VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Më 18 korrik, Thaçi në Bruksel do të shoqërohet nga Haradinaj e Veseli

By | July 13, 2018

Komentet

Pacolli reagon ndaj ndalesës së flamurit të Kosovës në kampionatin në Rusi

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, përmes rrjetit social Twitter, ka reaguar ndaj ndalesës së vendosjes së flamurit të Kosovës në Kampionatin Botëror të Futbollit në Rusi.

“I zemëruar ndaj veprimeve të Rusisë për ndalimin e përdorimit të flamurit të Kosovës gjatë finales së Kupës së Botës. Kosova është anëtare e FIFA-s dhe iu bëj thirrje që të reagojnë ndaj abuzimit që ka bërë Rusia ndaj Kosovës”.

“Politika duhet të qëndrojë jashtë sportit”, ka thënë Pacolli.

Reagimi i tij vjen pasi në stadiumet ruse, flamuri i Kosovës është ndaluar të ekspozohet krahas disa flamujve tjerë.

Prishtinë, marshim i “Solidaritetit me Demokracinë” për 15 Korrikun

PRISHTINË (AA) – Me rastin e përvjetorit të dytë të tentativës për grusht shteti të kryer nga FETO në Turqi, u mbajt marshim i “Solidaritetit me Demokracinë” ku morën pjesë qindra njerëz në sheshet kryesore të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Marshimi për të përkujtuar tentativën për grusht shteti të 15 korrikut të vitit 2016 u organizua me iniciativë të shoqatave të shoqërisë civile, si Bashkësia e Studentëve të Diplomuar në Turqi, ARASTA, IDEA dhe Qendra Liberal Demokrate dhe nën mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Pjesëmarrësit me pankarta me mbishkrimin “Jemi me ju” nga sheshi “Nëna Tereza” i Prishtinës vazhduan drejt sheshit “Zahir Pajaziti” ku në skenën e përgatitur për këtë ditë, ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç mbajti një fjalim.

Në fjalën e saj, ambasadorja Kılıç falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e këtij marshimi duke theksuar se dy vitet e fundit që nga tentativa për grusht shteti në Turqi, miqësia dhe solidariteti në mes të popullit të Kosovës dhe Turqisë është forcuar edhe më shumë.

Duke kujtuar suksesin e treguar nga populli turk i cili ka vepruar bashkë pa dallim partie apo ideologjie në natën e 15 korrikut, Kılıç tha se solideriteti i treguar në ditën e sotme nga të rinjtë, të moshuarit e të gjitha komuniteteve të Kosovës ka një vlerë shumë të madhe.

“Në këtë ditë kujtojmë me respekt të gjithë dëshmorët që mundësuan që ne të jemi sot këtu pasi që falë tyre ajo natë e trishtueshme u lidh në një mëngjes të ndritshëm. Nuk do t’i mbesin sytë prapa martirëve tanë të demokracisë sepse kjo miqësi, ky solidaritet dhe dashuria për demokracinë do të vazhdojë përjetësisht. Me dëshirën që ajo tradhti e 15 korrikut të mos përsëritet në asnjë shtet mik, edhe njëherë dua të përkulem me respekt para dëshmorëve tanë dhe dua t’iu falënderoj edhe juve miqve të madhërishëm këtu në Kosovë. Rroftë Kosova, rroftë Turqia”, u shpreh ajo.

Ministri i Administratës Publike të Kosovës, Mahir Yağcılar në një prononcim për AA uroi mëshirën e Zotit për të gjithë dëshmorët që kanë humbur jetën në natën e 15 korrikut. Ai theksoi besimin e plotë se Turqia do të vazhdojë me hapa shumë më të fuqishëm drejt së ardhmes dhe se do të avancojë udhëheqjen e saj.

“Këto mund t’i shohim si një veprim i një pjese të njerëzve të cilët kanë qenë kundër rendit dhe demokracisë, por në anën tjetër ka qenë edhe ajo pjesa e madhe e tyre, të cilët kanë mbrojtur demokracinë dhe janë pranë vullnetit kombëtar. Po ashtu shohim një udhëheqje, e cila është shembull e udhëheqjes së fuqishme nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, i cili i tejkalon të gjitha vështirësitë. Urojmë që gjithmonë të mbizotërojë kjo demokraci”, tha Yağcılar.

Kujtojmë se në këtë marshim përveç përfaqësuesve të shoqërive civile dhe një numri të madh të qytetarëve nga mbarë Kosova, morën pjesë edhe ministri i Zhvillimit Rajonal të Reublikës së Kosovës, Rasim Demiri, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe deputetja nga radhët e Partisë Demokratike Turke (KDTP), Müfera Şinik, deputeti nga KDTP, Fikrim Damka, kryetari i Komunës së Mamushës, Abdülhadi Krasniç, kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nga dega në Fushë Kosovë, Xhevdet Qeriqi, koordinatori i TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran, drejtori i Institutit Yunus Emre në Prishtinë, Mehmet Ülker, si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Më 18 korrik, Thaçi në Bruksel do të shoqërohet nga Haradinaj e Veseli

Delegacioni i Kosovës do të udhëtojë i përforcuar në takimin e radhës me delegacionin nga Serbia më 18 korrik në Bruksel, në nivelin më të lartë të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore.

Presidenti i i Kosovës, Hashim Thaçi do të shoqërohet kësaj radhe nw Bruksel nga udhëheqësit e institucioneve tjera, por jo edhe nga përfaqësuesit e opozitës.

Megjithatë, nuk besohet se në takimin me delegacionin nga Serbia do të përfshihen edhe kryeministri dhe kryetari i Kuvendit.

Zyrtarë nga kryeministria kanë sqaruar për Radion Evropa e Lirë se liderët e institucioneve do të udhëtojnë së bashku në Bruksel, por nuk besohet se mund të zhvillojnë së bashku edhe takimin me delegacionin nga Serbia, pasi që ftesa e Përfaqësueses së BE-së për takim u është drejtuar vetëm presidentëve të Kosovës dhe Serbisë.

Nga kryeministria u tha se udhëheqësit kosovarë do ta takojnë së bashku Federica Mogherinin, kurse takimi Kosovë – Serbi do të zhvillohet ndërmjet presidentëve.

“Udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës: Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministri, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe zëvendëskryeministri dhe ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi, sot në një takim të përbashkët, vendosën që të mërkurën, më 18 korrik, të takojnë Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, znj. Frederica Mogherini në Bruksel”, thuhet në një komunikatë për media.

“Udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës, do t’i konfirmojnë Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, për dialog me Serbinë dhe po ashtu përkushtimin dhe angazhimin tyre për përfshirjen e opozitës në dialog, respektivisht krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës”, vijon komunikata.

Takimi i radhës ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel mbahet më 18 korrik me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Sekretari amerikan i mbrojtjes viziton për herë të parë Kosovën

PRISHTINË – Pas përfundimit të Samitit të NATO-së në Bruksel, Sekretari amerikan i mbrojtjes James Mattis do të udhëtojë nesër në Zagreb për të takuar përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të takimit të Kartës së Adriatikut me SHBA.

Pas ftesës së NATO-së për të nisur negociatat me Maqedoninë, SHBA-ja dëshiron të jap një mesazh të posaçëm përkrahës për vendet e Ballkanit.

Sipas komunikatës së Departamentit të Shtetit, vizita e Sekretarit Mattis është e para në rajon dhe do të takohet me ministrat e mbrojtjes së shteteve Kroaci, Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi, Kosovë, Bosnjë dhe Serbi.

Haradinaj pret në takim krerët e Listës Serbe

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në takim me anëtarë të Listës Serbe

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj zhvilloi sot një takim pune me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetarin e këtij subjekti, Milan Radojçiq. Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në këtë takim u diskutua për situatën e përgjithshme në vend, me theks të veçantë për aspektet e sigurisë si dhe zhvillimit ekonomik e social.

Lista Serbe përfaqësohet me një zëvendëskryeministër, tre ministra dhe disa zëvendësministra në Qeverinë e Kosovës.

Por ministrat serbë janë duke funksionuar nga pozita e ministrave në dorëheqje, ndërkaq në Kuvend, deputetët e Listës Serbe kanë kaluar në opozitë.

Këto qëndrime, Lista Serbe i ka marrë pas arrestimit të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, më 26 mars.

Aktualisht, përfaqësuesit e Listës Serbe janë të përfshirë edhe në hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Intervista – Haradinaj: Jam shqiptar, nuk jam mysliman

Në një intervistë për gazetën “Middleeasteye”, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se identiteti kombëtar është identiteti i parë i tij. “Unë jam shqiptar, nuk jam mysliman, feja nuk është identiteti im i parë”, është shprehur ai.

Haradinaj ka thënë se kosovarët jetojnë në një “botë tjetër” prej asaj të myslimanëve të Lindjes së Mesme.

“Ne jemi një komb euro-atlantik. Kur ne ishim në telashe, SHBA dhe NATO ishin me ne, kështu që ne i përkasim këtij grupi”, ka thënë ai.

“E vërteta është se ne kemi ekzistuar për më shumë se 2000 vjet para Muhamedit apo Jezusit. Kemi jetuar si të krishterë për shumë kohë dhe pastaj e kemi pranuar fenë myslimane, nëpërmjet administratës osmane“, ka shtuar Haradinaj.

Gazeta shkruan se më shumë se 90 për qind prej 1.8 milionë banorëve të Kosovës janë shqiptarë myslimanë, por institucionet shtetërore janë laike.

Sipas gazetës, kosovarët që e aspirojnë anëtarësimin në NATO dhe në Bashkim Europian (BE) “mund ta përdorin identitetin islamik për të lehtësuar rrugën e tyre në klubin e shteteve me rrënjë të krishtera”.

“Middleeasteye” thekson se në vendet islamike rrallë herë nderohen presidentët amerikanë, ndërsa në Kosovë ata nderohen e respektohen më shumë se askush.

“Udhëheqësit amerikanë të viteve të kaluara nderohen gjithmonë për shkak të raportove dhe miqësisë që kanë mes veti që nga aksionet për ndihmë në luftën e fundit në Kosovë”, shkruan gazeta.

Caktohet data e raundit të ri të bisedimeve Kosovë-Serbi

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka caktuar për të mërkurën më 18 korrik raundin e ri të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një njoftim të zyrës së saj thuhet se në takimin ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të shqyrtohet përparimi në diskutimet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve si dhe për planet dhe hapat e ardhshëm për t’u siguruar se puna do të vazhdojë më një ritëm të përshpejtuar.

Muajin e kaluar të dyja palët ishin pajtuar “të intensifikojnë punën në javët në vazhdim”, në kërkim të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimi i marrëdhënieve, që është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje.

Prishtina thotë se ajo duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Beogradi që kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon një “kompromis”, por pa e qartësuar se cili mund të jetë ai. Një pjesë e politikanëve ne Serbi tashmë e kanë përsëritur se zgjidhje mund të ishte ndarja e Kosovës, përkatësisht që veriu i saj i banuar me shumicë serbe t’i takojë Serbisë, ide që është hedhur poshtë nga Prishtina.

Thaçi: Të gjithë t’i kontribuojnë dialogut me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se askush nuk mund ta udhëheqë vetëm procesin e negociatave me Serbinë dhe se askush nuk do të jetë në gjendje ta bllokojë këtë proces.

Gjatë një vizite në Ferizaj, të mërkurën, Thaçi tha se është koha që të gjithë udhëheqësit politikë në Kosovë, të cilët janë të interesuar që t’i kontribuojnë konsolidimit të vendit, të marrin përgjegjësinë për këtë proces të rëndësishëm.

“Qëllimi ynë është të arrijmë një marrëveshje përfundimtare. Jemi të vendosur për marrëveshjen përfundimtare të paqes dhe pajtimit, pas së cilës do të ketë njohje reciproke të Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të jetë një arritje historike për Kosovën, për paqen dhe stabilitetin në rajon. Që kjo njohje të ndodhë, duhet të kontribuojmë të gjithë”, tha Thaçi.

Ai i bëri këto komente në përgjigje të pakënaqësive të opozitës në Kosovë që Thaçi të udhëheqë fazën finale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Presidenti i Kosovës takon kryeministrin rus në Ankara

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të hënën mbrëma se është takuar në Ankara me kryeministrin rus, Dimitry Medvedev.

Takimi i shkurtër është zhvilluar në kuadër të ceremonisë së përurimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, i cili u rizgjodh në votimet e muajit të kaluar.

Në një postim në rrjetet sociale, presidenti Thaçi shkruan se “kryeministrin Medvedev shkurtimisht e informova për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon. Me këtë rast, kërkova nga kryeministri Medvedev që të vendosim një komunikim fillestar midis dy vendeve tona. Ne po ashtu biseduam edhe për fazën e fundit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe u pajtuam se marrëveshja eventuale do të sjellë paqe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”.

Rusia e cila ka shtuar përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e saj në Ballkan, vazhdon të mbështesë Serbinë e cila po ndjek një vijë të hollë ndërmjet synimit për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe ruajtjes së lidhjeve me Moskën.

Rusia mbështet qëndrimin serb ndaj Kosovës dhe nuk i sheh me sy të mirë proceset integruese të vendeve të Ballkanit, posaçërisht zgjerimin e NATO-s.

Kuvendi i Kosovës pranohet në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë

Kuvendi i Kosovës nga sot është anëtar i Asamblesë parlamentare të Frankofonisë, pas votimit në mbledhjen që është mbajtur në Kanada.

Lajmin e bëri të ditur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, bëri të ditur se “kam kënaqësinë e madhe që t’iu njoftoj se Kuvendi i Kosovës sapo është votuar që të anëtarësohet në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë. Unë jam i gëzuar që pas shumë përpjekjesh kjo nismë për t’u bërë pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar të parlamentarizmit u kurorëzua me sukses”.

“Kjo është organizata më e madhe ndërkombëtare parlamentare ku ne bëjmë pjesë dhe ofron një mundësi të jashtëzakonshme për diplomaci parlamentare. Nëpërmjet këtij anëtarësimi forcojmë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë e do kemi mundësi ta promovojmë Kosovën e ndërtojmë marrëdhënie me parlamentarë të vendeve që ende nuk na njohin”, theksoi Veseli gjatë dhënies së këtij lajmit në seancën plenare.

Anëtarësimi i Kuvendit të Kosovës në Frankofoni është nismë e kryeparlamentarit Kadri Veseli i cili muaj më parë ka takuar edhe krerët e kësaj Asambleje, ndërsa ka zhvilluar edhe takime të ndryshme gjatë vizitave zyrtare në vende të ndryshme.

Para 1 muaji, pikërisht për këtë çështje, kryeparlamentari Veseli priti në Prishtinë, Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, Jacques Krabal./KosovaPress/

Thaçi: Largimi i serbëve nga FSK është i organizuar

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se po zhvillohen bisedime me disa pjesëtarë serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës për kthimin e tyre në këtë Forcë, duke nënvizuar se askush nuk do të mund të pengojë formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Deklaratat e tij pasojnë largimin e disa pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si pasojë e presioneve të Beogradit.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, presidenti Thaçi tha se Kosova insiston në paqe dhe raporte të mira fqinjësore.

“Është koha për dorështrëngim dhe jo për t’u shikuar përmes tytave”, u shpreh Thaçi.

Ai ka potencuar se Forca e Sigurisë së Kosovës është në rrugën e transformimit në ushtrinë e ardhshme të Kosovës.

“Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë ushtri shumetnike, me standarde të NATO-s, gjithëpërfshirëse, në shërbim të paqes dhe stabilitetit. Do të jetë një ushtri me qëllim e vizion të sigurt për anëtarësim në NATO. Do të jetë një ushtri mbrojtëse dhe natyrisht me synimin për pjesëmarrje në misione paqësore ndërkombëtare. Paraqet mesazhin e paqes dhe në asnjë rrethanë kërcënim për askënd”, theksoi Thaçi.

Një numri i pjesëtarëve serbë të FSK-së nga rajoni i Gjilanit, javën e kaluar ka paraqitur kërkesën për largim nga kjo Forcë, për shkak të, siç është thënë, kërcënimeve dhe presioneve nga Beogradi.

Kohëve të fundit ata janë përballur me situata të pakëndshme, sulme me koktej molotovi ndaj pasurisë së tyre, ndalimeve gjatë kalimit kufitar në Serbi si dhe me kërcënimet e disa zyrtarëve në Beograd për dënimin e tyre deri në 10 vjet burgim, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në “formacionet e huaja të armatosura” (FSK).

Presidenti Thaçi ka thënë se Forcat e Sigurisë së Kosovës po zhvillojnë konsultime, biseda të brendshme me pjesëtarët serbë të FSK-së rreth këtyre zhvillimeve, duke potencuar se askush nuk do të mund të ndalë transformimin e kësaj force në ushtrinë e Kosovës.

“Shihet që është një synim i organizuar. Tash për tash nuk mund të them që ka motiv të qartë politik, por autoritetet dhe zyrtarët, eprorët e lartë të FSK-së janë duke i dëgjuar opinionet e secilit veç e veç me mirëkuptimin më të madh që ata të vazhdojnë punën, të luajnë rolin e vet që u takon për vendin e vet. Tek e fundit Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Por, një gjë mund ta them, askush as në Kosovë e as jashtë Kosovës nuk mund ta frenojë të drejtën e Kosovës si vend i pavarur e sovran që ta ketë ushtrinë e vet. Kjo punë tanimë është e kryer”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar të dielën se qëndrimi i tij është se serbët e Kosovës nuk duhet të marrin pjesë në Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Nëse shihet si presion po që se themi që nuk do të dëshironim që serbi të shtinte në serbin, ngase për çka tjetër kjo ushtri do të shërbente”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se kjo ushtri (e Kosovës) nuk do të sulmonte Shqipërinë, shqiptarët në Maqedoni apo ata në Mal të Zi.

Duke potencuar se një ushtri e Kosovës mund të shihet vetëm kundër serbëve dhe Serbisë, Vuçiq ka deklaruar se nuk mund të shihet si presion kundërshtimi i Beogradit që serbët të jëne pjesë e FSK-së.

“A do t’i lejojmë ata dhe ne të heshtim e të shikojmë qiellin derisa ata të na e vrasin popullin”, ka thënë Vuçiq, duke përsëritur se veprimet, sipas tij “kriminale kundër popullit serb nuk do të përsëriten më”.

Ndërkohë, Thaçi ka thënë se Kosova nuk flet përmes armëve, por angazhohet për paqe, pajtim dhe raporte të mira me fqinjët.

“Nuk dua t’i komentojë deklaratat që flasin për gjakderdhje, luftë apo shënjetrim të njëri-tjetrit. Koha është për shtrirjen e dorës së pajtimit dhe jo shikimit përmes tytës”, ka thënë Thaçi.

Ai ka përsëritur se pret një marrëveshje me Serbinë në dialogun e Brukselit e cila do t’u ndihmonte të dyja vendeve. Në çdo rrethanë, tha Thaçi, e ardhmja e Kosovës nuk është e lidhur me atë të Serbisë.

“Po është shumë me rëndësi se derisa të mbërrijmë deri te ky moment duhet të sillemi në mënyrë korrekte me njëri-tjetrin, në mënyrë paqësore, ne hapa progresi dhe mirëkuptues ndaj njëri-tjetrit si dy shtete, por edhe si dy popuj”, theksoi Thaçi.

Sipas tij, është me rëndësi jetike që të dyja shtetet të mos e befasojnë njëra-tjetrën.

“Çdo pretendim për veto për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës do të jetë i dështuar”, theksoi presidenti Thaçi.

Ai ka bërë të qartë se Kosova do t’i themelojë Forcat e Armatosura në partneritet dhe koordinim me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë

Amra Zejneli-Loxha

Makina përplaset me autobusin në Kosovë, 5 të vdekur, 3 prej të cilëve fëmijë

Një aksident i rëndë ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Kosovë, ku një makinë është përplasur me një autobus. Aksidenti ka ndodhur në aksin Suharekë-Duhël, ndërsa mësohet se kanë humbur jetën 5 persona, tre prej të cilëve janë fëmijë. Nuk dihet ende identiteti i viktimave si dhe shkaqet e aksidentit.

Njoftimi i plotë i zëdhënësit të policisë për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha:
Rreth orës 13:21 minuta ne magjistralen Suhareke Duhel ka ndodhur nje aksident i tmerrshëm komunikacioni me c’rast kane humbur jetën pese persona: dy te rritur dhe tre femije. Vdekjet janë konfirmuar nga emergjenca e cila ka dale ne vendin e ngjarjes. Aksidenti ka ndodhur ne mes te nje automjeti te llojit BMW dhe një autobusi, Per informata shtese do te njoftoheni me kohe.
Policia e Kosovës vazhdimisht po bën apel për kujdes në komunikacion.