VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%
2 Comments
  • author avatar
    Fritz Radovani 1 year ago Reply

    Plotsisht e “besueshme”!!
    Ju pershndes nga Melbourne…

  • author avatar
    Thanas 1 year ago Reply

    Poezi qe i ka qendruar kohes per mendimet dhe realizimin artistik.

Komentet

blank

Zigzaget e rrufeve Poezi nga Elida Buçpapaj

era gjëmon si deti
deti fshikullon si era
era tallazon si deti
deti gulçon si era
era valëzon si deti
deti flladit si era

era është
frymëmarrja e detit
deti është
Princi i kaltër i erës

deti e përpin
si dragua erën
era e përbin
si kuçedër
detin

kur era i futet
në gjoks detit
dhe deti e pushton
fund e mbarim erën
prej këtij trupëzimi
lindi rrufeja
që i djeg
të dy bashkë

reliket e mbetura
janë guaskat

kur qielli përflaket
dijeni
se era dhe deti
njëjtësohen
tallazojnë
gulçojnë
gjëmojnë
përcëllohen bashkë
e zigzaget e rrufeve
janë hiri
i erës së detit
i detit të erës

të shkrumbuar

blank

GËRSHETAT – Poezi nga VEHBI SKËNDERI (18 maj 1927 – 13 qershor 2011)

Si mbron heroikisht brigadën në tërheqje, –
Nazistët i gozhdon pas gurëve e brinjave,
Sikur mbërthen gjarpërinjtë e vetëtimave:
Plagosur rëndë për vdekje Hibe Palikuqi.

Mendon se, veç partizane, është edhe vajzë.
Ka nënën hallemadhe, që e pret!
Gërshetat e bukur, vrik, i futë në trajsë.
Ia nis nënës së vet. (Ndoshta që t’ia ruajë)?

Një fjalë nuk arrin t’u thotë: shokëve, pyjeve,
Luleve, reve, hënës.
Në këto çaste ankthi e tmerri.

Pret me gërshërë gërshetat e ia nis nënës.
Mos ia shëmtojë vdekja.
Mos ia përbaltë dheri.

Gërshetat!

Tiranë, 5 prill 1994

(Nga libri “Bëjmë sikur” 1995)

 

blank

E MORA NË DORË FUQINË Poezi nga EMILY DICKINSON Përktheu Irena Dono

E mora në dorë Fuqinë time
Dhe dola kundër Botës
Nuk ishte aq e madhe sa e Davidit
Por kisha dyfishin e guximit.
Synoja shkëmbin, por unë isha
e vetmja që u rrëzova.
Mos ishte tepër i madh Goliathi
Apo tepër e vogël unë qëllova?
********************

blank

Çeli luleshtrydhja Poezi nga Laureta Petoshati

Nënë, këtë pranverë çeli luleshtrydhja –
lulet e bardha në vazon që vjet mbolle,
e më lutej përulësisht, kur dheun prashisja,
me heshtjen e saj bardhëllore.

Ato petale të holla si kartë cigari,
përgjumur në përtëritje me mirësi,
i ndjellin një tymosje tim vëllai,
mua, letrën e bardhë për poezi.

Befas zemra më mbushet errësirë
e petalet dridhen psherëtimash,
më mungon tmerrësisht nëna ime e mirë,
shpirti çahet me perde vetëtimash.

Çeli këtë pranverë luleshtrydhja, nënë,
në verë do kuqojë nga pjekja, ëmbëlsia,
do të kënaqen fëmijët duke e ngrënë
frutë, nga duart e tua, nga duart e mia.

Të kujtohet ç’më pyesje ndërsa shkruaja,
ç’kanë të përbashkët ushqimi e poezia,
ma jepje përgjigjen kur me ty gatuaja:
kanë një përbërës, që është dashuria.

Nënë, çeli luleshtrydhja lulet e bardha,
malli yt gëzimin ma ktheu në mërzitje
e këtë zymti të shpirtit doja ta ndaja,
si ndahet ushqimi për një përshpirtje.

blank

Më 15 maj 1911 lindi shkrimtari i shquar zviceran Max Frisch

VOAL – Max Frisch (Maks Frish) lindi më 15 maj 1911 në Zyrih dhe vdiq më 4 prill 1991 në Zyrih, ai është një shkrimtar dhe arkitekt zviceran i gjuhës gjermane.

Një anëtar i Grupit Olten, ai konsiderohet të jetë një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë në gjuhën gjermane të pasluftës. Në veprën e tij, Frisch iu kushtoi vëmendje të veçantë çështjeve të identitetit personal, moralit dhe angazhimit politik. Ironia është një tipar domethënës i botimeve të tij pas luftës.

Biografia

Max Rudolf Frisch lindi më 15 maj 1911 në Zyrih. Babai i tij, Franz Bruno Frisch, ishte atëherë një arkitekt dhe nëna e tij Karolina Bettina Frisch, vajza e një artisti, ishte shtëpiake. Vëllai i tij Franz Bruno ishte atëherë tetë vjeç dhe gjysmëmotra e tij Emma Elisabeth, nga martesa e parë e babait të tij, ishte dymbëdhjetë vjeçe. Në vitin 1930, ai filloi të studionte gjermanisht në Universitetin e Zyrihut, por iu desh t’i braktiste për arsye financiare pas vdekjes së babait të tij më 1933. Ai më pas punoi si korrespodent për gazetën Neue Zürcher Zeitung. Midis 1934 dhe 1936, ai ndërmori udhëtime të ndryshme nëpër Evropën Lindore dhe Jug-Lindore dhe vizitoi Gjermaninë për herë të parë më 1935. Libri i tij i parë, Jürg Reinhart: Eine sommerliche Schicksalsfahrt u botua më 1934.

Nga viti 1936 deri më 1941, ai studioi arkitekturë në Institutin Federal të Teknologjisë të Zvicrës në Zyrih (ETHZ). Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, ai u bë një artilier në ushtrinë zvicerane dhe qëndroi në shërbim deri në vitin 1945 për një total prej 650 ditësh.

Projekti i tij i parë arkitekturor u materializua më 1942, kur fitoi konkursin për ndërtimin e një pishine publike të vendosur në qendër të Zyrihut, Letzigraben, tani riemëruar Max-Frisch-Bad. Ai më pas hapi zyrën e tij arkitektonike. Pishina, e ndërtuar përfundimisht më 1949, është ndërtimi i vetëm me përmasa që ekziston ende nga Max Frisch dhe sot ajo ka statusin e një monumenti historik. Në të njëjtin vit, Frisch u martua me Gertrud Constanze von Meyenburg dhe lindi me të dy vajza dhe një djalë: Ursula më 1943, Charlotte më 1949 dhe Hans Peter më 1944.

Më 1947, ai u takua me Bertolt Brecht dhe Friedrich Dürrenmatt në Zyrih të cilët kishin një ndikim në prodhimin e tij letrar. Më 1951, ai mori një bursë nga Fondacioni Rockefeller dhe kaloi një vit në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1954, ai u nda nga familja e tij.

Në vitet 1950, Frisch hoqi dorë nga aktiviteti i tij si arkitekt për t’iu përkushtuar plotësisht shkrimit. Nga viti 1958 deri më 1963, Max Frisch kishte një lidhje me poeten Ingeborg Bachmann. Ai u divorcua më 1959 dhe u zhvendos vitin tjetër në Romë ku jetoi deri më 1965, së pari me Ingeborg Bachmann. Më 1962, atëherë në moshën 51 vjeç, ai takoi Marianne Oellers, një studente 23-vjeçare me të cilën jetoi dhe me të cilën u martua më 1968. Kjo martesë e dytë zgjati deri më 1979. Gjatë një qëndrimi në Shtetet e Bashkuara në 1974, ai takon amerikanen Alice Locke-Carey. Ai përshkruan në një llogari tejet autobiografike me emrin Montauk një fundjavë të kaluar me të në këtë vend që ndodhet në majën lindore të Long Island. Ai u takua me Alisën përsëri më 1980 dhe ata jetuan së bashku deri më 1984.

Si pjesë e Skandalit të Dosjeve në 1990, ai mëson se është spiunuar nga autoritetet zvicerane së bashku me shumë qytetarë të tjerë të vendit.

Më 4 Prill 1991, Max Frisch vdiq nga kanceri në banesën e tij në Zyrih.

Max Frisch është një qytetar nderi i qytetit malor Berzona në luginën Onsernone në Ticino, ku ai punoi për shumë vite. Ai bleu dhe rinovoi një shtëpi në vitin 1964 në këtë fshat. Në murin e varrezave lokale, një pllakë përkujtimore i bën nderim atij.

Arkivat e Max Frisch administrohen nga Arkivi Max-Frisch i vendosur në Institutin Federal të Teknologjisë Zurich (ETHZ). Këto arkiva financohen nga një grant prej 165,000 franga zvicerane i akorduar më 1979 me iniciativën e vetë Max Frisch gjatë jetës së tij.

Frymëzuar nga Brecht dhe ekzistencializmi, vepra e tij, e cila sharton teknika të ndryshme, përfshirë atë të ditarit, shpesh kërkon ironi, regjistër burlesk ose tragjikomik dhe përfshin elemente autobiografike. Drama dhe romanet e tij trajtojnë disa tema kryesore, të lidhura me krizën intime dhe funksionale të shoqërive moderne: konflikti midis identitetit personal, komunitetit dhe shoqërisë, çështja e dyfishtë dhe tjetërsisë, ndikimi i rastësisë dhe fatit, endja gjeografike dhe ekzistenciale, roli i natyrës dhe mitit, marrëdhënia e papërsosur midis sekseve, jeta e dështuar apo edhe besimi dhe tradhtia./Elida Buçpapaj (Wikipedia)

blank

NJERIU QË HUMBI GRUAN NË AMERIKË (ndodhi e vërtetë) – Nga Agim  Xh. Dëshnica

 

 

Treni E-3

Berti, mësues nga Tirana, u njoh me Elsën në Korçë, në një mbledhje kushtuar shkrimtarit Foqion Postoli. Në çastin kur e pa, ai u mahnit nga pamja e saj, nga sytë e flokët e saj të derdhur mbi supe dhe mënyra si fliste, por, mbi të gjitha, nga urtësia. Nuk thonë më kot: “Ja korçare, ja hiç fare!” – mendoi.

Elsa qe lindur dhe rritur në lagjen me rrugica, afër qendrës së qytetit romantik, ku, sipas romanit “Çupat e Vançit”, gratë nën harqet e portave, me fshesë në dorë, merrnin në gojë gjithë dynjanë. Por Elsa qe krejt ndryshe, e mençur, e sjellshme dhe mësuese me kulturë. Gjyshi i saj para lufte, pati qenë tregtar i njohur me tre dyqane, njëri me orendi shtëpiake, tjetri me basme, i treti me këpucë për burra e gra. Mbi portat e hekurta të dyqaneve, lexohej: “Gaqo T. Dreni dhe djemtë.”

Vite më vonë, kur u hapën kufijtë, ata të dy, krahpërkrah, morën rrugën drejt Sofjes me autobusin turk ”Izmir-4”. Por, ndërsa po udhëtonin me trenin E-3, Sofje-Bukuresht, papritur vargu i gjatë i vagonave u ndal në stacionin e qytetit Ruse plot me turq, pranë urës mbi lumin Danub. Berti, pa e zgjatur, nxitoi për te dyqanet pranë platformës së hekurudhës. Teksa po mundohej më kot të merrej vesh rusisht me dy shitëse turke për vodkë polake, treni pa u ndjerë u nis dhe ia mori gruan.

“Më la! – mendoi i turbulluar – Si i bëhet tani? Ku ta gjej Elsën?”

Nga ky ankth, i doli gjumi. I gëzuar si fëmijë vuri re, se ndodhej në shtrat. Hodhi sytë përqark. Jashtë pesë dritareve, dielli i tetorit si në korrik, i zbardhte edhe më grilat e brishta plastike. Në tavan rrathët e ngjashëm me pjata porcelani, të kapura zinxhir, tregonin se ndodhej në vilën e drunjtë A-3, në Medford mbi Boston. Elsa flinte e nuk ndihej…

Tiranë – Milano – Boston

 

E vërteta është pak si ndryshe. Pas kthimit nga Bukureshti, Berti dhe Elsa u larguan nga atdheu në fillim të tetorit, kur mijëvjeçari i dytë po i qasej fundit. Nga Rinasi u ngjitën në qiell mbi Adriatik, me ajrorin e kompanisë Al Italia. Pas dy orësh, zbritën në aeroportin e Milanos. Nga lart shikonin vetëm çati, rrugë e pemë. Të ngujuar për orë të tëra brenda nëpër salla dhe korridore, qytetin e artit e soditën disa herë, në fotografitë me ngjyra të varura nëpër mure. Pra, u desh të prisnin gjatë, deri sa, më në fund, me ajrorin e madh Boing fluturuan mbi Atlantik. Në qiell shijuan ushqime të lehta e pije me ngjyra në pjata e gota plastike, të servirura nga stjuardesa përherë të qeshura, por jo aq të bukura, siç tregojnë reklamat. Hanin e pinin udhëtarët tanë, tok me të tjerët, si në restorantin e hotel Drinit. Lexuan revista në italisht, ndërsa filmin në televizor nuk po e kuptonin. Hera – herës, hidhnin sytë jashtë dritares, nga dukeshin nën re si në hartë, Italia, Franca, Spanja, Portogalia, detet si liqene dhe vargmale. Lëvizja e ajrorit tregohej edhe në tabelat elektronike të vendosura lart. Tej mbi oqean, ku thuhet se ndahet dita me natën, befas dritaret u mbyllën. Ata së bashku me udhëtarët e tjerë, pasi kishin hequr brezat e sigurisë, kthyhen vështrimin në ekranin e televizorit. Tani siguria shprehej tek besimi ndaj Zotit, dashuria për jetën, tek fluturimi i qetë i ajrorit Boing, tek mendja, sytë dhe duart e aviatorëve. Mbresa, që nuk shuhen, të linte zëri aq i ngrohtë i kapitenit në radio, i cili njoftonte se ajrori po i afrohej tokës amerikane. Ja, tek u shfaq Bostoni, midis drurëve dhe ujërave! Zbritja e avionit në pistë u bë e butë. Shpërthyen duartrokitjet përgëzuese të pasagjerëve të çliruar. Më tej u dukën portat, që hapeshin e mbylleshin vetë, korridoret me hapësira të plota, shkallët rrëshqitëse, sallat e gjera dhe doganierët.

Pas kontrollit dhe vulosjes së pasaportave, ata të dy u takuan përmallshëm me birin e tyre. Në rrugë hasën me sherifin e “steit polis”, dhe morën qortime për veturën e parkuar gabim. Djali i doli atij përpara dhe i foli me një anglishte të pastër:

– Më falni, sër! Jam nga Shqipëria, ndërsa këta janë prindët e mi. Kemi shumë vjet pa u parë. Jemi paksa të hutuar.

Oficeri i gjatë, elegant, me kapele republikane, pa të porsaardhurit, u mendua për një çast dhe i nderoi:

– Uellkom in Amerika!

Berti dhe Elsa, të lodhur e me çanta ndër duar, tundën kokën dhe buzëqeshën. Kur hipën në veturë, e mblodhën veten e u gëzuan.

Përshtypjet e para ishin rrugët e gjera e të pastra, automobilët e shumtë, ndërtesat e larta pranë oqeanit, kulla e xhamitë ngjyrë blu Xho Henkok dhe pak më larg Prudenshëlli madhështor, gjelbërimi, lumenjtë dhe urat… Vendi, ku do të banonin, me emrin Medford, në atë muzg me perëndim të purpurtë “uajlld uestern”, u kujtonte Mangalemin e Goricën e Beratit.

Qysh atëherë, kaloi një vit i mbushur me habi të këndshme, jo si ato të Kristofor Kolombit dhe në kohëra të tjera. Pra, Berti dhe Elsa nuk patën fatin t’i zbulonin të parët indigjenët e kulturës së lashtë inkase, me kalorësit trima mbi kuaj të shpejtë, me sokëllima, pupla, harqe, shigjeta e tenda me majë. Ata zbuluan një popull tjetër, me kombësi e raca nga më të ndryshmet, me kapele dhe bluxhinse ala-amerikane, ndër vetura, autobusë e trena të zhurmshëm, që nxitonin në autostrada, mbi ura, nëpër tunele, nën ujë e nën qiellgërvishtëset e reja. Vështronin shpesh hapësirat e kaltra dhe gjurmët e bardha, që linin pas ajrorët e mëdhenj të kompanive Panamerikan, Kanada Erë, Lufthansa, Al-Italia, Sviseri etj. Shikonin hera – herës në ëndërr Tiranën, sheshin me shatërvane dhe zgjoheshin…

B-K. Marti dhe Hejmarketi

 

Hejmarketi është qendra kryesore, më e lashta e Bostonit, ku, përbri

kishave e ndërtesave të larta, ngrihet kulla e orës së qytetit, e ngjashme pak me Sahatin e Tiranës. Ajo kullë shërben edhe si hotel për turistët. Në parkun e gjelbërt, shtatoret e bronzta të guvernatorëve të vjetër heshtin nën hije, mbi plaforma mermeri, a rrafsh me tokën, apo ulur në frona pushimi. Të shtunave këtu vërshojnë turistë të shumtë. I sheh tek ulen pranë tyre dhe fotografohen me ta. Pastaj, njëri pas tjetrit, ecin më tej drejt përmendores “Holokaust”, me shtatë kulla të larta të krijuara me tuba hekuri dhe të veshura me xhama të trashë, ku janë gdhendur kumte dëshmitarësh dhe numrat që mbanin viktimat në kampet Majdenek, Ausviç, Sabibor, Belzek, Kelmno, etj.

Në sheshin ngjitur dëgjohen kitarat spanjolle, fyejt e ëmbël bolivianë dhe bubullimat e tamburëve afrikanë. Në stadiumin e vogël në trajtë gjysmë rrethi, matanë rrugës kryesore, nga kombësi të ndryshme jepen shfaqje me këngë e valle. Në anën veriore ngjitet Hanovër Strit, një rrugë e pastër, që përshkon tejpërtej zonën North End, me lokale të shumta, ku të zë veshi të folura italisht, këngë napoletane dhe violina milaneze.

Në pazarin e zhurmshëm si gjithë pazaret, tregtarë bullafiqë, kryesisht me prejardhje latine, bërtasin sa u nxjerr fyti: “Dallar beg! bak e beg, dallar, dallar!”, ndryshe nga sjellja e urtë e shitësve në supermarketet marramendëse, si Stop end Shop, Uoll Grin, Failins, Bixhejs, Target, Best Baj, Homdipod, Big, Kej Marti, etj.

Një të shtunë, aty nga mesdita, Berti me kapele “Boston”, Elsa me çantë në sup, me autobusin 90, mbërritën në Esembli Skuer (Sheshin e Mbledhjeve”), në B-K. Marti. Ky dyqan i madh ndodhet mbi Boston, në zonën e Samervilit. Aty shiten mallra gjithëfarësh, ushqime e pije, veshmbathje e mobilje, pajisje sportive, mjete shkollore, si edhe aparate elektronikë.

Elsa pa u thelluar shumë, tha:

– Mbarojmë punë këtu, pastaj me autobusin 92, shkojmë për pazar në Hejmarket!

– Si të thuash ti, ashtu do të bëj edhe unë. Ti na solle këtu, ti do të urdhërosh! Boll urdhërova në Shqipëri…

Portat kryesore kanë të shkruar in, (hyrje), diçka e ngjashme me shqipen veriore “in mrèn”, dhe exit (dalje). Me këtë shenjë Bertit i pëlqente të sajonte në shqip: “Ik!” Ndërmjet dy portave, brenda qëndron në këmbë një burrë i moshuar, i shkurtër, i shëndoshë e faqesimite, me kapele “Patriot”. Herë pas here, ai u hedh një sy të shpejtë faturave. Kur porta exit lëshon tingullin ring-ring, blerësit kthehen të shqetësuar. Njeriu me kapele, duke buzëqeshur, e zgjidh çështjen aty për aty. Si duket, arkëtarja s’ka shuar sinjalin e mbrojtjes nga vjedhësit.

Bertit, kur e vizitoi së pari atë, iu kujtua një dyqan ushqimesh me vetëshërbim, që u hap në Tiranë, në rrugën e Kavajës. Me shportë në dorë atje, merrje lirshëm nga raftet mallrat ushqimore. Pasi mbaroje punë, duhej t’i afroheshe arkëtares nëpër një kalim të ngushtë. Porta nuk kishte as ring-ring, as pi – pi – pi. Por, pa kaluar shumë kohë, dyqani i vetëshërbimit i Tiranës u mbyll. Ç’kishte ndodhur? U përfol se ai pati dalë me humbje për shkak të mungesës së sinjalit lajmërues.

 

Kur hyn në B-K.Marti, duhet të vësh syze dielli për shkak të neonëve me shkëlqim të fortë. Të verbon pastërtia e bardhësia e dyshemesë, e rruginave me rafte e varëse të ngarkura me mallra. Palé, dëgjon edhe muzikë klasike të qetë apo moderne. Mallrat e zgjedhura i vendos në karrocë dore metalike, ku mund të hipësh fëmijët, po edhe të mbështetesh vetë. Ka edhe mjete me motor elektrik, me të cilët bredh rreth e rrotull tok me sendet e blera. Vetëm kur do të paguash, çmallesh me radhët tona, përjashto ata që paguajnë me kartë bankare në makinat elektronike, që flasin si njerëz, madje në fund të thonë: “Thenk ju for shoping!” Edhe këtu nuk mungon parulla me dy krahë a reklama “Baj uan, get uan fri!”, (Bli një me pare, tjetrën e ke të lirë!), e ngjashme me reklamën e vjetër në pazaret e Elbasanit, të Tiranës e të Shkodrës: “Sot me pare, nesër pa pare!”

Sapo hyri, Elsa u nda e humbi në pyllin e dendur me fustane, bluza, këmisha, funde, bizhame, çorape, etj. Berti ia mbajti për në repartin e elektronikës.

“Oh, çfarë nuk paska këtu! – fliste me vete. – Radio, manjetofonë, televizorë, kamera, kompjuter, printera, aparate fotografikë, Sharp, Filips, Soni, Leksmark, Kodak, etj. Njëri më i mirë se tjetri!”

Iu kujtua dita kur për herë të parë bleu me autorizim televizorin bardhë e zi, Samsung, montuar në Durrës me pjesë të importuara nga Koreja. Iu deshën atëherë të merrte borxh 4200 lekë të reja, gjë që do të thoshte të dimëronte si ariu në strofkull, plot gjashtë muaj. Televizori kishte vetëm katër kanale, nga të cilët punonte vetëm një, ai i Tiranës. Kurse këtu një televizor me ngjyra Filips apo Soni blihej me punën e një a dy ditëve të zakonshme. Kurse programeve nuk u gjendej as maja, as fundi!

Shoferja e autobuzit 92

 

Berti i hutuar pas mallrave dhe kujtimeve, nuk vuri re se koha po rrëshqiste. Deshi t’u hidhte një sy mobiljeve, por ndërroi mendje. Duhej të shkonin në Hejmarket. Ndaj i ra tërthorë dyqanit të madh dhe vuri re i habitur se qe ngatërruar nëpër veshjet e brendshme të grave, prandaj u tërhoq djathtas dhe doli tek ishte nisur, përballë televizorëve viganë me ngjyra, ku përplaseshin si bizontë, lojtarët e fuqishëm me kaska të futbollit amerikan. Iu bë sikur ishte ulur te shkallët me stola të butë, në stadiumin shumëngjyrësh në Park-uej.

– Ju lutem, ku është dalja? – pyeti një vajzë flokëverdhë me uniformë të kuqe.

– Shkoni drejt dhe merrni djathtas! – iu përgjigj ajo.

– Thenk ju!

Berti eci shpejt e shpejt në atë drejtim, duke parë për bri rreshtat e rrobave të grave. Siç dukej, Elsa kishte humbur në atë pyll me veshje si Liza në botën e çudirave. Ndërkohë, ai u gjend para portës exit. Elsën nuk e shihte gjëkundi. Hodhi sytë në rruginat e drejta, por më kot! Brodhi brenda e përqark portave, thuajse një orë, për ta gjetur e përsëri nuk ia zunë sytë. I nevrikosur, doli në rrugë. Eci poshtë e lart nëpër trotuar dhe, së fundi, hyri në kabinën e pritjes pranë tabelës “stop”, ku në minuta të përpikta kohe ndaleshin autobusët 90 e 92. Atje ishin ulur katër plaka amerikane me flokë të verdhë bukle-bukle e me veshje vajzash. Në qafë mbanin rruaza bardhë e blu, ndërsa në gishtat e duarve – unaza floriri me diamante. Flisnin pa pushim, duke ndërprerë njëra – tjetrën. Berti kapte tek – tuk ndonjë fjalë të tyre nga ajo bisedë e shpejtë. Por, ja, tek u shfaq në kthesë një autobus! Para “stopit”, pa e fikur motorin, ndaloi. U hap porta e parë.

– Bas najnti tu! (Autobuzi 92!) – thirri shoferja.

Berti kishte vënë re, se në Amerikë autobusët drejtoheshin nga burra e nga gra të moshave të ndryshme. Ashtu siç janë në botë gjithë njerëzit, edhe ndër shoferët me uniforma blu, disa qenë të qeshur, disa hijerëndë e pa fjalë, disa të hollë, disa të trashë, të gjatë e të shkurtër, të rruar, por edhe me mjekër e mustaqe, madje edhe pleq, por të shkathët. Thuhej se ditëve të shtuna e të diela, punonin si shoferë edhe studentë, a nëpunës e punëtorë të pajisur me patenta, që i kishin fituar në shkolla automjetesh të rënda.

Njëherë në Nju Jork, pasi kishte ecur në këmbë nëpër rrugën e drejtë numër 10, te një “stop” Berti hipi në autobusin e linjës Bronz-Manhaten. Zuri vend në ndenjësen pranë shoferit, vrau mendjen, lidhi disa fjalë anglisht e i tha:

– Unë kërkoj treni Boston.

– Nga jeni ju?

– Albania.

– Vërtet? Jua gjej unë stacionin.

– Po ju lindur këtu? – e pyeti Berti shoferin.

– Jes! Në Nju Jork. Banoj në Broduej. Dikur kam qenë kampion në boks.

– Boks! A, a, veri gud sport!

– Jes! – qeshi ish kampioni.

– Edhe unë boksier! – ia kthehu Berti.

– Ou! Gud men!

Shoferi nisi t’i tregonte vendet që përshkonte autobusi.

Berti dëgjonte, por shumë fjalë s’i merrte vesh. Hera – herës tundte kokën kot së koti.

– Të pëlqen Amerika?

– Jes! Veri najs! (Po, është shumë e bukur.)

Autobusi 92 shkon drejt Hejmarketit

 

Ndërkaq, plakat hipën ngadalë në autobusin 92 dhe zunë vend në krahun pranë shoferes. Berti i hodhi një sy nga larg supermarketit dhe hipi. Iu afrua shoferes. Ishte e re, flokëverdhë, e qeshur dhe e hijëshme.

– Iskjuz mi! – nisi t’i fliste me një anglishte të çalë. – Unë humbi grua. Mund zbriti dhe shofi prapë dera dyqani?

Shoferja qeshi. Në kor qeshën edhe plakat.

– Okej!

Berti kërceu poshtë dhe u fut te in-i, pa nga larg sallat pa mbarim, dhe doli shpejt nëpër exit.

“Nuk është gjë! – tha me vete. – S’ka Elsë këtu!”

U kthye me nxitim. Hipi përsëri në autobus, hodhi 15 centë te arka dhe u ul përballë plakave. Për të larguar mërzinë, vendosi të vazhdonte shakanë e nisur.

– Grua nuk gjetur! Humbi grua ime!

Katër femrat e plakura me bukle kukurisën, teksa atobusi bëri përpara. Rrugës, grupi katërsh i grave të moshuara nisi një bashkëfjalim gazmor me shoferen. Asnjëra nuk e pyeti Bertin nga ishte, ç’punë bënte e ku banonte. Fjalët e tyre, siç kuptohej, qenë aq të këndshme sa për pak shoferja desh e kaloi një udhëkryq, kur në semafor ishte ndezur drita e kuqe. Frenimi qe i fortë. Udhëtaret, ndonëse u epën përpara, arritën të mbaheshin për bukuri.

Fjalët u prenë. Dëgjohej vetëm motori i fuqishëm, kur makina e gjatë çante drejt qendrës së qytetit…

Berti u hodh e tha:

– Unë humbi grua ime, po unë tjetër gjej!…

Kaq u desh. Biseda u ringjall më e fuqishme me hahaha e hihihi!

Në një “stop” hipën dy gra të kolme, rreth të dyzetave me tipare sllavesh, pa shumë ondulacione. Paguan dhe u ulën përbri Bertit, të vetmit burrë në autobus, me kapele blu “Boston.” Nga pamja ai i mori për ruse.

– Vi ruskie? – i pyeti.

– Da! S’ Maskvi.

Në atë kohë ndërhynë plakat me të qeshur dhe u treguan ruseve se zotnisë i kishte humbur gruaja në supermarket.

Ruset ua kthyen me një anglishte të bukur. Dhe, sakaq, të shtata gratë ia plasën gazit. Një nga moskovitet iu drejtua Bertit në anglisht:

– No problem, çenxh dhe uajf! (S’ka rëndësi, zëvendësoje gruan!)

– Jes! Oçen harasho! – iu përgjigj Berti në dy gjuhë, duke e vështruar rusen drejt në sy, midis të qeshurave si në pijetore.

Më tej, në çdo “stop” zbriste nga një plakë duke qeshur. Në ndalesën e parafundit u larguan edhe ruset. Asnjëra nuk e përshëndeti Bertin, veç shoferen.

Autobusi 92, i mbushur me udhëtarë të tjerë, ndiqte udhën e zakonshme. Shoferja shtrëngonte timonin dhe shihte me kujdes sinjalet. Pra, shakaja kishte marrë fund. Po shqiptari me kapele amerikane “Boston”, dukej se diçka bluante me mend.

Ja, edhe rruga e gjerë! Vetura tutje – tëhu! Kulla e orës së qytetit! Ndërtesat e larta dhe pazari i madh!

Pranë tabelës “stop” autobusi i shpejtë ndaloi.

– Hejmarket! – lajmëroi shoferja.

Berti u ngrit dhe eci drejt daljes, duke u mbajtur nëpër tubat e emaluar. Para se të vinte këmbët në shkallët e autobusit, i foli shoferes flokëverdhë afër veshit, me anglishten e vet:

– Unë ndërroi grua…gjeji tjetër…si ju!…

Shoferja qeshi dhe u duk se u përmend befas.

– Oh, maj gad!…- thirri.

Berti kërceu në trotuar dhe ngriti dorën. Shoferja e çiltër ia tundi kokën si me qortim. Autobusi u nis me zhurmë.

Takimi me shoferen

 

Berti brodhi rreth e qark nëpër pazar, mbushi qeset plot me fruta e zarzavate dhe u kthye në shtëpi. Elsën e gjeti në kuzhinë, tek mundohej më kot të hiqte nga një shishe qelqi tapën e sertë. Filloi sakaq në mes tyre një fjalëkëmbim paksa i zhurmshëm:

– Ç’u bëre, ku humbe, ku e ke mendjen?! Plasa duke të kërkuar!

– Po ti? Mbete rrugëve! U harrove pas fustaneve të grave!

Berti mbahej si burrë dhe bënte sikur nuk dëgjonte se çfarë sajonte e shoqja. Kur gjakrat u ftohën pak, e pyeti:

– Na paske blerë edhe ujë mineral, hë!? Nuk të mjaftojnë bidonat që ke në frigorifer!?

– Hapi sytë, shikoje mirë!

– Ou! Qenka vodkë polake!

– E mora për ty!

– Polakët vdesin për atë të shkretë pije….

– Edhe ti! Mbete duke belbëzuar natën në gjumë: “Votka polake, votka polake!”

– Eh, mirë! Mos u merr me ëndrra, po ma lër mua ta nxjerr atë tapën! Nuk është punë për gra ajo! Largohu, shko laj pjatat!

 

Pas tri javësh, Berti dhe Elsa do të shkonin prapë në Hejmarket. Rastisën shoferen bionde simpatike me autobusin 92. Ndërsa kalonin përbri saj, Berti iu afrua dhe i tha:

– Mem! Aj faund maj uajf! (Zonjush! E gjeta gruan!)

Ajo hodhi sytë drejt tyre, u kujtua dhe ia ktheu buzagaz:

– Sikur në gjithë Bostonin të kërkoni, nuk mund të gjeni tjetër si ledin tuaj!

blank

VRASJA E SHOTE GALICES – Poezi nga VEHBI SKËNDERI (18 maj 1927 – 13 qershor 2011)

 

Shota nuk shkoi, siç thonë, prej plagëve të veta.
Megjithëse njëzet plagë s’qenë pak! Ja piu Këneta gjakun.
Shushunjat ia thithnë pak nga pak.

Ngulur te ky batak, ku pyll harlisen drizat:
Nën terr lufton mushkonjat. Nën diell vret Shota mizat.

Eh, Dadë, motër e dashur! Shtrëngata nuk të ndahet:
“Thumanën pi”, të thonë: “Pi gjersa të thahet!”

Ty, që nderove kombin dhe i tmerrove serbët
(Posa ta ndjenin emrin, elika i bënin këmbët!)
As vetë Qoftëlargu e gjithë mbretëria dreqe
Nuk shpiknë dot për ty mynxyrë më të keqe:

“Me këtë degë shtog”, të thanë, “Vraj kunupet
Gjersa amebë e fundit në horizont të zhduket!”

E nga kjo ndeshje fyese, që s’e ka parë toka
U bëre prapë foshnjë: dhjetë okë mish e kocka.

Po zëri nuk t’u meh: “Ej, krajla e vojvodë!
Dy mijë vjet të shkojnë, unë do të quhem Shotë:”

E gaz buron nga shpirti, si ujët e burimeve,
T’u zbutësh pak pikëllimin bijve të tu… jetimëve.

Shota Galica, kur kaloi kufirin (1926) mori me vete një “çetë” jetimë: fëmijët e trimave të vrarë.

(Nga libri “Bëjmë sikur” 1995)

 

blank

Rezear Xhaxhiu i dërgon letër të jatit prof.Muzafer Xhaxhiut: “Nje leter per Ty, Ne kete 100 vjetor te ditelindjes Tende

Gazetari i njohur Rezear Xhaxhiu i shkruan një letër të jatit të tij Prof.Muzafer Xhaxhiut me rastin e 100 vjetorit të lindjes. Prof Xhaxhiu është ndarë nga kjo jetë më 28 janar 2012, në ditën e lindjes të Ismail Kadaresë. Ai gjithë jetën ia kushtoj letërsisë, studimit, përkthimit, mësimdhënies dhe dijes. Më poshtë po i sjellim lexuesit letrën e Rezearit:
“Nje leter per Ty💌,
Ne kete 100 vjetor te ditelindjes Tende💫.
Sa do te doja te ishe sot ketu,per te te thene disa fjale ne forme perqafimi,malli dhe djali.
Disa fjale qe duhej te t’i kisha thene ne kohen e duhur dhe qe, edhe sot me mundon fakti se perse nuk arrita te t’i thoja.
Ndaj mendova te ta nis kete leter atje,ne shtepine tende,ne rrethin e katert te Parajses se Dantes, atje ku kane habitatin e tyre te diturit e mençur e te urte.
Atje ku ti duhet te jesh tani nen shoqeri te mire mes Getes e Lasgushit,Eskilit, Shekspirit,Homerit, Euripidit,Petro Markos e Drago Siliqit,Nonda Bulkes apo Mark Gurakuqit,Greta Garbos apo Gary Kuperit,shoqeria jote e perhershme e 91 viteve te tua jete.
Dhe te mendosh sa zili te kam.
Ti Bab ndoshta nuk e di, por sa here me mbeshtjell malli per ty hyj neper librat e tu te letersise antike greko-romake, ai Universi yt tokesor ku ti jetoje jeten e vertete dhe komunikoje me Akilin apo Priamin,Odisene apo Edipin,Hektorin,Poseidonin, Beatricen apo Zhuljeten.
Shpesh,dikur, kur isha femije, e me pas student i yti me dukej se ti nuk ishte ai profesori klasik i letersise greko- romake,
por ishe vete letersia antike,here mitologjia dhe here legjenda.
Nje nga ato lloj legjendat levizese qe frymonte,dashuronte,pelqente te bukuren dhe qe kish zbritur rastesisht nga Olimpi I Zotave si per te na rrefyer,ashtu sic vetem ti dije, se çfare behej atje,ne ate bote magjike Perendish.
Ti me rrefeje mua,por edhe gjysmes se Shqiperise qe kaloi ne auditoret ku ti dhe letersine perrallore te grekerve e romakeve ne ate mase, sa qe pas 45 vitesh ne aresim ti u ktheve copez pas cope ne vete letersine antike,madje pse jo ne vete mitologjine.
Ka pastaj dite te tjera qe me merr nje tjeter mall.
Dhe ngjitem neper librat e tu poetike.Ndalem tek “Cmenduri natyre“,pi dashuri ne “Ujrat Pranverore“ apo vallezoj nen rritmin e “Lirikave“dhe te “Kenges se mjelmes“…Me kujtohet kur me thoje se “ sa here kur shkruaj poezi e harroj lexuesin,pasi ne vend te tij kam nje tjeter poet qe me degjon“…
Tani te besoj Bab,sepse edhe kur te lexoj tani ne prozen tende gjej poezi ne brenda saj,pasiqe ti ishe i gjithi poet edhe kur shkruaje ne proze.
Sot ne kete 100 vjetorin tend do te doja te mblidhja bashke te gjithe ish studentet e tu tashme mbi 80 vjeçare,koleget,miqtë,mikeshat e tua,te therrisja ‘Nen arme’ Hektorin e Paridin, t’i beja nje ze Penelopes,te bashkoja Antignen dhe Elektren e Sofokliut,
t’i fishkelleja Driteroit e Dragos,Fatosit e Lasgushit,Dhimitrit e Nashos…dhe ashtu te gjithe bashke te vinin poshte ballkonit,atje ne rrethin e 4-te te Parajses duke kenduar bashkarisht vargun Eskilian
….“Omnia vincit amor“-dashuria triunfon mbi gjithçka.
Sa mall kam sot.Dhe te mendosh se sa e habitshme eshte qe me mungon,me mungon pikerisht atehere kur kam me shume nevoje per ty,edhe pse mungesa jote eshte nje prani e vazhdueshme,fale çka ke lene pas.
Ja pse i falem Zotit,dhe ja pse te falenderoj qe te kam patur Baba.
Vetem me mall❤,
Biri yt,
Rezear Xhaxhiu”
blank
blank

Sot 100 vjetori i Profesor Muzafer Xhaxhiut

Profesor Muzafer Xhaxhiu ka qenë pedagog në Universitetin e Tiranës, studjues, shkrimtar dhe përkthyes shqiptar. lindi në

Ai lindi në Gjirokastër, më 15 maj 1921 dhe ndërroi jetë në Tiranë më  28 janar 2012.

I diplomuar në Beograd dhe në Moskë, për letërsinë klasike greke dhe latine, jeta e tij i është kushtuar gjithmonë klasikëve të mëdhenj të njerëzimit.

Shkrimet e para letrare të profesorit kanë të sigluar vitin 1939.

Veprimtaria krijuese është e shtrirë në atë shkencore, letrare, në përkthime etj.

Si studiues profesor Xhaxhiu do të punonte për etnogjenezën e shqiptarëve, si pasardhës të pellazgëve dhe ilirëve.

Krijimtaria letrare e tij përmendet që nga “Lirikat” në vitin 1957 dhe deri në “Këngët e Mjellmës”, botim i vitit 1999.

Ndërsa, dy nga veprat e tij më të spikatura janë “Letërsia antike greke” dhe “Letërsia romake”.

Muzafer Xhaxhiu mbante titullin “Mjeshtër i Madh” dekoruar nga Presidenti i Republikës për punën e tij afro shtatëdhjetëvjeçare dhe kontributin e çmuar për letërsinë dhe fjalën shqipe.

Janë dhjetra breza studentësh në Universitetin e Tiranës që kanë patur pedagog të letërsisë antike greke dhe romake Profesor Xhaxhiun.

 

… poligloti i përndritur gjirokastrit, Myzafer Xhaxhiu

 

Profesor Myzafer Xhaxhiu njihte 8 gjuhë të huaja. Studiuesi I njohur, I cilësuar si helenisti I fundit shqiptar, mësimin e gjuhëve të huaja e filloi me latinishten dhe greqishten e vjetër që në gjimnaz dhe e përfundoi me anglishten, të cilën e ka mësuar në mënyrë autodidakte.

E ka mësuar italishten në moshën 11 -vjeçare, dhe më pas për nevojë të profesionit I është dashur të mësojë dhe shumë gjuhë të tjera. Nuk ndan asnjë prej tyre. Ashtu sikurse prof. Myzaferi, I cili thotë se po të përzgjedhë njërën prej tyre i duket sikur do të hedhë poshtë gjuhët e tjera dhe shkrimtarët e mëdhenj që kanë përfaqësuar ato. Sepse në fakt, sipas tij, me gjuhën që flet dhe studion, njeriu krijon edhe marrëdhënie shpirtërore. “Duke dashur dhe duke çmuar Shekspirin, Hygonë, Danten, Tolstoin, lidhesh dhe me vendin ku flitet gjuha e tyre”, thekson professor Myzafer Xhaxhiu.

 

Poezia  për të ka qenë ‘stacioni’ i tij i parë

 

Muzafer Xhaxhiu ka lindur dhe është rritur në Gjirokastër. “Gjirokastra, siç është shprehur dikur ai, ka qenë një qytet i çuditshëm, madje vazhdon të jetë i tillë. Ka shumë mister në atë qytet prej guri dhe atje gjërat nuk ngjanin me asgjë tjetër. Pra, vetë Gjirokastra ishte një qytet që nuk ngjante me asgjë. Dëshira për të shkruar nuk më kujtohet saktësisht se kur më lindi. Por kam në mendje nënën time. Ishte bijë nga bektashinjtë e lagjes, Pllakë, në Gjirokastër. Duhet të kem qenë shumë i vogël, kur, me rastin e festës së Novruzit, në një ditë marsi, dëgjoja të thoshte përmendësh disa vargje nga një vjershë e Naimit.

Ç’është ai që shkon kaluar

Është Abaz Aliu

Me dy-tri foshnja në duar,

Ikën si veriu.

Aneja i thoshte këto vargje me një zë si në të qarë. Ka qenë kjo magji që më shtyu t’i thosha: “Dua edhe unë të bëj vjersha si Naimi.” Isha në klasën e dytë fillore, dhe nëna m’u përgjigj: “Proto parë, mëso mësimet dhe bëhu djalë i mirë të të mbajë bota në golë.” (të të lavdërojë bota). Më pas fillova të hidhja ku këtu e ku atje nga një strofë e nga një varg. Herë në letra e herë në fletore, në kapakë librash e ku të mundja. Kështu nisi rruga drejt poezisë…Ishte një kohë e magjishme për krijuesit. Kishte emra dhe stile të fuqishme. Shkruhej drejt dhe fort për halle njerëzish e për një vend që duhej të ishte ndryshe. Secili kishte zërin e tij, penën që e dallonte. Migjeni ishte Migjen, po kështu Bulka, Shuteriqi dhe shumë të tjerë. Unë isha një prej të shumtëve. Vija me skica, artikuj, poezi dhe shkruaja te gazeta “Bleta” apo te “Tomori i vogël”. E kujtoj me shumë mall atë kohë”.

 

Poezi lirike të Xhaxhiut

 

Kusarë

Ma vodhe zemrën,

Kusare!

Pa të, si mund të ndiej?

Dhe tani s’kam ç’bëj,

Do të të vjedh ty!

Kusarë që të dy!

Njësoj.

 

Për V. K. -në

Veten s’e mbyta dot me nikotinë.

Dhe e gëlltita si t’ish ujë e verë,

Paçka se mushkërinë

E kam të nxirë sterrë.

E shoh se koha rrjedh e fluturon,

Dhe e pangopur na gëlltit çdo ditë.

Si me dhe pa cigare, gjë s’ndryshon.

Vdekja çdo çast, njësoj na rri në pritë.

 

E po nuk erdha…

 

Kur të largohem un’ nga kjo jetë,

Qoftë mot i mirë apo shi, furtunë,

Mos qani, veç i ngrini syt’ përpjetë,

Shikoni retë. Aty do jem dhe unë.

I djegur mallit do të zbres në tokë,

Në ndonjë rreze dielli a lot qielli.

Do të pi kafe në ndonjë kioskë me shokë,

A do pushoj në ndonjë hije bredhi.

E, po nuk erdha, lus mos më gjykoni.

Një hall të madh do të kem pas’ në jetë.

Ësht’ më e fortë se vdekja, më besoni,

Kur një Kalipso të zë rob në rrjetë…

Dëgjomëni, pa më përgojoni

Dhe kur të vdes, mos m’i përmendni vitet,

Mos thoni, se ishte kaq e aq,

Iu hoq qafe shtëpisë.

Doni t’jua them?

Vdiqa në moshën e dashurisë.

 

Nga krijimtaria letrare

“Lirika” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1957

“Rapsodi magjare” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1957

“Vargje për dashurinë” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1963

“Ujërat e pranverës” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1971

“Ditë maji” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1987

“Kënga e mjellmës” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1999

“Çmenduri natyre” (poezi) – “Dituria”

Vepra të përkthyera në shqip

“Vesë lotësh” (antologji e poezisë botërore) – Toena, 1994

“Endre Ady” (poezi) – Albinform, 1998

Giovani Bernardi, “Faleminderit” (poezi) – Toena, 1998

“Antologji e poezisë bullgare” – Dudaj, 2001

“Antologji e poezisë lirike botërore” – Toena, 2005

 

Tituj, medalje, urdhra

Mban titullin Profesor Doktor

Medaljen “Mësues i merituar”

Urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë

Urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit të Dytë

Medaljen “Mjeshtër i madh i Punës”, dhënë nga Presidenti i Republikës më 2001-shin /voal.ch/Gazeta Telegraf

 

blank

PRIT, O I VERBËR, PRIT – Poezi nga VEHBI SKËNDERI (18 maj 1927 – 13 qershor 2021)

Mas rrugët e hapësirat vazhdimisht
Posi terziu që mat njerëzit e stofën.
Një zë dëgjoj, si në ëndërr: Prit, o i urtë, prit!
Mos u zemëro me peshqit a me kohën.

Dhe lumin që buron e rrjedh me ngut në det.
Prit, o i mençur, prit! Si mjerë ai që s’pret.

Prit, o i verbër, prit!
Gjersa të ikë dimri dhe të ndërrojë e thëna.
Gjersa të mpaket mali e të plaket Hëna.

Prit, o i marrë, prit!
Gjersa të pjekë fikun akullnaja.
Të shkrijë si dromcë e kripës Himalaja.

Prit, o i shurdhër, prit!
Gjersa të bëhen pluhur zaje e gurë.
Të flakë, i ziu njeri, këtë lëkurë.

Prit, o i urtë, prit!

 

Tiranë, 2 dhjetor 1992

 

(Nga libri “Bëjmë sikur” 1995)

 

blank

Më 13 maj 1948 lindi Natasha Lako, shkrimtare, skenariste, publiciste

Natasha Lako lindi në Korçë, më 1948. Ajo është shkrimtare, skenariste e një sërë filmash shqiptarë, publiciste. Dy here deputete e PD ne Parlamentin e pare pluralist.

Ka botuar disa libra me poezi, si: “Marsi brenda nesh”, 1972, “E para fjalë e botës”, 1979, “Këmisha e pranverës”, Prishtinë 1984, “Yllësia e fjalëve”, Tiranë 1986, “Natyrë e qetë”, Tiranë 1990, “Thesi me pëllumba”, Tiranë 1995, Këmbë dhe duar 1998, Perkthim Tomas Transtromer “Perandoria e barit” 2002, Lëkura e ujit 2005, Ribotim Tomas Transtromer-ripermbledhje” Qielli i lene pergjysem” 2011 Ese Energjia filmike 2006, romanin “Stinët e jetës” etj.”Kunderperfytyrimi” 2016 skenare filmash: Mësonjtorja, Një emër mes njerëzve, Fjalë pa fund, Muri i gjallë, Partizani i vogël Velo, Rruga e lirisë, Një vit i gjatë, Plumba perandorit, I paharruari, Fletë të bardha, Lule të kuqe, lule të zeza, Përcjellja, shkronjat e pavarsisë, Te fala Ndreke Luca, Koha e pelikules( Xhanfise Keko)

E perfshire ne antologji boterore te poezise dhe ne disa permbledhje nderkombetare poetike.

Natasha Lako i përket brezit të parë të grave shkrimtare të vendit.  Lako ka studiuar shkenca politike në Universitetin e Tiranës, i specializuar në gazetari. Ajo ka punuar gjithashtu në New Albania Film Studios në Tiranë.  Nga 1991 në 1993, ajo u zgjodh si anëtare e Partisë Demokratike në qeverinë e koalicionit. Më 1997, ajo u bë drejtoresha e parë e Arkivave të Filmit Shqiptar, duke punuar atje për disa vjet.

Natasha Lako, e cila ka punuar edhe si skenariste, është e martuar me aktorin dhe regjisorin shqiptar të filmit Mevlan Shanaj. Ata kanë dy fëmijë, Hera dhe Joni.(Wikipedia)

blank

O DITË ULOKE – Poezi nga VEHBI SKËNDERI (18 maj 1927 – 13 qershor 2021)

O ditët e mia sakate e uloke.
Ju bluaj, si kocka, çdo çast nëpër dhëmbë.
Dhe nuk ju përcjell dot!
O ditët e mia…
Pa duar e pa këmbë.

Ku shkoni?
Gërmuqeni, tërhiqeni e zvarriteni së prapthi.
S’më vreni, që plasa nga fjalët e urta
dhe ankthi!

Nuk shihni në ç’tmerr jeton Kombi
Më trimi e më Fatkobi!

I vetmi Aparteid… Kosova
I vetmi skllav, në robni, që ka Globi!

Tiranë, 28 prill 1994

(Nga libri “Bëjmë sikur” 1995)

 


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend