VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Më 11 prill 1934 lindi poeti i shquar amerikan Mark Strand

By | April 11, 2019

Komentet

Poetja nga Uruguaj Ida Vitale fiton çmimin CERVANTES per 2019

Me rastin e Ditës së Librit, poetja nga Uruguaj Ida Vitale fiton çmimin CERVANTES per 2019 – Çmimi Nobel i letersise spanjolle, të cilën ia dhe me dorën e tij vetë Mbreti i Spanjës Felipe VI!

Per ju mike e miq te literatures nji poezi e saj.

Dramaturgu Gjergj Zef Kola ka përkthyer nga spanjishtja një poezi të Ida Vitales që voal.ch po ia sjell lexuesit të saj të nderuar.

MBETJE

Jeta, e gjate apo e shkurte, gjithçka
qe na perjetojme, zvogelohet
ne nji pike gri ne kujtese.

Prej udhetimeve te largeta
mbesin vetem monedhat enigmatike
qe deshmojne një vlere fallso.

Prej kujteses lirohet vetem
nji pluhun sysh e pak parfum.
A thue asht kjo Poezia?

RESIDUA

Corta la vida o larga, todo
lo que vivimos se reduce
a un gris residuo en la memoria.

De los antiguos viajes quedan
las enigmáticas monedas
que pretenden valores falsos.

De la memoria sólo sube
un vago polvo y un perfume.
¿Acaso sea la poesía?

Fotografia e Gjergj Jozef Kola

 

Më 24 prill 1731 u nda nga jeta shkrimtari i shquar anglez Daniel Defoe

Daniel Defoe (1660-1731) [1]St. Giles Cripplegate, Londër, ishte shkrimtar, gazetar, pamfletist dhe spiun, i cili njihet me veprën e tij Robinson Kruzo, i cili është libri i dytë pas Biblës me më shumë përkthime. Konsiderohet babai i romanit anglez. Ishte bir i nje qiriberes londinez Xhejms Fo, mbiemër të cilin meqë tingëllonte bukur Danieli e ndryshoi Defo. Ai mësoi në një shkollë fetare dhe më pas filloi tregëtinë. Duke shitur e blerë mallra të ndryshme. Në këtë mënyrë ai bëri shumë udhëtime nëpër Evropë.

Daniel Defoe (/dɪˈf/; mendohet se lindi më 3 prill 1660 – vdiq më 24 April 1731).

Daniel Defo në fillim luftoi kundër mbretit Xheims II. Kurse më vonë u fut në ushtrinë e Uilliam III. Asaj kohe u burgos dy here, pasi kishte shkruar disa tekste kundër kishës dhe qeverisë.

Ai punoi shumë në fillimet me gazetën e tij, ku botoi më shumë se 500 shkrime me emrin e vet – më shumë se çdo shkrimtar tjetër në gjuhën angleze. Ndërkohë , duhet përmendur se ai pati një jetë shumë aktive. Vdiq në vitin 1731, në Londër.

Diçka e veçantë dhe e çuditshme ka ndodhur me këtë shkrimtar. Daniel Defo filloi të shkruante novela kur mbushi gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe nxori nga dora gjëra të mrekullueshme të cilat u bën të njohura në gjithë botën.

Veprat

Koloneli Jack
Kapiten Singellton
Moll Flanders
Roksana
Kujtimet e nje Kavalieri
Robinson Kruzo

Referencat

^ According to Paul Duguid in “Limits of self organization”, First Monday (11 September 2006): “Most reliable sources hold that the date Defoe’s his birth was uncertain and may have fallen in 1659 or 1661. The day of his death is also uncertain.”

PROZERPINA – Poezi nga CARL SPITTELER (24 prill 1885 – 29 dhjetor 1924) – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

Dje kur isha në viaduktin e lartë
Nuk e pashë dot lugnajën e butë nëpër mjegull,

Fluturoi një kandër drejt në vesh e më thirri mua:

“Hë, pra! është hata dhe mrekulli, nga kjo majë e malit
Të shikosh poshtë, ku në pezm dhe në atdhé
Ishe ti një krimb, dhe me anë të forcës dhe dyshimit
Duke u përleshur me botën dhe me veten tënde,
Ke endur një pëlhurë të shenjtë të pikëllimit dhe të mallit!

Dënimi të ka kushtuar çmim të madh edhe zhgënjim.
E prapëseprapë e ke kapur majën më të lartë!
E ke arritur tashmë! dhe pikëllimin tonë dhe emrin tonë
I ke shpalosur me krenari dhe lotë në majën më të lartë! ”

Kështu ky zogu trimosh imcak më pëshpëriti mua.

Hapi flatrat pastaj përballë meje në prarimin e verdhë të diellit,
Tek po lëvizte për në lartësi të tjera i madh e i trishtuar.

Por era dhe perëndimi e shtynë lart mjegullën gri,
E ngritën mbi pyll përpjetë,  ende me këmbët e pathara.
U tret krejt e venitur edhe vdiq. Pikëllimi dhe emri
Lëshuan poshtë një shi të ftohtë poterexhi nga maja.

Më 24 prill 1845 lindi poeti nobelist zviceran Carl Spitteler

Carl Friedrich Georg Spitteler (me pseudonim Carl Felix Tandem), (Liestal afër Bazelit, 24 prill 1845 – Lucernë, 29 dhjetor 1924), shkrimtar zviceran.

Fitues i Çmimit Nobel për Letërsi, për vitin 1919.

Biografia

Ishte mësues privat, tetë vite në Rusi dhe në Finlandë. Veprën më të vlersuar poetike Prometeu dhe Empireu e shkrou në vitin 1881, kur edhe ishte kthyer. Shumë vepra të tij krahasohen me ato te Frederik Niçes. Pastaj shumëvite fitoi duke punuar si mësues dhe gazetar. Dhe, atëherë fillon të merret në mënyrë serioze me krijimtarinë letrare. Shpërnguet në Lucernë, duke iu falenderuar paraarëdhsve, më 1992[1], dhe i mundësohet, tani, ti përkushtohet punës kreative. Vepra e dytë e tij më e fuqishme ‘’Pranverë në Olimp’’, të cilën e shkroi gjatë viteve 1900 – 1905, e më vonë e rishikoi më 1910, u shpërblye me Çmimin Nobel. Vitet e fundit të jetës i kaloi përsëri duke e e rishikuar edhe njëherë veprën e parë, e cila doli me një titull të ri ‘’Prometeu i vuajtur’’, në vitin 1924.

Veprat

  • Prometheus und Epimetheus (1881)
  • Extramundana (1883, seven cosmic myths)
  • Schmetterlinge (“Butterflies”, 1889)
  • Der Parlamentär (1889)
  • Literarische Gleichnisse (“Literary Parables”, 1892)
  • Gustav (1892)
  • Balladen (1896)
  • Conrad der Leutnant (1898)
  • Lachende Wahrheiten (1898, essays)
  • Der olympische Frühling (1900–1905, revised 1910)
  • Glockenlieder (“Grass and Bell Songs”, 1906)
  • Imago (1906, novel)
  • Die Mädchenfeinde ( Two Little Misogynists, 1907)
  • Meine frühesten Erlebnisse (“My Earliest Experiences”, 1914, biographical)
  • Prometheus der Dulder (“Prometheus the Suffering”, 1924)

Referencat

  1. ^name=ea>Americana|wstitle=Spitteler, Carl|author=William F. Hauhart|inline=1

Lidhje të jashtme

  • Literary estate of Carl Spitteler in the archive database HelveticArchives of the Swiss National Library
  • Publications by and about Carl Spitteler in the catalogue Helveticat of the Swiss National Library
  • Carl Spitteler at the Timeline of Nobel Winners
  • Autobiographical sketch
  • Official Site of the Carl Spitteler Foundation

Visar Zhiti: Sulmet që na bëhen sot nga persekutorët e djeshëm, janë fantazmagori absurde dhe patologji e revanshit

Fatmira Nikolli  – Xhelatët dhe viktimat e komunizmit janë vënë sërish përballë në demokraci, në një “luftë” ku po trajtohen si të barabartë e ku ndonëse kanë kaluar 30 vite nga rënia e regjimit, askush prej atyre që mbajtën poste drejtuese nuk u penalizua për krimet kundër njerëzimit. Kur debati me/për të shkuarën ka mbetur vetëm temë tryezash për trajnime, pa arritur kurrë në llogaridhënie e mbajtje përgjegjësie, vendi ynë ka njohur vetëm një “gjyq kafesh” si shpagim për mëkatet zhurmëmëdha. Asnjë fjalë për jetët e humbura, jetët e shkërmoqura, asnjë fjalë e asnjë penalizim për ligjet “mesjetare” apo tejkalimin e tyre. Asnjë i dënuar për krimet që pat bërë në emër të popullit, asnjë i dënuar as për ata që e patën tejkaluar ligjin dhe patën persekutuar për interesa të vetat nën maskën e makabritetit të një regjimi autoritar. Dikush është “dëmshpërblyer” me para nga shteti për jetën e çuar dëm e tmerret e jetuara, por a blihet e shkuara me para? Përgjigja është doemos jo, sepse askush e asgjë nuk t’i kthen dot më mbrapsht vitet e humbura në skuta, lluca e burgje. Përtej kësaj, shembulli i krijuar në vendin tonë është precedent i rrezikshëm. Të mos dënosh kriminelët e një regjimi dhe të krijosh modelin e kulturën e mosndëshkimit (duke i mbytur klithmat me këste të dhëna para zgjedhjeve si lëmoshë), ka krijuar siç dihet Shqipërinë e rrudhur në banorë, kur shumëkush zgjedh të ikë nga një vend që nuk e njeh drejtësinë as në raport me të shkuarën, as në raport me të tashmen. Thënë kjo, ne ende rrekemi të “blejmë” të shkuarën përmes “dëmshpërblimeve”, qoftë kjo si shpagim për ish- të përndjekurit, qoftë kjo si mitmarrje për tashmen. Modeli që vendosëm e pranuam dikur, duke mos vënë para drejtësisë fajtorët është kthyer në sistem dhe sistemet janë të vështira të zhbëhen. Si rrjedhojë e sa më sipër, ne po përballemi me një situatë logjikisht krejt utopike. Xhelatët e kahershëm po shijojnë lirinë në “kapitalizmin” që patën dënuar e madje janë ende xhelatët tanë. Tashmë në një formë të re. Duke qenë se mbrojtja më e mirë është sulmi, në mungesën e institucioneve që do të duhej t’i kishin dënuar a t’i dënonin edhe tani, ata përdorin të drejtën e fjalës për të sulmuar e “dënuar” së dyti ata që i patën dënuar e sulmuar njëherë, duke i çuar jetët e tyre në tehun e thikës. Duke qenë se shpesh na e ka ënda të krahasohemi me Gjermaninë a të marrim shembull prej saj (jo vetëm) por kryesisht për çështjet e përballjes me të shkuarën, ish-xhelatët nazistë janë arrestuar dhe dërguar para drejtësisë edhe kur i kanë kaluar të 80-at, edhe me identitete të ndryshuara e, edhe nëse kishin shkuar literalisht në fund të botës. Rasti shqiptar është mjerisht i dhimbshëm dhe i turpshëm: ne nuk vumë askënd para drejtësisë, por i emëruam në sistemet e drejtësisë, që edhe njëherë të na interpretojnë ligjet sipas midesë së vet. Ata u ribënë ekspertët “sui generis”. Ndërsa të përndjekurit u “gëzoheshin” thërrimeve që ua hodhën, përndjekësit ndërtuan një sistem të ri sipas modelit të vjetër, kur në krye të piramidës qëndrojnë ironikisht, po ata. Çorba që kemi gatuar është prishur e mban erë, por ne kemi zgjedhur të mbyllim hundët. Jemi sërish të mësuar e bashkëjetojmë me banalitetin e së keqes, që tashmë ka ndërruar formë për t’u kthyer në normalitet e mënyrë e të qenurit. Nuk ka një përgjigje deri kur as pse kaq gjatë. Nuk ka një përgjigje për asgjë. Për aq kohë sa amullia vazhdon, për aq kohë sa sistemi është ky, na mbetet vetëm të shohim se deri ku do shkojnë dhe nëse do dinë të ndalin. Ne na është dhënë në duar lodra e lirisë, por dikush tjetër e ka telekomandën e saj. Ne mund të mendojmë se ajo nuk funksionon, por dikush tjetër e ka ndalur atë.



RASTI “VISAR ZHITI”

Së fundmi, Edmond Caja, ish-kryepolic në kampin e Qafë- Barit e me banim në Gjermani e ka akuzuar Visar Zhitin si gënjeshtar dhe bashkëpunëtor të regjimit. Ndërsa një debat i gjerë ka përfshirë atë, një deputet dhe disa prej shoqatave që kanë në fokus të punës së tyre zbardhjen e krimeve të së shkuarës, shteti shqiptar, luan rolin e vëzhguesit asnjanës. I pyetur nga “GSH” për sulmet që atij dhe Agron Tufës i janë bërë së fundmi nga disa personazhe publike që kanë qenë pjesë e strukturave në regjimin komunist e për të cilët ka edhe dokumente, shkrimtari Visar Zhiti, që ka vuajtur burgjet dhe persekutimin komunist, qe mjaft i qartë. “Sulmet që na bëhen sot nga ata që kanë mbajtur uniformat e diktaturës së dikurshme, që kanë punuar në organet e dhunës a të mbrojtjes së saj, pra nga ata që kishin punë persekutimin janë jo vetëm fantazmagori absurde dhe patologji e revanshit, por edhe të rrezikshme, pra të dënueshme”, tha Zhiti për “GSH”. Në prononcimin e tij, ai theksoi se ,“janë dy herë të dënueshme, herën e parë duheshin dënuar si dhunues profesionistë dhe tani si shpifës ordinerë, ndotës të mjedisit mendor e shpirtëror”. Shkrimtari, që përmes letërsisë së burgut ka rrëfyer si ishte të jetoje mes kampeve e burgjeve komunistë në Shqipëri, tha se të paktën “na vjen mirë që atë që s’e ka bërë dhe s’po e bën dot politika moralisht dhe drejtësia ligjërisht, po e bën opinioni i shëndoshë, që për fat ende është, për aq sa ka mundur të gjejë hapësira mediatike, duke shpërthyer kundër kthimit të vegimeve horror e mashtrimit tradicional. Intelektualë, ish-të persekutuar, gazetarë, anonimë, shkrimtarë, grupime të tyre etj., edhe nga vende të tjera të botës, që nga Italia, Zvicra e në SHBA, gazeta ‘Dielli’, VOAL, PEN-i Internacional etj. janë të indinjuar, madje të fyer”.

Në fund të prononcimit të tij për “GSH”, Zhiti tha se “po goditet e vërteta, qëndresa ndaj totalitarizmit barbar, morali, po nëpërkëmbet vuajtja njerëzore, shumëçka që meriton nderim. Të keqes i duhet prerë rruga, ndryshe ajo bëhet më e keqe dhe e qëndrueshme, s’ikën siç dhe na ka ndodhur gjatë, shumë gjatë. Këtë duan të bëjnë ata, të dikurshmit e tanishëm, të tmerrshëm e fantazmagorikë”.

REAGIMI
Ka pasur së fundmi edhe një reagim nga PEN-i shqiptar, që gjykon se sulmet ndaj shkrimtarit Visar Zhiti janë veprime të qëllimshme, akte kriminale, të cilat po përsëriten, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë. Entela Kasi, presidente e PEN Qendrës së Shqipërisë (PEN Internacional, me seli në Londër) thotë se sot nuk është koha që të pyesim se për çfarë arsye shkrimtari Visar Zhiti, ish-i burgosur politik, intelektual i përmasave evropiane sulmohet në Shqipëri. Sipas saj, sot është koha që të pyesim se si këto akte të qëllimshme, amorale, kriminale gjejnë hapësirë në media të caktuara në shtypin shqiptar. “Kjo është pyetja që shtrohet sot nga shkrimtarët e huaj, nga elitat e mendimit botëror të ‘PEN International’ dhe jo vetëm. Persekutorët kanë dhe mbajnë detyra të larta në Shqipëri, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë!”, shkruan presidentja e PEN-it shqiptar. Për të, kjo është një kambanë alarmi për klasën politike shqiptare, e cila pas rënies së Murit të Berlinit, ka dështuar duke veshur me pushtet dhe imunitet të gjithë ata individë, të cilët duhet të ishin jo vetëm jashtë jetës politike të vendit, por duhej të ishin përballur me akuzat për krime, të cilat i kanë kryer në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit.

“Kjo është e vërteta, të cilën e artikulojnë elitat e mendimit botëror të letërsisë në ‘PEN International’, lidhur me këtë çështje. Pyetja tjetër që shtrohet është: si ka mundësi që intelektualët, shkrimtarët dhe njerëz të medias në Shqipëri, lidhur me këtë çështje nuk kanë të njëjtin reagim për rastin e shkrimtarit Visar Zhiti? Kësaj pyetjeje, e cila na drejtohet të gjithëve në Qendrën PEN të Shqipërisë po i përgjigjem në statusin e drejtueses të PEN, Qendrës së Shqipërisë”, nënvizon ajo. Në vijim, Kasi vëren se për aq kohë ata që shkruan aktekspertiza kundër shkrimtarit Visar Zhiti në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri për dënimin e shkrimtarit, sot i kemi në ekrane, në auditorë të promovuar, të mbrojtur, të pushtetshëm, ky është tregues se persekutorët e djeshëm nuk mund të jenë garant për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri e për më tepër të jenë misionarë të lirisë. Personalisht, si njeri dhe si drejtuese e PEN – Qendrës së Shqipërisë përulem me respektin më të thellë ndaj shkrimtarit shqiptar, Visar Zhiti. Sot shoqëria politike, institucionet e shtetit, shoqëria intelektuale, akademikët, shkrimtarët e njohur të vendit duhet të veprojnë për të ndaluar çdo akt e sulm ndaj shkrimtarit Visar Zhiti. Nëse ne lejojmë që të tilla ngjarje të përsëriten kështu siç vërtet po ndodh, nëse ne heshtim, ne të gjithë pa përjashtuar askënd, po pranojmë që të nëpërkëmbet, shkelet, cenohet çdo vlerë e dinjitetit njerëzor në Shqipëri”, thekson Entela Kasi në emër të PEN-it shqiptar.

Më 22 prill 1616 u nda nga jeta shkrimtari gjenial spanjoll Miguel de CERVANTES

Miguel de CERVANTES, (29 shtator 1547 – 23 prill 1616) ishte njëri ndër dramaturgët më të njohur spanjoll të shekullit të 16-të. Fama e tij është e lidhur me Don Quijote (Don Kishoti). Ne dimë shumë pak rreth lindjes së Miguel de Cervantes Saavedra (Servantesit). Data e saktë nuk mund të gjendet në ndonjë regjistër. Ndoshta ai ka lindur 29 shtator, ditën e San Miguel, për të cilën ai mori emrin. Ne e dimë se ai ka lindur në Alcala de Henares, një qytet i vogël pranë universitetit Madrid, ku ai u pagëzua në kishën e Santa Maria më 9 tetor, 1547. Cervantes ishte i katërti i shtatë fëmijëve të lindur në Dona Cortinas Leonor de dhe Don Rodrigo de Cervantes, një kirurg shëtitës të cilët luftuan për të ruajtur praktikën e tij dhe familjen e tij duke udhëtuar në të gjithë Spanjën.

Më shumë pak dihet rreth njëzet vitet e para të jetës Cervantès-së. Ai mendohet të ketë shkuar në shkollë në Valladolid dhe Sevilla. Ne nuk e dimë asnjë përveç se në datat 1567-68, ai u regjistrua në shkollën e humanist spanjoll, Juan Lopez de Hoyos, në Madrid. n 1569 Cervantes udhëtoi për në Itali për të shërbyer në familjen e një fisniku italian dhe, një vit më vonë, ai u bashkua me ushtrinë spanjolle. Më 7 shtator, 1571, ai luftoi trimërisht kundër turqve në Betejën e Lepantit, ku ai u plagos rëndë dhe ka humbur përdorimin e dorës së tij të majtë. Pas një periudhe të gjatë të shërimit, ai vendosi të kthehet në jetën e ushtarit. Në prill 1572, ai u bashkua me kompaninë e Manuel Ponce de Leon, ku ne besojmë se Rodrigo vëllai i tij u regjistrua gjithashtu. Së bashku ata kanë marrë pjesë në një numër betejash.

Vëllezerit Cervantes u larguan nga Italia për në Spanjë në 1575. Ata u kapën gjatë udhëtimin e kthimit nga piratët dhe u dërguan në Algjer, ku ata u burgosën dhe ku ata me guxim rrezikuan jetën e tyre duke u përpjekur për të shpëtuar. Pas pesë viteve të robërisë, Cervantes u çlirua, falë negociatave të etërve të trinitetit. (Vëllai i tij tashmë ishte lëshuar.) Më 27 tetor, ai mbërriti në Valencia, i dobët (i ati i tij kishte për të shitur të gjithë pasurinë e tij për lirimin) dhe i poshtëruar. Përvoja ishte një pikë kthese në jetën e tij, si dhe referenca të shumta për tema të lirisë dhe robërit shfaqen në punën e tij.

Cervantes u kthye nga Algjeri thellë në borxhe për shkak të haraçit paguar për lirimin e tij. Për të fituar të holla, ai vendosi të merrte pjesë në ushtri. Ai shkoi në Portugali dhe mori pjesë në betejën e “Azores Las” në 1582. Një vit më vonë, ai u kthye në Spanjë me dorëshkrimin e një romance, La Galatea dhe ndoshta pjesën e parë të Persiles y Segismunda. Ai gjithashtu solli disa shënime për biografinë e tij. Gjatë këtij viti, një fëmijë i quajtur Isabel de Saavedra u lind në Cervantès-it dhe një zonjë e aristokracisë së Lisbonit.

Më 12 dhjetor, 1584, 37 vjeçari Miguel de Cervantes Saavedra ishte martuar me Katalina Dona de Palacios Salazara, një grua gati njëzet vjet më e re. Martesa detyruar Cervantès-it për të kërkuar një punë funksionoi dhe në 1588 ai siguroi një pozitë si një zyrtar i qeverisë në jug të Spanjës, rekuizimi gruri dhe vajit të ullirit për fushatën e Armadës së pamposhtur. Posti i tij i ri i dha atij mundësinë për të mësuar zakonet dhe shprehitë e zakoneve, traditave nga Sevilje që ai përshkroi tek Don Kishoti. Ai u arrestua dy herë në Sevilje për marrje posedimin e materialeve që i përkistnin Katedrales Sevilje-së. Këto përvoja justifikojnë legjendë që pjesa e parë e Don Kishotit ishte shkruar në burg.

Qëndrimi i tij në Sevilla ishte një periudhë e fatkeqësive për Cervantès-it. Fat i tij nuk ishte më i mirë në letërsi. Në vitin 1595, ai fitoi çmimin e parë (tre lugë argjendi) në një konkurs poeme, dhe tre vjet më vonë, kënga e tij El entierro del Rey Felipe II en Sevilla ka marrë një vëmendje, edhe pse pjesa tjetër e poemave të tij do të mbeten të pabotuar.

La gitanilla, Rinconete y Cortadillo, La Galatea, dhe Persiles y Segismunda janë ndër veprat e tij të qëndrueshme, por pa dyshim krijimi i tij më i famshëm është Don Kishoti, El Ingenioso Hidalgo de la Mancha, e cilësoi romanin e parë modern. Pjesa e parë u botua në vitin 1605, kur Cervantes ishte 57. Kjo është arsyeja pse ne mund të themi se kjo punë është përvoja tërë jetës së tij. Disa javë pas publikimit të saj, tre edicionet e falsifikuara u shfaqën në Lisbonë. Edhe pse Cervantes u bë një sukses brenda natës, problemet e tij ekonomike nuk zhduken. Në të njëjtin vit, ai u akuzua për pjesëmarrje në një luftë, dhe ai dhe familja e tij u arrestuan dhe u mbajtën në burg për më shumë se një javë. Është përfolur se ai kaloi në vijim tre vjet i fshehur.

Nga 1609 deri në vitin 1616, Cervantes ka jetuar përsëri në Madrid. Në vitin 1609, ai u ftua për t’u bërë një anëtar i vëllazërisë ri “Los Esclavos del Santo Sacramento” dhe gruaja e tij hynë në manastir të rendit të San Franciskos. Në vitin 1612, autori u bë një anëtar i një klubi të ri letrar: “Academia Salvaje”.

Gjatë viteve të tij të Madridit, Cervantes ishte një shkrimtar mjaft pjellor. Ai shkroi Ejemplares Novelas vet; 1613), të parodi poemë Viaje del Parnaso dhe një version prozë e poezi (të përfshira në El Parnaso, e 1614). Në 1614, një tjetër autor, Alonso Fernández de Tordesillas, ka publikuar një pjesë të dytë të Don Kishotit, para se Cervantes ta kishte bërë këtë. Cervantes ishte i bindur për të vazhduar punën e vet; 1615). Pjesa e dytë e Don Kishotit u botua në Bruksel (1615), në Valencia (1616) dhe në Lisbonë (1617). Përkthimi i parë është bërë në 1618, në frëngjisht. Që nga viti 1617, dy seksionet e romanit janë botuar si një vëllim.

Në mbyllje të jetës së tij, Cervantes u bë një anëtar i rendit të San Franciskos. Françeskanët kanë varrosur don Miguel de Cervantes, deri atëherë të quajtur “Princi i zgjuar”, në Madrid, 23 prill 1616, të njëjtën ditë një tjetër gjigant letrar, William Shakespeare, i cili ishte vënë për të pushuar në Angli. Françeskanët kanë varrosur Don Cervantès-it në një manastir triniteti në Madrid.

Prej tyre më të njohurat janë:

  • -{La Galatea}- (1585)
  • -{El ingenioso hidalgo don Quijote de la Mancha (Don Quijote)}- (1605)
  • -{Novelas ejemplares}- (1613)
  • -{Viaje del Parnaso}- (1614)
  • -{Los trabajos de Persiles y Segismunda}- (1617)
  • -{Exequias de la reina Isabel de Valois}-
  • -{A Pedro Padilla}-
  • -{A la muerte de Fernando de Herrera}-
  • -{A la Austriada de Juan Rufo}-
  • -{Al túmulo del rey Felipe II}-
  • -{Ocho comedias y ocho entremeses nuevos nunca representados}- (1615
  • -{La casa de los celos y selvas de Ardenia}-
  • -{Los baños de Argel}-
  • -{El rufián dichoso}-
  • -{La gran sultana doña Catalina de Oviedo}-
  • -{El laberinto de amor}-
  • -{La entretenida}-
  • -{Pedro de Urdemalas}-
  • -{Entremeses El juez de los divorcios}-
  • -{El rufián viudo, llamado Trampagos}-
  • -{Elección de los alcaldes de Daganzo}-
  • -{La guarda cuidadosa}-
  • -{El vizcaíno fingido}-
  • -{El retablo de las maravillas}-
  • -{La cueva de Salamanca}-
  • -{El viejo celoso}-

Gjergj Jozef Kola tregon Projekt-Dramën e tij: “22 Drandofilat e Maria Tucit”, vajzës 22 vjeçare që torturohet nga 22 muaj në burgjet komuniste nga Hilmi Saiti

Intervistë me z. Gjergj Jozef Kola, Pedagog, Shkrimtar, përkthyes në Vjenë.

Pakkush nuk është tmerruar me hisorinë e Marie Tucit. Duke mbrojtur të drejtën e saj për të besuar lirisht, Maria i doli kundër regjimit kur ishte vetëm 22 vjeç.

Kjo solli arrestimin e saj, torturat çnjerëzore dhe vdekjen mizore. Atë e mbyllën në një thes, lakuriq, bashkë me një mace të egër dhe e goditën në mënyrë të vazhdueshme. Vdiq në spitalin e Shkodrës më 20 shtator të vitit 1950 . Ajo është e vetmja grua që renditet mes 40 martirëve të parë të kishës katolike shqiptare.

Nga 22 vite jetë, 22 muajt e fundit i pati torturë. Trëndafila i konsideron shkrimtari, pedagogu dhe përkthyesi Gjergj Jozef Kola me veprimtari në Vjenë, 22 vitet e Maries në këtë botë.

 

MBI PROJEKT DRAMEN: „ 22 DRANDOFILAT E MARIA TUCIT“

Pyetje: Drama juaj „22 Drandofilet e Maria Tucit“ u vlerësua nga bashkia e Vjenes si më të mirat e vitit 2019. A mund të na thoni diçka ma shumë për kët Projekt-Dramë?

Gjergj Jozef Kola: Kjo dramë u vleresue mbi të gjitha si e denjë për mbështetje, nisë edhe nga momenti aktual i dhunës që po ushtrohet ndaj zonjave e zonjusheve sot në Europë. Të mendosh se në Austri vetëm 3 muejt e parë te 2019 janë vra tetë zonja e zonjushe.

Pyetje: A keni kërkuar bashkëpunim edhe me atdheun, sponsorë private, ministritë e teatrot shqiptare? Të vësh një dramë në skenë nuk është aq e lehtë sot.  Aq më shumë një temë e tillë që është kaq aktuale për shoqërinë shqiptare.

Gjergj Jozef Kola:  Padyshim. Dramat e mija ja kam nisë së pari teatrove të Shkodrës, Tiranës, Shkupit, Prishtinës, porse deri me tash kam pasë vetëm nji heshtje shkretinet perreth tyne. Madje për dramën e fundit për Gjergj Kastriotin Skanderbegun, e cila mori referenca mjaft pozitive nga regjizorë shqiptare, e për të cilën pata mbeshtetje nga bashkia e Vjenës për 550 vjetor, ministria e kulturës që atëbotë drejtohej nga zonja Kumbaro-Furxhi as pergjigje nuk me ktheu, megjithse unë i shkrova edhe në privat zonjës në fjalë. Edukatë e mirsjellje në Shqipni asht nji fjalë e huej.

Pyetje: Keni vënë drama të tjera në skenë në Europë?

Gjergj Jozef Kola: Padyshim, drama „Poeti Martin Camaj“, u vue në Gjermani, në Mynih në skenë, në praninë e zonjës se tij Erika Camaj dhe nxanesit të tij përkthyesit Hans Joachim Langsch, në nji sallë të mbushun plot, drejtue nga regjizorja shqiptaro-gjermane z. Rita Ndoci. Kët dramë ja afrova edhe teatrove shqiptare porse as denjuen për përgjigje. Me ardhë në Europë duen shqiptarët, porse me u lidhë me ne të diasporës që bajmë artin e vërtetë antitallava, kët nuk e duen.

Pyetje: Për çfarë bëhet fjalë në dramën tuaj: „22 drandofilat e Maria Tucit“?

Gjergj Jozef Kola:  Në dramë bahet fjalë për nji vajzë të re 22 vjeçe, Maria Tucin, mësuese filloret, novice te murgeshat Saleziane në Gjuhadol të qytetit të Shkodrës e cila gëzonte nji bukuri të rrallë të racës arbnore e si e tillë lakmohet e burgoset nga nji komunist çam, sigurimsi analfabet Hilmi Saiti e torturohet për 22 muej. Ajo jetoi vetëm 22 vjet, u torturue 22 muej e vdiq si pasojë e torturave sadisto-komuniste. Ajo vdiq e pastër, siç thotë edhe Arqipeshkevi i Shqipnise Frano Illia në kujtimet e tija. Asht ky akt i naltë i qëndresës mendoj unë që ka shtye edhe bashkinë e Vjenës me mbështetë kët projekt-dramë.

Pyetje: Po në vendlindjen tuaj Shkodër e njiherësh qytetin ku Maria Tuci mbaroi shkollën si mësuese e së fundi edhe vdiq nën torturat komuniste, nuk u afrua asnjë mundësi për ta vënë në skenë?

Gjergj Jozef Kola: Shkodra aktualisht drejtohet si bashki nga nji zonjë e nji familjes së nderueme qytetare sic asht zonja Voltana Ademi. Qytetlindja ime aktualisht ka shumë probleme me krimin e organizuem e fenomene të tjera, si mungesa e plotë e fondeve nga qeveria, etj. Kësisoj mendoj se z. Ademi e ka të pamujtun me kontrollue gjithçka, e puna me teatrin Migjeni i ka rrëshqitë sadopak.

Pyetje: Më konkretisht mund të na thoni diçka meqë ju keni luajtur  vetë për disa vite si aktor në kët teatër?

Gjergj Jozef Kola: Si aktor kam luejtë në kohën e adoleshencës, në disa drama falë edhe dajës tem që ishte aktor  aty z. Viktor Bruceti. Problemi në teatrin e Shkodrës asht ma kompleks. Aktualisht drejtuesit organizojne konkurse dramash e ndajnë fondet në mes tyne me autorë mediokër për drama që nuk i shef askush, me nji teater krejt te zbrazun për sa i përket dramës. Kështu ky teater aktualisht asht kthye ma shumë në nji makineri fitimi të paligjshëm, se sa nji vend i kulturës e artit. U ngjan shpive botuese që botojnë vetem kush paguen e tallavaja paguen sot.  Unë kam nisë 25 drama atje e per asnjenen nuk kam marre asnjilloj pergjigjet. Këto drama mund të shifen në Home Pagen time: www.gjejokola.com.

Bruno Shllaku aktori ma i mirë i gjallë shkodran, ka thanë për gjendjen ku dergjet teatri sot: Kjo asht koha e kolerës e teatrit shkodran.

Pyetje: Sa kanë ecur punët me projektin “22 trëndafilat e Maria Tucit”?

Gjergj Jozef Kola: Këto ditë u realizue videoklipi i martires shqiptare dhe së shpejti do t’i prezantohet botës perendimore, meqë asht edhe performue ne anglisht e gjermanisht. Drama asht përkthye në këto dy gjuhe, në gjermanisht asht shkrue nga unë e në anglisht asht përcjellë nga poeti e përkthyesi Anglo-shqiptar Ferdinand Nikaj të cilin e falenderoj publikisht me shumë perzemërsi. Foto nga ky videoklip, i cili asht realizue në qeline e torturave të Maria Tucit në Shkodër mund t’i shifni këtu.

Pyetje: Çfarë do të marrin europianet nga kjo dramë meqë ajo do të afrohet në anglisht e gjermanisht…

Gjergj Jozef Kola: Europianët do të marrin mesazhin e realitetit të sotëm shqiptar. Na jena vendi me numrin ma të madh të vrasjeve të zonjave e zonjusheve në Europë në raport me popullsinë. Vetëm në vjetin 2018 janë vra mbi 100 zonja e zonjushe shqiptare nga mashkujt shqiptarë. Zingjiri i së keqes vazhdon, ai nuk asht ndërpre për asnji çast, megjithë ardhjen e demokracisë.

Pyetje: Pra ju mendoni se nji dramë e tillë do të ndikonte sadopak në ndalimin e krimit në familje, në vrasjen e nënave e bijave shqiptare?

Gjergj Jozef Kola: Padyshim, arti ka per mision emancipimin e shoqnise njerzore, porse kur ne drejtim të artit e kulturës vendosen njerëz me komplekse, atëhere krimi vazhdon rrugën e tij të pandalshme. Në Austri për çdo fenomen shoqnor negativ ka nji dramë në teater, në Shqipni as që bahet fjalë. Në Shqipni e Kosovë artistat merren me zgjidhjen e problemeve botnore, në vend të atyne kombetare që janë me shumicë.  Unë mendoj se nëse nji shoqni i flet me art problemet ajo shërohet prej tyne, nëse i fshen nën qylym atëhere mbytet prej tyne. Establishmenti politik sot në Shqipni nuk asht i interesuem me i zgjidhë problemet, porse vetëm me i mshefë nën qylym. Polarizimi i shoqnisë shqiptare vazhdon me shpejtësinë e tingullit e kjo dallohet në mediat sociale. Të jetosh si zonje apo zonjushe në Shqipni sot asht diçka heroike, mendoj unë.

Pyetje: Establishmenti politik shqiptar? Cili asht roli i tij në raport me artin?

Gjergj Jozef Kola: As në kohën e diktaturës establishmenti politik nuk asht përcjellë me nji urretje e përçmim se sa sot nga populli. Kjo vjen edhe ngaqë njerzit janë ma të edukuem politikisht e me kulturë demokratike. Metodat autokratike- anadollake të liderve politikë shkaktojnë gjithandej ilaritet deri në përbuzje. Ky establishment asht i kapercyem tashma, ai asht si nji dinozaur me krye gjigand e kambë prej flamingot e sa ma shume qëndron në pushtet aq ma i rrezikshëm bahet për kombin dhe Europën. Habitem se si nuk e shofin ndërkombtarët këtë.

Pyetje: E cila do ishte zgjidhja mendoni ju?

Gjergj Jozef Kola:Ndërrimi i establishmentit të formuem nën dikaturë me njerëz të rij të formuem në perëndim, kjo asht zgjidhja e vetme si komb, për vetë kombin dhe sigurinë e qetësinë në Ballkan e në Europë. Në dramën time „Don Kishoti i Rumelisë e Sanco Panca i t`Lanës“ shtjelloj politikën aventuriere të estbalishmentit i cili i hapi dyer e dritare tanë fanatizmave dhe esktremeve të botës. Si rrezultat sot shqiptarët për nga numri i popullsisë nxajnë vendin e parë në Europë për terroristët që kanë shkue në shtetin islamik të ISIS. Kumbonët e alarmit bien e askush nuk i ndin. Deri tash kena thanë se terrori islamik nuk ka lidhje me ne e papritmas jena në tanë shtypin e perëndimit si vendi me numrin ma të madh të terroristave atje në raport me popullsinë. Establishmenti e ka cue kombin në atë shkallë saqë njerzit nuk e perceptojnë ma të keqen si të tillë. Janë në gojë të ujkut dhe besojnë se janë në andërr. Thuajse të gjitha Vereine-shoqatat e vetëquejtuna të  „kulturës shqiptare“ në disaporë mbahen financiarisht nga shtetet e hueja e jo vetëm ato mikëpritëse, ndërsa ambasadat tona flejnë, ndoshta qëllimisht…

Pyetje: E kush asht fajtor për këtë, vetëm establishmenti?

Gjergj Jozef Kola: Fajtorët kryesorë janë politikanët „me kravata e barnaveke“ si në Kosovë ashtu edhe në Shqipni. Ata kanë hapë dyert për aventurierin donkishotesk të Bosforit, i cili i ka hi tortës shqiptare dhe po helmon ngadalë. Njerëzit në kohë të pasigurisë sociale, të papunësisë e të mungesës së shtetit ligjor, janë ushqim për fanatikët. Populli nuk ka kurrë faj, establishmenti po. Nji frymë e madhe antikombtare ka shpërthye gjithandej, mjafton me pa debatet në mediat sociale.

Pyetje: E çfarë ndodhi me dramën për Don Kishotin e Sanço Pançen shqiptar?

Gjergj Jozef Kola: Asgja, çka të ndodhte! Unë ja nisa nji regjizori shqiptar e më premtoi dicka, porse nuk u ba ma i gjallë… Në dramë bahet fjalë për metodat e TALLAVASE POLITIKE të dy liderve, e në Shqipni apo Kosove askush nuk guxon me e vu në skenë. Në aktin e dytë të dramës Sançon e T`Lanës e bajnë guvernator në Anadoll e ai përpiqet me tallavanë e pikturave të tij e me Hashash-Party, me ju mbushë mendjen e zemrën anadollasve të papunë e të pastrehë, të padritë e pa të pa ujë e rrezultati mund të kuptohet lehtë. Sanco Pancot nuk dojne shtetin e së drejtës e standarteve perëndimore, porse tallavane anti shtet.

Pyetje: Të kthehema te drama e Marie Tucit, martires së pafaj. Ajo ishte viktimë e dikaturës komuniste.

Gjergj Jozef Kola: Maria Tuci nuk asht thjesht Maria Tuci. Ajo asht shpirti i kombit arbnor te kapun peng nga diktaturat e vazhdon ende sot me u torturue, ndonëse në mënyra të tjera, nga forca të tjera  e nga njerëz të tjerë, porse gjithnji nga i njëjti burim: dhuna antidemokratike!

Pyetje: Ke do të falenderoni për këtë projekt dramë?

Gjergj Jozef Kola: Në rradhë të parë du me falenderue nga zemra publikisht shkodrano-mirditoret Orestia Kapedani, fotografe e talentueme me banim ne Gjermani, Angjelina Lekaj koereografe e mrekullueshme  e Engji Blickensdorfer aktore e re, që banojne në Zvicër, për suportin e për ndihmesen fotografike e koreografike, te cilat më kanë ndejë afer me ide e sugjerime gjatë shkrimit të dramës. Së dyti bashkinë e Vjenës për vlerësimin e mbështetjen.

Ju faleminderit për intervistën e suksese në krijimtarinë tuaj.

Gjergj Jozef Kola: Ju falem nderës unë e ju uroj gjithçka të mbarë.

Intervistoi: Elida Buçpapaj

Mira Meksi, një shkrimtare erudite – Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

 

Në veprën më të fundit “Hakmarrja e Kazanovës”, ku përfshihet novela me titullin në fjalë dhe 16 tregime, vepër kjo që u prezantua në panairin e librit të këtij viti, Mira Meksi i zbulon lexuesit vetëvetësinë (individualitetin) e Xhakomo Kazanovës, për të cilin Dostojevski (1821-1881) thotë:

“Individualiteti i Kazanovës është njëri nga më mbresëlënësit e kohës së vet”.

       Autorja, për herë parë në letërsinë shqipe, shpalos para lexuesit një figurë komplekse të shek. XVIII, si Xhakomo Kazanova (Giacomo Girolamo Casanova1725-1798), një aventurier italian ky, qejfli udhëtimesh dhe shkrimtar, autor i jetëshkrimit të hollësishëm me titull Histoire de ma vie” (Historia e jetës sime).

Mira Meksi është plotësisht e vetëdijshme se skalitja e një figure historike në një vepër artistike është një detyrë bukur e vështirë. Kjo për arsye se shkrimtarit, së pari, i duhet të sigurojë një informacion shterues për jetën e figurës në fjalë, jo vetëm brenda rrezes së jetës personale, por edhe brenda rrezes së ngjarjeve që shpalosen në mbarë shoqërinë ku heroi i veprës jeton. Së dyti, shkrimtarit i duhet të jetë tepër i vëmendshëm në respektimin “prerjes artistike” të veprës, për të mos i lejuar vetes të bjerë në historizëm.

Për arritjen e këtyre dy objektivave, shkrimtarit i duhet një përgatitje enciklopedike, i duhet erudicioni, aq i domosdoshëm ky për ta nxitur dhe për ta mbajtur të ndezur kërshërinë e lexuesit.

Erudicioni është thellësia, shkëlqimi dhe hapësira e dijeve që sigurohen si rezultat i arsimimit, i formimit intelektual përmes leximit sistematik të veprave nga burime letrare dhe joletrare. Fjala e latinishtes “erudire” do të thotë “nxjerr nga mosdija, pajis me dije”. Rrjedhimisht, një shkrimtar me përgatitje erudite ka aftësinë të bëjë vlerësime kritike mbi bazën e logjikës deduktive.

Erudicioni shpërfaqet ndjeshëm në krijimtarinë e Mira Meksit. Ai bie në sy në të gjitha veprat artistike që ajo ka botuar deri tani. Këtu po përmend vetëm romanet “Planeti i ngrirë”,  “E kuqja e demave”, “Porfida Ballo në Versajë (Versailles)”,“Frosina e Janinës”, “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, pa u ndalur në përmbledhjet me tregime.

Tomas Karleil (Thomas Carlyle 1795-1881), shkrimtar, publicist, historian dhe filozof anglez me prejardhje skoceze, autor i veprës me titull “Heronjtë, nderimi i heronjve dhe heroikja në histori”, botuar në vitin 1856, ka lënë për brezat pasardhës një aforizëm me fare pak fjalë, por me një domethënie fort të thellë:

“Shkrimtari është një shërbestar i shenjtë”.

       Ai predikonte kultin romantik të heronjve, të këtyre personaliteteve të jashtëzakonshme, të cilët, me bëmat e tyre, kryejnë një mision hyjnor, duke e shtyrë njerëzimin përpara dhe duke u  ngritur mbi turmat e njerëzve me formim të mangët.

Domosdo që misioni hyjnor i heronjve të veprave artistike është reflektim i drejtpërdrejtë i misionit hyjnor të shkrimtarëve. Kuptohet vetvetiu që ky mision hyjnor nuk mund të kryhet pa një përgatitje enciklopedike. Erudicioni i Mira Meksit është me të vërtetë sa befasues, aq edhe frymëzues për brezat e rinj të letrave shqipe, por edhe tepër joshës për masën e gjerë të lexuesve. Prandaj, sa herë që një vepër e saj prezantohet në panairin e librit në vjeshtën e çdo viti, lexuesit i shikon në radhë, në pritje për të marrë një autograf nga autorja në ballinën e librit të sapoblerë.

Me magjinë a fjalës artistike, Mira Meksi ka arritur të plazmojë mjeshtërisht figurën e Kazanovës, i cili qe bërë aq i famshëm me morinë e aventurave dashurore, saqë emri i tij, nga i përveçëm, qe bërë i përgjithshëm dhe në ditët tona përdoret në kuptimin “femrajoshës” apo “femramashtrues”.

       Përmes punës kërkimore të dy heronjve kryesorë të novelës, profesorë të arkeologjisë dhe të historisë së lashtë, të cilët janë vënë në kërkim të veprës së Kazanovës “Manualle dell’amore, Mira Meksi hedh dritë mbi “odisenë” e jetës së Kazanovës.

Suksesi i jashtëzakonshëm që pati vepra “Historia e jetës sime”, e kushtëzuar nga moria e peripecive të jetës dhe e aventurave dashurore, e pati shndërruar figurën e Kazanovës në njërën prej legjendave të kulturës botërore. Stendali, Alfred de Myse, Delakrua dhe të tjerë ishin të entuziazmuar nga kujtimet e tij.

Kur bën fjalë për varganin e aventurave dashurore të Kazanovës, Mira Meksi shkruan:

“Ai është kryemjeshtri i artit të dashurisë, ku femra është perëndesha, kurse mashkulli skllav i  saj”.

       Por mes gjithë morisë së dashurive të aventurierit profesionist, autorja, tek e bën lexuesin ta mbajë frymën pezull, ndalet në dashurinë e Kazanovës për francezen e bukur Henriette, e cila, me kalimin e viteve, qe shndërruar në “pengun më të rëndë të zemrës së venecianit”.

Është e vërtetë që emri i Kazanovës lidhet me përfytyrimet për aventurat e tij dashurore, emër që vendoset në të njëjtën radhë me personazhe të tillë të botës artistike perëndimore, si Don Zhuani i mirënjohur, Lovelasi [personazh i romanit epistolar “Klarisa” të shkrimtarit anglez Samuel Riçardson (1689-1761), dhe Foblasi [heroi i romanit “Aventurat e kavalierit Foblas” (Le amours du chevalier de Faublas) të shkrimtarit francez Zhan-Batist Luve de Kuvre (Jean-Baptiste Louvet de Couvray 1760-1797]. Është e vërtetë që në kujtimet e Kazanovës, në të cilat ndihet aroma e filozofisë se lirisë së individit, nuk anashkalohet odiseja e bëmave të tij seksuale. Megjithatë, në novelën e Mira Meksit individualiteti konkret i Kazanovës kristalizohet në një mënyrë më komplekse dhe më interesante. Prandaj, në një sërë studimesh që i janë kushtuar figurës së tij, jo më kot janë  bërë përpjekje për ta paraqitur në një mënyrë më tërësore, si një aventurier me kulturë të gjerë dhe mendjemprehtë.

Kur mbaron së lexuari këtë vepër të fundit të Mira Meksit, në të cilën edhe tregimet janë njëri më joshës se tjetri, lexuesi i vëmendshëm dhe me kulturë filologjike rri e përsiat, duke arritur në përfundimin se vepra artistike e kësaj shkrimtareje të talentuar është mishërim i përgatitjes enciklopedike, i erudicionit dhe i kulturës së lartë gjuhësore, e cila është e pamundur pa zotërimin e universit të pasur të leksikut. Dhe Mira Meksi e zotëron në përsosmëri këtë univers. Ajo gërmon  në “xeherorët e pasur” të shqipes sonë hyjnore dhe, me një pasion të lakmueshëm, vjel dhe krijon fjalë plot aromë amtare, krijon kompozita fort të goditura, ca kapërthime të bukura fjalësh këto, të cilat të kujtojnë kapërthimin e magjishëm të artistëve në një skenë baleti.

Kur lexoj prozën artistike të Mira Meksit, më vijnë në kujtesë ca përcaktime mjeshtërore të shkrimtarit të shquar rus Konstantin Paustovski (1892-1968). Këto janë përcaktime që ai bën për shkrimtarin. Ai shkruan:

“Një shkrimtar që ka për zemër përsosmërinë e formave arkitekturore, në prozën e vet nuk e lejon një kompozim të ngarkuar dhe të plogët. Ai do të mundohet të arrijë përpjestimin e pjesëve të veprës dhe rreptësinë e gdhendjes së fjalëve. Ai do të shmangë morinë e zbukurimeve venitëse të prozës, të ashtuquajturin stil ornamental”.

Lexuesit kërshërimtarë të veprave të Mira Meksit i merr malli që atë ta shikojnë më shpesh në ekranet e televizioneve. Por ajo, siç e ka përcaktuar bukur fort njëri nga personalitetet e kulturës shqiptare, akademik Flori Bruqi, “mbyllet në “kullën e fildishtë” për të shkruar libra”. Por kur Mira Meksi zbret nga lartorja (piedestali) e “heshtjes” së saj dhe shfaqet para lexuesve në ekranet televizive, ata janë të bindur se ajo do t’u sjellë një tjetër surprizë të këndshme, një tjetër vepër artistike me joshë befasuese. Dhe kjo ndodh vetëm një herë në vit: në panairin vjeshtak të librit.

 

Tiranë, 25 dhjetor 2018

ATJE GJAKU I SHQIPTARIT RA NË TOKË ME MBI PËRSËRI -Esé nga SKËNDER BUÇPAPAJ

Poezia “Kosova në luftë” e Hilë Mosit

 

Është Epika e Zgripeve të Fatit. Dhe ky do të ishte titulli i saj, nëse nuk do të isha rob i dyvargëshit aq mahnitës në mbyllje të epikës.

Është Epika e Filozofisë së Zgripeve të Fatit. Është një nga epikat që e mbaj më shumë për zemër në gjithë letërsinë shqipe. 

Pikëtakohen përgjatë shekullit të jetës së saj tre burra dhe e ndërthurin kështu fatin e saj të deritanishëm. Hilë Mosi e shkruante më 1910, me titullin “Kosova në luftë” dhe e përfshinte në librin poetik “Zani i Zemrës”, botuar më 1913, një vit pas pavarësisë kombëtare.

Duket sikur e kanë përftuar kryehere relievet e Alpeve dhe Hilë Mosi, luftëtar me pushkë në dorë në Kryengritjen e Malësisë së Madhe të viteve 1909-1912, e ka hedhur në letër besnikërisht.

Ritmet kushtruese luftarake, lënda gjëmuese, kumtohen nëpërmjet paskajores së mirëfilltë të shqipes, nga më mjeshtëroret që kam parë, si “me zhbi”, “m’u gjallsu”, “m’e lulzu” (këto të dyja të vetmet rima foljore – njëkohësisht të pazëvendësueshme – në poezi), “me vra”, “me pré”, “me turpnu”, “me (m)bi”, të gjitha me rol sintaksor ftillues, synues, cilësues dhe përcjellës. Pra në aso pozitash fjalë e formakrijuese, aq të suksesshme në shqipen artistikisht të lëvruar së paku deri në vitet Pesëdhjetë në Shqipëri – dhe në atë të lëvruar jashtë Shqipërisë edhe deri në vitet Shtatëdhjetë a – rrallë e tek- më vonë.

Binjaku i poezisë, çka ligjet e artit absolutisht e pranojnë, do të lindte dy vjet më vonë, më 1912, në Llukë të Epër të Gjakovës, toponim me ngarkesë të madhe të kujtesës historike. Dhe do ta kishte emrin Dervish Shaqa.

Dervish Shaqja bëhej edhe bashkautor i epikës, ia bënte titullin “Moj Shqipni mos thuej mbarova”. Gjëmues si grykat e Alpeve, Dervish Shaqa, duke e shndërruar në këngë poezinë e Hil Mosit, shënonte një fat paralel të saj. Njeri me bindje të shpallura politike, Dervish Shaqja, arratisura nga Kosova për në Shqipëri më 1956, nuk ia nënshtronte asgjëje bindjet e veta artistike, për më tepër kur kjo kishte të bënte me temën e Kosovës. Mjeshtër i shmangies së censurës, Dervishi, duke mos imponuar dot titullin “Kosova në luftë”, bënte “lëshim” duke vënë një titull që ia kujtonte Shqipërisë se pa Kosovën nuk ka të gjallë, ndërsa me Kosovën nuk ka pse të ketë asnjë drojë.

Në shmangien e censurës Dervish Shaqja kishte një koleg të pashembullt si Qemal Haxhihasani. Qemali, mbledhësi dhe studiuesi absolutisht më i shquar i foklorit burimor shqiptar, me një vepër tetëdhjetë vëllimesh lënë trashëgim, do të ishte këshilltari i vetëm i besueshëm i Dervishit. Në verën e vitit 1983, në shtëpinë e tij në Rrashbull, vetë Dervishi më ka treguar se për një mori këngësh kishte punuar me Qemal Haxhihasanin. Dhe ma ka shpjeguar hollësisht, pa petë – kur i thonë fjalës, një për një, gjithë mekanizmin e tij  të kundërcensurës.

Vetëm një këngëtar me shpirt aq poetik e bindje aq atdhetare, me një brengë të tillë të pakaplueshme si Kosova në zemër, me një zë të një diapazoni që varion nga epizmi, tek dramatizmi dhe lirizmi, me një diksion për t’ia pasur lakmi edhe më të shkolluarit në teatrot dramatike a lirike si Dervish Shaqja, mund ta bënte këngë një poezi si ajo e Hilë Mosit. Falë cilësive të përmendura ai bënte këngë të hatashme edhe vargjet e Fan Nolit të “Elegji për Bajram Currin”, i bënte këngë edhe vargjet e Asim Vokshit “Ani krisi pushka”. Nga poezia me gjashtë strofa e Hilë Mosit, vetëm të pestën, Dervish Shaqja duket se nuk e shpëtonte dot nga censura komuniste.

Ndër të tjera, Hilë Mosi na e kujton tash një ndajfolje shqipe, sot e hequr nga përdorimi dhe e zëvendësuar nga fjala greke “akoma”. Hila thotë “djelmt e tu edhe janë gjallë”. Shqipja ka një sinonim tjetër të saj, kryesisht të përdorur në toskërisht, ndajfoljen «ende». Të dyja këto mund të zëvendësonin si turqishten « halà » të ndeshur në të folurit e përditshëm, ashtu edhe greqishten « akoma » të ndeshur miliarda herë në ditë në të folurit mediatik dhe zyrtar, në Tiranë e në Prishtinë.

Poezia “Kosova në luftë» (Moj Shqipni mos thuej mbarova), në llojin e saj, ka një intensitet artistik tejet të paqortueshëm, shpreh si asnjë krijim tjetër artistik në shqip filozofinë e mbijetesës, të vitaliteti, të shpirtit të paepur të shqiptarit, shpreh thelbin e karakterit dhe të natyrës së shqiptarit nga përtejhistoria deri në pambarimësi. E shtjellon në gjithë poezinë « Kosova në luftë » (Moj Shqipni mos thuej mbarova), por e spikat përfundimisht tek dy vargjet e fundit, të cilat edhe i kam vënë gati pa i prekur në titullin e kësaj eseje, pa i shënuar ndërmjet kurrfarë thonjëzash a pikësimesh të tjera.

«Atje gjaku i shqyptarit/ ra në tok’ me bi persri” kumton filozofinë se gjaku i shqiptarit nuk bie në tokë sa për ta njomur, sa për ta skuqur atë, nuk bie në tokë për të humbur, sepse gjaku i shqiptarit është farë bimësie, është farë që iu jep jetë breznive (gjeneratave) të pafundme të jetës, të cilat mbijnë prej së njëjtës tokë përsëri, pafundësisht. Kujt do t’i dilte kundër këtij interpretimi të mesazhit filozofik artistik të poezisë së Hilës, do t’ia vija përballë dy vargje të mësipërme mirëfilli eksplicite të dy vargjeve të fundit të poezisë. «Kur Kosov’n e mbloj egërsira,/ Për me shbi çdo bimë mbi dhetë ».

Hila i shikon shqiptarët si bimë të tokës së vet, asosh që nuk zhbihen, sepse mbillen sërish e sërish nëpërmjet gjakut që e derdhin pikërisht në tokën e vet. Ndërsa nocionin tokë e shikon të kufizuar në kuadrin e ngushtë, nocionin dhé ai e shikon në rrafsh universal: Bisha që po synon të zhbijë shqiptarët, ka ndërmend të zhbijë çdo bimë, pra çdo jetë mbi dhé.

Do të mjaftonte kjo poezi për ta ripërmasuar Hil Mosin dhe veprën e tij në kuadrin e poezisë shqipe dhe të panteonit shqipar në tërësi. Artist dhe politikan, liberator dhe libertin, shqiptar i kulluar me formim tërësisht perëndimor, figurë e shumanshme dhe jashtë skemash shabllone, Hilë Mosi ka lënë në trashëgimin e tij poetike poezi epike si dhe lirika origjinale dhe me vlera, të denja për një vëmendje të re. Lumturisht fatin krijues të Hilës e lidh përfundimisht me fatin e kombit dhe kulturës shqiptare epika me dy emra e bashkëkrijuar në kohë të ndryshme e të largëta me të pashoqin Dervish Shaqja, të cilën edhe falë tij vazhdoj ta kem aq për zemër.

KOSOVA NË LUFTË

Ah, Shqypni, mos thuj mbarova,
Se djelmt tu edhe jan’ gjall’!
N’kamb asht çu e rrebt Kosova
E ban luftën ball për ball.

Ish nji vjet’ ndër ma të vshtira,
Me nji mij nandqind e dhjetë,
Kur Kosov’n mbloj egërsira,
Për me shbi çdo bim’ mbi dhetë.

Ish, por sa e nis njat’hera
Bota mbar’ për m’u gjallsu
Kur me knaqje vjen prandvera
T’gjith natyren m’e lulzu.

Ah, ehu! Do sheje t’kqia
Jan kah vin’ prej ans mbi Le!
N’vent t’prendvers që pret Shqypnia,
Bje mbi të nj’ e rrebt rrufe.

Prej Azis’ tek jan kah lshohen
Me tërbim të madh barbart,
Për me vra, me pre kta çohen,
Me turpnu për jet Shqyptart.

E n’Prishtin’ atje pik’ s’parit
Krisi topi me duhi,
Atje gjaku i shqyptarit
Ra në tok’ me bi përsri.

NGREHU – Poezi nga HILË MOSI

 

Thon’ për ty që ke mbarumun
E gjallsi ti ma nuk ke;
Thon’ për ty që je poshtnumun
O atdhe!

Jan kah thon’ se t’vdiq trimnia,
Qysh se t’ra ajo rrufe;
Thon’ se ty t’u prish djelmnia,
O atdhe!

Thon’ se je nji komb i lanun,
Ma i poshtri ti sot je;
E çka s’jan’ për ty tuj thanun,
O atdhe!

Çdo që bota do të flasin,
Mbushu plot shpres’ të re!
Ty asgja nuk do t’humbasin,
O atdhe!

Shkundi t’rrebtat arm’ mizore
E për luft’ thirrna ne!
Botës diftoj’ që s’je me kore,
O atdhe!

Kshtu ndër kombe tjera njehu,
Tunde botën mbar’ në dhe!
N’luft’ me djelmt’ e tu ti ngrehu,
O atdhe!

 

MBRAMJA 1 NANDUER – Poezi nga HILË MOSI

Pushojti ulërima edhe vaji,
Qi ditën t’vjetrat vorre patën mblue!
N’qetsí t’mjerushme ra tek ka Ermaji
Mbî zall veç ndihet Kiri tue ushtue.

Qe hyjt e hâna m’qiell tek lamparisin
E fushën mbarë e mblojnë m’nji dritë të zbét,
Do drita t’ndezme mbi shum vorre ndrisin…
Mbi tufa lulesh, rrxue me krye për dhét.

Vorrtari, i cili s’njef ç’âsht friga e mnera
Tek shkon mbi vorre dritat tue i shue,
E si mbaron, këthen… po fryn m’turr era,

E gjetht i bân nga nji e nji m’u rrxue…
E kukuvajca mbi qinar, e mjera…
Përpiqet vajin si për m’e mbarue!…

 

LUFTARIT – Poezi nga HILË MOSI

Atje n’at vend të lamun
Me gjak t’Arbnorit t’dlirë;
Atje nji djalë âsht vramun
Atje mbet nji Ilirë.

Atje n’at vend barbari
E njofti mirë djelmnín;
Atje rrëfei Shqiptari
Sá shtrêjt e blén lirín.

Atje Shqypja luftovi
Trimnisht me zogjt e vet;
Atje nji zâ ushtovi:
“Në zjarm, se nji na mbet!”

Ai vend nuk do t’harrohet
I gjall’ do t’jét për né;
Mbas tashit do t’emnohet:
“Nji çerdhe e Shqypes s’ré”.