VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Më 18 qershor 2010 u nda nga jeta shkrimtari nobelist portugez José Saramago

By | June 18, 2019

Komentet

MUSTAFA MERLIKA – KRUJA: “KUJTIME VOGJLIJE E RINIJE”- KAH FATI I IM – Projekte shkollimi

Kur mbarova të pestin rend të gjymnazit në Janinë, jo veç qi dola i pari në shkallzimin e përgjithshëm, por gati edhe në secilën lândë të veçantë prap pata çmimin e parë. Në mathematikë ishem nji fenomen. Mund të them se n’arithmetikë, në gjeometrí e n’algjebër s’kam çelë ndonji herë libër veçse për të kopjue ushtrimet qi na shënonte profesori për t’i bamë në shtëpi. Mësimi i mësuesit në klasë më mjaftonte. Asnji lândë tjetër s’ishem i zoti të bluej aqë lehtë e aqë me ândë sa këtê.

Profesori i im në mathematikë, Z. Qamil Bala, porsa qenë mbarue provimet dhe kur un po u përgatitshem me kthye në shtëpí për pushimet e verës, më thirri nji ditë e më kshilloi me i premë me kaqë studimet gjymnazore për me hŷmë n’Ingjinjerí, ku pranoheshin edhe studenta të gradës s’eme me nji provim qi ai, profesori i im, ishte i bindun se un mund t’a fitojshem, sidomos po t’i vêhesha m’u përgatitun gjatë pushimevet. I dhash fjalën pa tjetër se do të bâjshem ashtu si më kshilloi, dhe para se me u nisun për Krujë vojtsh e u fala me gjithë Eprorët e mij dhe me shokët për mos me u kthye mâ n’atë shkollë.

Nji nga shokët mâ të dashun qi kishem, Z. Hajri Çani nga Gjirokastra, m’u lut qi gjatë udhtimit t’em të shmângesha për disa dit më tê n’atë qytet, se deshironte qi të njihesha edhe me familjen e tij e në këtë rasë të shihshem edhe kryevêndin e sundimit të Gjin Bue Shpatës. E prita dhe pranova me gzim grishjen e mikut. Bashkë me tê vojtëm fill e në Gjirokastër dhe, natyrisht, rash në shtëpít të tij, ku ishem i ftuem si nji vëlla e ku qesh i pritun bujarisht prej gjithë gjindes së shtëpís. Gjirokastritët kanë famë koprracësh. Un nuk dij se pse. Prova e parë qi kam pasun në këtë rasë në nji familje gjirokastrite dhe tjerat qi më kanë dhânë miq e shokë të mij qyshë prej bankave të shkollave e deri sod, tregojnë të kundërtën. Mue më duket se Gjirokastriti âsht i përkorë e kursimtar, por jo aspak koprrac. Dý cilsít e para janë vërtyte, e treta ves.

Të parën ditë qi u shtruem për darkë në tryezë të Shefqet Çanit – ky ishte kushrí i parë i Hajriut dhe i par’i shtëpís – vûna re se hahej bukë e misërt. Me këtê ishem rritun edhe në shtëpít t’eme. Por në Janinë hajshim bukë të grunët. Pa dashun e pa më shkue mêndja fare me shfaqun nji deshir, por vetëm për nji qëllim studimi shoqnuer m’u dha të pyes:

– Z. Shefqet, vetëm bukë e misërt hahet në Gjirokastër, apo ka dhe të
grunët?

– Ka dhe të grunët, më përgjigjet ai pà shtue asnji fjalë tjetër.

U kujtova për gabimin qi kishem bâmë vetëm nesret në drekë kur pash se në tryezë bukës së kollomboqit i a kishte zânë vêndin ajo e grunit.

Ndêjta nji javë ke miku në Gjirokastër, vizitova e pash anekând qytetin, njoha shumë miq e farefis të mikut t’em dhe u nisa për Krujë asaj rruge qi po rrihshem për të gjashtën herë: Delvinë – Sarandë – Durrës.

Kur i ktheva krahët bregut të Sarandës në vapor, kujtova se nuk do t’a shihshem mâ at’anë si student. Por kishem qênë gabue. T’arrimen në shtëpí e t’u pjekmen me t’im atë, i diftova këtij vêndimin qi kishem dhânë për vazhdimin e studimeve të mija n’Ingjinerí.

– Ku âsht kjo shkollë? më pyeti im atë.

–  Në Stamboll, i u përgjegja.

–  Ç’kâmbë zën ai qi del prej ksaj shkolle?

– Del myhendis.

– Sa e ka rrogën myhendisi?

– Më duket se fillon me 700 grosh,

– S’qênka pun’e keqe, po ti e di se un në punë shkollash s’marr vesht. Kur të vijsh ke Pasha ndonji ditë pyet atê, se ai din me të mësue.

Nuk e zgjata shumë e vojta në Rreth, në nji çiflik t’Esad Pashës afër Shjakut ku ai kishte zakon të shkonte verën e ku im atë i shërbente si qehajà. Dojshem qi vêndimi i im për Ingjinerí të përforcohej nji orë e mâ parë prej t’im et e për këtê prej Pashës. Nesret qi mbërrîna më paraqiti Baba ke Pasha. Kishem marrë edhe deshmín shkollore me vete për t’i a dëftye kur të më pyette se si kishem shkue me studimet. Pasha e pa e mbet shum’i kënaqun. Më lavdroi e më limoi faqen me dorë në shênj dashunije. E mbandej po më pyet:

–  Më tha Mehmet Aga se dashke me shkue në Stamboll në nji farë shkolle qi s’dijti me m’a ftillue mirë; ç’âsht ajo shkollë?

– Shkolla e Ingjineris, Pashë.

– Për me dalë myhendis a?

– Si urdhnoni, Pashë.

– Ç’e do, mre, myhendislikun? Kush t’a paska mësue këtë rrugë?

–  Profesori i mathematikës, tungjatjeta.

– Mashallah, ç’profesor të mirë paske! Kush e paska bâ profesor atë koqe budallai, mre? Myhendis! Ani me këtë farë deshmije qi paske! Të jesh i par’i klasës edhe të lakmojsh me ndërtue rruga, me urdhnue nja njizet a tridhetë puntorë gjithë ditën në shi e në diell me 700 grosh në muej sa të jesh gjallë! Mashallah, mashallah, mos raftë sŷsh ai profesor qi të paska mësue kaqë mirë. Jo, biro, jo; ti mbaro gjymnazin, studjo gjithmonë kështu si ke studjue deri tashti e mbasandej do të hŷjsh në Mekteb-i Mylkije-i Shahane (në Shkollën Civile Mbretnore). Kjo shkollë të qet Kajmakam (Nënprefekt) e t’a çel rrugën deri më Sadrazam (Kancellari i Madh i Perëndorís). A more vesht?

Kështjellet e mija kishin ramun për tokë krejt. Pasha don qi të bâhem Kajmakam, Mytesarrif, Valí, Nazir e Sadrazem! Un diç kam fillue me nxânë e me ndie ndryshe atje në gjymnaz të Janinës nëpër do libra të këqij, nëpër do fletore të liga e nëpër bisedime të fshehta me do ândrratarë mâ të pjekun se un. Kam fillue me nxânë t’i urrej të gjithë ata tituj lartushtues qi adhuronte Pasha. Por ç’me bâmë? Për tashti nji herë duhet me i u shtrue vullnetit të tij. Me mbarue gjymnazin e me u përgatitun për Shkollën Civile Mbretnore. Mbrapa do të shohim ç’na ka premtue fati.

Mbarova pushimet dhe u ktheva prap në Janinë. Kur u paraqita në konvikt e në shkollë, shokët qi kishem përshëndetun për mos me u pamë mâ me ta në këtë vênd, u çuditën e u gzuen. Prof. Balës i a dëfteva krejt të vërtetën. ” S’ka gjâ!” më tha tue dashun me më ngushullue; ” Kështu mendojnë, kështu ndiejnë të gjithë Pashallarët shqiptarë, por nesra âsht e jona, âsht e jueja, e djelmnís qi po rritet.”

Tue kujtue se un s’do të kthehesha mâ, numrin t’em në shkollë i a kishin pasë dhânë nji nxânsi të ri e mue m’u desh me marrë nji tjetër. Në gjymnazet e Tyrqís ishte zakon me u thirrun studentat me nga nji numër e jo për emën e mbiemën. Un tri vjett e para ishem shënue me numrin 20, tashti më dhanë numrin 51.

Edhe ky mot në gjymnazt të Janinës kaloi ashtu si tjerët: me studime të zellshme e me përfundime të shkëlqyeshme. Por shpirtin e kishem gjithmonë pak si pezull, më dukej vetja tashmâ si mik n’atë shkollë, si gardh i shkulun, si nji grue e lëshueme qi kthen prap te burri i parë. Ingjinerija kishte dekun për mue por mêndja nga Stambolli s’më hiqej. Mbasandej, rruga qi do të ndiqshem, rruga e karrjerës s’eme m’ishte caktue; por a do t’ishem un i zoti me ecun asajt? Gjithkush e tregonte të vështirë shumë. Mun atë vjetë ishte sprovue nji shoq i im qi kishte mbarue mjaft mirë gjymnazin po atje në Janinë dhe kishte dështue në konkurs, ishte shtrëngue me ndërrue udhë, me hymë në Medicinë. Konkursi për pranimin në Shkollët Civile ishte i rreptë, lakmija me i a hapun karrjerës së vet atë derë të prarueme ishte e madhe prej kujdo, deshprimi i të dështuemvet i pamasë. Por….ah! sa ironik âsht Fati nga nji herë me robt e vet. Sa herë e kam kujtue e e kujtoj edhe sod me zilí dashamire atë shoq e mik të lumtun qi në 1905 dështoi në konkurs t’asaj shkolle e u shtrëngue me dredhue rrugë, me hŷmë në Mjeksí! Ai kush e di sa deshprimin do t’a ketë pasun n’atë rasë e sa lot ndoshta do të ketë derdhun me at’afshin e nji djaloshi qi kujton se i u mbyllën para sŷve të tij dyert e jetës, dyert e nji jete të lume, bash atëherë kur ato, magjija e Fatit i a ka haprrue sa harku i nji ylberi të shkëlqyeshëm. Ai sod punon e gzon në lumnín e vet, i shërben njerzís e vetvetes, dhe un…. un qi hajsmi pata mâ fat se ai, un qi kam fitue konkursin e Shkollës Civile Mbretnore e kam korrun lavde, un mbas tridhetenândë vjeç prej asaj date, mbas tridhetenândë vjet trazimesh, mundimesh e idhnimesh për nji gjâ qi dikush e quen të shênjtë e dikush të marrë, un do të vijoj edhe sod të daj me të mijt shpërblimin e idhët t’atij fitimi e t’atyne lavdeve, t’atyne trazimeve, përpjekjeve e pikllimeve të vazhdueshme![1] Tash pra, në të gjashtëtit rend të gjymnazit, gjithë mendimi i im ishte ngulun në Stamboll e në Shkollët Civile Mbretnore. Dhe jo për lakmí karrjere si tjerët, se prjerrja e ime ishte mathematika e ingjinerija, por vetëm për sedër e për atë detyrë qi ndiejshem në shpirtit t’em për me kënaqun t’im atë, i cili për me më mbajtun mue në shkollë ishte bâmun rob i nji pune e i nji zotnije. Vêndosa të shkoj e t’a bâj në Stamboll rendin e fundëm të gjymnazit e t’i kaloj atje edhe pushimet e asaj vere për të mujtun me u vûmë në të përpjekun me gjind qi mund të m’udhzojshin në përgatitjet për konkursin e ardhshëm. Këtë mendim nuk m’a kundrështuen as Baba as Pasha. Madje ky m’a pëlqeu fort. Në fund të verës 1906 qi, si gjithmonë, kalova në shtëpít t’eme, u ngrêjta e vojta ke Pasha për t’a përshëndetun e për të marrë kshillet e tija para se të nisesha për Stamboll. Ky më porositi me hŷmë në kolegjët Nymune – i Terakkij qi e drejtonte nji i ungji i së shoqes, Tewfik Danish Beu, për të cilin më dha edhe nji letër. E u nisa për Stamboll.

Ime gjyshe, Nânë-Gonxhja, pat pasun nji parandiesí të çudiçme ksi shtegu. Erdh e më shoqnoi nji copë udhë të gjatë, e gjithsa herë ngulshem kâmbë qi të kthehej në shtëpí, se mbas nji vjete prap do t’u piqshim, ajo më përgjigjej:

– Ehe! mbas ksaj here gjyshen s’ke për t’a gjetun mâ, ti më qofsh bekue e Zoti të dhashtë të mbarën, se nâna e sosi mâ të veten. Por lemë të të përsiell e të të shoh edhe pak për të mbramen herë!

Ishte, për të qênë, e moçme, sigurisht të shtatdhetat i kishte mbushun e kalue. Por e fortë, e s’kishte kurrkund ndonji shênj lëngate qi t’i a kujtonte dekën mâ fort se kur më përsillte vjeshtat e shkueme. Dhe duel ashtu si e kishte pasë ndie. Në pushimet e vjetës tjetër s’e gjeta mâ, mbas pak muejve qi u damë vdiq.

Nymune – i Terakkij-a ishte nji institut i mbajtun mjaft me kujdes, si shkollë e si konvikt. Drejtori i saj Tewfik Danishi ishte nji personalitet në rradhët arsimtare. Un vojta e i u paraqita drejt për drejt atij me deshmín e klasës së gjashtët të gjymnazit të Janinës e me letrën e Esad Pashës. I hodhi nji sŷ mâ parë deshmís, tue e lânë si mbas dore letrën, qi ndoshta e kish marrë për ndonji porosí të mërziçme mbasi un s’i kishem kallzue se prej kuj e kishte, dhe ngrêjti kryet e më shikoi me nji fytyrë haptazi të kënaqun e më tha:

– Aferin! Paske nji deshmí shumë të mirë, këtu te na rrallë herë i tokon nji nxânsi ky fat; nga je ti?

– Nga Shkodra, Z. Drejtor.

Në Tyrqí kur u gjindte kush shumë larg vêndit të vet ishte zakon të tregonte për origjinë kryeqêndrën e vilajetit, si mâ të njohun se qyteti a fshati i tij.

Kapi atbotë e çeli letrën, e porsa njohu nënshkrimin dhe pa e këndue ende:- Aha! i a bâni, tash po e kuptoj mysterin e nji deshmije shkollore kaqë të bukur: qênke mik i Esad Pashës e i porositun prej tij!

Dhe si e lexoi: – Shiko, lum djali; un Esad Pashën e kam t’emin, ka për grue t’ime mbesë. Por ja ku po t’a them qyshë tash se këtu s’ka Pashë as mik qi i ecën fjala pa vênd. Ti mund të pështetesh vetëm në forcat e tua e në vjeftën t’ânde, mos gabo me shpresue gjâ, kurrgjâ nga porosija e Pashës. Edhe dije mirë qi këtu ka nxânës nga të katër anët e Mbretnis[2], e shumë të squet. Do t’a shohim, pra, në mbarim të vjetës në se kjo deshmí qi më ke sjellë prej Janine âsht fryt i mundit e i squetís s’ate apo i porosivet t’Esad Pashës.

Të gjitha këto fjalë, gati tekstuale, Drejtori i kolegjës m’i tha me fytyrën mâ të rândë qi mund të bâhej, por nuk dij a tue besue me gjithë mênd ashtu apo donte me më shtrëngue qi të studjojshem mirë pa ândrrue se do të kishem ndonji farë përkrahjeje të pameritueme tue u pështetun në porosín e Pashës. Sido qoftë, un u dava prej tij me këtë premtim qi i dhash me krenín e nji besimi të patundshëm në vetet t’eme.

Shqiptarë s’mbaj mênd në kam gjetun n’atë kolegjë. Në gjymnazet e tjera të Stambollit kishte plot, por un s’dilshem asnji herë përjashta. Mbas pak ditsh na erdh nji djalë i vogël, flokverdhë, mjaft i hijshëm, veshun elegant, pastër e mirë, aristokratisht i mbyllët. M’a suell nji shërbtuer i kolegjës në baçë tek po shetitshem me shokë:

– Qe, tha, nji djalë shqiptar; më çoi Z. Drejtori me t’a paraqitun e porositun qi t’a kesh kujdes ti.

Djali më përshëndeti me nji temená e un i dhash dorën me dashuní. U dava shokësh e mbeta tue bisedue me tê:

– Nga je, or djal’i mirë?

– Prej Matje.

– Prej Matje? Oh, sa mirë! Edhe un jam prej Kruje, pra jemi shokë. Si e ke emnin?

– Ahmet – Muhtar.

– Mue më thonë Mustafa – Asim; i bir’i kuj je ti?

– I bir’i Xhemal Pashë Zogollit, e ti?

– Un i Metës së Fajës së Merlikës, i nip’i Xhiut të Fajës. Sa vjeç je?
– 12 vjeç.

– Në të parin rend?

– Në të parin filluer.

– Un jam në të shtatëtin të gjymnazit, sivjet mbaroj. Gjithë ksaj vjete pra jemi bashkë, për çdo nevojë qi të kesh eja ke un si ke nji vëlla.

Shoqní nuk mund të bâjshim njâni me tjetrin, ndryshimi i moshës ndërmjet  nesh  ishte   tepër  i  madh.   Por  u   shihshim  për  ditë  në  baçë  e  u përshëndetshim. E pyetshem shpesh në se kishte ndonji nevojë për mue. S’kishte kurrë. Studjonte mirë. Mâ të shumën i pëlqente vetmija. S’u zdatte me kurrkênd.

Në mbarim të vjetit shkolluer e të provimevet, Tewfik Danishi mundi t’i telegrafojë Esad Pashës në këtë kuptim: ” Përfundimi i shkëlqyëshëm me të cilin Mustafa – Asimi i mbaroi studimet e gjymnazit, provon se s’ka pasun nevojë për t’a porositun tek un. Jam i sigurtë se ka për të dalë faqebardhë gjithmonë edhe në rasat mâ të vështirat.” Më thirri e m’a lexoi kopjen e telegramës, qi porsa e kishte dërgue, e më bâni edhe shumë lavde tjera me gojë. Më dha kshilla për konkursin të cilit tash duhej me i u përgatitun, ma prûni të rândë mjaft barrën, por, siç e kishte thânë edhe në telegramën e dërgueme Esad Pashës, m’a përsriti se nuk duhej të më trêmbej sŷni.

Mbetëm dy fijsh miq me Tewfik – Danishin, si për kah ana e Esad Pashës ashtu edhe për çmimin e simpathín qi i kishem frymzue un vetë në motmot shkollë qi bâna nën drejtimin e tij. Gati se e patëm prishun, veç, në rasë të provimit të frëngjishtes tue kalue prej së parës në të dytët klasë të Shkollës Civile Mbretnore ku ai ishte mis i komisjonit provimtar. Profesori më kishte ngarkue me zhvillue në provim gojarisht nji themë ç’fare do qi do të më pëlqente mue vetë. Problemat shoqnore kanë qênë qyshë në të rít t’em ato qi më kanë interesue mâ fort. Zgjodha, prandej, themën “Le socialisme et son histoire“. Ishim atëherë ende nën regjimin despotik t’Abdyl – Hamidit II. E dijshem mirë rrezikun e nji theme të këtilë të zhvillueme përpara nji komisjoni zyrtar provimesh. Por nji riní revolucjonare s’arsyeton gjatë kur i mbushet mêndja se âsht në rrugë të drejtë. Dola pra me këtë themë, pa mendue gjatë as un, përpara Komisjonit provimtar. Zhvillimi i themës ngjati nja njizet minuta. Nji zhvillim synthetik, tepër i shkurtën, natyrisht. I kishem dhanë nji karakter thjesht shqêncuer e jo politik. Porsa e mbarova, Tewfik Danish Beu m’u suell me këto fjalë:

– Mustafa – Asim, vous avez été mon élève et vous êtes le protégé de mon ami Esad Pacha; je vous lui dénoncerai pour un turbulent! (Ke qênë nxânës i im e je i pruejtun prej mikut t’em Esad Pashës; kam me të paditun te ky si njeri turbullues) . Kërkova ndjesë tue theksue se thema e ime s’kishte aspak as qëllim as karakter politik, por vetëm shqêncuer e prandej s’kishem besue se mund të m’u merrte për keq. Nesret vojta e i bâna nji vizitë Tewfik Danishit në shtëpí, mâ fort për të pamë në se do të më priste apo jo. Më priti, por më priti me poterë. Më shau, më qërtoi, m’arseu, më kshilloi gjat’e gjatë. Më premtoi se për ksi shtegu s’do t’a lajmonte Pashën për gabimin t’em, por po të vazhdojshem me u marrë me idena e punë qi s’janë për të mirën t’eme, kishem me marrë mbë qafë veten e me marrue edhe të parin t’em, Më spjegoi se fjalët qi më kishte drejtue mue në komisjon kishin për qëllim me u diftue tjervet tërthuer se kam qênë nxânës i tij e se kam përkrahjen e nji Pashe, për me më shpëtue, se ndryshe mund të më paditshin tek Autoritetet. I u fala nderës për të gjitha dhe u damë prap miq si përpara.

[1] Ky âsht Fati, qi kur ti kujton se âsht tue të buzëqeshun ai të zgërdhihet me sarkazëm, e kur ti pandeh se t’âsht ngrysun ai të ka shtrimë krahët për me të pushtue plot me dashuní e mëshrirë.

[2] E drejta, fjalët tekstuale të tija qenë “aktar-i-aalemden” (nga çdo krahinë e botës); por nji zmadhim kaqë të papërpjesëm s’ma muer mêndja me e vûmë në tekst.

 

TURMËSI FAJSHLYER… (Mbi kulturën e fatpajtimit) – Esé nga REX KASUMAJ

Berlin, Prill 2020

 

1.
Turma s’është gjë tjetër veçse një qen i zgjebosur, i lidhur për një hu në mes të diellit. Ky qen gjithë ditën fle, kuron zgjebën dhe vërsulet i tërbuar kundër çdo njeriu që orvatet ta shpëtojë nga veset e t’i zgjidhë zinxhirin, me të cilin është i lidhur.

Ky fragment nga “Apologjia e Sokratit”, do t’më vinte si zhgënjim. I admiruar, gjithësesi, por dëshpërues me saktësinë e tij për kohën time.

2.
Për dallim nga bota ku solli mner, dhimbje e mort, zezona e Coronës, pati dhe prurje mrekullie. Rrëzoi një qeveri rebele, llogarilypëse dhe, për çudi, të dedikuar deri në sakrificë. Dhe, ashtu, çliroi Kosovën nga krusma e saj.

Por, njëkohësisht, ana tjetër e së mirës është rikthimi kopeist e i tufëzuar i oligarkisë së vjetër. E kthehet ngazëllyeshëm me formulë të re për krizë e mjegullnaja, kushtetutë të amenduar dhe përvojë të shkëlqyer lindore…Por, mbi të gjitha, me elan vital për rrethimin shpëtimtar të Republikës. Shëlbim e dehje më të ngrohtë për zemrat e tyre, nuk mund të sillte Naltmadhnia e saj pandemike. Ndaj, martirët e shmagjepsjes nga liria do t’a nderojnë përjetë kujtimin e saj.

3.
Ndërkaq midis tyre, mijëra vjet më vonë, turmësi i Platonit hakërron e betohet. Janë hekurat e murtajës së re që e ndalojnë. Se, ndryshe, do shpërthente si magmë vullkani kundër të gjithëve. Madje, më shumë akoma, ndaj atij që desh t’a bënte zot të shpresës së vet.

Veçse tani është mot i heshtjes. Ç’dhuratë qielli kjo prehje e fshehtë fajshlyese.

Dhe asgjë. Dielli vijon të perëndojë pas bjeshkëve të Nëmura. Njësoj ndër shekuj. Duke praruar muzgjet e sulltanëve e dushanëve, kryetarëve e komitetarëve dhe çlirimtarëve e zagarëve, që të ndryshme do t’kenë vetëm gjuhët që flasin.

Mësova nga një dijetar i bekuar se shkalla më e lartë e besimit, qenka heqja e të keqes me dorë. Por më parë se heqjen, dorë e turmësit lëmon atë përulshëm e robnisht. Kujtoj, prandaj, për të satën herë Talmudin e vërtetë që thotë: dhjetë kafe gjumë kanë zbritur në botë. Nëntë prej tyre i kanë pirë robërit, kurse një të vetme të mbetur e gjithë bota tjetër!

Në fshatin e bellagjive – Poezi nga Neki Lula

 

 

Atje gjethet bien e pyjet zhvishen

Ngjitet mjegulla në majë të Strellcit te kroi.

Rrezet e diellit pak po ngrohin në vite.

Ushëtin lugina nga gurgullima me uji te përroi.

 

Këmbësorja është kafshuar e mbuluar me gjethe

Nga këtu shoh ditët e ëndërrta mbi lëndinë

O sa shumë jam i larguar përtej maleve e deteve

Dimrat e gjatë gishtërinjtë m’i ngrinë.

 

Qepon mjegulla mbi gur të Sokolit ku valon flamuri

Përkulem para varreve të trimave të Belles

Prajshëm kuvendon me Hazir Lahen

Edhe me Vlorën edhe me Kosharën si ylbere

 

Te varri i Hazir Lahes është ndalur koha

Pa epitaf e pa flamurin e Isa Boletinit

Bashkëmendje ndrituri i flamurit krenar

Në Belle dimrat e fortë harresën e mbytin

 

Na ngohin ndërgjegjjen e harresën

Qe myku i kohës e ka mbulua..

./.

-Nga Gjemania, fillim prilli 2020-

IKJA E KALMUKEVE – Kapitull nga poema dramatike “Pugaçov” e SERGEJ ESENINIT – Përktheu FASLLI HALITI

Sergej Esenin

1895 – 1925

 

 

Alexandrovich Yesenin (i shqiptuar edhe si Esenin; rusisht:Серге́й Алекса́ндровичЕсе́нин; tetor 1895 – 28 dhjetor 1925) poet lirik rus. Ai ishte një nga poetët më të famshëm dhe të mirënjohur rusë të shekullit të 20-të

PO JAPIM NGA LIBRI I SERGEI ESENINIT

 

     

      PUGAÇOVI

 (poemë dramatike)

 

Kapitullin:

IKJA E KALMUKEVE

 

ZERI I PARE

Dëgjoni,dëgjoni,dëgjoni!

A mos keni ëndërruar sonte qarje qerresh?

Sonte në agimin e kthjellët,

Tridhjetëmijë qerre kalmukësh

Janë zvarritur nga Samara drejt Irgisit

Nga tirania e burokratëve rusë

Nga që si fëllëzave ua rropën puplat butë

Livadheve tona.

Si kope breshkash druri

Drejt Mongolisë së tyre morën me ngut.

 

ZERI I DYTE

Vetëm ne,vetëm ne ngurojmë

Sikur breshëria që na përfshiu,

Të na frikësonte.

Pasi Moska çdo javë ediktet e saj na dërgon

Dhe kudo të shkosh

Sheh si kërcejnë nga shpatullat ngahera,

Nën shpatën e shtypësve

Koka kozakësh si mace të verdha.

 

 

KIRPIÇNIKOV

Kujdes, kujdes, kujdes!

Mos u bëni frikacakë si delet, ju!

Që t’ju fusin në një bëmë të tmerrshme

Traubenberg dhe Tambovçev vijnë, këtu.

 

KOZAKET

Në djall! Në dreq tradhëtarët!

……………………………….

TAMBOVÇEV

Ku-j-de-s!

Stonikë  të reparteve kozake

Përgatituni për marshim!

Sonte hordhitë kalmuke

Të gjitha si bisha të egra

Tradhëtuan perandorinë e Rusisë,

Duke marrë me vete krejt bagëtinë.

Shagani hedh në bregun e ditës

Varkën e zhytur  të hënës.

Ata që e duan atdheun

Duhet të më dëgjojnë!

Këtë humbje për vendin,jo,jo,

Ne s’mund, ne s’mund, nuk mund ta lejojmë.

Rusia ka humbur mishrat dhe lëkurët,

Rusia ka humbur kuajt më të mirë.

T’u lëshohemi në ndjekje

Këtyre mongolëve rreptësisht,

Para se Kinës t’i jepen ata,

Plotësisht.

 

KIRPIÇNIKOV

Mjaft, ataman,

Mjaft me llomotitje në erë!

Për Rusinë ndiejmë dhimbje,

Sepse Rusinë e kemi nënë të gjithë!

Dhe fare, fare s’trembemi ne,

Nëse fushat tona i braktisi ndonjë.

Kalmuku s’është lepuri i verdhë

Që ne për gjah ta gjuajmë me tërbim.

Si era u nis ky mongoli zeshkan,

Zoti i uroftë atij udhë të mbarë

Që rrethimeve tona

Diti t’u shpëtojë pa dhimbje sa më parë.

 

 

TRAUBENBERG

Ç’do të thotë kjo?

 

KIRPIÇNIKOV

Kjo do të thotë

Po qe se izbat tona

Do të ishin mbi rrota

Kuajt tanë do të mbrehnim ne,

Dhe nga hapësirat e kripura

Do të shkonim në arin e stepavè

Kuajt tanë,duke mënjanuar qafat e gjata

Si një trumbë mjelmash të zeza

Nëpër  ujiërat e thekrave, atje

Do të na çonin të vrullshëm e të bukur

Në një vend të ri, për një jetë të re.

 

KOZAKET

Na keni torturuar!Na keni grirë egërsira!

 

TAMBOVÇEV

Kozakë, po ju keni puthur kryqin e adhuruar!

Jut ë tërë jeni betuar…

 

KIRPIÇNIKOV

Jemi betuar, i jemi betuar Ekaterinës

Që të jemi kështjellë e kufijve të stepave mbarë

Që t’i mbrojmë këto kullota kaltërore

Nga plaçkitja e zogjve grabitqarë.

Po më thoni, më thoni, më thoni

Këta zogj, mos nuk jeni ju?

Banori i fushave tona të vrazhda

Nuk gjen strehim për kokën këtu.

 

TRAUBENBERG

Kjo është tradhëti!…

Lidheni! Lidheni!

 

KIRPIÇNIKOV

Erdhi ora, kozakë!

Të përshëndes, o revoltë mizore shumë!

Atë që buzët s’e shprehin dot me fjalë

Le ta tregojnë koburet me plumb.

 

(qëllon)

 

Traunbenberg bie i vdekur. Rojat Ia mbathin.

Kozakët rrokin pë freri kalin e Tambovçevit

 dhe e zvarrisin atë përtokë.

 

ZERA

Vdekje!Vdekje tiranit!

 

TAMBOVÇEV

O Zot !, ç’bëra ?

 

ZERI I PARE

Na ke torturuar o kriminel, tre vjet,

Tre vjet si një hutë e bardhë

S’na ke lënë të qetë.

 

 

ZERI I DYTE

Shijo çorbën e stuhisë.

Mbarove së dëfryeri, së fshikulluari mbi mish.

 

ZERI I TRETE

Djall, përse ta zgjatim më gjatë me të?

 

ZERI I KATERT

Ta varim- e mjaft, mjaft më!

 

KIRPIÇNIKOV

Moska ta dijë, ta ndiejë-

Ne ndëshkimin e tij do ta shpejtojmë.

Është vetëm gjëmimi i parë,

Është vetëm krisma e parë,

Ta mbajë mend Ekaterina,

Nëse Rusia është një moçal,

Si bretkosa të zeza në baltovinë,

Topat, vezë prej çeliku do të hedhin.

Le ta marrë vesh vendi që kozaku ynë

Nuk është shelg i bardhë mbi shteg të qetë

Dhe se në thesin plot me bar të hënës

S’do ta lerë më kot ai kaptinën e vet.

 

 

Perktheu: Fall Haliti

BLEVA NJË LËNDINË – Cikël poetik ANTONIO RECANATINI – Përktheu FASLLI HALITI

 

Bleva një biletë

Shita zemrën time për ta paguar atë,

Bleva një ëndërr

po humba zemrën, nuk ia vlen, skadon.

Bleva një rrugë të ngushtë

Shita shpirtin për të paguar për të,

ne do të udhëtojmë në ëndrrat e dimrit.

Kam humbur kohën në një tavernë,

I bindur se do t’i mbuloja plagët një të mbijetuari,

duke harruar të fshihja të miat.

Zbrit me mua, tërhiqmë larg,

luftë ditore, pasiguri ditore.

Jo, ëndrrat e mia të dashura, do të mbeten të shikuara!

Ata do t’ju shikojnë juve djersitjen, mua pengesën.

Bleva tridhjetë ngjyra pastel

ne do të ngjyrosim fletët, do ta ngjyrosim

të tashmen,

nëse do të jetë e pamundur ta ngjyrosim nesër!

Bleva një pasuri

Kam humbur arsyen për të paguar për të,

por asgjë nuk vlen pa një logjikë për të shpenzuar.

Shikoni ku unë nuk vij, më shikoni në sy!

E bukur sa jeni ju, shpërthen!

E  bukur sa ti, bëje të paimagjinueshme të mundshme!

E bukur si ti, zbute tensionin!

Bleva një lëndinë

ne do të udhëtojmë në heshtje,

pa bagazhe, ne do të mbjellim momentet më të mira.

 

Poezi personale – nga “Pensieri Parole”

EJANI TEK UNË.

 

Ejani tek unë, sepse me mua do të zgjidhni përgjithmonë

kur t’më kërkoni, unë do të jem atje, nëse është dielli apo hëna.

Ejani tek unë, sepse kur një ëndërr vjen e vërtetë

bota gjithashtu qetëson fytyrën e saj.

Ejani tek unë sepse nuk do duhet të ktheheni më

dhe në çdo agim do dëgjoni muzikën e puthjeve të mia.

Ejani tek unë, sepse unë e kuptoj frikën tuaj,

unë gjithmonë do të kuptoj momentin për të shkundur duart.

Ejani tek unë sepse askush nuk mundl

të dua sa më shumë që të të bëj të zgjedhësh anën dhe të vrapojmë.

Ejani tek unë kështu që nuk do keni më keqardhje,

ju nuk do ta besoni dashurinë si një pasazh.

Ejani tek unë, kështu që unë mund t’i hap dyert

dhe të presin për ju me dritën e miliona ëndrrave.

Ejani tek unë, e ardhmja do të jetë delikate,

do të jetë e sinqertë si thelbi i aromës suaj.

Ejani tek unë, mund t’i kushtoni vetes veten,

riformuloni frikën, duke përsosur kënaqësinë.

Ejani tek unë dhe ju do të shihni, nga lart

ne do të ndjekim fluturimin,

nga poshtë rrugës së të mashtruarve.

 

Përktheu Faslli Haliti                

 

 

 

INTELLETTUALI KAPRIÇOZ

 

Intelektuali kapriçoz promovon titullin e romanit,

përmbajtja e shpikur, ai është një shpikës.

Nuk i lexon librat, por shikon të gjitha figurat

dhe kur ai përsërit mësimin urren ndërprerjen,

urren pyetjet, por pretendon katedrën.

Intelektuali kapriçoz është pak anarkist,

pak fashist, ndonjëherë racist, kurrë komunist,

por ai e do popullin dhe i dedikon atij mrekullinë.

Intelektuali kapriçoz blen në supermarkato,

atij i i intereson tepër lëvizja, skena,

jo paaftësia, aq më pak dhe papunësia. Është mbretëror ai !

Intelektuali kapriçoz nuk e duron konfrontimin trembet mos humbet rrugës, frikësohet se mos nuk mund të hapë bllokadën.

Lëshon duhmën kur atë e çarmatos njohuria.

Ose skena ose zymtësia !

Idealiteti s’e shlyen dënimin, tashmë ai është 

i dhimbshëm  nga ana e tij

Ai nuk i njeh rregullat e lojës,

por është gjithmonë elegant dhe riverent me padronin,

Nuk guxon të kundërshtojë udhëheqësin

pa u zhytur

në një cep të fshehtë deri sa turpi.

Intelektuali kapriçoz argëton i pavetëdijshëm.

 

 

 

      Përktheu Faslli Haliti                

Ç’HIPOKRIZI KA BRENDA KËTYRE MUREVE – Poezi kushtuar Jean Paul Sartre nga Antonio Recanatini – Përktheu Faslli Haliti

Udhëtimi i sotëm përmes gjendjes njerëzore të romanit të Sartrit “Nauzeja”.(Neveria) Një kusht i drejtuar nga hipokrizia, plagjiaturë dhe tendenca kopjimit për të shmangur duke pranuar se cilido prej nesh është i dënuar të ekzistojë dhe për të menduar, me një qëndrim psikologjik ndaj ekzistencës që përshkon tërë qenien tonë. Për të fituar një autenticitet, ne nuk duhet të shkatërrojmë shpresën, por të kapërcejmë murin e konformizmit dhe indiferencës, duke bërë të gjitha përpjekjet, duke ecur drejt.

 

Ç’HIPOKRIZI KA BRENDA KËTYRE MUREVE

 

 

Ç’hipokrizi ka brenda këtyre mureve

Mendoj se nuk është e re

si është e mundur që plagjiatura ndodhi, fotokopja.

Luajmë në teatro të ndryshëm

dhe unë jam i paarritshëm

për njerëzit e vdekshëm që dallohen

më patetikë se një funeral fasadë

më shumë luhatës se oportunizmi, më pak inteligjent se krerët

dhe fëmijët e krerëve.

Mëkat, e di që do të mëkatoj!

në fakt, kur flet një prift

një kuestor ose një politikan i dehur

një tip i çuditshëm që ndihem i largët

edhe kur unë propozoj veten time

për të gënjyer veten time.

Jam fanatik

Jam një fëmijë pak kurioz, pak i sëmurë

dhe mendoj se nuk jam më i mirë edhe kur fitoj.

Fitimi ishte një makth i vjetër

nga i cili u privova shumë kohë më parë.

Kam lexuar fshehurazi, nëpër rrugë dhe në baret

e dashur gjigandë me buon sens ose buon sens

editorialistësh të vajosur e të çmajmur

puritan dhe plaçkitës të shtetit të social

të gjithë anëtarë të logjikës kundër riarmatimit të çarmatosur

dhe eksportimit të demokracisë.

Luajmë në teatro të ndryshëm, ti dhe unë

edhe nëse imazhi yt pasqyron trupa dhe jetë

imi u flijua dhe gjen brigje të tjera

për të çpaketuar valixhet.

Do të ishte si të shtrije një velë të mëshirshme në skenë

zakonisht kush ka frikë nga vdekja luan për të jetuar dhe gënjyer.

Kush nuk ka frikë ndahet

dhe pretendon zgjedhjet duke treguar plagët në lëkurë.

E dija se nuk do ta kisha zbutur kurrë veten

ndërsa ju po rishikonit shënimet për të kënduar së bashku me të tjerët.

E dija se do të më dënonin

nëse unë ju kisha mohuar juve.

Tani është pak ndryshe, shumë ndryshe.

Ju do dëshironi të vidhni, pretendoni t’i vidhni

atij që nuk iu ka fshehur kurrë para hajdutëve

dhe të nesërmen ai mund të llogarisë disa ndryshime shtesë.

Ju besoni t’më shihni

është vetëm iluzion,ka raste që as unë s’e gjej veten

dhe unë nuk bëj dokumente të rreme

për të gjetur gropën, shtëpinë, shtratin

ose pizhamat ku fle.

Ju mund të dëmtoni shpirtin tuaj duke kaluar nëpër rrugë të caktuara

ju mund të merrni shokimin dhe, të befasuar nga habia,

mund të akuzoni të shtënën

dhe t’i lënë pjesën më të mirë çmimit më të mirë,

ofertuesit më të lartë i cili do të vlerësojë porosinë tuaj.

Luajmë në teatro të ndryshëm

dhe kur bie shi, harroj ombrellën!

Hyri prilli dhe “Corona…” – Poezi nga Albert Habazaj

 

Hyri prilli dhe “Corona”
S’po na le,
Qysh është katandisur Vlora,
Si e ve,
Ndihemi si të braktisur
Në fole,
S’ rri dot në kafaz shqiponja,
Jo më ne…
Në esfel vaftë “Corona!”
Mos zënt’ dhè!
Asnjëherë nuk ishte parë,
Ç’bela qe?!
Nëpër botë e shpërndarë,
Si rrufe…
Qoftë ky prill muaj i mbarë,
Moj shqipe!

Iku marsi, s’na pa fare,
Shoqeni!
Një kafe në “Lungomare”,
Motrani!
Të pimë të dymbëdhjetë,
Moj fisnike!
Sa shumë na ka lezet,
Rreze drite…

Dil, o prill, mes i pranverës,
Dil, ku je?
Mezi rrimë prapa derës,
Presim ne.
Të thurim tingujt e zemrës,
Siç dimë ne!
Të ndezim ballin e skenës,
Moj shqipe!

Vëllai juaj
Albert Habazaj

Vlorë, Ujë i Ftohtë, shtëpi (karantinë stresuese)

E mërkurë, 01.04.2020

Trokitje në dyert e dijes – Esé nga Viron KONA

Viron Kona, ish-drejtor i gjimnazit “Ismail Qemali” Tiranë me një nga klasat e maturës së cilës i jepte mësim  lëndën Histori  Arti ,  viti 2004.

 

Dikur ishin “gazetat” e murit që  afishoheshin në klasa apo në holle të shkollave. Në to mësuesit e letërsisë vendosnin krijime të  zgjedhura të nxënësve, poezi, prozë, hartimet më të realizuara, kurse mësuesit e shkencave natyrore  probleme apo ushtrime të zgjidhura të një vështirësie disi të lartë. Afishoheshin edhe thënie, fabula, poezi, anekdota, vargje poetike nga njerëz të shquar, portrete, fotografi të ndryshme etj. Por, shpejt, ato  zbardheshin dhe griseshin nga koha, apo, mbase ndonjë mësues i kujdesshëm edhe i ruante  në dosje të veçantë. Tashmë, që kohët kanë ndryshuar, sigurisht  që edhe për nxënësit e mësuesit, mundësitë, mjetet dhe format për t`u shprehur janë shumë herë më të mëdha, madje të pakrahasueshme, ata   shfaqin lirshëm idetë, mendimet dhe ndjenjat që u vlojnë deri në skutat  më të thella të shpirtit. Për këtë bindesh shpejt, mjafton t`u hedhësh një sy  punëve të tyre me shkrim,  krijimeve në fusha të ndryshme të dijes, shoqërore dhe shkencore, në kulturë, në letërsi, pikturë, muzikë… Nuk janë më “gazetat” e dikurshme të murit, por gazetat e vërteta, në shkolla, e deri  edhe në klasa, sikurse, janë edhe shumëllojshmëria e  botimeve nga mjaft nxënës,  almanakët, albumet me punime në pikturë, tryezat e rrumbullakëta, bashkëbisedimet në “qeveritë e nxënësve”, shfaqja e ideve dhe mendimeve në facebook, në revista dhe gazeta, në radio e stacionet e shumta televizive, në faqet e internetit dhe në portale të ndryshme dhe të pafundme… E, ndërkohë, shmangen dhe mënjanohen për herë e më shumë tabutë, inferioriteti, paternalizmi, mendimet e mykura, patriarkale e konservatore. Nxënësit dhe të rinjtë e sotëm jetojnë fare natyrshëm krahas me botën moderne, ata marrin nga bota dhe japin, madje disa herë spikatin shumë suksesshëm.

Nga përvoja ime, kur para disa vitesh kryeja detyrën drejtor i gjimnazit “Ismail Qemali”, Tiranë,   nga 11 klasa të vitit të parë,  8 klasa  nisën të botonin gazetat e tyre. Sigurisht që dukej e tepruar,  madje kjo dukuri u kthye deri në mahni  dhe garë për të nxjerrë sa më shumë gazeta. Por, një gjë ishte fare e qartë, madje e bukur: nxënësit dëshironin, kërkonin vetveten, kërkonin forma dhe mënyra të ndryshme për t`i shprehur idetë, ambiciet dhe mendimet ashtu siç i ndjenin, ashtu siç e kuptonin jetën. Ata dëshironin të hidhnin në letër dhe të botonin pjesë në prozë apo vargjet e tyre poetike, por edhe donin të  provonin, të konkurronin se, edhe ata mund të bëheshin gazetarë, të zbulonin lajmin,  të jepnin informacionin, të debatonin dhe të hidhnin në tavolinë ide dhe alternativa, ta provonin veten “sa vlenin” si poetë, shkrimtarë, piktorë e skulptorë, si historianë e gjeografë, të thellonin dijet e tyre në kimi, biologji, fizikë…, të dinin sa më shumë për kozmosin, të nxiteshin nga dëshira për aventura për të zbuluar enigmat dhe misteret e gjithësisë, pra, u pëlqente të shpreheshin me kurajë dhe pa komplekse inferioriteti, duke u dhënë krahë  ëndrrave, fantazisë, imagjinatës, dëshirës për të formuar personalitetin, për t`u bërë edhe ata dikush në  jetë, të tregonin prirjet e tyre progresive në rrugët e gjëra të dijes.

 

Mundësitë janë të jashtëzakonshme, ato vijnë sot duke u shtuar, sepse hapja me botën, kontaktet apo shkollimi deri dhe në shkollat dhe universitetet më të dëgjuara të Francës, Anglisë, Italisë, Skandinavisë, Amerikës…, vijnë duke u bërë gjithnjë e më të natyrshme, teksa interneti, gjuhët e huaja dhe elektronika ua kanë afruar  dhe sjellë nxënësve botën dhe zhvillimet e saj  në tavolinat e tyre të punës, në celularët – internet, që ata i mbajnë në duar ngado  që shkojnë.

Shkak për t`u shprehur sa thashë më sipër, u bë edhe një almanak i shkollës  së mesme të bashkuar “Mehmet Bajraktari”, Shalës, Elbasan. Më ra në dorë fare rastësisht dhe nisa ta shfletojë. Më tërhoqi vëmendjen që në hyrje parathënia e mësuesit  redaktor Rakip Zhguni, i cili duke u shprehur për  krijimtarinë e përfshirë në almanak, vlerësonte shumë  punën e kolegut të tij, mësuesit të talentuar Spiro Basha, i cili ishte kujdesur  dhe ishte përkushtuar për përgatitjen e këtij almanaku së bashku me nxënësit e tij. Spiroja   kishte ditur të nxiste dhe të organizonte dëshirën dhe mendimet  poetike dhe ato në prozë të nxënësve,  i kishte mbledhur së bashku me ta, siç mblidhen nga kopshti lulet e bukura dhe të freskëta në një buqetë dhe, së bashku me ndihmesën e nxënësve dhe të z. Ali Lleshi, asokohe kryetar i shoqatës “Dumreja”, ishin kujdesur që ato të botoheshin në një libër të veçantë.

Deri këtu mbase këto që them janë mëse të zakonshme, sa raste të tilla ka shumë nëpër shkollat tona. Por, mua më duhet të pohoj se  krijimet në poezi e prozë të atij botimi,  shpërndajnë në ajër freski dhe aromë të këndshme edhe sot pas kaq shumë vitesh. Nga faqja në faqe, në to gjen shpërthime ndjenjash dhe emocionesh poetike për jetën, për  të ardhmen, për shkencat, për atdheun, për  demokracinë, për gjithçka që ata, fëmijë dhe adoleshentë, mendojnë  se janë  në natyrën, në shpirtin e tyre krijues, që i entuziazmon, apo i mundon e i turbullon, ndonjëherë mbase edhe  i shqetëson. Ata e duan jetën dhe  kujdesen që ajo të bëhet për herë e më e mirë, më e bukur, sepse tashmë ata e dinë  se jeta jepet vetëm një herë dhe ajo duhet jetuar, ky shans nuk duhet humbur. Prandaj, në krijimet poetike apo në prozë,  ata shfaqin dëshirën të marrin  mbi supet e tyre të njomë detyra dhe përgjegjësi. Ato krijime nuk janë thjesht ide të çastit që vijnë nga frymëzime spontane, por ato janë rreze që projektojnë të ardhmen, që ngrejnë përpara tyre rrugë me shumë korsi, por edhe shtigje të panjohura, të pa aksploruara. Ata shpalosin në krijimet e tyre  gjëra të mëdha e të rëndësishme, që nuk i thonë dhe nuk i shprehin dot në monotoninë e zakonshme, shfaqin figurativisht ato gjëra që i kanë mbajtur të mbyllura dhe, kësisoj  i nxjerrin me ngazëllim dhe bukuri artistike. E, si të tilla, ato bashkohen në vërshimin pranveror të jetës, e pasurojnë atë me llojshmëri dhe freski, me origjinalitet, duke u bërë edhe shembull e nxitje edhe për mijëra nxënës dhe adoleshentë të tjerë.

 

Askush nuk ka dhe s`mund të ketë monopolin e diçkaje. Edhe në krijimet e adoleshentëve mund të zbulosh talente, mund të gjesh mendime të mëdha e të mençura. Mjafton të shfletosh almanakun në fjalë dhe nxitesh nga dëshira për t`i lexuar krijimet e botuara atje gjer në fund, madje, pse jo edhe për të mbajtur edhe ndonjë shënim. Në krijime, shprehet  dëshira se ata nxënës  duan diçka ndryshe, duan të dinë se ku shkojnë, të njohin botën dhe karakteret e njerëzore, veçoritë, prirjet dhe cilësitë e shoqërisë, ata kërkojnë të futen me zell e trimërisht në detin e madh të dijeve, të përballin dhe të kapërcejnë me krahët e tyre të njomë dallgët, lartësitë  dhe sfidat e jetës.

Ata u bien kambanave të alarmit poetik, kundër përdorimit të drogës nga të rinjtë, kundër dhunës në shkollë, në mjediset publike, në familje. Krijimet e tyre tronditin  shfaqjet e pesimizmit,  ato dukuri që shfaqjen tek disa adoleshentë,  që herë – herë  humbasin besimin në të ardhmen, që ditët, vitet dhe e gjithë jeta u duket  monotone, e mërzitshme, e trishtueshme: “Oh, prapë e njëjta gjë, përsëri detyra, mësime, çohu në tabelë, ik, ulu, katër, sill prindin, je i paralajmëruar, je i përjashtuar…uf!”  Natyrisht që edhe këto  janë pjesë të jetës shkollore, por, problemi është se këta fëmijë e adoleshentë  ndjejnë nevojën të përfshihen gjithnjë e pa sforco në natyrshmërinë e jetës, të nxiten të  notojnë në valët e saj, edhe kur ato janë të trazuara apo dallgëzojnë fortë; ata duan ta motivojnë jetën e tyre dhe t`i japin asaj bukuri, vlerë, origjinalitet dhe kuptim në hapësira të gjera dhe pa kufizime.

Dhe, këto hapësira dhe mundësi, këta çelësa të dyerve të jetës dhe të dijeve, ua japin fëmijëve dhe nxënësve adoleshentë  mësuesit e tyre, më të mirët, më të dashurit për ta, që i duan dhe i ndihmojnë, sesi t`ua bëjnë më të lehta gjërat më të vështira, se si ata të motivojnë sa më mirë vetveten, sesi t`u ngjallen shpresat dhe besimin se jeta është e bukur, por për ta jetuar atë, duhet punuar e luftuar vazhdimisht, duhet guxuar.

 

Në dorë mbaj almanakun dhe vijoj ta shfletojë. Buqeta poetike pasurohet nga faqja në faqe me emra krijuesish adoleshentë: E. Sollaku, E. Sallja, S. Meçja, G. Mukja, S. Meta, E. Liçi, E. Liçi, E. Xhika, F. Kurti, K. Çala, E. Sallja, Xh. Sadushi…Dhe, të kapur fortë  për dore, së bashku me  mësuesin e tyre Spiro Basha, ata vijojnë të shprehen  me pjekuri dhe bukuri  poetike. Mund të ndalesh në shumë nga këto krijime poetike, por  zgjodha të citoj vargje nga E. Meçja: “Në s`çan malin, hap një tunel,/Nëse anija t`u përmbys nga dallga,/Ec, se udha e nisur diku del,/Mos e kthe më kokën prapa!”

Dhe më tej, vargje të  D. Allkjas për nënën: “Çdo fjalë që më thoshe/Të lehtë ma bënte jetën”. Teksa, S. Kuqi, hedh me një frymë, siluetën e një peizazhi: “Heshtja mbretëron në natyrën e  qetë/Hëna lozonjare  më fshihet te retë./Ëndrrat nëpër gjumë, shpirtin ma ndezin,/E gëzuar  pres, si lulja mëngjesin”.

Kurse në pjesën “Stuhia”, G. Mukja përshkruan: “Qielli i mbushur me yje të shndritshëm, në një çast u duk fare i shkretë. I kishin humbur yjet. Pikat e para të shiut u ndjenë sikur të ishin gurë. Më pas një erë e tmerrshme…Dukej sikur nga toka ishte ngritur një përbindësh dhe donte të shkatërronte gjithçka.”

 

Shfletoj dhe lexoj krijimet e almanakut dhe trazoj  hirin e kujtesës. Sjellë ndërmend  mësuesin tim të matematikës në gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë Avdurahman Meçaj, i cili me talentin e tij na bënte që ta donim shumë matematikën, jo vetëm sepse ai zgjidhte  mjeshtërisht ushtrimet dhe problemet, por dinte të  na tregonte sekretin, bukurinë e zgjidhjes, befasinë, por ai dinte  edhe të kujdesej që ne të vizitonin edhe një muze, edhe  rrënojat arkeologjike të qytetit tonë, por dinte edhe të shprehej mjaft  bukur dhe në mënyrë poetike për Evarist Galuanë, që jetoi vetëm 21 vjeç, por që i la njerëzimit monumente të mëdha matematikore. Sjellë ndërmend  mësuesin e letërsisë Harrilla Koçuli, që recitonte si një aktor i rrallë Homerin,  Gëten, Bajronin, Pushkinin… dhe, më tej ai ia arrinte mjaft bukur që të fuste në  bisedë letrare  jetën dhe veprën e madhe shkencore të Anshtajnit, duke  krijuar një ndërthurje midis lëndëve dhe fushave të dijes. Sjell ndërmend Gani Mezinin, mësuesin që na jepte lëndën e historisë, kaq bukur, saqë ne harroheshim teksa, ai, me mënyrën e qetë shpjeguese, na  sillte përpara syve si në një film episode,ngjarje, njerëz të thjeshtë e personalitete të kohërave, beteja luftarake dhe zhvillime social-kulturore dhe shkencore, duke na tërhequr mjeshtërisht në thellësitë e kohëve dhe të historisë, ndërsa  kuptonim se jeta nuk kishte filluar kur kishim lindur ne, por shumë shekuj e mijëvjeçarë përpara nesh. Ngazëlleheshim me bukurinë e fjalës së bukur dhe tërheqëse të mësues Ganiut dhe ndjenim një respekt e simpati edhe më të madhe për të kur merrnim vesh se ai ishte dhe një nga gjimnastët më të shkëlqyer të vendit, që përfaqësonte Shqipërinë në olimpiada dhe kampionate ndërkombëtare. Kurse, mësuesi i muzikës, Pirro Cakrani,  një kompozitor dhe këngëtar i rrallë, na i bënte  të këndshme orën e mësimit sidomos kur këndonte arje, finale apo pjesë të zgjedhura nga operat më të bukura të Moxartit, Verdit, Rosinit, Jakovës…Por, edhe në vitet e tanishme sjellë  në kujtesë   mësuesen e pasionuar të  fizikës Liljana Dhima e shkollës “Ismail Qemali”, që i bënte nxënësit ta donin aq shumë fizikën dhe astronominë, të zbulonin të fshehtat e natyrës dhe të kozmosit, të ishin vëzhgues dhe interpret, të diskutonin e debatonin shkencërisht si të ishin shkencëtarë të vërtetë, e, bashkë me nxënësit ajo botoi edhe një libër mjaft interesant për fizikanët më të mëdhenj të kohërave; mësues Xhezair Abazin, që ndonëse me kulturë shumë të gjerë, i kushtonte vëmendje dhe rëndësi të madhe përgatitjes së tij për orën e mësimit, pasi, siç thoshte: “Nxënësit e sotëm, janë shumë të zhvilluar, sepse edhe  mundësitë ata i kanë shumë herë më të mëdha. Shfrytëzimi i internetit dhe i literaturës në gjuhë të  huaj, u krijon kushte që të jenë shumë të përgatitur. Kur unë u jap atyre një shembull nga historia e artit dhe e letërsisë botërore, ata më japin edhe dy apo tre shembuj të tjerë.”

Raste të tilla janë të panumërta në shkolla dhe tek mësues të pasionuar. Ata dinë mirë sekretin se si t`i tërheqin nxënësit në fushat e dijes, t`u ngjallin atyre shpresën dhe besimin në të ardhmen shkencore, shoqërore, kulturore, letrare, artistike, sportive, por ata dinë edhe t`u besojnë talentit dhe aftësive të fëmijëve dhe adoleshentëve.

“- Organizimin e ceremonisë së  diplomave, do t`jua besoj juve, -iu drejtova atëherë “Qeverisë së nxënësve”. Dhe, duke parë fantazinë dhe bukurinë e organizimit të asaj ceremonie, besoja akoma  më shumë në talentin dhe aftësitë e tyre.  “-Hë, si thoni, do ta merrni përsipër edhe organizimin e  konkurrimit artistik, folklorik, teatral midis shkollave, apo edhe atë të gjimnastikës dhe  të ndeshjeve sportive…? Por, ne mund të marrim edhe nismën kundër pirjes së duhanit, ta bëjmë shkollën tonë institucionin e parë në Shqipëri pa duhan.” Dhe, ia dolëm. Një mëngjes, tiranasit panë një kortezh prej 1500 nxënësish gjimnazistë, që ecnin heshturazi njëri pas tjetrit, nga gjimnazi “Ismail Qemali” tek Qendra Ndërkombëtare  e Kulturës, ku do të kryeshin rritet e “funeralit” të shkatërrimit të një cigareje 7 metra të gjatë. Ajo nismë, u bë shkak që Parlamenti i Shqipërisë të nxirrte atëherë ligje të forta për të ndaluar pirjen e  duhanit në mjedise publike.

 

Të gjithë e dimë se, aty, në bankat e shkollës, në ato orë mësimi të fushave  të  dijes, në veprimtaritë  që zhvillohen, aty, në stenda  dhe gazeta të vogla  të shkollave, në ato konkurse dhe olimpiada, nisin dhe projektohen gjëra të mëdha, ku  përfshihen gjithnjë e më shumë nxënës, fëmijë adoleshentë. Ata nuk e kanë hallin  që të mburren se bëjnë një gazetë, se botojnë një cikël vjershash, apo libër të veçantë, që fitojnë një konkurs apo olimpiadë,  por ata kërkojnë fushën, prirjen, drejtimin për të shprehur e shpalosur ndjenjat, mendimet, ëndrrat, ambiciet  dhe pasionet e tyre. Dhe, për të gjitha këto, fëmijët dhe nxënësit adoleshentë duhen nxitur e ndihmuar.

 

Mjeshtërisht e zhvillon  Stavri Llambiri idenë e “braktisjes së fshehtë” në njërin prej librave  të tij, kur krahas të tjerave,  shkruan për ata mësues  që, gjatë orës së mësimit merren vetëm me disa nxënës që janë më aktivë dhe, lënë në gjendje përgjumje dhe ndonjëherë në harresë të plotë mjaft të tjerë, që potencialisht mund të jenë shumë të zotë, madje ndonjëri edhe më i aftë se ata që flasin çdo orë dhe çdo çast, por që kanë nevojën e një nxitje, të një tronditje që të zgjohen dhe të marrin pjesë aktive në temat mësimore, në ushtrimet dhe problemat, të nxiten në sprovat vetjake të krijimtarisë dhe të inteligjencies së tyre.

 

Është mësuesi që zbulon tek ata mendimin e fshehtë, misterioz dhe të pashprehur. Ai, duke trokitur thyen heshtjen dhe druajtjen e tyre,  u zgjon ëndrra, dëshira dhe pasione, vë në lëvizje inteligjencien e tyre, u nxit më tej fantazinë dhe imagjinatën. Por, e kundërta ndodh kur ai tregohet indiferent dhe moskokëçarës. Nëse do të bënim një krahasim, (krahasimet asnjëherë nuk janë të përkryera) puna  e mësuesit ngjason me punën atij bujku, i cili kur është punëtor dhe i ditur, e shndërron një tokë djerrë në një tokë pjellore dhe të begatë, kurse, kur është dembel dhe i paditur, edhe tokën më pjellore e shndërron në tokë djerrë, në tokë shterpë, ku rriten vetëm hithra dhe barëra të  këqija.

 

Potencialisht mund të themi se tek shumica  e njerëzve ekzistojnë prirje të veçanta, ndonjëherë  ato janë të jashtëzakonshme dhe gjeniale, çështja është që ato të zbulohen, të nxiten dhe të vihen në lëvizje. Le të sjellim ndërmend se Homeri krijoi “Iliadën” duke qenë i verbër, dhe, madje, duke qenë i atillë, ai arriti të shohë  më shumë se askush tjetër; Bethoveni krijoi sinfoninë e tij më të bukur kur nuk dëgjonte; Ciceroni, oratori më i madh i kohërave, kur ishte fëmijë,  belbëzonte; Galuaji, matematicieni, më i riu ndër më të mëdhenjtë,  “mbeti” në klasë në vitin dytë të shkollës së mesme dhe, pikërisht në… matematikë; Komisioni e pranoi me vështirësi Edisonin që të hynte në klasën e parë të shkollës fillore, sepse e konsideronin me zhvillim të vonuar, teksa Aleksandri i Madh mund të themi se u bë i tillë, edhe sepse pati si mësues, mësuesin dhe filozofin më të madh të botës, Aristotelin.

Nuk e di pse në këto çaste më vjen ndërmend  thënia e një njeriu të mençur se  “ në botë, kanë kaluar pa u ndjerë dhe pa mundur të tregojnë talentin e tyre miliona njerëz”, që do të thotë se  shumë prej tyre mund të ishin bërë si Fidia dhe Mikelanxhelo, si Sokrati dhe Platoni, si Bethoveni dhe Moxarti, si Arkimedi dhe Gausi, si Kolombi dhe Magelani, si Galileo dhe Koperniku, si Njutoni dhe Ajnshtajni, si Mendelejevi dhe Pjer e Mari Kyri, si Darvini dhe Linne, si Hipokrati dhe Flemingu, si Skoti dhe Amundseni, si  Shekspiri dhe Verni, si Rembrandti dhe Pikaso, si Shlimani dhe Evansi, si Mecena dhe Nobeli, si Hillari dhe Norgej, si Gagarini dhe Armstrongu…, por, edhe si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Nënë Tereza, si Naimi dhe Ismail Qemali, të cilët, si dhe qindra dhe mijëra të tjerë përkrah tyre,  i kanë qëndruar  historisë,  e kanë ndihmuar dukshëm shoqërinë njerëzore apo kombet me kontributet e tyre të vyera. Dhe, në kontekst të përmbajtjes së këtij shkrimi, e dimë të gjithë se edhe ata,   kishin qenë dikur në bankat e shkollës, se mjaft prej tyre si çdo fëmijë e adoleshentë, ishin mbase çapkën apo të druajtur, mbase shembullor që vinin çdo ditë me detyra  apo problematikë, duke u hapur edhe ca telashe shkollës, mësuesve apo prindërve të tyre, por, që u bënë të mëdhenj, jo vetëm në saj të talentit, por edhe sepse patën kujdesin, vëmendjen e duhur nga  mësuesit e tyre, të cilët, u hapën horizonte të reja, i mësuan dhe i nxitën që ata të trokisnin me këmbëngulje  në dyert e dijes, të shpërthenin dhe të shfaqnin talentin dhe gjenialitetin e tyre.

Dhe, në mbyllje të këtij shkrimi, i rikthehem edhe një herë almanakut të thjeshtë të shkollës së mesme të Shalësit në Elbasan dhe, pikërisht mbylljes që i bënë mësues Spiroja, duke paraqitur në mënyrë figurative shprehjet e syve të nxënësve të tij të dashur: “E shikon mësues? Lexo në sytë tanë dëshirën dhe pasionin e madh për poezinë, merr me vete shpirtin tonë poetik…”. Dhe, mësuesi vijon: “Kaq mjafton për mua, që të vazhdoj të punoj me pasionin e mësuesit…, të shoqëroj me sy fluturimin e tyre.”

Një Prilli! – Fragment romani nga Bajram Sefaj

 

April li-li…, i lojës, i argëtimit imagjinar, pa mbarim.
Ditë me emër e mbiemër.
Nuk është e mundur.
Ditë-datë, si për shembull, ditës së shtatëmbëdhjetë të muajit maj, t’i ngjitet emri Ditë Shiu! Ose një dite-datë tjetër, Ditë Breshri. Ditë Bore…, bie fjala! Ditë Pazari. Ditë Feste. Ditëlindje. Ditë Vdekjeje…, ani bën, disi. Por ditë rrenash, kjo nuk bën assesi! Nuk kalon. No pasaran! Është e paimagjinueshme, absolutisht e papërfytyrueshme, që një dite, ciladoqoftë ajo në kalendar, t’i ngjitet emër i caktuar. Ashtu sikurse nuk është e mundur, të caktohet ditë as datë, kur do të bjerë shi, a dëborë. Borë, shi e breshër, mund të bien çdo ditë ose të mos bien hiç. Pa orar e kalendar!
Nga, si e qysh, dita e parë e muajit prill, mori emrin Ditë e Rrenave?!?
Sikur ditëve të tjera të motmotit nuk rren njeri! Po të ishte ashtu, do të ishte një gjë e mirë, e mrekullueshme. Ditë e shenjtë. Festë gjithënjerëzore!
Njerëzit rrejnë, mjerisht, para dhe pas një prillit. Për çdo ditë, pandërprerë e gjithmonë. Rrejnë në jetë. Në krijimtari. Në art. Edhe më keq, rrejnë kur bëjnë shkencë. Në çdo fushë tjetër. Sidomos në politikë dhe diplomaci! (Shtim: për diplomacinë thuhet se është i vetmi profesion pa etikë. Aty rrena ka legjitimitet të garantuar).
Më logjike do të ishte sikur dita e një prillit të shpallej Ditë pa rrenë. Ditë Vërtetësie! Ditë e shënuar, kur do të ishte më e bekuara e të gjithave! Ditë gjatë se cilës nuk do të këputet asnjë rrenë! Dita e një prillit të quhej Ditë mahish, gazmoresh, qesëndish…
(Episod: Ndreu hoqi dorë nga meditimi rreth kësaj teme të vjetruar. Kodi i saj, qoftë edhe gazmor, humoristik dhe argëtues, është zhbërë dhe shuar krejt. Është mekur humori, sot! Ishte i sigurt se çfarëdo që të shkruante sot, do ta shpallte të humbur, të pavlefshme!
Paradoks dhe ironi, kjo ditë i sillte sihariq. I biri nuk kishte qenë në kurrfarë kontrolli, siç shkruante. Kishte qenë në ekzaminim, në sprovë zemre djaloshare. Me një bukuroshe alpine, të bardhë si qumështi, në dhomën e hotelit të bukur dhe luksoz, mbi liqenin e hijshëm të bjeshkës!).

/Nxjerrë nga romani “Terra nullius”, ShB Rozafa, Prishtinë -2009/

DITAR I DARDANISË – Poezi nga ATDHE GECI

Teatër famëkeq i adresohet Kosovës
që Kosova të jap Trepçën e Ujmanin
të jap kishat dhe Luginën e Moravës
dhe të bie në nënshtrim të detyruar
Kot i trokas mendjes dhe mendimit,
logjika ime s´e kupton kapitullimin
Teatër famëkeq i adresohet Kosovës
Trepça Iliriane t´i faturohet Serbisë
kjo është e pabesueshme për lirinë
Kush po e kërkon poshtërimin tonë
dhe hapjen e luftërave në Ballkan
Ju që jetoni jashtë arsyes së kohës
Trepça nuk falet dhe as s´tregëtohet
Pa u shterru gjithë gjaku i dardanisë
Në Trepçë është shpirti atdheut tonë
më e gjakëta flakë e të gjithë kombit
Kosovë, si mund të jetë paqja me ty
kur pjesët të shenjta i falen Serbisë
Zgjohu fitore nga gënjeshtra, zgjohu
se oligarkët Kosovën po e copëtojnë!…
ngritu Kosovë përreth Lumit të Ibrit
se na shkoi Trepça, Ujmani e Morava!
Atdhe Geci – Dortmund, 2020

Dy poezi nga RAYMOND CARVER – Përktheu FASLLI HALITI

DRURI BALSA

 

 

Babai im është në sobat që skuq vezë

dhe tru. Por kush është i uritur
Këtë mengjes ? Ndiehem i lehtë
si druri i balsës
. Sapo u tha diçka.
Nëna ime e tha. Ç’ështe atje? diçka,
vë bast, se ka të bëjë me paratë. Unë do të bëj pjesën time
nëse nuk ha. Babai i ktheu shpinën sobave.
“Tashmë  unë jam në tokë. Mos më bëj që të fundosem më thellë. “

Drita rrjedh nga dritarja. Dikush qan.
Gjëja e fundit që mbaj mend është erë e keqe
e vezëve të djegura dhe të trurit.
Në mëngjes
copëtohet në plehra dhe përzihet
me gjëra të tjera.
Më vonë, ai dhe unë
udhëtojmë me makinë për në deponi, dhjetë milje larg.
Asnje fjale. Hedhim doreza dhe kuti
në një grumbull të zi. Cijasin  minjtë.
A
fishkëllejnë duke tërhequr jashtë nga zarfet e kalbura
duke u zvarritur barkazi.
Ne hipim në makinë
për të parë tymin dhe zjarrin. Motori është i ndezur.
E nuhas ngjitësin e modelve në gishtat e mi.
Ai më shikon ndërsa i vë gishtat në hundë.
Pastaj ai shikon përsëri drejt qytetit.
Ai do të donte të thoshte diçka, por nuk mundi.
Është Milliona  e miliona milje larg. Të  dy jemi
shumë larg
nga këtu e megjithatë është dikush që qan. Dhe  atëherë
Unë fillova të kuptoj se si është e mundur
të qendrosh ne nje vend. Por edhe në një tjetër.

 

 

Përktheu: Faslli Haliti

 

KU KISHIN JETUAR

 

Kudo që të shkonte ditë ai tërhiqej

e kaluara e tij Kaloi nëpër grumbuj

e kujtimeve. Ai shikoi në dritare

që nuk i përkisnin më.

Puna, mjerimi dhe paratë e pakta.

Në ato ditë ata jetuan me forcën e vullnetit,

i vendosur mirë të jetë i pathyeshëm.

Asgjë nuk do t’i ndalonte ata. Të paktën

për një kohë të gjatë.

Në dhomën e motelit

atë natë, në dritën e parë të agimit,

ai tërhoqi një perde mënjanë dritares. Ai pa retë

të grumbulluara kundër Hënës. Ai u përkul

te gota. Kishte një draft të ftohtë

që preku zemrën e tij.

Të kam dashur, mendoi ai.

Të kam dashur shumë.

Para se nuk të dua më.

Dy poezi të reja nga TAHIR BEZHANI

ZHURMË  NË  ZEMËR

Tërë ditën e lume ngujuar

Duke dertuar me vetminë e vetmisë

Shikimet gozhduar në portën e oborrit

Përtej xhamit duke shikuar

Largë e afër ndjenjës së hidhëruar

Në pritje të hapjës së derës së hapur

Nga dorë vëllau apo i afërt tjetër

Nga dorë e mikut të dashur

Ose zë piskë qielli: ”a je këtu o burrë?….”

Shpirti nuk vuan pa e njohur veten

E mendimet  rikthehen  sertshëm

Në dhomën e ngujimit virusal…

Nata vjen me ngarkesa tjera

Thyhen mendimet  luginave të zeza

Fjalët varen këndeve të dhomës

Fshehur në rrjetin e merimangave

Ikin nga furtunë zjarresh,bërtimash nga brenda

Konfliktet ngelin të shkretëruara rrugës

Vetëm zemra e duron zhurmën e përplasjeve

Dashuria është ngrirë moti theqafjes së  mendjes

 

Trokisni në portën time kur kaloni rrugës

Të qetësohet zhurmë e zemrës së lodhur.

Anise kurrë nuk e do  dorzimin e nënshkruar…..

 

 

 

Gjakovë,

02.prill,2020

 

 

 

 

 

 

BORË MBI LULE

 

Bora  mbi lulët e pjeshkës kishte rënë natën

Në mëngjes të strukuar dukeshin

Me shikimin kah toka,dhimshëm

Sikur  kërkonin ndihmën  time

Para ngrirjes,para renjes së dhunshme

Çfarë t’i bëja natyrës

Me rrëshqiten pika lotësh

Mllefshëm shfryej
“Ndaj njerzëve e kuptoj pezmin e Zotit,

Me lulet ç’farë pati që ju ngriu?….”

Pse ju quajnë “dashuri pranvere”-thash

Hyra brenda me dhimbje

Sytë  mbetur në lulet e ngrira

Kujtim i kahershëm ngjyente permallimeve

Jeta ndryshon qëndrimet…..

Me “ligjin” e vet-darvinçe….