VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Më 14 dhjetor 1990 u nda nga jeta Friedrich Dürrenmatt, shkrimtar, dramaturg dhe piktor zviceran

By | December 14, 2019

Komentet

ISMET ELEZI – 100 VJETORI I LINDJES SË FTERRJOTIT, NJERIUT DHE PERSONALITETIT MBARËKOMBËTAR – Nga SULEJMAN MATO

Eshte per mua nje privilegj dhe kenaqesi e madhe te uroj ne kete ore te fillimit te dites 5 PRILL 2020 Xha Ismetin kete Fterriot qe figura e tij ,vepra etij i ka kaluar me kohe caqet e Laberise por edhe metej , Te Kombit si nje dijetar i madhe ne sherbim te Atdheut .

Per Te flet historia ,flet vete rruga shume vjecare qe fillon me shkollen e fillores ne femijerine e tij ,vazhdim i kesaj rruge ne shkollat e tjera ne Shqiperi , shollen e larte ne Rusine Sovjetike me medaljen e ARTE dhe me punen gjigante ne sherbim te kmbit Shqiptar ne sektorin e Drejtesise .ku dallohet per nje devocion te larte dhe kulture evropiane Per Ismet Elezin. flet vete puna dhe vepra e tij .I ka sherbyer drejtesise jane me qindra kuadro qe kane dale nga katedrat e drejtesise Ku jep leksionet Ismeti ketu ne Shqiperi por edhe me tej ,ne Kosove Per kete flet dhe dekorata e larte edhene nga Presidenti i KOSOVES. Z. Hashim Thaci .

Eshte kenaqesi dhe nder te bisedosh me njerez si Ismeti Duhen dite e nuk dalin ,te flasesh per njerez si AY . UNE SONTE dua t’a UROJ T’a gezoje 100 vjetorin ,te rroje edhe shume vite te tjera prane njerezve te tijte dashur . Xha ISMET . Me shpirt te urojme ,te rroni gjate ,me shendet dhe i lumtur Te duam shume

RA KY MORT E HIÇ S’U PAMË Shënime nga karantina – Nga K. P. Traboini

Kisha në plan të udhëtoja për në Amerikë në fillim të Marsit, por që në shkurt kur mora njoftim se në Bergamo, Itali, vdiqën dy vetë, hoqa dorë se e parandjeva që linjat e avionëve ishin bërë çerdhe shpërndarje virusesh e askush nuk po u thoshte ndal linjave ajrore. E ma merr mendja se as i kanë dezinfektuar para apo pas çdo fluturimi.
Më ka ndodhur jo pak herë që pas çdo udhëtimi për në Amerikë të kem probleme me shëndetin, në formë gripi apo diç tjetër. Nuk besoj në pastërtinë e mjedisit të avionëve të pasagjerëve. Ani pse biznes i madh. Para e madhe në xhepat e kompanive shumëkombëshe që në janar-shkurt, kur Vuhani po përvëlohej nga epidemia, as po e vrisnin mendjen se si të ndalohej përhapja e kësaj sëmundje të rrezikshme për njerëzimin. Të paktën ata të mos bëheshin mbartësit e saj nga një shtet në një tjetër. Nga një kontinent në një tjetër. Erdhi koha që u bë ndalimi por tepër vonë. Tërë bota u vonua. Tërë bota u infektua. Mungese përgjegjësie totale. Të mjerët italian e pësuan sepse nuk e imagjinuan stuhinë e vdekjes që po vinte në ketë vend të begatë njerëzish punëtorë duarartë, të gëzuar e jetëgjatë. Fati u solli të derdhnin më shume lot se askund tjetër ne Europën e lodhur e të përgjumur. Brenda një muaji, falë linjave të avionëve, tërë botës ju vu flaka, ju pllakosi vdekjen, duke krijuar një gjendje që askush nuk e di se si e kur do përfundojë e sa sa vdekje do te ketë akoma. Asnjeri nga ne nuk e di si do bëhet me veten tonë, do të jemi të gjallë apo të vdekur deri në stinën tjetër. Falë ndryshimeve të mirëqenies, nivelit të pastërtisë e përkujdesjes në raport me brezat e mëparshëm, mendonim se ishim jetë gjatë fatlumë, por krejt pa pritur stuhia e zezë që fryu nga Vuhani na kujtoi se mund të bëhemi edhe jetëshkurtër madje duke numëruar ditët. Këto përsiatje, herë me shpresë e herë pa pikë besimi se do na gjejë stina tjetër. Gjithnjë kur bluaja me vete, arrija në mendimin se duhet të jemi më të butë. Me të mirë e më të mirë kuptueshëm. Asnjë egërsi a mllef nuk na shpëton. Politikanët le të bëjnë ende si të marrë. Punë e tyre. Milionerët le të rrinë të fshehur pa nxjerre zë, sikur deri dje mos të ishin të zhurmshëm, me shpenzimet e tyre marramendëse, me mburrjet e tyre për gardëroba milion-dollarësh. Vrima e miut 300 grosh është sot për këto milionerë mburravecë që e kanë harruar krejt çfarë është altruizmi, bujaria e humanizmi.
Mbledhësit e milionave nuk do ishte keq të kishin dhënë gjysmën e pasurive të tyre për të shpëtuar njerëzimin, por siç po shihet nuk po e bëjnë. Nuk mjafton që e shohim që një pjesë e botës është zhytur në mjerim, por këta bëjnë kinse nuk janë këtu, por në një planet tjetër. Po këta nuk kanë as mëshirë, as bujari, as humanizëm. Ku janë listat e milionerëve të revistës FORBES. Deri para epidemisë botoheshin emra të mburrur për pasuri përrallore. Paratë atyre ua ka dhënë populli, duke parë koncertet e tyre, filmat e tyre, duke blerë mallrat e tyre, duke punuar për ata, mirëpo milionerucët tani janë fshehur e numërojnë të vdekurit nëpër lajmet e botës, pa e vrarë mendjen se shpëtimi vjen nga shkenca, e shkenca që të zhvillohet për të mirën e njerëzimit do para, e paratë janë të ndara shumë keq, por jo për faj të tyre sigurisht, por të indiferencës së shtetit që si rregullator lë pa përkujdesje një garë të shfrenuar shoqërore dhe ekonomike ku i pasuri vazhdon të pasurohet pafundësisht e i varfëri të varfërohet tmerrësisht. E pra të dy palët paguajnë taksa. Të dy palët e mbajnë mbi shpatulla shtetin. Veç njëri mbret i pangopur në përfitime e tjetri Sizif kryelartë e fatkeq.
Mirë është që njerëzimi ti thërrasë mendjes e shumë gjëra, siç thotë këto ditë edhe politologu amerikan Henry Kisinger, pas pandemisë bota të nisë ti bëjë ndryshe. E kjo nuk ka të bëjë me ide socialiste, siç mund të thotë ndokush (mos e thëntë Zoti rrafshimin e vlerave), por me funksionin rregullator të shtetit para të cilit të gjithë qytetarët janë të bababartë e meritojnë të njëjtën përkujdesje. Kësisoj shteti të ndjekë parimin se të gjitha gishtat e dorës dhëmbin njësoj. Një reformim i madh duhet veçmas në fushën e shëndetit publik, se jemi në luftë, armatimet e bombat nëpër depo flenë, por na mungojnë instrumentat mjeksore, që janë padyshim arma më efikase e kësaj lufte që duhet me çdo kusht ta fitojmë. Jemi në një botë morti dhe unë kam hequr dorë e i shmangëm çdo vështrimi politik në problematikat që na dalin përpara. Sepse jemi në kohë të mbijetesës. Nuk di askush çfarë është e nesërmja. E di se mjaft pasionantë që përqendrohen zellshëm nën ombrellën e konflikteve partiake politike, mund të mos kenë të njëjtin mendim e të më thonë se po i shërben këtij apo atij protagonisti politik e aspak karizmatik. Por gjithsesi dëshiroj të shprehem, të them se i gjithë përqendrimi duhet të jetë, sipas meje, për të ruajtur ekzistencën si popull, Ky është imediati historik i këtyre ditëve. Nuk ka pikë rëndësie kush është në qeveri e sundon e kush është në opozitë e turfullon. Se aty-aty janë. Një okë e pak, një okë pa pak, siç thotë populli. Rëndësi ka të organizohemi mirë. Të jemi më homogjen e më të ndërgjegjshëm se jemi përballë një katastrofe.
Përpara një zinxhiri vrasës që me vullnet të mirë e fare pak sakrifica mund ta përballojmë. Duhet ta këpusim atë zinxhir fatal, ta këpusë secili nga ne duke u shmangur nga infektimi. Se shumë kush me moskokëçarje mund të bëhet një hallkë e linjës vrastare e t’ia çojë njeriut të vet të dashur. Duhet të gjithë bashkë të punojnë në një qëllim. Nëse dështojmë të gjithë bashkë, a veç e veç, pasojat e përgjegjësit do të jenë të mëdha për ne të gjithë. Nuk i shmanget gjyqit të ndërgjegjes askush. Ne kemi qeshur me formulime të tilla si “një për gjithë e të gjithë për një”, por erdhi koha ta vlerësojmë këtë shprehje se është një praktikë shpëtimtare.
Çfarë e shtyu mjekun Dhimitër Kraja të lerë qetësinë e pensionistit e të kthehet në frontin e luftës për mbrojtjen e jetës së njerëzve, atje ku punoi 48 vjet? Pikërisht kjo ndjesi. U infektua, u rrezikua, por mrekullisht shpëtoi. Por gjithsesi ja vlejti sakrifica se na e konkretizoi humanizmin, e bëri më të pranishëm mes nesh, sepse për humanizmin flasim shumë, por e gjejmë në praktikë fare pak. Dhe të mos harrojmë se pas çdo lufte janë bërë gjyqe të atyre që i çuan popujt në katastrofë. E kurrsesi nuk dua të besoj se, shkaktarët e kësaj gjëme, pandemie, por edhe ata që e nënvleftësuan, nuk do të jenë pa pasoja e pa gjyqin moral publik. Shteti që është rregullatori i jetës së qytetarëve duhet të jetë me kapacitete të plota, me ekonomi të fortë e më i pasur e të mos vidhet, por gjithashtu të shpenzojë me shumë për nevojat e shërbimit publik. Si ka mundësi që ne nuk kemi veç dy-tre spitale shtetrore në Tiranën që i afrohen 1 milion banorëve, gati gjysma e popullsisë së shtetit përqendruar në një qytet. Si ka mundësi të kemi makina ambulance në gjendje të tillë që nuk transportohet as bostanet, specat e domatet e jo më njerëzit, ndërsa qeveritarët porosisin makina të reja milionëshe? Pse nuk vihen makinat e qeverisë në dispozicion të spitaleve e urgjencave në këto ditë pandemia e shtetrrethimi?
O Zot sa pyetje mund të bëhen në këtë vend. Por askush nuk zoritet të jap një përgjigje. Madje as Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni që mesa shihet mbahet kot, para të humbura, sepse nuk kemi asnjë veprim të fortë denoncues për korrupsion, kur këtu paratë villen me galop e me thasë. Pse shteti ti japi koncesione spitaleve private, të cilat punojnë me çmime të kripura mbi aftësitë paguese të qytetarëve, të punësuar qofshin apo pensionistë. Po sa para nxirren nga kromi, nga nafta, nga pasurit tjera minerare. Ku shkojnë këto para. Pse nuk bëhen publike shpenzimet e shtetit. Po të ishin te dhënat publike a do të kishte mundësi të kaparoheshin nga duar e zgjatura të korrupsionit që gjenden ngado. Pse duhet të bëjmë Check Up shëndetësor te një person privat, që qytetarët as nuk e bëjnë fare, por ai (ajo) merr miliona euro. Me ato para mund të ndërtoheshin edhe tre a katër spitale moderne. Ka diçka që nuk shkon në këtë vend. Asnjë parti që vjen në pushtet nuk jep llogari e as mban përgjegjësi për veprimet e veta financiare që e dëmtojnë mirëqenien e popullit e punojnë në favor të klaneve, oligarkëve, quajini si ti doni, por janë brejtës të pasurive kombëtare e shkaku kryesor për varfërimin e popullit. Për frymë të popullsisë, në bazë të pasurive natyrore, jemi populli më i pasur në Ballkan e më gjerë. Por në të vërtetë realisht jemi më të varfërit e Europës. Pse? Kush duhet ti përgjigjet kësaj pyetje. A mund të përgjigjen sadopak ata të kinse Kontrollit të Lartë të Shtetit që ngrohin vezët nëpër zyra shteti.
SPAK-u duhet të mbaj shënim për gjithçka që ndodh në këtë vend dhe kur kjo furtunë e zezë të ketë kaluar, të verë përgjegjësit e zullumeve me shpatulla pas muri. Edhe ai apo ajo që ka marrë miliona me këto Check Up-et fiktive, që dreqit nuk i duhen gjë, ti kthejë një për një paratë e popullit. Ka ardhur koha që gjërat ti shohim ndryshe, të luftojmë si bashkësi që asnjë lek i popullit të mos shpërdorohet, por të ketë efikasitet e të shkojë në shërbim të tij. Ka ardhur gjendja aty ku më nuk mban. Fatkeqësi pas fatkeqësie. Varfëri pas varfërie. Duhet kaluar kjo furtunë e zezë që na gjeti të papërgatitur e të vjedhur njëkohësisht, që të nisim gjithçka me një mendësi të re. Të mos jemi indiferent ndaj fenomeneve të tilla që në Shqipëri të gjithë pushtetarët e të gjitha partive mjerisht e poshtërsisht, kanë guxuar ti bëjnë pa u hyre ferrë në këmbë. Për çfarë parashtrova nuk ka të bëjë me politikën në kuptimin e përkatësisë se krahëve të dallaveraxhinjve që kanë veshur petkun e politikanit, por këndvështrimi i problemeve në interes të popullit e të përparimit kombëtar. Zoti i shpëtoftë njerëzit e pafajshëm nga kjo gjëmë e zezë që ka pllakosur botën, por edhe nga politikanët e papërgjegjshëm që e vjedhin dhe e rrjepin popullin si të ishte një popull i huaj nën pushtimin e barbarëve!
5 prill 2020

ANTOLOGJIA E MUNGESAVE – Poezi nga LULZIM LOGU

 

Më mungon aq shumë ajo kafja jonë e pasdites, prag muzgut që bie

Gjurma jote e mbetur, skajit të filxhanit, ti blije buzëkuq të lirë, të lehtë

Përzier me hirin e kafes, e kam ruajtur në cep të buzëve si antivirus

Nuk mbaj maskë, kurrë s’dita çfarë janë maskat, s’e mbulova fytyrën

E lashë peng të diellit, në lojën e tij erotike me retë, me erën e shfrenuar

Që shpërthen sythet dhe shkrin borën e vonë mbi lulet e qershive

Një qershi e ndarë në dysh tash do shuante mallin tim për buzët tua…

 

Më mungon aq shumë ajo mbrëmja e fillim prillit, e trishtuar

Nga klithma e parë e zogjve të panginjur mbi copra buke tej

Kur drita e hënës bie si polen i praruar lulesh mbi truallin e tyre

Dikush luan me fishkëllimë sonatën  e saj, i panjohur pas xhami

Silueta hijesh që  kapërthuren dhe nginjen mbi pemët e holla

Si duar të afshta mbi barkun e ngrohtë të një shtatzëne që prêt

E lëngështuar në ankthin e së panjohurës pas derës së tejdukshme…

 

Më mungon aq shumë tehu i gurit të bjeshkës poshtë hapave të mi

Që ngasin luginave plot mjegull , ajo tamël zanash mbi qiellin e tyre

Diellin e shplojnë agut të hershëm, kokë e fëmijës në gishta lehone

Hënën ja lëshojnë mbi duar, një topth i artë, të luajë, t’ja ndalin vajin

Të mos tremben dhitë e egra dhe drenushat teksa pijnë vesën e parë

Në krojet e pashtershëm, gjinjtë e afshtë që pikojnë shkrepave të idhët

Ku e ka mbretërinë e vet të përjetshme fëminia ime e largët…

 

Më mungon buzëqeshja e babës, e cila sikur mbarte krejt maturinë e botës

Në fjalë të thjeshta, të renditura si rruaza dashnie në përqafimin e ditës

Aq shumë mirësi në sytë e tij të kaftë, me esencën e drunit të gështenjës

Që pikte kokrra në oborrin e madh të logut dhe të fisit, ashtu shtati i tij

Një lis i rëndë në pellgun e kujtimit, e mbulon me gjethe dhe lule pafund

Dhe më ëmbëlton dhimbjen e çuditshme të izolimit, ftohtësinë e mureve

Në çdo qelizë timen, vret padurimin, ngroh shpresën  për verën që vjen…

 

Më mungon prania ime tek shtretërit e atyre që frymojnë se fundmi

Pa mundur të japin puthjen e fundit, përqafim i munguar pas xhami

Si dorë e këputur, degë e rënë në sfondin e çuditshëm të jetës që ikën

Më merret fryma nga pamundësia, jam loti që rrjedh në faqe nënash

Jam fjalë e pathënë, mirënjohje e munguar  në fjalor të të dashurish

Antitrup i fituar  në betejën e mungesës, violinë që luan himnin e jetës

Tutje në ballkonin e shpresës…

 

Tropojë,04/04/2020

 

NATA IME – Poezi nga FRIDA KAHLO – Përktheu FASLLI HALITI

FRIDA KAHLO

    19071954

NATA IME

Letra që nuk iu dërguar kurrë

Diego Riveras nga Frida Kahlo

 

Nata ime është pa hënë.

Nata ime ka sy të mëdhenj të cilët ngulen mbi një drite gri që filtrohet në dritare.

Nata ime qan dhe jastëku bëhet i lagësht, i ftohtë.

Nata ime është e gjatë e tendose e drejt një pafundësie të pasigurt.

Nata ime më nxiton në mungesën tënde.

Të kërkoj, kërkoj trupin tënd të pafund, pranë timit, frymën tënde, erën tënde.

Nata ime më përgjigjet: bosh; nata ime me ftohtin

dhe vetminë.

Po kërkoj një pikë kontakti: lëkurën tënde. Ku je ?

ku je ? Kthehem  në të katra anët, jastëku i lagësht, faqja ime ngjitur mbi të, flokët e mi të lagur mbi  tëmtha.

Jo është e pamundur që ti të mos jesh këtu. Mendja ime endet, mendimet e mia venë e vijnë e mblidhen, trupin tim s’mund ta kuptoj. Trupi im do të të pëlqente. Trupi im, kjo zonë e gjymtuar, do donte të harrohej për një çast në ngrohtësinë tënde, trupi im pretendon disa orë qetësi.

Nata ime është një zemër e rrëgjuar në një zhele.

Nata ime e di që do të doja të të shikoja, të ndiqja me duar çdo kurbë të trupit tënd, të njoh fytyrën tënde dhe ta përkëdhelja.

Nata ime më mbyt në mungesën tënde.

Nata ime përpiqet prej dashurisë, ajo që kërkoj të argumentoj, por që përplaset në muzg, në çdo fibër timen. Nata ime do të doja të të thërriste por ajo s’ka zë.

Pra do donte të të thërriste dhe t’ë shrëngohej me ty për një çast  të harronte këtë kohë që masakron.

Trupi im nuk mund të kuptojë.

Ai ka nevojë për ty aq sa dhe për mua, ndoshta mund të jetë aq thellë, unë dhe trupi im, ne formojmë një të tërë.

Trupi im ka nevojë për ty, shpesh ti gati më ke shëruar.

Nata ime gërmon derisa nuk të ndjej më mishin dhe ndjenjën që bëhet më i fortë, më akut, pa substancën materiale,

nata ime më djeg me dashuri.

Është ora katër e tridhjetë e mëngjesit.

Nata ime po më rraskapit. E di që më ka marrë malli dhe e gjithë errësira e saj nuk mjafton për ta fshehur

këtë dëshmi që shkëlqen si teh në errësirë,

natën time do doja të kisha krahë të fluturoja deri tek ti, të mbështjellja në gjumë dhe të të ktheja prapë te vetja

Në gjumë do të më ndjeje afër dhe pa të zgjuar

krahët e tu do të më shtrëngonin.

Nata ime nuk sjell këshilla.

Nata ime mendon për ty, si një ëndërr me sy hapur.

Nata ime pikëllohet dhe humbet.

Nata ime thekson vetminë time, të gjitha vetmitë.

Heshtja e saj dëgjon vetëm zërat e mi të brendshëm.

Nata ime është e gjatë, e gjatë, e gjatë.

Nata ime do frikësohej se mos dita s’dukej më,

por në të njëjtën kohë nata ime ka frikë nga dukla e saj, sepse dita është një ditë artificiale në të cilën çdo orë vlen dy herë më shumë dhe pa ty,vërtet s’jetohet më.

Nata ime pyet nëse dita ime duket si nata ime.

Që do shpjegonte natën time si kohë dhe ditë.

Nata ime dëshiron t’më veshë e t’më shtyjë

që unë të shkoj të gjej njeriun tim.

Por nata ime e di se ajo që ata e quajnë çmenduri,

nga çdo rend, mbjell çrregull, është e ndaluar.

Nata ime pyet veten se çfarë nuk është e ndaluar.

Nuk është e ndaluar të bëshesh një trup me trup me të, këtë e di ajo,por irritohet kur sheh një mish të bërë trup

më vete në buzë të dëshpërimit. Një mish s’është bërë

për t’u martuar me asgjënë. Nata ime të do ty

deri thellë brenda vetes,e rrezonon prapë  me timen.

Nata ime ushqehet me jehona imagjinare.

Ajo mund ta bëjë. Unë, dështoj

Nata ime më vështron. Shikimi  i saj është i qetë

dhe i bën insinuatë vetes në çso gjë.

Nata ime do donte që ti të ishe këtu për të insinuar veten edhe brenda vetes me ëmbëlsi.
Nata ime të pret, trupi im të pret.

Nata ime do donte që ti të pushoje në zgavërr

të shpinës sime e unë të pushoja në zgavrrën tënde.

Nata ime do donte të ish spektatore e kënaqësisë simi dhe kënaqësisë tënde, që të t’shihte dhe t’më shikonte me të dridhurat prej kënaqësisë.

Nata ime do donte të shihte pamjet tona dhe ne i kemi pamjet tona plot dëshirë.

Nata ime do donte të mbante në duar çdo spazëm.

Nata ime do të bëhej e ëmbël.

Nata ime ankohet në heshtjen e vetmisë së saj

në kujtimin pët ty,

Nata ime është e gjatë, e gjatë, e gjatë.

Humbet  koka, por s’mund t’largojë imazhin tënd

nga unë,s’mund ta davarit dëshirën time.

Po  vdes sepse nuk je këtu dhe ai po më vret mua.

Nata ime të kërkon vazhdimisht, trupi im nuk arrin

të konceptojë që të na ndaj ndonjë rrugë

ose çfarëdo gjeografie .

Trupi im bëhet i marrë prej dhimbjejes sa të mos mund të jeni në gjendje të njihni figurën tuaj ose hijen tuaj

në zemër të natës.

Trupi im do donte të të përqafonte në gjumin tënd, trupi im do donte të flinte në mes të natës

dhe në atë errësirë ​​të zgjohej me përqafimin tënd.

Nata ime ulërin dhe luan velat, nata ime përplaset

me heshtjen tënde, por trupi yt mbetet askund

ku mund të gjendet.

Më mungon shumë, aq shumë.

Fjalët tuaja, ngjyra jote. Dielli së shpejti do të lindë.

 

Qyteti i Meksikës 12 Shtator 1939

 

Përktheu: Faslli Haliti

PA TINGUJ – Poezi nga FRIDA KAHLO – Përktheu FASLLI HALITI

             FRIDA KAHLO

                 19071954

 

 

Frida Kahlo de Rivera (Shqiptimi spanjisht: [ˈfɾiða ˈkalo]; 6 korrik, 1907 – 13 korrik, 1954), lindur si Magdalena Carmen Frieda Kahlo y Calderón, ishte një piktore dhe poete meksikane…

PA TINGUJ

 

Hyja dhe zbrisja jashtë kohe në rropullitë tokës,

ku “mikia ime imagjinare”  më priste përherë.

Nuk e mbaj mend pamjen ose ngjyrën e saj.

Por mbaj mend gëzimin e saj – ajo qeshte shumë.

Pa tinguj.

Ishte e shkathët dhe vallëzonte sikur të mos kishte asnjë peshë.

E ndiqja në çdo lëvizje të saj dhe I tregoja, shqetësimet e  mia sekrete.ndërsa ajo kërcente.

Çilat? S’i mbaj mend.

Por ajo i dinte nga zëri im të gjitha gjërat.

Kur kthehesha në dritare, hyja

në të njejtën derë e vizatuar mbi qelq.

Kur? Sa kohë qesh me të?  Nuk e di

Mbase një sekondë ose mijëra vjet … isha i lumtur.

Mbyllja derën me dorë dhe zhdukesha.

Vrapoja me sekretin tim gëzimin tim

në cepin më të largët të oborrit të shtëpisë time,

dhe përherë në të njëjtin vend, nën një pemë qitroje,bërtita dhe qeshja.

E habitur se qesh e vetme me lumturinë time të madhe

dhe me kujtiin kaq  të gjallë të vogëlushes.

Kanë kaluar 34 vjet nga që kur e kam jetuar

atë miqësi magjike dhe sa herë që e kujtoj, atë ajo ringjallet dhe rritet, gjithnjë e më shumë brenda botës sime.

 

Përktheu: Faslli Haliti

Vdekjet në kohën e Covid 19 – Poezi nga Keze Kozeta Zylo

Vetmia është vdekje, vuajtje pa fund,

Të dyja bëjnë dashuri jo si “çiftet” natën e parë,

Është një dashuri horror për filmat në Hollivud,

I sëmuri i radhës jep shpirt me vetminë pranë…

 

Vetminë e urrej, kurrë s’e kam provuar,

Mos e provofsha kurrë në këtë botë!

Në çastin e mbramë të jesh i izoluar,

Është një çmenduri që s’e spjegoj dot…

 

Dhe ju që e mbollet na futet në çark,

Në një çark të zi me pak krodhë helmi,

Të sëmurëve si fantazma u hodhët nga një lak,

Dhe i mbysni në vdekje për mungesë oksigjeni…

 

Dhe ju që këshilloni, pa maska na dilni,

Ndonëse me maska të tjerët i doni,

Unë këto maska i kam urryer nga shpirti,

Por bota po çmendet dhe ju prapë s’shikoni.

 

Kufomat po digjen si në flakët e ferrit,

Dhe sytë më tmerrohen në vetminë vrastare,

Çdo sekondë mund të presesh radhën e tmerrit,

Nëpër honin e zi me “viruset” barbare…

 

Ah se harrova eshte vdekje moderne,

I “padukshmi” të futet dhe të ngec në fyt,

Ky “Covid 19” me urrejtje skizofrene,

Ka një pangopësi: të gelltit, të mbyt!…

 

4 Prill, 2020

New York

MUSTAFA MERLIKA – KRUJA: “KUJTIME VOGJLIJE E RINIJE”- KAH FATI I IM – Projekte shkollimi

Kur mbarova të pestin rend të gjymnazit në Janinë, jo veç qi dola i pari në shkallzimin e përgjithshëm, por gati edhe në secilën lândë të veçantë prap pata çmimin e parë. Në mathematikë ishem nji fenomen. Mund të them se n’arithmetikë, në gjeometrí e n’algjebër s’kam çelë ndonji herë libër veçse për të kopjue ushtrimet qi na shënonte profesori për t’i bamë në shtëpi. Mësimi i mësuesit në klasë më mjaftonte. Asnji lândë tjetër s’ishem i zoti të bluej aqë lehtë e aqë me ândë sa këtê.

Profesori i im në mathematikë, Z. Qamil Bala, porsa qenë mbarue provimet dhe kur un po u përgatitshem me kthye në shtëpí për pushimet e verës, më thirri nji ditë e më kshilloi me i premë me kaqë studimet gjymnazore për me hŷmë n’Ingjinjerí, ku pranoheshin edhe studenta të gradës s’eme me nji provim qi ai, profesori i im, ishte i bindun se un mund t’a fitojshem, sidomos po t’i vêhesha m’u përgatitun gjatë pushimevet. I dhash fjalën pa tjetër se do të bâjshem ashtu si më kshilloi, dhe para se me u nisun për Krujë vojtsh e u fala me gjithë Eprorët e mij dhe me shokët për mos me u kthye mâ n’atë shkollë.

Nji nga shokët mâ të dashun qi kishem, Z. Hajri Çani nga Gjirokastra, m’u lut qi gjatë udhtimit t’em të shmângesha për disa dit më tê n’atë qytet, se deshironte qi të njihesha edhe me familjen e tij e në këtë rasë të shihshem edhe kryevêndin e sundimit të Gjin Bue Shpatës. E prita dhe pranova me gzim grishjen e mikut. Bashkë me tê vojtëm fill e në Gjirokastër dhe, natyrisht, rash në shtëpít të tij, ku ishem i ftuem si nji vëlla e ku qesh i pritun bujarisht prej gjithë gjindes së shtëpís. Gjirokastritët kanë famë koprracësh. Un nuk dij se pse. Prova e parë qi kam pasun në këtë rasë në nji familje gjirokastrite dhe tjerat qi më kanë dhânë miq e shokë të mij qyshë prej bankave të shkollave e deri sod, tregojnë të kundërtën. Mue më duket se Gjirokastriti âsht i përkorë e kursimtar, por jo aspak koprrac. Dý cilsít e para janë vërtyte, e treta ves.

Të parën ditë qi u shtruem për darkë në tryezë të Shefqet Çanit – ky ishte kushrí i parë i Hajriut dhe i par’i shtëpís – vûna re se hahej bukë e misërt. Me këtê ishem rritun edhe në shtëpít t’eme. Por në Janinë hajshim bukë të grunët. Pa dashun e pa më shkue mêndja fare me shfaqun nji deshir, por vetëm për nji qëllim studimi shoqnuer m’u dha të pyes:

– Z. Shefqet, vetëm bukë e misërt hahet në Gjirokastër, apo ka dhe të
grunët?

– Ka dhe të grunët, më përgjigjet ai pà shtue asnji fjalë tjetër.

U kujtova për gabimin qi kishem bâmë vetëm nesret në drekë kur pash se në tryezë bukës së kollomboqit i a kishte zânë vêndin ajo e grunit.

Ndêjta nji javë ke miku në Gjirokastër, vizitova e pash anekând qytetin, njoha shumë miq e farefis të mikut t’em dhe u nisa për Krujë asaj rruge qi po rrihshem për të gjashtën herë: Delvinë – Sarandë – Durrës.

Kur i ktheva krahët bregut të Sarandës në vapor, kujtova se nuk do t’a shihshem mâ at’anë si student. Por kishem qênë gabue. T’arrimen në shtëpí e t’u pjekmen me t’im atë, i diftova këtij vêndimin qi kishem dhânë për vazhdimin e studimeve të mija n’Ingjinerí.

– Ku âsht kjo shkollë? më pyeti im atë.

–  Në Stamboll, i u përgjegja.

–  Ç’kâmbë zën ai qi del prej ksaj shkolle?

– Del myhendis.

– Sa e ka rrogën myhendisi?

– Më duket se fillon me 700 grosh,

– S’qênka pun’e keqe, po ti e di se un në punë shkollash s’marr vesht. Kur të vijsh ke Pasha ndonji ditë pyet atê, se ai din me të mësue.

Nuk e zgjata shumë e vojta në Rreth, në nji çiflik t’Esad Pashës afër Shjakut ku ai kishte zakon të shkonte verën e ku im atë i shërbente si qehajà. Dojshem qi vêndimi i im për Ingjinerí të përforcohej nji orë e mâ parë prej t’im et e për këtê prej Pashës. Nesret qi mbërrîna më paraqiti Baba ke Pasha. Kishem marrë edhe deshmín shkollore me vete për t’i a dëftye kur të më pyette se si kishem shkue me studimet. Pasha e pa e mbet shum’i kënaqun. Më lavdroi e më limoi faqen me dorë në shênj dashunije. E mbandej po më pyet:

–  Më tha Mehmet Aga se dashke me shkue në Stamboll në nji farë shkolle qi s’dijti me m’a ftillue mirë; ç’âsht ajo shkollë?

– Shkolla e Ingjineris, Pashë.

– Për me dalë myhendis a?

– Si urdhnoni, Pashë.

– Ç’e do, mre, myhendislikun? Kush t’a paska mësue këtë rrugë?

–  Profesori i mathematikës, tungjatjeta.

– Mashallah, ç’profesor të mirë paske! Kush e paska bâ profesor atë koqe budallai, mre? Myhendis! Ani me këtë farë deshmije qi paske! Të jesh i par’i klasës edhe të lakmojsh me ndërtue rruga, me urdhnue nja njizet a tridhetë puntorë gjithë ditën në shi e në diell me 700 grosh në muej sa të jesh gjallë! Mashallah, mashallah, mos raftë sŷsh ai profesor qi të paska mësue kaqë mirë. Jo, biro, jo; ti mbaro gjymnazin, studjo gjithmonë kështu si ke studjue deri tashti e mbasandej do të hŷjsh në Mekteb-i Mylkije-i Shahane (në Shkollën Civile Mbretnore). Kjo shkollë të qet Kajmakam (Nënprefekt) e t’a çel rrugën deri më Sadrazam (Kancellari i Madh i Perëndorís). A more vesht?

Kështjellet e mija kishin ramun për tokë krejt. Pasha don qi të bâhem Kajmakam, Mytesarrif, Valí, Nazir e Sadrazem! Un diç kam fillue me nxânë e me ndie ndryshe atje në gjymnaz të Janinës nëpër do libra të këqij, nëpër do fletore të liga e nëpër bisedime të fshehta me do ândrratarë mâ të pjekun se un. Kam fillue me nxânë t’i urrej të gjithë ata tituj lartushtues qi adhuronte Pasha. Por ç’me bâmë? Për tashti nji herë duhet me i u shtrue vullnetit të tij. Me mbarue gjymnazin e me u përgatitun për Shkollën Civile Mbretnore. Mbrapa do të shohim ç’na ka premtue fati.

Mbarova pushimet dhe u ktheva prap në Janinë. Kur u paraqita në konvikt e në shkollë, shokët qi kishem përshëndetun për mos me u pamë mâ me ta në këtë vênd, u çuditën e u gzuen. Prof. Balës i a dëfteva krejt të vërtetën. ” S’ka gjâ!” më tha tue dashun me më ngushullue; ” Kështu mendojnë, kështu ndiejnë të gjithë Pashallarët shqiptarë, por nesra âsht e jona, âsht e jueja, e djelmnís qi po rritet.”

Tue kujtue se un s’do të kthehesha mâ, numrin t’em në shkollë i a kishin pasë dhânë nji nxânsi të ri e mue m’u desh me marrë nji tjetër. Në gjymnazet e Tyrqís ishte zakon me u thirrun studentat me nga nji numër e jo për emën e mbiemën. Un tri vjett e para ishem shënue me numrin 20, tashti më dhanë numrin 51.

Edhe ky mot në gjymnazt të Janinës kaloi ashtu si tjerët: me studime të zellshme e me përfundime të shkëlqyeshme. Por shpirtin e kishem gjithmonë pak si pezull, më dukej vetja tashmâ si mik n’atë shkollë, si gardh i shkulun, si nji grue e lëshueme qi kthen prap te burri i parë. Ingjinerija kishte dekun për mue por mêndja nga Stambolli s’më hiqej. Mbasandej, rruga qi do të ndiqshem, rruga e karrjerës s’eme m’ishte caktue; por a do t’ishem un i zoti me ecun asajt? Gjithkush e tregonte të vështirë shumë. Mun atë vjetë ishte sprovue nji shoq i im qi kishte mbarue mjaft mirë gjymnazin po atje në Janinë dhe kishte dështue në konkurs, ishte shtrëngue me ndërrue udhë, me hymë në Medicinë. Konkursi për pranimin në Shkollët Civile ishte i rreptë, lakmija me i a hapun karrjerës së vet atë derë të prarueme ishte e madhe prej kujdo, deshprimi i të dështuemvet i pamasë. Por….ah! sa ironik âsht Fati nga nji herë me robt e vet. Sa herë e kam kujtue e e kujtoj edhe sod me zilí dashamire atë shoq e mik të lumtun qi në 1905 dështoi në konkurs t’asaj shkolle e u shtrëngue me dredhue rrugë, me hŷmë në Mjeksí! Ai kush e di sa deshprimin do t’a ketë pasun n’atë rasë e sa lot ndoshta do të ketë derdhun me at’afshin e nji djaloshi qi kujton se i u mbyllën para sŷve të tij dyert e jetës, dyert e nji jete të lume, bash atëherë kur ato, magjija e Fatit i a ka haprrue sa harku i nji ylberi të shkëlqyeshëm. Ai sod punon e gzon në lumnín e vet, i shërben njerzís e vetvetes, dhe un…. un qi hajsmi pata mâ fat se ai, un qi kam fitue konkursin e Shkollës Civile Mbretnore e kam korrun lavde, un mbas tridhetenândë vjeç prej asaj date, mbas tridhetenândë vjet trazimesh, mundimesh e idhnimesh për nji gjâ qi dikush e quen të shênjtë e dikush të marrë, un do të vijoj edhe sod të daj me të mijt shpërblimin e idhët t’atij fitimi e t’atyne lavdeve, t’atyne trazimeve, përpjekjeve e pikllimeve të vazhdueshme![1] Tash pra, në të gjashtëtit rend të gjymnazit, gjithë mendimi i im ishte ngulun në Stamboll e në Shkollët Civile Mbretnore. Dhe jo për lakmí karrjere si tjerët, se prjerrja e ime ishte mathematika e ingjinerija, por vetëm për sedër e për atë detyrë qi ndiejshem në shpirtit t’em për me kënaqun t’im atë, i cili për me më mbajtun mue në shkollë ishte bâmun rob i nji pune e i nji zotnije. Vêndosa të shkoj e t’a bâj në Stamboll rendin e fundëm të gjymnazit e t’i kaloj atje edhe pushimet e asaj vere për të mujtun me u vûmë në të përpjekun me gjind qi mund të m’udhzojshin në përgatitjet për konkursin e ardhshëm. Këtë mendim nuk m’a kundrështuen as Baba as Pasha. Madje ky m’a pëlqeu fort. Në fund të verës 1906 qi, si gjithmonë, kalova në shtëpít t’eme, u ngrêjta e vojta ke Pasha për t’a përshëndetun e për të marrë kshillet e tija para se të nisesha për Stamboll. Ky më porositi me hŷmë në kolegjët Nymune – i Terakkij qi e drejtonte nji i ungji i së shoqes, Tewfik Danish Beu, për të cilin më dha edhe nji letër. E u nisa për Stamboll.

Ime gjyshe, Nânë-Gonxhja, pat pasun nji parandiesí të çudiçme ksi shtegu. Erdh e më shoqnoi nji copë udhë të gjatë, e gjithsa herë ngulshem kâmbë qi të kthehej në shtëpí, se mbas nji vjete prap do t’u piqshim, ajo më përgjigjej:

– Ehe! mbas ksaj here gjyshen s’ke për t’a gjetun mâ, ti më qofsh bekue e Zoti të dhashtë të mbarën, se nâna e sosi mâ të veten. Por lemë të të përsiell e të të shoh edhe pak për të mbramen herë!

Ishte, për të qênë, e moçme, sigurisht të shtatdhetat i kishte mbushun e kalue. Por e fortë, e s’kishte kurrkund ndonji shênj lëngate qi t’i a kujtonte dekën mâ fort se kur më përsillte vjeshtat e shkueme. Dhe duel ashtu si e kishte pasë ndie. Në pushimet e vjetës tjetër s’e gjeta mâ, mbas pak muejve qi u damë vdiq.

Nymune – i Terakkij-a ishte nji institut i mbajtun mjaft me kujdes, si shkollë e si konvikt. Drejtori i saj Tewfik Danishi ishte nji personalitet në rradhët arsimtare. Un vojta e i u paraqita drejt për drejt atij me deshmín e klasës së gjashtët të gjymnazit të Janinës e me letrën e Esad Pashës. I hodhi nji sŷ mâ parë deshmís, tue e lânë si mbas dore letrën, qi ndoshta e kish marrë për ndonji porosí të mërziçme mbasi un s’i kishem kallzue se prej kuj e kishte, dhe ngrêjti kryet e më shikoi me nji fytyrë haptazi të kënaqun e më tha:

– Aferin! Paske nji deshmí shumë të mirë, këtu te na rrallë herë i tokon nji nxânsi ky fat; nga je ti?

– Nga Shkodra, Z. Drejtor.

Në Tyrqí kur u gjindte kush shumë larg vêndit të vet ishte zakon të tregonte për origjinë kryeqêndrën e vilajetit, si mâ të njohun se qyteti a fshati i tij.

Kapi atbotë e çeli letrën, e porsa njohu nënshkrimin dhe pa e këndue ende:- Aha! i a bâni, tash po e kuptoj mysterin e nji deshmije shkollore kaqë të bukur: qênke mik i Esad Pashës e i porositun prej tij!

Dhe si e lexoi: – Shiko, lum djali; un Esad Pashën e kam t’emin, ka për grue t’ime mbesë. Por ja ku po t’a them qyshë tash se këtu s’ka Pashë as mik qi i ecën fjala pa vênd. Ti mund të pështetesh vetëm në forcat e tua e në vjeftën t’ânde, mos gabo me shpresue gjâ, kurrgjâ nga porosija e Pashës. Edhe dije mirë qi këtu ka nxânës nga të katër anët e Mbretnis[2], e shumë të squet. Do t’a shohim, pra, në mbarim të vjetës në se kjo deshmí qi më ke sjellë prej Janine âsht fryt i mundit e i squetís s’ate apo i porosivet t’Esad Pashës.

Të gjitha këto fjalë, gati tekstuale, Drejtori i kolegjës m’i tha me fytyrën mâ të rândë qi mund të bâhej, por nuk dij a tue besue me gjithë mênd ashtu apo donte me më shtrëngue qi të studjojshem mirë pa ândrrue se do të kishem ndonji farë përkrahjeje të pameritueme tue u pështetun në porosín e Pashës. Sido qoftë, un u dava prej tij me këtë premtim qi i dhash me krenín e nji besimi të patundshëm në vetet t’eme.

Shqiptarë s’mbaj mênd në kam gjetun n’atë kolegjë. Në gjymnazet e tjera të Stambollit kishte plot, por un s’dilshem asnji herë përjashta. Mbas pak ditsh na erdh nji djalë i vogël, flokverdhë, mjaft i hijshëm, veshun elegant, pastër e mirë, aristokratisht i mbyllët. M’a suell nji shërbtuer i kolegjës në baçë tek po shetitshem me shokë:

– Qe, tha, nji djalë shqiptar; më çoi Z. Drejtori me t’a paraqitun e porositun qi t’a kesh kujdes ti.

Djali më përshëndeti me nji temená e un i dhash dorën me dashuní. U dava shokësh e mbeta tue bisedue me tê:

– Nga je, or djal’i mirë?

– Prej Matje.

– Prej Matje? Oh, sa mirë! Edhe un jam prej Kruje, pra jemi shokë. Si e ke emnin?

– Ahmet – Muhtar.

– Mue më thonë Mustafa – Asim; i bir’i kuj je ti?

– I bir’i Xhemal Pashë Zogollit, e ti?

– Un i Metës së Fajës së Merlikës, i nip’i Xhiut të Fajës. Sa vjeç je?
– 12 vjeç.

– Në të parin rend?

– Në të parin filluer.

– Un jam në të shtatëtin të gjymnazit, sivjet mbaroj. Gjithë ksaj vjete pra jemi bashkë, për çdo nevojë qi të kesh eja ke un si ke nji vëlla.

Shoqní nuk mund të bâjshim njâni me tjetrin, ndryshimi i moshës ndërmjet  nesh  ishte   tepër  i  madh.   Por  u   shihshim  për  ditë  në  baçë  e  u përshëndetshim. E pyetshem shpesh në se kishte ndonji nevojë për mue. S’kishte kurrë. Studjonte mirë. Mâ të shumën i pëlqente vetmija. S’u zdatte me kurrkênd.

Në mbarim të vjetit shkolluer e të provimevet, Tewfik Danishi mundi t’i telegrafojë Esad Pashës në këtë kuptim: ” Përfundimi i shkëlqyëshëm me të cilin Mustafa – Asimi i mbaroi studimet e gjymnazit, provon se s’ka pasun nevojë për t’a porositun tek un. Jam i sigurtë se ka për të dalë faqebardhë gjithmonë edhe në rasat mâ të vështirat.” Më thirri e m’a lexoi kopjen e telegramës, qi porsa e kishte dërgue, e më bâni edhe shumë lavde tjera me gojë. Më dha kshilla për konkursin të cilit tash duhej me i u përgatitun, ma prûni të rândë mjaft barrën, por, siç e kishte thânë edhe në telegramën e dërgueme Esad Pashës, m’a përsriti se nuk duhej të më trêmbej sŷni.

Mbetëm dy fijsh miq me Tewfik – Danishin, si për kah ana e Esad Pashës ashtu edhe për çmimin e simpathín qi i kishem frymzue un vetë në motmot shkollë qi bâna nën drejtimin e tij. Gati se e patëm prishun, veç, në rasë të provimit të frëngjishtes tue kalue prej së parës në të dytët klasë të Shkollës Civile Mbretnore ku ai ishte mis i komisjonit provimtar. Profesori më kishte ngarkue me zhvillue në provim gojarisht nji themë ç’fare do qi do të më pëlqente mue vetë. Problemat shoqnore kanë qênë qyshë në të rít t’em ato qi më kanë interesue mâ fort. Zgjodha, prandej, themën “Le socialisme et son histoire“. Ishim atëherë ende nën regjimin despotik t’Abdyl – Hamidit II. E dijshem mirë rrezikun e nji theme të këtilë të zhvillueme përpara nji komisjoni zyrtar provimesh. Por nji riní revolucjonare s’arsyeton gjatë kur i mbushet mêndja se âsht në rrugë të drejtë. Dola pra me këtë themë, pa mendue gjatë as un, përpara Komisjonit provimtar. Zhvillimi i themës ngjati nja njizet minuta. Nji zhvillim synthetik, tepër i shkurtën, natyrisht. I kishem dhanë nji karakter thjesht shqêncuer e jo politik. Porsa e mbarova, Tewfik Danish Beu m’u suell me këto fjalë:

– Mustafa – Asim, vous avez été mon élève et vous êtes le protégé de mon ami Esad Pacha; je vous lui dénoncerai pour un turbulent! (Ke qênë nxânës i im e je i pruejtun prej mikut t’em Esad Pashës; kam me të paditun te ky si njeri turbullues) . Kërkova ndjesë tue theksue se thema e ime s’kishte aspak as qëllim as karakter politik, por vetëm shqêncuer e prandej s’kishem besue se mund të m’u merrte për keq. Nesret vojta e i bâna nji vizitë Tewfik Danishit në shtëpí, mâ fort për të pamë në se do të më priste apo jo. Më priti, por më priti me poterë. Më shau, më qërtoi, m’arseu, më kshilloi gjat’e gjatë. Më premtoi se për ksi shtegu s’do t’a lajmonte Pashën për gabimin t’em, por po të vazhdojshem me u marrë me idena e punë qi s’janë për të mirën t’eme, kishem me marrë mbë qafë veten e me marrue edhe të parin t’em, Më spjegoi se fjalët qi më kishte drejtue mue në komisjon kishin për qëllim me u diftue tjervet tërthuer se kam qênë nxânës i tij e se kam përkrahjen e nji Pashe, për me më shpëtue, se ndryshe mund të më paditshin tek Autoritetet. I u fala nderës për të gjitha dhe u damë prap miq si përpara.

[1] Ky âsht Fati, qi kur ti kujton se âsht tue të buzëqeshun ai të zgërdhihet me sarkazëm, e kur ti pandeh se t’âsht ngrysun ai të ka shtrimë krahët për me të pushtue plot me dashuní e mëshrirë.

[2] E drejta, fjalët tekstuale të tija qenë “aktar-i-aalemden” (nga çdo krahinë e botës); por nji zmadhim kaqë të papërpjesëm s’ma muer mêndja me e vûmë në tekst.

 

TURMËSI FAJSHLYER… (Mbi kulturën e fatpajtimit) – Esé nga REX KASUMAJ

Berlin, Prill 2020

 

1.
Turma s’është gjë tjetër veçse një qen i zgjebosur, i lidhur për një hu në mes të diellit. Ky qen gjithë ditën fle, kuron zgjebën dhe vërsulet i tërbuar kundër çdo njeriu që orvatet ta shpëtojë nga veset e t’i zgjidhë zinxhirin, me të cilin është i lidhur.

Ky fragment nga “Apologjia e Sokratit”, do t’më vinte si zhgënjim. I admiruar, gjithësesi, por dëshpërues me saktësinë e tij për kohën time.

2.
Për dallim nga bota ku solli mner, dhimbje e mort, zezona e Coronës, pati dhe prurje mrekullie. Rrëzoi një qeveri rebele, llogarilypëse dhe, për çudi, të dedikuar deri në sakrificë. Dhe, ashtu, çliroi Kosovën nga krusma e saj.

Por, njëkohësisht, ana tjetër e së mirës është rikthimi kopeist e i tufëzuar i oligarkisë së vjetër. E kthehet ngazëllyeshëm me formulë të re për krizë e mjegullnaja, kushtetutë të amenduar dhe përvojë të shkëlqyer lindore…Por, mbi të gjitha, me elan vital për rrethimin shpëtimtar të Republikës. Shëlbim e dehje më të ngrohtë për zemrat e tyre, nuk mund të sillte Naltmadhnia e saj pandemike. Ndaj, martirët e shmagjepsjes nga liria do t’a nderojnë përjetë kujtimin e saj.

3.
Ndërkaq midis tyre, mijëra vjet më vonë, turmësi i Platonit hakërron e betohet. Janë hekurat e murtajës së re që e ndalojnë. Se, ndryshe, do shpërthente si magmë vullkani kundër të gjithëve. Madje, më shumë akoma, ndaj atij që desh t’a bënte zot të shpresës së vet.

Veçse tani është mot i heshtjes. Ç’dhuratë qielli kjo prehje e fshehtë fajshlyese.

Dhe asgjë. Dielli vijon të perëndojë pas bjeshkëve të Nëmura. Njësoj ndër shekuj. Duke praruar muzgjet e sulltanëve e dushanëve, kryetarëve e komitetarëve dhe çlirimtarëve e zagarëve, që të ndryshme do t’kenë vetëm gjuhët që flasin.

Mësova nga një dijetar i bekuar se shkalla më e lartë e besimit, qenka heqja e të keqes me dorë. Por më parë se heqjen, dorë e turmësit lëmon atë përulshëm e robnisht. Kujtoj, prandaj, për të satën herë Talmudin e vërtetë që thotë: dhjetë kafe gjumë kanë zbritur në botë. Nëntë prej tyre i kanë pirë robërit, kurse një të vetme të mbetur e gjithë bota tjetër!

Në fshatin e bellagjive – Poezi nga Neki Lula

 

 

Atje gjethet bien e pyjet zhvishen

Ngjitet mjegulla në majë të Strellcit te kroi.

Rrezet e diellit pak po ngrohin në vite.

Ushëtin lugina nga gurgullima me uji te përroi.

 

Këmbësorja është kafshuar e mbuluar me gjethe

Nga këtu shoh ditët e ëndërrta mbi lëndinë

O sa shumë jam i larguar përtej maleve e deteve

Dimrat e gjatë gishtërinjtë m’i ngrinë.

 

Qepon mjegulla mbi gur të Sokolit ku valon flamuri

Përkulem para varreve të trimave të Belles

Prajshëm kuvendon me Hazir Lahen

Edhe me Vlorën edhe me Kosharën si ylbere

 

Te varri i Hazir Lahes është ndalur koha

Pa epitaf e pa flamurin e Isa Boletinit

Bashkëmendje ndrituri i flamurit krenar

Në Belle dimrat e fortë harresën e mbytin

 

Na ngohin ndërgjegjjen e harresën

Qe myku i kohës e ka mbulua..

./.

-Nga Gjemania, fillim prilli 2020-

IKJA E KALMUKEVE – Kapitull nga poema dramatike “Pugaçov” e SERGEJ ESENINIT – Përktheu FASLLI HALITI

Sergej Esenin

1895 – 1925

 

 

Alexandrovich Yesenin (i shqiptuar edhe si Esenin; rusisht:Серге́й Алекса́ндровичЕсе́нин; tetor 1895 – 28 dhjetor 1925) poet lirik rus. Ai ishte një nga poetët më të famshëm dhe të mirënjohur rusë të shekullit të 20-të

PO JAPIM NGA LIBRI I SERGEI ESENINIT

 

     

      PUGAÇOVI

 (poemë dramatike)

 

Kapitullin:

IKJA E KALMUKEVE

 

ZERI I PARE

Dëgjoni,dëgjoni,dëgjoni!

A mos keni ëndërruar sonte qarje qerresh?

Sonte në agimin e kthjellët,

Tridhjetëmijë qerre kalmukësh

Janë zvarritur nga Samara drejt Irgisit

Nga tirania e burokratëve rusë

Nga që si fëllëzave ua rropën puplat butë

Livadheve tona.

Si kope breshkash druri

Drejt Mongolisë së tyre morën me ngut.

 

ZERI I DYTE

Vetëm ne,vetëm ne ngurojmë

Sikur breshëria që na përfshiu,

Të na frikësonte.

Pasi Moska çdo javë ediktet e saj na dërgon

Dhe kudo të shkosh

Sheh si kërcejnë nga shpatullat ngahera,

Nën shpatën e shtypësve

Koka kozakësh si mace të verdha.

 

 

KIRPIÇNIKOV

Kujdes, kujdes, kujdes!

Mos u bëni frikacakë si delet, ju!

Që t’ju fusin në një bëmë të tmerrshme

Traubenberg dhe Tambovçev vijnë, këtu.

 

KOZAKET

Në djall! Në dreq tradhëtarët!

……………………………….

TAMBOVÇEV

Ku-j-de-s!

Stonikë  të reparteve kozake

Përgatituni për marshim!

Sonte hordhitë kalmuke

Të gjitha si bisha të egra

Tradhëtuan perandorinë e Rusisë,

Duke marrë me vete krejt bagëtinë.

Shagani hedh në bregun e ditës

Varkën e zhytur  të hënës.

Ata që e duan atdheun

Duhet të më dëgjojnë!

Këtë humbje për vendin,jo,jo,

Ne s’mund, ne s’mund, nuk mund ta lejojmë.

Rusia ka humbur mishrat dhe lëkurët,

Rusia ka humbur kuajt më të mirë.

T’u lëshohemi në ndjekje

Këtyre mongolëve rreptësisht,

Para se Kinës t’i jepen ata,

Plotësisht.

 

KIRPIÇNIKOV

Mjaft, ataman,

Mjaft me llomotitje në erë!

Për Rusinë ndiejmë dhimbje,

Sepse Rusinë e kemi nënë të gjithë!

Dhe fare, fare s’trembemi ne,

Nëse fushat tona i braktisi ndonjë.

Kalmuku s’është lepuri i verdhë

Që ne për gjah ta gjuajmë me tërbim.

Si era u nis ky mongoli zeshkan,

Zoti i uroftë atij udhë të mbarë

Që rrethimeve tona

Diti t’u shpëtojë pa dhimbje sa më parë.

 

 

TRAUBENBERG

Ç’do të thotë kjo?

 

KIRPIÇNIKOV

Kjo do të thotë

Po qe se izbat tona

Do të ishin mbi rrota

Kuajt tanë do të mbrehnim ne,

Dhe nga hapësirat e kripura

Do të shkonim në arin e stepavè

Kuajt tanë,duke mënjanuar qafat e gjata

Si një trumbë mjelmash të zeza

Nëpër  ujiërat e thekrave, atje

Do të na çonin të vrullshëm e të bukur

Në një vend të ri, për një jetë të re.

 

KOZAKET

Na keni torturuar!Na keni grirë egërsira!

 

TAMBOVÇEV

Kozakë, po ju keni puthur kryqin e adhuruar!

Jut ë tërë jeni betuar…

 

KIRPIÇNIKOV

Jemi betuar, i jemi betuar Ekaterinës

Që të jemi kështjellë e kufijve të stepave mbarë

Që t’i mbrojmë këto kullota kaltërore

Nga plaçkitja e zogjve grabitqarë.

Po më thoni, më thoni, më thoni

Këta zogj, mos nuk jeni ju?

Banori i fushave tona të vrazhda

Nuk gjen strehim për kokën këtu.

 

TRAUBENBERG

Kjo është tradhëti!…

Lidheni! Lidheni!

 

KIRPIÇNIKOV

Erdhi ora, kozakë!

Të përshëndes, o revoltë mizore shumë!

Atë që buzët s’e shprehin dot me fjalë

Le ta tregojnë koburet me plumb.

 

(qëllon)

 

Traunbenberg bie i vdekur. Rojat Ia mbathin.

Kozakët rrokin pë freri kalin e Tambovçevit

 dhe e zvarrisin atë përtokë.

 

ZERA

Vdekje!Vdekje tiranit!

 

TAMBOVÇEV

O Zot !, ç’bëra ?

 

ZERI I PARE

Na ke torturuar o kriminel, tre vjet,

Tre vjet si një hutë e bardhë

S’na ke lënë të qetë.

 

 

ZERI I DYTE

Shijo çorbën e stuhisë.

Mbarove së dëfryeri, së fshikulluari mbi mish.

 

ZERI I TRETE

Djall, përse ta zgjatim më gjatë me të?

 

ZERI I KATERT

Ta varim- e mjaft, mjaft më!

 

KIRPIÇNIKOV

Moska ta dijë, ta ndiejë-

Ne ndëshkimin e tij do ta shpejtojmë.

Është vetëm gjëmimi i parë,

Është vetëm krisma e parë,

Ta mbajë mend Ekaterina,

Nëse Rusia është një moçal,

Si bretkosa të zeza në baltovinë,

Topat, vezë prej çeliku do të hedhin.

Le ta marrë vesh vendi që kozaku ynë

Nuk është shelg i bardhë mbi shteg të qetë

Dhe se në thesin plot me bar të hënës

S’do ta lerë më kot ai kaptinën e vet.

 

 

Perktheu: Fall Haliti

BLEVA NJË LËNDINË – Cikël poetik ANTONIO RECANATINI – Përktheu FASLLI HALITI

 

Bleva një biletë

Shita zemrën time për ta paguar atë,

Bleva një ëndërr

po humba zemrën, nuk ia vlen, skadon.

Bleva një rrugë të ngushtë

Shita shpirtin për të paguar për të,

ne do të udhëtojmë në ëndrrat e dimrit.

Kam humbur kohën në një tavernë,

I bindur se do t’i mbuloja plagët një të mbijetuari,

duke harruar të fshihja të miat.

Zbrit me mua, tërhiqmë larg,

luftë ditore, pasiguri ditore.

Jo, ëndrrat e mia të dashura, do të mbeten të shikuara!

Ata do t’ju shikojnë juve djersitjen, mua pengesën.

Bleva tridhjetë ngjyra pastel

ne do të ngjyrosim fletët, do ta ngjyrosim

të tashmen,

nëse do të jetë e pamundur ta ngjyrosim nesër!

Bleva një pasuri

Kam humbur arsyen për të paguar për të,

por asgjë nuk vlen pa një logjikë për të shpenzuar.

Shikoni ku unë nuk vij, më shikoni në sy!

E bukur sa jeni ju, shpërthen!

E  bukur sa ti, bëje të paimagjinueshme të mundshme!

E bukur si ti, zbute tensionin!

Bleva një lëndinë

ne do të udhëtojmë në heshtje,

pa bagazhe, ne do të mbjellim momentet më të mira.

 

Poezi personale – nga “Pensieri Parole”

EJANI TEK UNË.

 

Ejani tek unë, sepse me mua do të zgjidhni përgjithmonë

kur t’më kërkoni, unë do të jem atje, nëse është dielli apo hëna.

Ejani tek unë, sepse kur një ëndërr vjen e vërtetë

bota gjithashtu qetëson fytyrën e saj.

Ejani tek unë sepse nuk do duhet të ktheheni më

dhe në çdo agim do dëgjoni muzikën e puthjeve të mia.

Ejani tek unë, sepse unë e kuptoj frikën tuaj,

unë gjithmonë do të kuptoj momentin për të shkundur duart.

Ejani tek unë sepse askush nuk mundl

të dua sa më shumë që të të bëj të zgjedhësh anën dhe të vrapojmë.

Ejani tek unë kështu që nuk do keni më keqardhje,

ju nuk do ta besoni dashurinë si një pasazh.

Ejani tek unë, kështu që unë mund t’i hap dyert

dhe të presin për ju me dritën e miliona ëndrrave.

Ejani tek unë, e ardhmja do të jetë delikate,

do të jetë e sinqertë si thelbi i aromës suaj.

Ejani tek unë, mund t’i kushtoni vetes veten,

riformuloni frikën, duke përsosur kënaqësinë.

Ejani tek unë dhe ju do të shihni, nga lart

ne do të ndjekim fluturimin,

nga poshtë rrugës së të mashtruarve.

 

Përktheu Faslli Haliti                

 

 

 

INTELLETTUALI KAPRIÇOZ

 

Intelektuali kapriçoz promovon titullin e romanit,

përmbajtja e shpikur, ai është një shpikës.

Nuk i lexon librat, por shikon të gjitha figurat

dhe kur ai përsërit mësimin urren ndërprerjen,

urren pyetjet, por pretendon katedrën.

Intelektuali kapriçoz është pak anarkist,

pak fashist, ndonjëherë racist, kurrë komunist,

por ai e do popullin dhe i dedikon atij mrekullinë.

Intelektuali kapriçoz blen në supermarkato,

atij i i intereson tepër lëvizja, skena,

jo paaftësia, aq më pak dhe papunësia. Është mbretëror ai !

Intelektuali kapriçoz nuk e duron konfrontimin trembet mos humbet rrugës, frikësohet se mos nuk mund të hapë bllokadën.

Lëshon duhmën kur atë e çarmatos njohuria.

Ose skena ose zymtësia !

Idealiteti s’e shlyen dënimin, tashmë ai është 

i dhimbshëm  nga ana e tij

Ai nuk i njeh rregullat e lojës,

por është gjithmonë elegant dhe riverent me padronin,

Nuk guxon të kundërshtojë udhëheqësin

pa u zhytur

në një cep të fshehtë deri sa turpi.

Intelektuali kapriçoz argëton i pavetëdijshëm.

 

 

 

      Përktheu Faslli Haliti                

Ç’HIPOKRIZI KA BRENDA KËTYRE MUREVE – Poezi kushtuar Jean Paul Sartre nga Antonio Recanatini – Përktheu Faslli Haliti

Udhëtimi i sotëm përmes gjendjes njerëzore të romanit të Sartrit “Nauzeja”.(Neveria) Një kusht i drejtuar nga hipokrizia, plagjiaturë dhe tendenca kopjimit për të shmangur duke pranuar se cilido prej nesh është i dënuar të ekzistojë dhe për të menduar, me një qëndrim psikologjik ndaj ekzistencës që përshkon tërë qenien tonë. Për të fituar një autenticitet, ne nuk duhet të shkatërrojmë shpresën, por të kapërcejmë murin e konformizmit dhe indiferencës, duke bërë të gjitha përpjekjet, duke ecur drejt.

 

Ç’HIPOKRIZI KA BRENDA KËTYRE MUREVE

 

 

Ç’hipokrizi ka brenda këtyre mureve

Mendoj se nuk është e re

si është e mundur që plagjiatura ndodhi, fotokopja.

Luajmë në teatro të ndryshëm

dhe unë jam i paarritshëm

për njerëzit e vdekshëm që dallohen

më patetikë se një funeral fasadë

më shumë luhatës se oportunizmi, më pak inteligjent se krerët

dhe fëmijët e krerëve.

Mëkat, e di që do të mëkatoj!

në fakt, kur flet një prift

një kuestor ose një politikan i dehur

një tip i çuditshëm që ndihem i largët

edhe kur unë propozoj veten time

për të gënjyer veten time.

Jam fanatik

Jam një fëmijë pak kurioz, pak i sëmurë

dhe mendoj se nuk jam më i mirë edhe kur fitoj.

Fitimi ishte një makth i vjetër

nga i cili u privova shumë kohë më parë.

Kam lexuar fshehurazi, nëpër rrugë dhe në baret

e dashur gjigandë me buon sens ose buon sens

editorialistësh të vajosur e të çmajmur

puritan dhe plaçkitës të shtetit të social

të gjithë anëtarë të logjikës kundër riarmatimit të çarmatosur

dhe eksportimit të demokracisë.

Luajmë në teatro të ndryshëm, ti dhe unë

edhe nëse imazhi yt pasqyron trupa dhe jetë

imi u flijua dhe gjen brigje të tjera

për të çpaketuar valixhet.

Do të ishte si të shtrije një velë të mëshirshme në skenë

zakonisht kush ka frikë nga vdekja luan për të jetuar dhe gënjyer.

Kush nuk ka frikë ndahet

dhe pretendon zgjedhjet duke treguar plagët në lëkurë.

E dija se nuk do ta kisha zbutur kurrë veten

ndërsa ju po rishikonit shënimet për të kënduar së bashku me të tjerët.

E dija se do të më dënonin

nëse unë ju kisha mohuar juve.

Tani është pak ndryshe, shumë ndryshe.

Ju do dëshironi të vidhni, pretendoni t’i vidhni

atij që nuk iu ka fshehur kurrë para hajdutëve

dhe të nesërmen ai mund të llogarisë disa ndryshime shtesë.

Ju besoni t’më shihni

është vetëm iluzion,ka raste që as unë s’e gjej veten

dhe unë nuk bëj dokumente të rreme

për të gjetur gropën, shtëpinë, shtratin

ose pizhamat ku fle.

Ju mund të dëmtoni shpirtin tuaj duke kaluar nëpër rrugë të caktuara

ju mund të merrni shokimin dhe, të befasuar nga habia,

mund të akuzoni të shtënën

dhe t’i lënë pjesën më të mirë çmimit më të mirë,

ofertuesit më të lartë i cili do të vlerësojë porosinë tuaj.

Luajmë në teatro të ndryshëm

dhe kur bie shi, harroj ombrellën!