtarisë arsimore, edukative të shkollës, të institucioneve të tjera, të medias, familjes etj. Nxënësi formohet në dy hapësira të tilla që cilësohen si makromjedis dhe mikromjedis. Mikromjedisi përfaqëson ato rrethana dhe kushte konkretet në të cilat nxënësit tanë sillen ditë për ditë, kalojnë sidomos një pjesë të kohës së lirë. Këto mjedise i ndeshim kudo, si në krye të ndonjë rrugice, në sheshe, në oborrin e shkollës, në rrugë, në varësi të lagjeve të vjetra dhe tradicionale të qytetit, në një shesh fshati, tek furra, klubi, fusha e lojës etj. Ndërsa makromjedisi përfshin gjerësisht mjedisin e qytetit, të zonës, lagjes apo fshatit. Ka efekt shumë të madh në edukim. Makromjedisi i Dukatit, Nartës apo Kaninës nuk mund të jetë si në një zonë në Dibër, Elbasan apo Korçë. Shkolla është institucioni i mësimit dhe edukimit, shtëpia e dritës së dijes, vatër e edukimit kulturor. Edukimi i nxënësve kërkon marrëdhënie të shëndosha të trekëndëshit mësues – nxënës – prind. Po bëjmë një paralelizëm jo thjeshtë për ilustrim figurativ. Nuk mjafton që pema të mbillet për t’u rritur e shëndetshme, duhet të ujitet, të krasitet, të punohet toka rrotull pemës (të prashitet, të plehërohet) etj. Agronomët, fermerët, bahçevanët i njohin mirë këto procese jetike për pemën dhe ia bëjnë me përpikmëri dhe në kohën e duhur. Kështu funksionon edhe puna me fëmijën, me nxënësit tanë. Falë përvojës shumëvjeçare në arsimin e cilkit të ulët, kemi vënë re që ka prindër që thonë: “Unë të dorëzoj fëmijën, ti, zotni mësues apo zonja mësuese je përgjegjës/ e për gjithçka ndaj tij”. Nuk mendojmë se është i drejtë një qëndrim i tillë i papërgjegjshëm, sepse fëmija vërtet në shkollë merr bazat e arsimimit dhe edukimit qytetar, por fëmija, që na është besuar, ka prindërit e tij, babën e nënën, që janë të pazëvendësueshëm, jo vetëm se është krijesa e tyre, por është edhe vijimi i jetës së tyre, kopja e tyre në kohë të re. Nga ana tjetër, në jo pak raste, mësuesi shfajsohet: “Është fëmijë me problem filan nxënës, s’merrem me të”. Edhe në këtë rast kemi mungesë përgjegjësie dhe aq më keq pandershëmri profesionale. Në qoftë se prindi, vërtet është babai apo nëna e nxënësit, ai në jetë mund të ketë profesion tjetër që ushtron, (jo detyrimisht mësues); mësuesi është në profesion mësues dhe detyrimisht duhet ta bëjë shumë mirë, sepse paguhet për ta ushtruar këtë profesion të nderuar me fëmijët, me brezat. Fëmijët vijnë në shkollë që të mësojnë lëndët sipas programit mësimor orë pas ore, ditë pas dite, semestër pas semestri e vit pas viti. Ata vijnë po aq të edukohen sipas normave qytetare dhe këto mesazhe edukimi t’i mishërojnë në jetë, të formësojnë shprehitë e kulturës qytetare dhe të rriten të shëndetshëm fizikisht, shkollarisht dhe qytetarisht. Në qendër të vëmendjes është nxënësi/ nxënësja. Që ai/ ajo të rritet dhe të bëhet i denjë për shkollën, familjen e shoqërinë, prindi dhe mësuesi duhet të bashkëpunojnë papushim, pa u lodhur, pa lozur “hidh e prit” “kungulleshkën” në kurriz të edukimit të nxënësit, por, në kuptimin më të mirë të fjalës, duhet të jenë shokë të ngushtë, sepse kanë një qëllim: edukimin e fëmijës/ nxënës. Nuk është objekt i kësaj kumtese puna e prindit me fëmijën e tij, por objekt kemi punën tonë si mësues me nxënësit tanë. Me kohë ka fituar qytetari shprehja “Mësuesi është prind i dytë për nxënësin” dhe popullariti i saj është mbushmendës, i motivuar. Kyçi për suksesin në punën me nxënësit është: mësimdhënia. Nuk është fjala vetëm tek spjegimi i duhur për dhënien e dijeve të mjaftueshme nxënësit hap pas hapi, por së pari komunikimi me ta, mënyra e të sjellurit, se, siç na kujton fjala e urtë e popullit: “Ç’të mbjellësh, do të korrësh”. Komunikimi është art më vete, art i bukur i fjalës së shprehur, ndëraq më i vështiri, po sa fisnik. Me fjalën e ngrohtë e bën për vete nxënësin e ai të do si prind; me fjalën e ftohtë, e largon, e humbet respektin e mundshëm të tij. Nxënësi vjen në shkollë të mësojë, të nxëjë, se ka nevojë të mbushet me dije. Ai vjen në shkollë të formohet, të edukohet, të zbatojë normat, rregullat, rregulloret, ligjet, kodet etike dhe estetike të jetesës. Nuk janë të gjithë nxënësit të mirësjellshëm në shkollë, se, po themi, ashtu janë mësuar në jetën parashkollore. Mësuesi prandaj është mësues, që t’i mësojë dhe edukojë, me qetësi e dashuri, pa i fyer, pa i prekur në personalitet, sepse temperamentet e tyre përbëjnë variante mozaikore, që nuk mund t’i imagjinojmë. Këtu ne na vjen në ndihmë pedagogjia dhe psikologjia. Prapë urtësia popullore na sjell në kujtesë fjalën e rrallë: “Gjuha hekur s’ka e hekur thyen”. Mësimdhënia nuk është abstrakte: nuk do të thotë të përvetësosh veç disa rregulla, ndërtime fjalish, pra nuk bëhet fjalë vetëm për lëndën në vetvete në lidhje me nxënësin. “Gjuha dhe kultura ndikojnë pareshtur mbi njëra-tjetrën”[2]. Misioni ynë realizohet përditshëm në punën tonë me nxënësit e vështirë, të zgjuarit dhe nxënësit me kufizime të lehta. Thuhet se nxënësit me dhunti, një dorë të ngrohtë mësuesi duan dhe ecin. Vullneti, dëshira dhe ndershëmëria profesionale shfaqem më dukshëm në punën e diferencuar me nxënësit me probleme, apo të vështirë si quhen ndryshe.

  1. Procesi i të nxënit, një proces i motivuar

Procesi i të mësuarit, në të cilin marrin pjesë mësuesit dhe nxënësit, përbëhet nga mësimdhënia, që realizohet kryeshisht nga mësuesi si organizator dhe drejtues i procesit mësimor, si dhe nga të nxënët, proces që e realizon nxënësi, fillimisht nën drejtimin e mësuesit dhe, gradualisht, drejt një të nxëni të pavarur. Ndodh që konceptet “të nxënit” dhe “të mësuarit përdoren në vend të njëri-tjetrit. Në fakt, ekzistojnë edhe kuptime të tjera.

Të nëxënët është një proces, nëpërmjet të cilit çdo nxënës dhe çdokush tjetër fiton njohuri, shkathtësi dhe shprehi. Njeriu gjatë gjithë jetës është nxënës. Edhe mësuesi mëson për vete, freskon njohuritë e fituara dhe aftësohet më tej, që të jetë mbushmendës, i plotë dhe jo i cunguar në dijet që u jep nxënësve, në përputhje me grupmoshën, programin mësimor – edukativ etj. Pra, kur themi që njeriu mëson gjatë gjithë jetës, kemi parasysh gjithë periudhën jetësore të tij, që sa lind, gjatë foshnjërisë, fëmijërisë e deri në pleqëri; mëson në shtëpi, në shumë fusha; mëson në shkollë, madje me synime të caktuara, sipas planeve dhe programeve të përcaktuara nga organizmat kompetente, për një vëllim të caktuar informacioni, njohurish, dhe arrin në përvetësimin e mënyrave të reja të zgjidhjeve, të kuptuarit, zbatimit të tyre në praktikë. Në këtë rrafsh, duke bërë dhe lidhjen e mikromjedisit me makromjedisin, njeriu mëson në shkollë, por mëson edhe në shoqëri, në libra, nëpërmjet burimeve të tjera të informacionit, duke mbetur të nxënit një proces i pandalshëm; mëson edhe në mënyrë të organizuar (në shkollë dhe në institucione të tjera që punojnë me plane dhe programe të caktuara), por ky proces, jashtë shkolle është edhe i rastësishëm. Ne përpiqemi që ky organizim të bëhet edhe në shtëpi. Në të nxënët nuk mund të kërkojmë receta absolute, pasi tek çdo nxënës ka edhe diçka origjinale në të nxënit e tij. Kjo nuk do të thotë që nxënësi të mos marrë në konsideratë përvojën e të tjerëve, kur ajo jep rezultate të mira. Ne mund të ndihmojmë nxënësin që të zgjedhë metodën më të mirë të të nxënit. Ky proces realizohet në mënyrë individuale. Prindi i cakton fëmijës një kënd të nxënies, por mbajtjen, shfrytëzimin e bën vetë nxënësi. Ai zgjedh mjetet shumë të domosdoshme, të cilat i përdor jo vetëm njëherë, por i ka mjete pune të përhershme, si fjalorë, atlasë, libra ushtrimesh, veç teksteve bazë të lëndëve. Të nxënit, si proces, nuk ndalet vetëm në kapjen e informacionit, edhe pse shfaqja e një modeli mund të thjeshtësojë përpunimin e përgjigjes. Përvetësim të vërtetë të informacionit do të vëmë re vetëm nëse kjo do të ketë një përgjigje të subjektit ndaj situatës dhe sipas konstruktivizmit (frytshmërisë, dobishmërisë; shën. im – A. H), nëse do të ketë kuptim apo ndërgjegjësim të kësaj sjelljeje të re, gjë që çon në një konceptim nga ana e nxënësit.

Si rrjedhojë e re e të nxënit, nga faktorë objektivë dhe subjektivë, nga familja, shkolla, shkolla, shoqëria, media, nga studimi individual, vetëedukimi, vetëveprimi, vetëarsimimi, këmbëngulja, ambicja nga nxitja dhe stimulimi i përdorur prej mësuesve, shkollës, institucioneve të specializuara, etj., sigurohet një përvetësim aktiv, nxitet më tej mendimi dhe veprimi i nxënësve. Ky është edhe synimi i punës sonë si mësues. “Shkolla nuk është as vend i “pavarësisë së nxënësit” nga mësuesit, por as fushë beteje, për të treguar “Unin” apo egocentrizmin pedagogjik të mësuesit”[3]. Një vëmendje e veçantë ndaj teknikave të informacinit, teknikave të të nxënët shkollor ka dhënë rezultat, si një veprimtari me karakter të thelluar individual, prej nga rrjedh edhe domosdoshmëria e njohjes dhe e zotërimit të teknikave për ta realizuar atë si një rrugë që lehtëson shumë përqëndrimin e forcave dhe energjive tek nxënësi. Në aparatin pedagogjik të tekstit mund të formulohen pyetje nga vetë nxënësi. Pas pyetjeve shtrohet problemi i vetëkontrollit, leximit aktiv me theksime të veçanta në pauzat domethënëse dhe në të menduarit gjatë asaj kohe, në shënimet gjatë të lexuarit, në nxjerrjen e çështjeve kryesore, në formulimin e një skeleti etj., aty zënë vendin edhe riprodhimi i informacionit, zbatimi i tij si efektshmëri e të nxënit. Niveli më i lartë i veprimtarisë është zgjidhja e problemeve me ndihmën e njohurive të reja të përvetësuara. Provimi është metodë e të nxënit intensive. Kur flasim për teknikat e të nxënit, kujtojmë skemën e thjeshtë që përfshin:

  • Të dëgjuarit
  • Të lexuarit
  • Të shënuarit
  • Riprodhimi i pavarur
  • Diskutimi
  • Zgjidhja e problemeve.

Është thënë që të nxënit është një proces i motivuar. Nxënësi mund të mësojë nga që i pëlqen të nxënit. Është e nevojshme të theksohet se në organizimin e mësimit, nëse duam të kemi pjesëmarrjen e nxënësit duhet të fillojmë të sigurohemi që rezultati i pritur të integrohet midis projekteve të subjektit, domethënë të merret nga ai si një kontribut për realizimin e objektivave të tij. Mësuesi mund të ruajë procedurën e tij vetëm pasi të jetë informuar mbi gjuhën, konceptet, aftësinë e funksioneve mendore dhe stilet e njohjes së nxënësit. Në praktikë, njohja e nxënësve duhet të jetë objekt i vazhdueshëm i kërkimit nga ana e tij. Në këtë kuadër, është me interes të shihet se ç’vend i lihet motivimit, nevojave dhe interesave të nxënësit, cilët janë funksionet mendore të nxitura, cilat janë modelet e propozuara dhe cili është qëllimi për të cilin i vendosim nxënësit:

– Sepse do të marrë fillimisht nota të mira dhe më tej një dëftesë, diplomë a çertifikatë;

– Sepse nuk do të përsërisë vitin shkollor;

– Sepse ngulmojnë prindërit dhe nxënësi nuk do t’ua prishë atyre. Në këtë pikëpamje, ndeshim dhe alternativë të kundërt. Ajo që është themelore për ta kuptuar është se fëmijët mësojnë në mënyrë të pavarur, jo në grupe (siç ndosh me konviktorët – nxënës të shkollave të mesme apo studentët e universiteteve); ata mësojnë nga interesi dhe kureshtja që kanë, jo nga tendenca për të kënaqur të rriturit.

– Sepse dëshirojnë të përmbushin një ego personale;

-Sepse kërkojnë të arrijnë synime personale në gjuhë të huaj, në matematikë etj., nëpërmjet të cilave të arrijnë objektiva të domosdoshme për vetveten.

Të nxënit mund të udhëhiqet nga qëllime të çastit ose nga një gjerësi e qëllimit të tij në të mësuar. Gjithashtu, të nxënët është rezultat i aftësive të shumta: lidhet me aftësinë për të planifikuar kohën, për të mos pranuar ndikimin e elementëve irelevantë (të panevojshëm, të tepërt, të pavend; shën. im – A. H) të nxënit, për të shmangur tërheqësit e vëmendjes, për të zotëruar veten, për t’u mbështetur në forcat e tij, për të bashkëpunuar në grup.

  1. Përgatitja e mësuesit si mësimdhënës, si edukator i nxënësit

Në punën e përditshme me nxënësit, me klasat, mësuesi nuk mund të shfaqet thjesht si një profesionist i aftë dhe aq. Për profesionin mësuesi ka marrë diplomën. Siç u shprehëm edhe më lart, mësuesi punën e ka me nxënësit dhe me librat, me tekstet mësimorë dhe ato ndihmëse të edukimit të nxënësve të tij. Si frymën që merr, mësuesi duhet të përditësojë njohuritë bashkëkohore. Aq më tepër rritet përgjegjësia e tij për thithjen e materialit të nevojshëm nga bota e informacionit, sidomos sot kur fëmija është më i zgjuar dhe, të paktën, ka njohuri më të shumta se bashkëmoshatarët e tij para 10 vjetësh. Përse mos të shtrojmë pyetjen: a është i aftë mësuesi të ndjekë prurjet e reja nga bota digjitale? A është zoti t’ua transmentojë në mënyrën e duhur dhe në masën e caktuar fëmijve që prindërit i kanë dërguar në shkollë për të nxënë? Mos vallë ka edhe raste kur mësuesi sfidohet nga nxënësi për mikrobotën e dijeve të marra nga libri dhe interneti? Si përballohet kjo gjendje? Së pari, një gjendje e tillë as që nuk duhet të mendohet nga askush prej armatës së mësuesve, sepse nuk jemi thjeshtë mësimdhënës, por misionarë të dritës diturore.  Një mësues i paplotësuar me dije të përditësuara ndoshta do të ishte më mirë të bënte diçka tjetër më të dobishme për vete e për familjen e tij se sa të futej në klasë, në auditoret e shkollës dhe të ndjenjte skuqje në ndërgjegjen profesionale, kur intuita, memoria e mbushur nga të dhënat që na “bombardojnë” nëpërmjet celularit, laptopit, kompjuterit e mjeteve të tjera të “qelqit digjital” apo freskia informative e ndonjë nxënësi me prirje apo kushdo qoftë tjetër ta zinte “gafil”…, domethënë të papërgatitur!…

Mësuesi, qoftë tek nxënësi, qoftë tek prindi, është imazhi i edukimit të fëmijës që vjen në shkollë të pajiset me dije e kulturë qytetare. Kujtojmë dijetarët e periudhës së lashtësisë, që nga Soktrati, Platoni, Aristoteli, Demokriti e Kuintiliani, të cilët që ndikuan fuqishëm në edukimin e brezave, i mësuan ata dhe i pajisën me dituritë e duhura, hodhën themelet e veprimtarisë mësimore, edukative, duke i pasuruar proceset e teknikat deri tek përcaktimi i tri shkallëve të të mësuarit: intuitën, mësimin teorik, ushtrimet. Mësuesit e sotëm nuk kanë se si mos të kujtojnë me nderim personalitetet pedagogjike në nivel botëror për Mesjetën, të cilët i dhanë një frymë të re pedagogjike dhe të virtytshme arsimit, që nga pedagogu i shquar italian Vitorino de Feltre (1378-1446), që themeloi shkollën e tij “Shtëpia e gëzuar” ku krijoi mjedis tërheqës. Veç letërsisë, në atë shkollë mësohej algjebra, astronomia, dituri natyre etj. Kujtojmë humanistin anglez Tomas Mor (1478-1535), pedagogun dhe reformatorin çek Jan Amos Komenski (1592-1670), mendimtari tjetër anglez Xhon Lok (1632-1704) si dhe pedagogun dhe filozofin e madh zvicerian Zhan Zhak Ruso (1712-1778), i cili gabimisht ka hyrë në një pjesë të mirë të literaturës shqipe si autor francez. Pa u futur në rrjedhën e figurave të shumëfuqishme të arsimit dhe edukimit, do të kishte më shumë dobi për formimin tonë si mësues njohja dhe homazhi për personalitetet që u shquan në mendimin pedagogjik të Kohës së Re, si Johan H. Pestalocin, Johan F. Herbartin, Fridrih Frebel, Adolf Disterveg, K. D. Ushinski, Xhon Djui, Georg Kershenshtajner, A. S. Makarenko dhe William Killpatrirk. Po ndalojmë pakëz tek personaliteti i Johann Heinrich Pestalocit (1746-1827), mësues i shquar zvicerian, studiues, filozof e shkrimtar i përmasave botërore, i cili vuri bazat didaktikën e arsimit fillor. Tek ai spikatën idetë e mëdha për personalitetin e mësuesit, për rolin e tij në të gjithë veprimtarinë mësimore – edukative, për rolin e jashtëzakonshëm të nënës, si edukatore natyrore e fëmijës, për lidhjen e mësimit me praktikën, me prodhimin e jetën, si dhe në fusha të rëndësishme të edukimit moral, të edukatës së punës, etj. Idetë e Pestalocit ushtruan ndikim të madh mbi arsimin amerikan të shek. XIX. Pa e quajtur të nevojshme përmendjen nderuesve ndaj rilindasve tanë, që luftuar për liri dhe arsim kombëtar, duke u përulur para tyre, para pishtarëve të arsimit shqip në shekullin XX dhe dritanëve të dijes në periudhat historike vijuese, mendojmë të përmendim një përkufizim klasifikues të historianit të arsimit, profesor, akademik, Mësues i Popullit Hamit Beqja (1929-2011): “Në pedagogji ka dhe dy ndarje të mëdha-didaktikë dhe edukatë, më konkretisht teori dhe metodologji e të mësuarit (pra didaktikë). Didaktika është shumë konkrete, është shumë aplikative, shumë eksperimentale. Por edhe shumë normative. Dhe kur ka normativitet nuk mund të mos ketë edhe doza pedantizmi dhe pak formalizmi, qoftë edhe “sui generis”[4] (i llojit të vet, lloj më vete, i veçantë; shën. im – A. H). Jemi ndërgjegjësuar për misionin e gjerë socio-edukativ që ka marrë shkolla jonë në ditët e sotme dhe që me sa duket ka për të qenë një konstante që do ta theksojë këtë fizionomi edhe për të ardhmen. Roli i ri i shkollës në formimin qytetar dhe intelektual të nxënësit (brenda hapësirave diturore të grupmoshës) në shoqërinë tonë moderne kërkon një këndvështrim konkret të trekëndëshit mësues, nxënës, “fryma e shkollës” (nga mjediset familjare dhe sociale, gjeografia prej nga vjen kontingjenti nxënësve). Në procesin mësimor edukativ, motivimi i mësimnxënies ka dhënë rezultat kur është parë i pashkëputur pa motivimin optimal në rritjen e efektivitetit të mësimnxënies. Forma më elementare e mësimnxënies konsiston në krijimin e stadeve të nevojës, ku bashkëveprojnë situata “presion – barrierë’ dhe situata “shtrirje – tendencë”. Është i përhapur në shumë vende koncepti i një dinamike si një faktor motivues i shkollarit. Më 1970, Arnold përpunoi modelin teorik të motivimit të mësimnxënies, duke vënë në raport vertikal faktorët: “tension emocionues” – E, “intensitet i impulsit shtytës” – I dhe Frenimi” – R, pra I=E/R. Është pikërisht mësuesi që duhet të jetë mjeshtër i motivimit të mësinxënies, që mësimdhënien e trajton si harmoni e shëndetshme të dy këndvështrimve: mësimdhënia si art dhe mësimdhënia si shkencë. Në arsim roli kryesor është i mësuesit, vështruar në shërbim të bashkëpunëtorit të tij të pandarë dhe të përjetshëm: nxënësit. Kur diskutohet për tekstin është fjala e mësuesit ajo që i jep forcë e jetë. Kur flitet për metodat mësimore, është mësuesi që zgjedh; për edukimin, është mësuesi edukator; për marrëdhëniet mësues-nxënës është pikërisht ai që u jep tonin pozitiv ose dhe për shqetësime të këtyre marrëdhënieve; pra është mësuesi një figurë e pazëvendsueshme, personaliteti i të cilit është i lidhur me tërë problemet mësimore-edukative në shkollë.

Përfundime

Përvoja e punës dhe sidomos ballafaqimi me tekstet e fushës, që e trajtojnë pedagogjinë si shkencë mbi edukimin, edhe ne mund të shprehemi se mësuesi është hallka kryesore e veprimtarisë në shkollë. Ai është drejtues, organizues i procesit mësimor, interpretues i dokumentacionit shkollor, nga puna e të cilit varet veprimtaria e të tërë hallkave që veprojnë në shkollë ose në lidhej dhe bashkëpunim me të. Vetë natyra e punës së mësuesit kërkon që personaliteti i tij të përfshijë:

– Paralelisht vijmë tek idea e parë “lind”. Normalsht pamja e tij të jetë normale. Kjo është e dëshirueshme, kur është e bukur është edhe më mirë.

– Një përgatitje të përgjithshme shkencore dhe kulturore.

– Mësuesi duhet të jetë i thelluar në lëndën e tij, në profilin e ngushtë, duke ndjekur dijet bashkëkohore, informacionin  e ri që sjellin shndërrimet e vrullshme në disiplinën e tij, përvojat e reja, duke zgjeruar dhe aktualizuar në mënyrë të pandërprerë dijet në dispilinën  e tij shkencore.

– Mësuesi duhet të ketë përgatitje pedagogjike, didaktike dhe metodike.

– Mësuesi duhet të dallohet nga pasioni për punën me fëmijët, dashuria dhe respekti për personalitetin e nxënësit.

-Është e domosdoshme që mësuesi të ketë një figurë shoqërore dhe morale të rregullt.

Vetëm kështu, i veshur me këto cilësi e virtyte, mësuesi realizon 5 rolet e tij në shërbim të nxënësve në shkollë si ekspert mësimor, drejtues dhe udhëheqës i klasës së tij, si këshilltar, si model dhe si motivues i nxënësve për një të mësuar aktiv, për të pasur interesim dhe logjikë nga nxnësit e tij.

 

Bibliografia:

  1. Beqja, Hamit: “Gjurmë jete. Vepra 7”, Tiranë, Neraida, 2016.
  2. Buletini shkencor, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, nr. 3/ vol. 2, 2015.
  3. Kraja, Musa, “Pedagogjia”, Tiranë, Migreeralb, 2009.
  4. Tushi, Gëzim: “Edukimi në familje dhe në shkollë: kontekste të reja të marrëdhënieve prind-mësues-nxënës”, Tiranë, Toena, 2017.

[1] ) Kraja, Musa, “Pedagogjia”, Tiranë, Migreeralb, 2009, f. 147.

[2] ) Buletini shkencor, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë,  nr. 3/ vol.2, 2015, f. 186.

[3] ) Tushi, Gëzim:  “Edukimi në familje dhe në shkollë: kontekste të reja të marrëdhënieve prind-mësues-nxënës”, Tiranë, Toena, 2017, f. 276.

[4] ) Beqja, Hamit: “Gjurmë jete. Vepra 7”. Tiranë, Neraida, 2016, f. 146.

 

*Përgjegjës i Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA