Gotfrid Vilhelm Lajbnici (Gottfried Wilhelm Leibniz, 1 korrik 1646 – 14 nëntor 1716), ishte filozof, shkencëtar, matematikan, diplomat dhe jurist gjerman. i cili kryesisht shkruante në gjuhën latine dhe frënge.
Lajbnici konstruktoi makinën e parë llogaritëse që ishte e aftë të kryejë shumëzimin dhe pjesëtimin. Ai gjithashtu futi në përdorim sistemin e numrave binar që sot përdoret në sistemet kompjuterike. Pavarësisht nga Isak Njutoni ai, “zbuloi” ,,njehsimin diferencial,, dhe futi në përdorim simbolet për integralin, derivatin dhe diferencialin të cilat edhe sot janë në përdorim për dallim nga simbolet e Njutonit të cilat ishin më konfuze , për integralet zgjodhi germën latine (S germa e parë e fjalës suma), të cilën e zgjati pak dhe për simbol të derivatit respektivisht të diferencialit germën D (germa e parë e fjalës latine diferentia). Lajbnici mendonte që simbolet janë shumë të rëndësishme për t’i kuptuar gjërat. Ai gjithashtu provoi të formojë një alfabet për mendimet njerëzore, në të cilin do t’i pasqyroje të gjitha konceptet bazike të përdorimit të simboleve dhe kombinimet e tyre për të pasqyruar mendime më komplekse. Lajbnici asnjëherë nuk e përfundoi këtë. Kontributi i tij filozofik për matematikën është bazë e Monadologjisë, në të cilën fut Monadat si “formë substanciale e qenies”, të cilat janë të ngjashme me atomet shpirtërore, i përjetshëm, i patretur, individual, të ndjekur nga vet ligji i tij, pa bashkëveprim (“xham dritareje”) por që nuk reflektonin Universin si tërësi. Në këtë rrugë skema e mësipërme si nocion që tret monadën në problemin e bashkëveprimit të mendjes dhe dukjes së lëndës. Ai bashkë me Rene Descartes, dhe Baruch Spinoza është njëra nga tre figurat më të rëndësishme të racionalizmit të shekullit XVII. Ai zë një pjesë të madhe në historinë e filozofisë dhe në historinë e matematikës. Është i njohur konstatimi i tij se universi ynë është më i miri i mundshmi me fjalë tjera as Zoti vetë nk do të mund të krijonte një më të mirë. Lajbnici dha kontribute të çmueshme edhe në Fizikë, teknologji, biologji, mjekësi, gjeologji, psikologji, linguistikë. Ai gjithashtu shkroi edhe për tema nga politika, Jurisprudenca,Etika, Teologjia, historia, dhe Filologjia.
Lajbnici, njëherit, ka bërë studimin e parë ndër gjermanët dhe evropianët për prejardhjen e gjuhës shqipe e të shqiptarëve. Lajbnici me tri “letrat shqiptare[1] që ai i ka dërguar bibliotekarit mbretëror në Berlin, së bashku me albanologun Erik Hemp, “një dijetar të hershëm të vërtetë të gjuhës shqipe”[2] paraqesin të parët teorin “ilire” të prejardhjes së gjuhës shqipe.
Biografia[
Gotfrid Vilhelm Lajbnici lindi më 5 korrik 1646 në Leipzig, babai i vdiq kur ai kishte 6 vjet kështu që mësimet e para nga feja dhe morali i mori nga nëna e tij. Këto mësime zgjuan tek ai një nxitje për tu marrë me filozofi. Në moshën madhore prezantohej si “von Leibniz”. Babai i tij ishte profesor i filozofisë së moralit në Universitetin Leipzigut i la një bibliotekë personale mjaft të pasur në të cilën Lajbnici filloi të studionte libra që në moshën 7 vjeçare. Kur i mbushi 12 vjet pa problem e zotëronte gjuhën latine e cila në atë kohë ishte gjuha e shkencës. Pastaj filloi të interesohej për gjuhën greke. Në moshën 14 vjeçare i filloi studimet në Univerzitetin ku punoi babai i tij të cilin pas 4 vjetësh e mbaroi në degën e jurisprudencës aty ai gjithashtu mori leksione nga logjika dhe filozofia skolastike. Edukimi i tij matematik ishte në nivelet si në Francë dhe Britani. Në vitin 1666 (ai e publikoi librin e tij të parë si temë diplome Mbi artin e Kombinatorikës.
Letrat shqiptare
Janë të njohura tri letra, si duket letërkërkesa të Lajbnicit dërguar një bibliotekisti në Berlin. Në letrën e parë të datës 24 janar të vitit 1705, Lajbnici shprehte mendimin se shqipja duhej të ishte një gjuhë sllave, kurse gjuha e ilirëve të lashtë mund të ekzistonte diku në Epir.
Letrën e dytë ai e shkroi pothuajse pesë vjetë më vonë, më 10 dhjetor 1709, pasi kishte shtënë në dorë një libër dhe një fjalor të gjuhës shqipe, që ishte identifikuar (nga Erik Hemp), përkatësisht Fjalorin latinisht-shqip të frang Bardhit (Dictioarium latinoepiroticum, Romë 1635 ) dhe veprën e Pjetër Budit.
Duke hedhur poshtë mendimin e shprehur në letrën e parë se “gjuha e ilirëve të lashtë ishte një gjuhë krejt e ndryshme nga shqipja”, në këtë letër të dytë ai arriti në përfundim se: “… kjo ishte gjuha e ilirëve të lashtë”. [1]
Filozofia e Leibniz
Laibnici ishte i pakënaqur nga mënyra se si Dekarti dhe Spinoza kishin përshkruar natyrën e substancës, sepse ai e ndiente që ata i kishin shtrëmbëruar idenë tonë për natyrën njerëzore, lirinë dhe Zotin. Të thuash, siç thoshte Dekarti, që mendimi dhe shtrirja janë dy substanca të pavarura, do të thotë të krijosh një dilemë të fortë për shpjegimin e ndërveprimit mendje-trup, si tek njeriu ashtu edhe tek Zoti. Spinoza u përpoq ta zgjidhte këtë dilemë duke thënë se egziston vetëm një lloj substance me dy lloj atribute të ndryshme, që janë mendimi dhe shtrirja. Por të reduktosh të gjithë realitetin në një substancë të vetme, do të thotë të humbësh dallimin midis elementeve të ndryshëm natyror. Megjithse Spinoza u përpoq të na e jepte botën e përbërë nga shumë mënyra, të krijuara nga format e ndryshme që merrte mendimi dhe shtrirja, përsëri monizmi i tij ishte një panteizëm ku Zoti ishte gjithçka dhe çdo gjë ishte pjesë e diçkaje tjetër. Për Laibnicin konceptimi i tyre për substoncën ishte i përshtatshëm, sepse ai turbullonte dallimin midis Zotit, njeriut dhe natyrës, të cilat Laibnici donte t’i veçonte. Në mënytë paradoksale, Laibnici pranoi teorinë e Spinozës për një substancë të vetme dhe modelin e tij mekanik të universit; por ai e paraqiti në një mënyrë kaq unike teorinë e një substonce, sa që ishte në gjendje të fliste për individualitetin njerëzor, transhendencën e Zotit, si dhe për realitetin e përbërë nga liria dhe qëllimet universale.
Laibnici ishte ai që ndryshoi supozimin bazë, mbi të cilin Dekarti dhe Spinoza kishin ndërtuar teorinë e tyre të substancës, dhe pikërisht atë që shtrirja merr përmasa dhe formë të caktuar. Dekarti supozonte se shtrirja i referohet një substance materiale, që shtrihet njësoj në hapsirë dhe nuk është e ndashme në diçka më parësore. Spinoza, nga ana tjetër, e konsideronte shtrirjen të reduktuar vetëm në vetitë e Zotit apo Natyrës. Laibnici nuk pojtohej me asnjë nga idetë e mësipërme. Duke vërejtur me anë të shqisave tona, se të gjithë trupat apo objektet janë të ndarë në pjesë më të vogla, atëherë, pyeste Laibnici, pse ne nuk mundemi të supozojmë se të gjitha gjërat janë agregate ose të përbëra? “Duhet të ketë substanca të thjeshta, – thoshte ai, “përderisa ka substanca të përbëra; përderisa një përbërje nuk është gjë tjetër veçse bashkim apo agregat i substancave të thjeshta”.
Megjithatë, në thënien se çdo gjë përbëhet nga substanca më të vogla, nuk ka asgjë të re sepse, që në kohën e Demokritit dhe Epikurit është diskutuar që substancat përbëhen nga atome. Por Lajbnici ishte ai që e hodhi poshtë nocionin e atomit, sepse Demokriti e kishte përshkruar atë si trup në shtrirje, si një pjesëz të reduktuar të materies. Këto pjesëza të vogla konsidëroheshin pa jetë ose interne dhe të cilat duhet ta merrnin lëvizjen nga diçka që ndodhej jashtë tyre. Duke hedhur poshtë idenë e materies si primare, Lajbnici argumentonte se substancat vërtet të thjeshta janë monadat, të cilat “janë atomet e vërteta të natyrës…elementet e gjithçkaje”. Monadat ndryshojnë nga atomet, pasi këto të fundit deri tani ishin parë si trupa në shtrirje. Ndërsa Lajbnici i përshkruante monadat si forcë ose energji. Ai, më tej, thoshte se materia nuk është element primar i sendeve, por monadat, me elementin e tyre forcë, përbënin substancat bazë të sendeve.
Lajbnici donte të vinte në dukje se substanca përmban jetë ose forcë dinamike. Ndërkohë që atomi material i Demokritit duhej të ndikohej nga jashtë, me qëllim që të lëvizte apo të bëhej pjesë e tufës së madhe të atomeve, Lajbnici thoshte, se substanca e thjeshtë, monada është, “e aftë për të vepruar”. Fjala monadë rrjedh nga fjala greke monas, e cila do të thotë bashkim, prandaj ai shtonte se “substancat e përbëra janë një bashkim monadash. Kështu pra, substancat e thjeshta, jetët, shpirtërat janë njësi. Rrjedhimisht e gjithë natyra është plot me jetë”.
Sipas Lajbnicit, monadat janë elemente pa shtrirje, ato nuk kanë formë apo përmasa. Një monadë është një pikë, e cila nuk nënkupton as pikë fizike dhe as atë matematike, por një pikë metafizike ekzistence. Çdo monadë është e ndarë nga tjetra dhe ato nuk kanë ndonjë lidhje të rastit me njëra-tjetrën. Megjithëse ishte e vështirë të imagjinoje një pikë pa përmasa dhe formë, Lajbnici donte ta theksonte këtë me qëllim që të bënte diferencimin nga atomi material i Demokritit. Mendimi i tij në këtë fazë është i ngjashëm me nocionet e shekullit XX, ku thuhet se pjesëzat e vogla fizike janë forma të veçanta të energjisë. Kryesisht, Lajbnici thoshte se monadat janë logjikisht parësore ndaj çdo lloj forme tjetër trupore. Atëherë, vazhdonte ai, substanca e vërtetë janë monadat, të cilat i quante substanca shpirtërore, për të theksuar natyrën e tyre jomateriale. Çdo monadë është e ndryshme nga të tjerat dhe zotëronte forcën dhe parimet e saj të veprimit, dhe, thoshte Lajbnici, “ato kanë një siguri të mjaftueshme, që shërben si burim i lëvizjeve të tyre të brendshme. Ato, gjithashtu, përmbajnë brenda vetes burimin e veprimeve të tyre”. Përveç kësaj, për të theksuar se gjithë pjesa tjetër e universit nuk mund të ndikonte në sjelljen e tyre, Lajbnici thoshte se monadat janë krejt të mbyllura (pa dritare) ndaj tij. Por duhet të jenë lidhjet midis monadave ato që i japin universit shpjegimet për veprimet e tyre të rregullt. Këto shpjegime, Lajbnici i gjeti në idenë e tij të harmonisë së paravendosur.
Çdo monadë vepron në përputhje me qëllimin e saj. Monadat e mbyllura, të cilat ndjekin qëllimet e tyre formojnë një bashkim apo univers të rregullt. Megjithëse secila prej tyre është e ndarë nga tjetra, qëllimet e tyre të veçuar formojnë një harmoni të një shkalle të lartë. Kjo është njësoj sikur një shumicë sahatesh të ndryshëm të bien të gjithë në të njëjtën orë, pasi secili e llogarit kohën mjaft saktë. Lajbnici i krahasonte të gjitha këto monada me një numër koresh dhe bandash muzikantësh të cilët luanin secili pjesët e tyre të ndara, që as mos e dëgjonin apo shikonin njëri-tjetrin, por, megjithatë, shkonin së bashku në mënyrë të përsosur secili duke ndjekur notat e tij, sa dikush, që i dëgjonte nga jashtë, gjente tek to hormoninë e mrekullueshme dhe habinë për mos ekzistencën e asnjë lloj lidhjeje midis tyre”. Pra, sipas kësaj, çdo monadë ishte një botë më vete, por secila prej tyre vepronte në harmoni me të tjerat. Kështu mund të thuhet se çdo monadë pasqyronte universin (por sipas një prespektive unike) në mënyrë të tillë që sikur një gjë “të ndryshonte apo të largohej prej tij, të gjitha të tjerat do të ndryshonin”. Një harmoni nuk mund të jetë pasojë e një krijimi të rastësishëm monadash, por, thoshte Lajbnici, duhet të jetë si rezultat i veprimtarisë së Zotit; pra, kjo lloj harmonie është e paravendosur.
Harmonia, që ekziston tashmë në botë, e bëri Lajbnicin të argumentonte se Zoti jo vetëm i kishte paravendosur gjërat në botë, por, gjithashtu, ai kishte krijuar më të mirën e mundëshme të gjithë botëve. Megjithëse kjo është më e mira e botëve ose qoftë vetëm e mirë, gjithmonë mbetet e hapur pyetja për arsyen e rrëmujës dhe të këqijave të saj. Në të vërtetë, Shopenhaueri mendonte se, me gjithë këtë të keqe që mbizotëron në të, kjo është më e keqja e të gjithë botëve; kështu ne nuk jemi të bindur, nëse Zoti ekziston apo ai Zot që e ka krijuar atë ka qënë një Zot i mirë. Lajbnici ishte i ndërgjegjshëm për rrëmujën dhe të keqen që ekziston, por ai e konsideronte këtë të pajtueshme me konceptin e një krijuesi me vullnet të mirë. Në njohjen e tij të përsosur, Zoti merr parasysh të gjithë llojet e botëve që ai mund të krijojë; por zgjedhja e tij duhet të jetë në përputhje me kërkesat morale që një botë duhet të përbëhet nga e mira, sa më shumë që të mundet. Por, botë të tilla nuk mund të jenë të përsosura. Përkundrazi, një botë e krijuar konsiston në kufizime dhe papërsosmëri të sendeve, “pasi Zoti nuk mund t’i japë krijesës së tij gjithçka të përsosur, pa e bërë atë gjithashtu Zot, prandaj gjithçka në botë ka kufizime të çforëdo lloji”. Burimi i së keqes nuk është Zoti, por natyra jo e përsosur dhe e kufizuar e sendeve që Ai ka krijuar. Akoma më tej, e keqja nuk është thelbësore, por thjesht një mungesë përsosje, apo privim. Prandaj Lajbnici thotë se “Zoti dëshiron të paraprijë e mira dhe rrjedhimisht më e mira.” Përfundimisht, Lajbnici mendon se ne nuk mund të bëjmë një vlerësim të drejtë të së keqes, në qoftë se do ta shikojmë atë, vetëm nëpërmjet objekteve apo ngjarjeve të veçanta. Shumë gjëra, të cilat në vetvete duken se janë të këqia, shndërrohen në paraprirëse të së mirës; si për shembull, “ëmbëlsirat bëhen të mërzitshme, në qoftë se ne hamë vetëm ato; por po t’i kombinonim me diçka të thartë, të athët apo qoftë dhe pak të hidhur, atëherë do të stimulonim shumë shijen tonë”. Akoma më tej, ngjarjet e humbin prespektivën e tyre të vërtetë. Lajbnici pyet: “Në qoftë se shikoni një pikturë të mrekullueshme, pasi kemi mbuluar një pjesë fare të vogël të saj, çfarë tjetër do të shikoni prej saj, pamvarësisht nga analiza e kujdesshme, që mund t’i bëni, veçse një masë ngjyrash pa zgjedhje dhe pa art? Por në qoftë se do të hiqni mbulesën dhe do të shikoni të gjithë pikturën prej një këndvështrimi të duhur, do të kuptoni se ajo, çfarë ju duk si një shkarravinë e pakujdesshme, është në të vërtetë një punë e bërë prej piktori me shumë art”.
Si mund të ketë liri, vazhdon Lajbnici, në një botë të krijuar prej Zotit, ku ai përcakton një rregull sistematik, duke futur qëllime specifike brenda çdo monade? Secila monadë është e përfshirë në zhvillimin e qëllimeve të saj dhe “çdo gjëndje e një substance të thjeshtë është rrjedhim i një gjëndje paraprirëse”. Çdo person, identiteti i të cilit përqëndrohet rreth një monade mbisunduese, mund të paraqesë, në këtë pamje mekanike, një shpalosje të jetës së tij që prej fillimit. Më tej, përderisa natyra bazë e këtij përsoni është mendimi, sipas tij, zhvillimi jetësor konsiston në mposhtjen e mendimeve konfuze dhe arritjen e ideve të vërteta, të cilat ndodhen të gjitha brenda nesh në formën e potencialeve të errëta, që kërkojnë të marrin përmasa aktuale.
Kur këto potenciale bëhen aktuale, atëherë ne i shohim gjërat siç janë dhe kjo, thotë Lajbnici, do të thotë të jesh i lirë. Me këtë të fundit nuk kuptohet vullneti i lirë, apo fuqia e zgjedhjes, por një vetëzhvillim i brendshëm, që tregon se pamvarësisht nga përcaktimi që secili të veprojë sipas drejtimeve specifike, është natyra e tij e brendshme ajo që përcakton veprimet dhe jo forcat e jashtme. Sipas këtij kuptimi, liria nënkupton aftësitë e dikujt për t’u bërë pa kufizime, çfarë ai është përcaktuar të jetë që më parë dhe kjo, njëkohësisht, nënkupton një ekzistencë cilësore, pamvarësisht se njohja e tij ka kaluar nga konfuzja tek më e qarta. Njeriu i lirë është ai që e di pse dhe për çfarë e bën diçka. Kjo ishte rruga që Lajbnici zgjodhi për të pajtuar pikëpamjet e tij të determinizmit në natyrë me konceptin e lirisë.
Se si Lajbnici arriti në pajtimin e botës së monadave me nocionin e lirisë, është e dyshimtë. Gjithashtu ishte ai që fliste për lirinë si një “zgjidhje e vullnetit të lirë” dhe shtonte se “liria dhe vullneti i lirë nënkuptojnë të njëjtën gjë”. Akoma, këtu, duket se ai e vë theksin, më shumë se kudo, mbi idenë e determinimit, mbi nocionin e universit mekanik dhe makinës shpirtërore. Në këtë kohë Lajbnici nuk përdori modelin e tij mekanik për shpjegimin e universit, sepse, në qoftë se do ta bënte, ai do të thoshte se pjesë të ndryshme të universit ndikojnë mbi njëra-tjetrën në mënyrë të tillë siç ndikojnë pjesët e orës në lëvizjen e njëra-tjetrës. Në njëfarë mënyrë shpjegimi i tij ishte shumë më rigoroz në pikëpamjen determinuese, se sa si sugjerim i modelit mekanik. Monadat e tij ishin krejt të pavarura dhe nuk ndikoheshin nga njëra-tjetra, por vepronin në përputhje më qëllimin e tyre, të cilin i kishin që prej momentit të krijimit nga Zoti. Ky lloj determinizmi është më rigoroz, sepse nuk varet nga shkaqet e jashtme, por nga natyra e brendshme, e përhershme dhe e fiksuar e çdo monade.
Shpjegimi përfundimtar i botës, thotë Lojbnici, është se “disa gjëra ekzistojnë më shumë se disa të tjera, posi kjo është përcaktuar nga fjala e shenjtë…”. Gjërat janë kështu, siç janë, pasi Zoti i donte ato të tilla. Duke dëshiruar që disa gjëra të jenë kështu, siç janë, ai kufizoi numrin e mundësive të tjera dhe përcaktoi se cilat ngjarje mund të jenë të bashkemundshme. Zoti mund të ketë dëshiruar universe dhe bashkime të tjera të mundësive, por dëshira për këtë lloj universi bëri që tani të ekzistojnë këto lloj lidhje të domosdoshme midis sendeve. Gjithashtu, nga prespektiva e arsyetimit njerëzor, thëniet në lidhje me botën e fakteve janë sintetike ose i referohen përvojës apo verifikimit, në qoftë se do të kërkojmë të vërtetën e tyre, duhet të dimë që janë thënie analitike të përcaktuaro ngo Zoti. Vetëm Ai mund të arrijë në të vërtetën e të gjithë substancave. Dhe është vetëm injoranca, ajo që na pengon të shikojmë, në persona të veçantë, të gjitha të vërtetat që janë lidhur me to. Së fundi, të vërtetat e faktit, sipas Lajbnicit, janë po ashtu analitike. Kështu një njeri i përmban brenda tij të gjitha të vërtetat për veten dhe, në qoftë se do të arrijmë ta njohim atë, sipas një nocioni të plotë, atëherë do të arrijmë në zbulimin e asaj që është e vërtetë prej tij, si për shembull, “çfarë përfaqëson mbreti Aleksandri i Madh…”. Zoti duke njohur nocionin individual të Aleksandrit, e shihte atë, në të njëjtën kohë, si krijuesin dhe shkakun e të gjitha të vërtetave, të cilat i atribuoheshin vërtetë atij. Për shembull, ai dinte nëse do të mposhtëte Darius-in dhe Porus-in; nëse ai vdiq në mënyrë natyrale apo i helmuar, të vërteta këto të cilat ai i dinte a priori [jo nga përvoja], ndryshe nga ne [me intelektin tonë të kufizuor njerëzor], që i njohim këto vetëm nga historia”.
Pra për Lajbnicin, logjika ishte çelësi i metafizikës. Nga gramatika e thënieve, ai arriti në konkluzionin e botës reale. Së fundi, ai hodhi idenë se të gjitho thëniet e vërteta janë analitike. Si rrjedhim, si substancat ashtu dhe njerëzit, për Lajbnicin janë të njëjta me kryefjalët e një thënie analitike, të cilat përfshijnë kollëzuesit (pohimet, të vërtetat) brenda tyre. Ai, gjithashtu, zbatoi ligjin e tij të vazhdimësisë tek ideja e tij e substancës, me qëllim që të vërtetonte teorinë e tij, që çdo substancë i shpalos të vërtetat e saj sipas një renditje dhe parashikimi të përcaktuar nga Zoti. Ligji i vazhdimësisë hedh idenë se “natyra nuk bën shmangie”. Në botën e krijuar prej Zotit çdo pozicion është i zënë; kështu të gjitha ndryshimet janë në vazhdimësi. Pra monadat e mbyllura, mbajnë brenda tyre gjithë reagimet për të ardhmen. Dhe ashtu siç është e vërtetë për monadat, po oshtu është e vërtetë se të gjitha kombinacionet dhe mundësitë e ndryshme të ngjarjeve mbajnë brenda tyre gjithë të ardhmen e botës dhe arsyeja e mjaftueshme për këtë rregull është “shkaku suprem, i cili e bën gjithçka në mënyrën më të përsosur”. Gjithashtu, pamvarësisht se mendja njerëzore përmban shumë ide të lidhura dhe të vërteta, ajo nuk mund të njohë realitetin ashtu siç e njeh Zoti. Një fëmijë nuk mund të njohë gjithshka menjëherë, por duhet të presë derisa të rritet dhe derisa raste të veçoantë të përvojës së përditshme, t’ia vërtetojnë ato. Pikërisht fakti që këto ide bëhen të njohura vetëm në raste të tillë, i bën ato tepër të natyrshme. Megjithatë doktrina e idesë së lindur, shoqëruar me realitetin, pasqyroi vlerësimin e tij optimist, për aftësinë e arsyes në njohjen e realitetit dhe besimin e tij që nga të vërtetat e brendshme të natyrshme mund të burojnë dije, pothuajse të plota, të botës reale.
Veprat
1666. De Arte Combinatoria
1671. Hypothesis Physica Nova
1673. Confessio Philosophi
1684. Nova methodus pro maximis et minimis
1686. Discours de metaphysique
1705. Explication de l’Arithmetique Binarie
1710. Theodicee
1714. Monadologie
Burimi i të dhënave[
^ abM. Reiter, Leinizen's Albanerbriefe, Zeitschrift feur Alkanologie. Jg. XVI, 1980, fq.82-93. nxjerr nga Avni K. Këpuska, "QENËSIA E TERRITORIT DHE E KUFIJVE ETNIKË AUTOKTONË TË KOSOVËS", fq.43, botimi i tretë, Prishtinë 2004
^E.P. Hamp. On Leibniz's Third Albanian Letter. Zeitschrift feur Balkanologie nxjerr nga Avni K. Këpuska, "QENËSIA E TERRITORIT DHE E KUFIJVE ETNIKË AUTOKTONË TË KOSOVËS", fq.43, botimi i tretë, Prishtinë 2004
Më 10 dhjetor 1901 u ndanë për herë të parë Çmimet Nobel. Pas negociatave të tejzgjatura, pjesërisht me qeverinë franceze (e cila kërkonte të vendoste një taksë shumë të lartë mbi pasurinë e Alfred Nobelit); dhe pjesërisht, pas bisedimeve me familjen Nobel rreth çështjes së trashëgimisë, më në fund u bë e mundshme dhënia për herë të parë e 5 Çmimeve (aq sa Nobel kishte lënë me testament). Ceremonia për 4 prej tyre (Fizikë, Kimi, Mjekësi, Letërsi) u zhvillua në Stokholm dhe ceremonia e Çmimit për Paqe, u mbajt në Christiania, kryeqyteti norvegjez që më vonë do të emërtohej, Oslo. Pesë vjet kishin kaluar nga koha kur Alfred Nobel vdiq në San Remo, më 10 dhjetor 1896 (63 vjeç). Ditët deri në dhënien e shpërblimeve, gjithashtu ishin plot tension. Emrat e fituesve ishin mbajtur të fshehur – ndryshe nga sot që zbulohen një muaj përpara. Kur tre gjermanë të shquar – erdhën me tren nga jugu dhe zunë vend në Hotel Grand, Stokholm, u bë e qartë se ata duhet të jenë laureatë të çmimit Nobel. Trafiku ndërkombëtar në atë kohë nuk ishte aq i madh sa sot, dhe mbërritja e njerëzve të huaj përbënte lajm. Në ceremoninë në Stokholm, në sallën e Akademisë së Muzikës, çmimet u ndanë për arritjet në Fizikë, Kimi, Mjekësi, Letërsi. Salla u mbush gradualisht me njerëz në veshje festive. Më pas, tre fituesit hynë pa bujë, muzikë a duartrokitje siç është zakon sot. I pari erdhi fizikanti gjerman Wilhelm Conrad von Rontgen, pastaj kimisti holandez Hendricus van t’Hoff, i ndjekur nga mjeku gjerman Emil Adolf von Behring; dhe së fundi, ministri francez për të marrë çmimin Nobel në letërsi në emër të poetit Sully Prudhomme, i cili ishte i sëmurë; Ndërsa ceremonia e dhënies së çmimit Nobel për paqe u zhvillua në Christiana (Oslo) në sallën e parlamentit norvegjez. Çmimi u nda mes zviceranit Henri Dunant (themelues i Kryqit te Kuq ndërkombëtar), dhe francezit Frederik Passy (ekonomist dhe veprimtar paqeje). Ndërkohë poezia “Vazoja e thyer” e nobelistit të parë në Letersi, u lexua atë ditë në ceremoninë në Stokholm:
“Vazoja e thyer” Sully Prudhomme (shqipërim)
Një goditje e lehtë Ishte e mjaftueshme Për të plasaritur Këtë vazo lulesh. Trendafilat po thahen Jo nga goditja Por nga e krisura Që ditë pas dite Pothuajse fshehurazi Pika pika ujë nxjerr Nga vazoja Dikur llogore jetike E trëndafilave Askush s’dyshon Se lulet po thahen Mos e prekni vazon, Thonë, është e thyer!
Shpesh, një dorë që të do Lehtë zemrën t’a prek Dhe e lëndon atë Pastaj në mbarë zemrën Një krisje e padukshe përhapet Dhe lulja e bukur e dashurisë humbet.
“Le Temps” ka botuar, të premten e 2 shtatorit 1921,në faqen n°2, një shkrim në lidhje me shkëputjen e kishës ortodokse shqiptare nga ajo greke, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Kisha shqiptare ndahet nga ajo greke
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Na shkruajnë nga Korça :
“Lëvizja separatiste fetare në Shqipëri e udhëhequr nga imzot Fan Noli, president i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, sapo mori formë.
Kisha shqiptare është shkëputur nga ajo greke dhe ky lajm, i shpallur nëpërmjet një manifesti, është përshëndetur me entuziazëm nga popullsia ortodokse.
Kisha shqiptare, pas atyre rumune, serbe dhe bullgare, bëhet kombëtare dhe shkëputet nga patriarkana e Fanarit.”
Memorie.al publikon rrëfimin e ish-Komandantit të Artilerisë Kundërajrore të Ushtrisë, Fadil Toçi, një nga nëntë oficerët e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët në vitin 1973 u dërguan me një mision tepër sekret në Vietnamin e Jugut, duke u maskuar si punëtorë të Metalurgjikut që shkonin në Kinë për specializim. E gjithë aventura në xhunglat aziatike e ushtarakëve shqiptarër Moisi Elezi, Fadil Toçi, Filip Meksi, Islam Kapaj, Alo Nanaj, etj., që pasi u pritën nga Kryeministri Pham Van Dong, për tre muaj me radhë ”mori përvojë” në xhunglat e Vietnamit, duke shkuar dhe në frontin e luftës ku bombat e aviacionit amerikan binin si breshër, si dhe kthimi i tyre për në atdhe në dhjetorin e ’73-it pas një udhëtimi me mjaft probleme dhe incidente si ai në aeroportin e Moskës, ku i mori nën mbrojtje ambasada kineze…
Ka qenë fillim tetori i vitit 1973, kur një avion hungarez i “Malev”-it, njërës nga të paktat shoqëri ajrore që fluturonin asokohe në qiellin shqiptar, ngrihej nga pista e Rinasit ku kishte një grup të madh punëtorësh e inxhinierësh nga Kombinati Metalurgjik i Elbasanit, të cilët shkonin për specializim në Kinën e largët. ”Në mes të atij grupi prej 32 vetash, ishim të maskuar edhe Ne, nëntë ushtarakët e lartë nga Ministria e Mbrojtjes, që shkonim me një mision sekret për në Vietnam, ku ende amerikanët vazhdonin bombardimet”. Njeriu që flet dhe dëshmon ekskluzivisht për Memorie.al. është Fadil Toçi, një ish-ushtarak i lartë i karrierës me disa funksione drejtuese në Ushtrinë Shqiptare, si komandant i Artilerisë Kundërajrore në Ministrinë e Mbrojtjes, komandant Grupimi dhe pedagog në Akademinë Usharake “Mehmet Shehu” me gradën shkencore Doktor i Shkencave Ushtarake, i cili zbulon të fshehtën e atij misioni dhe udhëtimin e largët me itinerar: Rinas-Budapest-Moskë-Irkutsk-Pekin, për të përfunduar në xhunglat aziatike të Vietnamit të Jugut, fare pranë breshërive të bombave amerikane ku ata filimisht i priti kryemnistri, Pham Van Dong.
Urdhri i Beqir Ballukut për misionin sekret
Teksa linte pas qytetin e tij të lindjes, Peshkopinë, për të vazhduar shkollën ushtarake në Tiranë, Fadil Toçit nuk i kishte shkuar kurrë në mend, se një ditë të bukur do të nisej për në kontinentin e largët aziatik ”për marrje përvoje”. Dhe aq më pak, atje në xhunglat e Vietnamit, ballë për ballë amerikanëve, ku provonin aftësitë e tyre kolegët e tij ushtarakë nga Moska, Pekini e Hanoi. ”Që në vitin 1971, kur isha në detyrën e Komandantit të Artilerisë Kundërajrore të Ushtrisë, ma kishin thënë si ide: që unë, së bashku me një grup studentësh nga dega e Artilerisë, duhej të shkonim në Kinë, ku do të merrnim teknikën e nevojshme ushtarake, e më pas për në Vietnam, ku do të fitonim përvojë”, kujton Fadili atë kohë të largët, duke shtuar se edhe sot e kësaj dite nuk i di arsyet e vërteta, sepse ajo u shty për dy-tre vjet më vonë. ”Ndoshta se atëherë ishte kulmi i bombardimeve”, hedh një hipotezë ai, e shton: ”Ku i dihet”, duke i qëndruar përsëri versionit të parë. Nga fundi i shtatorit të vitit 1973, sipas urdhrit të Beqir Ballukut, nëntë ushtarakëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, që përfaqësonin disa nga degët e armët kryesore të Ushtrisë Shqiptare, iu komunikuan detyrat konkrete, në kuadrin e misionit që ata do kryenin në Vietnamin e largët. ”Vajtja jonë në Vietnam ishte e kushtëzuar, për arsyen se atje ishte në përdorim i njëjti arsenal ushtarak, që kishim dhe ne në përdorim në ushtrinë tonë: Ai sovjetik dhe kinez”, shprehet ish-ushtaraku i lartë, Toçi, duke zbardhur një nga të vërtetat, se përse ndërmerrej ai mision. ”Nuk ishim ne të parët që shkonim për marrje përvoje në ushtrinë e Hanoit, aty para nesh kishin shkuar shumë ushtarakë nga vende të ndryshme të botës, ku midis të cilëve kishte sirianë, kubanezë, hungarezë etj., që shihnin në vend gjithçka luhej aty”, kujton Toçi.
Në avion e Malev-it, si ”specialistë të Metalurgjikut”
Më 6 të tetor të vitit 1973, grupi i përbërë nga nëntë ushtarakët e lartë, i kryesuar nga Mojsi Elezi (Komandant Korpusi) dhe Fadil Toçi, Islam Kapaj, (artilier) Alo Nanaj, (inxhinier në ushtri) Filip Meksi, (këmbësor) e katër oficerë të tjerë, mbi bordin e ”Malev”-it udhëtonim për në drejtim të Lindjes së Largët. Të gjithë pjesëtarët e grupit ishin të maskuar e kamufluar si punonjës të Metalurgjikut, që do të specializoheshin në Kinë. ”Unë isha i regjistruar si inxhinier mekanik”, kujton Toçi makinacionin e përdorur që në fillim të misionit të tyre. Në aeroportin e kryeqytetit hungarez, Budapest, ”punonjësit e Metalurgjikut” i mori një avion i madh rus, i cili u nis menjëherë në drejtim të Moskës. Pas një ndalese të shkurtër në mjediset e aeroportit të madh të Moskës, avioni rus, pasi kaloi mbi Siberi, ndaloi në Irkutsk, (afër liqenit Baikal), ku një avion kinez, pasi i sistemoi miqtë e largët nga Shqipëria, u nis menjëherë në drejtim të Pekinit. Dy-tri ditë qëndrimi aty u mjaftoi ushtarakëve shqiptarë për të pushuar e për t’u çlodhur pak nga ai udhëtimi i largët, e gjithashtu për t’u ndarë nga ”kolegët” e tyre të Metalurgjikut, të cilët shkonin në drejtim të Shangait. Pas atij pushimi, udhëtimi i tyre vazhdoi në drejtim të Hanoit, kryeqytetit të Vietnamit të Veriut, ku ishte dhe destinacioni i misionit sekret.
Pritja me nderime të mëdha në Hanoi
”Në Hanoi na pritën me të gjitha nderimet, ushtarakë të lartë vietnamezë. Mua personalisht më priti koloneli i parë, Komandanti i Artilerisë Kundërajrore të Ushtrisë Vietnameze dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të grupit tonë, kolegët e tyre përkatës”, kujton Toçi mbërritjen e tyre në kryeqytetin e një prej vendeve më të varfra të Azisë, që sistemin e tyre komunist donte t’ia injektonte dhe vëllezërve të tyre në Vietnamin e Jugut, që kishte filluar lulëzimin e kapitalizmit nën udhëheqjen e liderit Nguyen Du Për të ndaluar përhapjen e komunizmit në Jug të Vietnamit, gjë e cila stimulohej edhe nga ndihma e ndërhyrja e qeverisë vietnamezo-veriore, që kishte filluar prej Ho Chi Minh, (presidentit komunist, i cili asokohe kishte vdekur dhe mbahej në frigorifer në pritje të ndërtimit të mauzoleumit), qeveria e SHBA-së kishte filluar luftën dhe vazhdonte bombardimet ndaj ushtarëve vietnamezë, të cilët rrinin me opinga për të imituar Presidentin e tyre komunist.
Marrja e përvojës vietnameze
Lidhur me sistemimin e trajtimin që iu bë fillimisht 9 ushtarakëve të lartë shqiptarë në Hanoi, në atë kohë kur amerikanët i kishin pushuar bombardimet në veri, pasi në Paris kishin filluar bisedimet për ndërprerjen e luftës, Fadil Toçi kujton: ”Na sistemuan në një ndërtesë, në afërsi të qendrës së Hanoit, e cila ishte përshtatur vetëm për ne. Në krahasim me kushtet e një varfërie të madhe, ku jetonte i gjithë Vietnami, pritja dhe trajtimi që na bëhej ishte mjaft e mirë. “Ne jemi vërtet të varfër, por sa për ju kemi”, na thoshin shpesh ata. Në ndërtesën ku na kishin vendosur të banonim bënim dhe marrjen e leksioneve, të cilat na i jepnin specialistët përkatës, sipas të gjitha llojeve të armëve. Përveç marrjes së leksioneve e mësimeve teorike në klasa, ne dilnim dhe në poligone, fusha e objekte, ku kishte pasur bombardime nga amerikanët. Që në fillimin e luftës, vietnamezët kishin ngritur një Institut të Shkencave Ushtarake, i cili studionte të gjitha armët e reja që përdoreshin kundra tyre dhe si të mbroheshin nga ato. Kështu ata kishin shpikur një lloj kapele me kashtë e me dru, që nuk shpohej nga predhat dhe plumbat, e ishte më efikase se helmetat prej hekuri. Në Vietnam kishte shumë ushtarakë sovjetikë, por ne nuk kishim kurrë kontakte me ta. Vietnamezët i dinin marrëdhëniet tona me ta dhe i respektonin me rigorozitet ato. Ndonëse nuk pamë asnjë ushtarak kinez në Vietnam, ata e vlerësonin shumë ndihmën e Pekinit zyrtar, me teknikën e re të arsenalit ushtarak, që u ofronte herë pas here, krahas asaj të vjetër sovjetike që merrnin nga Moska. Në leksionet që i fillonim në ora 05:30 të mëngjesit dhe që i mbaronim në ora 17:30 pasdite (pasi bënim tre orë pushim në drekë), ushtarakët e lartë vietnamezë na jepnin në detaje dhe hollësira të gjitha bilancet e luftimeve që kishin bërë me amerikanët. Ditët e diela i kishim pushim dhe shpesh na çonin nëpër vende turistike për të parë bukuritë e tyre, që ishin vërtet të mahnitshme. Gjatë këtyre shëtitjeve dhe sa herë që ne dilnim, kurrë nuk pamë fëmijë që të lypnin, ndonëse varfëria ishte shumë e madhe. Në atë gjendje tejet të mjeruar, ata na trajtonin shumë mirë. Aq sa makina e kryeministrit vietnamez, Pham Van Dong, nuk ndryshonte fare nga ato që na kishin dhënë neve për të lëvizur. Këtë gjë e pamë gjatë pritjes që dha për ne kryeministri vietnamez, i cili sapo ishte kthyer nga një vizitë në Shqipëri. Ai kishte një zyrë fare të thjeshtë dhe na priti shumë mirë. Kryeministri vietnamez jetonte ashtu nën shembullin e Ho Chi Minh, që kishte jetuar në mes të fëmijëve të varfër e jetimë. Shpesh dilnim dhe vetëm nëpër qytet, por vietnamezët na survejonin me nga një ushtarë, që na ndiqte pas në çdo hap. Survejuesi ynë hiqte xhaketën për t’u dukur civil, duke na thënë që ajo bëhej për sigurimin tonë. Në banesën ku ishim vendosur ne, ata kishin vendosur përgjues, duke na regjistruar gjithçka që bisedonim. Këtë gjë e mësuam, kur dikush nga ne u ankua se përse na i kishin ndërprerë bananet dhe rezervat e stilolapsave që na ishin mbaruar. Ndonëse kjo bisedë u zhvillua vetëm ndërmjet nesh, të nesërmen i pamë ato me bollëk në tavolinat tona. Sjellja jonë ishte tejet korrekte, por edhe ndonjë ankesë e vogël që mund të bëhej ndërmjet nesh, menjëherë ajo plotësohej”.
Në jug, afër bombave amerikane
Përveç qëndrimit në Hanoi, grupi i ushtarakëve shqiptarë, që kryesohej nga Mojsi Elezi (ish-shoqërues i Enver Hoxhës gjatë luftës) ndërmori dhe aventurën e rrezikshme, duke shkuar për 17-të ditë në Vietnamin e Jugut, ku vazhdonin ende bombardimet e amerikanëve. Lidhur me këtë, Toçi kujton: ”Gjatë atyre 17-të ditëve që qëndruam në jug, në çdo hap na shoqëronin oficerë vietnamezo-veriorë. Ne shkuam nëpër disa qytete si: Hai Fong, Dong Ha, Vinu Lin, Kuan Tri, që ata i konsideronin si zona të çliruara. Nga veriu në jug udhëtuam me automjete ushtarake, duke u veshur herë si civilë dhe herë si ushtarakë me uniformat e tyre vietnameze. Gjatë atyre ditëve patëm rastin të shihnim ”Brezin Maknamara”, që kishte marrë këtë emër për nder të Sekretarit Amerikan të Shtetit për Mbrojtjen. Ai brez, që shtrihej në kilometra pa fund, përbëhej prej pemësh tropikale hekuri, që nuk ndryshonin fare nga ato realet, të cilat amerikanët i kishin hedhur me parashuta, duke i ngulur në tokë. Çdo pemë kishte nga një aparat, që i përcillte lokacionit të zbulimit amerikan të gjitha zhurmat e lëvizjet që ndodhnin pranë tyre. Aq të shumta ishin këto pemë prej hekuri, saqë vietnamezët nuk kishin mundësi që t’i shkulnin. Kjo ishte një nga teknikat më të sofistikuara që ekzistonte asokohe. Me gjithë peripecitë e shumta që ndeshëm gjatë udhëtimit në jug, misioni ynë ia arriti qëllimit”, kujton Toçi për aventurën e tij në Vietnamin e Jugut.
Incidenti në Moskë: Na mbrojtën kinezët
Lidhur me përfundimin e misionit sekret në Vietnam dhe aventurën e kthimit të tyre në atdhe, Fadil Toçi kujton: “Pasi u kthyem në Veri, qëndruam dhe pak kohë aty për të marrë më pas rrugën e kthimit. Misionit tonë sekret dhe ”marrjes së përvojës” i kishte ardhur fundi. Ishte fundi i dhjetorit i vitit 1973. Nga Hanoi në Pekin udhëtuam me avion dhe prej aty vazhduam më tej në drejtim të Moskës. Aty fjetëm një natë në hotelin që ndodhej brenda aeroportit, nga ku e kishim të ndaluar të dilnim. Kontrollet ndaj nesh ishin të shumta, sidomos po të kishim me vete ndonjë literaturë, gjë e cila përbënte herezi dhe të nxirrte probleme jo të vogla. Ngaqë nuk kishim vizë tranziti për në Moskë, na mori në mbrojtje dhe na shoqëroi ambasada kineze e akredituar në kryeqytetin rus, e cila pagoi dhe disa para nën dorë, që të mos na pengonin në kthimin tonë drejt Shqipërisë. Pas një pushimi të shkurtër në Moskë, udhëtuam për në Budapest, ku qëndruam disa ditë për të pritur “Malev”-in. Me atë linjë u kthyem për në Tiranë, duke e konsideruar të mbyllur e me sukses misionin tonë”, përfundon rrëfimin e tij, Fadil Toçi, një nga ish-ushtarakët e lartë shqiptarë që morri pjesë në “aventurën aziatike” i cili shton: ”Gjithë ajo përvojë na shkoi kot, pasi me dënimin e Beqir Ballukut dhe të ashtuquajturës kastës së lartë ushtarake, ajo literaturë u quajt revizioniste dhe u dogj ose u hodh në koshin e plehrave”.
“Na pandehu amerikanë dhe tentoi të na godiste me sëpatë”
Aventura tre mujore e nëntë ushtarakëve të lartë shqiptarë të Ministrisë së Mbrojtjes, nuk kaloi e gjitha si në vaj. Lidhur me këtë, Fadil Toçi, një nga krerët drejtues të atij misioni, kujton: “I vetmi incident që na ndodhi gjatë atyre ditëve të qëndrimit tonë në Vietnam, ishte ai me një grua plakë të vjetër, të cilës gjatë bombardimeve, forcat amerikane i kishin vrarë të gjithë pjesëtarët e familjes. Teksa ishim duke kaluar afër shtëpisë së saj në një fushë, ajo u drejtua nga unë, duke tundur në dorë një sëpatë të vogël, apo siç i themi ne, kosore. Unë nuk po kuptoja se çfarë kërkonte dhe duke iu shmangur pak asaj, pyeta përkthyesin, një djalë të ri vietnamez, i cili ishte diplomuar në Universitetin e Tiranës. Ai më shpjegoi se ajo kërkonte të na vriste, pasi kujtonte se ne ishim pilotë amerikanë të zënë rob. Pas kësaj, përkthyesi ynë iu afrua asaj ta sqaronte, duke i thënë: ”Këta janë miqtë tanë”. Pas kësaj ajo u qetësua disi, por sëpatën nuk e ulte nga dora. Vite më vonë, përkthyesin tonë vietnamez e kam takuar në Kongresin VII të PPSH-së në Tiranë, ku unë isha delegat, por ai bëri sikur nuk më njohu dhe m’u largua me takt”.
“Nga uria e madhe, ushtarët vietnamezë hanin elefantë”
Në rrëfimin e tij ekskluziv për Memorie.al, në mes të tjerash, ish-ushtaraku i lartë, Fadil Toçi, dëshmon edhe për gjendjen tejet të mjeruar në të cilën ndodhej ushtria vietnameze. Lidhur me këtë, ai kujton: “Në Vietnamin e Jugut, gjatë atyre ditëve nuk patëm asnjë problem, ndonëse shkuam deri 10 km. afër bombardimeve në Quan Tri, ku nuk shikohej asnjë ndërtesë në këmbë. Aty gjithçka ishte e shkatërruar. Në atë kohë, në Vietnamin e Jugut lufta zhvillohej në qytetin Hue, amerikanët kishin përgatitur një lloj substance kimike, të cilën e hidhnin nëpër xhungla, ku fshiheshin divizionet vietnameze të veriut, që shkonin në ndihmë të jugut. Kjo lloj substance, që hidhej në formën e spërkatjes nga avionët, kishte veti të thante të gjitha llojet e drurëve, duke bërë rënien e gjetheve dhe demaskimin e forcave ushtarake vietnameze, të cilët herë pas here nga uria hanin dhe elefantë, që i vrisnin nëpër xhungla. Në jug na treguan një zonë të tillë, që dukej sikur i kishte rënë zjarri”./Memorie.al
Harta që e shihni e spjegon bukur shtrierjen e botës pellazge nëpër Europë. Kjo shtrierje duhet të jetë shumë kohë para Luftës së Trojëes ( 1180 pra e.s.)
E shihni që nuk ka as Greqi e as Romë, por këto janë shumë të vonëshme për këtë hartë; nuk ka as Britani, sepse Britit i duhet lindur shumë kohë më vonë që të lindë e rritet për të ngritur Britaninë. Nuk ka as gotë sepse ata pas shekullit 7 e themeluan shtetin e tyre , aty ku janë sot gjermanët.
Por, sido qoftë sot e kemi në rend Korsikën, e njohur si vendlindja e Napolon Bonapartës, por koha që do flasim është mbi 2300 vjet para lindjes së tij.
Një zbulim i vogël arkeologjik e ka bër një hap të madh historik, për të vërtetën etruske e edhe më shumë për mashtrimet historiografike që historia e atyre viseve ka filluar me Romën.
Të gjitha mjediset informative të Francës kanë lajmëruar për zbulimin e varrezave etruske në Aleria të Korzikës.
“Teknika me të cilën ne sot punojmë është shumë më e përparua se ajo e viteve të 60- thotë antropologëja Catherine Rigeade. Kemi të bëjmë edhe me zbulime biologjike, të cilat na japin shënime të çmuara duke filluar nga ADN-ja e materjeve organike që gjënden në vazot e varrezave të cilat na mundësojnë të përcaktojmë identitetin e të varrosurit- moshën e tij (ose e tyre ), gjininë, bila edhe sëmundjet nësa kanë vuajtur sa i ishin gjallë.
“ Varrezat etruske, të zbuluara edhe në Korsikë ndër një nekropolë romake në komunen Aleria , në vendin i quajtur Lamazhon, filloi t `i zgjojë sekretet e varrosura më shumë se 2 500 vjet. INRAP-i ( Instituti kombëtar ( francez) i zbulimeve arkeologjike ) i cili i udhëhqe këto gërmime që nga viti 2018 ka nxjerrur shumë fakte të rëndësishme arkeologjike. Sipas tyre, ky është një zbulim i rrallë i gjetur në Francë në 40 vjetët e fundit.
Ky “ okupim” etrusk siç e quajnë ata, “shtrihej nga shek. i 5-të par e.s. deri në shekullin e tretë të atij mileniumi. Pra, Aleria në mes shekujve të përmendur ishte nën kontrollin etrusk. Rreth vitit 259 pes, qyteti ra ndër Romakët, dhe bëhet qendër politike. Zbulimi i varrezave e dëshmon praninë e tyre deri në vitet 220 pas es.
Arkeologëja Catherine Rigeade, tregon që gjendja e varreve është e mirë dhe më e rëndësishme është që këtu e shohim llojllojshmërinë në mënyren e varrimit të të vdekurve, disa janë drejt e mbi tokë ( dhe), disa në enë druri dhe të tjerët në arkivole nga dërrasat e drurit. Mbi të varrosurit i gjetëm edhe eshtrat e fëmijvë, të ngjashme me varrezat e fëmijëvet.
Në varre janë gjetur edhe mobilje të aristokracisë së kohës, si dhe bizhuteri të ndryshme. Janë futur në regjistër mbi 200 objekte të arit. Për mua që e shkruaj këtë shkrim (fxh ) është se gazetat shkruajnë që zbulimi i këtyre varrezave të shek.,të 4-t pes, do e nxitë punën e më tutjeme arkeologjike për gjetjen e ndikimit të këtij populli, me “origjinë” nga Italia qendrore, në popullsinë vendore
Për mua që e shkruaj këtë shkrim (fxh ) është se gazetat shkruajnë që zbulimi i këtyre varrezave të shek.,të 4-t pes, do e nxitë punën e më tutjeme arkeologjike për gjetjen e ndikimit të këtij populli, me “origjinë” nga Italia qendrore, në popullsinë vendore ????? . Pra, varret misterioze të gjetura në Korsikë fillojnë të flasin për fshehtësitë e ngrysura me mileniume.
“Ky civilizim antik etrusk i paraprinte civilizimit Romak. Lulëzimi i kësaj qytetarie etruske shtrihej nga shekujt 8- 1 PES. Të dalur, me siguri nga Toskana e Ombria, ata i kanë pushtuar shumë brigje bregdetare duke themeluar qytete të ndryshme me një përparim të madh në Detin Mesdhe . Fracezët, iu detyrohemi etruskëve për shkronjën C që e kemi në alfabetin tonë si dhe tjetra që kemi emër dhe mbiemër” – shkruan një gazetë franceze.
Unë shtoj më tutje që çdo zbulim etrusk mund të deshifrohet vetëm me gjuhën shqipe.
Dashnor Kaloçi/ Publikohen kujtimt e panjohura të ish-kolonelit Hysni Daja, partizanit të Brigadës së VII-të Sulmuese, e cila në përbërje të dy divizioneve shqiptare, në fundin e vitit 1944 dhe fillimin e 1945-ës, ndoqi gjermanët në tokat e ish-jugosllavisë, deri në Bosnje. Peripecitë e pafundme të partizanëve shqiptarë të uritur në acarin e atij dimri dhe betejat e përgjakshme në Medun e luginën e Moraçës
Forcat e armikut që vinin nga Podgorica ishin aq të shumta dhe të shumëllojshme, sa kudo që të qëlloje plumbi nuk shkonte bosh. Duke e parë nga e djathta kodrën bardhoshe që po ndizej flakë nga sulmi i batalionit të dytë, komisari i saj, duke i prirë kompanisë së parë, hasi në pengesa artificiale, tela e drurë. Sakaq, dy partizanë trima, i shkuan pranë dhe e ndihmuan. Të dy u vranë para tij. Dy partizanë të tjerë u hodhën më tej, duke mbetur dhe ata të plagosur. Njëri nga komisarët e kompanive kapi me shpejtësi një mitraloz dhe hapi zjarr kundër kolonës së gjermanëve që s’kishte të sosur. Gjermanët u përforcuan me forca të tjera dhe pa e ndaluar sulmin shtinë në dorë disa objekte të lëshuara më parë. Pas kësaj ata përqëndruan një zjarr të paparë. Një predhë goditi për vdekje komisarin e batalionit të parë”. Këto pasazhe që duket se i përkasin trille filmash artistikë apo dokumentarësh mbi Luftën e Dytë Botërore, s’janë gjë tjetër, veçse ngjarje të vërteta dhe të jetuara të partizanëve të dy divizioneve shqiptare, të cilët me urdhër të komandantit të përgjithshëm të tyre, gjeneral kolonel Enver Hoxhës, në fundin e vitit 1944 dhe fillimin e 1945-ës, ndoqën forcat gjermane që tërhiqeshin për në Berlin, duke kaluar në tokat e ish-Jugosllavisë, nga Mali i Zi deri në majat e Vishegradit mbi Bosnje. Një prej atyre partizanëve që mori pjesë në ato luftime, ka qenë edhe koloneli Hysni Daja me origjinë nga fshati Sevran i Skraparit, ish-efektiv i Brigadës së VII-Sulmuese të komanduar nga Gjin Marku, (ku bënin pjesë dhe Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Luan Qafzezi e kuadro të tjerë të lartë të udhëheqjes së PPSH-së) i cili ka shkruar disa libra lidhur me ato ngjarje të ndodhura plot 75 vite më parë. Nga kujtimet e ish-kolonelit Hysni Daja, (i cili është ndarë nga jeta vite më parë) në këtë shkrim po botojmë disa pasazhe të atyre ngjarjeve, ku ai me mjeshtri e dhimbje, përshkruan gjithçka nga jeta, lufta, vuajtjet dhe peripecitë e pafund të bashkëluftëtarëve të tij partizanë, të cilët në emër të një ideali, shkuan për të luftuar kundër një armiku, në tokat e një armiku tjetër shekullorë.
Urdhëri për të ndjekur gjermanët përtej kufirit
Ideja për të ndjekur armikun përtej kufirit tonë shtetëror të asaj kohe, shprehej qysh në urdhrin e komandës së Korpusit të Parë datë 16.XI.1944 ku ndërmjet të tjerash shkruhej: “Divizioni pasi të çlirojë Shkodrën të ndjekë armikun edhe përtej kufirit”. Kjo ide konkretizohej në urdhrin e komandës së përgjithshme të Ushtrisë Nac-Clirimtare të datës 11.XII.1944. Divizioni i VI-të pasi u kompletua dhe u përforcua edhe me Brigadën e VIII-të nga zona e parë operative, kaloi në mësymje kundër forcave naziste të përqëndruara në rajonet: Podgoricë, Bioç, Kuç, Tuz dhe Danilovgrad. Këtë grupim forcash e përbënte Korpusi i XXI-të i përforcuar dhe i bashkuar edhe me reparte të tjera të Gruparmatës E të ushtrisë naziste gjermane të Hitlerit. Sulmi i forcave gjermane në Nikshq-Trebinjë kishte dështuar. Në këtë mënyrë tërheqja e këtyre forcave përbënte një problem serioz për komandën gjermane të Evropës Jug-Lindore. Prandaj për të vendosur tërheqjen e tyre, erdhi me aeroplan të posaçëm në Podgoricë vetë komandanti i këtyre forcave, gjenerali Ëinter. U vendos që tërheqja të bëhej nga drejtimi: Bioç-Kolashin-Pripolje-Vishegrad-Sarajevë. Heqja dorë nga tërheqja e forcave gjermane nga bregdeti, vështirësohej nga që rruga ishte e zbuluar dhe përveç goditjeve nga ajri, ajo rrezikohej t’i nënshtrohej edhe goditjeve që mund t’i vinin nga deti nëpërmjet flotës së perëndimit, e cila ishte në funksion të frontit të dytë e përqëndruar tashmë në Adriatik. Detyra për të bllokuar dhe asgjësuar këto forca iu besua Divizionit të VI-të të Ushtrisë Nac-Clirimtare Shqiptare të përforcuar me Brigadën e IX-të jugosllave, pasi siç dihej Ushtria Nacional-Clirimtare Jugosllave e udhëhequr prej Marshallit Josif Broz Tito, i kishte përqëndruar forcat e saja në veri për çlirimin e Beogradit dhe operonte së bashku me forcat e Ushtrisë së Kuqe të Stalinit. Këto detyra që iu ngarkuan partizanëve shqiptarë, ata i bënë pjesë të vetes së tyre. Ata kishin marrë pjesë në betejat më të ashpra për çlirimin e atdheut dhe ishin përsëri të gatshëm të përballonin me sukses beteja dhe vështirësi të tjera për të nderuar popullin që përfaqsonin, duke i treguar gjithë botës se UNCL Shqiptare ishte ushtri e dalë nga gjiri i popullit dhe ushtri besnike e koalicionit antifashist. Këto gjëra theksoheshin edhe në thirrjen që lëshoi me këtë rast Komanda e Divizionit tonë më datën 9 dhjetor 1944.
Përqëndrimi i forcave partizane shqiptare
Komanda e Divizionit tonë lëshoi urdhrin nr.126 (AQSH. Fondi i Divizonit IV. Dosja 16) që kërkonte bllokimin dhe asgjësimin e forcave gjermane, ku jepeshin përqëndrimet e forcave armike dhe tonat. Brigada e IV-të shqiptare ishte vendosur nga Kuçi, Premçi deri në Harshovë. Brigada e VIII-të: Kurev-Skoraç e Arz, Brigada e XXII në Bozhaj, Karakoll dhe përballë Deçiçit, kurse Brigada e IX-të jugosllave ndodhej e vendosur në sektorin e Berskut në Lieva-Reka. Kjo brigadë pasi të zëvëndësohej nga Brigada e VI-të shqiptare do të shkonte në drejtim të Matashevës. Në pararojë të Divizionit, në krah të majtë të rrugës Hani i Hotit-Podgoricë, marshonte Brigada e VI-të. Kjo brigadë mësymjen do ta kryente në vargun e kodrave të krahut të djathtë të xhadesë ku forcat naziste kishin organizuar një mbrojtje të fortë. Lufta e kësaj brigade që u zhvillua për marrjen e Kalasë së Deçiçit dhe rrethinave të saj, pa dyshim që do të hyjë në historinë e saj si një nga luftrat më të guximshme. Brigada e VII-të për shkak të operacioneve që zhvilloi në Malësinë e Madhe e deri në afërsi të Tropojës, e kaloi kufirin me dy batalione (i I-ri dhe i IV-ti), kurse e gjithë brigada me efektivin e saj të kompletuar më 9 dhjetor 1944. Komunikimi i urdhrave konkretë dhe mbledhjet e jashtëzakonëshme, për detyrat që ajo do të kryente në anën tjetër të kufirit, brigada i zhvilloi në Koplik e Kastrat. Në pararojë të Brigadës së VII-të ishte batalioni i parë. Kolona e partizanëve të saj pasi la në krahun e djathtë kishin mbi Hanin e Hotit, iu qep shpatit përpjetë. Pas pararojës ecnin një grup kuadrosh të saj me në krye komisarin e batalionit, Skënder Libohovën. Kur dolëm në majë të kodrës ra drita. Si të ngrihej një perde, partizanët dalluan përtej majat shkëmbore e disa shtëpi mjaft të rralla. Por luginën poshtë e kishte mbuluar një mjegull e dëndur dhe nuk dukej asgjë. –Pushim, u dëgjua zëri i komandantit. Të gjithë partizanët u ulën menjëherë në krahun e djathtë të rrugës gjarpëruese, në anën e këtejme të lumit të Cemit. Fshati që shtrihet poshtë quhet Skaraç. Ky përballë nesh quhet Rudinë, ai atje më lart, Muzhënckë, më në veri Korita, kurse pas majës që duket në horizont është Kuçi-vazhdoi të tregonte udhërrëfyesi ynë.
Goditja e parë e gjermanëve kundër nesh
U nisëm përsëri për rrugë. Pasi kaloi lumin e Cemit, kolona partizane hyri në fshatin Selitë. Pa kaluar as 300 metra në veri të fshatit u dëgjuan një breshëri predhash artilerie që plasën poshtë rrugës.-Kaloni djathtas me vrap,-urdhëroi komandanti. Vrapuan të gjithë. Rreshti i parë u prish. Partizanët u strehuan prapa një kodre të vogël, në vëri-lindje të fshatit. Vetëm ata që u ndodhën ato çaste në luginën e lumit nuk luajtën nga vendi. Armiku që ishte vendosur në kalanë e Deçiçit, kishte diktuar lëvizjen e kolonës partizane dhe gjuante me artilerinë e instaluar në fshatrat Mileshi e Dinoshë. Pas predhave të para, filloi përsëri breshëria tjetër e artilerisë gjermane. Predhat e tyre na binin fare pranë, por përveç një shtëpie të rrënuar dhe dy partizanëve të plagosur lehtë, nuk patëm humbje të tjera. Ky zjarr i artilerisë gjermane u bë pengesë për ne dhe si rezultat, kolona e partizanëve mbërriti të nesërmen para Kalasë së Medunit. Batalioni i parë u vendos pas një qafe në disa shpella e vënde të mbrojtura nga era. Në disa gropa u ndezën zjarre të vogla me kërcej sherbeli. Në mëngjez mbërritën aty disa partizanë me intendentin e batalionit në krye. Kishin sjellë me vete bukë të ngarkuara në disa kafshë. Ishte bukë e bardhë e gatuar dhe e pjekur në Shkodrën e lirë. Ishte e para herë që partizanët furnizoheshin rregullisht me bukë. Hëngrën bukën e atdheut të lirë, një nga gjërat që kishin ëndërruar aq shumë. Partizani Andrea Kosta ishte në krye të intendencës. Në fillim partizanët e patën shumë të vështirë të siguronin ushqimin, pasi shumica e banorëve ishte larguar nga shtëpitë e tyre. Ushqimi më i shpeshtë që përdornin ata, ishte patatja që nxirrej nga disa copza toke midis gurësh. Por partizanët ishin të përgatur shpirtërish për të bërë sakrifica për hir të detyrës që kishin marrë përsipër.
Beteja në Kalanë e Medunit
Jo shumë larg nga qëndra e banuar Kuç, afër një qafe, në mbledhjen e parë të shkurtër që u zhvillua me kuadrot e batalionit u bënë të qarta detyrat konkrete. Aty u tha se me largimin e Brigadës së VI-të Sulmuese, armiku kishte ripushtuar pozicionet e humbura. Kalaja e Medunit kishte mbetur përsëri objektivi kryesor. Ishin gjithashtu dhe një sërë kodrash që shtriheshin në të djathtë, në të majtë dhe në thellësi të saj. Sulmi ishte çështje orësh. Më datën 12 dhjetor 1944, përkrah forcave të tjera të Brigadës u përgatit për sulm edhe batalioni i dytë. Afrimi u bë gjatë natës. Sulmi së pari të do niste në krah të kalasë dhe mandej në shpinë të saj. Në këtë mënyrë partizanët do ta kishin më të lehtë për ta marrë kalanë, kjo sepse mbështetej fort në të dy krahët e saj, ku dukeshin haptazi pozitat e forta natyrore. “Përpara partizanë”-u ndien zërat e bijve të shqipes dhe lufta vazhdoi me furi. Borizani me tingujt rrënqethës, u shtonte partizanëve kurajën. Kudo u dëgjuan krismat e armëve automatike të mitrolozëve dhe granatave. Armiku hapi zjarr. Të gjithë sektorët ishin mbuluar mirë nga ana e gjermanëve, por partizanët duke përfituar nga nata dhe befasia, u pykëzuan në drejtim të qëndrës së fashtit Medun. Në këto kushte gjermanët u detyruan të lënë disa pozicione. Në krahun e djathtë vazhdonin sulmet me sukses batalioni i dytë dhe i katërt. Në këtë mënyrë u lehtësua sadopak sektori ku vepronte batalioni i parë. Për t’i shpëtuar rrethimit, armiku filloi tërheqjen. Kur ra dita, partizanët ishin futur në fshat. Ndërkohë gjermanët filluanm të rrihnin me artileri të gjitha kodrat e Medunit. Tempi i mësymjes sonë u ul. Aty nga ara 16.00 partizanët arritën deri në vijën e rrugës Medun-Kuç, madje në të majtë të saj shtinë në dorë edhe një kodër sunduese. Të ecje përpara gjatë ditës ishte e pamundur, pasi zjarri armik të shkurtonte. Prandaj sulmi i partizanëve u ndal. Vija e mbërritjes tashmë ishte xhadeja Kuç-Podgoricë. Partizanët e të dy batalioneve u përqëndruan nëpër gropat karakteristike që ka ky rajon i Malit të Zi. Nëpër kodra e vende të caktuara qëndronin rojet partizane. Koha ishte e mirë por bënte mjaft ftohtë. Zjarr nuk mund të ndizej, por as dru aty nuk kishte. Në këto luftime armiku pati rreth 16 të vrarë. Nga partizanët tanë mbetën të vrarë Veri Tego Gjata, Llambi Ciko dhe Bektash Saliu.
Uria e të ftohit, pengesa e madhe e partizanëve
Si zakonisht partizanët qëndronin grupe grupe dhe bisedonin. Kishin shumë uri por bukë nuk kishte. Fshatarët e Malit të Zi ishin të varfër por më të varfër i kishte bërë koha. Atyre, si në Shqipëri, u kishte takuar të prisnin goditjet e njëpasnjëshme, të italianëve, të gjermanëve dhe të bashkëpunëtorëve të tyre. Kudo shihje shtëpi të djegura dhe të rrënuara nga bombardimet. Atë natë partizanët e kaluan duke duruar të ftohtin e madh dhe urinë. Uria bënte ta ndjenin të ftohtin dhjetëfish. Të nesërmën agoi një ditë e bukur dhe plot diell. Disa prej partizanëve filluan të shtriheshin rrëzë gurëve të rrahur nga dielli, ku ngrohtësia ishte më e madhe. Pati edhe nga ata që lëvizën për të soditur natyrën e bukur dhe të ashpër të Malit të Zi. Aty parën nesh ishin disa shtëpi të riparuara. Nikolla diçka bisedonte me një plak. Ai erdhi dhe i përshëndeti partizanët me fjalët: “Vdekje fashizmit”. Ndenji një copë herë me ta. I veshur keq, me rrudha dhe i parruar, i ngjante një cubi, por ishte i qeshur. U gëzua shumë kur mësoi qëllimin e ardhjes së partizanëve nga Shqipëria. Sakaq filloi një zjarr i dëndur i artilersë së armikut. Me predhat e para u vranë katër partizanë italianë dhe u plagosën dy të tjerë. Kur pushoi zjarri i artilerisë së armikut, në qiell, nga drejtimi perëndimor u duk një aeroplan. Pasi bëri një rrotullim deri në luginën e Moraçës, ai u kthye përsëri mbi Podgoricë. Aty u qëllua disa herë nga artileria kundërajrore gjermane. Bëri një rrotullim rreth vetes dhe mori drejtimin nga Adriatiku. Ishte aeroplan anglez. Në të hyrë të fshatit Mesun, kur vjen nga Podgorica, është një qafë e mandej një luginë e vogël që nga drejtimi i Podgoricës dhe xhadesë së Bioçës ka për mburojë një kodër. Aty u strehua pjesa më e madhe e batalionit. Në krahun e majtë ishte batalioni i tretë, ndërsa batalionet e tjera ishin në krahun e djathtë. Kodra kryesore në veriperëndim të luginës ku ishin strehuar partizanët u përforcua me mitraloza. Erdhi edhe toga e mortajave. Nga mbajtja e kësaj kodre varej qëndrueshmëria e brigadës tonë. Ndërsa partizanët po pushonin në vende te reja, Nikolla u solli dy kova me patate të zjera. I ndanë nga dy tre kokrra për secilin. Në këtë mënyrë veprohej edhe me partiznët e batalioneve të tjera.
Urdhëri i komandantit Gjin Marku
Sipër në kodër mbërritën shokët e komandës së batalionit të dytë e të tretë. Më pas erdhën dhe ato të batalionit të parë. Midis tyre ishte dhe komisari i batalionit të parë, Skënder libohova, i qeshur dhe me humor. Mbledhja kishte të bënte me urdhrin e firmosur nga komandanti Gjin Marku dhe komisari, Myzafer Spaho. E veçanta e atij urdhri ishte se gjermanët kishin mundur të shpërthenin në Matashevë, dhe lidhur me këtë jepeshin detyra. Brigada e VII-të ishte përsëri aty në qëndër të Divizionit. Ardhja e tyre kishte për qëllim bashkëveprimin për sulmin e mbrëmjes. Ende nuk ishte bërë përshëndetja me shokët e porsaardhur, kur tre aeroplanë fluturuan gjatë luginës. Ata çanë mes për mes qytetin dhe pasi bënë një rrotullim u kthyen përsëri në drejtim të Adriatikut. Ende nuk ishin larguar kur një skuadrilje me aeroplanë bombardues u dha mbi qytetin e Podgoricës.
Bombardimet e avionëve anglezë mbi Podgoricë
Aeroplanët bombardojnë,-thirri roja me zë të fortë. Në fillim hapi zjarr artileria kundërajrore gjermane, por pastaj heshti sepse aeroplanët e sulmit apo të shoqërimit siç i quanin ata, u turrën mbi pozicionet gjermane me mitralime të njëpasnjëshme e mandej nisi përsëri bombardimi. Aeroplanët anglezë bombarduan rëndë qytetin e Podgoricës. Shtëllungat e tymit u ngritën lart. Një pjesë e aeroplanëve largohej, një pjesë vinte e godiste përsëri. Partizanët u afruan tek buza e kodrës së lartë nga ku vrojtohej mirë ky sulm. Aeroplanët u larguan vetëm pasi e rrafshuan qytetin e Podgoricës. Skënderi e shikoi sulmin me neveri. Në këtë kohë arritën edhe disa kuadro të tjerë të brigadës. Kishte ardhur një lajm i mirë: Brigada e XXII-të Sulmuese kishte çliruar Tuzin. Lajmi ishte i gëzueshëm. Të tërëve u shkëlqyen sytë. Ishte data 14 dhjetor 1944 kur kuadrot mbaruan sqarimin e detyrës. Ata u shpërndanë dhe shokët u vunë në dijeni se Brigada e IX-të jugosllave do të spostohej në krahun e djathtë të Divizionit. Brigada e VII-të do të vepronte në qëndër të Divizionit. U mësua se armiku përbëhej nga më shumë se 40.000 forca, pa llogaritur çetnikët dhe mbeturinat e tjera të reaksionit jugosllav. Majtas e djathtas rrugës automobilistike kishin ndërtuar breza mbrojtës, me transhe të shkëputura dhe qëndra zjarri të fortifikuara. Kuptohej qartë se rruga jona nuk do të ishte e lehtë”.
Beteja e përgjakshme në luginën e Moraçës ku u vranë mjaft partizanë dhe komisari, Skënder Libohova
Në kujtimet e tij për luftën e partizanëve shqiptarë në tokat e Malit të Zi dhe ish-Jugosllavisë, gjatë fundit të vitit 1944, ish-koloneli Hysni Daja, ka përshkruar edhe betejën e përgjakshme kundra forcave gjermane të zhvilluar në afërsi të rrugës automobilistike Medun-Kuç, ku mbetën të vrarë mjaft nga shokët e tij partizanë. Lidhur me atë ngjarje Daja ka shkruar: “Forcat e armikut që vinin nga Podgorica ishin aq të shumta dhe të shumëllojshme sa kudo që të qëlloje plumbi nuk shkonte bosh. Duke e parë nga e djathta Kodrën Bardhoshe që po ndizej flakë nga sulmi i batalionit të dytë. Skënderi, komisari i batalionit duke i prirë kompanisë së parë, hasi në pengesa artificiale, tela e drurë. Sakaq, dy partizanë trima, i shkuan pranë dhe e ndihmuan. Ata ishin Muharrem Mehmeti dhe Faik Celi. Të dy u vranë para tij. Dy partizanë të tjerë u hodhën më tej, duke mbetur dhe ata të plagosur. Por shtegu u hap. Ndërsa komisari Skënder Libohova u shkoi në ndihmë dy të plagosurve, të tjerë partizanë e plotësuan atë pikë nevralgjike që gjermanët nuk donin të lëshonin. Njëri nga komisarët e kompanive kapi me shpejtësi një mitraloz dhe hapi zjarr kundër kolonës së gjermanëve që s’kishte të sosur. Ishte Fani Tangu. Gjermanët u përforcuan me forca të tjera dhe pa e ndaluar sulmin shtinë në dorë disa objekte të lëshuara më parë. Ata përqëndruan një zjarr të paparë. Një predhë goditi për vdekje Skënder Libohovën. Të gjithë për një çast shtangën, por lufta nuk u ndal. Shokët e tjerë e vazhduan atë me furi deri në mëngjezin e ditës së nesërme. Krismat dhe flakët e asaj nate nuk mund t’i krahasoje me asgjë tjetër. Në këtë betejë të paparë ne u ndihmuam edhe nga avionët aleatë anglo-amerikanë. Armikut i erdhën përforcime të mëdha nga lugina e Bioçes ku përqëndrimet e tij ishin më të mëdha sa s’i nxinte as vendi. Zjarri i armikut ishte i dëndur dhe plumbat që përplaseshin nëpër gurë lëshonin xixa verbuese. Dy partizanë plagosen njëherësh, por arritën të hidhnin granatat dhe ashtu siç qenë, duke shkelur mbi një kufomë gjermane të vrarë, mundën të kapnin fortinën kryesore. Pas zjarrit të fortë filloi përleshja. Lugina e Moraçës ziente në tërë vijën e frontit. Krismat dëgjoheshin që nga Verusha deri në jug të Podgoricës. Vija e zjarrit shpesh herë shëndrrohej në vijë gjarpërueshe. U bënë të gjitha përpjekjet për të mbajtur atë kodër që u mor me sakrifica të mëdha.-Na lini t’a mbajmë ne qafën këtu pranë-thanë njëzëri partizanët e plagosur që ishin ngjeshur rrëzë kalasë. Ky ishte morali i partizanëve. Edhe pse atyre u erdhi në ndihmë një pjesë e forcave të batalionit të katërt, situata nuk u përmirësua. U plagosën katër partizanë të tjerë, midis tyre dhe komandanti i batalionit, Mit’hat Luçi, si dhe komisari, Zoi Bano. Para agimimit partizanët u tërhoqën. Gjermanët kishin pësuar humbje të rënda. Dëmet e shkaktuara në njerëz dhe teknikë i pohuan edhe vetë forcat gjermane. Madje ata arritën të thonë se kolonën prej 200-300 automjetesh e dogjën vetë, kurse dikush ia atribuonte aviacionit aleat. Kurse në fakt ato u asgjësuan nga tre kompani të Brigadës së VII-të që me urdhër të shtabit të brigadës u futën thellë në formë diversioni deri afër tyre. “Ku shkel këmba e këmbsorisë, konfirmohet fitorja”, thotë arti ushtarak”.
Jetshkrimi
Hysni Daja, koloneli që u diplomua si artiljer në Moskë dhe autor i disa librave si historian ushtarak
Hysni Daja u lind në vitin 1928 në një familje mjaft të njohur të fshatit Sevran në rrethin e Skraparit. Gjatë viteve të pushtimit nazi-fashist të Shqipërisë, 1939-1944, e gjithë familja e tij në fshatin Sevran u lidh me rezistencën antifashiste dhe Hysniu me vëllezërit dolën partizanë duke u rreshtuar fillimisht me çetën e Skraparit dhe më pas më 17 mars 1944, duke u inkuadruar në rradhët e Brigadës së VII-të Sulmuese që u formua në fshatin Vlushë të Skraparit. Edhe pse nuk ishte më shumë se 16 vjeç, Hysniu mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi ajo njësi partizane, duke shkuar në ndjekje të gjermanëve deri në Vishegrad të ish-Jugosllavisë. Pas mbarimit të Luftës, Hysniu u gradua oficer, duke shërbyer në armën e Artilerisë në disa rrethe të vendit. Në fundin e viteve ’50-të, ai u dërgua për studime në Bashkimin Sovjetik, ku dhe u diplomua për armën e Artilerisë në një nga akademitë më të njohura të Moskës. Pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, Hysniu shërbeu si komandant i Artilerisë fillimisht në një njësi të Tiranës dhe më pas për disa vjet në Brigadën e Këmbsorisë në qytetin e Laçit me gradën e nënkolonelit. Në fillimin e viteve ’70-të ai u rikthye përsëri në Tiranë ku shërbeu në disa njësi ushtarake deri sa doli në pension. Në fillimin e viteve ’70-të, Hysni Daja në përbërje të një grupi ish-partizanësh, u dërgua në Jugosllavi me mision për të gjetur eshtrat e partizanëve shqiptarë të rënë atje gjatë viteve 1944-1945. Që pas mbarimit të Luftës e deri në ditët e fundit të jetës, Hysniu iu kushtua studimeve të historisë së Luftës, duke botuar disa libra (“Armë të pathyera”,”Prova gjaku”, “Shtatë komisarët që ranë përtej kufirit”, “Historia e fshatit Sevran”, etj) dhe mjaft shkrime në shtypin e atyre viteve. Koloneli në pension, Hysni Daja, ndërroi jetë në janarin e vitit 2006 dhe trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit me një ceremoni shtetërore të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes. /Memorie.al
“Combat” ka botuar, të enjten e 1 shtatorit 1949,në faqen n°3, një shkrim në lidhje me reagimin e mbretit Zog ndaj krijimit të “Komitetit të Shqipërisë së Lirë” dhe thirrjen e tij drejtuar shqiptarëve, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Shqipëri
Mbreti Zog konteston legjitimitetin e komitetit “Shqipëria e Lirë”
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Kajro, 31 gusht. — Ish-mbreti Zog, i cili banon në Aleksandri, u shpreh mbi formimin e fundit të “Komitetit të Shqipërisë së Lirë”, nëpërmjet një komunikate të publikuar nga “Legata Mbretërore e Shqipërisë” në Kajro, në të cilën ai thotë se e konsideron veten si “autoritetin e vetëm legjitim që nga agresioni italian i 1939”.
Ai ftoi “të gjithë shqiptarët pa dallim politik”që të arrijnë bashkimin kombëtar për t’i siguruar Shqipërisë “një epokë të re në kuadrin e kombeve të lira dhe demokratike”.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Beogradi mohon ekzistencën e komiteteve shqiptare “titoiste”
Beograd, 31 Gusht. — Agjensia Tanyoug e autorizon veten të mohojë si “të pabazuar” informacionin e formimit të dy komiteteve refugjatësh politikë shqiptarë në Jugosllavi.
Tiranë : “Shqiptarët e Lirë” janë kriminelë lufte
Tiranë, 31 gusht. — Qeveria e Z. Enver Hoxha, në një deklaratë të lëshuar dje, tha se nismëtarët kryesorë të komiteteve të ndryshme shqiptare, të përbëra ose në proçes krijimi në vendet perëndimore dhe që synojnë rrëzimin e regjimit aktual, janë ish-kriminelët e luftës, të pretenduar si të tillë nga Shqipëria.
Kjo akuzë është drejtuar veçanërisht kundër Z. Frashëri dhe Kupi, drejtuesit kryesorë të Këshillit të Shqipërisë së Lirë, të formuar së fundmi në Paris me nxitjen e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.
Letren tande e mora dje e mejherë po vêhem me të pergjegjë, mbasi edhe vetë nuk po due me dalë i gjatë kso here.
Ktu në Graz jemi gjithsejt kater Shqiptarë: prof. Krist Maloki, i nenshkruemi dhe dy studenta shqiptarë. Njani nder to quhet Angjelin Kujxhija e âsht prej Shkodret, pra katholik. Tjetri quhet Fejzi Domni, edhe ky âsht prej Shkodret, por i kaluem mâ vonë në Tiranë. Me folë flet krejt si Shkodranë. Ky âsht i biri i nji hoxhës e shokët e thrrasin hoxhë. Të dy kta janë kund 27 vjeça e kanë ardhë në Vjenë qysh në 1944, pra janë gjetë kndej në kohen kúr armata e Balkanit e liroi Shqipnín, deshta të tham e la Shqipnín. Të dy studjojn medicinë ktu në Graz. Angjelini âsht krejt fukará e nuk ka kurrgjâ posë shpirtit. Tash njâ do muej merr prej kryesís së KOMITETIT SHQIPERIJA E LIRË 10 dollar në muej. Me 10 dollar ai nuk mundet veç me pague qirán kû gjindet. Fejzi Domni ka kenë nji vjetë n’ Amerikë e tash ka kthye prap në Graz e don me vijue studimet në medicinë. Pare ka boll, sa qi vetë çuditem se si ai ka lânë Ameriken e ka kthye në Graz.
As njani as tjetri nuk kanë interesë per gjuhë, prandej as vetë nuk dij se shka të tham per punë të librit t’and, dmth a t’ju a dergojsh ktyne apor jo. Angjelin Kujxhija nuk âsht në gjendje me i a hjekë asnji qindar gojës as per nji liber, as per ata të landës qi i duhet me xânë. Sa per tjetrin, nuk e dij se shka të tham. Malokit tash i a permendi punen e librit t’and, por nji herë nuk ké pse më dergon mâ teper se nji kopje, sa per vedi, pse vetë drue se as Maloki nuk vullnohet me harxhue pare per nji liber, pse ai âsht msue me i marrë librat shqip gati perherë falë.
Adresa e Marlekajt n’Australí âsht kjo: “Mark Marlekaj/ 149 Victoria Parade, Fitzroy 6/ MELBOURNE, Vic. (Australia)
Mos e harro edhe P. Jakob Marlekaj në Bologna.
Shum interesant, për mue qi mbledhi thânje e fraza të popullit shqiptar, ajo thânja në Krujën tande: “Qoftë mâ i madh se âsht!” Ket frazë nuk e kam ndie kurr e mue më duket fort e kthelltë e kuptimplote. Si thue edhe vetë, Anton Paluca ka pasë verté nafakë të madhe me gjith farefisin e vet qi ka lanë Shqipnín. Në ket rasë po t’a bâj nji pyetje, pse po hîn taman ktu. Kur Gjermant lán Shqipnín, shka âsht kenë qi shum Shqiptarë, fort të komprometuem, nuk e lán Shqipnín, si p.sh Anton Harapi e Lazer Shantoja e sá e sá tjerë? Kta qi janë kenë aq fort të komprometuem, shka kanë shpresue kúr u erdh e mbramja Gjermanvet? A kanë mendue se po vjen me i librue Hinglizi, apor shka kan mendue qi u ndalen në Shqipní, në vend qi me hikë me rob e robí? Ket pikë tash m’a tfillon në letren e ardhshme, pse m’intereson me e dijtë.
Sa per at shumë të vogel qi më ké borxh, paske bâ mirë qi paske zgjedhë ket rrugën e dergimit të pareve me postë. Ket rrugë kam pasë edhe vetë nder mend me të paraqitë, por, kúr e pásh letren e mbrame të cenzurueme, at herë thásh se nuk ka me hecë, pse nuk mund të dergohen pare perjashta. Edhe prej Austrijet âsht e ndalueme me dergue pare perjashta, pse letrat e porosituna janë të kontrollueme e do të dorzohen të çiluna në postë. Arsyeja: per të kontrollue a jânë banknota mbrendë. Nder letra të thjeshta mund të dergohen pare, pse kurrkush nuk i kontrollon. Edhe prej Ameriket nuk do t’ishte kenë nevoja qi të më dergohen paret me leter të rakomandueme, por tash, mbasi i paske pasë shkrue djalit t’and, kot se ndrrohet mâ kjo punë. Paret do të më kishin rá në dorë edhe me nji leter të thjeshtë, e kshtu do t’ i kishte kursye djali i yt do pulla.
E kúr po kalon ti n’Ameriken e madhe e bujare?
E si po e kalon Kerçiku n’Amerikë? Kam ndie se edhe ai e ka menden me kthye dalë n’Austrí, a âsht e vertetë? Po të kthehet ai, nuk kishem per t’u çuditë, pse grueja e tij âsht prej Graz-it e i ka prindt ktû. Vetem per Fejzi Domnin bindem qi ka lânë Ameriken e ka ardhë persrí n’Austrí.
Letra shkoi në fund e dhe vetë po e kpus me kaq. Ndoshta nuk më bjen rasa me të shkrue deri në kallnduer, prandej po t’a uroj qysh tash vjetin e rí 1953.
Shum shndete e gjith të mirat t’uron.
I yti nga zemra
P. MargjokajO.F.M.
Ramleh, 21/ XII/ 1952
Mik i dashun,
Kjo âsht përgjegj’ e s’ates me 7 të këtij e letr’e urimeve të mija mâ të përzemërtavet për Krishtlindje e mot të ri.
Çudë si e paskam marrë vesht keq, sikurse ata dy studenta shqiptarë qi janë aty t’ishin dý studentesha! Interesante fort ato tfillime qi më shkruejshe për njanin sish. Por… ç’po na duhet?
Librin, tý e miqve të tu Marlekaj tash ju a nis shpejt e dorë për dorë tý njiherë po të dërgoj fotografinë t’eme qi t’a kam dam’e ruejtun këtu ka mâ se nji muej. Ke për t’i thânë dikur ndokuj: “Âsht e mbrapmja fotografí e Mustafa Krujës, mbasi vështirë se ka me më ramë me nxjerrë mâ.
Po, ajo frasa krutane âsht njimênd e thellë, e mbasi mblidhke fraseologjí popullore, po të diftoj qi flitet gjithnji për rasa e për punë para të cilavet mêndj’ e njeriut shtâng; shpesh herë frasa i drejtohet fill Perëndisë: “Qofsh mâ i madh se je, mre Zot!” E përdoret edhe në rasa ankimi për të liga qi na bien mbë krye e qi s’na duken të drejta.
Për Shqiptarët e komprometuem me dý regjimet nën pushtimet italjan e gjerman qi mbetën në Shqipní, s’ka njeri qi s’e ka vramë e s’e vret mênden gjithsa herë bie me folë mbi fatin e tyne. Mbas mendimit t’em s’ka burrë në botë qi mundet me dhânë nji spjegim të bindshem, sidomos për disa prej tyne, e janë shumica, posë atij qi besoj vetë : ashtu ka qênë vullnet’i të Lumit Zot e s’ka tjeter! Te na thonë: “e ka thërritun exheli”, nji frasë arabishte thotë: “Kur don me ardhun kazaja (kazá: arrêt immuable de Dieu; destin, sort), të mbyllen sŷtë”. D. Lazër Shantoja do të nisej bashkë me mue, dy muej para turmës qi ndoq trupat gjemane në të tërhjekun. U ndal, si me thânë, në minutën e mbrapme, pa asnji shkak t’arsyeshëm. Tha se kishte mik gjeneralin Fitztum e tash ikte me tê. Por s’iku mbandej as me tê as me shokë tjerë. D. Lazri, qi kishte ndoshta mâ tepër anmiq se un e qi ishte i sigurtë se do t’a gjênte kund nji famullí në botën katholike, sikur e pat pasë gjetun edhe parandej në Zvicer. Por s’kisha me mbaruem kurrë me ksi shêmbujsh. Shumë janë ata qi u rrêjtën se po vijnë e i shpëtojnë inglizët, por edhe mâ shumë ata, qi s’kishin shka pritshin të mirë as prej tyne. Ikën krenet e Ballit Kombtar e të Legalitetit, e si mbandej me ndêjtun në shpresë t’Inglizvet ata qi s’kishin luejtun asnji gisht dore për ta, madje qi kishin vepruem kundra politikës së tyne? Vetëm pse i kishte thërritun exheli.
Un s’jam aspak i sigurtë se kam për të mujtun me shkuem ndonji herë n’Amerikë. E kishte me më ardhun mjaft keq po s’mujta me u bashkuem me t’im bir. Por gjâ mangut s’i kam lânë punës, e pra le të bâhet si të ketë thânë Zoti. Kërçiku (Ingj. Hajdari qi njeh ti e për të cilin je tue më pyetun) s’e çon keq atje; ka gjetun punë sa me sigurue jetesën e familjes e sigurisht do të vejë tue e përmirosun gjêndjen ; por si po duket, e shoqja, bijë e vetme e prindve të saj dhe e rritun në nji tjeter klimë morale e me nji mendsí krej të ndryshme nga ajo e Amerikanvet, po e ka të vështirë me u adaptuem me jetën e re. Me gjithë këtê, s’kanë ende ndonji vendim të premë; madje un kujtoj mâ fort se kanë me qëndruem atje.
Me zêmër miku përsris urimet e mija e tu mir’u pjekshim me letrat qi vijnë.
Dashnor Kaloçi/ E mbaj mënd shumë mirë se u bë zhurmë e madhe që ato dy pallatet e Thumanës të mbaronin në afat dhe për vitin e ri 1989 duhet të dorzoheshin nga ndërrmarja jonë, pasi nga Komiteti i Partisë së rrethit Krujë, ishte dhënë urdhëri i prerë “për vitin e ri, banesat duhet të ishin të mbaruara dhe njerëzit të futeshin brenda në shtëpitë e reja”. Dhe kështu ndodhi, ato u bënë si u bënë dhe urdhëri I partise u zbatua. Por cilësia e tyre ishte skandaloze dhe i dha “frytet” e hidhura tani me këtë tërmet që ra më 26 nëntor”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al është Mark Aliaj, ish-i burgosur dhe i përndjekur politik, i cili tregon lidhur me ndërtimin e dy pallatëve të Thumanës që u shëmbën para disa ditëve nga tërmeti i 26 nëntorit, duke zënë nën rrënoja dhjetra banorë të tyre dhe mbi 22 viktima.
Mark Alija pas viteve ’90-të ka shërbyer edhe si drejtor ndërmarrje në qytetin e Laçit, shef administrate në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë dhe si nënkryetar i Bashkisë së Mamurrasit për disa vjet.
Kjo qe do lexoni me poshte eshte një histori të shkurtër të jetës së tij dhe bashkëvuajtësve të burgosur politik, në punën e madhe që ata bënë për ndërtimin e shumë veprave bonifikuese, si këneta e Thumënës ku ai vuajti dënimin pas tentativës për arratisje, por dhe në ndërtimin e shumë veprave industriale dhe pallateve të banimit, për të cilët ai shprehet se termeti i 26 nëntorit nuk u shkaktoi asnjë problem.
Zoti Mark, cila është lidhja juaj me Thumanën dhe kur e keni parë për herë të parë atë qytezë?
Unë në Thumanë kam shkuar që i vogël me prindërit e mij, pasi ne kemi banuar në periferi të Mamurrasit, në skajin jugor të saj, ku vazhdojmë të banojmë dhe aktualisht dhe Thumanën e kishim shumë afër. Pra nisur nga ky fakt Thumanën dhe banorët e saj i kishim dhe e njihnim mirë gati si ata të Mamurrasit, por me atë vënd mua më lidhin edhe shumë gjëra të tjera, pasi aty kam filluar punë për herë të parë në vitin 1958 si ndihmës me disa inxhinierë hungarezë që punonin për projektimin e kanaleve dhe veprave të tjera që duheshin për bonifikimin e tharjen e kënetës së Thumanës. Po përveç kësaj, aty në tharjen e asaj kënete kam punuar edhe si i dënuar politik pasi u arrestova.
Kur dhe përse u arrestuat?
Unë jam arrestuar për tentativë arratisje së bashku me dy shokë të mij, më 24 prill të vitit 1958, pasi na kapën diku afër Shkodrës dhe na sollën në degën e Punëve të Brendëshme të Krujës prej nga varej asokohe administrativisht Mamurrasi ku banonim unë me dy shokët e mij.
Perse vendosët që të arratiseshit dhe sa vjet ju dënuan?
Siç ju thashë pak më lart, unë që në moshën 17 vjeçare punoja si ndihmës me disa inxhinier hungarez që punonin për projektimin e bonifikimit dhe tharjes së kënetës së Thumanës, ku ju mbaja latat, (instrumenet) dhe çantat, ju sillja ujë, bukën e çdo gjë tjetër që atyre ju duhej. Në bisedat e ndryshme që ata bënin, flisnin hapur edhe me mua kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës, pasi ata ishin antikomunistë dhe lavdëronin vëndet perendimore dhe jetën që bëhej atje. Si të thuash kjo ishte dhe shtysa e parë që pata unë për t’u arratisur nga Shqipëria, gjë të cilën siç ju thashë nuk e realizuam dot, pasi na kapën dhe pas disa kohë hetuesie në Degën e Brendëshme të Krujës, na nxorrën në gjyq dhe na dënuan me gjashtë vjet burg me akuzën “për tradhëti ndaj atdheut mbetur në fazën e përgatitjes për t’u arratisur jashtë shtetit” dhe me konfiskim pasurije e heqjen e të drejtës elektorale për pesë vjet. Këtë dënim na e la në fuqi edhe kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë në Tiranë që u mblodh me datën 11 qershor të atij viti dhe pas marrjes së dënimit na dërguan në kampin e Thumanës ku kishte filluar puna për tharjen e kënetës. Pra, ndërsa si punëtor i lirë kisha punuar me specialistët dhe inxhinierët hungarezë që projektuan veprat ujore për bonifikimin e tharjen e asaj kënete, tashti si i burgosur më dërguan ta zbatoja atë projekt.
Si e kujton kampin e Thumanës dhe kur u hap për herë të parë ai kamp të burgosurisht?
Kampi-burg i Thumanës quhej “Reparti ushtarak 309” dhe ai kamp u vendos aty diku nga viti 1958, pasi u zhvendos nga Tërbufi ku të dënuarit politik kishin punuar për tharjen e kënetës me të njëtin emër në fushën e Myzeqesë. Pra i gjithë kampi, me të dënuar dhe policë e ushtarë që kishte qenë në Tërbuf, u zhvendos aty në Thumanë, pasi pak a shumë do të bëhej e njëjta punë që ishte bërë në Tërbuf. Barakat apo siç u thoshim ne, kapanonet e kampit ku do sistemoheshin të dënuarit politikë, u ngritën diku në vëndin e quajtur “Kroi i sertë”, që ndodhet fare afër lumit të Drojës në fshatin Bushnesh dhe ato u ndërtuan me dërrasa të mbuluara me katrama. Aty ishim rreth 750 të burgosur politik, të ndarë në brigade pune, ndërsa ushtarë dhe policë që na ruanin, ishin rreth 150 vetë që bënin shërbim brenda dhe jashtë rrethimit me tre palë tela me gjëmba që kishte kampi rreth e rreth.
Kush ishte komandant i atij kampi dhe në çfarë kushtesh jetonit e punonit aty?
Komandant i kampit ishte major Vangjel Rrëmbeci (me origjinë nga Korça) i cili para se të vinte aty kishte qenë komandant i Burgut të Burrelit. Kushtet në atë kamp ishin të mjerushme, duke filluar nga higjena që nuk dua ta kujtoj se është turp ta shkruash. Po kështu ushqimi që pothuaj nuk vihej fare në gojë, pasi përveç 700 gram bukë misri që na jepnin si racion ditor, ajo që quhej gjellë, bëhej me presh e lakra dhe ajo gatuhej me një lloj margarine që ua kishin kapur gjermanëve në depot e tyre në vitin 1944 para se ata të largoheshin nga Shqipëria. Pra ai ushqim që gatuhej aty, pothuaj nuk vihej fare në gojë dhe po të mos ishin familjet tona që na sillnin ushqim, ne do të kishim vdekur urije apo do të ishim kthyer në kufoma të gjalla. Por desha të shtoj se edhe ai ushqim, u jepej të burgosurve vetëm në rast se realizonin normën që ishte 17 metër kub dhe në ditë, pra duhej të bëje punën që të merrej ushqimi.
Cila ishte puna që kryenit aty?
Puna që bënim ishte një torturë më vete, pasi një i burgosur duhet të hapte një kanal duke zhvendosur 17 metër kub dhe, apo më saktë baltë e lluce se ashtu ishte i gjithë vëndi aty kënetë dhe moçalishte. Dhe në rast se nuk e realizoje normën, nuk të jepej ushqimi dhe të fusnin në birucë si dënim për mos realizim norme. Puna ishte një tmerr i vërtetë si në dimër që ishte shumë i ashpër ku kishte ngrica dhe shpesh na duhej të thyenim akullin që të hapnim kanalin, po ashtu dhe vera ishte e nxehtë e na piqte dielli. Mjetet e vetme të punës ishin lopata, bela, kazma dhe karroca e dorës.
A kishte të burgosur që nuk e realizonin normën apo të tjerë të sëmurë që nuk mund të punonin dhe si veprohej me ta?
Kishte shumë që nuk e realizonin normën nga pamundësia fizike dhe ata u nënshtroheshin rregullave të komandës duke u futur në biruca me dënime të ndryshme që varionin deri në një muaj por dhe më shumë për përsëritësit. Edhe të sëmurë kishte shumë dhe ata i linin në atë gjëndje në infermeri dhe i dërgonin në spitalin e Tiranës, kur e shikonin se ata ishin në gradë të fundit. Pra ata i dërgonin në spital në Tiranë kur ishin afër vdekjes, në mënyrë që të mos vdisnin aty në kamp dhe të krijohej panik.
A kishte të dënuar që humbën jetën aty apo në spital të burgut?
Po ka pasur, plot ka pasur fatkeqësisht dhe emrat e tyre ne që shpëtuam gjallë nga ai ferr i kemi bërë publike në shtyp dhe në libra që kemi shkruar pas viteve ’90-të. I kemi të gjithë emrat e tyre dhe këto ndodhen edhe në dokumentet zyrtare për marrjen e dëmshpërblimit etj.
A kujton ndonjë nga bashkëvuajtësit tuaj në atë kamp?
Patjetër, kujtoj shumë edhe kanë kaluar më shumë se 60 vjet që nga ajo kohe. Kujtoj Rexh Metën, një funksionar të lartë të kohës së Zogut që kishte punuar në Ministrinë e Financave, i cili punonte si skarpatist, pra ai bënte nivelimin e skarpatës së kanalit që hapnin të burgosurit. Kujtoj Miço Pilon nga Saranda, i cili kishte studjuar në “Zosiema” të Janinës dhe ishte diplomuar në Athinë ku dhe kishte punuar si jurist. Ai ishte dënuar me 25 vjet burg politik. Tjetër njeri që kujtoj, ishte Ceno Vermishi, ish-major i regjimit komunist që ishte i burgosur politik si ne dhe vuante dënimin aty, por ndryshe nga ne, Ceno dhe shumë të tjerë si ai, pra ish-oficerë apo të tjerë që kishin qenë me detyra dhe funksione të ndryshme në regjimin komunist, aty punonin si brigadier apo në vënde të zgjedhura që quheshin vënde pune të privilegjuara. Pra dhe aty në burg kishte diferencim dhe atyre si Cenua, komanda u thoshte hapur: “Ju jeni tanët”.
Është thënë se ndërtimet e para të banesave në qytezën e Thumanës u ndërtuan nga të burgosurit politik të atij kampi…?
Po është më se e vërtetë, shtëpitë e para për të ardhurit në qytezën e Thumanës u ndërtuan në vitin 1959 nga të burgosurit politik të atij kampi. Në atë kohë Ministria e Brendëshme lidhte kontrata me ndërrmarje që bënin ndërtime dhe aty dërgoheshin të burgosurit për të shfrytëzuar krahun e punës dhe të ardhurat nga puna e tyre i kalonin Ministrisë së Brendëshme. (Kështu na thuhej ne në atë kohë, por pak rëndësi ka ajo gjë se ku dhe si shkonin të ardhurat, pasi e rëndësishme është puna që bënin të burgosurit e ndërgjegjies). Kështu u ndërtuan dhe banesat e para në Thumanë nga ne të burgosurit politikë të cilat u bënë një katëshe prej pupuliti dhe të mbuluara me eternit. Aty u strehuan dhe familjet e para të të ardhurve që ishin kryesisht nga fshatrat e thella të Korçës dhe të Skraparit, ku shumë prej tyre gjenden akoma dhe sot në ato shtëpia.
Po përveç atyre shtëpive, ku punuan të burgosurit e kampit pasi mbaroi tharja dhe bonifikimi i kënetës së Thumanës?
Pasi mbaroi bonifikimi i kënetës së Thumanës, kampi i të burgosurve u zhvendos në fshatin Gjorëm të Laçit, apo më saktë në fshatin Sanxhak që ndodhet vetëm 3 km. larg qytetit të Laçit që në atë kohë ishte vetëm një fshat i vogël me disa shtëpi, ku ne të burgosurit punuam për ndërtimin e banesave të kampit të ri, ku do banonin oficerët. Po kështu në atë kohë, të burgosurit politik të Kampit të Gjormit, ndërtuan dhe 12 pallatet e para në qytetit të Laçit ku u sistemuan edhe familjet e para që populluan në atë kohë dhe më pas atë qytezë ku vetëm 3 km. më larg, në anën very-perendimore të tij, një kamp tjetër i të burgosurve, (që ishte zhvendosur nga kampi i Rubikut), punoj për disa vjet me rradhë për ndërtimin e Uzinës së Superfosfatit, e cila u inagurua me bujë të madhe nga udhëheqja e lartë e PPSH-së në vitin 1967, ku morrën pjesë pesë a gjashtë anëtarë të Byrosë Politike. Ndërsa të burgosurit e Kampit të Gjormit, pas ndërtimit të atyre 12 pallateve të qytetit të Laçit, punuan shumë edhe për disa vjet për ndërtimin e hapjen e një kanali vaditës që vinte nga Miloti dhe vazhdonte në Gjorm e Mamurras dhe uji që sillte ai, përdorej për vaditjen e të gjithë fushës bujësore në anën perendimore të tij.
Kur u liruat nga burgu dhe ku u sistemuat me punë?
Unë u lirova nga burgu më 2 qershor të vitit 1963 dhe pas disa ditësh shkova në qytezën e Laçit ku ishte themeluar prej disa kohësh Ndërrmarrja e Ndërtimeve Industriale, e cila përveç disa veprave industriale siç ishte Uzina e Superfosfatit, ku siç thashë ndërtohej nga të burgosurit politikë, bënte dhe ndërtim banesash dhe pallatesh për qytetin e Laçit që sa vinte dhe zgjerohej. Aty u sistemova menjeherë në punë në një brigadë që merrej me lyerjen e banaseva, pra fillova punë si bojaxhi.
A patët problem për sistemimin në punë, kur dihej se në atë kohë ata që dilnin nga burgu politik fillimisht e kishin të vështirë dhe caktoheshin në punë mjaft të rrënda…?
Po është mëse e vërtetë se të burgosurit politikë e kishin të vështirë sistemimin, por unë pata fat se në atë kohë aty ishte drejtor, Xhavit Fejzo, një burrë babaxhan me origjinë nga fshati Pirg i Korçës, i cili as nuk donte t’ja dinte për atë gjë( pra që unë kisha qenë në burg politik), dhe dha urdhër që të filloja punë atë ditë që u paraqita aty. Gjej rastin të shpreh falenderimet e mija për atë njeri i cili ka vite që nuk jeton më, pasi po mos të më pranonte në punë, nuk e di se si do të kishte marrë rrjedh jeta ime. Mund të kisha tentuar përsëri arratisjen, apo mund të kisha përfunduar përsëri në burg dhe prandaj i jam shumë mirënjohës atij njeriu.
Sa vite punuat në atë ndërrmarrje?
Aty kam punuar shumë vjet deri aty nga viti 1985 kur ajo u nda në dy ndërmarrje, pra Ndërmarrja e Ndërtimeve Industriale e Laçit që merrej me ndërtim veprash industriale dhe Ndërmarrja e Ndërtim Banesave Komunale që varej nga Kruja. Në atë kohë, pra diku aty nga viti 1985-’86 që u ndanë në dy ndërmarrjet, unë mbeta me Ndërtim Banesa Komunale e Krujës (që i kishte zyrat dhe në Laç) dhe deri në shëmbjen e regjimit komunist aty kam punuar duke u marrë me lyerjen e banesave dhe pallateve kudo ku ato ishin nga Laçi, Mamurrasi, Thumana etj.
Po te dy pallatet në Thumanë që u shëmbën nga tërmeti i 26 nëntorit a keni punuar ju?
Kam punuar dhe i mbaj mënd shumë mirë kur janë ndërtuar, diku aty nga viti 1987-1988 apo dhe kanë përfunaduar më mos gaboj pak më vonë, nga ’89-ta.
Meqë jemi tek kjo pikë që paraqet mjaft interes për lexuesin, a mund të na thoni diçka më shumë si i kujtoni ndërtimin e tyre. Pra a mund të na jepni disa detaje më të hollësishme rreth ndërtimit të tyre?
Patjetër, me aq sa di dhe sa mbaj mënd do përpiqem t’ua shpjegoj. Ndërtimi i tyre që siç thashë pak më lart filloi diku aty nga viti 1987, në atë periudhë kohe kur shteti shqiptar kishte shkuar në pikën zero. Pra në atë kohë kishte shumë mungesa në të gjitha fushat e ekonomisë shqiptare, gjë e cila vihej re dhe në ndërtimet ku punonim ne, ku mungonte hekuri, çimentoja, dërrasat, tullat, bojrat e deri tek veglat e punës. Të gjitha këto mungonin ose ishin të një cilësie shumë të dobët. Kujtoj se gëlqerja me të cilën punonim ne bojaxhinjtë dhe bëhej edhe llaçi, ishte e skaduar pasi merrej nga mbeturinat e furrave të Krujës. Kjo gjë ndodhte pasi ajo e mira shkonte për banesa që ishin në qytet dhe Thumanës ku ishim ne i mbetej ajo gëlqere që ishte jashtë kushteve teknike për t’u përdorur dhe llaçi që bëhej me të kuptohej se nuk mund të ngjiste në bërjen e mureve apo suvave.
Po lëndët dhe materjalet e tjera të ndërtimit ashtu ishin, pra të asaj cilësie…?
Unë morra shëmbull vetëm gëlqeren pasi e njoh shumë mirë se kam qenë specialist si bojazhi me kategori të shtatë dhe në atë punë kam punuar për më shumë se tre dekada me rradhë në qindra objekte dhe pallate banimi. Por edhe të gjitha materialet e tjera të ndërtimit, si çimentoja, hekuri etj., ishin të një cilësie mjaft të dobët që normalisht nuk duhej të përdorej në ndërtim pallatesh. Lëndët e ndërtimit me cilësi të lartë shkonin për ndërtimin e bunkerë, qëndra zjarri, etj., vepra ushtarake dhe çfarë mbetej, përdorej për objekte civile.
Mbetemi tek dy pallatet e Thumanës dhe cilësia e dobët e materialeve të ndërtimit që thoni se u përdor atje…?!
Unë fola për cilësinë e dobët të materjaleve të ndërtimit, por nuk është vetëm kjo. Pra, cilësisë së dobët të materialeve të ndërtimit që u përdor për ndërtimin e atyre dy pallateve në Thumanë, duhet t’i shtojmë dhe sasinë e pakët që përdorej…
Konkretisht…?
Pra nuk futej i gjithë materjali ndërtimor që duhej si hekur, çimento etj., pasi në atë kohë jo vetëm që mungonin ato, por dhe ato që vinin shpërdoroheshin dhe bëheshin objekt vjedhjesh nga njerëz hallexhinj që u duheshin ato për shtëpitë e tyre. Kështu p.sh. dhe hekuri që ishte baza e ndërtimit të kollonave apo trarëve nuk futej i gjithi dhe ai që futej ishte me dimensione shumë herë më të vogla seç e kishte projekti. Pra, po marr një shëmbull: ku duhej hekur 18, mm. për kollona apo tratë, futej hekur 12 mm. apo dhe me dimension më të vogël.
Po brez antisizmik a kishin ato dy pallate në Thumanë?
Në dy pallatet e Thumanës nuk kishte brez antisizmik. Apsolutisht jo, aty mezi gjendeshin disa hekura, pasi kishte shpërdorime dhe vjedhje. Kjo gjë, pra vjedhja dhe shpërdorimi i materjaleve të ndërtimit në atë kohë ishte një fenomen që nuk mund të parandalohej, apo frenohej, pasi objektet e ndryshme, si banesa dhe pallate ishin të shpërndara kudo dhe një roje nate nuk kish ç’a t’u bënte. Ky ishte shteti i asaj kohe, i cili i kishte katandisur shtetasit e tij në atë gjëndje që ata detyroheshin të përvetësonin edhe lëndët e ndërtimit për të rregulluar apo meremetuar sadopak shtëpitë dhe oborret e tyre.
Po kur mungonin materjalet e ndërtimit apo ato ishin jashtë standarteve që kërkohej apo lejohej për ndërtimin e pallateve, ata që i zbatonin, inxhinjerë, teknikë, brigadier etj., pse lejonin që të bëhej pallati me to?!
Po kërkohej plani, drejtoria e ndërrmarjes kërkonte realizmin e planit se asaj ia kërkonte Komiteti Ekzekutiv, i cili jepte llogari para Komitetit të Partisë dhe kështu me rradhë deri në majën e shtetit. Çdo hallkë e shtetit kërkonte ta hiqte nga vetja përgjegjësinë dhe ajo hiqej vetëm duke realizuar planin në afatin e caktuar, ndryshe kishte konsekuenca. Pra, plani ishte si “Shpata e Demokleut” që u rrinte mbi kokë drejtuesëve të ndërmarrjeve asokohe dhe gjithë zinxhirit të hallkave të shtetit deri në majën e tij.
Nuk ka pasur asnjë rast, kur dikush të ketë ngritur zërin për mungesë materjalesh ndërtimi?
Më kujtohet një rast kur drejtori i Ndërrmarjes së Ndërtim Banesaave të Krujës, Sofokli Gjipali, një njeri i shkëlqyer erdhi për inspektim diku në një objekt që po ndërtohej dhe gjatë mbledhjes që u bë, na tha se për disa kohë do kishim mungesa materjalesh pasi ashtu ishte gjendja dhe sapo të vinin ato, duhet të mobilizoheshim për realizimin e planit dhe mbarimin në afat të objektit. Në këtë kohë u ngrit një specialist me origjinë nga Golloborda, Isuf Bala quhej dhe i tha: “Shoku drejtor, kur nuk ka materjale për punë, psërse shteti nuk na jep pasaporta që ne të ikim jashtë dhe të punojmë ku të ketë punë, se pa punë nuk jetohet”. Kjo që tha Isufi na ra si bombë të gjithëve dhe drejtori nuk iu përgjigj, por as problem nuk e bëri dhe kjo gjë u mbyll me kaq. Ajo fjalë të çonte në burg automatikisht, por qëlloi Sofokliu dhe Isufi nuk pati ansjë problem, pasi asnjë nga të tjerët nuk u ndie më për atë punë.
Mbetemi tek dy pallatet në Thumanës, edhe pse kishte gjithë ato mungesa që cituat më lart, a ju kërkohej mbarimi i tyre në afat?
Patjetër që na kërkohej. E mbaj mënd shumë mirë se u bë zhurmë e madhe që ato të mbaronin në afat dhe për vitin e ri 1989, në mos gaboj, ata duhet të ishin të mbaruara. Nga Komiteti i Partisë së rrethit, ishte dhënë urdhëri i prerë se “për vitin e ri, banesat duhet të ishin të mabruara dhe njerzit të futeshin brenda në shtëpitë e reja”. Dhe kështu ndodhi, ato u bënë si u bënë dhe u mbaruan për vitin e ri. Por cilësia e tyre ishte skandaloze dhe i dha “frytet” e hidhura tani me këtë tërmet që ra më 26 nëntor.
Pra ju mendoni se shkaku kryesor i shëmbjes së atyre dy pallateve në Thumanë, së pari është cilësia e dobët e materjaleve të ndërtimit që janë përdorur aty si dhe mos vënia e tyre e plotë sipas projektit, por me mungesa të mëdha?
Unë nuk jam as inxhiner as teknik specialist ndërtimesh, por me njohuritë që kam unë për aq vjet sa kam punuar në ndërtime, mendimi im, është se vetëm cilësia e dobët dhe mungesa e materjaleve të ndërtimit që u përdorën në ato dy pallate në Thumanë, çoi në shëmbjen e tyre nga tërmeti i 26 nëntorit që solli dhe gjithë atë katastrofë. Si mund t’i rezistoj një tërmeti një pallat apo banesë që ndërtohet pa brez antisizmik apo me materjale ndërtimi të një cilësie shumë të dobët apo me mungesa?!
Me që jemi në këtë pikë, po për disa pallate të Laçit që u dëmtuan tani me tërmetin e 26 nëntorit dhe që thuhet se do shemben, ç’mund të na thoni?
Te pallatet e Laçit unë nuk kam punuar, por di që ato janë ndërtuar në një vënd të papërshtatëshëm për ndërtim pallatesh, pasi aty ka qenë moçal nga ujrat që vinin nga sipër rrugës nacionale nga përroi që kishte krijuar një llucë të madhe. E dinë të gjithë laçianët të brezit tim por dhe më të rinjtë, pasi ato pallate janë ndërtuar vonë, diku aty nga viti 1985 dhe në atë vënd ku u bënë themelet e tyre, ka pasur moçal, gropa gëlqëreje, dhera të hedhur. Kjo gjë mendoj se është dhe shkaku kryesor që tërmeti i 26 nëntorit i prishi më shumë ato pallate dhe i bëri të pabanueshme.Këtë gjë e them me bindje të plotë, pasi shtrohet pyetja: pse u prishën ato pallate të ndërtuara në vitin 1985 dhe nuk u prishën ato 12 pallate që ndërtuan të burgosurit politik që në fillimin e viteve ’60-të në Laç?! Ato nuk kanë pësuar asgjë, pasi përveçse në atë kohë lëndët e ndërtimit nuk mungonin, por të burgosurit politikë që punonin aty kishin ndërgjegjie dhe kur ishte nxehtë në verë, nuk i fusnin tulat në mur pa i lagur ato. Po kështu them edhe për banesat një katëshe prej pupuliti që kemi ndërtuar ne të burgosurit politikë në Thumanë, ato i kanë rezistuar kohës dhe me këtë tërmet nuk pësuan gjë. Të njëjtën gjë mund të them edhe për ndërtime të tjera që kanë bërë të burgosurit, edhe në Uzinën e Superfosfatit, ndërtimet e saj ishin në perfeksion dhe të një cilësie të lartë dhe këtu pa asnjë dyshim kanë një rol kryesor të burgosurit politikë që punuan aty.
A doni të shtoni diçka tjetër?
Desha të them se qyteti i Laçit ku unë kam pasur rastin dhe fatin për të punuar për gati katër dekada me rradhë, ka qenë një qytet internimi, por i pashpallur zyrtarisht siç ishin disa vënde të tjera në Shqipëri. Kjo gjë kryesisht për disa kuadro që u sollën aty, si p.sh.: Dragush Xhomo, Pirro Kono, Rrapo Dervishi, Koço Katundi, Agim Mero, Shkëlqim Bumçi, Josif Pogaçe, Armando dhe Donika Sherko, etj., që s’i kujtoj për momentin. Por edhe pse një pjesë e tyre vinin nga nomeklatura e lartë dhe i kishin sjellë aty për dënim, ne, shtresën e të përndjekurve politikë, na kanë trajtuar shumë mirë dhe për këtë gjej rast t’i falenderoj edhe njehere nëpërmjet kësaj interviste./Memorie.al
Në Shqipëri, të gjithë duan të sigurohen se sa mund të zgjasin lëkundjet e tokës pas tërmetit të frikshëm të 26 nëntorit. Por nuk ka asnjë shkencë ekzakte që mund ta llogarisë saktë këtë. Fatkeqësisht, paslëkundjet e një tërmeti mund të zgjasin disa ditë, disa muaj apo mbase disa vite, sipas ekspertëve. Korrikun e këtij viti, një tërmet i së njëjtës magnitudë me atë në Shqipëri, 6.4, goditi jugun e Kalifornisë.
Epiqendra ishte pranë Ridxhkrest, rreth 160 km larg Los Anxhelosit. Por nuk ishte ky kulmi. Goditja më e fortë mbërriti një ditë më vonë dhe ishte e magnitudës 7.1 ballë. Tërmeti u pasua nga mijëra paslëkundje, që shkuan deri në 5.4 ballë. Nga tërmeti i parë pati dëme relativisht të vogla, ndërsa i dyti shkaktoi zjarre në disa ndërtesa të Ridxhkrest, duke lënë mijëra banorë pa energji elektrike. Dridhjet e tokës u ndjenë pothuajse në të gjithë jugun e Kalifornisë, në disa pjesë të Arizonës e Nevadës, në zonën e gjirit të San Franciskos, Sakramento e deri në Baja Kalifornia, në Meksikë. Gati 20 milionë njerëz e ndjenë tërmetin e parë e 30 milionë të dytin.
Tërmetet shkaktuan një të vdekur e 25 të plagosur. Por paniku ishte i madh për shkak të paslëkundjeve të vazhdueshme. Sizmologu Egill Hauksson ka parashikuar se kjo situatë mund të zgjaste edhe me muaj të tërë, në mos vite, bazuar në atë çfarë ka ndodhur me tërmetin e magnitudës 7.7 në vitin 1952. Pasi ky tërmet goditi në Techahapi të Kalifornisë, paslëkundjet e tij zgjatën plot 40 vjet. Ndërsa paslëkundjet e tërmetit 7.3 që goditi Landersin, po në Kaliforni në vitin 1992, vazhdojnë ende. Sipas ekspertëve, sa më i fortë të jetë tërmeti, aq më shumë zgjasin goditjet pasuese. Megjithatë, në rastin e lëkundje se fundit të dhunshme të tokës në Kaliforni, ata nuk parashikuan që të kishte një tjetër tërmet më të fortë, pavarësisht frikës që ngjallën paslëkundjet, me argumentin se intervalet mes dy tërmeteve të mëdha zgjasin në kohë.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Dhjetor 2019
“Le Jour” ka botuar, të mërkurën e 16 marsit 1938,në ballinëdhenë faqen n°2, intervistën ekskluzive me mbretëreshën Geraldinë, të zhvilluar asokohe në kryeqytetin shqiptar, vetëm pak kohë para dasmës mbretërore, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Si të mësosh të bëhesh mbretëreshë
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Një vizitë te kontesha Apponyi, e cila, në muajin e ardhshëm të prillit, do të bëhet Mbretëresha e Shqipërisë.
Tiranë, mars 1938. – Vila e bukur e vëllait të mbretit Zog gjendet në skaj të lagjes së re, midis vilave elegante të diplomatëve, në mesin e një parku të mrekullueshëm.Kontesha Geraldina Apponyi do të banojë në këtë shtëpi të mrekullueshme deri në ditën e martesës së saj me mbretin e Shqipërisë.
Në fillim të javës, kjo vilë e bukur njëkatëshe ishte skena e një pritjeje të organizuar nga kontesha për përfaqësuesit e shtypit të huaj që qëndronin në Tiranë.
Gazetarët u pritën, në sallën e gjerë, nga oborrtari i ceremonive të Mbretit Zog, i vënë në dispozicion të konteshës nga vetë sovrani.
Ai është një vjenez, por nuk ka pse të ndjehet i vetëm në Shqipëri, sepse shumica e stafit të mbretëreshës së ardhshme, siç janë shërbyesja e parë, kuzhinieri dhe parukierja, janë me origjinë nga kryeqyteti i Austrisë. Edhe zonja që i mban shoqëri konteshës, baronesha von Ruling, u largua nga Vjena, ku ajo jetonte, për t’u bashkuar me zonjën e saj të re.
Nga korridori, hyjmë drejtpërdrejt në një sallon të vogël, i cili na mundëson hyrjen në një sallon më të madh.Muri që ndan këto dy dhoma zhduket kur shtypet mbi një buton (çelës); atëherë arrijmë në një sallë të madhe, moderne si e gjithë pjesa tjetër e vilës.
Shumica e mobiljeve vijnë nga Italia, por secila pjesë përmban disa objekte të stilit të pastër shqiptar. Vazo të mëdha me karafila të kuq janë vendosur kudo : lulja e preferuar e mbretit Zog, i cili i dërgon disa prej tyre çdo ditë të fejuarës së tij.
Kontesha Apponyi na flet
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Kontesha Geraldinë Apponyi u kthye nga një dalje në det përgjatë bregdetit të Shqipërisë. U shfaq disa momente pasi ishim të gjithë bashkë. Ajo erdhi nga fusha e tenisit ku stërvitet çdo ditë me kunatat e ardhshme.
“— Çfarë bëj gjithë ditën ? përgjigjet ajo, duke qeshur me pyetjen tonë. Le të shohim…Dita ime është aq e plotë sa mezi kam kohë të pres parukieren time !Dua të them se në mëngjes zgjohem mjaft vonë, sepse zakonisht i kaloj mbrëmjet me mbretin dhe motrat e tij dhe pothuajse kurrë nuk ndahemi para orës 2 të mëngjesit.
Gjatë mëngjesit, unë shkoi në pallatin mbretëror për t’i bërë një vizitë të shkurtër mbretit, ku për fat të keq ai gjendet në momentet më të ngarkuara të ditës. Ne e dimë, në fakt, se ai dëshiron të dijë gjithçka për punët e mbretërisë.
Pastaj kthehem këtu për drekë. Pasditja është e ngarkuar me tenisin, me shëtitjet me kalë ose me makinë, kështu që aktualisht kam shumë pak momente për të lexuar. Të gjithë kohën e lirë ia kushtoi mësimit të gjuhës shqipe.”
Data e dasmës
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
“— Dita e dasmës tonë ende nuk është fiksuar, vazhdon kontesha, por parashikohet se ceremonia do të zhvillohet në 26 Prill.Zgjedhja e kësaj date korrespondon me një dëshirë të shprehur nga mbreti.Është pesëqind vjetori i martesës së Skënderbeut, heroit të madh kombëtar shqiptar.
— Sigurisht, u përgjigj kontesha një pyetjeje të re, kam lexuar me interesin më të madh gjithçka që boton shtypi për burrin tim të ardhshëm, si dhe veten time…dhe kjo do të thotë shumë.Kështu që ndonjëherë surprizohem kur gjej, edhe në të ashtuquajturin shtyp serioz, shkrime fantastike dhe absurde.Për shembull, disa gazeta të mëdha kanë përhapur informacione se fotografia e gruas së parë të mbretit dhe ajo e fëmijëve të tij gjendej mbi tryezën e tij.Por mbreti Ahmet Zogu, i fejuari im, nuk ka qenë kurrë i martuar.”
Kontesha Geraldinë Apponyi na flet pastaj për mbretin Zog :
“— Mbreti Zog, burri im i ardhshëm, na thotë ajo, është një shqiptar i vërtetë.Ai është modeli i virtyteve kalorësiake të kombit të tij. Ai do mbi të gjitha jetën paqësore pranë familjes.”
Gardëroba e mbretëreshës së ardhshme
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Falë dashamirësisë së baroneshës von Ruling, ne mundëm të shohim fustanin e mrekullueshëm që do të veshë kontesha Geraldinë Apponyi në ditën e saj të martesës.
Është një fustan i bukur brokadë blu, i qëndisur me ar.Por gjithashtu pamë, në gardërobën e mbretëreshës së ardhshme, një model të mrekullueshëm nga Chanel, si dhe një fustan të bardhë tërheqës, i gjithi në dantellë, dhe një fustan të stolisur me xixa, me një sfond rozë, të ylbertë, me nuanca blu dhe vjollcë, i cili do t’i përputhet në mënyrë të përkryer siluetës së shkëlqyer të konteshës.
Ne pamë po ashtu dy dhuratat e fundit të mbretit : një kimono mëndafshi i zbukuruar me pupla marabu dhe një fustan të kaltër blu për pasditen.
Në mesin e një numri të shumtë xhevahirësh, që mbreti Zog i dhuroi të fejuarës së tij të re, ne admiruam dy unaza.E para përmban një diamant të një pastërtie absolute, ndërsa e dyta ka një shkëlqim disi të kaltër.Secili prej këtyre dy gurëve peshon 15.5 karat.
Baronesha von Ruling na tregon përsëri për zellin e admirueshëm me të cilin mbretëresha e ardhshme vazhdon studimet e saj të vështira të mësimit të gjuhës shqipe.Kontesha dëshiron absolutisht, tha ajo, të përshëndesë në gjuhën e bajraktarëve (kryetarët e fiseve) që do të marrin pjesë në ceremoni…
Valë prosperiteti në Tiranë
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Falë përgatitjeve për martesën e sovranit të tyre, industrialistët dhe tregtarët e Tiranës po përjetojnë një valë prosperiteti të pa shembullt.Zyrtarët e ministrisë, si dhe paria e vendit të vogël kanë mbingarkuar rrobaqepësit me kërkesat e tyre.
Një tregtar i madh kapelesh në Tiranë mori rreth dy javë më parë nga Londra një pako me 500 copë të tilla.Sot, i ka mbetur vetëm një dhe dërgesa tjetër po pritet me padurim.
Hotelet janë pushtuar nga një turmë përfaqësuesish të biznesit, të ardhur nga Gjermania, Austria, Hungaria dhe Italia, të cilët me ofertat e tyre tundojnë zyrtarët e oborrit mbretëror.
Avullorja jugosllave “Beograd”, e cila u ankorua në 1 mars në Durrës, port i Tiranës, solli midis pasagjerëve të saj drejtoreshën e sallonit më të madh të modës të Budapestit, bagazhet voluminoze të cilës përmbanin modelet e fundit të krijimeve të saj.
Ajo u shoqërua nga katër gratë më të afta të kryeqytetit hungarez, të cilat erdhën në Tiranë për të plotësuar në vend dhe sa më shpejt që të jetë e mundur dëshirat e mbretëreshës së ardhshme të Shqipërisë.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
“La Petit Gironde” ka botuar, të diëlen e 10 prillit 1939,në faqen n°2, një shkrim në lidhje me thirrjen e mbretit Zog drejtuar asokohe popullit shqiptar me qëllim mbrojtjen e atdheut nga Italia fashiste, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Thirrja e mbretit Zog për të marrë armët
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Tiranë, 8 Prill.— Mbreti Zog iu drejtua, të premten, popullit shqiptar me thirrjen e mëposhtme :
“Qeveria italiane, me kërkesat e saj të reja, që nuk korrespondojnë me traktatet dhe marrëdhëniet miqësore që ne kemi mbajtur, dëshiron të minojë Pavarësinë dhe sovranitetin e mbretërisë shqiptare. Unë dhe qeveria mbretërore nuk do ta pranojmë kurrë këtë sulm, i cili tenton të zhdukë lirinë e arritur dhe të fituar me gjakun e këtij populli.
Në rast se Italia përdor forcën, unë ftoj të gjithë popullin shqiptar, në këtë moment të rrezikshëm, të bashkohet për mbrojtjen e atdheut dhe të pavarësisë së tij, dhe ta mbrojnë atë deri në pikën e fundit të gjakut.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Jam i bindur që populli shqiptar, i vogël në numër, por i madh në shpirt dhe guxim, në këtë moment do të jetë në gjendje të dëshmojë se ka në shpirtin e tij ndjenjat më të gjalla kombëtare, të trashëguara nga paraardhësit e tij.
Jam i bindur që një popull i bashkuar në këtë mënyrë do të përfitojë nga mbrojtja e Providencës.
I bëj thirrje të gjithë popullit tim që të dëshmojë guximin dhe dashurinë e tij ndaj atdheut, në mënyrë që ai të sigurojë, herët a vonë, në këtë territor, të drejtën e tij natyrore.
Dje mora letren tande e mejherë po vêhem me t’u pergjegjë. Kso here po kufizohem krejt tue lypë sjegime mbi mbrendín e letres së djeshme.
Ti më njehë grupet e ndryshme në të cilat dahej mergata shqiptare që prej vjetës 1927. Të parin grup thue se e mbante Italija, të dytin e mbante Jugoslavija, atë të tretin- grupin komunist, e ka mbajtë sugurisht Rusija, por kush e ka mbajtë grupin e katërt, dmth. Komitetin e Kosovës? A thue edhe ktê Jugoslavija, apor Italija, a kush tjeter? Kishte me më interesue me dijtë se kush e mbante ket grupin e katert.
Më çuditë fakti qi Shkodra po na kenka me grupin e quejtun BASHKIMI KOMTAR të mbajtun prej Jugoslavís. Shkodra mâ fort se çdo krahinë tjeter i a ka pá sherrin boll Serbvet e me gjithkta, po na kenka mbajtë prej Jugoslavijet. Mue nuk më mbushet mendja ashtu krejt se Angjelin Suma ka kenë përfaqsues i Klerit katholik në grupin e mbajtun prej Jugoslavís. Ti e din se kleri katholik ka kenë i subsiduem qýsh me shkatrrim t’ Austro-Ungerís prej shtetit italjan, qi vshtirë do të kishte permetue questa scappatina [1] të klerit katholik. Mue më duket se kleri katholik, kúr s’i jitëte tjeter veçse me zgjedhë ndermjet Jugoslavís e Italís, ka zgjedhë ket të dyten. Se ka pasë ndonji qi ka mbajtë krahin e Jugoslavís, atê e dij, por kryetarët e shumica e madhe janë mbajtë perherë me Italí, pse kjo edhe i suguronte jetesen klerit katholik.
Mâ pertej më thue ti në leter: “Kuptimtar fakti qi në këtë rasë, e vetmja personë përjashta me të cilën krahina e Shkodrës kishte ndiem nevojën me u kshilluem, qeshë un e as Suma jo qi, si thashë, ka kenë pernjimend përfaqsues i pohuem i t’Imzot Mjedës”. T’a dijsh, veç, se Emzot Mjeda ka pasë dekë me 8 korrik 1935 e qysh me vjeten 1936 âsht kenë arqipeshkev i Shkodrës Emzot Thaçi. Me shka dij vetë, Thaçi ka kenë mjaft anti-italjan, nemose mâ teper se Mjeda, i cili ka kenë nji karakter mâ i pagjët. Si të thashë dhe sypri veç, kleri katholik, edhe po pat kenë fort nacjonalist e per parim kundra çdo të huejit, prá edhe kundra Italís, në praktikë e zyrtarisht ka mbajtë perherë krahin e Italís. E kta jo vetem per arsye jeteset, por edhe pse ndermjet Belgradit e Romet âsht krejt e kollajtë zgjedhja per nji të klerit katholik. Mue më duket edhe se Angjelin Suma nuk âsht kenë fort i stimuem në Shkoder, dmth. ai nuk âsht kenë ashtu bash i zoti e prandej nuk e besoj as qi kleri katholik t’a két pasë vû uzdajen mbi nji personë krejt të parandsishme.
Per shka xjerri vetë prej letres s’ate, dán sikur vetem krahina e Shkodrës të két lëvizë nder kta muejt e para-prillit 1939. Nji herë vjen te ti Maliq Bushati, mâ vonë Nush Topalli. Po tjera krahina a nuk kanë çalltisë kurrsesi? Po Shefqet Verlaci a nuk âsht perzie aspak? A âsht e vertetë qi, si mbas fjalvet qi të paska pasë prû Maliq Bushati prej Shkodret, populli âsht kênë gati per revolucjon? A t’a merr mendja tý se me ndihmen e Italjâjve – armë e municjon e jo tjeter – do të kishin mujtë Shqiptarët me e rrzue Zogun?
“Dhe mora vesht se nder rrugat e Durrsit po luftohej” – kshtu shkruen ti. A âsht e vertetë se kanë luftue ndopak Shqiptarët? A vetem në Durrës kanë bâ Shqiptarët nji grimë kundershtim a por edhe nder limâjet tjera? Edhe mue më ka tokue rasa me ndie se shum qinda Italjâjsh kanë mbetë dekun në Durrës në diten e zhbarkimit të tyne, por me sugurí nuk mundem me e dijtë, pse ka edhe asish qi thonë se perveç disa gjendarmvet, kurrkush nuk ka bâ qindresë kundra Italjanve.
M’intereson me dijtë edhe punen e Zef Serreqit. Nji herë më ké pasë folë mbí ket punë, me gjithkta vetë, si edhe tjerët, mendoj se Zef Serreqi e ka trathtue Zogun. Edhe Maloki âsht ksi mendimit. Me të diftue të drejten, per nji shqiptár nuk âsht aspak burrní me tradhtue njerin, të cilit i ké hangër buken. Me kenë adjutant i Mbretit per sá e sá vjet e mandej me e lânë në baltë me nji tradhtí ksi soji, më duket mue se nuk hecë kurrsesi. Kishte mujtë me u shkëputë prej Zogut që me kohë e mos me ndêjë në shërbim të tij, per me e trathtue në ditën e ngushtë. Shka thue ti e si e mendon ti ket punë? A e kam vetë angllisht, apor jo?
Mue më duket se në të njajten situatë âsht kenë edhe Zef Kadarja, Sekretar i Pergjithshem në Ministrín e Mbrêndshme. A ka lujtë edhe ky pjesen e Zef Serreqit a jo?
Nji pyetje po t’a bâj të ré në ket leter e po marr shkas prap prej librecit të Chekrezit. Ky thotë kto fjalë: “Qysh n’atë kohë (Tetor 1941) ishte pëshpëritur se Anglija i a kishte premtuar Greqís krahinat e Korçës dhe Gjirokastrës, si shpërblim të qëndresës së popullit grek kundër Italisë fashiste dhe si protestë kundër qëndrimit dredharak të Zogut kundrejt Fuqive të Perëndimit në kohën para shpalljes së luftës së dytë botërore”. Vetem pjesa e dytë e ksaj perjudhe m’intereson mue, dmth. “qendrimi dredharak i Zogut kundrejt Fuqive të Perëndimit në kohen para shpalljes së luftës së dytë botërore”.
Mjerisht deri tash nuk kam pasë endè rasë me i kndue librat e Ciano-s. Ka dit u a kam vû sŷnin, por deri tash nuk më ka dalë me i shtî në dorë kta libra. Ti e din hallin t’êm e prandej nuk çuditesh qi vetë do të kursej çdo grosh.
Ti më thue në leter se nuk e din kúr do të merrish rrugen per Amerikë. Në letren e kalueme më pate thânë se në gusht do të kishe per të lânë Egjiptin. Sido kjoftë, kúr t’a dijsh me sugurí, tash më lajmon me kohë adresën e ré t’Amerikës.
Muhabeti i em maroj e po e mbylli tue t’urue shndet e të mira sa uji.
P.P. MargjokajO.F.M.
Ramleh, 5. IX. 1952
I dashtuni mik,
Grupi kosovar i mërgatës politike shqiptare 1924-1939, i cili quhej Komitet’i Kosovës, ishte irredentist, dmth kishte për programë haptas bashkimin e Kosovës me Shqipninë, pra s’kishte si me qênë i mbajtun prej Beligradit; mbahej prej Mosket, edhe ai, si grupi komunist.
Shkodra përfaqsohej në Bashkimin Kombtar pa dyshim prej Angjelin Sumës, n’emën të kishtarisë, e Xhemal Beg Bushatit. Ky grup ishte formue shumë vjet para dekës së Mjedes, pra konvalidim’ i përfaqsisë së Sumës me gojë prej këtij, sikurse t’a kam shkruem, s’ka pse vjen në kundrështim me dekën e tij. As nuk duhet me kërkuem nji kundrështim në këtë fakt me politikën zyrtare e direkte të kishtarisë katholike shqiptare, mbasi kjo mujte me e mohuem kurdoherë misjonin jo zyrtar qi i kishte ngarkuem Sumës. Tekembramja Suma kishte prej saj mâ tepër se nji misjon, nji auktorizim me folë e me vepruem për rrëzimin e regjimit të asokohshëm pa cenuem pavarsinë e tânsinë e vêndit dhe premtimin e përkrahjes së saj morale për atë qëllim. Me këtë rasë, duhet dijtun se në 1924 elementat mâ kryesorë t’asajë kishtarije kanë pasë dalë vetë përjashta e jetojshin në Romë, në mos gabofsha, edhe vetë Mjeda; me Fishtën e Marlaskajn-in kam qênë edhe un në përpjekje të dêndun. Si u kthyen këta në Shqipní, jitshin përjashta dy persona kryesore civile prej katholiqvet: Suma e Shuk Gurakuqi. Ky i dyti s’ishte fort persona grata[2]për kishtarinë, me gjithë qi për moral, karakter e patrijotizëm kishte nji famë të meritueme shumë mâ të naltë se tjetri. Veçse kishte… nji të mêtë: ishte krejt nji copet e s’dinte me i bâmë lak kurrë as punës as fjalës me kêdo. Sidomos Fishta, qi ka pasun nji karakter mjaft despotik, s’e pelqente aspak, ndërsa Marlaskaji e çëmonte shumë e e donte, se ishin që të dy të premë prej nji stofet. Mb’anë tjetër, për shkak të karakterit të tij indipendent, as Shukut vetë s’i pëlqente me qênë nën urdhën të kuj. Modest e puntuer i palodhshëm, pat qênë pajtuem me rrogë si sekretar i Serreqit, nji kushrînit të Zefit, qi ishte komisjonar në Trieshtë. Angjelinin e kishte mik e e donte. Kështu, pra, qi si u kthyen vetë në Shqipní, prelatët t’anë, mbet përjashta Suma për me i përfaqsuem, me auktorizimin e tyne, në fushën politike të mërgimtarisë, ku, me arsye e për çdo eventualitet, nuk dojshin me qênë krejt dorjashtë. Në nji mbledhje krenësh të ksaj mërgimtarije aty shpejt, para se t’u dajshim ndër grupe, e mbaj mênd si sod, qe fjala për me zgjedhun disa vetë si nji farë kshilli a komiteti veprues; ishte n’atë mbledhje edhe Fishta, e mbasi ky me shokë nuk dojshin me u dukun faqe se po merrshin pjesë aktive në nji veprimtarí revolucjonare, duhej zgjedhun për n’atë komitet nji civil si përfaqsues i tyne ; dikush, kujtoj madje shi un vetë, përmêndi emnin e Gurakuqit; t’a kishe pamë se me ç’farë toni nervoz u përgjegj Fishta, qi ishte mbë kâmbë tue u endun nëpër odë: SUMA!
Sikur të kishin pasë ecun punët ashtu si qênë nisun e sikurse t’i kam tfilluem në letrën para ksaj, kam bindje të plotë se do të kishin dalë me fitim. E tânë Shqipnija do të kishte marrë pjesë në kryengritjet, në mos mbarë atypraty, së pakut me krahinat e saja mâ kryesoret. Me Krujë e Tiranë kam qênë vetë në kontakt me anën e t’im vëllá e t’im kunat, Juga ishte në kontakt me Bashkimin Kombtar, për Shkodrën, po e din. Ndër mjete qi na kishin premtue Italjanët, natyrisht ishin edhe të hollat. Por na të përjashtmit s’e kemi pasë quejtun këtê nji element kryesuer. Pështeteshim mâ tepër mbi gjêndjen shpirtnore qi mbretnonte aso kohe në Shqipní. Kudo qi peshonte mâ rândë parja se zêmra, e dijshim se do të punojshin Italjanët vetë. Sa për Verlacin qi po më pyet, ky ka pasun nji farë kontakti me B.K., por sidomos drejtpërdrejt me Italjanët.
Qëndresa e Shqipnisë, dmth. e qeverisë shqiptare, të lëshueme doret prej krejt botës, kundra Italjanëve, ka qênë, natyrisht, thjesht symbolike. Nuk mund t’ishte ndryshe. Mbretit asnji Pushtet i madh ase i vogël s’i pat dhânë as mâ të voglin premtim ndër hapat e tija pranë ambashatave ndër ato dit dramatike.
Mbas bindjes s’eme, Zef Serreqi ka tradhtuem. Nji avokat i mirë ndoshta do t’a shpëtonte përpara nji gjyqi. Un vetë, qi i njoh edhe të kaluemen e karakterin e qi kam kënduem edhe çka shkruen Ciano për tê, e dënoj pa tjetër. Parimet morale të shfaquna prej tejet me këtë rasë të Zefit, kanë qênë edhe të mijat gjithë jetën. Zef Kadarja s’mund të krahasohet me Zef Serreqin. Ai ka qênë funkcjonar i administratës shqiptare, funkcjonar Shteti. S’ka pra mâ tepër përgjegjsí se çdo funkcjonar tjetër i rangut të tij. Për t’i a bâmë shoq Serreqit, po deshe me i a gjetun nji tjetër : Mark Kodhelin, dritë pastë.
Gjykim’ i Çekrezit mbi politikën “dredharake të Mbretit kundrejt Fuqive të Perëndimit në kohën para shpalljes së luftës”, s’ka as erën e historisë, ato janë thjesht fjalët, arbitrare, të nji kundrështari politik, për të cilin çdo rasë âsht e mirë për të rrëzuem tjetrin. Por s’po shkojmë mâ gjatë dersa Çekrezi t’a ketë lânë pretendimin e tij ashtu të thatë, pa asnjë fakt konkret. Kur të na paraqesë fakte, gjykojmë këto, e jo Çekrezin ase Mbretin.
Diario i Ciano-s sigurisht do të gjindet në biblijothekën e atyshme. Çudë si s’qënka interesuem Maloki me e pasun atë libër themeluer për kê deshiron me gjykuem politikën italjane kundrejt Shqipnisë prej 1937 deri në 1943!
Nëse kam me u nisun apo jo e kur për Amerikë s’e dij ende. Âsht e dijtun që kam me të lajmue me kohë.
Mbrênda muejit qi vjen ke për të marrë, tekembramja, nji libër t’emin, për të cilin Maloki me shokë kanë për të thânë, kur t’u bjerë në dorë: “Puell mali e bâni nji mi!” E ka titullin “Abetari i të Mërguemit”. S’âsht nevoja me u zgjatun mbi tê, mbasi kê për t’a kënduem së shpejti. TË LUTEM ME GJETUN E ME MË DËRGUEM ADRESËN E NDUE PALUCËS.
Ti a e ke blemë apo jo atë librin e ri gjermanisht qi më pate porositun mue? Në qoftë se po, si të ka dalë mbas këndimit? A ka mundsí me e blemë un aty tue i dërguem të hollat cingare Egjypti? Po qe se i gjindet mënyra këtij shkëmbimi, me më diftuem se çfarë cingaresh deshirohen: të buta fort, mesatare a të forta.
Komentet